Monday, December 28, 2009

Punë batakçinjsh

Kam ndjekur me vëmendje në shtyp akuzat e ndërsjellta lidhur me shitblerjen e 1300 metrave katrorë në qendër të Tiranës, tek Tajvani, që, së fundi, është bërë edhe casus belli midis maxhorancës dhe opozitës aq sa, maxhoranca ka hedhur në gjyq për këtë Edi Ramën dhe ky, nga ana tjetër, ka hedhur në gjyq Sali Berishën (të paktën kështu thonë të dy palët). E kam ndjekur me kuriozitet edhe pasi pikërisht në atë kohë kam shkruar një artikull me titullin "Pse u shit/ble gazeta Tema" (nga pronari i Tajvanit) i cili, në thelb, hidhte alarmin se maxhoranca e re, në vend se ta luftonte sistemin e korrupsionit, po fillonte ta kalëronte atë.
Duke bashkuar copat e puzzellit që shkruhen në gazetat e opozitës me ato që shkruhen në gazetat e maxhorancës historia që po na del në skenë lidhur me Tajvanin është emblematike për të ilustruar se si funksion politika jonë, biznesi ynë, mediat tona. Del se ndërtesa e Tajvanit si pronë publike (jo ajo copa e tokës) na qenka privatizuar dhe shitblerë disa herë me çmime që brenda një kohe të shkurtër qënkan dhjetëfishuar: pazari ka filluar me famëkeqen shoqëri Shqiponja që në vitin 1997 ia paska shitur një biznesmeni për një shifër të ulët, i cili, ky biznesmeni, pastaj ia paska shitur një greku për 750 000 dollarë, i cili, ky greku, vetëm pas gjashtë muajsh ia paska shitur Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë. (ndërkaq, sipas gazetave të maxhorancës, këto shifra të dhëna nga Tema nuk përputhen me ato të regjistruara tek noteria, çka është bërë për evazion fiskal).
Me një fjalë kemi të bëjmë me historinë tipike të privatizimeve të pronës publike në Shqipëri gjoja në emër të ndërtimit të një ekonomije tregu të lirë dhe që, në realitet, ka rezultuar në punën e grabitjes së pronës publike nga një grup i vogël njerëzish të lidhur me politikën që ka ndërtuar një sistem ekonomik ku mbizotëron monopolizimi, spekullimi, informaliteti, evazioni, kriminaliteti.
Mirëpo, për të vazhduar historinë, Besos së Tajvanit nuk i ka mjaftuar kaq tokë, por i duheshin edhe ato 1300 e ca metrat katrorë përreth. Duket se i duheshin për lulishte edhe sepse në tokën që kishte pas blerë kishte prishur, i patrazuar, koeficentin e ndërtimit. (Në fakt kujtoj se atë kohë një ndërtues erdhi tek unë i shqetësuar dhe më tha se themelet që ishin hedhur atje nuk qenë për një ndërtesë dy katëshe, por për një pallat mbi njëzet katësh. Por kjo është një tjetër histori). Dhe për të blerë këtë copë tokë Besos i duheshin edhe votat e këshilltarëve të PD sepse këshilltarët e PS-së së Ramës, që i kishte në xhep, nuk mjaftonin. Dhe ky ishte një problem pasi në fushatën elektorale PD kishte premtuar se do ta hiqte kazinon e Besos nga Tajvani dhe e kishte akuzuar këtë biznesmen si simbol të korrupsionit të socialistëve. E këtu hynë në lojë demokratët, që na kishin premtuar të luftonin korrupsionin. Sipas dëshmive që na jep Mero Baze dhe Mitro Çela, që janë dy nga këshilltarët e PD që kanë votuar për Beson, votimi është bërë me bekimin e Berishës tek i cili paskan ndërhyrë që nga Fatmir Mediu e Gramoz Pashko e deri tek Merua e Mitrua të cilët, këta dy të fundit, paskan shkuar në zyrën e Berishës një ditë para votimit për ta biseduar çështjen. Ishin të armatosur edhe me atë që Besua u kishte thënë në një takim të organizuar për këtë punë tek shtëpia e Pashkos, se ai kishte sponsorizuar edhe Partinë Demoraktike për zgjedhjet (pyesni Bertin e PD në Ballsh po deshët) prandaj Berisha mund të kandisej. Sigurisht ky allishverish ose punë e pisët - siç e quan PD sot - nuk bëhej pa bekimin e Berishës prandaj dhe Merua e Mitro kanë shkuar dhe e kanë biseduar me të dhe ky u paska dhënë dorë të lirë. Se si është tamam e vërteta e atyre bisedimeve ne nuk e dimë, por dimë se shitja "u kry". Dhe fakti që shitja u kry nuk mund të mos na bëjë të mendojmë disa gjëra: si psh. se kjo punë nuk bëhej dot pa miratimin e Berishës, por edhe se nuk bëhej dot pa votat e Meros dhe Mitros e të disa prej këshilltarëve të tjerë të PD. Dhe, po ashtu, nuk mund të mos kujtojmë se në këto kohë gazeta Tema, megjithëse me humbje, u shit nga Merua tek Besua për 500 000 euro dhe se versioni që na ka servirur Baze, si një nga njerëzit më të afërt të Berishës, se ky ka qenë i ndershëm në ato kohë, por u prish më vonë, pasi u bë peng i korrupsionit të fëmijëve, është i rremë. Dhe të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se kjo shitje korruptive nuk kryhej nëse në krahun tjetër të mos kishte një këshill të tërë të Edi Ramës që e ka votuar në grup, siç kishte pas votuar më parë edhe shumë bëma të tjera si këto, pasi shumica e këshilltarëve socialistë ndanin, me thikën e Kryetarit, tortën e përfitimeve në formën e lejeve të ndërtimit e tenderave e më the të thashë.

Në fakt historia e 1300 metra katorëve tek Tajvani është metaforë e asaj se si i kanë trajtuar 28000 km katror Shqipëri këta batakçinj të vjetër dhe të rinj. Si histori privatizimesh ajo është aq e rëndomtë sa ndoshta të vetmen vlerë që ka, për të marrë mundimin ta shkrush, është që t'u lihet një dëshmi më shumë nipërve dhe mbesave të këtyre batakçinjve që një ditë të dinë se si janë pasuruar gjyshërit e tyre në kurriz të të gjithë shqiptarëve, se si gjyshërit e tyre politikanë punën publike e kanë pasur thjesht si mundësi për të marë rryshfete dhe përfitime nga gjyshërit bisnesmenë që biznesin e tyre nuk mund ta ndërtonin pa rryshfete dhe se këto biznese mund të lulëzonin edhe më mirë me ndihmën e gjyshërve gazetarë që në vend të punës së gazetarit bënin punën e sekserit.
Por historia e rëndomtë e Tajvanit ka edhe një specifikë që e bën të veçantë. Ajo është ndër të parat, në mos e para, që shenjon një datë të re kur sistemi i korrupsionit filloi të punojë tashmë me dy shina që vende vende kryqëzoheshin dhe vende vende ndaheshin. Dhe këtu duhet të ndalemi në analizën tonë sepse ky është një moment i rëndësishëm për të kuptuar edhe çfarë po ndodh sot. Viti 2005 shënon, pra, herën e parë në historinë e paskomunizmit tonë ku instalohen jo më një, por dy pushtete të korruptuar që punojnë paralelisht me njëri tjetrin, por edhe në konflikt me njëri tjetrin: ai qendror i Berishës dhe ai lokal, i Ramës.
Ajo që më duket për t'u vënë në dukje në këtë kontekst është se konflikti midis tyre, në mënyrën se si po kryhet sot, zbulon krizën në të cilën ndodhen të dy bandat. Duket se vështirësia në të cilën ndodhen i ka bërë të humbasin edhe vetëdijen se punët e pista bëhen nën tryezë, por nuk thuhen, në publik. Të duket gati gati sikur të jenë të arrestuar dhe të kapur me presh në duar dhe po akuzojnë, si të penduarit e mafjes, njëri tjetrin se kush ka qenë më i poshtri në këtë histori. Si shpjegohet kjo, kur ke parasysh që s'ka gjykatë për ta?
Për mua kjo nuk shpjegohet vetëm me karakterin konfliktual e iracional të liderve Berisha dhe Rama, pavarësisht se mendoj se një maturi dhe urtësi e tyre do të ndikonte, për mirë dhe për keq, për ta bërë më racional konfliktin. Në fakt vetëm në sipërfaqe duket sikur situatën e ka acaruar konflikti politik, por, sipas meje, nën të, duhet të kërkojmë edhe konfliktin ekonomik prej nga gjeneron ai. Normalisht duhet pohuar se ne kemi dy grupe interesi (po përdor këtë eufemizëm kësaj here) që janë në konflikt me njëri tjetrin sepse ushqimi në xhungël është në skarcitet. Në këtë situatë të rrezikuarit më të mëdhenj, ata rreth Ramës, kanë shtuar agresivitetin, kurse Berisha nga ana e tij, duke pasur në dorë pushtetin qendror, po përdor luftën e akuzave ndaj tyre për punëra të pista, duke bërë pa dyshim një luftë selektive, në emër të fuqizimit (apo mbijetesës) të grupit të tij të interesit. Pse nuk flitet psh. për shitjen e një cope trualli publike edhe më në qendër se Tajvani, përsëri me një çmim qesharak? Në parim është e njëjta gjë: Kisha Ortodoksde kishte edhe ajo nevojë, si Besua, për më shumë tokë për ndërtimin e kishës sesa ç'i takonte nga kompensimi për tokën që i ishte marrë nga regjimi tek Hotel Tirana. Dhe kjo tokë iu shit/fal atje ku u kompensua, tek lulishtja prapa ministrive, duke shkelur me këtë kompensim e shitje edhe konventën e Ahrusit edhe ligjin e mbrojtjes së monumenteve të kulturës të hartuar nga Rama dhe të aprovuar nga vetë Meta, në dëm të të gjithë banorëve të Tiranës që sot po u merret fryma për pak gjelbërim. Mirëpo kjo shkelje (mesa di, e Metës dhe Ramës bashkë) Berishës nuk i intereson se s'ka pse prishet me Janullatosin dhe Metën ashtu sikurse nuk i interesojnë batakçillëqe të tjera, të bëra në vende të tjera nga Rama, në favor të klientelës së tij të sotme.
Ndërkaq, i dëmtuari i madh i këtyre batakçillëqeve, populli shqiptar, asiston i neveritur dhe i rrasbitur në luftën që po bëhet gjithnjë e më lakuriqe, gjithnjë e më e vështirë për t'u mbuluar me gjethen e fikut politik. Vizat dhe sabotimi i tyre, hapja apo mbyllja e kutive, hyrja ose dalja ne Evropë, korrupsioni e lufta kundër tij, gratë e Edi Ramës dhe familja e Berishës janë gjethefiku që mbulojnë këtë luftë sa të egër aq edhe banale për para. Ata që s'janë dhe s'duan të jenë apo s'mund të jenë pjesë e kësaj lufte janë të destinuar të shohim nga shtëpia, të pafuqishëm, përleshjen e këtyre dy bandave në rrugë ndërkohë që interesi i i tyre është se si të çlirohen prej terrorit të tyre moralvrasës e ekonomivrasës.
Të mendosh se shpëtimi mund të vijë nga ngrënia e kokës që ata do t'i bëjnë njëri tjetrit, dmth. që hundëleshi i rradhës të vijë e t'i thyejë hundën agresorit të rradhës, sipas meje rezulton në përforcimin e së keqes.
Sigurisht është absurde të mendosh se të gjithë pjestarët e këtyre bandave do të duhet të eliminohen. Personalisht mendoj se brenda këtyre partive/banda ka shumë që duan të çlirohen nga kjo situatë ashtu sikurse edhe brenda biznesit dhe mediave, por kanë frikë të ndërmarrin hapa sepse imponimi dhe komprometimi që u është bërë nga kapobandat i nxjerr jashtë loje. Megjithatë mendoj se kjo krizë duhet të ndihmojë që dikush nga politika apo edhe nga biznesi dhe nga mediat të bëjë përpara për të ngulmuar për një projekt që do të synonte transformimin e sistemit kriminal politik, ekonomik e mediatik që kemi ngritur. Kjo kërkon një projekt që do të synonte çarmatosjen e partive/banda nga armët e tyre të paligjëshme ekonomike dhe mediatike, çarmatosjen e bizneseve nga mbështetja e tyre e paligjëshme politike dhe mediatike dhe çarmatosjen e gazetarisë nga lidhjet imorale me politikën dhe me ekonominë. Për t'u lehtësuar kjo do të ishte mirë që nga kjo betejë/krizë të "vriteshin" protagonistët kryesorë të të dyja palëve dhe të dilte në skenë një prapavijë e dytë më e pakomprometuar dhe më racionale. Dikush do të më thotë se dashkam të shembet ngrehina dhe të na zërë brenda të gjithëve. Por, për mua, ngrehina ka filluar të kërcasë nga të katër anët. (Korrieri, 28 dhjetor 2009)

Read More......

