Wednesday, November 26, 2014

Mbi protestën e opozitës


Protesta e opozitës ditën e shtunë ishte një ngjarje që mund ta krahasosh me një prizëm shumëfaqësh - ndër të cilat disa edhe kontradiktore me njëra tjetrën - që duhen lexuar me kujdes nga e gjithë shoqëria shqiptare. Sigurisht ta dikton këtë nevojë fakti se numri i protestuesve ishte i madh, shumë më i madh nga ç'pritej dhe kjo është sigurisht një nga gjërat kontradiktore që e bën këtë ngjarje njëherësh me faqe të errëta, por edhe me faqe të ndritshme; shqetësuese, por edhe ngushëlluese. E bën shqetësuese fakti se flet për një gjendje jo të mirë e për rreziqe që na kanosen, e bën ngushëlluese fakti se tregon se, me gjithë njëmijë defektet, demokracia jonë krijon ende mundësi reagimi.

Qeverisja
E para gjë që mund të thuhet është se kjo protestë shprehu një pakënaqësi në rritje të njerëzve që nuk lidhet vetëm me mosmbajtjen e premtimeve - pasi njerëzit janë mësuar me gënjeshtrat e politikanëve tanë - dhe as thjesht me punën e mirë organizative të PD-së, por më së shumti me disa punë të këqija të qeverisë veçanërisht me disa aksione që shkojnë 180 gradë kundër premtimeve si dhe me mënyrën se si po kryhen ato. Problemi është se kjo maxhorancë ka marrë në duar për të kuruar një trup të sëmurë, shumë të sëmurë. Ajo që po bën, nëse mund të përdor një metaforë, është sikur këtë trup, që i ka të gjitha organet copë, ta hapësh dhe të kërkosh t'i operosh në të njëjtën kohë edhe zemrën, edhe mëlçinë, edhe stomakun, edhe mushkëritë, edhe, edhe. Nuk ka pikë dyshimi se trupi nuk mund të durojë një rrjedhje të tillë të gjakut. Edhe rritje taksash, edhe prerje energjie për ata që nuk e paguajnë, edhe rritje të çmimit të energjisë për të gjithë edhe rritje gjobash, edhe shkatërrim i ndërtimeve pa leje - që kanë punësuar gjithsesi një numër jo të vogël - edhe shkatërrim të marioanës, edhe rritje e tarifave për studentët, edhe zëvendësime masive nga puna në administratë edhe, edhe. Nuk ka dyshim se duhej vënë dorë mbi shumëçka, por jo në këtë mënyrë. Ta dikton bon sensi që në një punë të kesh prioritete, që pasi kryen një operacion që derdh gjak duhet të kujdesesh që trupi të rikuperohet njëfarësoj që të mund të aplikosh një terapi tjetër mbi një organ tjetër të sëmurë. Po ashtu, jo çdo terapi duhet të jetë operacion me thikë, mund të përdoren edhe terapi më afatgjata dhe jo traumatike.  Po t'i shtosh kësaj edhe pandjeshmërinë që tregohet ndaj këtyre  prerjeve me thikë si dhe faktin se jeta në "pallat" vazhdon si më parë, me show-et e njëpasnjëshme të Kryeministrit të rrethuar me një numër ministrash kukulla që s'kanë asnjë zë në kapitull, zemërimi që shprehu kjo protestë është mëse i kuptueshëm.


Opozita
Paradoksi megjithatë qëndron në faktin se protesta e njerëzve nuk mund të kanalizohen tjetërkund veçse në favor të opozitës, e cila, në shumë aspekte, është përgjegjëse kryesore për sëmundjen e rëndë ku ndodhemi. Nëse kjo qeveri mund të akuzohet si përgjegjëse për një terapi të gabuar, për sëmundjen janë përgjegjës më shumë ata që kanë qeverisur tetë vjet sesa këta që kanë vetëm një vit e pak. 
E këtu vjen reflektimi që duhet të bëjë opozita kur thërret njerëzit në protestë. Duket sikur ajo është e kënaqur që tregoi forcën e saj dhe mjaftohet me kaq. Madje ndoshta ajo mund të jetë duke fërkuar duart me idenë se do të rikthehet shumë shpejt në pushtet. Mirëpo trupi i sëmurë është aty i gjithi duke pritur terapinë efikase dhe njerëzit nuk mund të mos ngrenë edhe kësaj radhe pyetjen: po përsëri do të ngrihemi ne në protesta e do të votojmë për të sjellë në pushtet po ata që, si gjithnjë,  në opozitë na premtojnë Parajsën dhe në pushtet na japin Ferrin? Çfarë na premton ndryshe kjo opozitë përveç përmbysjes së kësaj qeverie në emër të pasurimit të oligarkëve të saj dhe punësimit të militantëve të saj? A ka ajo ndonjë terapi tjetër kundër oligarkisë që akuzon sot përveç metodës së qeverisjes që aplikoi gjatë të vjetëve që na katandisi në këtë gjendje? Po për çështjet e kontrollit të territorit, të pagesës së energjisë, të uljes së borxheve e me radhë e me radhë a ka ajo ndonjë ide më të mirë?


