Friday, February 23, 2018

Teatri - puntatat e para të serialit “PPP” të Ramës


Kjo historia e Teatrit që duan ta ndërtojnë me PPP (partneriteti publik privat) nuk është e re. Seriali i filmit “PPP” të Ramës i ka nismat e veta të para me kioskat që zaptuan Tiranën. Unë, (pushtetari) kam në dorë të të jap ty (privatit) një shesh nga parku publik; ti më jep ca para, si shpërblim, dhe ndërton atje një kafe apo piceri me të cilën nxjerr fitime. Pastaj hamë e pimë atje sëbashku dhe bëjmë edhe pazare të tjera më serioze. Ja, kaq e thjeshtë është. Më kujtohet se edhe Akademija e Arteve dha asokohe leje për një kioskë të tillë në oborrin e saj, që quhej “e Xhatit”, ku njerëzit e rëndësishëm të Akademisë si Rama, që e kishte zbukuruar kioskën me pikturat e veta, hanin qyl për “nderin” që i kishin bërë Xhatit. Ky fillim vazhdoi më pas me “Bar Akademia”, qe zinte gjithë lulishten, “Bar House of Arts” dhe “Radio House of Arts”, të dyja nën sallën e Teatrit të Akademisë, që u bënë pronësi e Fidel Yllit, i cili e kishte filluar biznesin edhe ai me një kioskë të dhënë nga pushtetarët.
Në një nivel pak më të lartë ky partneritet u bë me Teatrin Kombëtar. Sikurse dihet teatri Kombëtar ka dy ndërtesa në disponim. Atë ku ndodhet sot salla kryesore dhe atë ku ndodhet teatri eksperimental. Në vitin 1995, kur rrogat, sikurse dihet, ishin shumë të vogla dikush solli nga Bullgaria idenë gjeniale që ndërtesën e eksperimentalit ta jepte me qira për të vendosur atje një bingo. Në këtë mënyrë u lidh një kontratë midis Teatrit Kombëtar dhe Bingo Yllit. Sipas kësaj kontrate Bingo Ylli do t’i jepte teatrit 74 000 dollarë në vit nga fitimet e veta, me të cilat do të sponsorizohej ndonjë shfaqje, do të mbyllej ndonjë vrimë dhe do të shtoheshin rrogat e aktorëve e regjizorëve me 50 dollarë në muaj.
Ja çfarë koncepti për shtetin dhe respekti për artin kanë pasur ata që udhëhoqën të ashtuquajturin revolucion demokratik. Një mjerim i vërtetë, jo ekonomik, por shpirtëror e kulturor. Nëse Krishti i hoqi tregëtarët nga tempulli, këta i futën. Ishim vërtet të varfër, por jo aq sa të fusnim në tempullin e artit, ekonominë e bixhozit? Edhe kinematë filluan të shndërroheshin, po me këtë praktikë, në qendra bixhozi.
Pastaj erdhën Fatos Nano dhe Edi Rama me shokë, që pretendonin se dinin diçka më shumë se Saliu me shokë  për  shtetin, ekonominë e tregut dhe për artin e kulturën. Po çfarë ndodhi me kontratën e Teatrit me Bingo Yllin? Po jua kujtoj se ndoshta e keni harruar: Qeveria Nano bëri asokohe disa ndryshime në ligj përsa i përket dhënies me qira të hapësirave publike për privatët. Sipas një VKM-je, drejtorët e institucioneve mund të jepnin me qira vetëm një hapësirë që nuk i kalonte 200 metrat katrorë. Nëse sipërfaqja ishte midis 200 dhe 500 atëhere kjo e drejtë firme i kalonte ministrisë së linjës, që në këtë rast ishte ajo e kulturës. Kurse, nëse sipërfaqja i kalonte 500 metrat katrorë, atëhere kompentenca i kalonte ministrisë së ekonomisë. Shumë e drejtë, apo jo? Pse të njëtën vlerë ka firma e një drejtori me atë të një ministri?
Kështu, sipas ligjit të ri, duhej të lidhej një kontratë e re midis Bingo Yllit dhe Yllit të Ministrisë së Ekonomisë të asaj kohe me mbiemrin Bufi, sepse, siç e tregon edhe një faqe e kontratës së mëparshme, që është denoncuar në shtyp që në vitin 2002 në gazetën Dita,  sipërfaqja që kishte marrë Ylli i bingos ishte 575 metra katrorë. Por, siç e tregon faqja e kontratës  që u lidh, nuk ndodhi kështu sepse sipërfaqja na qenka reduktuar (dmth. falsifikuar), në fiks 500 metra katrorë; kështu që të drejtën e firmës na e ka marrë dora vetë Ministri i Kulturës, shefi i PPP-ve të sotme, Edi Rama. Dhe ç’është më e bukura  a e dini rezultatin? Nga 74 000 dollarë  në vit Teatri mori më pak se gjysma  (4 mil lekë).  


