Saturday, June 30, 2018

Vandalizmi ndaj Treatrit - Veliaj si sekser, aktorët si pronarë trualli

A ju kujtohet që në vitet ‘90 ka qenë shumë e përhapur fjala « sekser » ? Tani sikur është harruar, aq sa besoj se, për një pjesë lexuesish, duhet ta rikujtoj kuptimin. Me dy fjalë sekseri ishte një person i cili shërbente si ndërmjetës midis një ndërtuesi apo pronari privat dhe një politikani. Ai kujdesej në fshehtësi dhe mirëbesim të ndërhynte tek politikani për sigurimin e një lejeje ndërtimi pa kontakte direkt të këtij me privatin. Sigurisht kishte shpërblimin e vet që varej nga sa kate fitonte ndërtuesi dhe çfarë pjese kërkonte politikani. Thuhet që këtë punë e kanë bërë edhe figura goxha të njohura.
Po ta shohësh hollë hollë koha e sekserëve ka qenë më « e shëndetshme » moralisht se periudha që po jetojmë. Kjo sepse vetë nevoja e sekserit nënkuptonte që politikani e ruante njëfarë cipe përpara publikut që e kishte zgjedhur,  nuk ekspozohej direkt me privatët. Nga ana tjetër edhe privatët, ndërtues apo pronarë trualli, nuk guxonin t’i shkonin t’ia bënin ofertën korruptive sy ndër sy.
Tani kemi arritur në një kohë kur sekseri është bërë i panevojshëm sepse politikani dhe ndërtuesi ndajnë mes vetes edhe lekët e sekserit. Është bërë e panevojshme edhe fshehtësia sepse pazaret këta i bëjnë sheshit nëpër televizione, dalin edhe në fotografi me palët. madje « vendimet » e tyre i aprovon edhe Parlamenti. 
Një sekserllëk në qiell të hapur ishte edhe përpjekja titanike që bëri Erjon Velia në aferën e Teatrit Kombëtar, që u kurorëzuan me marrëveshjen e arritur me aktorët, si dhe futjen në kalendarin e Parlamentit të projektligjit që i jep pronarit Fusha të drejtën të shembë Teatrin dhe të ndërtojë atje. Pazari i parë i mbyllur ishte ai midis politikanit Rama dhe ndërtuesit Fusha një i afërm i të cilit, prokuror, i hoqi qafe Velisë atë akuzën për Arditin e vrarë në landfillin e Sharrës. Por ja që dolën disa aktorë të teatrit që nuk po binin dakord sepse ndër ta disa duan të shembet duke ndërtuar edhe kulla, disa duan të shembet pa kulla, e disa të tjerë të ruajnë shtëpinë e vjetër sepse ajo ka histori. Për sekserin nuk ishte e vështirë të kandiste aktorët që s’ kanë qenë kurrë aktorë, por « vetëm zë », siç e quante dikur Edi Rama Artan Imamin, të cilët për fat të keq nuk ishin pak. Por një pjesë aktorësh po bërtisnin fort kundër, duke përdorur edhe emrin e tyre publik. Gjithsesi sekseri Veliaj i luajti të gjithë gurët derisa arriti ta mbyllë pazarin edhe me ta (ndonëse ca aktorët thonë se nuk është mbyllur). 
Po pse thua « sekser » dhe jo « kryetar bashkie » do të pyesë dikush ? Sepse në gjithë këtë vendimmarrje mungon një protagonist shumë i rëndësishëm, në fakt më i rëndësishmi, qytetari i Tiranës, i cili mungon pikërisht sepse mungon Kryetari i Bashkisë, ai që qytetari e ka votuar spasi i premtoi se në Tiranën historike nuk do të kishte më ndërtime. (Ka edhe mungues të tjerë në këtë histori si Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, Prokuroria që do të duhej të kishte nisur hetimin mbi firmën Fusha për përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare dhe mbi të gjitha ligji, që në këtë rast do të duhej të kishte qenë Plani Urbanistik i Tiranës, që me kohë duhet të kishte fiksuar zonat e paprekshme ku s’mund të fusin hundët sekserët. Por në këtë shkrim do të përqendrohem tek sekseri i Edi Ramës që po luan rolin kryesor në këtë maskaradë).