Shoqëria civile
Një lexim pozitiv i kësaj proteste vjen nga fakti se ajo tregoi se njerëzit gjithsesi arrijnë të reagojnë, të paktën përsa i përket arrogancës së pushtetit. Sepse nuk ka dyshim se një nga gjërat që i ka zemëruar ata është edhe një arrogancë dhe mospërfillje që po tregon qeveria me në krye Kryeministrin duke mbështetur aksionet e veta kryesisht në forcën policore si dhe duke mos përfillur  qoftë një opinion jo të vogël publik qoftë edhe opozitën e cila dukshëm ka të drejtë në disa nga pretendimet e saj. Megjithatë, edhe pas protestës,  Kryeministri deklaroi se asgjë nuk do ta ndalojë në rrugën që ka nisur. Nga ana tjetër opozita duket se është e gatshme të shfrytëzojë pakënaqësinë në rritje në favor të rikthimit të saj në pushtet pa marrë parasysh asgjë.
Shoqëria civile duhet të shqetësohet në këtë situatë pasi të dy forcat politika po tregohen irracionale - siç edhe janë treguar historikisht - duke vënë konfliktualitetin dhe luftën për pushtet midis tyre përmbi të mirën e të gjithëve. Protesta në këtë aspekt duhet lexuar edhe si një grumbullim resh që paralajmërojnë furtunë.  Nëse qeveria nuk reflekton, por vazhdon me metodat që ka nisur, të rrisë pakënaqësinë, varfërinë dhe pasigurinë e jetës së shumicës së njerëzve dhe opozita i shfrytëzon këto për të rritur konfliktualitetin vendi mund të futet edhe në një krizë të rëndë destabilizimi dhe mosqeverisshmërie.
Shoqëria civile mediet dhe në përgjithësi njerëzit e vullnetit të mirë duhet të reagojnë për këtë dhe jo të bëjnë, siç kanë bërë më së shumti, zgjatimin e llogoreve të partive.

Ndërkombëtarët
Së fundi, por jo për nga rëndësia, besoj se kjo protestë duhet të bëjë të mendojnë edhe ndërkombëtarët e këtushëm, ambasadorë të ndryshëm, që luajnë një rol jo të vogël në lojën tonë politike, të cilët duken më të entuziazmuar se ç'duhet nga efektet spektakolare të disa aksioneve të qeverisë, dhe kanë lënë jashtë shikimit dhe vëmendjes disa rreziqe që i shprehu jo pak edhe kjo protestë. (Panorama, 24 nëntor 2014)

Wednesday, November 19, 2014

"Arti" i gënjimit të vetvetes


Të gjithëve na ka ndodhur të shohim veten duke u rrotulluar para pasqyrës derisa të ndalemi në atë pamje ku na duket vetja më i/e hijshme. Është kjo pamja që ruajmë zakonisht në perceptimin që kemi për veten tonë fizike. E njëjta gjë ndodh edhe kur shikojmë një numër fotografish tonat, veçanërisht tani që kemi aparatet dixhitale: i fshijmë ato ku “kemi dalë keq” dhe ruajmë ato ku dukemi më mirë. Më së shumti ato pamjet që fshijmë i neglizhojmë, ose nuk i quajmë tonat, ose i konsiderojmë aksidentale.  Vendosim në facebook ato që na duken më të mirat; më tonat. Çfarë qëndron në bazë të këtij fenomeni selektiviteti? Nevoja që kemi të ndihemi mirë, të kemi sa më shumë vlerësim për vetveten. Sipas biopsikologëve, ka zona të trurit që punojnë enkas për këtë punë. Dhe jo vetëm në raport me pamjen tonë të jashtme, por edhe për perceptimin që kemi për veten tonë si tërësi.
Është një fenomen individual ky, por që shtrihet edhe në psikologjinë e grupit, pasi perceptimi që kemi për veten ndikohet shumë nga grupi ku bëjmë pjesë. Është një fenomen normal dhe i shëndetshëm deri në një farë pike, pasi, po ta shohim veten si një qenie të shëmtuar dhe pa vlerë, humbasim deri motivin për të jetuar. Por, ama, kur vetëvlerësimi hipertrofizohet i pakontrolluar nga mendimi kritik, që bën edhe ai pjesë në aktivitete normale të trurit, mund të na çojë shumë larg në gabime. Sipas njërit prej psikologëve që e ka studiuar këtë fenomen, amerikanit Leon Festinger, nevoja për të mos u zhgënjyer me vetveten mund të na çojë deri në atë që ai e quan në anglisht “cognitive dissonance” disonancë konjitive (njohëse), që duke e shqipëruar në formë jo shkencore mund ta quaja edhe gënjim i vetvetes.
Leon Festinger, krijuesi i termit disonancë konjitive, u bë i famshëm në vitet ‘50 në SHBA nëpërmjet studimit të një sekti që profetizonte fundin e botës.  Një grua amerikane, që e quante veten priftëreshë, proklamonte në Winsconsin se një jashtëtokësor i kishte komunikuar asaj një mesazh të fshehtë, sipas të cilit do të ndodhte një përmbytje universale që do të zhdukte njerëzimin dhe se ajo vetë ishte e zgjedhura për t’u shpëtuar. Në vend që të vinte veten në dyshim, ajo krijoi një sekt që mblidhej e lutej në pritje të këtij apokalipsi. Kur u bë e qartë se ky nuk ndodhi, ta donte mendja që sekti të shkrihej. Por nuk ndodhi kështu. Anëtarët e sektit, në vend që të pranonin se ishin një tufë budallenjsh, nxorën teorinë se ishin pikërisht ata, me lutjet e tyre, që e kishin shpëtuar botën.
Festingeri shtroi pyetjen se çfarë ndodhte në mendjen e këtyre të marrëve kur argumentonin kësisoj. Ai i vuri këtij procesi psikologjik emrin: disonancë konjitive (njohëse). Me dy fjalë shpjegimi është ky: ne kemi ide/njohje për diçka, për dikë, për veten tonë që shoqërohen me një lloj besimi në vërtetësinë e tyre dhe një lidhje shpirtërore që kemi me to. Në përgjithësi sipas psikologëve është e rëndësishme për shëndetin tonë mendor që idetë/njohjet tona të jenë konsonante d.m.th. në harmoni me njëra-tjetrën, p.sh. që një njeri që e njohim për të mirë (dhe e duam për këtë) bën mirë, që një njeri i keq bën keq. Por ç’ndodh kur përjetojmë njohje që janë disonante d.m.th. në mospërputhje me idenë/besimin tonë. Sipas psikologëve, kjo na shkakton një ndjenjë frustrimi, saqë mendja jonë ka nevojë të aktivizojë një lloj mbrojtjeje për të mos vuajtur. Mjaft që të mos përballojmë frustrimin dhe ndjenjat negative që na shkakton pranimi i faktit se besimi ynë ishte i gabuar, dhe ne preferojmë të mos e shohim disonancën dhe të sajojmë çfarëdo përralle për t’u justifikuar. Këtë kanë bërë edhe anëtarët e atij sektit që argumentonin se bota shpëtoi për shkak të lutjeve të tyre. Është pak a shumë ajo që na e thotë edhe Ezopi mbi 2000 vjet më parë: ngaqë nuk e arrin dot rrushin, në vend që të pranojë se nuk e arrin dot, dhelpra thotë se rrushi është i thartë.
***
Nëse ka ndonjë grupim ku bie dukshëm në sy disonanca njohëse kjo është tifozeria. Si tifozë ne identifikohemi me grupin/skuadrën e zemrës tek e cila besojmë dhe fitorja ndaj kundërshtarit na bën të ndihemi mirë, kurse humbja na bën të ndihemi keq. Disonanca konjitive shpjegon se pse, për të lehtësuar ndjenjën e keqe pas një humbjeje, tifozët i gjen shpesh të gatshëm t’ia vënë shkakun e humbjes arbitrit, fushës, topit, fatit, shiut, shtyllës, por jo skuadrës së zemrës, apo aftësisë së kundërshtarit.

