Sunday, November 25, 2012

Era e hajdutërisë


Ka plot histori që ndodhin në Perëndimin e idealizuar nga shumë prej nesh që të bëjnë të mendosh se ne shqiptarët, që na njohin e diskriminojnë në Perëndim si hajdutë e trafikantë, duhet ta normalizojmë disi ndërgjegjen tonë. Nuk jemi vetëm
ne që vjedhim – ne kemi të keqen se sistemeve që adoptojmë u japim tiparet më groteske – por sistemin që ka çelur erën e hajdutërisë nuk e kemi sjellë ne. Shikoni krizën që ka mbërthyer botën perëndimore. Në rrënjë të saj është fakti se jetojmë në erën e hajdutërisë, ju siguroj unë. Po pse e quan “era”? – do të thoni ju - hajdutëria është një erë e vjetër, që hundët tona e njohin shumë mirë që në lashtësi; dhe vetë sistemi kapitalist është akuzuar me kohë si i tillë; mjaft të kesh parasysh Marksin dhe teorinë e tij të “mbivlerës”. Megjithatë, unë e kam fjalën pikërisht për një erë të re në kuptimin e një epoke të re dhe të një njeriu të ri, “homo hajduticus”, “ladronicus” do t’i thoshin italianët, që po del në pah si mbijetuesi më i fuqishëm i seleksionimit natyror në këtë epokën tonë.

Por, më mirë, përpara se të filozofoj, le t’ju tregoj historinë që më nxiti të dal në përfundimet në fjalë.

Të hënën në mëngjes të kësaj jave u nisa nga Firencja me autobus për në Aeroportin e Pizës, për të fluturuar për në Tiranë. Kisha prerë një biletë vajtje-ardhje dhe po kryeja “ardhjen”. Kur mbërrita në Aeroportin e Pizës shkova në vendin e Check-in-it dhe po kërkoja tabelën AIR ONE, kompania italiane me të cilën do të fluturoja. (Sa për dijeni të atyre që nuk e njohin, është kompania “low cost” e Alitalia-s, për privatizimin e së cilës (Alitalia-s) u bë një zhurmë e madhe sepse u tha se pronarët e rinj morën pjesën e shëndoshë, duke i lënë shtetit borxhet).

Kërkova te radha e check-in-eve të gjej tabelën ku shkruhej “Tirana”, por nuk po shihja gjë. Atëherë shkova te një nga ekranet ku jepeshin të gjitha nisjet dhe, për çudinë time, vura re se ora e nisjes 11:25 nuk figuronte kurrkund, as emri Tiranë.

Diçka ka ndodhur – thashë – po shkoj të pyes informacionin. Ndërkaq, nxora nga çanta fletën e printuar të biletës së blerë on-line, për të parë se mos kisha lajthitur dhe kisha gabuar datën. Jo, hiç fare, 19 nëntor, ora 11:25.

Punonjësja e informacionit më tha se fluturimi im ishte ndryshuar, por se, për më tepër, mund të shkoja të pyesja te biletaria… në fund të korridorit, majtas.

Ajo e biletarisë më dha një lajm që nuk po doja ta besoja: se fluturimi im ishte kryer një ditë më parë, të dielën, dhe se, për këtë ndryshim date, unë kisha marrë një njoftim me e-mail.

“Me e-mail! – i thashë, – po unë marr kushedi se sa e-mail-e në ditë, midis të cilave edhe ato që dërgon AIR ONE-i për reklamë. Ja nuk e pashë unë e-mail-in, kaq mjaftuaka që të më fshini ju nga lista. Po numrat e telefonit pse m’i keni marrë atëherë? Pastaj, kam dëgjuar për fluturime që shtyhen, por për fluturime që kryhen përpara, kurrë ndonjëherë”.

Mirëpo ajo e biletarisë nuk ishte punonjëse e AIR ONE-it. Më zgjati një fletë A4, ku kishte numrat telefonikë të “call center”-ave të kompanive ajrore, midis të cilave edhe AIR ONE.

Bëra numrin 892 444. Në fillim më doli një zë burri që më njoftonte për tarifat se sa kushtonte një minutë a ku di unë. S’kisha nerva ta dëgjoja e të bëja kalkulimin se sa do të më kushtonte telefoni. Vura re se ishte një zë që fliste një italishte me aksent. Pas atij më doli një zë tjetër i regjistruar, që thoshte se duhej të prisja dhe pasi mbaroi edhe ai, më doli më në fund një operatore. Fliste një italishte shumë të mirë. “Më jep një çikë numrin e regjistrimit të biletës”, më tha. Fillova t’ia bëj me spell: “B come Bologna, 4, C come Como…”, derisa e mbarova dhe ajo gjeti emrin tim.