Për ata që kanë harruar çfarë ndodhi më tej në ato vite po rikujtoj se, kur Majko erdhi në pushtet, shkarkoi drejtorin e emëruar nga Rama,  Xhevdet Ferrin. Po pse? Sepse ky, duke qenë si Edi Rama për ndërtimin e teatrit të ri, në stilin e njohur të lënies së objekteve në gjendje të mjerë, për të justifikuar pastaj prishjen, nuk kishte bërë, çprej një viti e gjysëm, tenderin e rikonstruksionit të pjesshëm të Teatrit. Këtë e bëri kryefirmëtari i peticionit për shpalljen e Teatrit Monument kulture, Agim Qirjaqi, që e zëvendësoi. Ndërkaq Xhevdet Ferri në fjalimin e lamtumirës, harroi të falenderojë aktorët dhe regjizorët, por nuk harroi të falendorojë përzemërsisht Bingo Yllin, ndonëse administratori i saj, ndërkaq, kishte rënë në burg. Dhe a e dini për çfarë motivi? Për gjobëvënie ndaj një biznesmeni kryeqytetas.
E pra, nëse doni të dini se çfarë po përgatitet të ndodhë  me pronën publike që sot quhet Teatër Kombëtar, si spektator dhe kritik i vjetër i këtij filmi të shëmtuar, po jua them: kjo nuk është gjë tjetër veçse thjesht vazhdimi me aktorë të vjetër e të rinjë i puntatave të para me titujt “Kioska e Xhatit” dhe “Bingo Ylli”. (Panorama, 24 shkurt 2018)


Read More......

Si u shkon ndërmend!?