E pra Erjon Veliaj si Kryetar Bashkie do të duhej të përfaqësonte interesat e gjithë qytetarëve, jo vetëm për premtimin që ka dhënë për të mos e shkatërruar edhe më Tiranën historike, por edhe sepse qytetarët e shohin atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar si një skandal shumëplanësh. Skandal, sepse po u vidhet prona publike; skandal, sepse po u shkatërrohet një monument kulture në një zonë historike; skandal, sepse po planifikohet një mbingarkesë ndërtimesh në një zonë që nuk mban; skandal sepse po pastrohen para të drogës që fuqizojnë kriminelët; skandal sepse projektligji i hartuar enkas për Fushën është fund i çdo koncepti të shtetit të së drejtës. Si ka mundësi që Kryetari i Bashkisë nuk i përfaqëson këta ? E thashë : sepse ai nuk është Kryetar Bashkie, por sekser. Ashtu si ata sekserët e fshehtë që filluan shkatërrimin e Tiranës në vitet ’90 ai s’ka lidhje as me ligjin as me interesin publiku, ai ka lidhje vetëm me politikanin (Edi Ramën) me ndërtuesin Fusha dhe … këtu vjen e bukura: me pronarin e truallit.
Dhe ja ku dalim tek aktorët. Duke parë lajmin e marrëveshjes dhe foton që kishte botuar sekseri me ta nuk mund të mos më lindte pyetja: me çfarë tagri vendosin këta aktorët për prishjen e një prone që nuk është e tyrja, por e të gjithëve ? Mirë se sekserit, politikanit dhe ndërtuesit, për të mbyllur sa më lehtë çështjen, u interesoka që aktorët të trajtohen sikur të jenë ata pronarët e Teatrit dhe truallit përreth, por aktorët pse e pranojnë këtë rol që është sa i paligjshëm aq edhe i pa moralshëm? Aq më tepër kur e quajnë veten artistë. A nuk u vjen turp për atë që nesër do t’i akuzojnë se u kanë premtuar ndonjë apartament në kullat që duan të ndërtojnë dhe me kaq e kanë mbyllur pazarin me sekserin; se e gjithë protesta e tyre paska qenë për të rritur sipërfaqen e metrave katrorë që do të përfitonin nga marrëveshja Rama - sekser - Fusha? Në fakt sekseri kishte kohë që thoshte lart e poshtë se ata thjesht kërkonin të rrisnin çmimin.
Jo vetëm, por një pjesë prej tyre shkojnë e pozojnë me sekserin edhe tek ndërtimi i monstrës tek ish sadiumi “Qemal Stafa”, për të legjitimuar edhe vandalizmin e kryer atje.
Po vandalizëm. Kështu quhet akti i kryer ndaj Stadiumit “Qemal Stafa” nga Edi Rama dhe rrethi i rilindësve të tij poltikanë dhe ndërtues. Edhe ai që  kërkojnë të kryejnë tek Teatri Kombëtar vandalizëm është. Kur shpjegojnë motivet e vandalizmit studiuesit thonë se vandali i kryen ato ose sepse nuk ua di vlerën objekteve që shkatërron për shkak të padijes ose sepse ka një kompleks inferioriteti ndaj bukurive që paraqesin këta objekte. Vandali Edi Rama, sekseri Erjon Veliaj, ndërtuesi Fusha dhe artistët që i mbështesin i kanë të dyja, - sëbashku me syverbësinë dhe padijen që u shkakton etja e panginjëshme për para dhe për pushtet. Ndryshe nuk do të mund të bëheshin bashkë në një grup kaq grotesk. Sot i shoh të pozojnë së bashku të lumtur në padijen, kompleksin e inferioritetit apo babëzinë për para, por duhet ta dinë se nesër fotot e bëra me sekserin Veliaj do tu mbeten si vula vandalizmi me të cilat do të tallen brezat që do të vijnë - nëse ky vandalizëm do të lerë njerëz me sado pak mend në këtë vend. (Panorama, 29 qershor 2018)