Thursday, December 24, 2009

Liderët karizmatikë dhe demokracia

Para disë ditësh në Itali ndodhi një ngjarje e pazakontë. Një i sëmurë psiqik goditi në fytyrë, me një statuetë prej allçie të Duomos së Milanos, nga ato që shiten për suvenir, liderin e partisë në pushtet Silvio Berlusconi duke i shkaktuar, bashkë me disa çarje në fytyrë, një frakturë të lehtë të kockës së hundës dhe thyerjen e dy dhëmbëve.
Ngjarja u komentua shumë dhe vazhdon të komentohet. Partia e Berlusconit akuzoi për aktin ata që i quajti "dërguesit moralë" të agresorit. E kishte fjalën për fushatën akuzuese që po bëhet ndaj Berlusconit nga një pjesë e mediave dhe opozita më radikale për lidhjet e tij me mafjen. Opozita e dënoi aktin, por përgënjeshtroi gjithashtu akuzat që iu bënë asaj. Gazetarët e akuzuar u shprehën se ky akt i dënueshëm nuk mund të shfrytëzohet nga maxhoranca për të dhunuar lirinë e shprehjes dhe të investigimit.
Ndër shpjegimet e aktit të të sëmurit psiqik më tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen ajo e sociologut dhe psikoanalistit Gallimberti. Ai e shpjegoi aktin ndaj Berlusconit me karakteristikat e atij që ai e quajti "lideri karizmatik". Sipas Gallimbertit liderët karizmatikë krijojnë rreth vetes një raport dashuri urrejtje me simpatizantët dhe kundërshtarët e tyre. Pra lideri karizmatik e ndërton autoritetin e tij në partinë e vet me një lidhje të fortë dashurie të mbështetësve të vet. Në mitingjet e partisë së Berluskonit këndohet hymni "Meno male che Silvio c'e" që do të thotë "shyqyr që kemi Silvion". Por, nga ana tjetër, kundërshtarët, pikërisht për këtë, krijojnë më shumë urrejtje ndaj tij. Dhe në këtë raport dashuri urrejtje - sipas Gallimbertit - njerëz me probleme psikike, që kanë pësuar trauma persekutimi në fëmijëri, janë shumë më të ndjeshëm ndaj këtyre liderve kur i urrejnë, prandaj dhe duan t'i vrasin ata, simbolikisht, si në rastin në fjalë, apo edhe realisht
Ky koment mbi liderin karizmatik më tërhoqi në mënyrë të veçantë sepse, duke e dëgjuar, s'mund të mos mendoja për raportet dashuri urrejtje të liderve tanë Berisha dhe Rama me simpatizantët e kundërshtarët e tyre. Nuk besoj se duhen shpenzuar shumë rreshta për ta përshkruar raportin e tyre me partitë që drejtojnë dhe simpatizantët e tyre si ai i liderit karizmatik Berlusconi, madje deri në atë shkallë sa të meritojnë vargjet e Majakovskit në poemën V. I. Lenin: "Kur themi partia nënkuptojmë Lenini/kur themi Lenini nënkuptojmë partia." Mjaft të kesh parasysh faktin se të dy janë zgjedhur me mbi 90% të votave, apo hapësirat që u jepen nëpër gazeta e televizione, apo faktin se brenda partive nuk pipëtijnë thuajse fare zëra disidence, çka është më dramatike në partinë e Berishës, por edhe ajo e Ramës duket se aty po shkon. Është po ashtu krejt i dukshëm fakti se, kur flasin nëpër mitingjet e tyre, këta liderë gjithnjë e më shumë u drejtohen pikërisht adhuruesve të tyre me një gjuhë që, nga ana tjetër, synon të ngjallë urrejtjen për liderin kundërshtar. Mjaft të kesh parasysh replikat e kohëve të fundit. Ndërkaq, dihet se kundërshtarët e liderve tanë karizmatikë i urrejnë aq shumë këta saqë mbyllin televizonin ose e kalojnë në kanal tjetër kur shfaqet pamja e tyre në ekran. Shumë syresh e kalojnë kohën në kafene duke tallur dhe përqeshur liderët e urryer.
Fenomeni i liderit karizmatik, siç e thashë, është një fenomen që e vëren sot edhe në botën demokratike. Veçanërisht tani në kohën e mediave, karizma e tyre ndërtohet edhe më shpejt. Ndërkaq atje gjen edhe shqetësim për rrezikun ndaj demokracisë që paraqesin këta liderë, për një raport të zhdrejtë midis nevojës për lider karizmatik dhe demokracisë së një vendi apo të një partie. Sa më karizmatikë të jenë liderët apo sa më shumë nevojë të ketë për liderë karizmatikë, aq më shumë probleme ka demokracia në një vend. Rasti i Berluskonit në Perëndim është ndër më të theksuarit, por edhe në vende të tjera perëndimore spikasin figura që, sa më karizmatike janë, aq më antidemokratike shfaqen. Mjaft të kesh parasysh Sarkozi në Francë që sot po akuzohet për bonopartizëm.
Megjithatë Perëndimi ka jo pak instrumente mbrojtës nga të ashtuquajturit liderë karizmatikë. Madje duket se pikërisht për të kundërballancuar rrezikun e liderit karizmatik në këto vende partitë kundërshtare kanë lider jo karizmatikë ose më mirë të themi me një karizmë antikarizmatike, siç ishte Prodi psh. në Itali.
Nëse do t'i kthehemi realitetit tonë do të thoja se problemi i liderit karizmatik në termat e Gallimbertit në vende si i yni, që s'kemi shumë (por tashmë as pak) kohë që kemi dalë nga një periudhë lideri karizmatik absolut, është shumë më i madh. Liderët tanë karizmatikë janë një shartim i trashëgimisë së liderit absolut të tipit të diktatorit Hoxha me imitimin e liderve karizmatikë perëndimorë që janë produkte mediatike e që shpesh quhen edhe liderë populistë. Ne kemi në krye të partisë në pushtet një lider si Berisha që ka afro njëzet vjet që drejton partinë e tij dhe që as duket të ketë ndërmend të tërhiqet, sepse i thotë vetes fitimtar. Është tipiku i liderit karizmatik me të cilin identifikohen simpatizantët e partisë së tij dhe që urrehet thellë nga kundërshtarët. Nano në vitet e para ishte disi më i ndryshëm nga Berisha, por edhe ai, megjithë një lloj përçmimi që reflektonte për figurat autoritare si Berisha, në llojin e vet ndërtoi figurën e liderit karizmatik duke arritur deri atje sa të deklaronte "jam Fatos Nano prapa më vjen historia". Kurse tani që Nano është larguar, Partia Socialiste ka gjetur simetrikun e Berishës tek Edi Rama. Mospranimi i këtij për të dhënë dëroheqjen pas humbjes - siç bëri Nano - dhe mbështetja që iu dha nga partia në këtë akt jodemokratik, por karizmatik, ishte një hap dramatik i kësaj partie për nga instalimi në krye të partisë të liderit karizmatik të tipit Berisha.
Nuk ka dyshim se dalja e liderëve karizmatikë nuk është një çështje rastësie fatkeqe. Ajo është e kushtëzuar nga një lloj kulture vulgu kombinuar me kultin e shpëtimtarit e cila mund të shfaqet virulente edhe në vende me tradita demokratike e jo më tek ne. Për kultivimin e këtij lloj lideri, pra, nuk mund të fajësohen vetëm liderët, por edhe numri i madh i atyre që, duke mos patur një identitet dhe personalitet të pjekur, kërkojnë identifikimin dhe shpëtimin tek lideri karizmatik. Ka një rreth vicioz në raportin midis këtyre njerëzve dhe liderit. Lideri karizmatik ushqen tek ata dashurinë për të duke përdorur të gjitha mjetet. kurse, nga ana tjetër, ata, duke e ditur se pa dashurinë e liderit nuk jetojnë dot, bëhen gjithnjë e më adhurues e të varur prej tij. Kjo e ndihmon liderin karizmatik ta pastrojë partinë nga ata që rrezatojnë një lloj personaliteti, dmth që nuk tregojnë adhurim e nënshtrim ndaj tij, por racionalitet dhe barazi me të. Shembujt i gjen pa fund si në PD edhe në PS. Kështu lideri karizmatik arrin e bëhet gjithnjë e më i pazevendësueshëm sa më shumë kalon koha, siç shohim të ndodhë me Berishën sot.
Do të thoja se, ekzistenca në PD dhe në PS e dy liderve të tillë është një nga arësyet e konfliktualitetit të ndezur politik që po përjetojmë. Kultivimi i këtij lloj lideri është një nga dëmet e shumta që i kanë ardhur demokracisë sonë të re. Në fakt lideri karizmatik është inkompatibël me demokracinë për shumë arsye. Ai thellë thellë aspiron të jetë e gjitha jo një pjesë; të jetë "monarku", jo lideri i rradhës (siç ka thënë së fundi Fini për Berlusconin në një bisedë private që u kap nga mediat). Ndërkohë pluralizmi kërkon ekzistencën e më shumë sesa një partie dhe dialogun midis tyre ashtu sikurse alternimin e pushtetit brenda idesë se pjesët do të ekzistojnë edhe kur të mos jetë më lideri i njërës apo tjetrës parti. Po ashtu midis dy poleve të simaptizantëve të mbarsur me dashuri urrejtje reciproke ekziston një zonë e tërë gri e shoqërisë që mund të jetë edhe më e madhe se 50%, që nuk e mbush jetën me dashuri urrejtjen që ngjall lufta permanente e liderve karizmatikë, por që ka një jetë të vetën, kurse politikanët i kërkon të sillen si njerëz nga të cilët pret të punojnë për përmirësimin e jetës së të gjithëve dhe ruajten e lirisë dhe dinjitetit të të gjithëve.
Sikurse e thashë ka një rreth vicioz në raportin midis liderit karizmatik dhe militantëve të partisë së tij që sa më shumë thellohet aq më shumë çon në reduktimin/degradimin e partisë në një njeri të vetëm. Në rastin kur të dy partitë kanë lider të tillë, siç është ky i yni, do të thoja se këta dy lider paradoksalisht mbajnë njëri tjetrin pikërisht pse duan të eliminojnë njëri tjetrin. Socialistë mendojnë se për një si Berisha duhet një si Edi Rama dhe anasjalltaz. Por, sipas meje, nuk është kështu. Konflikti sa më i ndezuar aq më shumë ndjell nevojën për liderë të tillë. Ky paradoks nuk e përjashton faktin që një ditë kjo luftë të mbarojë me fitoren e njërit lider karizmatik, por kjo do të sillte shkatërrimin jo vetëm të liderit tjetër, por edhe të partisë së tij. Ndërkaq gjykoj se një lider i moderuar dhe demokrat i PS-së do ta fundoste shumë më shëndetshëm për demokracinë liderin karizmatik Berisha sesa lideri karizmatik Rama, i cili, paradoksalisht po e forcon Berishën. Dhe anasjelltaz: një lider i moderuar në PD do ta bënte më normale në agresivitetin e saj PS-në. Mungesa e zgjidhjes së krizës së sotme ka veç të tjerash si shkak edhe dinamikën negative midis dy liderve tanë karizmatikë.
Në vazhdën e shkrimit paraardhës, ku kam shprehur idenë se kriza po na jep më qartazi se kurrë mësimin se duhet të bëjmë çmos të ndërtojmë institucionet e arbitrit që të kontrollojë partitokracinë PD-PS mendoj se kriza po bën gjithnj e më evidente edhe nevojën që partitë tona kryesore të ndryshojnë llojin e liderit. Duhet kaluar nga liderë karizmatikë të tipit Berisha Rama në liderë që të kenë më pak karizmën për të ngjallur dashuri urrejtje dhe më shumë frymën e dialogut dhe respektit, për liderë që nuk marrin përsipër gjithshka, por që ndajnë përgjegjësitë me të tjerët, për liderë që nuk urdhërojnë, por diskutojnë. Edhe kjo duket si një punë e vështirë, ndoshta po aq sa edhe ajo e forcimit të institucioneve që do të kontrollojnë partitokracinë PD-PS. Mjafton të kesh parasysh se Berisha sapo fitoi një mandat të ri duke u bërë edhe më karizmatik. Por rrugët gjithsesi duhen kërkuar dhe mendimi im është se ato duhen kërkuar tek PS e cila ka më shumë mundësira për ta filluar këtë proces për disa arësye: sepse është në opozitë, sepse ka pasur më shumë demokraci të brendshme këto 20 vjet dhe sepse ka shfaqur, edhe kohët e fundit, nëpërmjet figurave si Blushi, Malaj, Islami etj. shenja rezistence ndaj liderit karizmatik. (Korrieri 24 dhjetor, 2009)

Read More......