Edhe më shumë se te tifozeria sportive disonancat konjitive bien në sy te militantët e sëmurë të partive. Këta militantët vazhdojnë ta duan në mënyrë të pakondicionuar një lider partie, edhe kur atij i zbulohen korrupsione apo bën punë të tjera të pista; këta e kanë shumë të vështirë të pranojnë humbjen në zgjedhje si rezultat i punës së tyre të dobët. Është fenomen që e gjen gjithandej, por në këtë vendin tonë është tejet i përhapur dhe shumë problematik. Nuk besoj se është nevoja të jap shembuj për këtë për të provuar se jemi kampionë të këtij fenomeni. I ka fajet Sali Berisha apo i ka fajet Edi Rama janë fjala e parë që nxjerrin militantët e sëmurë nga goja për çdo gjë që nuk shkon mirë.
***
Besoj se lexuesit inteligjentë e kuptojnë se pse po i shkruaj këto radhë në këto ditë të nxehta tifozerie nacionaliste që kanë pasuar ndeshjen Serbi-Shqipëri. Paaftësia jonë kulturore për të parë në pasqyrë edhe përgjegjësitë tona, për të kërkuar ndjesë kur gabojmë, që përkthehet në aftësinë tonë spektakolare për të gënjyer veten, për t’u matur me hijen e mëngjesit, për të gjetur fajtorin gjithmonë jashtë vetes, u shfaq edhe në këto ditët e fundit në mënyrën më dramatike do të thosha – por (fatkeqësisht) pa u përjetuar si dramë pikërisht për shkak të disonancës konjitive.
Për të gjithë ata që e kanë parë nga jashtë botës së emocioneve nacionaliste ballkanase atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit, aty kishim të bënim me një manifestim të shëmtuar nacionalist nga të dyja palët, për të qeshur e për të qarë. Mirëpo ne nuk gjetëm asgjë për të qeshur apo për të qarë në veten tonë, i gjithë shëmtimi u përkiste serbëve. Droni me Shqipërinë e madhe nuk ishte një provokim nacionalist, ishte diçka normale (një pjesë deri vonë e quanin “flamuri ynë” dhe pastaj nxorën teorinë se ishte shkruar “Autochtonus” jo “Shqipëri e madhe”; një pjesë tjetër thanë se na e kanë hedhur serbët qëllimisht, nuk e kemi hedhur ne); lojtarët tanë u treguan heronj që u vërsulën për t’ua marrë nga duart lojtarëve serbë; ata bënë mirë që nuk e vazhduan lojën, edhe pse komisionerët e UEFA-s dhe arbitri anglez u thanë se duhet të vazhdonin lojën. Fitorja na takonte ne 3-0 me të drejtë. Pra, në pasqyrën që ndërtuam për veten me ndihmën sigurisht të politikanëve e gazetarëve tanë të disonancës konjitive, ne dukeshim më të mirët dhe më të bukurit e botës në atë çast. Kur erdhi vendimi i UEFA-s, që ishte në disonancë me këtë vetëperceptim, shpjegimet qenë pak a shumë si ato të atij sektit të Festinger-it: Platini është një francez i fëlliqur, se francezët kanë qenë gjithnjë në krah të serbëve. Arbitri anglez dhe komisionerët e UEFA-s janë pjesë e Europës kurvë, e me radhë e me radhë.
E njëjta gjë u përsërit me vizitën e Ramës në Beograd. Sipas pritshmërive të atyre që ishin edhe promovuesit e takimit, por edhe të njerëzve me vullnet të mirë brenda e jashtë vendit, Kryeministri kishte shkuar atje për të dialoguar në emër të uljes së tensioneve, bashkëpunimit, një të ardhmeje europiane të paqes midis dy vendeve. Ishte një takim i vështirë që kërkonte diplomaci të lartë, duke pasur parasysh sa historinë më të hershme, sa çështjen e Kosovës, aq edhe atë që kishte ndodhur së fundmi në stadiumin e Beogradit, për çka dhe u shty vizita. E vërteta është se Kryeministri u shty nga falangat nacionaliste dhe nevoja e tij për t’u duartrokitur nga sa më shumë njerëz që të mos shkonte me këtë mendje, por për të vazhduar pjesën e dytë të ndeshjes së ndërprerë. E përsëris: pyetja që shtrohet është: a shkoi për të hedhur ura bashkëpunimi dhe paqeje apo për të thelluar hendeqe urrejtjeje dhe ndarjeje. Shkoi për të rregulluar