Kur u prish Stadiumi Qemal Stafa një pjesë e shoqërisë civile, që ishte kundër, ftoi arkitektin italian Leonardo Nardi për të folur për këtë çështje. Më kujtohet se kur u pyet se a do të mund të ndodhte kjo në Itali në stadiumin e Firences (që është edhe ai i periudhës fashiste) dha një përgjigje shumë të shkurtër: “Tek ne as do t’i shkonte ndërmend kujt të bënte një gjë të tillë.” Dhe stadiumi i Firences nuk është asgjë në krahasim me trashëgiminë e jashtëzakonshme të Firences.
 Gjëja e parë që më vjen ndërmend kur dëgjoj ide si kjo e prishjes së teatrit është pikërish pyetja: “Si u shkon ndërmend?!”. Kjo pyetje, që me pikëçuditsen e saj habitore është shprehje e moshumbjen së aftësisë për tu revoltuar ndaj autorëve të krimit, me pikëpyetjen e saj është edhe shprehje e nevojës për kuptim të njerëzve që e lejojnë këtë krim. E në këtë përpjekje për kuptim për mua ishte e trishtueshme të dëgjoja edhe vetë aktorët e teatrit të formulonin idenë se ata duan aty një teatër të ri, veçse ndërtesë më vete, jo brenda një kulle. Argumenti qe se  kjo na qenka një ndërtesë e rrënuar, e ndërtuar vetëm përkohësisht me mungesën e ngrohjeje e ku di unë. E pra, kur dëgjon aktorët e teatrit ta trajtojnë ndërtesën ku ka filluar historia e teatrit shqiptar, ku një pjesë syresh kanë kaluar jetën, madje disa me dy breza, siç kanë trajtuar banorët e thjeshtë të Tiranës shtëpitë e tyre të vjetra ku kanë lindur e janë rritur, mund të kuptosh edhe më mirë psenë e shkatërrimit të Tiranës historike. Mund të kuptosh se kjo nuk është thjesht çështje e një sociopati si Edi Rama dhe e disa sociopatëve të tjerë të babëzitur për para, por çështje e një zbrazësije kulturore e  shpirtërore pa të cilën sociopatë dhe injorantë të tillë nuk do të kishin pasur asnjë mundësi të lulëzonin dhe sundonin.
Në Itali kohët e fundit kanë rënë disa tërmete që kanë shkatërruat disa qytete dhe fshatra gati tërësisht. Ajo që të bije në sy është se askujt prej banorëve apo ndërtuesve nuk u shkon ndërmend se në vend të këtyre ndërtesave të vjetra dy tre katëshe të ndërtojnë atje ndërtesa të larta, moderne, nga të cilat të gjithë do të nxirrnin fitim duke filluar nga pronarët e ndërtesave të vjetra vetë. Fjala inkurajuese që dëgjohet nga të gjithë me në krye politikanët që i vizitojnë është se do ta rindërtojnë “Comme era, dove era “ (Ku ishte dhe siç ishte). Sepse përndryshe ata do të humbisnin diçka që është vetë vetja e tyre sepse sot janë të gjithë të vetëdijshëm për vlerën e pazëvendësueshme kulturtore e shpirtërore që kanë ato kisha e ndërtesa të vjetra. Prandaj, sa më shumë piqen e rriten në përvojë aq më shumë njerëzit ruajnë memorien e tyer shpirtërore e materiale. Sipas kohëve i kanë paisur këto ndërtesa të vjetra historike me elektricitet, pastaj i kanë paisur me ngrohje por nuk i kanë rënuar. Dhe kjo jo pse janë më të bukura se të rejat, por sepse bukuria e tyre më e madhe vjen edhe nga historia e tyre më e herëshme. Se të ruajtura të gjitha së bashku sipas kohës kur janë ndërtuar shkruajnë kapitul më kapitull librin e historisë së tyre dhe garantojnë të ardhmen e tyre.
Se çfarë vlere ka kjo ruajtje e kujtesës e tregon një episod nga jeta e piktorit të famshëm Marc Chagall. Ai ka lindur e ka kaluar fëmijërinë e rininë në qytetin Vitebsk një qytet i bukur me kisha dhe sinagoga që gjatë luftës së II ka pësoi shumë shkatërrime dhe djegje që nuk u ringritën siç kishin qenë nga komunistët. Kur Chagallit të ikur në Perëndim për shkak të diktaturës ia dha mundësia (pas zbutjes) të shkojë të shohë Vitebskun ai refuzoi sepse donte ta ruante në kujtesë ashtu siç e kishte lënë; se përndryshe nuk do të duronte dot dhimbjen.
Për të mbetur në Lindje, le të kujtojmë se gjatë Luftës së II qendra historike e Varshavës u rrënua krejt. Por polakët nuk ndërtuan atje shpejt e shpejt ndërtesa të reja, por avash avash mblodhën çdo gur dhe e rindërtuan qendrën historike të Varshavës ashtu siç ishte dhe ku ishte.
E pra pyetja që shtrohet është: Si ka mundësi që ne nuk e kemi këtë ndjeshmëri, këtë dhimbje për qytetin ku kemi lindur dhe jemi rritur? Si na shkon ndërmend të rrënojmë edhe mbetjet e fundit të Tiranës historike? (Panorama, 15 shkurt 2018)



Read More......

