Thursday, December 3, 2009

Flama e derrit dhe flama e politikës

Bashkë me ethet e flamës së derrit në këtë dimër duket se po na vërviten edhe ethet e flamës së politikës së konfliktit. Ashtu si flama e derrit parashikohet të arrijë pikun e vet në dhjetor edhe flama e politikës së konfliktit duket se po kërkon të arrijë pikun e vet në këtë muaj. Një numër jo i vogël njerëzish ka rënë tashmë pre e etheve, veçanërisht këto dy javët e fundit kur, pas ultimatumit të PS se po nuk u hapën kutitë për dhjetë ditë do të ketë përshkallëzime, që nënkuptonin përdorim force, kryeministri Berisha u përgjegj se do t'i shkulte dhëmbë e dhëmballët e opozitës me darët e ligjit. Ndonëse ata të Ramës thanë se fjala "forcë" ishte përdorur në kuptimin figurativ dhe ata të Berishës se bëhej fjalë për "darët e ligjit", jo për darë dentisti, eufemizmat e përdorur linin qartë shijen se kërcënimet synonin të frikësonin kundërshtarin me përdorim dhune.
Pikën kulminante të dhunës verbale e arriti kyeministri i cili me një gjuhë që deri dje ia kishte lënë shkarrashkruesve në shërbim të tij ta përdornin u fut personalisht, që nga tribuna e Parlamentit, deri në punët e shtratit të liderit të opozitës me nje batare akuzash që synonin ta zhburrëronin plotësisht.
Disa ditë rresht pas kësaj ngjarjeje ata të Berishës dhe ata të Ramës u morrën me problemin se cili prej të dy liderëve është më i sëmurë psiqikisht dhe më pervers. Pritet që ethet të rriten edhe më tani pas skadimit të ultimatumit të opozitës me premtimet e Berishës për denoncimin e bandës "punisto mafjoze" të Ramës dhe mitingun e madh që kërkon të organizojë PD-ja me rastin e 8 dhjetorit.
Simptoma kryesore e sëmundjes është rritja ekstreme e syverbësisë. Të sëmurët kanë bindjen se e drejta dhe e vërteta është vetëm me Berishën ose vetëm me Ramën, se në këtë vend ekzistojnë vetëm militantët e këtyre të dyve që janë apo duhet të jenë të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të çrrënjosur të keqen që është në krahun tjetër e, për këtë, lëshojnë thirrje për rreshtim. E pësova edhe unë personalisht një fshikje nga flama kur një gazetar i prekur rëndë prej saj, Mustava Nano, i cili, ndonëse jo më shumë e disa muaj më parë më kishte cilësuar si gazetarin më të lavdërueshëm të medias shqiptare tani më cilësoi si gazetarin më të rrjedhur trush, pasi nuk mendoj si ai.
Për gripin e derrit specialistët thonë se një nga karakteristikat e tij të veçanta në krahasim me gripin e zakonshëm është se ai paraqet një mutacion të tillë virusal ndaj të cilit organizmi nuk është i përgatitur. Po ashtu është thënë se ndoshta, pikërisht pse është i tillë, ai godet më shumë fëmijët dhe të rinjtë të cilët kanë sistem imunitar më të fortë - sepse dihet se ethet e larta shkaktohen pikërisht si reaksion i sistemit imunitar.
Çfarë mund të themi lidhur me flamën e fundit të politikës së konfliktit që i ka rënë së fundi, veçanërishtë për rrezikshmërinë e saj, duke e përqasur me atë të derrit?
Sipas gjykimit tim flama politike e këtij dimri ndryshon nga ajo e derrit sepse nuk kemi të bëjmë me ndonjë virus me mutacion të ri të panjohur për organizmin. Kemi të bëjmë me virusin e "gripit të zakonshëm”, nëse, figurativisht, me këtë do të kemi parasysh dy gjëra: së pari, të njëjtët aktorë që luajnë prej kohësh lojën e politikës së konfliktit dhe, së dyti, se kemi të bëjmë me të njëjtat problematika e akuza, me të njëjtën gjuhë. Pra, për rrjedhojë, kemi të bëjmë edhe me një trup shoqëror që tashmë ka të zhvilluar njëfarë imuniteti ndaj kësaj flame.
Nuk është hera e parë që kontestohet vota, nuk është hera e parë që politikanët tanë shahen e kërdisen, nuk është hera e parë që Sali Berisha kërcënon se do të shkulë dhëmbë e dhëmballë duke nënkuptuar me këtë baronët e drogës, mafjozët e lidhur me socialistët (dikur ka përdorur fjalën “rruspa”.); nuk është hera e parë që bëhen publike turpet dhe sëmundjet psikike të Ramës; nuk është hera e parë që Rama na bën thirrje të preokupohemi për shëndetin mendor të Berishës, (mjafton të kesh parasysh ulërimën e tij "O doktoooor…" në sheshin Skënderbej para disa vjetësh).
"Mjerë ju për atë që keni në krye dhe mjerë ju për mua që më keni në krye." është përkthimi i gjuhës së këtyre fjalimeve për ata që nuk janë të rreshtuar.