punët e hallet e njerëzve të të dy popujve, apo për të lënduar mburrjen nacionaliste të njërit dhe fryrë mburrjen nacionaliste të tjetrit? Apo për t’u shitur para të huajve sikur po bën të parat dhe në fakt duke bërë të dytat. E vërteta është kjo e fundit sipas meje, që do të thotë se hendeku është thelluar më shumë. Këtë e vërteton triumfalizmi nacionalist shqiptar i pas takimit më një anë, e vërteton fakti se pala tjetër e quajti rast i humbur (Vuçiç), kurse ministri i Jashtëm Daçiç tha se marrëdhëniet u bënë më të acaruara se ç’kanë qenë. Edhe nga të njohur serbë antinacionalistë, kundërshtarë të Vuçiç, na vijnë komente se pas kësaj fjala “shqiptar” është bërë edhe më e urryer në Serbi. Dhe kjo është e dëmshme për shqiptarët, pasi përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët është vital qoftë për ekonominë, qoftë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës në vend, qoftë për integrimin në Europë. E prandaj kemi më së shumti një dështim diplomatik, paçka toneve të vakëta inkurajuese të perëndimorëve. Mirëpo përsëri, me artin e gënjimit të vetvetes, tifozeria shqiptare nuk do ta shohë kështu këtë ngjarje, si një dështim të parapërgatitur. Vizita ishte një sukses. Thyem akujt akullnajat me Serbinë, na thotë Kryeministri dhe zëdhënësit dhe këshilltarët e tij. Pati një problem të vogël, që Vuçiç e quajti provokim, por kjo që qe për faj të serbëve. Ajo që bëri Kryeministri duke u thënë serbëve atë që edhe fuqitë e mëdha nuk ua thonë publikisht, por privatisht, nuk ishte provokim, por një gjë normale. Pse provokim është kur ti i thua Berishës apo Ramës disa të vërteta në sy?- më drejtohej në replikën e tij Andi Bushati, pasi e kritikoja për ekzaltimin e tij nacionalist, kur na e paraqiti liderin tonë si një europian të vërtetë përpara serbit primitiv. Krahasim i gabuar, sepse detyra e Kryeministrit nuk ishte të bënte gazetarin, që përplas të vërtetë edhe duke provokuar (sepse e vërteta dhe provokimi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën), por të bënte politikanin, kryediplomatin, që për hir të bashkëpunimit dhe interesave të njerëzve të dy vendeve duhet t’u mëshonte gjërave që na bashkojnë, jo atyre që na ndajnë. Kurse detyra e gazetarit ishte të na informonte se takimi ishte një dështim në këtë aspekt dhe jo të na jepte një shembull më shumë të disonancës konjitive.
Por ka edhe një disonancë tjetër, që po na servir kopeja e atyre nacionalistëve të cilët, në një kohë kur po na mbyt korrupsioni, konfliktet, papunësia, varfëria, krimi, plehrat dhe pasiguria e jetës në vendin tonë (por ndoshta edhe pikërisht për këtë), po na japin të hamë barin e krenarisë kombëtare; të cilët nxituan ta quajnë Ramën baba mbrojtës të të gjithë shqiptarëve duke na kujtuar Enver Hoxhën kur qante për atdheun abstrakt (teksa dëgjonte këngën “Për ty Atdhe”), por që shqiptarët konkretë i katandisi në gjendje mjerimi.  Ata nuk po na lënë të shohim të vërtetën e madhe që thotë publicisti dhe autori i njohur anglez, Victor Gollancz, në autobiografinë e tij kur flet për nacionalizmin: “Nga të gjitha të këqijat, nacionalizmi është ai që urrej më shumë. Nacionalizmi, d.m.th. egoizmi nacional, të menduarit në termat e një kombi e jo në termat e humanizmit,  është i keq, sepse ai përqendrohet në gjëra jo thelbësore (ku jeton një njeri, çfarë lloj gjuhe flet, cilës kulturë i përket, çfarë gjaku ka etj.) duke injoruar atë që është thelbësorja, faktin që ai është njeri. Nacionalizmi e bën një popull ta urrejë një popull tjetër sapo t’i shfaqet rasti më i vogël për të urryer; ai të çon në xhelozi, ekspansionizëm, shtypje, grindje dhe deri në luftë. (Panorama, 17 Nentor 2014)

