Saturday, December 22, 2018

Mbi protestat e studentëve dhe protestat e mëhershme

Është folur shumë, së fundi, mbi  ngjashmëritë dhe ndryshimet e protestave studentore të këtij dhjetori me protestat e mëhershme, duke filluar nga ato të viteve 90-91. Janë krahasime që vlejnë sepse duhet edhe të mësojmë edhe të motivohemi nga historia, por gjithmonë duke pasur parasysh se, sikurse thoshte Herakliti, «nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë».

Protestat dhe vitet 90-91
Meriton të ndalemi tek dy elementë të rëndësishëm që i bëjnë të ndryshme protestat e viteve 90-91 me ato të sotmet:
Së pari, në vitet 90-91 ishte vetë regjimi që, pas rënies së murit të Berlinit, u shtrëngua të bënte lëshime dhe ndryshime për të gjetur një tranzicion të butë - sepse nuk mund të mbahej dot më në këmbë - derisa arriti në pranimin e pluralizmit politik dhe të zgjedhjeve pluraliste.
Së dyti, i gjithë ky proces pati mbështetjen aktive politike e diplomatike të Perëndimit të angazhuar për të shembur sistemin komunist.
Pra, e ashtuquajtura lëvizja studentore, që sot mitizohet sikur ta ketë sjellë ajo ndryshimin, në fakt u përdor thjesht si instrument i ndryshimit të sistemit, i kalimin nga regjimi i një bande kriminale në shtetin e së drejtës. Lëvizja e përshpejtoi sadopak këtë proces, por duke qenë e mbështetur nga një prapavijë e rëndësishme politike.
Sot, po të dëgjosh kërkesat e studentëve, veçanërisht me veshët e një ndërkombëtari, ato mund të konsiderohen si protesta kundër vendimmarrjes së një qeverie demokratike që prek një grup të caktuar interesi. Madje qeveria shfaqet e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre dhe, për këtë, kërkon dialog dhe negociata. Kështu e kanë interpretuar edhe disa  ambasadorë ndërkombëtarë në vend, sikur në Shqipëri demokracia funksionon. Pra, sot as kemi ndonjë predispozitë nga njerëzit e regjimit për të ndryshuar strukturat e pushtetit të tyre dhe as kemi ndërkombëtarë që mund ta mbështesin këtë protestë për përmbysjen e një  regjimi.