“Lubonja?”.
“Po, Lubonja, Fatos”
“Ne na rezulton se ju kemi dërguar një e-mail…”
“Po njeriu mund të jetë i sëmurë, mund të jetë i hutuar, mund të jetë në mal, ku s’ka internet, mund të jetë…, – fillova t’i dërdëllis, – si mund të mjaftoheni ju me një e-mail për ta ndier veten të qetë se e keni kryer shërbimin ndaj klientit, ndërkohë që i keni shkaktuar një bela kaq të madhe duke i ndërruar datën e fluturimit…?”
“Keni të drejtë, do të përpiqem të bëj diçka, – më tha, – por ne jemi thjesht operatorë”.
Më përsëriti disa herë “keni të drejtë” kur i shprehja argumentet e mia. Dukej sheshit se edhe ajo ishte e pakënaqur. Me gjithë hallin që më kishte zënë, fillova të kërkoj të gjej me mend se nga më flisnin ato operatoret. “Ndoshta nga Shqipëria, – thashë me vete, – ndoshta edhe nga India”. Mu kujtuan ulërimat e Peper Grillos: “Ju duket punë ajo në call center?!”. Por edhe një shkrim i “La Republica”, një faqe e tërë, që tregonte se si i transferojnë këto ndërmarrje në Shqipëri pasi atje kushton pesë herë më pak “krahu”, më falni, “goja” a punës, sesa në Itali.
Gjithsesi, përgjigjja përfundimtare e operatores ishte se ata shefat i kishin thënë se nuk mund të bëhej që unë të fitoja të drejtën për fluturimin pasardhës. Mirëpo ndërkohë që filloi të më shpjegonte se ç’duhet të bëja më tej, u pre telefoni. “Janë këto linjat e dobëta të internetit…”, – thashë me vete gjithnjë e më i acaruar. Prita pak dhe mora përsëri. Dëgjova edhe një herë dy lloje zërash të regjistruar, pastaj më doli një zë femre që m’u duk si zëri i parë, por nuk ishte ajo. “Kushedi është në një tjetër ‘call center’, kësaj here ne Kinë”, – thashë. Edhe një herë operatorja e dytë më kërkoi numrin e biletës. “B… come Bologna, 4, C come Como…”. Mirëpo, sapo mbarova spellingun dhe fillova t’i shpjegoj edhe një herë nga e para se ç’kishte ngjarë, m’u ndërpre lidhja përsëri. “Dreqi ta hajë, – thashë, – me këto linjat e internetit”. Gjeta në ekranin e celularit numrin që kisha bërë dhe shtypa tastierën. Por kësaj here, në vend të tri radhëve të zërave, më doli krejt tjetër muzikë:
“Në rimbushjen tjetër paguaj një euro që të fitosh dy euro… Grazie”
“Ç’është kjo? – thashë. – I kam rënë numrit gabim?”. I rashë prapë. Prapë i njëjti zë: “Në rimbushjen tjetër paguaj dy euro të fitosh një euro… Grazie”.

E kuptova. E pabesueshme! Ju betohem se celularin nuk kisha shumë që e kisha mbushur dhe duhet të kisha minimumi dhjetë euro. Kishin ikur të gjitha për “call center”-at e mallkuar dhe pa zgjidhur asgjë. Kisha mbetur edhe pa celular, sepse ndërkaq i kisha hipur autobusit për t’u thyer nga Piza në Firence jo pa llogaritur edhe shpenzimet e ikura dëm për biletat.


Kur mbërrita në shtëpi nxitova të marr një numër fiks të AIR ONE-it. Kësaj here duket se ishte numër italian, sepse kishte prefiksin e Italisë. Më doli një operatore edhe kësaj radhe. Edhe një herë “…B come Bologna, 4, C come Como…”. Edhe njëherë i shpjegova se çfarë më kishte ndodhur.
“Të shohim çfarë mund të bëjmë, – më tha, – prit një minutë”.
Nuk di çfarë provoi dhe pastaj tha:
“Jo, nuk ma lejon sistemi ta kaloj biletën tuaj në fluturimin e së mërkurës”.