Wednesday, November 12, 2014

Mbi takimin Rama - Vuçiç

Nuk është e lehtë të japësh një mendim objektiv për takimin Rama-Vuçiç në Beograd, kryesisht për shkak se mediat e gazetarët shqiptarë që kanë asistuar atje i gjej tejet të njëanshëm; po ashtu nuk kam mundësi të lexoj edhe ato që shkruan shtypi serb për të kundërbalancuar; ndërkaq, ai ndërkombëtar, paradoksalisht, ka qenë shumë më pak i interesuar sesa me rastin e ndeshjes. Por, nga sa kam ndjekur deri tani, mendoj se e kam një gjykim pak a shumë të konsoliduar përsa i përket pyetjes se përse shkoi Rama në Beograd.
Nëse përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është se Rama shkoi në Beograd për të punuar për bashkëpunimin midis dy vendeve në emër të një të ardhmeje evropiane, për të na ulur gjakrat edhe pas asaj që ndodhi në Beograd, për të ndihmuar bashkëjetesën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan me të tjerët, atëherë zor se mund të jesh entuziast për takimin. Jam më shumë i mendimit të atyre që thonë se takimi ishte një vazhdim i tifozllëkut nacionalist të ndeshjes Serbi-Shqipëri sesa një reflektim pas ndeshjes. Si konfirmim të kësaj kemi qoftë reagimet nacionaliste të mediave në Tiranë e Prishtinë, qoftë reagimin e Presidentit serb Nikoliç e të shtypit nacionalist serb me fotot lakuriq të Ramës, deklaratën e vetë Vuçiçit, i cili tha se ishte një rast i humbur, qoftë situatën e nderë që u krijua në Preshevë, qoftë reagimin në Mitrovicë e Graçanicë, ku dhjetëra serbë dolën e paralajmëruan protesta si reagim. Kemi edhe “Washington Post” që shkruante se shkrirja e akujve mes dy vendeve nuk zgjati as sa një konferencë shtypi.

Pse shkoi Rama në Beograd
Nuk kam qenë brenda për të dëgjuar takimin kokë më kokë, por ajo që pashë jashtë më tregoi se ai takim nuk ka qenë një dialog i hapur, i sinqertë, por takimi i dy liderëve të ndodhur në sanduiç midis ndërkombëtarëve, (për të cilët ata kanë aq shumë nevojë), që bëjnë thirrje për bashkëpunim e ulje në dialog dhe nacionalistëve të frustruar në vendet e tyre, që bëjnë thirrje për urrejtje deri edhe vrasje të armikut. Sipas gjykimit tim, të kërkosh të punosh për një të ardhme ndryshe midis popujve shqiptarë dhe serbë do të thotë të kesh guximin të çlirohesh nga frustrimet nacionaliste më së pari si lider dhe pastaj të kërkosh të çlirosh edhe popullin tënd. Rama, ashtu sikurse Vuçiç, dështuan kësaj here duke treguar se kanë zgjedhur atë më të lehtën: kalërimin e këtyre frustrimeve. Ata u bënë më së shumti shprehës të këtyre frustrimeve duke i veshur me një aparencë që erdhi kryesisht në sajë të gjuhës së dyfishtë që janë të detyruar të përdorin për shkak të gjendjes në sanduiç.
Pse janë serbët të frustruar e gjen goxha mirë të shpjeguar edhe në mediat shqiptare. Janë të frustruar sepse kanë dalë humbës nga gjithë ajo çka bënë në ish-Jugosllavi; sepse i ka dënuar e gjithë bota dhe këtë nuk e kanë përtypur dot si përgjegjësi të tyre. Lidhur me shqiptarët janë të frustruar sepse humbën Kosovën, pasi u bombarduan nga NATO dhe se nuk mund ta pranojnë që shqiptarët, të cilët i kanë konsideruar gjithnjë inferiorë, të triumfojnë mbi ta me ndihmën e Evropës. Vuçiç i ka fituar votat dhe pushtetin duke shfrytëzuar pikërisht këtë frustrim, prandaj zor se do të ishte i gatshëm të kërkonte ndjesë edhe publikisht për thirrjet “vrasje shqiptarëve” që lëshuan tifozët e tij radikalë, siç do të duhej të kishte ndodhur.
Po shqiptarët pse janë të frustruar, aq më tepër tani që kanë fituar edhe Kosovën ndaj serbëve? Sepse historikisht janë sakrifikuar nga më të fuqishmit pasi nuk kanë pasur peshë në rajon. Sepse nuk qenë në gjendje të luftonin për shtetin e tyre, por ua bënë shtetin më së shumti dhuratë Fuqitë e Mëdha (edhe me Kosovën u përsërit kjo histori); se ata që mbetën jashtë kufirit kanë jetuar të frustruar pasi janë trajtuar me racizëm nga popujt sllavë që ndiheshin superiorë. Sepse kanë qenë dhe kanë mbetur shteti më i dobët në Ballkan dhe popullsia më e varfër. Po të lexosh me vëmendje shtypin shqiptar të para vizitës së Ramës, thuajse të gjithë e shprehin këtë frustrim duke pretenduar se tani nuk jemi më ata inferiorët, se tani jemi superiorë ndaj serbëve, se Rama nuk shkon sot me sindromën e Hoxhës kur shkoi në Beograd si vasal, se tani jemi në NATO. Se ne jemi më afër Evropës sesa serbët e të tjera si këto.
Rama shkoi në Beograd edhe për të konfirmuar këtë “superioritet” të shqiptarëve ndaj serbëve, për t’u bërë pra zëdhënës i këtij frustrimi që me fjalë të tjera mund të quhet kompleks inferioriteti i pakapërcyer. Dhe sipas meje, nuk duhej të shkohej me këto mendje, se kush është superior e kush inferior, se kush do të fitojë e kush do të humbasë si në një ndeshje futbolli.
Kësisoj, takimi me Vuçiçin për Ramën them se i shërbeu më së shumti thjesht si një paradhomë nga ku doli në skenë për të bërë deklaratën që bëri për Kosovën e për të cilën ai duhet të ketë qenë i vetëdijshëm se do të shkaktonte atë reagim. Ajo deklaratë ishte kulmi i vizitës ashtu siç ishte droni kulmi i ndeshjes së futbollit, duke tjetërsuar qëllimin e vizitës, ashtu si droni tjetërsoi qëllimin e ndeshjes. Të gjitha të tjerat do të harrohen.
Nuk dua të them me këtë se Rama duhet të mbante heshtje për Kosovën, sepse, nëse marrëdhëniet me Serbinë janë këto që janë, dihet se kjo vjen kryesisht për shkak të Kosovës. Por ai tha një fjalë fatale sipas meje, që është pikërisht e kundërta e asaj që duhet të thuhet kur kërkohet dialog midis palëve konfliktuale. Duke folur mbi Kosovën ai tha se qëndrimet i kemi të ndryshme, por realiteti është një dhe i pamohueshëm. Mirëpo dialogu kryhet pikërisht pasi ka dy palë që shohin apo interpretojnë ndryshe një realitet. Vetë fakti që Kosova është njohur nga 108 vende dhe jo nga të gjitha vendet e Kombeve të Bashkuara (ndër to edhe shtete të fuqishme si Kina e Rusia) tregon se ka vende që këtë çështje e shohin ndryshe dhe sigurisht që në krye të tyre do të jetë Serbia. E përsëris thënien e Jaspersit që kam cituar edhe në shkrimin tjetër: “Tragjedia fillon atëherë kur të dyja palët e identifikojnë veten me të vërtetën”. Arti i dialogut është pikërisht respektimi i të vërtetës së tjetrit edhe kur nuk je në një mendje me të. Ja pse duhej gjetur një gjuhë tjetër, që kjo të mos merrej si provokim. Sikurse tha gazetari Buzhala, edhe vendet perëndimore ia thonë privatisht Serbisë një gjë të tillë dhe jo publikisht. Edhe Rama mund t’ia thoshte privatisht Vuçiçit, kurse publikisht mund të mjaftohej me pak fjalë, duke deklaruar se kemi qëndrime të ndryshme, nuk jemi marrë vesh, por besojmë dhe shpresojmë se vizioni për të ardhmen e përbashkët në Evropë do të na ndihmojë të gjejmë zgjidhjen më të mirë për të dy popujt. Ndërkaq, ajo që tha Rama nuk u duk si rezultat i çka ishte biseduar sinqerisht atje, por si një deklaratë e përgatitur për t’u thënë, pavarësisht se çfarë ishte biseduar, që të merrte votat e tifozerisë nacionaliste shqiptare apo që të mos i thoshin se vajte në Beograd për të shitur Kosovën.