Protestat dhe viti 97
Pse ngulmoj të përdor fjalën regjim? Sepse, po ta lidhim protestën e studentëve me protestat e tjera që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vend, me skandalet e papara të korrupsionit dhe të grabitjes së pronës publike si dhe me faktin se këto bëhen në bashkëpunim me një polici, drejtësi dhe media të kapura, këto protesta - potencialisht - mund të konsiderohen si kundër regjimit të instaluar nga një pakice kriminale. Me fjalë të tjera kundër një aberracioni të rëndë të kapitalizmit dhe demokracisë që u vendos në letër më 1991. Po t’i shohim kështu, protestat po zhvillohet në një kontekst shumë më të ngjashëm me atë të fillimit të protestave të vitit 97. Edhe asokohe kishim aberracionin e idealeve  të 90 - 91-shit në një regjim ku, megjithë ekzistencën e partive opozitare, sundonte një parti e vetme që kontrollonte drejtësinë, policinë, mediat kryesore dhe, - vini re ngjashmërinë -  kontrollonte edhe ekonominë që bazohej kryesisht në piramidat financiare që vidhnin lekët e shqiptarëve, me një pjesë të të cilave paguhej edhe fushata elektorale e partisë në pushtet. Le të kujtojmë gjithashtu se ky regjim kishte edhe mbështetje ndërkombëtare. Në vitin 1996 ky regjim grabiti votat dhe shtypi lehtësisht protestën e mekur të opozitës pa ndonjë reagim kushedi të ndërkombëtarëve. Një ngjashmëri tjetër me atë kontekst është fakti se, ashtu si sot, populli ndihej i pafuqishëm të reagonte politikisht, priste ndihmën e ndërkombëtarëve apo një « deus ex machina », kurse opozita një-dy e shkonte ankohej nëpër ambasada.
Si « deus ex machina » asokohe erdhi rënia e piramidave që bëri që njerëzit të mobilizohen dhe të dalin në rrugë me thirrjen « Duam paret tona!». Opozita e përdori këtë pakënaqësi të madhe popullore për të rrëzuar qeverinë. Për këtë partia më e madhe opozitare, PS, pranoi krijimin e një fronti të bashkuar opozitar, « Forumi për Demokraci », që u dha drejtim protestave. Përmasat e protestave dhe dhuna kundër tyre rritën ndjeshmërinë perëndimore duke sjellë gazetarë të huaj që u mirëinformuan se çfarë po ndodhte dhe, me botimin e shkrimit të « The Independent » : « Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim » pati një rënie të ndjeshme të mbështetjes ndërkombëtare për regjimin.
Cili është ndryshmi më i madh me vitin 97? Dikush mund të thotë se piramidat ranë menjëherë dhe prekën një pjesë shumë më të madhe të popullsisë kurse sot fuqia e protestave është shumë më e dobët dhe reagimi i regjimit shumë më pak i dhunshëm. Këto qëndrojnë, por në funksion të krahasimit dua të ve në dukje një ndryshim tjetër që për mua mbetet thelbësor. Ndryshe nga sot asokohe nuk bëhej fjalë për « refuzim të politikës», dmth. të opozitës, siç bëhet sot nga një pjesë jo e vogël ; përkundrazi bashkëpunimi i Forumi për Demokraci me protestuesit ishte i hapur. Berisha u përpoq të akuzonte Partinë Socialiste duke kujtuar trashëgiminë e saj të keqe - ashtu siç bën sot Rama duke iu referuar të kaluarës së PD dhe LSI - por kjo nuk ngjiti pasi në atë lëvizje kishte edhe shumë ish aleatë të Berishës si dhe pasi Partia Socialiste kishte bërë ndryshime themelore si përsa i përket vizionit ashtu edhe përsa i përket udhëheqësisë së saj. Pasja e një force politike në krye të protestave të vitit 97 ishte determinuese për suksesin e saj nëse mund të quhet sukses rrëzimi i qeverisë Berisha (nuk po hyj këtu të merrem me koston e kësaj përmbysjeje) si dhe disa ndryshime pozitive që solli në vend. Me sytë e sotëm mund të thuash se ndryshimi kryesor ishte se opozita përbëhej nga politikanë që nuk ishin provuar në pushtet; premtimet e të cilëve besoheshin edhe si vepra të tyre të ardhshme, siç fatkeqësisht nuk ndodhi.

Protesta kundër sjelljes së armëve kimike
Refuzimi i partive të komprometuara në  protestën e studentëve e bën atë më të ngjashme me protestën e nëntorit 2013 kundër vendimmarrjes për sjelljen e armëve kimike. Në atë protestë, si sot, kishte edhe shumë njerëz që e kishin mbështetur ardhjen e Ramës në pushtet. Por përsëri kemi disa ndryshime të rëndësishme. Vërtet vendimmarrja e Ramës fliste për rrezikun që paraqiste etja e këtij njeriu për pushtet, por ama si individ, jo si kryesuesi i regjimit oligarkik kriminal, siç është bërë sot. Protesta në fakt, nuk i prekte interesat e oligarkëve dhe krimit të organizuar, sepse askush prej tyre nuk përfitonte nga armët kimike, prandaj dhe Rama pati kundër thuajse krejt mediat e oligarkëve plus edhe aleatin e tij në koalicion LSI-në.

Protesta e kuksianëve
Duke e trajtuar protestën e studentëve si të një grupi interesi kundër sistemit oligarkik dhe të lindur jo nga nxitja e opozitës, por nga halli i qytetarëve, protesta e studentëve është më e ngjashme me protestën e Kuksianëve, paçka se më sensitive si çështje dhe jo lokale, por kombëtare.
Duke e trajtuar si të tillë ka nga ata që thonë se, duke qenë protestë ku grupet e interesit i imponohen nga poshtë vendimmarrësve kjo mund të jetë rruga më e mirë e forcimit të demokracisë. Sipas meje kjo logjikë mund të jetë frytdhënëse në një sistem ku demokracia funksionon, ku ka drejtësi dhe media të pavarura dhe zgjedhje të lira. Në një regjim, kjo nuk funksionon siç e provoi edhe protesta e kuksianëve. Ka shumë më tepër mundësi që, në kushtet e një regjimi si ky i yni, protesta të tilla të shërbejë për të kundërtën e demokracisë. Në ç’kuptim ? Në kuptimin se historia tregon se pak trazira u bëjnë mirë regjimeve antipopull pasi u shërbejnë si stërvitje për të forcuar muskujt, për të stërholluar strategjinë e sundimit, metodat e përçarjes, pikat ku duhet të ndërhyjnë për të blerë, korruptuar, frikësuar e me radhë. Lidhur me këtë mundësi krahasimi me protestën e Kukësit mbetet për tu parë në vazhdim.