Read More......

Friday, June 29, 2018

Fevziu, Vllahutin dhe Progres Raporti

Para fillimit të Kampionatit Botëror në korridoret mediatike gëluan komentet mbi ikjen e mundshme  të Fevziut nga Klani me argumentin se ky televizion ka degraduar në cilësinë e programeve të veta, çka e bënte Fevziun të mos ndjehej mirë në atë ambient. E vërteta është se ky argument nuk bindi kërkend. Sikur ai të mos ishte thënë fare filloi thashethemnaja : « A do të ikë vërtet apo jo; pse po ikën, ku e ka hallin ? » Fakti që vetë Fevziu u kujdes ta bënte publike « dilemën » e tij e ushqeu edhe më shumë këtë thashethemnajë. Më cinikët thanë se kjo ishte një formë shantazhi ndaj Frangajt për të rritur rrogën.  Të tjerë se Fevziu nuk e bënte për lekë, por për influencë, pasi Rama, ndryshe nga Berisha, tashmë nuk mban asnjë lidhje me të, por të gjitha « problemet » i zgjidh me Frangajn dhe Zamirin. Disa thanë se e bënte thjesht për protagonizëm. Nuk mungoi teza se kjo mund të jetë shenjë deliri në rritje e Fevzos ashtu sikurse ajo se ai po nxiton të braktisë anijen e Sandrit dhe Zamirit pasi ka parandjerë furtunën që do t’i fundosë oligarkët dhe, në këtë rast, u fol edhe për një shitje të mundshme të shtëpisë në Rolling Hills.
Nuk i rreshtova këto teza për tu marrë me to dhe Fevziun, por për të venë në dukje se zurnaja e tyre mbuloi heshtjen rreth argumentit mbi degradimin e Klanit, zëvendësoi mungesën e kërkimit të shkaqeve të degradimit nga Fevziu si dhe të përgjegjësisë që kemi të gjithë ne që kemi punuar në Klan për këtë degradim. Edhe kur u morr vesh se Fevziu i kishte dhënë fund dilemës, duke mbetur në Klan, askush nuk ngriti pyetjen nëse ai kishte nënshkruar ndonjë kontratë me Frangajn për përmirësimin e programeve apo kishte bërë thjesht kontratë page. Pastaj filloi Kampionati Botëror dhe ne filluam të merremi me atë se cili është   më i mirë Ronaldo apo Messi.
Nuk do të isha ulur as unë të shkruaja këtë shkrim sikur të mos më kishte ngacmuar në fillim një lajm dhe pastaj një intervistë e zonjës Vllahutin për Lapsi.al. Lajmi qe ai se Edi Rama ka përgatitur një projektligj sipas të cilit, për të përmirësuar cilësinë e televizioneve private, do të rriste taksat tona. Kurse intervista e zonjës Vllahutin më tërhoqi vëmendjen pasi thoshte se ky projektligj i dukej « i pazakontë », « i çuditshëm » po t’i referoheshe praktikave evropiane. https://lapsi.al/2018/06/21/vlahutin-per-lapsi-al-tv-te-private-nuk-mund-te-financohen-me-parate-e-taksapaguesve/
Nuk mund të mos i lidhja këto dy lajme me rastin Fevziu dhe të mos i rikthehesha edhe një herë një çështje thelbësore : atë nëse Shqipëria e Ramës ka bërë progres, siç thotë raporti i BE-së që zonja Vllahutin përfaqëson në Tiranë, apo jemi futur në një rrugë « të pazakontë » e « të çuditshme » që e ilustron edhe projektligji në fjalë.
***
Të gjithë e pranojnë se një nga treguesit kryesorë të progresit është ecuria e medieve. Çfarë do të thoshte për këtë debati i munguar mbi ikjen e Fevziut ? Besoj se, përtej arsyeve që mund ta kenë shtyrë Fevziun, shumica e teleshikueseve dhe gazetarëve pajtohen me pohimin mbi degradimin e Klanit që nuk është thjesht dhe vetëm problem i programeve të argëtimit, ku e vuri theksin Fevziu, por mbi të gjitha i cilësisë dhe vërtetësisë së lajmeve, i mungesës së investigimit, i debatit politik gjithnjë e më fals e shterp, ku peshën kryesore e ka vetë programi i Fevziut. Me fjalë të tjera i misionit që duhet të ketë një medie.
Po cili është shkaku? Kjo është çështja. Sepse vetëm kur dimë shkakun mund të gjejmë edhe terapinë. Fevziu i bishtnoi kësaj pyetjeje, sepse, sipas meje, përgjigja nuk i intereson, jo pse nuk e di. Ashtu turbull ai përçoi idenë se fajtori i këtij regresi ishte ekskluzivisht pronari Frangaj, por pa na e shpjeguar se çfarë ka ndodhur: kemi të bëjmë thjesht e vetëm me individin Frangaj apo me një sistem mediatik të ngritur në Shqipëri të destinuar të degjenerojë. 
Në këtë pikë të shkrimit më duhet të ve në dukje se tash e mbrapa kur flas për Klanin kam parasysh edhe Top Chanellin si televizion kombëtar, por edhe mediet në tërësi.