A ishte provokim ajo që tha apo jo? Pyetja shtrohet: kush e përcakton se ç’është një provokim, ai që e bën apo ai që e pëson? Sipas meje, ai që e pëson, kurse ai që nuk e di apo bën sikur nuk e di se po bën një provokim, ose është budalla, ose është i painformuar, ose është shejtan-budalla. Dhe, sipas meje, nuk lahet kjo duke i thënë Vuçiçit: hajde ti në Shqipëri dhe thuaj çfarë të duash e ne nuk do të ta quajmë provokim. Po pse ia paskemi ne borxh Vuçiçit që të vijë të thotë çfarë i pëlqen kundër shqiptarëve? Pastaj, a nuk e quajtëm ne deklaratën e Irineit në Tiranë provokim dhe gati e mbytëm Janullatosin që e ftoi? Dhe a nuk u bë edhe Rama dora vetë një nga protagonistët e sulmit ndaj Janullatosit për këtë? Prandaj them se kanë të drejtë ata që thonë se takimi ishte vazhdim i ndeshjes së futbollit me mjete të tjera. Rezultatin e kësaj ndeshjeje, sipas tifozëve shqiptarë, e gjeje duke lexuar kronikën që na erdhi nga Beogradi nga Andi Bushati, sipas të cilit Rama kishte hedhur në Beograd një dron të dytë, që për shqiptarët do të thotë një afirmim të krenarisë kombëtare, kurse për serbët një provokim dhe poshtërim mu në zemër të Serbisë. Duke parë edhe ekzaltimin e Bushatit që vinte në dukje epërsinë “evropiane” të Ramës mbi homologun e tij serb; këtë 3 – 0 që Rama i paska shënuar Serbisë, mund të thuhet se Rama do të kthehet në Shqipëri krenar dhe do të pritet siç u prit Lorik Cana me fitore në xhep. Por, për (rezultatin e ndeshjes, duhet të presim vendimin e “UEFA-s”. Panorama, 12 nëntor 2014)

Thursday, November 6, 2014

Tragjedia e vrasjes dhe dështimi i katarsisit

Pas vrasjes së Artan Santos kryeqyteti përjetoi këto ditë një ngjarje tjetër me fuqi të lartë tronditëse. Një djalë i ri, bir artistësh, që ka thuajse të njëjtën moshë me sistemin që kemi ndërtuar pas rënies së komunizmit, vrau katër veta duke shënuar një pikë kulminante të jetës së tij midis krimit,  burgut dhe drogës. Ngjarja është tronditëse më shumë se të tjerat jo vetëm nga numri i të vrarëve, por edhe pasi, për nga konteksti i moshës dhe origjinës së autorit, ka më shumë forcë për të na bërë që ta shohim veten në pasqyrë.