Si përfundim
Do të thosha se e përbashkëta e tërë protestave që përmenda është se, në një mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, populli nëpërmjet tyre ka kërkuar të bëhet vendimmarrës për fatet e veta, pra ato kanë qenë përpjekje e tij për pushtet, dmth. demokraci. Duke i parë kështu mund të thuhet se edhe kur kanë arritur të kthejnë mbrapsht ndonjë vendimmarrje apo të rrëzojnë ndonjë qeveri ato kanë realizuar pak ose aspak përsa i përket demokracisë. Ato nuk kanë arritur t’i tregojnë vendin llojit më të keq të shqiptarëve: atyre që e kanë ndërtuar interesin e tyre në kurriz dhe kundër shumicës, jo në harmoni me të dhe në shërbim të saj. Në këtë kuptim ato kanë qenë « shanse të humbura», (siç po e profetizojnë disa edhe fatin e kësaj  lëvizjeje studentore). Por a kanë qenë vërtet shanse të humbura apo shanse të pamundura për shkak të pafuqisë së shqiptarëve për tu bashkuar për interesin dhe të ardhmen e tyre të përbashkët? Çfarë duhet bërë që këto protesta të sjellin demokraci dhe jo të ndërrojnë banditë në pushtet? Gjykoj se kjo protestë duhet t’i nxisë të gjithë për reflektim ndaj kësaj pikëpyetjeje. (Panorama, 22 dhjetor 2018)

Read More......