***
Për të kuptuar shkakun e degradimit do të na duhet patjetër ta kthejmë kokën prapa sepse vetë termi degradim nënkupton një gjendje në raport me një të kaluar. E pra, dua t’i kujtoj publikut (dhe në mënyrë të veçantë politikanëve ligjbërës, pronarëve, kolegëve gazetarë dhe zonjës Vllahutin) se ka ekzistuar një kohë kur gjëra si këto, ku na duket gjithnjë e më normale që Klan të varet vetëm nga Sandri, apo që kryeministri Rama të ulet me Sandrin dhe të hartojë një ligj për t’i dhënë atij lekë nga paratë publike, nuk na dukeshin aspak normale. Madje mund të them se as në ëndrrat më të këqija të asaj kohe nuk e kemi imagjinuar se Sandri dhe keqpërdorimi i pushtetit mediatik prej tij dhe Rama e keqpërdorimi i pushteti politik prej tij mund të arrinin deri në këtë pikë.
E kam fjalën për kohën kur kolegët perëndimorë vinin e na mësonin se si të evitohej që mediet të keqpërdoreshin. Le të kujtoj vetëm disa gjëra që sot duken si mbetje arkeologjike. Një nga mësimet kryesore ka qenë ai se politikat editoriale në media duhet t’i hartonte një bord i përbërë nga njerëz të fushës me kompetencë dhe integritet ;  se prej tyre varej cilësia që do ta bënte një medie më të suksesshme në treg duke i sjellë fitime edhe pronarëve të tyre. Dhe kujtoj se nga fundi i viteve 90 dhe fillimi i mileniumit të ri ka pasur borde të tilla. Por, në vend se këta të inkurajoheshin e forcoheshin nën shenjën e progresit, erdhën duke u eliminuar nën shenjën e regresit.  Nëse Klani do të kishte pasur një bord të tillë dhe jo vetëm Sandrin dhe Fevziun, do të kishte tjetër cilësi të programeve dhe tjetër etikë gezetareske.
Po kujtoj gjithashtu se në vitet në fjalë u propozua edhe një projektligj kundër konfliktit të interesit që duhej të ndalonte një pronar gazete apo televizioni të zotëronte edhe biznese që mund ta shtynin të tjetërsonte natyrën e veçantë që ka biznesi mediatik; shërbimin ndaj publikut. Por edhe ky projektligj nuk u bë asnjëherë ligj sepse pronarëve dhe politikanëve, por edhe disa gazetarëve nuk u interesoi dhe zhdukën edhe debatin për të. Përsëri them se sikur Sandri e Fevziu të mos kishin filluar të merreshin me ndërtime e privatizime dhe kthime pronash, por vetëm me Klanin, vërtet do të kishin pasur më pak para e prona, por shoqëria nëpërmjet Klanit do të kishte pasur tjetër cilësi informimi, formimi dhe argëtimi.
Le të shkojmë më tej. Kujtoj gjithashtu se na ishte një kohë kur, për të pakësuar mundësinë që një pronar i vetëm të keqpërdorte median e tij, ne kishim një ligj, të sugjeruar nga përvojat e vendeve demokratike, që u impononte  televizioneve kombëtare tre aksionerë. Dhe kështu lindi Klani. Sigurisht ky ligj nuk siguronte pavarësi perfekte, por ishte më garantues. Po ja, gjithmonë në emër të regresit, erdhi një ditë kur Sandri i hoqi qafe me ndihmën e pushtetit të Berishës dy pronarët e tjerë, që fatkeqësisht ishin me humbësin Nano. Gjithsesi, megjithëse i lidhur ngushtë me Sandrin, Berisha nuk e ndryshoi këtë ligj dhe Sandri u detyrua ta ndajë Klanin me familjarët e tij. Derisa i erdhi rilindësi Rama me të cilin rilindi lidhjet e vjetra dhe ndryshoi ligjin duke bërë që një pronar i të vetëm të mund ta ketë plotësisht në dorë televizionin kombëtar.  Dhe jo vetëm por, në 2016 Gjykata Kushtetuese  i dha të drejtë Sandrit që edhe ABC ta ketë 100% të vetën dhe jo vetëm 40% siç e kishte më parë. 
Po ne gazetarët ç’bëmë përpara këtyre hapave që na ngushtonin qartazi lirinë e shprehjes? Pako gjë për të mos thënë asgjë, për të mos thënë se një pjesë u bënë edhe aktorë në mbështetjen e keqbërësve. 
Pra, kjo historia e projektligjit që i jep Sandrit para të tjera publike, që të shërbejë si megafon i qeverisë, nuk është një rrufe në qiell të kaltërt siç i qënka dukur zonjës Vllahutin, e cila, edhe kur arriti më në fund të shprehte një mosaprovim ndaj një projektligji që ka hartuar Rama, nxitoi ta trajtojë atë si një lapsus që Ministria e Financave e paska korrigjuar në kohë. Jo dhe jo. Këtu s’kemi të bëjmë me një gjë « të pazakontë », por me zakonin e mbrapshtë të procesit të shkallëshkallshëm regresiv të keqpërdorjes së medieve për kapjen e shtetit nga oligarkia. Një zakon që nuk do të ishte bërë dot kurrë i tillë vetëm nga babëzia e Sandrit pa dorën e ligjbërësve keqbërës të politikës dhe pa bashkëpunimin direkt apo indirekt të të gjithë neve që punojmë në media; një zakon që është i lidhur me shumë mbrapështira të tjera që po bën qeverisja që zonja Vllahutin mbështet; një zakon që ka sjellë vetëm një progres: rritjen e xhepave dhe rritjen e pushtetit të atyre që hartojnë këto ligje dhe varfërimin dhe nënshtrimin progresiv të të tjerëve. (Panorama, 26 qershor 2018) 