Saturday, February 17, 2018

Çelësi i papërdorshëm i artistit Milot

Para disa vjetësh kam komentuar instalacionin me ajsbergun prej inoksi, që lundronte në kanalet e  Venecias, vepër e artistit italo-shqiptar, Helidon Xhixhës, që pushtoi asokohe kopertinat e inaugurimit të Bienales. Mes të tjerash, kam shprehur idenë se një nga karakteristikat e krijimit në artin vizual, duhet të jetë aftësia për të të befasuar. Kur gjendesh përpara një vepre, ajo duhet të të tërheqë vëmendjen, të të befasojë me formën e saj, me gjetjen, origjinalitetin e autorit. Pas kësaj mund të futesh më thellë në të. Përndryshe, mund të thuash “gjë e parë” dhe të vazhdosh rrugën.
Po t’i hysh reflektimit mbi efektin artistik, që e quajta befasia e krijimit, mund të shkosh larg me pyetje që kërkojnë përgjigje. Pse një vepër na tërheq vëmendjen, na pëlqen e ndalemi e një tjetër jo? Sa reflektohen në këtë befasim shijet tona estetike, rezultat i një edukimi, dhe sa zbulimi i diçkaje të re, që nuk e kemi ditur e njohur? Sa është forma që na befason dhe sa ndikohet kjo nga përmbajtja apo të dyja këto nuk mund t’i ndajmë dot? Sa na befason, pikërisht transformimi i një objekti apo forme, që e njohim në diçka tjetër nëpërmjet imagjinatës të autorit, por jo vetëm: edhe nëpërmjet një vizioni të tij të ri për artin e botën?
Pyetje të tilla dhe reflektimet mbi to, që flasin për natyrën aq të papërkufizueshme të artit, më kanë ngacmuar edhe çelësat e kthyer të një tjetër artisti italo-shqiptar, Alfred Mirashit - që në Itali e njohin me emrin e artit Milot, - një variant gjigant i të cilëve u vendos kohët e fundit në hyrje të Cervinara-s në Itali. Nganjëherë, madje, një pyetje si ajo që shtrova: se sa na befason transformimi i një objekti apo forme që e njohim në diçka tjetër nëpërmjet imagjinatës të autorit, bëhen edhe më evidente kur ke përpara vepra, siç janë çelësat e kthyer të Milotit. Kjo, për shkak se çelësi është një nga objektet më të njohur, që në forma të ndryshme, secili prej nesh i kalon nëpër duar dhe i mban në xhep çdo ditë. Gjetja artistike e Milotit, që të krijon atë që e quajta befasi e krijimit, është marrja e një çelësi nga ata që mund të quhen çelësa klasikë të hapjes së portave dhe transformimi i tij në një formë që e bën të papërdorshëm sepse është i kthyer, i shtrembëruar. Mund të imagjinosh edhe se artisti e ka gjetur diku të hedhur në rrugë një çelës të tillë të papërdorshëm dhe, në sajë të intuitës artistike, por edhe të njohjes së një gjuhe të re të artit bashkëkohor, e ka marrë në dorë dhe e ka imagjinuar si një vepër arti.

Dhe sot ne ndodhemi përpara çelësave të papërdorshëm të Milotit, të kthyer në skulptura dhe instalacione gjigante, që prekin tema të ndryshme, në format e tyre të ndryshme të shtrembërimit. Sepse çelësi, si objekt, është shumë i vjetër. Ai ka hyrë herët në jetën e njerëzimit dhe fjalën çelës e gjen sot në çdo gjuhë, edhe në kuptimin e objektit që hap e mbyll portat, por edhe në kuptime të ndryshme metaforike, që gjithmonë lidhen me hapjen dhe mbylljen, dy koncepte kaq të rëndësishme në mendimin e njeriut. Në Italinë ku jeton autori, e dëgjon shpesh të përdoret në termin “Chiave di lettura”, që ka kuptimin e “çelësit” që na ndihmon të zbërthejmë, kuptojmë, interpretojmë diçka. Shpesh dëgjojmë të flitet për një çelës magjik, që hap çdo portë dhe bën mrekullira. Por, çelësi është edhe simbol i pushtetit. Ai edhe hap porta, por edhe i mbyll ato duke të lenë në burg. Mbi këtë shumëkuptueshmëri të çelësit luan edhe Miloti me çelësat e tij të kthyer. Në një nga instalacionet e tij ndodhemi përpara një çelësi të madh, të bardhë, të “ulur” në një kolltuk të kuq papal. Është një pamje, që na bën të mendojmë për Papën e parë, Shën Pietrin, të identifikuar me çelësat që u hapin ose mbyllin vdekatarëve portat e parajsës. Shumë pyetje ngrihen përpara këtij instalacioni. Në çelësin tim të interpretimit, ai të fton të mendosh mbi paradoksin e “pushtetit të pafundmë”, siç e ka quajtur veprën autori, që është edhe mungesë e pushtetit - çelësi i bardhë i bukur është i shtrembëruar, nuk ka fuqi të hapë dhe të mbyllë porta.