Thursday, December 20, 2018

Pse protesta është dhe duhet të jetë politike

Një nga gjërat që bije në sy në protestën e studentëve është ngulmimi i një pjese jo të vogël për të deklaruar se protesta nuk është politike. Siç e kuptoj unë ky ngulmim vjen për t’i mbajtur të gjithë bashkë në një emërues të përbashkët që mbledh sa më shumë studentë në protesta: plotësimi i tetë pikave ndër të cilat më e rënda për qeverinë duket se është rritja e shpenzimeve për arsimin në buxhet në 5%. 
Po a mund të konsiderohet kjo një kërkesë « jo politike »? Le ta arsyetojmë. Që të ndryshosh buxhetin duke e çuar në 5% pjesën për arsimin do të thotë, minimumi,  të bësh ndryshime në politikat e investimeve të parashikuara. Ajo që bije në sy në investimet e qeverisë janë milionat që do të derdhen në rrugët e florinjta të Edi Ramës, ndër të cilat psh. 40 milion shkojnë vetëm për 2 km rrugë tek Astiri. E pra, aritmetika më e thjeshtë ekonomike ta do që nëse do të transferosh të holla tek studentët duhet t’ua heqësh këto një pjese prej këtyre rrugëve.
Mirëpo Edi Rama e ka shumë zor ta bëjë këtë pasi sistemi që ai ka zgjedhur për të qeverisur e që po e çon nga krimi në krim,  është ai i bashkëpunimit me një pakicë (që fëmijët i çon nëpër shkolla private jashtë shtetit) për të sunduar shumicën. Kjo pakicë është shumë më me vlerë për Edi Ramën sepse me atë kontrollon krejt buxhetin sipas qejfit, që pastaj e përdor për të blerë votën, për të korruptuar drejtësinë, shoqërinë civile, televizionet, por edhe për tu pasuruar reciprokisht duke futur në xhepa një pjesë të majme të parave të këtyre investimeve.
Është kaq e thjeshtë të dashur studentë. Kryeministri nuk është « me ju » dhe « për ju » në atë zyrë pasi është « me ata » dhe « për ata » me të cilët ju vjedh e grabit përditë. Siç e keni kalkuluar edhe vetë rikryerja e provimeve për së dyti për ata që ngelin i kushton shtetit një shifër tejet të vogël, por  kryeministri jua dhjetëfishoi tarifën pasi pjesën tjetër synonte ta çonte tek rrugët e florinjta prej ku të do të merrte pjesën që i duhet për partinë, për xhepat e veta dhe të ministrave e me radhë. Ai sot është vënë në hall të madh nga protestat sepse po i prishin planet e parasë që i siguron pushtetin dhe të pushtetit që i siguron paranë. Mjafton të shikosh se si i ka stërfryrë buxhetet e rrugëve të florinjta për të kuptuar se nuk ka hallin tuaj e të njerëzve, por të vjedhjeve
Protesta juaj edhe kur thoni « jo politikës » prandaj do qëndrojmë tek Ministria edhe kur thoni « po politikës »  prandaj do shkojmë tek Kryeministria është politikë. Ndryshimi është se janë dy politika të ndryshme që të çojnë në dy zgjidhje/zgjedhje të ndryshme.
Zgjidhja e parë « jo politike » është ajo që Edi Rama aplikoi  pas protestave në Kukës dhe që, për fat të keq, u aprovua nga kuksianet dhe nuk u denoncua si duhet nga opozita. Rama pranoi që kuksianet të  paguajnë më pak, por vendosi që paratë që do të merrte Kastrati të paguheshin nga gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve. Në rastin tuaj kjo zgjidhje do të thotë që, nga halli, t’ua plotësojë juve kërkesat (në një masë të caktuar) dhe paratë që kishte parashikuar nga buxheti për t’i grabitur e për t’i çuar në of-shore t’i mbledhë nëpërmjet taksash të tjera që do t’u vihen në mënyra të tjera juve dhe prindërve tuaj. Me një fjalë ajo që do t’ju jepet  me një dorë do t’ju merret me dorën tjetër  dhe ju dhe prindërit tuaj do të dilni në të njëjtën qafë mali. Kjo është zgjidhja që ju premton zgjedhja e kësaj politike « jo politike », që nuk kërkon të merret me sistemin e sundimit politik që ka ngritur Edi Rama & Co. 
Zgjedhja tjetër, e protestave « politike », nënkupton që nisur edhe nga halli juaj, të hidhni vështrimin në krejt trupin e sëmurë të Shqipërisë - siç edhe ju takon. Të ndërgjegjësoheni pra se « halli» juaj është thjesht një metastazë, siç është metastazë edhe skandali i fallcifikimeve tek tenderi i Astirit, edhe ai i rrugëve të florinjta të Edi Ramës. Dhe ju takon ta bëni këtë më shumë se kujtdo si pjesa më intelektuale e vendit. Sepse nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të shihni vetëm hallin tuaj. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të keni hall vetëm t’ju kthehen lekët dhe të mos denonconi dhe dënoni hajdutët. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente të mos bashkoheni me protestuesit e Astirit e këdo tjetër që synon të ndalë turravrapin kriminal të këtij regjimi. 
Nëse bëni zgjedhjen e parë që ju e quani « jo politike » në fakt do të votoni për një politikë nënshtrimi ndaj këtij sistemi hajdutërie që rrezikon t’ju vendosë në anën e gabuar të barrikadës. Prandaj gjykoj se duhet të bënë zgjedhjen e dytë: të shkoni tek burimi i kacerit që e ka lënë arsimin në Shqipëri në ditë të hallit, që i ka bërë shqiptarët të kërkojnë të ikin nga sytë këmbët prej këtij vendi të bekuar për nga pasuritë dhe klima, që do t’ju ofronte të gjitha të mirat sikur të qeverisej nga njerëz të ndershëm siç kërkojmë nga ju të bëheni. Mos harroni për asnjë çast se protesta juaj u ka dhënë shpresë shumë shqiptarëve të dëshpëruar jo sepse ju do të zgjidhni hallin tuaj, por sepse tek ju ata panë të ringjallet shpresa se e mira dhe drejtësia mund të fitojnë në këtë vend se shqiptarët mund t’i japin fund një sistemi qeverisjeje të bazuar në grabitjen dhe shkatërrimin e së ardhmes së shumicës nga një pakicë kriminale. Po të luftoni edhe në emër të tyre do të bëheni shumë më shumë e mund t’i jepni udhë një procesi ndryshimi për mirë. Po të luftoni vetëm për hallin tuaj shumë shpejt do të mbeteni vetëm, nën kthetrat e së keqes. (Panorama, 13 dhjetor 2018)

Read More......