Read More......

Wednesday, June 27, 2018

Ç'po ndodh në Itali

Nobelisti Dario Fo, mbështetës aktiv i lëvizjes  Cinque Stelle në Itali, nuk e pranonte konotacionin negativ që i vishet termit « populist »: si një lëvizje që synon të marrë votat e popullit duke e gënjyer atë me gjëra të parealizueshme. Sipas Fo termi që duhet përdorur për këtë kategori është «demagog » ; kurse me populist ai kuptonte një lëvizje apo parti që i përgjigjet nevojave apo ndjeshmërive të popullit.
Për të përkufizuar lëvizje si Cinque Stelle janë përdorur edhe epitete të tjera si « antisistem », « antikastë » apo « antiestablishment », por, me fitoren e tyre në zgjedhje dhe pas kontratës për të bashkëqeverisur me një tjetër parti antisistem, Legën, sot po mbizotëron epiteti « populist » në sensin negativ. Kjo jo vetëm për shkak se kundërshtarët e tyre janë të shumtë në Itali, por edhe sepse kanë mbështetje të fuqishme nga të gjithë forcat politike tradicionale në Evropë. Në diskursin e tyre, lëvizjet antisistem, kur nuk akuzohen për populizëm, si sinonim i demagogjisë, akuzohen për mungesë realizmi dhe paaftësi tekniko administrative. Ndërkaq, ajo që mungon është një analizë e thellë vetëkritike se pse italianët votuan për Cinque Stelle dhe Legën dhe jo për partitë tradicionale. Nëse duam të kuptojmë se çfarë po ndodh në Itali, dhe jo vetëm, duhet filluar që këtu.