Saturday, December 19, 2009

Rregullat e lojës dhe kush e fiton lojën

Atmosfera që ka krijuar konflikti i kohëve të fundit midis mazhorancës dhe opozitës është e tillë që sikur kërkon t'i heqë trurin e madh shoqërisë, dmth. aftësinë për të menduar, racionalizuar konceptualizuar. Kjo sepse të dy palët në konflikt po ngacmojnë trurin e vogël të njerëzve, atë të emocioneve, me gjuhën e urrejtjes e të fyerjes, me eksitimin e militantëve nëpër sheshe, me ftesat për veprim, për rreshtim në një krah apo në tjetrin. Ndërkaq, për një numër jo të vogël njerëzish, që, sipas meje, është maxhoranca e vërtetë, kjo krizë ka thelluar emocione negative dëshpërimi. Ata që nuk jetojnë me emocionet e kësaj lufte civile pa armë, por që, përkundrazi, ndjehen të dhunuar prej saj, thonë shpesh e më shpesh: "Ç'është ky mallkim?!", "Kur do të shpëtojmë nga këta të marrë?"
Sipas gjykimit tim këta të dytët, të dëshpëruarit, janë më pranë mundësisë së racionalitetit sepse një pjesë syresh kërkojnë të dalin nga dëshpërimi me gjetjen e rrugëzgjidhjes. Po ashtu, për fat të mirë, ethja e luftës që u transmetohet militantëve, nuk, është ende e tillë që t'i nxisë në veprime dhune. Dhe kjo për shkak se kriza është një krizë e përsëritur ndaj të cilës shoqëria ka njëfarë imuniteti.
Kjo bën që mendimi racional, ndonëse i pakët, të mos mungojë krejt në shoqërinë tonë. Dhe të mendosh e konceptualizosh në këtë situatë, sipas meje, do të thotë të nxjerrësh disa mësime, që nuk se nxirren për herë të parë, por që, me përsëritjen, duket se bëhen gjithnjë e më evidentë.
Sipas gjykimit tim mësimi kryesor që duhet të nxjerrin shqiptarët nga kjo krizë është se në demokraci rregullat e lojës janë më të rëndësishme sesa kush e fiton lojën. Pra, problemi që na shtrohet përpara më kthjelltësisht se kurrë është se si ta shembim një kulturë të trashëguar nga diktatura sipas së cilës e rëndësishmja nuk qëndron në rregullat e lojës, por se kush e fiton lojën. Pra, se si të bëjmë pjesë të vetëdijes sonë se më e rëndësishme është të kesh zgjedhje të lira dhe të ndershme se sa t'i fitosh këto me çdo mjet; të kesh një pushtet gjyqsor të pavarur dhe jo të përpiqesh ta kapësh për fyti pushtetin gjyqsor; të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe jo të kemi dy ligje, një për miqtë dhe tjetrin për armiqtë.
Duke i renditur këto ide më duket sikur po rendis një leksion të mërzitshëm, nga ato që perëndimorët bënin në fillim të demokracisë. Dhe nuk ka punë më të mërzitëshme sesa të thuash gjëra evidente: jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit, demokraci do të thotë shtet ligjor, "the rule of law". Bëhet edhe më e mërzitshme dhe qesharake përsëritja e këtyre mësimeve evidente pasi është po aq evidente se këto mësime ne nuk i kemi përvetësuar kurrë seriozisht, por vazhdojmë t'i (sh)përdorim me lehtësinë më të madhe. Kriza që po kalojmë e provon këtë, por, po kjo krizë, imponon megjithatë, pikërisht pse është krizë, kërkesën për një zgjidhje jo vetëm në terma afatshkurtëra, por edhe në terma afatgjata, si mësim prej saj. Diçka pra duhet bërë. Nga diku duhet filluar për të arritur që edhe në Shqipëri ligji të ketë më shumë rëndësi sesa "maliqi".
Me këtë "diçka" nuk kam parasysh zgjidhjet afatshkurtëra të tipit që propozojnë kryesisht palët në konflikt: "të hapen kutitë", "harroini kutitë"; "të hyet në Parlament", "të vazhdohet bojkoti", "do t'i shkulim dhëmballët e mafjes", "hap kutitë ose largohu!"; as tentativat e fundit të disave për pajtimin e Berishës me Ramën. Sipas meje, kush ndalet vetëm në këtë nivel, thellë thellë nuk kërkon ndryshimin e kësaj gjendjeje, pasi ajo i leverdis. Me "diçka" kam parasysh disa hapa që më duken thelbësore për ndryshimin e drejtimit të mbrapshtë që kanë marrë punët e politikës sonë.
E vërteta është se ne kemi bërë disa hapa duke ngritur disa institucione të demokracisë, duke hartuar mjaft ligje, por, nga ana tjetër, e dimë shumë mirë se këta janë shumë më pak të rëndësishëm sesa "insitucionet" e dhunës, hilesë, rryshfetit, mikut klanit etj. me të cilat operojnë politikanët tanë e shoqëria në përgjithësi, nën shembullin e tyre. Të ndërtosh demokracinë, në këtë kontekst, do të thotë se si arrish të dobësosh këta institucione të paligjëshme në favor të fuqizimit të institucioneve të ligjshme. Dhe kriza që po provojmë, sipas meje, na mëson se, për të arritur këtë, duhet të ndalim prirjen e rrezikshme që po na çon në drejtimin e kundërt me këtë.
Për të kaluar në një terren më konkret: le të marrim shembullin e institucioneve që duhet të forcohen, duke patur parasysh krizën aktuale. Kriza ka nxjerrë në pah, si problem kryesor, atë të mungesës së një arbitri autoritar e të padiskutueshëm midis të dy palëve. Me arbitër kam parasysh institucione të tilla si gjyqsori i pavarur, institucioni i presidentit, apo shoqëria civile, mediat, intelektualët. Çfarë ka ndodhur në vendin tonë? Presioni i dy partive në konflikt ka synuar t'i pakësojë fuqitë e këtyre insitucioneve me çdo kusht. Ky presion ka qenë aq i madh sa, duke e ditur se, qoftë edhe thjesht me të shkruara në ligj, disa institucione mund të bëhen nesër të rrezikshëm, ata kanë marrë masa që edhe në ligj këta të jenë të dobët. Le të kemi parasysh vetëm faktin se, kur u hartua kodi zgjedhor, dy partitë e mëdha bënë kujdes të mos kishte arbitër, por të kishte përfaqësues të tyre që të kontrollonin njëri tjetrin. Madje hartuan një kod zgjedhor që eliminonte edhe shumë parti të vogla që i kishin nëpër këmbë e që nesër mund të rrezikonin pushtetin e tyre. Po ashtu ato bënë kujdes që Presidenti të ishte i kontrollueshëm nga pushteti i tyre. Nuk po flas këtu për "kujdesin" që ato kanë bërë për të vënë në shërbim të tyre mediat dhe shoqërinë civile që e kam shtjelluar mëse një herë. Dhe e gjitha kjo është bërë në kuadrin e një strategjie të tillë ku të dy palët e kanë imagjinuar veten si forca që, në një të ardhme të afërt, do të arrijnë ta eliminojnë kundërshtarin dhe të mbeten vetëm. Në fakt, nëse qëllimi është ta eliminosh tjetrin, atëhere ç'kuptim ka të përpiqesh për ekzistencën e një arbitri që të arbitrojë ndeshjen midis teje dhe atij? Ç'kuptim ka të flasësh për rregulla loje kur ti mendon se me fitoren tënde mbaron çdo lojë?
Mësimi kryesor që del nga kriza është se drejtimi që i ka dhënë vendit kjo strategji, që ka zhvleftësuar nevojën e arbitrit dhe të ligjit, duhet të ndryshojë. Shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të shikojë nevojën e çlirimit prej saj. Ashtu siç u çliruam nga monopartitizmi i partisë së punës sot është detyrë urgjente të çlirohemi nga bipartitizmi PD -PS. Dikush mund të më thotë se nuk mund të vihet në një plan maxhoranca me opozitën, se opozita pikërisht këtë po bën me luftën e saj, po përpiqet të mbijetojë. Për mua opozita nuk po përpiqet të mbijetojë, por të fitojë duke e eliminuar tjetrin. Edhe ajo ka bërë të njëjtin kalkulim si partia e Berishës: se po të vinte në pushtet do të eliminonte tjetrin dhe prandaj i ka interesuar eliminimi i arbitrit. Edhe forma e opozitës që ka zgjedhur, duke injoruar Parlamentin dhe çdo këshillë racionale që i vjen, është e mendësisë se më te rëndësishme sesa rregullat e lojës është fitorja e lojës. Ndërkaq kriza po provon se, për të pasur minimumin e një demokracie dhe lirie që funksionojnë, nuk mjafton ekzistenca e dy partive dhe as lufta midis tyre. Fakti është se me eliminin e arbitrit ai që humbet gjithmonë është më i dobëti, dmth opozita, por edhe vendi mbi të gjitha, sepse atje ku nuk ekziston opozita nuk mund të ketë demokraci. Të çlirohet gjyqsori nga kontrolli i partive, të çlirohen mediat nga kontrolli i tyre, të çlirohen bizneset nga kontrolli i tyre, të çlirohet shoqëria civile nga kontrolli i tyre. Vetëm po u hodhën hapa në këtë drejtim mund të fillojnë të zgjerohen hapësirat e lirisë dhe demokracisë që po ngushtohen përditë. Kjo nënkupton se, midis tjerash, duhen ndryshuar edhe ato vendime e ligje që garantonin kontrollin e partive nga njëra tjetra dhe jo kontrollin e të dyjave nga një arbitër i paanshëm në emër të mbrojtjes së rregullave të lojës dhe interesit publik. Problemi sot ngrihet se kush do t'i detyrojë dy partitë, që të dyja në pushtet, të hedhin këto hapa, dmth. të hapin dhëmbët e darës me të cilët i kanë mbërthyer dhe paralizuar garantët e demokracisë? Kjo është çështja. Dikush do të më bëjë vërejtjen se përderisa këta garantë janë të kapur, ndoshta është më e saktë të thuhet se as nuk ekzistojnë, sepse realisht janë pjesë e dhëmbëve të darës; e kështu vijmë në situatën absurde kur kërkojmë shpëtim nga ai që, për të mbijetuar, ka nevojë të jetë pjesë e darës. Vështirë ta kundërshtosh një vërejtje të tillë cinike që na sugjeron idenë e rrethit vicioz, të gjarpërit që ha bishtin e tij. Por më mirë le të përdorim në këtë rast metaforën e pikës së ujit që një ditë e çan shkëmbin. Duhet ngulmuar përditë, me durimin e pikës së ujit që bije mbi shkëmb, mbi nevojën e arbitrit e të ligjit në formën e një gjyqsori të pavarur, të një presidenti mbi palët (e jo nën palët), të një medieje të pavarur, të një shoqërie civile kritike, që do t'u imponojnë një ditë palëve në konflikt të sillen me vetëdijen se më të rëndësishme janë rregullat e lojës sesa kush e fiton lojën. Situata krizash si kjo që po ndodh janë moment i përshtashëm që pika e ujit të bjerë me efekt mbi kokat e ngurta. (Korrieri, 19 dhjetor 2009)

Read More......

Monday, December 7, 2009

Çmimi Asturias dhe Kadare

“Dëshironi të njihni të kaluarën, shikojeni veten në të tanishmen, sepse ajo është rezultat i së kaluarës suaj. Dëshironi të dini të ardhmen tuaj, shikojeni veten ne të tanishmen, sepse ajo është shkaku i të ardhmes suaj“.
Budda

Të nesërmen e intervistës televizive që Fevziu i bëri Ismail Kadaresë për emisionin Opinion, pas ceremonisë së dhënies së çmimit Asturias, gazetat u hapën me tre tituj që varionin nga njëra tek tjetra: "Shteti komunist më ka 2 milion dollarë borxh", "Nuk e kam shoqëruar Ramis Alinë në Rinas", "Qosja është një mësues katundi"
Këta tituj, shoqëruar me foton e madhe në faqe të parë të shkrimtarit, më krijuarn idenë se, pas çmimit Asturias, Kadaresë po i jepet një status nga mediat tona i tillë që, paradoksalisht, t'i lejojë vetes të thotë gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha duke u bërë gjithnjë e më e vogël mundësia e përgënjeshtrimit të tyre. Personalisht mu ringjall një si jehonë e kohës kur Enver Hoxha ishte i gjithpushteshëm dhe kishte merakun të shkruante historinë ashtu siç donte, dhe, për këtë, i shërbente një ushtri e tërë gazetarësh e shkruesish që nuk kishin shqetësim tjetër veç si t'i shërbenin më mirë gënjeshtrave të diktatorit.
Me këtë ndjesi nuk u ula as ta lexoj intervistën e zbardhur. Mirëpo, duke lexuar rastësisht në internet reagimet e një numri jo të vogël lexuesish, pas shkrimit të ish dipllomatit Genc Mlloja me titull "Një dëshmi lidhur me deklaratën e Kadaresë mbi Ramis Alinë" (www.shekulli.com.al/2009/11/10/nje-deshmi-lidhur-me-deklaraten-e-kadarese-mbi-ramiz-aline.html), sikur ndërrova mendim lidhur me trushpëlarjen e publikut shqiptar. Gjeta aty reagime që më bënë të mendoj se ka ende shqiptarë që nuk e hanë sapunin për djathë.
Këto reagime më bënë të ulem të shoh inervistën e Kadaresë me Fevziun që ndodhet edhe ajo në internet dhe, duke e parë, mendova se ia vlen të shkruhet për këtë fenomen, gjithnjë e më të përhapur, ku shkrimtarë dhe gazetarë të njohur, siç është Kadareja dhe Fevziu, punojnë për ta shpërndërruar historinë e diktaturës apo thjeshtëzuar në klishe që i interesojnë forcimit të pushtetit të elitës që ata përfaqësojnë, me aq forcë saqë kanë krijuar klimën e një konformizmi e të një frike intelektuale për çdo mendim ndryshe.
E them këtë sepse shumëçka nga ato që tha Kadareja në intervistën e tij, megjithë çmimin Asturias, ose për fat të keq të çmimit Asturias, janë shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Dhe nuk e kam fjalën këtu për të vërteta thjesht kadarejane, por për të vërteta njohja e së cilave, ngulmoj, është e rëndësishme për brezin e sotëm dhe për brezin që do të vijë, kurse harresa e rrezikshme.

Botimet jashtë shtetit të komunizmit
Le të marrim psh. historinë që na tregon Kadareja lidhur me botimet e tij të para jashtë shtetit.
Fevziu e pyet se si është e mundur që ai është botuar në vende që ishin armiqësore me Shqipërinë, "nuk ishte kjo një problem për ju?". (Ç'është e vërteta problemi fillon që me pyetjet, pasi Fevziu merr pozicionin sikur të mos jetë një gazetar që ka jetuar në Shqipëri, por sikur të vijë nga ndonjë vend i huaj, duke bërë kështu një operacion vetëshplarje trush që i imponon edhe publikut shpëlarje trush e kujtese. Të gjitha pyetjet, për fat të keq, ishin ashtu që gazetari sikur zhvishet nga dijet e tij dhe qëndrimet e tij për t'i krijuar mundësi Kadaresë të bëjë marketingun e historisë së vet si do vetë.) Kadareja përgjigjet: "Krijonte dhe ishte normale që të krijonte probleme, militantët e partisë thoshin: pse ne kemi një shkrimtar që edhe vetë e duam dhe e pranojmë, por na e do edhe borgjezia?", duke ne lënë të kutojmë se botimi i tij ishte një si çudi.
E vërteta është se këtu nuk kishte asnjë problem dhe asnjë çudi. Regjimi ishte i interesuar në mënyrë të veçantë që autorët e tij të lexoheshin jashtë shtetit. Ai paguante edhe një botim të veçantë për këtë: “Les Letters Albanaises", kryeredaktor i së cilës ka qenë vetë Kadareja. Regjimi ishte i interesuar për shumë arësye: por kryesisht për të paraqitur në dritë sa më të mirë Shqipërinë dhe sistemin, por edhe sepse ai pretendonte se do të udhëhiqte nesër revolucionin botëror. Edhe botimi i Kadaresë ishte në këtë kontekst. Kush ka lexuar librin e ish ambasadorit shqiptar në Francë në atë kohë, Javer Malo, do të mësojë atje për përpjekjet që ka bërë ky për botimin e Kadaresë atje, i cili u zgjodh, me vendim nga lart, sepse konsiderohej, për talentin e tij, si autori që mund të ishte më i lexueshmi në Perëndim. Le të mos harrojmë se atëhere Shqipëria mbahej si kampione e marksizëm leninizmit dhe nuk është rastësi që përkthyesit e Kadaresë në disa gjuhë të huaja, ndër ta edhe ai spanjoll, ishin marksistë leninistë. Po ashtu, kush do të kërkojë të shfletojë faqet e Dritës së asaj kohe, do të gjejë reçensat që janë botuar në shtypin francez duke iu referuar librave të Kadaresë, që flasin aq mirë për Shqipërinë socialiste. Dhe kjo sepse librat e Kadaresë, botuar në atë kohë, ishin konform me propagandën e regjimit. Gjenerali i ushtrisë së vdekur zhvillonte mitin e luftës nacional çlirimtare, armiqësinë me Perëndimin, armiqësinë me klerin si dhe dashurinë për një Shqipëri të simbolizuar me një personazh monstër ideologjik, si është plaka Nicë. Kurse libri i dytë, "Kështjella", i botuar në Francë me titullin "Daullet e shiut", siç e ka paraqitur edhe vetë Kadareja në atë kohë në një parathënie që e gjen edhe sot në botimin italisht, ishte i frymëzuar nga qëndresa e Shqipërisë socialiste ndaj imperializmit dhe soc-imperializmit. Këta dy libra shpejt i pasoi "Dimri i madh", libri më i shitur i tij në Francë, që na jep një interpretim krejtësisht konform me propagandën e Partisë për prishjen me Bashkimin Sovjetik dhe që nxjerr Enver Hoxhën si hero të nivelit botëror. Por pse i pëlqyen botuesit perëndimor, do të pyesë një lexues? I botoi sepse Perëndimi është i larmishëm ideologjikisht, sepse librat ishin interesant për të pasi flisnin për një botë të panjohur krejtësisht, por edhe sepse shteti shqiptare investoi goxha për botimin e tyre. Dua të them me këtë se fakti që librat botoheshin në Perëndim dhe pëlqeheshin nga një pjesë nuk do të thotë se ato ishin kundër regjimit, por se, përkundrazi, i shërbenin më së miri propagandës së tij dhe, pikërisht për këtë, autori gëzonte edhe privilegje edhe pak më shumë liri për zgjedhjen e temave të tij.
E vërteta e asaj kohe është se shkrimtarë si Kadare paguheshin si profesionistë, me rroga të nivelit të kuadrove të rëndësishëm, vetëm për të shkruar. Edhe përkthyesi Vrioni paguhej nga shteti shqiptar. Madje edhe një numër përkthyesit marksistë - leninistë jetonin në Shqipëri asaj kohe ku punonin si spikerë të Radio Tiranës në emër të shpërndarjes së valëve të revolucionit m-l në botë. Pra jemi larg asaj që pretendon shkrimtari të na e shesë si të vërtetë: se fakti i thjeshte që ai është/egziston (ai = shkrimtar dhe humanist i madh), pavarësisht diktaturës së egër brenda se cilës i është dashur të jetojë dhe të krijojë, tregon se kemi të bëjmë me një mrekulli, mrekullinë e letërsisë që është e pavarur, çka ishte, në esencë, edhe fjala e tij kur mori çmimin Asturias. Kjo është një gënjeshtër që nuk na le të kuptojmë dikaturën. Varësia nga pushteti në atë regjim totalitar ka qenë dërrmuese për lirinë dhe krijimtarinë e individit. Kadare ditët që mori çmimin deklaroi se "në asnjë rast letërsia letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme." Po ajo letërsi që ka glorifikuar diktatorët dhe diktaturën e që ka propaganduar urrejtje deri në thirrje për asgjësim fizik të "armikut të klasës", që është edhe letërsia e shumicës së veprave të Kadaresë së asaj kohe, si e ka ndihmuar jetën? Në fakt ka ndihmuar jetën e Kadaresë.
Kush kërkon të merret sot me letërsi e di se çfarë lluksi është të paguhesh vetëm për të shkruar. Por është një lluks që, në diktaturë, ka pasur çmimin e vet për të cilin brezat që vijnë kanë nevojë të dinë. Kanë nevojë të dinë, mes të tjerash, edhe për të mos përqafuar modelin e një intelektuali që shfaqet edhe sot si shumë problematik në shoqërinë tonë: intelektuali që, për të pasur sukses, i duhet patjetër të bashkëpunojë me pushtetin, të paguhet e të shpërblehet nga pushteti, ndërkohë që roli i tij duhet të jetë pikërisht e kundërta.