Kësaj here dukej sikur vullneti i njeriut ishte, por nuk kishin vullnet makinat, d.m.th. kompjuterët.
Pasi shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, ku i thashë se AIR ONE një dy e ndërron oraret e fluturimit me Shqipërinë, se një fluturim më parë kisha ndenjur pesë orë në Aeroportin e Pizës, ajo  më tha:
“Prit një minutë se duhet të sinjalizoj shefat më lart, sepse vetëm ata mund ta lejojnë një veprim ndërrimi date bilete në kompjuter”.

Iku e më la të prisja një copë herë me telefon hapur. Më në fund u kthye e më tha se nuk mund të bëhej gjë e se, me sa dukej, nëse doja të fluturoja për në Tiranë, unë duhet të blija një biletë të re.

“Po kujt mund t’i ankohem për këtë që më bëri AIR ONE?” – e pyeta.

“Mund të bëni reklamim”.

“Ku mund ta bëj?” – i thashë. Po kërkoja dëshpërimisht një emër njeriu. Por ajo më dha vetëm një e-mail: customerserviceairo-ne@alitalia.it.

U ula menjëherë të shkruaj:

“Gentili signori di AIR ONE” (nuk më vinte fare t’u thosha “gentili”, por kuptohej se ishte “per modo di dire”, siç i thonë italianët.

E fillova duke përshkruar tërë historinë: “… Sot, më datë 19 nëntor shkova në Aeroportin e Pizës…” dhe e përfundova duke u kërkuar dëmshpërblim për dëmin që më kishin shkaktuar me këtë sjellje që e gjeja të padrejtë dhe të një moskorrektese të rëndë – pasi më kishin prishur krejt planet e punës për atë javë, si dhe që të më mundësonin fluturimin të mërkurën, pa shpenzime shtesë.
Për hir të së vërtetës, të nesërmen shërbimi i klientit i AIR ONE-it më ktheu përgjigje duke më njoftuar se fluturimin tim të së hënës, që ishte kryer të dielën, e kishin spostuar për të mërkurën, pa shpenzime.


* * *

Sidoqoftë, kjo nuk më bëri ta ndërpres refleksionin që zhvillova tërë atë ditë e të nesërmen mbi idenë se jetojmë në epokën/erën e hajdutërisë. Po cili është dallimi i kësaj epoke me të tjerat? – do të thoni ju – duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi. Menjëherë do të thosha se dallimi qëndron në atë se në epokat paraardhëse veprimet e shtyra nga etja e panginjur për fitim ishin në mos një gjë e paligjshme, të dënueshëm moralisht, kurse në këtë epokën tonë sikur jo vetëm është zhdukur kufiri midis së ligjshmes dhe së paligjshmes në hajdutëri, por sikur po zhduket çdo skrupull moral përpara etjes për fitim me çdo mjet. Dhe po ashtu, ndryshimi qëndron sepse epoka jonë, duke u bërë gjithnjë e më virtuale në sajë të teknologjisë së internetit, krijon një lloj hajdutërie si në ajër, kur ti nuk e merr vesh se si të merren të hollat dhe as se cili t’i merr. Kjo historia me “call center-a” e me një e-mail që mjafton për të të marrë qyl të hollat e biletës, është vetëm një aspekt i vogël i kësaj bote të madhe të frikshme. Mjaft të mendosh ato që quhen “bonuse të helmatisura” që qarkullojnë nëpër bursat e gjithë botës, të shpërndara nga disa “golden boys” në Wall Street apo për të famshmin “spread” që po rrëzon qeverinë, në emër të diktaturës së tregut, e që, tek e fundit, është edhe ai një lojë virtuale me kompjuterë nëpër bursa që bëhet me qëllim fitimin maksimal të disa pehlivanëve, të cilët ligjërisht nuk ke ku i kap. Prandaj them se, më shumë sesa e globalizimit, kjo epoka jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hajdutizimit.