Familja dhe shoqëria
Nuk ka dyshim se një nga gjërat që godet është fakti se vrasësi është bir i një familjeje artistësh ndër të cilët e ëma është edhe deputete. Ta do mendja se një fëmijë i tillë do të duhej të kishte përfunduar studimet e të punonte për doktoraturën apo të ishte bërë edhe ai një aktor apo artist. Ta do mendja se ky do të duhej të ishte ndonjë nga ata që, edhe në sajë të filmave që ka parë për shkak të profesionit të prindërve, do të kishte zhvilluar ca më shumë ndjenjën e empatisë, për të mos e ngritur pistoletën me aq lehtësi kundër një qenieje tjetër njerëzore. Si ka mundësi? Ku ka gabuar kjo familje?
Me të drejtë dhe pa të drejtë, sipas meje, revoltimi i shumë njerëzve u drejtua për kah familja. Them “me të drejtë” se nuk mund të mohohen përgjegjësitë e prindërve në këtë histori. Nuk e njoh dhe as dua të hyj në jetën private të  familjes Xhuvani. Mendja më së shumti të shkon në faktin se një jetë dedikuar skenës dhe filmit mund të ketë lënë mbas dore të birin në një moshë delikate dhe devijimi i tij për nga droga dhe krimi  të jetë rasti tragjik i jetës së disa fëmijëve të cilëve u mungon dashuria dhe përkujdesi prindëror. Përgjegjësia e tyre më e madhe, megjithatë, vjen më pas: në mbështetjen që i kanë dhënë  kur e kanë parë qartëse i biri është kthyer në një kriminel dhe jeton si një kriminel. Në përdorimin madje të pushtetit për t’i mbuluar apo zbutur krimet e tij duke u pajtuar me të papajtueshmen, bashkëjetuar me të pabashkëjetueshmen në vend se t’i kundërvihen asaj, jo vetëm si prindër, por edhe si qytetarë.
Thashë gjithashtu “pa të drejtë” pasi, sipas meje, problemi është se nuk kemi të bëjmë thjesht me një rast të veçantë prindërish të veçantë. Pa dashur të harroj tërë ato familje të ndershme që kanë bërë gjithshka për të edukuar e shkolluar fëmijët e tyre, nuk mund të mohojmë se numri i të rinjve, veçanërisht meshkuj, që jetojnë me krim e drogë, shpesh të lidhur njëri me tjetrën, është dramatikisht i madh në këtë shoqëri. Droga dhe krimi janë një problem shoqëror jo thjesht familjar, që lidhet me kushtet që kemi krijuar ne për rritjen, edukimin dhe punësimin e një rinie të shëndoshë. Prandaj them se nuk janë vetëm prindërit përgjegjës për këtë djalë që ka marrë rrugën e krimit, por edhe shoqëria me të cilën ai është rritur, sistemi i vlerave që i ka transmetuar ajo. Nuk do shumë fjalë për të përshkruar këtë sistem dhe modelet e njeriut që ai ka ndërtuar. Mjaft të shikosh se sa intelektualë janë të detyruar të punojnë në shërbim pushtetesh mafioze. Mjaft të shikosh sistemin arsimor mizerabël ku mësuesit kanë humbur autoritetin dhe respektin jo vetëm për faj të tyre, por edhe për faj të tyre. Mjaft të shikosh mjaft politikanë të ekzekutivit, deputetë të legjislativit, gazetarë e pronarë mediesh që drejtojnë opinionin publik deri tek prokurorë, gjyqtarët e policë për të konstatuar se jetojmë në një shoqëri ku, më së shumti, e keqja shpërblehet dhe e mira ndëshkohet. E në këtë shoqëri nuk ka se si të mos krijohen edhe aberracione të tilla ekstreme, nganjëherë madje edhe si reaksion ndaj saj.
Policia
Një nga justifikimet që kanë shefat tanë të policisë kur ankohesh për ndonjë krim është: po vrasje ndodhin edhe në New York, vjedhje ndodhin edhe në Paris. Është e vërtetë, por vrasjet e vjedhjet që po ndodhin tek ne, për shkak se njerëzit, veçanërisht të rinjtë, jetojnë e mbijetojnë nëpërmjet krimit janë shumë të mëdha në numër për një popullsi që nuk e dimë a është gjithë gjithë 2.5 milion brenda vendit. Problemi është se bije në sy një lloj bashkëjetese e policisë me krimin. Shumë nga kriminelët që qarkullojnë të patrazuar në Tiranë – jo domosdoshmërisht të gjithë vrasës, por njerëz që kanë para nëpër duar në sajë të krimit – njihen nga policia. E kam përmendur edhe një herë tjetër në një shkrim atë që më tha një i huaj që njihte mire gjendjen tonë duke e krahasuar me atë të Rumanisë: Edhe atje ka mafie - më tha – por ndryshimi qëndron në atë se një mafioz në Rumani nuk e ble kurrë një makinë ultra të shtrenjtë, sepse e di se do të bjerë menjëherë në sy të policisë e do të kapet. Kurse këtu tek ju mafiozët kapardisen me makina të tilla mu në mes të Tiranës. Problemi është se pajtimi me të papajtueshmen dhe bashkëjetesa me të pabashkëjetueshmen janë bërë normë edhe për policinë. Gjatë kësaj vere i kam telefonuar policisë më shumë se dhjetë net rradhazi gjatë fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit për tu ankuar për muzikën e një lokali me emrin “Folia” që ndodhet jo më larg se 100 metra nga Ministria e Brendshme për shkak të zhurmës së llahtarshme që lëshon ai lokal në orët e pasmesnatës. Kam shkruar edhe më parë për këtë fenomen duke vënë bast me lexuesin se e njëjta gjendje do të përsëritej edhe me maxhorancën e re. “Po njoftojmë grupin e shërbimit” ishte përgjigja që më vinte nga ana tjetër e telefonit. Unë nuk di çfarë bënte grupi, por shërbimi që kam pritur prej tij nuk më ka ardhur asnjëherë sepse zhurma e llahtarshme nuk ka ndaluar që nuk ka ndaluar. Mendja nuk mund të mos të të shkojë se lokale të tilla popullohen me të tillë njerëz të armatosur si Xhuvani që kanë edhe para, edhe pistoleta, edhe lidhje me pushtetin nga të cilët policia edhe ushqehet edhe trembet.