Thursday, December 13, 2018

Protestat dhe regjimi Rama - Ulaj


Gjatë protestave të njerëzve tek “Astiri” , kam dëgjuar shpesh të akuzohet Rama se po bën gjëra që të kujtojnë regjimin komunist, duke pasur parasysh dhunën e ushtruar ndaj njerëzve në atë regjim (disa duke e lidhur edhe me trashëgiminë familjare të shumë prej rilindësve). Ndonjë ma ka thënë këtë ide edhe si vërejtje kur më ka dëgjuar të shprehem se ajo që po ndodh tek “Astiri” është fashizëm. Gjykoj se në këtë situatë ku njerëzit e “Astirit” janë në rrugë, kur studentët janë në protesta,- që nuk mund të mos konsiderohen si protesta kundër shkakut/sistemit që i ka nxjerrë në rrugë,- ia vlen të shtrohet pyetja se çfarë është ky sistemi ynë në mënyrë që të dimë se çfarë duhet të luftojmë dhe si ta luftojmë.
* * *
Kur Musolini ka dhënë një përkufizim se çfarë ishte fashizmi, është përgjigjur se: “Fashizmi është fuqia financiare e korporatave, mbështetur nga fuqia shtrënguese e shtetit”. Po t’i referohesh këtij përkufizimi të fashizmit, që e lidh sistemin politik me atë ekonomik (vë në dukje se kam parasysh përkufizimin e cituar të Musolini, jo fashizmin si regjim i pajisur edhe me ideologji nacionaliste, fashizmin e dallimeve raciale të Holokaustit dhe të Luftës II), vështirë të mos e vësh re se tek “Astiri” kemi të bëjmë me korporata private që përdorin forcën shtrënguese të shtetit kundër njerëzve. Së fundmi, “The Guardian”, duke iu referuar dhunës policore në Francë ndaj lëvizjes së jeleqeve të verdhë, ka botuar një artikull të famshëm të Bertold Brecht të vitit 1935 me titull “Fashizmi është fytyra e vërtetë e kapitalizmit”, të shoqëruar me foto të demonstruesve të gjakosur nga Policia. Sipas Brechtit, kapitalizmi degjeneron në fashizëm atëherë kur të pasurit kalojnë në përdorimin e dhunës së shtetit, që e kanë kapur nëpërmjet fuqisë financiare, për të mbrojtur interesat e tyre. Argumenteve të autorit të Arturo Ui, një pjesë, me të drejtë, u kundërpërgjigjen me idenë se komunizmi, për të cilin ai luftoi në emër të zhdukjes së pronës private si burim i së keqes, nuk ishte tjetër veçse një “kapitalizëm shtetëror” ku e gjithë ekonomia e vendit kishte një pronar të vetëm – nomenklaturën komuniste. Pra, kulmi i degjenerimit të kapitalizmit, si dhunë e një bande kriminale që ka kapur shtetin për interesat e veta, nuk ishte fashizmi, por komunizmi ku kishte një korporatë/pronar të vetëm.
Si do ta cilësonim sistemin tonë, që ka nxjerrë sot në rrugë studentët dhe njerëzit e “Astirit”, duke iu referuar këtyre përvojave historike, por edhe pa rënë në shkollarizëm? Le t’i referohemi skandalit “Astiri”.
Sipas burimeve të besueshme të nxjerra edhe nëpër media, e të pakundërshtuara nga i akuzuari, oligarku kryesor i përfshirë në këtë histori, quhet Bashkim Ulaj. Zotëria në fjalë ka marrë tendera pa fund edhe gjatë kohës së Berishës, edhe gjatë kohës së Ramës. Zotëria në fjalë (gjithnjë sipas mediave) po shkatërron me leje shtetërore edhe Valbonën, duke ndërtuar atje HEC-e, ai ka hapur edhe një televizion “A2”, që thuhet se është filial i “CNN”, në përurimin e të cilit mori pjesë edhe Rama vetë; ka ngritur edhe një kullë që quhet “Aba” ku ka zyrat edhe ish-shefi i opozitës Berisha, por edhe BE-ja. Sipas dokumenteve të tjera të ekspozuara edhe në emisionin “Te paekspozuarit” me titull “Rrugët e florinjta të Edi Ramës”, zotëria ka marrë nga Rama edhe një tender prej 350 milionë eurosh për një nga rrugët e florinjta. Nuk i kam rreshtuar të gjitha bizneset e tij dhe tenderat që ka marrë, por them se, për Shqipërinë e vogël, kaq mjaftojnë për t’i vënë emrin “korporatë”.