Por, këtë refleksionin tim e bazoj edhe mbi dy paradigma të tjera. Së pari, njeriu perëndimor i kohës sonë jo vetëm që jeton shumë më pak se në epokat e tjera me besimin në vlerat që promovojnë fetë si ato të sakrificës së njeriut për njeriun apo të karitasë që kanë qenë themelore deri në shekujt e fundit, por nuk jeton më as si në shekullin XX si pjesë e projekteve të mëdha nacionaliste apo komuniste. Ato projekte kanë dështuar duke marrë me vete, për fat të keq, edhe dy ëndrra/vlera të mëdha të njeriut: atë se njeriu mund ta ndryshojë botën me vullnetin e tij dhe atë të barazisë – duke e lënë kësisoj njeriun e shkretë në projektet e tij të vogla personale, meskine që, tek e fundit, reduktohen te nevoja për para, që kështu të ndërtojë një shtëpi, të blejë një makinë, të sigurojë fëmijët, e ku di unë. Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi. E dyta, kur vjen puna te paraja, problemi është se këto shoqëritë tona kanë tendencën të shndërrohen gjithnjë e më shumë nga kapitalizëm prodhues në kapitalizëm spekulativ financiar dhe në shoqëri shërbimi. E kam fjalën veçanërisht për këto perëndimoret, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë. Dhe kjo do të thotë që në vend se të fitohen paratë duke prodhuar mollë, rrush, dardha, vezë, mish, djathë, hekur, çelik, bakër, energji, aeroplanë, makina, e ku di unë, këto të fitohen gjithnjë e më shumë duke ofruar shërbime, siç janë edhe “call center”-at e duke bërë spekulime financiare nëpër bursat. Kjo çon në gjetjen dhe sofistikimin e trukeve se si të nxirren para nga paraja e klientit. Dhe ata që krijojnë këto truke  gjithnjë e më shumë shtrëngohen t’i sofistikojnë ato pasi paraja që vjen nga prodhimi bëhet gjithnjë e më e pakët. Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta? – Dhe unë në një rast të tillë nuk do të merrja më fare përgjigje nga customerserviceairo-ne@alitalia.it. Nuk e dimë ende.

Desha ta ngjyroj me pak humor këtë refleksionin pas historisë me AIR ONE-in që tregova, por shoh se nuk ia dola siç desha ca nga paaftësia ime dhe ca, ndoshta, ngaqë me pengoi serioziteti i çështjes. Prandaj po e lë me kaq, si pa fund, këtë shkrim, me shpresë se lexuesi do të më mirëkuptojë. (Panorama, 24 nëntor, 2012)

Friday, November 16, 2012

Pse kemi vetëm parti “të djathta”

Me gjithë përpjekjet që bën Berisha për të na paraqitur si një përjashtim në botë përsa i përket moskrizës, kush ka sy në ballë dhe mendjen të paturbulluar nga ankthi i pushtetit dhe parasë, e konstaton mjaft lehtë gjendjen e vështirë të vendit. A nuk ishte edhe paaftësia e qeverisë për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë konform ligjit një shenjë e krizës?
Në fakt, Shqipëria ka mjaft situata të ngjashme apo të përbashkëta me dy vendet kryesore fqinje në krizë, Italinë dhe Greqinë, prej të cilave mund të themi se kemi imituar edhe shumëçka nga sistemi politiko-ekonomik. Mbi të gjitha, kemi të përbashkët faktin se kriza jonë nuk është thjesht e vetëm krizë ekonomike, por edhe krizë e besimit në klasën politike që e ka qeverisur vendin këta njëzet vjet. Me fjalë të tjera, si për opinionin e gjerë andej edhe këtë këtej, në thelb të krizës qëndron fakti se këto vende janë qeverisur nga një kastë politike ekonomike dhe mediatike që ka abuzuar me pushtetin për t’u pasuruar për vete duke lënë të tjerët në mjerim e së fundi edhe në pasiguri jetese.
Ndërkaq, Shqipëria ka edhe mjaft ndryshime nga këto vende. Njëri prej tyre, që tërheq vëmendjen veçanërisht dhe meriton një analizë të gjerë, është fakti që në Greqi dhe në Itali, si rezultat i këtij zhgënjimi të thellë, kanë lindur parti të fuqishme të majta që udhëheqin në sondazhe: Syriza në Greqi është partia e parë në sondazh dhe po ashtu në Itali lëvizja “Cinque Stelle” (Pesë Yjet) është bërë kërcënimi numër një i të gjithë kastës. Kurse në Shqipëri kanë lindur dy parti të reja, që janë, që të dyja, të djathta.
Si ta shpjegojmë këtë ndryshim?
Fillimisht duhet thënë se kriza, normalisht, duhej të provokonte reagimin/lindjen e forcave të majta, sepse është e majta ajo që përfaqëson interesat e atyre që pësojnë më shumë se kushdo nga kriza: shtresat më të brishta të shoqërisë. Dikush, duke iu referuar historisë, mund të thotë se edhe fashizmi, dhe nazizmi, si lëvizje të djathta, ka lindur si rezultat i krisës. Por kujtoj se përsa i përket sistemit ekonomik, fashizmi dhe nazizmi ishin kundër kapitalizmit që prodhoi krizën. Erza Paund e dashuroi aq shumë fashizmin e Musolinit mu pse ishte kundër usuria-s (fajdexhinjve kapitalistë); ideologjia e Hitlerit ishte nacional – socializmi.