Distancimi nga Alia
Le të dalim tek titulli i dytë i gazetave: "Nuk e kam shoqëruar Ramis Alinë në Rinas", ku shkrimtari distancohet nga ish presidenti komunist, (duke mohuar faktin, sipas Alisë i vërtetueshëm, se ai e ka përcjellë në Rinas kur ky u nis për në SHBA), çka simbolikisht është një distancim nga pushteti ku ka bërë pjesë.
Pa dyshim ikja e Kadaresë në Francë në atë kohë ishte një goditje për regjimin. Por, nëse kërkojmë të vërtetën e atij momenti, nuk mund ta paraqesim sikur Kadare të ishte kryetari i një partie opozitare. Ai ishte Zv. Kryetar i Frontit që kishte për kryetar Nexhmije Hoxhën. Dhe ikja e Kadaresë ishte një goditje pikërisht sepse vinte nga një njeri i regjimit duke dhënë kështu qartë sinjalin se anija po mbytej dhe kishte ardhur koha për ta braktisur. Sipas mendimit tim prapaskenat e ikjes së tij nuk na janë thënë të gjitha as nga Kadare as nga kush tjetër ka dijeni, por ajo që dimë me siguri është se Kadare bën pjesë ndër ata ish komunistë që, në atë kohë, dolën në kampin antikomunist, sikurse edhe Berisha e shumë të tjerë, ndryshe nga sivëllezër të tyre si psh Agolli, Nano, që mbetën në partinë e origjinës duke u rrekur ta tranformojnë atë. Sipas gjykimit im edhe sot e kësaj dite shoqëria nuk ka reflektuar sa dhe si duhet mbi aktin e kësaj pjese të inteligjencies ish komuniste që flaku tej çdo përgjegjësi për të kaluarën duke ia veshur atë sivëllezërve të vet dhe duke u bërë vetë antikomuniste. Pyetjet që mund të shtrohen, në kontekstin e këtij reflektimi, janë të shumta: sa ishte ky një akt që tregonte dije dhe vetëdije më të lartë, sa ishte një akt karrierist ndrrimi xhakete, sa ishte i moralshëm dhe sa i pamoralshëm, a ndryshonin këta nga sivëllezërit e tyre dhe ku e në çfarë ndryshonin etj. Duke e analizuar këtë në dritën e çfarë ka ndodhur në këta 20 vjet pseodopluralizëm, pa ua mohuar edhe meritat, mendoj se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë të mbushura me ekuivoke. Por kjo është një temë tjetër. Le të kthehemi tek ajo kohë.
Sigurisht raporti i inteligjencies komuniste me regjimin ka qenë një raport që ka pasur ambiguitetet e veta. Sipas mendimit tim kishte kohë që, pas viteve të para, nuk ekzistonin më shkrimtarë e artistë që ndjenin e mendonin sinqerisht sipas idealeve komuniste apo që besonin në madhështinë e Enver Hoxhës. Madje vlen të bëhet një studim se cilët kanë qenë të fundit që kanë besuar vërtet jo vetëm ndër shkrimarët dhe artisët, por edhe ndër kuadrot e Luftës. Sipas meje, pas gjithë çfarë kishte ndodhur, në vitet e fundit të regjimit, zor se kishin mbetur shumë besimtarë të fesë së fillimit. Më shumë ka ndodhur që "gënjështra e madhe", siç e quan Solzhenicini, jetohej nga shumica e tyre si diçka e bërë zakon. Një pjesë e kultivonin gënjeshtrën sepse kështu ruanin pushtetin, një pjesë të shtrënguar të gënjenin vazhdimisht përfundonin në besim, të tjerë nga frika për të qasur mendime kundërshtare i ndrydhnin ato edhe kur këto u vinin, të tjerë bënin një jetë të dyfishtë. Besoj se më të vetëdijshmit se kishim të bënim me një gënjeshtër, një gënjeshtër të imponuar; një gënjeshtër të cilës i shërbehej për të mbijetuar, për të bërë karrierë, për të dalë jashtë shtetit etj. ishin ata të jetës së dyfishtë, intelektualët si Kadareja. Edhe dashuria për Enver Hoxhën, e shprehur dhe e stërshprehur edhe nga Kadareja, me art dfhe talent madje, ka qenë e shtirë, një gjë që duhej bërë se përndryshe humbje privilegjet. Por ama fakti është që, po të shfletosh materiale, deri edhe të vitit 1989, pasi kishte rënë muri i Berlinit, do të gjesh një konformizëm të frikshëm me gënjeshtrën e madhe, që sot mund të duket skandaloz edhe për komunistë të thekur e jo më kur e zbulon tek Kadare. Në konferencën letrare në kuadrin e 45-vjetorit të "çlirimit të Atdheut" dhe "fitores së revolucionit popullor", pra në kohën kur Kadare i tha Fevziut se i ka shkruar Bushit letër kundër regjimit, ai deklaronte: "Ka gati gjysmë shekulli që populli shqiptar jeton e ushqehet me letërsinë socialiste shqiptare. Nevoja e tij për të është e madhe, dashuria e tij për të është prekëse. Kjo nevojë e kjo dashuri e nënvizojnë edhe më shumë përgjegjësinë tonë përpara popullit që i përkasim, përpara kohës që jetojmë, përpara socializmit për të cilin kemi dyzetepesë vjet që punojmë e luftojmë papushim." "Shkrimtarët e sotëm shqiptarë e ndjejnë veten mirë e të nderuar në këtë shoqëri dhe nuk kërkojnë një tjetër klub."
Mendoj se fshehja e kompleksitetit të së vërtetës historike të asaj kohe na bën dëm. Ajo e vërtetë na duhet jo thjesht për të njohur e për të kuptuar një regjim që i impononte dyftyrësi inteligjencies shqiptare, konformizmin e saj me gënjeshtrat e pushtetit të djeshëm, vënien në shërbim të kësaj gënjeshtre gjithashtu, por edhe për të kuptar se ku e kanë origjinën dyftyrësia, konformizmi me gënjeshtrat e të sotmes e shërbimi ndaj tyre gjithashtu. Dhe kjo jo vetëm pse kemi të bëjmë me të njëjtët protagonistë, por edhe pse kjo kulturë e dyftyrësisë po i jepet, si trashëgim i vyer, brezit më të ri.

Kritikë çmimit
Kadare, meqënëse ka marrë çmimin Asturias, i duket se i është shtuar pushteti dhe jep kështu të drejtë vetes të përçmojë publikisht një nga kritikët e tij, Rexhep Qosjen, duke e quajtur një ‘mësues katundi’. Në fakt një numër shkrimtarësh, që, sipas meje, jo rastësisht vijnë nga e njëjta origjinë, u ngritën kundër idesë së Qoses se letërsia shqipe është larg asaj evropiane dhe binte në sy se ishin çmimet e Kadaresë, më shumë sesa përmbajtja e veprës së tij, arma më e fortë për të godituar kritikat e Qoses. Kështu Qosja u bë nga media jonë mësues katundi me lehtësinë më të madhe, duke na treguar se, kur një shoqëri nuk ka sistem vlerash të vetin, por gjithshka e mat me çmime dhe vlerësime të të tjerëve, atëhere ajo meriton vërtet të quhet, ashtu siç e ka quajtur Qosja, "provinciale". Por më e rënda është se ky provincializëm ka bërë që çmimet e Kadaresë t'i japin atij një autoritet të padiskutueshëm prej mendimtari, ndërkohë që këtyre 20 vjetëve, kur s'ka më as peshën e ideologjisë së regjmit, apo ndoshta pikërisht prej trashëgimisë së saj, ai po tregon një varfëri dhe mosnjohje të tillë të mendimit bashkëkohor evropian që nuk e gjen as në intelektualët e zakonshëm evropianë. Dhe më e keqja është se, mu për shkak të autoritetit të Kadaresë, kjo ndikon shumë në moszhvillimin e një tjetër kulture në Shqipëri. Kam parasysh psh. qëndrimet e tij në debatet mbi çështjet e historisë apo të identitetit ku mendimin i tij është pak ta quash regresist.
E këtu mendoj se vlen të thuhet diçka kritike edhe lidhur me këta çmime që jepen nga ndërkombëtarët, sepse është vetë Kadare që na shtyn t'i vemë ata në dyshim.
Heroi më i shquar i letërsisë spanjolle, Don Kishoti, në një nga urtësitë e tij të marrëzisë, i thotë të riut don Lorenco që shkruan poezi: "nëse gatiteni ashtu për ndonjë garë letrare, le të përpiqet zotëria juaj të zerë vendin e dytë, se i pari jepet pas sërës që zë dhe mikut që ka akshi a filani…". Është ky një mësim që shekujt nuk e kanë përgënjeshtrtuar, por veç vërtetuar, shpesh në një shkallë të tilla saqë kjo e ka bërë Longanezin të thotë: "Çmimet jo vetëm duhet t'i refuzosh, por as duhet t'i meritosh" a thua se, kur të jepet një çmim, të kesh bërë ndonjë punë të mbrapshtë. Dhe ky paradoks e ka një kuptim: çmimet jo rrallë janë rezultat politikash institucionale pushteti, lobingjesh të caktuara për interesa të caktuara, manipulimesh mediatike për shkaqe tregu dhe jo gjithmonë tregues vlerash të vërteta.
Me këtë nuk dua të akuzoj vetëm spanjollët e zhurisë që, përderisa kanë venë në motivimin e çmimit se vepra e Kadaresë është antitotalitare, për mua as janë munduar të njohin kuptimin e korpusit qendror të asaj vepre në kontekstin shqiptar. E kam me shqiptarët, që e dinë mirë se Kadare ka qenë një shkrimtar i regjimit të djeshëm. Me ata që e dinë mirë se një libër si Pallati i Ëndrrave, i cili, gjithsesi, subjektin e ka me Perandorinë otomane, nuk mund të mjaftojë për të kundërballacuar një korpus të tërë në prozë e poezi veprash në shërbim të ideologjisë nacional komuniste të Hoxhës e as të na bëjë ta quajmë librin më disident të komunizmit në botë, siç e quajti Berisha, së fundi, në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë nga ambasada spanjolle.
Çmimi i dhënë nga spanjollët, si shumë çmime të tjera, është edhe një çmim që i jepet Shqipërisë, kjo dihet, bën pjesë në politikat e shpërndarjes së çmimeve. Dhe këtu ngrihet pyetja; cilës Shqipëri i jepet? Përgjigjen e kishim mu në tryezën e asaj ceremonie. Krahas Kadaresë dhe Ambasadorit spanjoll në atë tryezë qëndronte kryeministri i vendit, kryetari i një partie të ashtuquajtur antikomuniste i cili ka qenë vetë, për çerek shekulli, sekretar partie, por që, si Kadareja, flet edhe ai ditë e natë sikur tërë jetën të ketë qenë kundërshtar i atij regjimi. Për mua, në këtë kontekst, çmimi i jepet pikërisht Shqipërisë së Kadaresë e Berishës, një Shqipërie që nuk e ka filluar ende katarsisin e së kaluarës, por që e jeton këtë periudhë si vazhdimësi të pushtetit të djeshëm. Dikush do të më thotë përsëri: ç'punë ka zhuria spanjolle? Ndaj kësaj vërejtjeje do të përgjigjem me Qosen kur thotë: "Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale siç është, inteligjencia shqiptare jo vetëm se nuk do të rehabilitonte Ismail Kadarenë dhe ismailkadarenjtë e tjerë, por do të mënjanonte njëherë e përgjithmonë modelin e mendimit dhe të sjelljes së tij të pamoralshme intelektuale." Unë nuk di të ketë në historinë e letërsisë moderne shkrimtar të vlerësuar ndërkombëtarisht si ai që të ketë manipuluar të shkuarën dhe veprën e tij si ai, me synim mashtrimin e të huajve. Mirëpo është e gabuar të thuash se kjo është thjesht punë e Kadaresë, apo strategji e botuesit frëng, madje as thjesht punë njerëzish të frustruar province për të cilët më shumë se sa e vërteta ka rëndësi të njihen nga metropoli. Puna është se Kadare është përfaqësuesi më i shquar i kësaj inteligjencie që trashëgoi pushtetin komunist e që, nëpërmjet asaj që Qosja e quan "riabilitim i Kadaresë", kërkon të riabilitojë vetveten në emër të pushteti të sotëm, por edhe në emër të historisë. Është kjo inteligjencie që një vjershë që bën thirrje për terror stalinist kundër armikut të klasës, si "Pashallarët kuq", ia ka shitur ndërkombëtarëve si vjershë antikomuniste, është po ajo që ka shkruar libra të porositur për të provuar se Kadare është persekutuar nga regjimi. Është po kjo inteligjencie që lobon për çmimet e Kadarenë ku dhe si mundet. Së fundi deri Kryetari i Shtetit, Bamir Topi, që ka dekoruar prokurorët më të zinj të regjimit, ndonëse lider i një partie të ashtuquajtur antikomuniste, ka lobuar tek Nobeli për Kadarenë. Dua të them, pra, se sikur shoqëria shqiptare ta kishte analizuar me ndershmëri e vërtetësi të kaluarën e saj dhe, bashkë me të, edhe çfarë ka shkruar Kadare, në kuadrin e një katarsisi aq të nevojshëm, ajo do ta dënonte dhe jo vlerësonte e lobonte një vepër të tillë, e kjo do të njihej nga zhuritë ndërkombëtare.
Dikush që do t'i lexojë këtë rreshta mund të më thotë me cinizëm: ja pse thuhet se kush kontrollon historinë kontrollon edhe pushtetit e do të më kujtojë se historinë e shkruajnë gjithnjë fitimtarët. Do t'i përgjigjesha se kjo thënie i takon një kohe jo fort demokratike; se sot në Shqipëri, megjithatë, ka aq demokraci, sa të ketë mundësi të shkruhet edhe një histori ndryshe nga ajo e fitimtarëve dhe se, herët ose vonë, nevoja për të ndryshuar mjerimin e sotëm kulturor e shpirtëror do t'i çojë shqiptarët edhe në nevojën për të riparë historinë e shkruar nga këta fitimtarë. (Korrieri, 7 dhjetor 2009)

Read More......