Çelësi i Cervinara-s përbën një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit. Për këtë skulpturë gjigante është folur e shkruar shumë në mediat italiane. Papërdorshmëria e këtij çelësi është simbol i portës që vendos të mbetet e hapur. Duke u përkulur e ngritur lart në qiell, çelësi i Cervinara-s lexohet si një triumf i hapjes, dashurisë, humanizmit ndaj mbylljes e frikës. Kjo vepër e shfaq Milotin si një artist të angazhuar, me një qëndrim edhe politik kur ke parasysh se sot, në Perëndim, ka një debat të madh, që ndan njerëzit, për sa i përket qëndrimit ndaj emigrantëve. Më një anë i bëhet thirrje frikës së njeriut nga të huajt dhe nevojës së tij për siguri dhe më anë tjetër, humanizmit dhe ndjenjave të solidaritetit. Frika thërret për mbylljen e portave, kurse dashuria për mbajtjen e tyre hapur. Ndikuar edhe nga jeta e tij, Miloti ka bërë zgjedhjen e tij duke e shprehur atë fuqishëm me këtë vepër. Fakti që çelësi i tij është vendosur nga komuna dhe është mirëpritur dhe përshëndetur në shumë media italiane, është një dëshmi se, me gjithë pështjellimet që ka krijuar sot në mendjen e njerëzve kriza e emigracionit, e shoqëruar me krizën ekonomike dhe atë të terrorizmit, italianët vazhdojnë të kultivojnë ndjenjat e solidaritetit dhe të humanizmit, trashëgimi këto të rëndësishme të kulturës europiane të pasluftës së II.

Simbolika e këtij çelësi të përkulur nga vullneti njerëzor për t’i lënë portat hapur, nuk mund të mos na kthejë vështrimin edhe nga Shqipëria ku artisti ka lindur dhe ka jetuar deri në moshën 21 vjeç për të emigruar pastaj në Itali, ku është formuar dhe ka zgjedhur të jetojë e krijojë. Madje, duke parë çelësin e Cervinara-s, nuk mund të mos ngacmohesh të mendosh se cili do të ishte çelësi i Milotit, i vendosur diku në brigjet e Adriatikut, prej ku ai është nisur për Itali. Sepse duke parë çelësin e tij, nuk mund të mos mendosh për gjithë ata shqiptarë që kanë braktisur vendin duke thënë se “ky vend nuk bëhet”, duke e hedhur tej, pra, çelësin e shtëpisë së tyre e duke gjetur strehë jashtë. Artisti, që ka vënë emrin e artit Milot, si kujtim i vendlindjes së tij, nuk bën pjesë ndër ata që e kanë hedhur çelësin kur kanë ikur. Ai, vazhdimisht, kthehet e rikthehet në Shqipëri. Ka kontribuar edhe në hapje ekspozitash ku ka sjellë artistë të huaj e njëherësh duke çuar artistë shqiptarë në Itali dhe gjetkë deri në Kinë. Por, edhe nga përvoja e tij e rinisë, edhe nga përvojat e sotme, ai njëkohësisht bën pjesë ndër ata që e kuptojnë mirë shqiptarin që hedh çelësin, teksa merr anijen apo gomonen dhe kapton Adriatikun për të mos u kthyer më. Duke e njohur këtë mëdyshje të tij, që është mëdyshja e shumë shqiptarëve, teksa shoh çelësin e Cervinara-s, më ninëzohet një çelës i ngritur nga dora e artistit, nga fundi i detit në brigjet shqiptare të Adriatikut, si simbol i shqiptarit që i kthehet shpresa. (Panorama, 25 janar 2017)

Read More......