Për të shpjeguar shkakun – ose më saktë një nga shkaqet kryesore, sipas meje, të ndryshimit tonë me Greqinë apo Italinë përsa i përket lindjes së partive të reja në kohë krize – më duket me vend të them dy fjalë për lëvizjen e Pepe Grillos në Itali, sepse, sipas mendimit tim, realiteti italian, edhe pse shumë më i sofistikuar sesa i yni, është mjaft i ngjashëm me sistemin tonë – sigurisht, në mënyrë të tillë që ne mund të quhemi një kopje e thjeshtëzuar, banale e tij.
Në Itali ka njëzet vjet që dominojnë dy parti kryesore. Ka dominuar Berluskoni i alternuar nga Partia Demokratike, baza e së cilës është ish-Partia Komuniste, e cila, edhe kur ka qenë në opozitë, ka qeverisur, megjithatë, shumë provinca e komuna të rëndësishme të vendit. Pas njëzet vjetësh në pushtet këto dy parti kanë arritur minimumin e pikëve në sondazhe dhe, sipas disa zërave të fundit, ato po nxitojnë për në prag të zgjedhjeve të ndryshojnë ligjin elektoral, sepse përndryshe, sikurse tha Schifani, një nga eksponentët e partisë së Berluskonit, Grillo mund të shkojë nga 30% te 80%.

Ç’është lëvizja e Grillos që ka arritur në një kohë të shkurtër një sukses kaq galopant? Së pari duhet vënë në dukje se Grillo e ka krijuar lëvizjen e tij në internet. Madje ai akuzon të gjitha mediat se janë “teatrino” e kastës politike. (A nuk ju tingëllon kjo shumë e ngjashme me mediat tona?) – duke i bojkotuar ato. Ai është kundër pushteteve të forta – të bankave dhe pasunarëve, akuzon rrjetin e sistemit politik italian (si qendrën e majtë edhe atë të djathtë) si një rrjet korrupsioni të paparë, kërkon të ndryshojë partitokracinë në favor të një demokracie më pjesëmarrëse, ka qëndrime të forta ekologjiste. Por, pa u zgjatur më tej në programin e tij, mund të them se, pavarësisht nëse janë dakord me të apo jo përsa i përket programit, shumica e italianëve bien dakord se Grillo ka një konsensus kaq të madh për shkak se ai shpreh nevojën e shkatërrimit të sistemit ekzistues në Itali, të kalbur e të korruptuar deri në palcë si dhe të kastës politike që e ka ngritur këtë sistem. Sistemi dhe njerëzit e tij, sipas Grillos, janë dy anë të së njëjtës medalje, prandaj lëvizja “Pesë Yjet” synon kandidimin e njerëzve të rinj që nuk kanë qenë pjesë e sistemit të vjetër. Pra, janë të shumtë ata që thonë sot se, qoftë edhe vetëm me shkatërrim, Grillo do t’i bënte një shërbim të madh Italisë sepse, pas tij do të lindte diçka e re. E njëjta gjë thuhet, në thelb, edhe për Syrizën në Greqi. Të rinjtë grekë të Athinës e Selanikut, që mbështesnin Syrizën në zgjedhjet e fundit, mbyllnin në shtëpi prindërit që të mos shkonin të votonin për partitë tradicionale të kastës. Për këtë kastë fliste edhe lajmi i arrestimit të gazetarit grek që denoncoi kontot e saj bankare jashtë vendit.