Thursday, December 3, 2009

Flama e derrit dhe flama e politikës

Bashkë me ethet e flamës së derrit në këtë dimër duket se po na vërviten edhe ethet e flamës së politikës së konfliktit. Ashtu si flama e derrit parashikohet të arrijë pikun e vet në dhjetor edhe flama e politikës së konfliktit duket se po kërkon të arrijë pikun e vet në këtë muaj. Një numër jo i vogël njerëzish ka rënë tashmë pre e etheve, veçanërisht këto dy javët e fundit kur, pas ultimatumit të PS se po nuk u hapën kutitë për dhjetë ditë do të ketë përshkallëzime, që nënkuptonin përdorim force, kryeministri Berisha u përgjegj se do t'i shkulte dhëmbë e dhëmballët e opozitës me darët e ligjit. Ndonëse ata të Ramës thanë se fjala "forcë" ishte përdorur në kuptimin figurativ dhe ata të Berishës se bëhej fjalë për "darët e ligjit", jo për darë dentisti, eufemizmat e përdorur linin qartë shijen se kërcënimet synonin të frikësonin kundërshtarin me përdorim dhune.
Pikën kulminante të dhunës verbale e arriti kyeministri i cili me një gjuhë që deri dje ia kishte lënë shkarrashkruesve në shërbim të tij ta përdornin u fut personalisht, që nga tribuna e Parlamentit, deri në punët e shtratit të liderit të opozitës me nje batare akuzash që synonin ta zhburrëronin plotësisht.
Disa ditë rresht pas kësaj ngjarjeje ata të Berishës dhe ata të Ramës u morrën me problemin se cili prej të dy liderëve është më i sëmurë psiqikisht dhe më pervers. Pritet që ethet të rriten edhe më tani pas skadimit të ultimatumit të opozitës me premtimet e Berishës për denoncimin e bandës "punisto mafjoze" të Ramës dhe mitingun e madh që kërkon të organizojë PD-ja me rastin e 8 dhjetorit.
Simptoma kryesore e sëmundjes është rritja ekstreme e syverbësisë. Të sëmurët kanë bindjen se e drejta dhe e vërteta është vetëm me Berishën ose vetëm me Ramën, se në këtë vend ekzistojnë vetëm militantët e këtyre të dyve që janë apo duhet të jenë të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të çrrënjosur të keqen që është në krahun tjetër e, për këtë, lëshojnë thirrje për rreshtim. E pësova edhe unë personalisht një fshikje nga flama kur një gazetar i prekur rëndë prej saj, Mustava Nano, i cili, ndonëse jo më shumë e disa muaj më parë më kishte cilësuar si gazetarin më të lavdërueshëm të medias shqiptare tani më cilësoi si gazetarin më të rrjedhur trush, pasi nuk mendoj si ai.
Për gripin e derrit specialistët thonë se një nga karakteristikat e tij të veçanta në krahasim me gripin e zakonshëm është se ai paraqet një mutacion të tillë virusal ndaj të cilit organizmi nuk është i përgatitur. Po ashtu është thënë se ndoshta, pikërisht pse është i tillë, ai godet më shumë fëmijët dhe të rinjtë të cilët kanë sistem imunitar më të fortë - sepse dihet se ethet e larta shkaktohen pikërisht si reaksion i sistemit imunitar.
Çfarë mund të themi lidhur me flamën e fundit të politikës së konfliktit që i ka rënë së fundi, veçanërishtë për rrezikshmërinë e saj, duke e përqasur me atë të derrit?
Sipas gjykimit tim flama politike e këtij dimri ndryshon nga ajo e derrit sepse nuk kemi të bëjmë me ndonjë virus me mutacion të ri të panjohur për organizmin. Kemi të bëjmë me virusin e "gripit të zakonshëm”, nëse, figurativisht, me këtë do të kemi parasysh dy gjëra: së pari, të njëjtët aktorë që luajnë prej kohësh lojën e politikës së konfliktit dhe, së dyti, se kemi të bëjmë me të njëjtat problematika e akuza, me të njëjtën gjuhë. Pra, për rrjedhojë, kemi të bëjmë edhe me një trup shoqëror që tashmë ka të zhvilluar njëfarë imuniteti ndaj kësaj flame.
Nuk është hera e parë që kontestohet vota, nuk është hera e parë që politikanët tanë shahen e kërdisen, nuk është hera e parë që Sali Berisha kërcënon se do të shkulë dhëmbë e dhëmballë duke nënkuptuar me këtë baronët e drogës, mafjozët e lidhur me socialistët (dikur ka përdorur fjalën “rruspa”.); nuk është hera e parë që bëhen publike turpet dhe sëmundjet psikike të Ramës; nuk është hera e parë që Rama na bën thirrje të preokupohemi për shëndetin mendor të Berishës, (mjafton të kesh parasysh ulërimën e tij "O doktoooor…" në sheshin Skënderbej para disa vjetësh).
"Mjerë ju për atë që keni në krye dhe mjerë ju për mua që më keni në krye." është përkthimi i gjuhës së këtyre fjalimeve për ata që nuk janë të rreshtuar.
Tashmë njerëzit e dinë këtë punë. Opozita do të mbledhë forcat që të sjellë në shesh ushtrinë e militantëve të vet nga fillimi i dhjetorit, Berisha do të nxjerrë të vetët ca ditë më vonë. Ata e dinë se e gjitha kjo paradë force nuk ka ndonjë vlerë të madhe për brenda vendit, por, sipas tyre, ka shumë vlerë jashtë vendit, sepse numri i madh i njerëzve do t’i bindë ndërkombëtarët se këtu kemi të bëjmë me forca serioze dhe punë serioze. Ndërkombëtarët do t’i shohin të dy palët dhe do të thonë: duhet të uleni në tryezën e dialogut. Ata thanë kështu edhe në 97-tën e jo tani që jemi antarë të Natos. Dhe kanë të drejtë, sipas meje, sepse nuk meritojmë të trajtohemi si të rritur, por si fëmijë.
Deri këtu unë gjykoj se flama e këtij dimri do të kufizohet në dhimbjet e fytit të politikanëve kryesore dhe militantëve të tyre. Dikush do të më thotë se po gaboj. Ndoshta po gaboj por, nëse po gaboj, besoj se nuk kam ca të dhëna që, në mungesë të transparencës së të gjithë aktorëve, nuk më lenë të bëj parashikim të saktë. Le të shpjegohem.
Kur flitet për parrezikshmërinë e gripit të derrit thuhet se ai nuk ka bërë më shumë viktima sesa gripi i zakonshëm. Pra edhe gripi i zakonshëm ka rrezikshmëri, por tek ato organizma që kanë një dobësi ekstreme. Edhe rreziku i kësaj flame politike për t'u bërë fatale nuk lidhet me llojin e virusit, por me shkallën e dobësimit të organizmit. Pra nëse gjendja ekonomike e vendit është e rëndë, shumë e rëndë, atëhere rreziku i kësaj flame është i madh. Dhe për këtë ne, fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna të sigurta.
Mirëpo, nëse është vërtet kështu, siç edhe mund të jetë, por shpresojmë që jo, atëhere duhet ndalur pak më seriozisht në këtë çështje. Sepse, nëse gjendja ekonomike është shumë e rëndë, kush ka leverdi të hyjmë në një situatë ethesh destabilizimi politik që mund të na mbajnë edhe për një vit, të paktën, në destabilizim? Sipas gjykimit tim nuk mund të thuhet kurrsesi se për këtë ka interes shumica e shqiptarëve. Ka mjete të tjera shumë më të shëndetshme për ta përballuar një krizë të tillë në emër të tyre. Kjo edhe për faktin se, nëse jemi në krizë të rëndë ekonomike, mendoj se shkaku është shumë më i thellë sesa shkalla e perversitetit të njërit apo tjetrit lider. Ai është rezultat i një politike ekonomike të gabuar të ndjekur të paktën që nga viti 1997, ndonëse, sipas meje, sikurse e kam shkruar edhe vite më parë, politika ekonomike e ndjekur pas 97-ës ka qenë në thelb e ngjashme me piramidat financiare, prandaj e destinuar të falimentojë një ditë. E nëse është kështu, nuk dilet nga kriza thjesht duke mallkuar apo kërcënuar persona të veçantë. Opozita nuk mund të na thotë thjesht e vetëm se mjafton të ikë Sali Berisha dhe do të shpëtojmë nga e keqja. Ajo duhet të na paraqesë një pasqyrë sa më reale dhe sa më bindëse të gjendjes së krizës dhe planin e saj alternativ për daljen prej saj. Madje, sipas meje, nëse jemi vërtet në një krizë kaq të rëndë, Berisha do të kishte interes ta mbante opozitën jashtë Parlamentit e tu'a vishte vështirësitë e krizës turbullirave të shkaktuara nga opozita, duke thënë, siç po thotë, se e gjithë kjo që po bën opozita ka si shkak prekjen e interesave të një grupi të vogël mafjozësh prapa Ramës. Në fakt një opozitë që nuk mund të akuzohet për interesa personale të liderit dhe të grupeve prapa tij është shumë më kredibël në një situatë krize, sesa një opozitë që akuzohet për këtë. Por, nga ana tjetër, edhe Berisha ka kredibilitetin minimal kur i lëshon akuzat e tij për "mafjen më të rrezikëshme të Ballkanit" mu në momentin kur kontestohet nga opozita për vjedhje votash. Edhe këto akuza nuk bëjnë shumë efekt se i ka thënë prej kohësh, qysh para se të merrte pushtetin më 2005 dhe kohën e ka pasur me bollëk për të vepruar ndaj saj me "darën e ligjit". Prandaj ato duken më shumë në stilin e kundërreagimeve të njohura të flamës së politikës së konfliktit.
Si përfundim, mendoj se kjo rishfaqje me virulencë e flamës së politikës së konfliktit do të qetësohet për shkak se trupi i shoqërisë ka një farë imuniteti indiference, ose mund të jetë me pasoja shumë më të rënda nëse gjendja ekonomike e vendit është e rëndë, por ndërkaq ngulmoj se e keqja që i ka dhënë këtij trupi imunitetin e indiferencës apo që e ka lektisur deri në shkatërrim do të mbetet brenda pa shpresë shërimi.

Read More......