Tashmë njerëzit e dinë këtë punë. Opozita do të mbledhë forcat që të sjellë në shesh ushtrinë e militantëve të vet nga fillimi i dhjetorit, Berisha do të nxjerrë të vetët ca ditë më vonë. Ata e dinë se e gjitha kjo paradë force nuk ka ndonjë vlerë të madhe për brenda vendit, por, sipas tyre, ka shumë vlerë jashtë vendit, sepse numri i madh i njerëzve do t’i bindë ndërkombëtarët se këtu kemi të bëjmë me forca serioze dhe punë serioze. Ndërkombëtarët do t’i shohin të dy palët dhe do të thonë: duhet të uleni në tryezën e dialogut. Ata thanë kështu edhe në 97-tën e jo tani që jemi antarë të Natos. Dhe kanë të drejtë, sipas meje, sepse nuk meritojmë të trajtohemi si të rritur, por si fëmijë.
Deri këtu unë gjykoj se flama e këtij dimri do të kufizohet në dhimbjet e fytit të politikanëve kryesore dhe militantëve të tyre. Dikush do të më thotë se po gaboj. Ndoshta po gaboj por, nëse po gaboj, besoj se nuk kam ca të dhëna që, në mungesë të transparencës së të gjithë aktorëve, nuk më lenë të bëj parashikim të saktë. Le të shpjegohem.
Kur flitet për parrezikshmërinë e gripit të derrit thuhet se ai nuk ka bërë më shumë viktima sesa gripi i zakonshëm. Pra edhe gripi i zakonshëm ka rrezikshmëri, por tek ato organizma që kanë një dobësi ekstreme. Edhe rreziku i kësaj flame politike për t'u bërë fatale nuk lidhet me llojin e virusit, por me shkallën e dobësimit të organizmit. Pra nëse gjendja ekonomike e vendit është e rëndë, shumë e rëndë, atëhere rreziku i kësaj flame është i madh. Dhe për këtë ne, fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna të sigurta.
Mirëpo, nëse është vërtet kështu, siç edhe mund të jetë, por shpresojmë që jo, atëhere duhet ndalur pak më seriozisht në këtë çështje. Sepse, nëse gjendja ekonomike është shumë e rëndë, kush ka leverdi të hyjmë në një situatë ethesh destabilizimi politik që mund të na mbajnë edhe për një vit, të paktën, në destabilizim? Sipas gjykimit tim nuk mund të thuhet kurrsesi se për këtë ka interes shumica e shqiptarëve. Ka mjete të tjera shumë më të shëndetshme për ta përballuar një krizë të tillë në emër të tyre. Kjo edhe për faktin se, nëse jemi në krizë të rëndë ekonomike, mendoj se shkaku është shumë më i thellë sesa shkalla e perversitetit të njërit apo tjetrit lider. Ai është rezultat i një politike ekonomike të gabuar të ndjekur të paktën që nga viti 1997, ndonëse, sipas meje, sikurse e kam shkruar edhe vite më parë, politika ekonomike e ndjekur pas 97-ës ka qenë në thelb e ngjashme me piramidat financiare, prandaj e destinuar të falimentojë një ditë. E nëse është kështu, nuk dilet nga kriza thjesht duke mallkuar apo kërcënuar persona të veçantë. Opozita nuk mund të na thotë thjesht e vetëm se mjafton të ikë Sali Berisha dhe do të shpëtojmë nga e keqja. Ajo duhet të na paraqesë një pasqyrë sa më reale dhe sa më bindëse të gjendjes së krizës dhe planin e saj alternativ për daljen prej saj. Madje, sipas meje, nëse jemi vërtet në një krizë kaq të rëndë, Berisha do të kishte interes ta mbante opozitën jashtë Parlamentit e tu'a vishte vështirësitë e krizës turbullirave të shkaktuara nga opozita, duke thënë, siç po thotë, se e gjithë kjo që po bën opozita ka si shkak prekjen e interesave të një grupi të vogël mafjozësh prapa Ramës. Në fakt një opozitë që nuk mund të akuzohet për interesa personale të liderit dhe të grupeve prapa tij është shumë më kredibël në një situatë krize, sesa një opozitë që akuzohet për këtë. Por, nga ana tjetër, edhe Berisha ka kredibilitetin minimal kur i lëshon akuzat e tij për "mafjen më të rrezikëshme të Ballkanit" mu në momentin kur kontestohet nga opozita për vjedhje votash. Edhe këto akuza nuk bëjnë shumë efekt se i ka thënë prej kohësh, qysh para se të merrte pushtetin më 2005 dhe kohën e ka pasur me bollëk për të vepruar ndaj saj me "darën e ligjit". Prandaj ato duken më shumë në stilin e kundërreagimeve të njohura të flamës së politikës së konfliktit.
Si përfundim, mendoj se kjo rishfaqje me virulencë e flamës së politikës së konfliktit do të qetësohet për shkak se trupi i shoqërisë ka një farë imuniteti indiference, ose mund të jetë me pasoja shumë më të rënda nëse gjendja ekonomike e vendit është e rëndë, por ndërkaq ngulmoj se e keqja që i ka dhënë këtij trupi imunitetin e indiferencës apo që e ka lektisur deri në shkatërrim do të mbetet brenda pa shpresë shërimi.