Analiza se pse në Shqipëri, me gjithë krizën e rëndë, kanë lindur dy parti të djathta dhe asnjë e majtë, meriton një debat që e tejkalon hapësirën e një shkrimi të tillë. Unë, megjithatë, dua të theksoj një aspekt të këtij fenomeni që më duket shumë i rëndësishëm. Them se partitë që po kërkojnë të sfidojnë sot PD-në dhe PS-në janë të djathta sepse liderët e tyre nuk duan të ndryshojnë apo shkatërrojnë sistemin, por thjesht të bëhen pjesë e tij apo të mbeten në të me një emblemë tjetër. Si e argumentoj këtë? Më së pari le të them se çfarë duhet të kuptojmë me fjalën “sistem” në Shqipëri. Thjesht dhe qartë atë që kupton edhe Grillo në Itali: politika në shërbim të ekonomisë së fitimit të kastës; politika e kapur gjithnjë e më shumë nga mafia, gazetaria po në shërbim të këtij grupi/kaste, çka në Shqipëri ka marrë trajta shumë herë më të shëmtuara dhe abuzive, por edhe më falimentare. Po ç’lidhje ka e djathta me këtë sistem? Ka, sepse fasada ideologjike që e ndihmoi ngritjen e këtij sistemi ishte e djathtë në kuptimin e kultit të privatizimit si zgjidhje e çdo problemi nëpërmjet privatizimit apo nëpërmjet idesë së zhvillimit si çimentifikim që nëpërkëmbi çdo lloj kujdesi për ambientin dhe cilësinë e jetës. Nuk dua të them me këtë se ne kemi parti vërtet të djathta, absolutisht jo. Në Shqipëri s’ka të majtë dhe të djathtë, por vetëm pasunarë që kanë kapur parti dhe shtetin, dhe të varfër që s’kanë as parti, as shtet në krah të tyre. Desha të them se këta që kanë parti dhe gazeta, dhe televizione, dhe shtetin, si nga PD-ja, edhe nga PS-ja, LSI-ja etj., e kanë përdorur ideologjinë e djathtë, që ka në bazë të vet lirinë maksimale të sipërmarrjes, interesin e privatit që kështu prodhon më shumë, për të ndërtuar sistemin e grabitjes së shqiptarëve dhe se, nga ana tjetër, nëse duam të godasim vërtet sistemin dhe kastën që e ka ngritur atë, kjo mund të bëhet sot nga një parti e majtë, që duhet të kërkojë të vendosë më shumë kontroll të shoqërisë/publikut mbi këto interesa – pa harruar, sigurisht, se edhe ajo mund ta përdorë të majtën si fasadë. Kurse parti të djathta, aq më tepër njerëzish që deri dje kanë qenë pjesë e kastës, premtojnë shumë pak në këtë aspekt, sepse në to ndjehet “investimi” i atyre që punojnë sipas të njëjtit sistem.

Po të vësh re kritikat që bëhen nga dy partitë e reja sot për gjendjen ku është katandisur vendi, ato përqendrohen tek individi Sali Berisha dhe individi Edi Rama, kryesisht tek autoritarizmi dhe korrupsioni i tyre, por s’gjen, ama, asnjë tentativë serioze për t’u marrë me tërë atë sistem politik, mediatik, ekonomik që këta individë udhëheqin dhe i shërbejnë njëkohësisht dhe veçanërisht me protagonistët e tjerë të kastës, në skenë apo prapaskenë. Kështu, po t’i heqësh disa fraza për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, programit të Bamir Topit nuk i mbetet veçse denoncimi dhe sharjet për Berishën dhe Ramën si autoritarë. Asnjë depërtim më thellë në rrjetin e interesave abuzive që Berisha e trashëgoi nga socialistët, e jo më ndonjë propozim mbi ndryshimin e këtij sistemi. Kreshnik Spahiu, po ashtu, bën ndonjë denoncim më shumë për disa pasoja, thekson më së shumti tradhtitë e Berishës se i ka dhënë grekut detin, tund flamurin, por asnjë analizë të sistemit politik, ekonomik, mediatik që e ka futur vendin në një ekonomi piramidale dhe aq më
pak ndonjë propozim se si mund të dilet prej tij. Për të përmendur vetëm një shembull: Sot pritet me ankth që “shpëtimi” t’i vijë Shqipërisë nga shitja e Albpetrolit. Edhe ish-të burgosurit politikë aty e kanë shpresën e dëmshpërblimit. Por askush nga këta që përmenda nuk përmend se aksionisti kryesor i shoqërisë që kërkon të na shpëtojë të gjithëve i ka Albpetrolit, që s’e ka blerë akoma, d.m.th. shtetit, rreth 100 milionë dollarë borxh dhe që askush nuk ia kërkon. Apo që u ka borxh disa azerbajxhanasve ndonja 70 milionë të tjerë dhe që – sipas një shkrimi të Baton Haxhiut – për turp të gazetarisë nuk u dha nga asnjë media shqiptare, pasi gazetarët, sipas thashethemeve, “u blenë”. A kanë para, apo kanë borxhe këta njerëz? Nuk e dimë. Kush do t’i paguajë ato? As këtë nuk e dimë. Si i kanë vënë paratë pasunarët tanë që blejnë për të sponsorizuar një fondacion të gruas së Kryeministrit një pikturë 100 000 dollarë? Çfarë taksash paguajnë këta? Po shteti ç’ka bërë dhe çfarë bën? Po ky Bamir Topi që deri dje ka qenë kryetar i shtetit, a mund të jetë jashtë këtij rrjeti? Po ky Spahiu që ka qenë zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Ka shumë pyetje që ngrihen e që po t’u kapësh fillin, të çojnë në rrjetin e sistemit për të cilin flas, që po bëhet mortja jonë, e që këto parti, ndryshe nga ato që përmenda në Greqi apo Itali, nuk e prekin fare.