Pse fitoi Cinque Stelle dhe Lega

Në thelbin e vet rritja e partive të quajtura "populiste", "antisistem" apo "demagogjike" buron nga kriza tashmë e qartë e sistemit kapitalist të këtyre dy dekadat e fundit si kombinim i neoliberizmit me globalizimin. Një pjesë e ka krahasuar këtë krizë me krizën e kapitalizmit që solli fashizmin dhe komunizmin në vitet 20 të shekullit të kaluar. Pa dyshim që të dy krizat kanë të përbashkëtat e veta, por kanë edhe dallimet e veta që lidhen me mësime të rëndësishme që ka nxjerrë bota perëndimore përsa i përket ruajtjes së vlerave të demokracisë dhe paqes, pas përvojave tragjike të fashizmit dhe komunizmit. Prandaj kriza duhet parë në kontekstin e zhvillimeve të pas Luftë së Ftohtë.
Gjatë këtyre dy dekadave partitë e qendrave të majta dhe të djathta janë shkrirë thuajse me njëra tjetrën përsa i përket një çështjeje themelore që ka dalluar të majtën nga e djathta deri në mbarim të Luftës së Ftohtë. E kam fjalën për trashëgiminë marksiste sipas të cilës historia ecën përpara nëpërmjet luftës midis të shtypurve dhe shtypësve. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë me fitoren e kapitalizmit u hodh ideja e mbarimit të historisë dhe të majtat që përfaqësonin interesat e të shtypurve u detyruan të hiqnin dorë nga socializmi dhe t'i nënshtroheshin ideologjisë triumfuese të liberizmit sipas formulës së famshme të Thatcherit "Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë". Kështu programi kryesor i së majtës u zhvendos nga lufta për rishpërndarje më të drejtë në emër të idealit të barazisë ekonomike në luftën për barazitë gjinore, racore,  të drejtat të minoriteteve, të homoseksualëve etj. Edhe partitë që quheshin të "djathta sociale", që e vënë theksin tek mbrojtja e vlerave të komunitetit (kombëtar, lokal apo  fetar) mbetën në minoritete gati të pakonsiderueshme. Triumfoi kulti i individit që sheh vetëm interesin e tij në një botë të hapur, që ve lirinë personale përpara çdo projekti komunitar, që i nënshtrohet vetëm ligjeve dhe vlerave të tregut.
Mirëpo ky triumf ka rezultuar në një rendje të shfrenuar pas pasurimit me pasoja varfërimin e shumicës dhe pasurimin e një pakice. Ka rezultuar gjithashtu në kthimin gjithnjë e më shumë të politikanëve nga shërbëtorë të publikes në menaxherë të interesave ekonomike të kësaj pakice e në krijimin e një "kaste" apo "establishmenti" të kënaqurish, që punojnë për statukuonë, ndërkohë që shumica ndjehet gjithnjë e më e pakënaqur, më e pasigurt, më e pashpresë dhe prandaj kërkon ndryshim. Ajo që thuhej me ironi nga shumë kritikë të kapitalizmit triumfues se lufta midis shtypësve dhe të shtypurve mbaroi jo pse u zhdukën klasat, por pasi luftën e fituan të parët, po rezulton gjithnjë e më e vërtetë. 
Lëvizje të tilla si "Jemi 99" (%) në SHBA apo "Indignados" në Spanjë, Syriza në Greqi apo edhe Cinque Stelle dhe Lega në Itali në thelbin e tyre janë shprehje e rindezjes së këtij konflikti, sigurisht në një kontekst tjetër. Më thjesht mund të thuhet se këto lëvizje i janë përgjigjur nevojës së shumicës për ndryshim përdrejt një sistemi që jep më shumë siguri sociale dhe barazi. 

Veçantia italiane

Veçantia italiane është se Cinque Stelle dhe Lega arritën të krijojnë maxhorancë qeverisëse nëpërmjet një kontrate që duket e pakonceptueshme në vende të tjera perëndimore - kur ke parasysh ndryshimet në vizionin për botën të elektorateve të majta dhe të djathta. Kjo është pak a shumë sikur Trump dhe Sanders në SHBA apo Marie Le Pen dhe Melanchon në Francë të qeverisnin sëbashku. Po pse kjo ndodhi në Itali ? Janë dy arsyet kryesore. E para ka të bëjë me sistemin elektoral. Në SHBA mund të fitojë ose kandidati republikan ose kandidati demokrat, qoftë edhe me një votë të vetme, kështu që nuk do të kishte asnjë shans që Sanders dhe Trump të qeverisnin sëbashku. Në Francë, pas raundit të parë, shkojnë në balotazh vetëm dy kryesuesit dhe mund të fitojë vetëm njëri, dhe kështu Macron fitoi ndaj Le Pen dhe u bë president i Francës megjithëse në raundin e parë kishte marrë pak më shumë sesa 20% të votave të francezëve. Kurse në Itali që një forcë politike apo koalicion paraelektoral të mund të qeverisë i vetëm duhet të marrë mbi 40% të votave (çka i siguron pastaj një "premio di magioranca" dmth., marrjen e një numri deputetësh që i lejon të kalojë 50%-in). Në kushtet kur Cinque Stele mori afro 33% dhe koalicioni i qendrës së djathtë, me në krye Legën, mori afro 37% e vetmja marrëveshje që u arrit për të kapur mbi 50% ishte ajo mes Cinque Stelle dhe Legës, e cila në koalicion mori 18%. Përndryshe Italia do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja, çka nuk ishte aspak e dëshirueshme për kërkend.
Një arsye e dytë që ia lehtësoi lëvizjes Cinque Stelle kontratën me Legën është fakti se edhe pse, sipas sondazheve, ajo ka marrë më së shumti votat e elektoratit të majtë të zhgënjyer nga PD si dhe të ekstremit të majtë që e ka akuzuar PD-në si parti të kapur nga lobet e të pasurve, asaj nuk i mungojnë pikat e kontaktit me Legën. Në fakt, të dyja janë parti antisistem dhe antikastë; të dyja i janë drejtuar shtresave në nevojë (për më shumë mbrojtje sociale, punësim të sigurt dhe ulje të moshës së daljes në pension); të dyja janë deklaruar kundër Evropës së bankave dhe pushteteve të forta, duke qenë fillimisht për daljen nga euro kurse tani duke kërkuar ta ndryshojnë BE së brendshmi. Madje edhe kur vjen puna për çështjen e qëndrimit ndaj emigracionit, që është një nga temat kryesore sot në Evropë, e që i ndan të majtët nga e djathta, Cinque Stelle ka manifestuar një qëndrim që e afron me Legën. Kjo afërsi lidhet edhe me një veçanti tjetër italiane: faktin se Italia ka qenë porta hyrëse kryesore e emigracionit nga vende si Libia dhe Tunizia çka ka ndikuar që, përtej ideologjive, të dominojë në vend ideja se kjo punë do frenuar sëbashku me pakënaqësinë që vendet e tjera evropiane e kanë lënë Italinë vetëm në këtë vështirësi.