Thursday, February 8, 2018

Opozita, sistemi i mashtrimit dhe sociopati Rama

Kohët e fundit në kampin opozitar janë shtuar akuzat ndaj atyre, që deklarojnë nëpër media se “janë të gjithë njëlloj”. “Si mund të jemi ne njëlloj me këta, që futën kriminelët në Parlament, që kanabizuan krejt Shqipërinë!” – formulohet me dy fjalë kritika. “Ju jeni antiopozitarë, të shitur, punoni për Edi Ramën.” – shtojnë të tjerë, edhe më agresivë. Meqë së fundi këto akuza i dëgjova direkt nga Lulzim Basha në emisionin “Studio e hapur”, ndiej përgjegjësinë publike t’i jap përgjigje edhe me të shkruar, për faktin se më duket një çështje tejet e rëndësishme (lexo shkrimet poshte Lapsi.al). Së pari, po bëj një konstatim: edhe Edi Rama me taborin e tij u ka drejtuar, fjalë për fjalë, të njëjtat akuza kur ishte në opozitë atyre që shpreheshin se “janë njëlloj”. Kjo akuzë, fatkeqësisht, thjesht provon atë që them: njëllojtësinë. Sepse te të dyja palët gjen mendësinë e vjetër enveriste, sipas së cilës “kush nuk është me mua, është kundër meje,” që çon pastaj në një politikë lufte llogoresh, që duhet të përfundojë me asgjësimin e tjetrit. Veçanërisht kur u drejtohet gazetarëve, që duhet t’i njohin e respektojnë si pushtet i pavarur, kjo akuzë bëhet edhe më problematike.
Thënë kjo nuk i shpëtojmë, megjithatë, nevojës për t’iu përgjigjur një pyetjeje themelore, që shtrojnë këta kritikë. “Ti thua se, meqë këta janë të gjithë njëlloj, duhet ngritur një forcë e tretë. Mirëpo, meqë edhe ti e pranon se kjo situatë që po përjetojmë me Edi Ramën dhe rilindasit është më e keqe se ajo më parë, dhe, duke e parë se parti si Libra e Blushit nuk patën sukses, përkundrazi, po vdesin, a nuk mendon se e vetmja mundë- si është të mbështetësh këtë opozitë, pavarësisht rezervave ndaj saj? Përndryshe, a nuk rezulton se duke thënë “janë të gjithë njëlloj” frenohet çdo proces politik, ndihmohet statukuoja d.m.th. pushteti i Edi Ramës? Përndryshe, si e mendon ti procesin, që mund të na nxjerrë nga kjo rrugë drejt humnerës”. 
Përgjigjen po e jap duke iu referuar një deklarimi që bënte së fundi për Trumpin, regjisori amerikan Michael Moore, – por duke e ftuar lexuesin të ketë gjithmonë parasysh dallimet midis SHBA dhe Shqipërisë. Moore shkruante: “Ai nuk është mirë; ai është një narçizist malinj dhe një sociopat aktiv. Dhe, duke qenë se zotëron kodet e lëshimit të armëve bërthamore, ai është një rrezik i veçantë për njerëzimin”. “Por – vazhdon më poshtë Moore – problemi ynë shkon shumë përtej një presidenti sociopat […] misioni dhe puna jonë është që të rrëzojmë sistemin e mashtrimit që ka prodhuar Trumpin.” Bashkohem me opozitën lidhur me rrezikshmërinë e veçantë të sociopatit aktiv Edi Rama (ndonëse, shyqyr Zotit, ai nuk ka në dorë të rrezikojë botën, por vetëm Shqipërinë). Por ndahem me të, për sa i përket pikërisht procesit politik, që ajo ka vënë në jetë për të rrëzuar Ramën, proces që, sipas meje, duhet të lidhet medoemos me rrëzimin e “sistemit të mashtrimit”. Sipas gjykimit tim, në kushtet aktuale “sociopati” me “rrezikshmëri të veçantë” nuk duhet parë kurrsesi i ndarë nga pika kulminante e rrezikshmërisë që ka arritur sistemi ynë i mashtrimit. Madje, gjykoj se ai sot – ndryshe nga Trumpi në SHBA – as nuk mund të rrëzohet si politikan sociopat, pa u goditur ai sistem mashtrimi. 
Le ta shtjelloj idenë time. 
Gjykoj se, që të nxjerrë diagnozën e saktë dhe terapinë e saktë, opozita duhet jo vetëm të shtrojë pyetjen: si ka mundësi që ne kemi në krye të vendit një mashtrues të tillë politik, por të shkojë më tej në pyetjen: si ka mundësi që edhe paraardhësit e tij kanë qenë mashtrues? Me një fjalë, ajo duhet të zbresë te rrënjët e Ramës, sistemi i mashtrimit ekonomik, i ndërtuar qysh herët – edhe me kontributin e saj të madh – që sot me Ramën në krye ka kaluar në një fazë edhe më kriminale, me pastrimin e parave të drogës dhe jo ta ndalë akuzën për drogën deri te blerja e votës me paratë që ka grumbulluar Saimir Tahiri me policinë dhe sensibilizimin e