Monday, November 23, 2009

Gazetarë apo topçinj llogoresh

Ka kohë që shoqërisë sonë i imponohet një politikë llogoresh ku mediat janë artileri kryesore e palëve në konflikt. Kjo politikë i ka shtrënguar gazetarët të strehoen o në njërën o në tjetrën llogore e të punojnë atje si grykorë topash nën urdhërat e gjeneralëve të betejës. Përndryshe mund të mbeten në mes të fushëbetejës e të hanë predhat e të dy palëve ose të dalin jashtë loje. Kjo gjendje ka bërë që, dora dorës, gazetarëve t'u bëhet gati i natyrshëm motivimi i punës në funksion të interestit të një pjese (partie) dhe jo në funksion të interesit publik. Është ky lloj motivimi që e ka drejtuar gazetarinë sonë kah gjysëm të vërtetat që synojnë të hedhin poshtë gjysëm të vërtetat e palës tjetër, duke na dhënë kështu një "dopio gënjeshtër", sikurse thotë Travaglio. Ky lloj motivimi e ka çuar gazetarinë më shumë kah manipulimi se sa njohja e së vërtetës, disinformacioni se sa informacioni, diskreditimi se sa investigimi, personalizimi se sa principshmëria. Sepse gazetari i llogores nuk e vështron betejën nga lart me një vështrim mbi të dy palët. Ai është pjesë e miopisë së llogores; si kali i karroces ai sheh vetëm në një drejtim. Madje kam përshtypjen se një pjesë janë aq të deformuar profesionalisht dhe aq të dembelosur nga rehatia e llogores sa nuk bëjnë më dot gazetari ndryshe dhe as i intereson kjo.
Adam Michniku në dekalogun e tij të gazetarit thotë: "duhet të besosh vetëm një Zot, të Vërtetën; po besove zota të tjerë do të ndëshkohesh me mosbesim." Gazetarit të llogores nuk i intereson zoti i së Vërtetës sepse ka zgjedhur Lopën e Artë të padronit. Atij nuk i intereson publiku i gjerë, por manipulimi i tij në emër të interesave të këtij padroni. Sjellja e tij shëmbëllen me atë të një kallauzi të cilit, kur dikush i kërkon rrugën për të dalë nga ku ka humbur ai, në vend se t'i tregojë shtegun më të mirë, me synim që ta shpëtojë, i tregon një shteg ku e presin shokët e tij banditë për ta grabitur.
Për këtë gjendje të medias dhe për nevojën e ndryshimi të saj kam shkruar në tre shkrime rradhazi, i fundit ndër të cilët "Liri e mdiave apo liri e shprehjes" (Korrieri 12 nëntor 2009). Nuk ka qenë çudi për mua të shoh topçinjtë e llogoreve të hedhin predha mbi këtë shkrim. Besoj se ia vlen një polemikë principiale me ta për hir të kthjellimit të problematikës.
Duke aplikuar teknikat e gazetarisë së gjysëm të vërtetave, në replikën ndaj shkrimit tim, Mero Baze e shpërndërron krejtësisht kuptimin e tij. Duke u marrë vetëm me pjesën ku përmendet Tema, ku them se edhe kjo, si gjithë mediat e tjera, nuk mund të mbahet qoftë edhe një ditë pa një prapavijë politike dhe ekonomike, paraqet sikur halli im qenkej ai i Sali Berishës: se si të mbyllet gazeta e tij Tema. Një gazetare e News 24, Alba Malltezi, e prekur pse them se ky televizon është artileri e vendosur në llogoret e PS, thotë se qenkam pjesë e llogores së Berishës sepse punoj tek Klan. Mustafa Nano mbyll sytë ndaj tërë problematikës së tre shkrimeve, që në fakt e njeh prej kohësh, dhe më akuzon se merrem me gjëra personale, jo me ide, duke iu referuar asaj pjese të shkrimit ku unë, bash për ilustrim të ideve të mija, ngre pikëpyetje lidhur me motivimet që e kanë shtyrë Temën të tradhëtojë llogoren e Berishës e të hyjë në llogoren e Ramës .
Këta gazetarë bëjnë sikur harrojnë se punën që e konsideroj kryesore, shkrimin, unë e kam si gazetar tek Korrieri që është një gazetë aspak miqësore me Berishën, pëkundrazi, nëse do të përdor metaforën e llogoreve, është në atë të tyren. Baze "harron" edhe më shumë: faktin se një pjesë jo të vogël të shkrimeve të mia, madje deri atë të parafundit, i ka ribotuar në Tema (gjithmonë me teknikën e gjysëm të vërtetave) dhe se, sikur vërtet të kisha synim goditjen e Temës nuk do ta lejoja t'i botonte ato. Ai harron edhe shkrimin tim të para disa vjetësh “Pse u shit – ble gazeta Tema (Korrieri, 1 nëntor 2005) ku, mes të tjerash, shkruaj: “gazeta Tema, e njohur si gazetë opozitare në ballë të luftës kundër korrupsionit të qeverisë nanoiste dhe kryebashkisë socialiste, u shit nga drejtori dhe njëherësh pronari Mero Baze me një shifër shumë të majme [...] duke rënë bash në duart e një pronari i cili është akuzuar nga ish opozita se, në afera korruptive me kryebashkiakun socialist Rama, ka zgjeruar pronën e tij [...]. Mesazhi që merr publiku nga kjo shitblerje është vërtet shqetësues [...]: i famshmi sistem i korrupsionit, i cili ka kapur shtetin dhe mediat, vazhdon punën e tij të kapjes.” Madje Baze harron edhe se, kur e shiti Temën, deklaroi se e bëri këtë sepse ajo nuk mbahej dot dhe nuk donte që publiku të mendonte se ajo po mbahej nga favorizimet që ai po merrte nga pushteti.
Edhe gazetarja e News 24, pronarët e të cilës nuk dihet me saktësi se cilët janë, por thuhet se janë biznese italiane të Puglias, "harron" se kam denoncuar vazhdimisht jo vetëm nga Korrieri, por edhe nga TVKlan, aferat e qeverisë Berisha me bizneset italiane (Shih Opinion të Fevziut apo lexo ndër tjera "Kryeministër apo kapo i Camorras shqiptare" (Korrieri, 5 qershor 2008); "Të keqen e Fazlliçit, po vijnë berluskonianët" (Korrieri, 30 tetor 2008). "Superfuqi apo koloni" (Korrieri, 4 nëntor 2008) ndërkohë që median e saj sikur nuk e kam parë ndonjëherë të thotë një fjalë për politikat neokoloniale italiane që synojnë të shndërrojnë Shqipërinë në koshin e plehërave të Italisë. Mirëpo, një nga karakteristikat kryesore të gazetarit të gjysëm të vërtetave, është bash harresa.
Me këto nuk dua të pretendoj se vetë i kam thënë të gjitha të vërtetat e tokës mbi mediat. Kur kam denoncuar "regjimin mediatik" të ngritur nga socialistët dhe të kalëruar nga Berisha nuk kam bërë gazetari investigative të tillë që të zbulojë rrënjët e çdo televizioni dhe gazete duke përmendur me emra të gjithë pronarët dhe duke treguar të gjitha lejet e ndërtimit, të gjithë tenderat e të gjitha shitblerjet që i lidhin me politikanët e ndryshëm qysh kur filloi historia e tyre. (Jam i bindur se herët ose vonë dikush do ta bëjë këtë). Por e kam bërë të qartë, besoj, se flas për të gjitha mediat si sistem dhe jo për një palë e se nuk jam i motivuar nga interesat e bizneseve të një pale. Po ashtu, përderisa punoj në këto media nuk pretendoj të jem jashtë sistemit. Por besoj se brenda hapësirave gjithnjë e më të ngushta që lejon ky sistem, e kam denoncuar - edhe me kosto goxha të rëndë ndonjëherë - deformimin e rëndë që kanë mediat shqiptare si pjesë e sistemit të korrupsionit e s’kam reshtur së foluri për nevojën e ndryshimit të tij.
Sipas gjykimit tim çështja në thelb është shumë e thjeshtë: nuk mund të ketë demokraci pa ndarje të pushteteve dhe, kur themi "ndarje e pushteteve", kemi parasysh ndarjen e legjislativit, ekzekutivit, gjyqsorit dhe mediatikut. Kurse ne nuk e kemi këtë ndarje. Deri tani kemi vetëm ndarjen e partisë së Enver Hoxhës në dy parti që bëjnë çmos të kthehen në origjinë duke u bashkuar në një kokë, çka, sikurse e kam shprehur edhe tjetër herë, na rrezikon kalimin në një regjim alla Putin.
Dikush do të thotë se sot rrezikun kryesor, në kontekstin e rrezikut Putin, që sapo përmenda, e paraqet mazhoranca që po tenton t'i marrë nën kontroll të gjitha pushtet. Edhe unë jam i këtij mendimi, por ka dy forma kritikash që mund t'i bëhen kësaj mazhorance: njëra në emër të interesave të të gjithë publikut dhe tjetra në emër të interesave të llogores tjetër; njëra në emër të ndarjes së pushtetit mediatik, tjetra në emër të kapjes së pushtetit mediatik. Fatkeqësisht është fare i pakët numri i gazetarëve që refuzojnë të futen në llogoret e partive. E tregoi edhe qëndrimi ndaj shkrimit tim: po nuk u fute në llogoren tonë je në llogoren armike. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, vetëm një refuzim i llogoreve do të mund t'i jepte medias dinjitetin e pushtetit të katërt.
Me këtë nuk dua të them kurrsesi se një gazetar nuk duhet të mbajë qëndrime pro një pale apo një tjetre. Por, siç e thashë më lart, gjithnjë duke patur parasysh interesin e publikut, jo të palës që e paguan, duke ruajtur një koherencë në qëndrimet që ka mbajtur, pa harruar përvojën dhe duke patur parasysh kontekstin. Sipas gjykimit tim ajo për çfarë ka dëshpërimisht nevojë publiku sot, pas përvojës shumëvjeçare që kemi, është një media e besueshme, jo një media llogoresh. Vini re. Edhe për rrezikun e një epidemie gripi, publiku nuk di më se kë të besojë sepse edhe për këtë mediat e gjysëm të vërtetave thonë të kundërtën: një palë se ka rrezik epidemie po të grumbullohemi dhe një palë se ky alarm hidhet që të mos demostrojmë.
Ose le të marrim diçka shumë më të rëndësishme: e keni vënë re se sa për zemër e ka Rama fjalën e përdorur fillimisht nga Mero Baze "familja" për të bërë opozitë. Ia ka mësuar edhe Erjon Velisë. E përdori edhe Bare në mitingun e fundit. I gjithë faji për këtë që po na ndodh, tentojnë të na thonë, është i një familjeje të vetme. Madje i një emri të vetëm. Nëse opozitës edhe mund t’i lejohet kjo, nuk mund t’u lejohet kurrsesi gazetarëve që pretendojnë se janë të pavarur. Ky është një reduksionizëm i qëllimtë i gazetarisë së gjysëm të vërtetave dhe sipas meje shumë i rrezikshëm. E kam shkruar dhe e përsëris: e keqja shqiptare nuk mund të reduktohet në një emër apo një familje, qoftë ky Berisha apo Rama. Po kur ishte Nano kryeministër, po kur ishte Meta, Majko çfarë ka ndodhur? E njëjta gjë që po ndodh sot. Prandaj për mua ata janë thjesht dhe vetëm instrumente të një sistemi të ngritur ku bën pjesë edhe media dhe kushdo që të vijë në pushtet, po nuk u ndryshua ky sistem, do të sillet pak a shumë si këta. Kurse ta reduktosh të keqen ashtu siç e reduktojnë gazetarët e llogoreve do të thotë t'i shërbesh ruajtjes së sistemit në emër të kalërimit të tij nga llogorja ku ti bën pjesë.
E keqja ku kemi ngecur ka rrënjë shumë më të thella dhe shumë më komplekse dhe gjetja e rrugëve për daljen prej saj kërkon të tjerë kallauzë me tjetër vështrim dhe deontologji nga ajo e topçinjve të llogores. (Korrieri, 23 Nëntor)

Read More......

Thursday, November 12, 2009

Liri e mediave apo liri e shprehjes

Rasti i rrahjes së Mero Bazes nga biznesmeni Taçi ka rindezur edhe një herë debatin mbi lirinë e mediave. Së fundi ka patur një debat të ashpër në emisionin Opinion i cili pati si jehonë dy peticione kundër njëri tjetrit, të firmosur nga qindra gazetarë, si dhe një numër shkrimesh.
Po përpiqem të shpreh mendimin tim lidhur me çka është thënë në këto debate nëpërmjet këtij shkrimi që e konsideroj si vazhdimësi të dy shkrimeve që kam botur së fundi në Korrieri me titujt "Mbi mizerabilitetin e mediave" dhe "Fenomeni Taçi"..

Gjykoj se ka një spekullim me termin "liria e mediave" kur kjo përdoret duke nënkuptuar lirinë e shprehjes. Janë dy gjëra të ndryshme, veçanërisht në Shqipëri. Mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë, (dhe jo vetëm) t'i paraqesin ato në këtë debat duke identifikuar rrahjet e gazetarëve me rrahjen e mediave. Në Shqipëri viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër, më e komplikuar, madje me kundërthënie të forta. Sepse mediat tek ne janë, fatkeqësisht, një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri, të cilin në shumë shkrime paraardhëse e kam quajtut "regjim mediatik" i cili, si çdo regjim, është shtypës edhe i lirisë së shprehjes.
Le ta shtjelloj çka dua të them duke u nisur nga debati mbi televizionin Klan (e jo vetëm) që u lakua pas Opinionit për shkak të dekaratave të Frangajt.
Çfarë është televizioni Klan? Sipas Bazes dhe mbrojtësve të tij është një instrument i pushtetit të Berishës. Sipas çka tha Erjon Velia në Opinion është një viktimë e pushtetit, si shumë media të tjera, sepse nuk mund të mbijetojë dot pa lidhjen apo pa i shërbyer atij. Sipas drejtorit Frangaj zgjedhja e Klan për të qenë me pushtetin është një zgjedhje editoriale ashtu siç është një zgjedhje editoriale ajo e Top Channel apo e News 24 për të mbështetur opozitën. Cila është e vërteta e gjithë këtyre televizioneve dhe e shumëve rreth tyre?
Sipas meje këto tre argumente nuk e përjashtojnë krejtësisht njëri tjetrin, por e vërteta e të vërtetave është ajo që e dimë të gjithë: këto media ose lindën si anekse të bisneseve të tjera të pronarëve të tyre, për t'i mbrojtur e zhvilluar ato duke shantazhuar politikën apo duke i shërbyer asaj ose u bënë të tilla gjatë rrugës. Kurse të ashtuquajturën gazetari e "liri shprehjeje", si material me të cilin punon media, ato e kanë përdorur në mënyrë selektive e abuzive për të shantazhuar politikën apo për t'i shërbyer asaj. Ky është thelbi i së vërtetës së tyre i zhveshur nga detaje dhe nga hipokrizia e shumë pronarëve e gazetarëve. Dhe mediat nuk mund të quhen kurrsesi viktima të pushteteve, siç tha Velia, sepse ato kanë pasur një rol aktiv në ngritjen e ruajtjen e këtij sistemi. Dhe jo vetëm televizioni Klan. Televizoni Top Channel apo New 24 e me rradhë janë edhe ato instrumente pushteti, por të pushtetit të opozitës e cila është ndërtuesja e këtij sistemi mediatik, pas vitit 1997, me protagonistë kryesorë Metën dhe Ramën më një anë dhe një numër biznesmenësh nga më të njohurit në vend më anën tjetër. Ato nuk janë, pra, të lira pasi ato janë të ndërvarura plotësisht me pushtetet që ato normalisht, po të ishin të lira, do të duhet të kontrollonin. Mjafton të kesh parasysh se mediave ashtu si dhe partive politike dhe bizneseve më të fuqishme nuk u dihen burimet e të ardhurave për të nxjerrë konkluzionin se bash tek kjo ndërvarësi e bashkëfajësi qëndron lidhja midis tyre.
Prandaj kur bëhet fjalë për dhunim ose favorizim të mediave këtë duhet ta kuptojmë në kontekstin e luftës për pushtet midis dy forcave politike ekonomike, instrumente të të cilave janë edhe mediat. E në këtë luftë ai më i forti, që zakonisht është ai që ka pushtetin qendror, fillon e dhunon tjetrin.
Në këtë kontekst po zhvillohet edhe konflikti i fundit lidhur me rrahjen e Bazes. Edhe Baze vetë nuk është thjesht një gazetar. Ai është edhe një pronar të cilit i janë prekur interesat nga pushteti politiko ekonomik që ka në krye Berishën. Që të jemi deri në fund të vërtetë duhet thënë se ai gëzoi disa privilegje në krye të herës, kur Berisha mori pushtetin dhe ia morrën ato me forcë kur filloi të kritikojë pushtetin. Shkaku i prishjes ende nuk është bërë i qartë as nga Baze as nga Berisha. Kryeministri ka heshtur (vetëm tani, dmth. shumë vonë për një juriste, e bija e tij ka deklaruar se prishja ka ardhur lidhur me shitblerjen e Temës ku Baze, sipas saj, i ka propozuar një skemë që mbante erë pastrim parash) kurse Baze ka pretenduar se prishja është bërë për të denoncuar mosmbajtjen e premtimeve nga kryeministri për të luftuar korrupsionin. As njëri as tjetri argument nuk janë bindës. Dyshimi se prishja është shkaktuar për pazare të prishura është shumë i fortë dhe kjo flet shumë për çka po përpiqem të shtjelloj. Edhe Baze, pra, sipas meje nuk ka arritur të bindë për principialitetin e kritikave të tij jo vetëm pse Berishës i ka mbështetur në të kaluarën bëma shumë më të rënda, por edhe sepse një luftë principiale kundër korrupsionit nënkupton goditjen e tij 360 gradë dhe jo përqendrimin në dy tre shënjestra dhe lënien jashtë të shumicës, e veçanërish të sistemit që e prodhon atë. Me këtë nuk dua të them se ai ka shpifur, siç akuzohet nga kundërshtarët e tij. Këtë mund ta provojë vetëm gjykata dhe vetë jam i prirur të besoj se më shumë se shpifja nervozon e vërteta. Por dua të them se ka goditur në mënyrë selektive, pra se ka përdorur të njëjtat metoda për të cilat akuzohet Berisha kur i thuhet se godet mediat në mënyrë selektive. Po kështu, këtë luftë Baze nuk do të mund ta bënte kurrsesi pa pasur një prapavijë politike dhe ekonomike sepse, thjesht si gazetar i pavarur, nuk do të mund ta mbante dot gazetën Tema as edhe një ditë të vetme. Dua të them, pra, se, në thelb të këtij konflikti, nuk kemi të bëjmë me luftën midis medias si "qen roje" të interestit publik më një anë dhe kërcënuesve të këtij interesi, cilëtdo qofshin ata, më anë tjetër, por me luftën midis dy pushteteve: pushtetit në rritje të Berishës dhe Metës e mediave pranë tij nga një anë dhe atij të Ramës dhe mediave pranë tij, që synojnë ripërmbysjen e kësaj situate, më anë tjetër. Nëse mund ta çoj pak më tej metaforën me "qenin roje" mediat tona, si të thuash, lehin për të ruajtur gardhin e pronarëve dhe politikanëve të lidhur me ta, çka do të thotë lehin në mënyrë selektive, sepse hajdutë të tjerë i lenë ta kalojnë gardhin pa problem.
Në këtë lloj lehjeje eksiston edhe një kod heshtjeje që Baze së fundi e ka shkelur. Sipas këtij kodi gazetarët kanë akuzuar politikanët e njëri tjetrit, por jo pronarët e njëri tjetrit. Sipas këtij kodi Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën mund t'i akuzosh sa të duash, por jo biznesmenët dhe veçanërisht jo pranarët e mediave që mbështesin ata. Ata duhet të jenë të lirë të kalojnë gardhin. Kështu teatri i gjoja demokracisë sonë funksionon në rregull; të parët bëjnë lojën e demokracisë në skenë, të dytët tërheqin fijet e lidhjeve korruptive në prapaskenë. Kurse në darkë, pas rënies së perdes, të dy palët bëjnë hesapin se sa kanë fituar nga spektatorët.
Ajo çka bije në sy sot, përtej elementit psikologjik të Bazes, i cili në këtë njëanshmëri është shquar edhe për përdorje të goditjeve nën bark, është se interesat e palëve në konflikt, ku janë përfshirë edhe gazetarët, po bëhen më të ashpra. Ndoshta për shkak të krizës ekonomike që ka varfëruar tryezën. Ndoshta për shkak të polarizimit të mëtejshëm të politikës shqiptare; (ekzistenca e LSI si një pol i tretë siguronte pak më shumë hapësira.); ndoshta për shkak se në krye të politikës kanë mbetur dy persona antropologjikisht të ngjashëm, që ëndërr finale kanë eliminimin e çdo kundërshtari. Ndoshta pse kjo është rruga e pashmangëshme e një diçkaje të ngritur keq që kështu është e dënuar të dështojë.
Dikush, në këtë pikë do të më thotë nëse është e drejtë të përdoret fjala "dështim" për këtë sistem mediatik. Pse të mos themi se kjo dialiktikë ndeshjeje e interesave të kundërta edhe për pushtet mund ta çojë përpara të vërtetën edhe lirinë e shprehjes? Në shkrimin paraardhës e kam pohuar edhe vetë, por duke shtuar dyshimin e fortë se " përvoja që kemi me akuzat e ndërsjellta të dy palëve, që "harrojnë" përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara." Kam shkruar edhe për gazetari që "vret" të vërtetën nëpërmjet luftës së gjysëm të vërtetave. Për të kthjelluar këto dyshime më erdhi në ndihmë një shkrim i gazetarit italian Marco Travagliobn ribotuar pikërisht në gazetën Tema, mbi gazetarët me kurriz të drejtë dhe me kurriz të lakuar. Midis të tjerash Travaglio, duke folur për gazetarinë që i shërben njërës palë kundër palës tjetër thotë: "Është shumë më e mirë mungesa totale e informacionit sesa një shumicë e informacioneve gjysmake ose false." E më pas shton: "Duke bashkuar dy gjysëm të vërteta, nuk arrihet një e vërtetë. Arrihet një dopio gënjeshtër, e më keq akoma, duke bashkuar gënjeshtra të ndryshme, arrihet një gënjeshtër me fuqi të shumëfishuar."
Për mua kjo gazetari e gjysëm të vërtetave, ashtu sikurse edhe politika e gjysëm të vërtetave që pasqyron ajo, janë një alibi e fuqishme edhe për sistemin gjyqësor që akuzohet sot pse nuk vepron. Një gazetari e së vërtetës të plotë do të ndihmonte edhe një sistem gjyqsor së pavarur që do të ndëshkonte çdo krim kundër interesit publik dhe anasjelltaz një sistem gjyqsor i pavarur do të ndihmonte një gazetari të të vërtetave të plota.
Kjo historia e "gjysëm të vërtetave" ka filluar herët në mediat tona, shpejt pas lindjes së këtij sistemi mediatik që kemi sot. Një datë simbolike mund të ishte fushata e katarsisit të Nanos i cili pati mbështetje të fortë mediatike. Rezultatet dihen, në vend të katarsisit patëm shtim të pisllëkut. Sot, pas dhjetë vjetësh, nuk di të them nëse prej asaj kohe e këtej shprehja e lirë, si nevojë për të vërtetën e plotë, ka ecur përpara apo prapa. Kur shikoj gazetarët e rinj që ka prodhuar ky sistem, që tashmë nuk merakosen fare të kenë një të vërtetë të tyren, - por edhe shpinën gjithnjë e më të përkulur të të vjetërve, - them me siguri që ka bërë prapa në favor të gazetarisë së gjysëm të vërtetave. Dhe një nga shkaqet, sipas meje, është se gjatë këtyre viteve ky sistem është konsoliduar në kuptimin se klasa e politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve që e ka ndërtuar atë është konsoliduar në pushtet. Me aq sa mund të flitet për konsolidim sepse rasti Baze tregoi gjithashtu edhe brishtësinë dhe kalbëzimin e këtij sistemi.
Dikush do të më thotë: këto i dimë, i ke thënë edhe herë tjetër, por puna është se si ta ndryshojmë këtë gjendje. Personalisht para katër vjetësh e kam paraqitur një projekt, të cilin ma hodhën poshtë me fjalë dhe me heshtje me veprime dhe mosveprime si mazhonranca e Berishës edhe opozita e Edi Ramës, edhe mediat e tyre. Sipas meje sepse ata ishin tashmë vetë sistemi i gjysëm të vërtetave apo i dopio gënjeshtrës që unë propozoja të prishej. Në ndonjë nga shkrimet pasardhës, duke ndjekur edhe debatin që po zhvillohet, do të përpiqem t'i artikuloj disi më mirë disa prej ideve të asaj kohe që më duket se mbeten aktuale, por edhe më të vështira për t'u realizuar sesa katër vjet më parë. (Korrieri, 12 nëntor 2009)