A jemi në zhdukje të ndarjes e majtës - e djathtë?

Kontrata e Cinque Stelle me Legan mbështetur kryesisht mbi afërsitë që përmenda më sipër ka ngritur edhe një herë çështjen nëse kategori të tilla si e majta dhe e djathta, që kanë dominuar shekullin XX, janë tashmë të kapërcyera. Një mendim të tillë e ka shprehur edhe kryeministri i ri Giusepe Conte i caktuar nga Cinque Stelle. Në fakt Cinque Stelle nuk është vetëquajtur asnjëherë parti e majtë, por një lëvizje transversale, që ka synuar të tërheqë elektoratin e zhgënjyer nga qeverisjet e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë. Sikurse e thashë më lart shumica e elektoratit të saj rezulton se vjen nga të zhgënjyerit nga e majta, por ajo ka marrë vota të shumta në Jug edhe nga elektorati i zhgënjyer nga e djathta, që nuk mund të votonte Legën për shkak  të qëndrimeve të saj diskriminuese ndaj Jugut gjatë kohës kur ishte parti e Veriut. Në fakt divergjencat e Cinque Stelle me Legën, përsa i përket qëndrimeve që e ndajnë të majtën nga e djathta nuk janë të vogla. I ndan më së shumti fakti se Cinque Stelle ka pasur si kalë beteje elektorale dhënien e një « reddito di cittadinanza » (asistencë prej mbi 700 euro për çdo shtetas italian që është i papunë) ndërkohë që Lega ka promovuar taksën e sheshtë që ngre pyetjen se ku do të gjinden të hollat për këtë asistencë, pasi zakonisht të majtat, që luftojnë për asistenca të tilla, janë për taksën progresive. Po ashtu Lega i mëshon më shumë sigurisë me mjete policore dhe është për zbutjen e ligjit që kufizon të drejtën e « mbrojtjes së ligjshme » (kur bëhet fjalë për përdorimin e armës kundër vjedhësve që të hyjnë në shtëpi) ndërkohë që e majta ka qëndrime të ndryshme për çështje të tilla. Po ashtu disa nga vendimet e qëndrimet e Cinque Stelle kundër projekteve me impakt ambiental (ndër të cilët hyn edhe një që shqiptarëve u intereson direkt, ai TAP) janë në kontradiktë me disa premtime ekonomike të Legës.
Ndryshime fort të ndjeshme kanë edhe përsa i përket politikave që lidhen me qëndrimet e përkundërta ndaj binomin konservatorizëm progresizëm, ndaj nacionalizmit, ndaj traditës; fesë, që për një kohë kanë qenë në plan të parë në ndarjen e së djathtës nga e majta e që kohëve të fundit janë fokusuar  në tema të tilla si vlerat e Evropës kristiane versus ndërtimit të një Evrope multikulturale, të drejtat e homoseksualëve, të drejtave të emigrantëve myslimanë për të pasur objektet e tyre të kultit etj. 
Duke patur parasysh këto dallime është vështirë të flitet  për zhdukje të së majtës dhe të djathtës. Por për kapërcimin e tyre është gjetur formula e « kontratës ». Sipas saj do të punohet vetëm ato gjëra për të cilat kanë rënë dakord të dy palët. Kështu psh. kur ministri i familjes,  i emëruar nga Lega, u shpreh se nuk ekzistojnë familjet gay, duke vënë në diskutim ligjin e sapoaprovuar mbi bashkëjetesën civile, kryetari i partisë së tij Salvini u shpreh se kjo çështje nuk është në kontratë.
Megjithë këtë debat të hapur Salvini i Legës vazhdon ta quajë partinë e tij parti e djathtë, kurse PD, pas marrëveshjes që bëri Cinque Stelle me Legën, duke dashur të tërheqë përsëri pranë vetes elektoratin që e ka braktisur, e deklaron qeverinë e krijuar së fundmi si më të djathtën që ka pasur ndonjëherë Italia në historinë e pas Luftës dhe po kërkon të riorganizojë në një front të gjerë të majtën.
Shkurt, mund të thuhet se përtej të majtës dhe të djathtës të dy palët i bashkon qëndrimi kundër sëmundjeve të shkaktuara nga qendrat e majta apo të djathta që kanë qeverisur Italinë dhe Evropën perëndimore dy dekadat e fundit. Përsa u përket terapive ato janë një përzierje ilaçesh të së majtës dhe të së djathtës, që mund të quhet pragmatizëm, por jo ilaç i ri. Për këto terapi shumë kritikë thonë se kjo qeveri do të jetë t'i shëmbëllejë një qerreje të tërhequr nga dy buaj në drejtime të kundërta, majtas dhe djathtas, duke bërë që ajo të mos ecë përpara. 