ndërkombëtarëve për këtë. Le ta ilustroj idenë time me skandalin e fundit që ka shpërthyer, Armon. Ai flet për dy biznesmenë, të cilët kanë ndërtuar skema mashtrimi për të rrjepur shqiptarët. Sot flitet për një shifër mbi 700 milionë euro borxhe dhe taksa të papaguara, – pa llogaritur fitimet e nxjerra me shitjen e naftës së përzierë. Këtë shifër e kanë krahasuar me paratë që humbën shqiptarët në krizën e piramidave mashtruese, por krahasimi duhet të shkonte edhe më tej: se këto skema nuk janë gjë tjetër, veçse forma më të sofistikuara mashtrimi të skemave piramidale të viteve ‘90. Te skema Armo, që është vetëm një molekulë e sistemit tonë ekonomik të mashtrimit, nuk mund të mos të të bien në sy disa elementë të përbashkët me molekulat e tjera: se kryeministrat janë bërë palë me këta mashtrues; se institucionet bankare çuditërisht i kanë nxjerrë paratë (e qytetarëve) pa bërë asnjë hetim se kujt po ia jepnin borxh ato; se të dy kanë qenë edhe pronarë mediash; se na prezantohen sikur kanë prapa investitorë të huaj që dalin pastaj se janë ata vetë. Por, vini re, ka edhe një element të rëndësishëm të përbashkët. Mashtruesi i parë i skemës Armo, që shahet sot nga Rama, i ka filluar “bizneset” në kohën e PS-së, madje cilësohej nga Berisha, asokohe opozitar, si “Kontrabandisti më i madh i karburanteve.”; e megjithatë, kur Berisha erdhi në pushtet, e ndihmoi në privatizimin e Armos. Edhe i dyti ka një histori të ngjashme bashkëpunimi të vjetër me të dy palët. 
Shkurt, nuk është vështirë të konkludosh se ne kemi të bëjmë me një sistem mashtrimi ekonomik që ka, si anë tjetër të medaljes, mashtrimin politik. Nuk është vështirë të deduktohet se një sistem i tillë nuk e ka për gjë të përdorë edhe krime të tjera sipas logjikës “krimi ndjell krimin”. Ja pse kemi arritur te futja galopante e trafikantëve të drogës në ekonomi – për rrjedhojë edhe në politikë – e te rreziqet që na kanosen në të ardhmen nga ky sistem kriminal. Terrori urban që po ushtrohet nëpërmjet projekteve të kullave në Tiranë si dhe nëpërmjet lejeve të panumërta që jep Erjon Veliaj – mashtrim ky i hapur pasi votën e morën me “zero ndërtime” – nuk është thjesht tekë e një sociopati dhe mashtruesi, as thjesht etje për t’u pasuruar personalisht nëpërmjet korrupsionit Rama e Veliaj. Ai është edhe e vetmja rrugë, që i ka mbetur këtij sistemi kriminal për të qëndruar në pushtet. 
Sociopatia e Ramës sot shfaqet si papërgjegjshmëri ekstreme, që u përgjigjet nevojave ekstreme që ka sistemi. 
Ka opozitarë që më thonë se ai është i vetmi, që mund ta marrë përsipër poshtërsi të tilla si kriminalizimi total i policisë, kapja totale e drejtësisë, dhënia e lejeve të tilla monstruoze – gjëra që s’i ka bërë Berisha e Basha, të paktën jo në këtë shkallë. 
Personalisht mendoj se papërgjegjshmëria e Ramës si shofer është problem i madh sigurisht, por mendoj gjithashtu, se ai do të frenohej menjëherë sikur të mos ishte papërgjegjshmëria e oligarkëve dhe kriminelëve, që po e furnizojnë makinën me karburant. Problemi është se opozita bën sikur nuk e sheh këtë realitet dhe e përqendron tërë betejën me sociopatinë e Edi Ramës. Kjo ndodh më së shumti pasi është e komprometuar edhe vetë nga sistemi i mashtrimit, dhe pjesërisht pasi as nuk arrin të mendojë se mund të vijë në pushtet pa oligarkët e tij (lexo shkrimin poshte/ lapsi.al). Por ajo nuk ka arritur të kuptojë se nëpërmjet çimentos së kullave, koncesioneve dhjetëravjeçare, lejeve për hidrocentrale etj., sot, Rama po çimentohet si shofer i vetëm i sistemit; se ky sistem, që deri dje mbante edhe opozitën si shofer rezervë, (kur njëra kokë kontrollonte Tiranën tjetra Shqipërinë) sot është i tëri nën kontrollin e tij. Në këto kushte, opozitës i mbetet ose të bëjë fasadën se gjoja kemi demokraci, derisa sistemi me shoferin e çimentuar në timon të na çojë të gjithëve në humnerë, ose të transformohet realisht dhe thellësisht në vetvete dhe aksione, për ti bërë balle këtij rreziku. (Panorama, 8 shkurt 2018)





Read More......