Read More......

Monday, November 9, 2009

Muri i Berlinit dhe Muri i Tiranës*


Mendoj se kur i kthehemi përkujtimit të historisë ne kemi shqetësimin e së tashmes. Sepse duam të kuptojmë më mirë nga kemi ardhur, të shpjegojmë disa fenomene që na ndodhin sot etj.. Kur ne i kthehemi historisë së Murit të Berlinit kemi edhe shqetësimin e mureve që na ndajnë, dhe jo vetëm të mureve fizike, por edhe të mureve të komunikimit.
Kur mendoj për Murin e Berlinit dhe shqiptarët një nga shqetësimet që kam sot, e që besoj se është shqetësimi i shumëve prej nesh, është ai i specifikave, i diferencave në zhvillimet e komunizmit në vendet lindore dhe në Shqipëri, që kanë sjellë diferencat që ne kemi sot me ato vende. Pra, mua më tërheqin sot më shumë se sa të përbashkëtat dallimet, specifikat që më duken më të rëndësishme për të kuptuar dallimet e realitetit tonë me vendet e tjera ish komuniste të Lindjes. Ndoshta, në këtë kontekst, titullin e kësaj fjale do ta quaja "Muri i Berlinit dhe Muri i Tiranës".
Gjëja e parë që mendoj se duhet thënë lidhur me raportin e shqiptarëve me Murin e Berlinit është se, në kohën kur u ngrit Muri i Berlinit, në Shqipëri u ngrit një mur tjetër: ai i ndarjes së Shqipërisë nga bota lindore. Kur Muri i Berlinit ndante botën lindore nga ajo perëndimore në Shqipëri ngrihej një mur ideologjik dhe politik që ndante Shqipërinë edhe nga bota Lindore. Ndërsa vendet e lindjes mbronin sistemin socialist nga sistemi kapitalist Shqipëria filloi të mbronte stalinizmin nga të dy palët duke i konsideruar të dy palët njëlloj të rrezikshme.
Duhet ndalur për një çast pse këta trajtoheshin si njëlloj të rrezikshëm. A duhet të ishte vërtet kështu për një parti komuniste? Në fakt ata ishin njëlloj të rrezikshëm për Enver Hoxhën dhe njerëzit e tij më të afërt, sepse u rrezikonin pushtetin vetiak - madje revizionizmi luftohej ca më shumë sepse rrëzimi nëpërmjet tij ishte më i mundshëm. Izolimi total i Shqipërisë nga ana e klasës së vet politike, për hir të pushtetit, është krimi më i madh që iu bë shqiptarëve.
Mendoj se është reflektuar pak për këtë moment historik. Personalisht kam qenë në moshën e fëmijërisë në kohën kur u ngrit Muri i Berlinit, por e mbaj mend mirë se, ne ato vite, propaganda fliste pak ose aspak për Murin e Berlinit. Nuk kam asgjë në kujtesë ndërkohë që e kujtoj mirë propagandën antirevizioniste. Më vonë kam kuptuar pse. Sepse ideologjia e Hoxhës, si instrument pushteti, ku hynte edhe propaganda për prishjen me vendet e Lindjes, bazohej mbi akuzën që u bëhej vendeve të Lindjes se ata ishin revizionistë dhe se ky ishte një hap drejt kapitalizmit. Pra, ndërkohë që mbizotëronte akuza se vendet e tjera të Lindjes po shkonin drejt kapitalizmit, madje paraqiteshin gati si aleatë me ta kundër Shqipërisë, (mjaft të kesh parasysh gjyqin e Teme Sejkos) ngritja e një muri me kapitalizmin prej tyre ishte një nonsens në propagandën zyrtare shqiptare. Muri i Berlini nuk mund trajtohej as si një e keqe, siç e trajtonte Perëndimi, as si mbrojtje e socializmit, siç e trajtonte Lindja. Prandaj preferohej heshtja; ishte ngritur pra një mur tjetër.
* * *
Një nga shkaqet pse në kohën e sotme është reflektuar pak për prishjen e Shqipërisë me botën lindore, sipas meje, është sepse izolimi i Shqipërisë u glorifikua shumë nga e gjithë elita poltike kulturore shqiptare. Kush kujton filma e libra si "Ballë për ballë" apo "Dimri i madh" etj. kujton se kjo prishje u trajtua si mbrojtje e interesave kombëtare. Dhe sot, përgjithësisht, është ruajtur theksi nacionalist i prishjes së Shqipërisë me BS. Sipas meje fakti që kjo prishje, në një farë mënyre, involvoi gjithë elitën që u rrit mbas asaj pariudhe, me gjithë tranformimin kulturor që ndodhi, ka ndikuar që të mos kemi sot një analize për dëmet që i ka sjellë Shqipërisë izolimi edhe nga bota lindore. Kur flitet për Lindjen sot, veçanërisht BS, më shumë trajtohet si fajtore e shkëputjes së Shqipërisë nga bota perëndimore.
* * *
Vetë shembulli që solli Patrick Moore për historinë e radios Evropa e Lirë tregon diferencën e madhe midis Shqipërisë së izoluar krejtësisht dhe vendeve të tjera lindore. Tek ne kjo radio nuk ka pasur jo vetëm asnjë zyrë, por as ndonjë lloj impakti. Pra, në tërësi, dua të them se vetë fakti i mbetjes staliniste të Shqipërisë, ndërkohë që në vendet e tjera lindore ka pasur një proces, që vlen të diskutohet, ka sjellë pasoja të rëndësishme në vonesën shqiptare.
Një nga pasojat është mungesa e disidencës. Është folur shumë për disidencë në Shqipëri. Po çfarë do të kuptojmë me disidencë? Disidenca është një kundërvenie e hapur që lind edhe brenda një partie. Po të shohësh vendet lindore do të gjejmë një histori disidence: Pranverën e Pragës, Solzhenicinin, Saharovin, Havelin me kartën 77, Solidarnostin... ndërkojë që Shqipëria mbeti krejtësisht homogjene, krejtësisht e kontrolluar dhe e izoluar nga këto ngjarje. Me disidencë nënkuptoj edhe një lloj rrezatimi. Në Shqipëri ka pasur shumë të burgosur, siç dihet, por problemi është nëse ka qenë ajo disidencë rrezatuese në konceptin e disidencës që dua të shtjelloj? E kam fjalën për atë kundërshtim që, në një farë mënyre, edhe frymëzon. Dhe frymëzon sepse regjimi vetë e toleron këtë, njëfarësoj. Haveli ka bërë vetëm 2 vjet burg, Solzhenicinin nuk e burgosën fare, por e nxorrën jashtë Bashkimit Sovjetik. Akte të tilla, megjithë represionin që eksistonte edhe atje, i jepnin një kurajo njerëzve, ndërsa stalinizmi shqiptar ishte shumë i egër. Në Kongresin e pestë Hoxha mbajti një fjalim që përmbante një thënie që ishte bërë sintezë frymzuese: "Pranimi ose mospranimi i luftës së klasave është një vijë demarkacioni që na ndan ne nga revizionistët." Kjo është thënë më 1967 - 1968. Më pas ai e futi luftën e klasave edhe brenda partisë.
***
Ajo që dua të them është se, nëse në vendet e Lindjes kemi fenomenin e disidencës dhe kemi, sadokudo, ndryshime pozitive që sjellin tek rënia e Murit të Berlinit, Shqipëria ka një regres nga dekada në dekadë. Pas prishjes me BS kemi një lidhje fantazëm me Kinën e Revolucionit Kulturor. Kur Kina fillon të hapet sadopak kemi izolimin e plotë të Shqipërisë.
Këtu mund të hapet një debat se sa kanë ndikuar në rënien e Murit të Berlinit zhvillimet nga brenda dhe sa ka ndikuar Lufta e ftohtë, presioni nga jashtë. Kjo ndoshta nuk mund të përcaktohet qartë. Patrick Moore përmendi Valesën që ka thënë se radio Evropa e Lirë ishte për ta si dielli. Por, ndërkaq, ishte Valesa brenda Polonisë, Solidarnosti, që bënte aktivitete. Mos të harrojmë gjithashtu se në Lindje kemi një tjetër moment historik që sjell rënien e Murit të Berlinin. E kam fjalën për Pjerestrojkën e Gorbaçovit. Ajo lidhej edhe me problemet ekonomike të vendeve të lindjes, por ishte e lidhur edhe me atë fermentim të brendshëm që ka sjellë disidenca.
Pra rënia e Murit të Berlinit, më 89, në vende si Polonia, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, BS përveç dështimit ekonomik ka ardhur, nëse mund ta përdorim këtë fjalë, edhe si rezultat i një lloj "suksesi". E kam fjalën për rritjen e një vetëdije drejt nevojës për demokraci, liri, për hapësira më të mëdha, që na bën të themi se, nëse ndryshimi nuk ka ardhur 100% nga brenda, ka një elemend të rëndësishëm të brendshëm.
Këtu kemi një diferencë të madhe me Shqipërinë ku rënia e regjimit komunist nuk vjen nga ndonjë lloj suksesi nga brenda, nga një proces i brendshëm, nga një lloj disidence e brendshme. Dua të kujtoj lidhur me këtë një moment që besoj se shumë e kujtojnë: takimin e Ramis Alisë me intelektualët shqiptarë më 1990. Është vetë Alia që hedh tezën e pluralizmit të mendimit duke pyetur nëse është e pjekur Shqipëria apo jo. Pra ndryshimi vjen gati i stimuluar nga lart.
Shkurt, mendimi im është që Shqipëria ka qenë në atë kohë krejtësisht e izoluar dhe mund fare mirë të ishte bërë si Kuba sikur të mos kishte qenë rrënimi i plotë ekonomik i vendit.
Prandaj rasti shqiptar bëhet specifik: Në Shqipëri regjimi bije më vonë se të gjithë dhe Shqipëria ka tranzicionin më të vështirë në shumë aspekte.