Demokraci apo diktat i tregut

Një shkak  tjetër i dështimit të kontratës midis Cinque Stelle dhe Legas  mund të jetë edhe kundërreagimi i sistemit që ato kanë sulmuar. Formimi i kësaj qeverie do të mbahen mend edhe për atë se rivuri në dukje një pikëpyetje të madhe që ka kohë që ngrihet në botën perëndimore : a janë vërtet demokratike këto vende ku sistemi i "pushteteve të forta", dmth.  bankat e lobet ekonomike që dominojnë tregun, që kanë në dorë deri borxhet e shteteve, ndërhyjnë për të diktuar rezultatin e votës, madje edhe për të emëruar apo përjashtuar ministra që nuk janë në një linjë me interesat e tyre? Pra jemi në demokraci apo në postdemokraci - siç e ngre pyetjen politologu amerikan Colin Crouch? Këtë pikëpyetje e riktheu fort në skenë presidenti i republikës Matarella kur refuzoi të pranojë emërimin si ministër të ekonomisë të Paolo Savonës pasi ai, në një libër të tij, është shprehur kundër euros, kundër politikave të Gjermanisë në BE dhe ka hartuar edhe një plan B në rast të nevojës për dalje të Italisë nga zona euro. Kjo shkaktoi reagimin e Cinque Stelle që deklaroi se do të kërkonte shkarkimin e presidentit. Edhe Salvini gjithashtu lëshoi deklarata të forta në emër të sovranitetit dhe demokracisë në Itali. I hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit deklarata e komisionerit të Brukselit për ekonominë dixhitale, gjermanit GunterOettinger,cili u shpreh se « tregu do tu mësojë italianëve se si duhet të votojnë. »
Konflikti u fashit me tërheqjen një hap prapa të të gjitha palëve. Edhe Oettingerkërkoi ndjesë për deklaratën e tij, por çështja megjithatë ka mbetur e hapur në formën e pyetjes : a kanë të drejtë popujt e vendeve të ndryshme evropiane të venë në dyshim apo të kërkojnë të ndryshojnë rregulla të caktuara të projektit evropian apo tashmë ata janë futur në një projekt/kurth prej të cilit nuk mund të dalin dot më veçse me pasoja masakruese? 
Ecuria e qeverisjes së dy partive italiane të etiketuara populiste që duken të vendosura të kërkojnë ndryshime në politikat e BE, duke synuar një Itali protagoniste dhe jo të nënshtruar ndaj rregullave të vendosura, do të jetë një provë e fortë për projektin evropian, me pasoja ndoshta edhe historike. Një gjë duket e sigurt: për të mirë apo për të keq projekti evropian nuk do të mund të vazhdojë të mbetet ai që ka qenë në dy dekadat e fundit.(Panorama, 18 qershor, 2018)



Read More......