Lexova në një lajm të fundit se Edi Rama i PS ka deklaruar se do ta çlirojë arsimin nga politika, duke nënkuptuar me këtë çlirimin nga Berishën. Por problemi thelbësor, sipas meje, nuk është ky. Problemi thelbësor është çlirimi i politikës, edhe i Edi Ramës vetë, nga sistemi të cilit i shërben ai dhe politika e tij, dhe që, si gjarpri që kafshon bishtin, edhe e udhëheq njëkohësisht. Përndryshe, çlirimi nga Berisha, të cilit sot po i këndohet aq shumë, dhe jo pa arsye, ashtu si ai nga Berluskoni që ndodhi më në fund në Itali, do të rezultojë një çlirim i rremë. (Panorama, 14 nentor 2012)

Friday, November 2, 2012

Konteksti i grevës së urisë


Greva e urisë së ish-të burgosurve politikë ka qenë dhe mbetet një nga ngjarjet më të debatuara kohët e fundit. Ajo ka hapur shumë tema të mprehta sociale ekonomike, politike, të lidhura sa me të kaluarën, edhe me të tashmen, sa me forcat politike, edhe me shoqërinë civile dhe që e tejkalojnë “hallin” e atyre që u futën në grevë. Në fakt, ajo ishte një test, do të thosha, për tërë shoqërinë me në krye politikën, për të provuar se sa ka reflektuar ajo për të kaluarën komuniste, se sa është në gjendje ajo të zgjidhë problemet, se sa është në gjendje të dialogojë, negociojë etj., dhe rezultatet e këtij testi na nxorën keq, shumë keq.

Në këtë shkrim nuk mund të shteroj tërë problematikën që ngacmoi ajo grevë, por më duket e domosdoshme të shtjelloj më së pari kontekstin social ekonomik të grevës.

Nuk gjej mënyrë më të mirë për ta shtjelluar këtë kontekst sesa rrëfimi i tri bisedave që kam pasur këto ditë midis bisedave të shumta që bëjmë të gjithë përditë me ata që takojmë.


Biseda e parë:

Një i njohur, teksa pinim kafe, më tregoi se po i ndërtonin pa leje atje ku ai ka pronën, në një lagje të Tiranës. “Shkova të ankohem dhe e di çfarë më thanë? – Shiko, ne atë zonën ia kemi lënë partisë çame. Shih se mos gjesh ndonjë nga ata që ta rregullosh këtë punë, se për besë vështirë e ke ndryshe”.


Biseda e dytë:
Duke i treguar një të njohuri historinë e parë, ai më tregoi një tjetër: “Një mikut tim i vdiq i ati, më tha. Aty zbuloi se puna e një vendi varri ishte problem i madh. Duhet të paguaje – nën dorë kuptohet. I thanë: Shiko, varrezat i ka LSI-ja, prandaj shih mos njeh ndonjë nga ata të LSI-së”.


Biseda e tretë:
Teksa ndalova në një dyqan për të blerë një mall, shitësi më njohu dhe më tha:

- Zoti Lubonja, kam një hall. A mund të më ndihmosh?

- Çfarë halli ke? – i thashë.

- Kam gruan pa punë, është mësuese.

- Mësuese për çfarë?

- Pedagogji.

- Çfarë të thonë?

- Më kanë kërkuar para. Një vend pune për gruan time kushton nga 3 deri në 5000 euro.

- Kush t’i ka kërkuar, – i thashë, – me shpresën se do të më pasuronte listën e partive. Por kësaj here përgjigja ishte: “Sekseri”.