5 comments:

Anonymous said...

"Dhe kanë të drejtë, sipas meje, sepse nuk meritojmë të trajtohemi si të rritur, por si fëmijë......Dikush do të më thotë se po gaboj".Jo, Joooooo nuk po gaboni, po dohet nje emer tjeter i nje shkalle me te ulet intelegjence apo ndergjegjsimi si foshnjarak, tamam foshnjarak, apo ndoshta latent, prape nuk shkon dalin shume te pafajshem. Manjak. Kjo eshte manjak. Dy grupime forcash te se djathtes dhe te se majtes me dy kryekomandantet, me dy shtriguesit Sali Berishen dhe Edi Ramen qe jane dhe dy kryemanjaket e semure e bashke me te e gjithe shoqeria.Shkrimi eshte i bukur po mund te ishte dhe me i gjate, per te kompesuar kohen qe munguat, edhe se te jep ndjesine sikur ke pare vetem serine e pare te nje filmi.“Dëshironi të njihni te kaluaren, shikojeni veten ne gjendjen e tanishme, sepse kjo është rezultat i së kaluarës suaj. Dëshironi të dini të ardhmen tuaj, shikojeni veten ne gjendjen e tanishme, sepse ai është shkaku i të ardhmes suaj“. (Budda 563-483 para Krishtit)

Lavdrim said...

I nderuari Lubonja,
shkrimi i sotem eshte nje shkrim normal dhe sesi na duket kur jemi mesuar me shkrime mbi-normalen. ka mundesi te jeni inflacionuar ne ide te shkruara pasi keni shpenzuar shume ato me goje (neper emisione te ndryshme, me tema te ndryshme). nejse. Ju veni shenjen e barazimit ne ekuacionit Rama-Berisha, por nuk kam kuptoar akoma nese vlerat jane te barabarta per te dy, apo njeri eshte me keq se tjetri. keshtu qe sic na ndodh shpesh ne zgjedhim te keqen me te vogel pasi per te vete konceptin metafizik qe ka e keqja nuk mund te bejme tabula rasa.
mirepo per te zvogeluar kete te keqe nuk jepni ndonje alternative perpos pickimit qe te jemi me te vetedijshme. a duhet te jemi edhe te vetedijshme ne gjykim? kjo eshte nje pyetje.

Anonymous said...

Per dreq sot kemi viktimen e pare te gripit te derrit ne vend.
Uroj qe te mos jete ogur edhe per seriozitetin e gripit te politikes.

Anonymous said...

Shpjegimi me i mire i politikes ne Shqiperi eshte si ajo thenia e pejgamberit Muhamed a.s. qe thoshte: "vellai juaj eshte pasqyre per ty". Rama shikon veten kur flet per Berishen dhe Berisha sheh veten kur flet per Ramen....

Urime z Lubonja!

Anonymous said...

Nga repertori i Berishes:
Klani i Zemunit = Vellezerit Koka;
Mumuthi i korrupsionit = Anastas Angjeli;
Baroni i krimit = Fatos Nano;
Ilir Floriri = Ilir Meta;

Kush mund t'i besoje keto qe thote zoti Berisha, pas gjithe palacolleqeve qe ka thene dhe lepire serish ai me pare. Kjo politike eshte e tmerrshme dhe duhet te marre fund.