Vetëm duke patur parasysh këto diferenca mund të shpjegohen disa specifika të së tashmes. Le të përmend disa:
- Tek ne, ndryshe nga vendet e Lindjes, nuk ka asnjë dallim në program midis partive politike, pra ka një mungesë totale të pluralizmit. Pavarësisht se ca quhen të majta dhe ca të djathta
- Shqipëria pati atë ekzod tragjik që e dimë të gjithë. Kur ra komunizmi u prenë deri pemët anës rrugëve nacionale.
- Krijimi i piramimdave financiare rënia e të cilave është një nga ngjarjet më dramatike të proceseve të tranzicionit në krejt Lindjen. Sipas meje ato erdhën edhe për shkak të izolimit, të mosnjohjes totale të kapitalizmit.
- Shqipëria vazhdon të ketë problemin e votës së lirë që nuk e kanë fqinjët tanë të Lindjes.
- Shqipëria ka mbetur ende pa zgjidhur problemet me pronën.
- Në qytetet shqiptare bashkitë punojnë pa plane urbanistike.
Do të shtoja shumë gjëra të tjera që bëjnë diferencë.
Sipas meje nuk ka dyshim se kjo specifikë për keq vjen edhe nga izolimi, nga "Muri i Tiranës" që ishte një mur tjetër rrethues. Ashtu siç ishte Muri i Berlinit me disa mure rrethues - siç e pamë në dokumentarin e sotëm - edhe muri i Tiranës ishte një mur edhe më i tmerrshëm izolues për Shqipërinë brenda murit më të madh.

* * *
Sigurish, si vend komunist, Shqipëra ka pasur edhe ngjashmëri me vendet ish komuniste të Lindjes. Për fat të keq ngashmëritë janë më shumë tek të këqijat sesa tek të mirat.
Pandi Gjata përmendi në fjalën e tij Timothy Garton Ash që ka përdorur termin "refolucion" për ngjarjet që sollën ndryshimin në kohën e rënies së murit të Berlinit. Me fjalë të tjera ato janë gjysëm reforma gjysëm revolucione. Lidhur me këtë temë këshilltari i Havelit Princi Schvarcenberg duke folur në një takim me temë "Revolucionet në vendet e Lindjes" për të folur pra për të ashtuquajturit "revolucione të kadifenjta" etj. që janë pak a shumë sinonim i "refolucion", ka bërë një koment që më ka mbetur në mendje. Unë - tha ai - do t'ju zhgënjej sepse, ndërkohë që ju keni ardhur të dëgjoni të flitet për revolucione, unë do t'ju them se nuk ka patur revolucione. Revolucioni është një përmbysje e dhunshme që shoqërohet me ndrrim elitash. Nuk ka pasur as dhunë as ndrrim elitash.
Dhe më pas, duke kaluar tek e tashmja, ai thotë se gjithë ky korrupsion që kemi sot, gjithë kjo mungesë besimi tek klasa politike, gjithë kjo problematikë etj. etj. - mos harroni flitet gjithmonë për Çekinë - vjen ngase vendi është në duart e të njëjtës elite, që nuk është ndrruar.
Këtu unë shoh ngjashmërinë, por edhe ndryshimin.
Cili është problemi - duke patur parasysh çka thashë për Murin e Berlinit, disidencën - që nuk u krijua dot një elitë tjetër që do të duhej të sillte ide e vlera të reja qoftë edhe atje ku ka pasur disidencë? Këtu kam parasysh pra ngjashmërinë, por pa harruar edhe se ndryshimet sasijore janë të rëndësishme sepse sjellin edhe ndryshime cilësore. Problemi i elitës shqiptare, që nuk pati mundësinë të zhvillohet sa ato vende të tjera e të mos ketë fermentin e disidencës, është shumë më i madh edhe në kontekstin e asaj që thotë Schvarcenberg. Nëse do të përdor murin si metaforë ky është shumë i rëndësishëm për ta përcaktuar, përkufizuar elitën shqiptare. Pse them muri? Sepse një nga problemet më të mëdha që ka krijuar regjimi i kaluar, edhe tek kjo elitë, është paaftësia për të komunikuar sinqerisht, paaftësia për t'u bashkuar në emër të disa idealeve, një gjuhë e dyfishtë që përdoret vazhdimisht prej saj, një përdorim i shtetit për qëllime të tjera nga qëllimet e një shteti që është shtet i qytetarëve. Pra kemi një elitë që, në një farë mënyre, ka një mur në ndërgjegjen e vet që ndan të kaluarën nga e tashmja, ku tek e kaluara, prapa murit, shoh shumë që nuk thuhen, që as fëmijët e asaj elite nuk i dinë - dhe këtu del edhe problemi pse nuk i hapim dosjet - dhe ky mur, që është një mur në kokën e njerëzve, mua nganjëherë më duket sikur është një tumorr që rritet, nuk zvogëlohet, që krijon pamundësinë e komunikimit të vërtetë për të krijuar idele të përbashkëta dhe për të luftuar për këto ideale. Dhe kjo ka krijuar këtë fragmentizim ekstrem të shoqërisë sonë, që nuk e le njeriun shqiptar të bëjë gjëra në emër të të gjithëve, por ku sejcili e sheh shtetin, pushtetin si mënyrën për të mbijetuar, Dhe kjo është një nga arësyet kryesore që, në krahasim me vendet e tjera të Lindjes, ne jemi shumë më mbrapa.
Pak a shum këto kisha për të thënë. Faleminderit.

* Fjala e mbajtur në takimin "Epoka e ndryshimeve " organizuar nga Deutsche Velle në Tiranë me 2 tetor me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit (Korrieri, 9 Nentor 2009)

Read More......

Thursday, November 5, 2009

Fenomeni Taçi

Ishte tejet shqetësues lajmi i sulmit fizik kundër gazetarit Mero Baze nga Rezart Taçi, njëri prej biznesmenëve më të njohur të vendit që i ka dalë emri edhe ndërkombëtarisht si milioner që ka pretenduar të blejë klube futbolli si Bolonja apo Milani.
Më duket e tepërt të them: "është një ngjarje e rëndë" apo "solidarizohem me të gjithë ata që e kanë dënuar këtë krim ndaj fjalës së lirë." Fakti që edhe Sali Berisha, i cili sulmohet përditë nga Baze në gazetë, është shtrënguar ta dënojë, tregon se ky akt dhune nuk do shumë koment në vetvete.
Por do shumë koment dhe analizë çfarë qëndron prapa këtij akti dhe prapa fenomenit Taçi në përgjithësi. Përshtypja ime është se nuk ka shumë vullnet apo kurajo për ta parë në të gjithë thellësinë dhe rrezikshmërinë e tij fenomenin. Kur them këtë kam parasysh reagimet që pasuan këtë ngjarje veçanërisht ato që erdhën jo vetëm nga gazetaria, por edhe nga forca kryesore e opozitës; sepse vështirë të prisje një analizë kritike nga mazhoranca.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë Edi Rama akuzoi pas ngjarjes drejtpërdrejt Sali Berishën duke deklaruar se "ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me të, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë ai për t'u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit".
Më vjen ta aprovoj plotësisht këtë pohim, por më ngecet aprovimi në fyt kur më poshtë shoh se shkaku i gjithë kësaj të keqeje, sipas kryetarit të PS, janë: "interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t'u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve. "
Pse më ngecet në fyt? Jo pse nuk më duket e vërtetë, por sepse nuk i shkohet më thellë fenomenit, sepse krijohet iluzioni se kjo e keqe fillon e mbaron me Berishën, e se, sikur të zhduket kjo familje dhe të vijë "familja socialiste" në pushtet Shqipëria do të dalë në dritë. Kjo cekësi, më irriton sa herë e dëgjoj sepse, si qytetar e gazetar, më duket sikur duan të më manipulojë, sikur të jem një trutharë, që nuk paska nxjerrë mësime nga e kaluara, apo që ka humbur memorien. Sepse, siç kam mësuar edhe nga vetë shkrimet e Mero Bazes, Taçi i famshëm akuzohej, para disa vjetësh, nga Berisha si mafjoz që ishte pasuruar në lidhje me socialistët në pushtet. Sepse më kujtohet një sivëlla i tij, Delijorgji, e shumë sivëllezër të tjerë, që e kanë filluar karrierën me Berishën e parë, e kanë thelluar atë me socialistët 1 dhe 2 dhe që përsëri i ke sot o duke mjelur lopën e Kryeministrisë ose atë të Bashkisë (jo rrallë të dyja sëbashku) duke "bërë ligje" e plane urbanistike, e plane turistike, e kontrabanda, e korrupsione gjithfarëshe "në kurriz të të gjitë shqiptarëve". Po ashtu, sepse, si gazetar, nuk mund të harroj se para disa vjetësh, kur Edi Rama ishte shumë më i fuqishëm se sot, pasi socialistët zotëronin pushtetin qendror e lokal, një nga "sivëllezërit" e lidhur me të më mbajti dy vjet nëpër gjyqe duke më kërkuar 100 mijë dollarë dëmshpërblim, gjoja se kisha shpifur kundër tij, teksa bëja punën e gazetarit, ndërkohë që vetë Rama, pa pritur as vendimin e gjykatës më akuzoi publikisht si "shpifës profesionist". Dikush mund të thotë se një gjyq është normal, por jo të vijnë të të rrahin në mes të lokalit; e se gjyq duhet të bënte edhe Taçi nëse pretendon se Baze ka shpifur kundër tij. Mirëpo nuk është kaq e thjeshë të vlerësosh se çfarë është më keq për gazetarin. Gjyqi është rruga më e mirë, e pranoj edhe unë. Por kjo kur ka drejtësi të pavarur; ndërsa kur drejtësia, sikurse thotë edhe Rama për këtë të sotmen, është vegël e atyre që kanë paranë dhe pushtetin në dorë, atëhere mund të të bëhet më e vështirë jeta nga një gjyq sesa nga një rrahje. Kush ka provuar të kalojë nëpër gjyqe me gjyqtarë që e peshojnë drejtësinë me paret që marin nën dorë apo me lejet e ndërtimi që marrin mbi dorë mund të flasë për këtë.
Prandaj, sipas meje, çështja shtrohet se dora që ka goditur gazetarin nuk është dora e një njeriu të vetëm apo grupi të vetëm që ka marrë aksidentalisht pushtetin, por është dora e një pushteti të madh paralel që ekziston në vendin tonë, pushteti i të fortëve që institucionet për të cilët ne flasim aq shumë i përdor vetëm si fasadë. Dhe ky pushtet nuk është instaluar me ardhjen e Berishës 2 në pushtet, por shumë më herët. E vërteta është se biznesmenë si Taçi kanë qenë dhe janë ata nëpërmjet të cilëve politikanët tanë kanë siguruar e sigurojnë rrogën e madhe të paligjshme, përpara së cilës ajo e vogla, që u jep insitucioni ku punojnë, shëmbëllen me një kafshatë. Rrogën e madhe me të cilën kanë ndërtuar e ndërtojnë pallate në kryeqytet e vila në bregdet, blejnë toka, por edhe vila jashtë shtetit, bëjnë ushëtime turistike, blejnë veshje e makina nga më të shtrenjtat etj. etj. E thotë edhe Rama në pohimin e tij, por e kufizon vetëm tek familja Berisha fenomenin.
Nga ky këndvështrim i fenomenit ajo që i ndodhi Taçit mund të quhet edhe një "incident" i sistemit ashtu siç mund t'i quhet Gërdeci Delijorgjit, që, sikur të mos kishte ndodhur, ky do të vazhdonte "punën" i qetë. Ky është thelbi i problemit sipas meje. Edhe ajo që i ndodhi Bazes, nga ky këndvështrim, nuk është e rëndë vetëm për shkak të goditjeve fizike që ai ka marrë. Më e rënda është se ndërkohë që Taci mund të dënohet me gjobë për rrahje askush nuk do të hetojë nëse ka apo nuk ka të vërteta në ato që thotë Baze për të e për të cilat dënimi është shumë më i rëndë se gjoba. E rënda qëndron në atë se kjo që ndodhi denoncon se çfarë njerëzish janë pasuruar në këtë vendin tonë; se ne, si shoqëri, jemi larg së hetuari mënyrën se si janë pasuruar këta njerëz, abuzimet që kanë bërë këta sëbashku me politikanët, lidhjet e tyre, kalimin e një pjese prej tyre nga biznesi në Parlament, kapjen e mediave prej tyre etj..
Flasim e flasim e prap gjuha na shkon atje ku dhemb dhembi: tek drejtësia që kërkojmë e nuk e gjejmë. Gjithë në këtë kontekst, duke u nisur nga ky rast, mund të ngrihet edhe pyetja: çfarë do të ndodhte sikur drejtësia të vihej në veprim nga gazetaria investigative dhe, po të provonte se akuzat janë të vërteta, t'i dënonte të akuzuarit nga mediat, siç ndodh në vendet demokratike? Kjo gjë sipas meje nuk ka filluar ende të ndodhë në vendin tonë dhe reagimi i Taçit tregon se sa larg këtij momenti jemi. Sipas meje në raste të tilla rrahjen gazetari do ta puthte në ballë sepse do të ishte në rrezik vetë jeta e tij. Fakti është ne jemi nën sundimin e një kaste të paprekshmish e të padënueshmish që kanë kapur politikën, por edhe drejtësinë, që ndrrojnë vende në Parlament nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltaz dhe që, me këtë gjestin e Taçit na dhanë sinjalin: mos e kruani si Baze! Dikush do të thotë. S'është kështu; e pe si reagoi opozita dhe, po të kesh opozitën në krah nuk e kanë aq të lehtë. Ok, por po sikur një gazetar të kërkojë të akuzojë ndonjë nga ata - që të gjithë e dimë se nuk janë të pakët - që paguajnë edhe fushatën e Berishës edhe të Ramës, kush do ta mbrojë? Sepse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, Baze duke kaluar në kampin e Ramës vërtet ka mbrojtjen e opozitës, por është një mbrojtje komprometuese për lirinë e fjalë dhe të vërtetën e plotë sepse nuk mund të flasë më për bëmat e Ramës. Dhe kjo nesër mund ta bëjë përgjegjës për rrahjen e ndonjë gazetari pro Berishë.
Dikush do të thotë nuk ka rrugë tjetër: të dalë e vërteta dhe të shtrëngohen rripat nga lufta midis dy palëve. Nuk jam kundër kësaj dialektike, por nuk mund të mos ve në dukje se përvoja që kemi me akuzat e ndërsjellta të dy palëve, që "harrojnë" përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara. Vetë ajo që ndodhi me Bazen e provon këtë ashtu sikurse edhe vetë gjendja e gazetarisë sonë në përgjithësi. Jo vetëm por, si gazetar, më duket detyrë ndaj të vërtetës të them se vetën kur opozita të fillojë të analizojë përgjegjësitë e veta për fenomenin Taçi, do të mund të ketë kredibilitetin e një alternative që ngjall shpresë për ndryshim. (Korrieri, 5 nentor 2009)

Read More......