Ja, këto janë bisedat që zhvillojnë përditë njerëzit nëpër tryeza. Dhe të mos harrojmë se ato përbëjnë sfondin e atyre lajmeve skandaloze që flasin për shitje korruptive të pronave publike, për interesa milionëshe, për tenderë të anuluar e për tenderë mashtrues, e me radhë e me radhë – që i faturohen, mbi të gjitha, partisë më të madhe në pushtet.
Është imazhi i një vendi ku partitë janë kthyer në banda që kanë ndarë territorin e po e shqyejnë ku të mundin e sa të mundin, madje me një uri edhe më të madhe, pasi tani kanë mbetur copërat e fundit.
Është imazhi i një shoqërie të polarizuar ekstremisht, kur një pjesë e vogël, duke abuzuar me pushtetin, kanë vënë pasuri të mëdha, kurse pjesa tjetër e sheh veten të margjinalizuar dhe shpresëfikur.

Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë nuk mund të shihet e shkëputur nga kjo gjendje e përgjithshme e njerëzve. Ata njerëz, një pjesë e të cilëve përfaqësojnë kategorinë më të pafat të të pafatëve që u kaloi një pjesë e jetës nëpër kampe, burgjet e komunizmit, zgjodhën grevën e urisë si mjetin e fundit të presionit dhe të protestës. Por nuk mund të thuash kurrsesi se ata përfaqësojnë vetveten. Ata përfaqësojnë një zhgënjimi më të madh.

“Zhgënjimi qenka më i rëndë se shtypja, – më tha një ish-bashkëvuajtës që s’ishte në grevë, por që ndiente gjer në kockë shpërfilljen e pushtetit dhe të shoqërisë, – sepse shtypja, tek e fundit, tregon edhe respekt, tregon se ti je, të llogarisin, kurse ky injorim është më i rëndë”.

Unë gjykoj se ky është konteksti në të cilin duhej parë greva e urisë së ish-të burgosurve politikë. Ai i humbjes thuajse totale të besimit te politika. Përpara tetë vjetësh, duke trajtuar çështjen e ish-të burgosurve politikë në prag të zgjedhjeve që i dhanë fitoren, Sali Berisha, midis të tjerave, ngrinte pyetjen:
“Ku shkuan me mijëra e qindra hektarë tokë që ata krijuan me mundin dhe djersën e tyre? Që të gjitha gëzohen sot nga fermerë, por për hir të së vërtetës, i përkisnin shoqërisë së konformuar, dhe jo asaj të shtypur, jo asaj të persekutuar. Duke e parë edhe në këtë kontekst, nuk mund të pranojmë që këto pasuri kombëtare që u krijuan, të gëzohen nga ky komb pa njohur borxhin që ka ndaj atyre motrave dhe vëllezërve që u përdorën si argatët më të keqpaguar në historinë e kontinentit….

…Le ta marrim kënetën e Maliqit, kënetën e Tërbufit, kënetën e Thumanës etj.; secila prej tyre është mbi një miliard dollarë vlerë. Nuk po përmend dhjetëra vepra të tjera të mëdha që kanë ndërtuar, por vetëm këto këneta të shndërruara në tokë buke, kanë sot dhe në çdo kohë një miliard dollarë vlerë…

…Jam i vetëdijshëm se për dy apo tre vjet nuk mund të shlyhet kjo faturë, por jam i vetëdijshëm se në një vend që vidhen 600 milionë euro në vit në taksa nga 27 VIP-a, pa cenuar askënd, brenda një afati kohor të shkurtër mund të ndahet shoqëria shqiptare tërësisht nga pasojat e kalvarit më të egër që Europa e pasluftës ka njohur, sepse asnjë komb nuk ka pasur një luftë klasore vrastare si kombi shqiptar…”.

Perceptimi pas tetë vjetësh është se 27 VIP-at mund të jenë bërë 54, se 600 milionët mund të jenë bërë 1 miliard e 200 milionë, dhe se të nëpërkëmburit sot janë më të shumtë e më të poshtëruar po ashtu. Ka arritur puna deri aty sa disa sot shtrojnë pyetjen: Po pse për të bërë 55 njerëz miliarderë qenka rrezuar ai sistem?

Në vend që të reflektonte thellë për këtë gjendje që e nxori edhe më në pah greva e urisë së ish-të burgosurve, Sali Berisha dhe politikanët rreth tij përdorën një taktikë të njohur: “Nëse do të zgjidhësh një problem, sajo një armik”. Se ku përfundon kur për zgjidhjen e problemeve sajohet armiku, i jashtëm apo i brendshëm, na e ka mësuar përvoja e regjimit të Enver Hoxhës. (Panorama, 27 tetor 2012)