Drejtësia
Unë nuk e di se si mund të jetë i qetë në ndërgjegjen e tij ai prokuror që një vrasje si ajo që ka kryer Xhuvani para tre vjetësh e ka cilësuar kapërcim të mbrojtjes së nevojshme? Po gjyqtari që i ka dhënë për një vrasje vetëm dy vjet? Nuk e di. Ata qofshin. Por një gjë di gjithashtu: se në duar njerëzish të tillë drejtësia kthehet në padrejtësi, prandaj ata dhe njerëz si ata nuk duhet të jenë prokurorë dhe gjykatës. Madje mua më duket se ata duhet të akuzohen jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht për vrasjen që ndodhi. Sepse të lesh një vrasës të lirë pasi ai të ka paguar apo sepse të kanë ndërhyrë politikisht do të thotë t’i krijosh atij mundësi të vrasë përsëri. Dhe, nëse ai vret, a je ti pa përgjegjësi ligjore?
Megjithatë më duhet ta pohoj se nuk mjafton ndëshkimi i njerëzve të tillë për të ulur drejtësinë në vendin e vet në prokurorinë dhe gjykatat tona. Sfida për të pasur prokurorë e gjykatës të drejtë duhet të nisë nga sfida për të pasur njerëz me ndjenjën e drejtësisë. E më duket se kjo sfidë është e njëjtë me sfidën për të pasur sa më shumë të rinj që refuzojnë të marrin rrugën e drogës e krimit që mori Xhuvani. Është një sfidë në krye të së cilës duhet të jetë politika. Por për mua ajo s’ka sy për Qabe.
Politika
Një nga gjërat më të shëmtuar që ndodh në këto raste është pervertimi që u bën politika tragjedive të tilla që, përndryshe, mund të shërbenin si një katarsis për shoqërinë. Siç e thashë Kostandin Xhuvani ka lindur bashkë me të ashtuquajturën demokraci shqiptare. Ajo që duhet të bëjë politika dhe politikanët që na kanë drejtuar në këta vjet do të duhej të ishte një reflektim i thellë mbi atë se ku kemi gabuar ne që fëmijët e artistëve në vend se të bëhen të paktën njerëz të ndershëm, bëhen vrasës. E pra, nëse ka politikan që do të duhej të mendonte e reflektonte më shumë për këtë, ky është Sali Berisha që ka qenë në pushtet më shumë se gjithë të tjerët? Mirëpo nuk ndodh kjo? Me kulturën politike primitive që e karakterizon e që ka kultivuar në partinë e tij ai nxiton ta thjeshtëzojë dhe ta reduktojë të gjithë ngjarjen për të nxjerrë përfitim për veten: Sipas tij vrasja ndodhi për shkak të Partisë Socialiste që e ka lënë të lirë vrasësin pasi është biri i një deputeteje të saj. Këto janë bandat e qeverisë që qarkullojnë të lira nën mbrojtjen e Kryeministrit vetë. Ok, por si ka mundësi, zotëri, që këta vrasës janë bërë vrasës gjatë kohës kur ke qeverisur ti, sepse Xhuvani ka qenë adoleshent kur erdhe ti në pushtet dhe ndejte jo pak, por tetë vjet derisa ai u bë burrë. Nëse ai ka qenë i përfshirë në trafiqet e drogës së Lazaratit a nuk ke përgjegjësi edhe ti që i lejove ata trafiqe? Nëse Partia Socaliste e LSI sot po qeveris me banda kriminale a nuk ke përgjegjësi edhe ti që këto banda nuk i ke luftuar e asgjësuar kur ishte në pushtet, madje me LSI ishte edhe në koalicion? Po pse nuk ka ndodhur kjo luftë ndaj këtyre bandave? Sepse me logjikën e përdorimit të bandave dhe të fortëve e vrasësve ke punuar edhe ti. Ja kjo është puna. Nga ana tjetër Edi Rama bën shfaqjen e radhës të hipokrizisë duke dalë së bashku me nënën aktore, të veshur me të zeza, që përlotet teksa jep dorëheqjen... çuditërisht në selinë e Kryeministrisë. E gjithë skena është ndërtuar për tu shfrytëzuar politikisht, për t’i kujtuar opozitës Gërdecin dhe 21 janarin si kundërpërgjigje e për të qetësuar të revoltuarit që kërkojnë linçimin e aktores deputete. Asnjë fjalë për të hyrë pak më thellë në shkaqet e këtij krimi. Asnjë fjalë për akuzat se ka futur kriminelë në Parlament e në Administratë. Mjaftohet me atë që ka thënë se dëshmia gjyqësore e këtyre njerëzve është e pastër duke harruar se çfarë thotë po vetë për këtë gjykata e gjyqtarë që shpesh kanë lëshuar këto dëshmi, siç kanë dënuar vetëm dy vjet një vrasës si Xhuvani.

Kësisoj, të udhëhequr nga këta tribunë të rremë, pas tronditjes së parë që i nxit të futen në kuptimin më të thellë të kësaj tragjedie, njerëzit i humbasin këto ndjenja për t’i zëvendësuar shumë shpejt me ndjenjat e luftës për pushtet midis dy bandave e duke e dështuar kështu (si shumë herë të tjera) rastin për ta përjetuar këtë që ndodhi si një tragjedi nga e cila duhet të lindë vetëdijësimi, katarsisi e nevoja për shpëtimin tonë të vërtetë. (Panorama, 6 Nëntor 2014)