E pra, duke iu referuar dy përkufizimeve që përmenda më sipër të fashizmit dhe komunizmit, kjo lidhja Rama – Ulaj e degjeneruar në dhunë tek “Astiri” duket më shumë si fashizëm sesa si komunizëm. Por le ta thellojmë arsyetimin duke tentuar më parë të përkufizojmë edhe atë që quhet thjesht kapitalizëm e që konsiderohet si e mira përballë të këqijave si fashizmi dhe komunizmi.
Për komunistin Bertold Brecht, ata që janë kundër fashizmit, pa qenë kundër kapitalizmit, janë si njerëzit që dëshirojnë të hanë mishin e viçit, por që nuk mund të shohin me sytë e tyre gjakun e viçit të derdhur nga kasapi, prandaj ndihen të lehtësuar kur ky ua servir atë pasi i ka larë duart. Prandaj, thotë ai, pa zhdukur pronën private, si burim i të këqijave, herët apo vonë, do të na shfaqet fashizmi. Mirëpo, siç e kemi parë në kurrizin tonë, prona private e kthyer e tëra në pronë shtetërore, në emër të komunizmit, e menaxhuar nga partia- shtet prodhoi një dhunë e gjak edhe më të madh. Nisur nga këto përvoja, mund të themi se sistemi i kasapit që lan duart pasi ther viçin mund të quhet e keqja më e vogël, që ka mundur të ndërtojë deri më tani njerëzimi. Le ta quajmë ndryshe kapitalizëm me fytyrë njerëzore ku “të shfrytëzuarit” gëzojnë të drejta të organizohen në sindikata dhe të përfaqësohen nga parti politike të majta, të protestojnë, të kërkojnë politika sociale që u sigurojnë një minimum jetese të nevojshëm, arsim dhe shëndetësi falas, barazi përpara ligjit; ku promovohet arti e kultura kritike dhe mendimi ndryshe politik, ku ka zgjedhje të lira, ku prodhohen rrotacione që edhe kur rezultojnë se nuk sjellin ndryshim, përsëri i mbajnë njerëzit me shpresë.
E pra, le të përsërisim pyetjen: po ky sistemi korporata Ulaj- shteti Rama çfarë është? Nuk më duket se ia vlen të zgjatem shumë për të treguar se që nga ’91 e këtej, kasapët te ne nuk kanë bërë ndonjëherë merak të lajnë duart pasi e kanë therur viçin. Pyetja që mund të shtrohet sot është: në raport me vite më parë (kam parasysh pas vitit 1997), a kanë kasapët tanë më shumë apo më pak kujdes për të larë duart? Skandalet e fundit tregojnë se kanë më pak. Vendimmarrje si ato tek “Astiri” ku forcën e ligjit e zëvendësoi dhuna shtetërore, sikurse ndodhi edhe me prishjen e stadiumit “Qemal Stafa”, vendimmarrja për prishjen e Teatrit, për vënien e traut në autostradën e Kukësit, ashtu sikurse edhe vendosja e gjobave të reja për studentët, janë tregues të qartë se gjatë qeverisjes Rama 2, kemi një thellim të frikshëm të fashistizimin të sistemit, marrjen nën kontroll nga një parti-bandë e vetme të të gjitha “korporatave” sipas një projekti që kjo parti të kontrollojë krejt ekonominë, krejt mediat, pushtetin e drejtësisë dhe të gjithë pushtetin politik. Arroganca fashistoide e këtyre vendimmarrjeve është shenjë e dukshme e përparimit të këtij projekti.
Dhe këtu më duhet të bëj kujdes sepse po i bie në qafë më shumë se ç’duhet fashizmit ekonomik. Pse e them këtë? Sepse të ashtuquajturat korporata në sistemet fashiste gjetkë – ndër të cilët sot mund të fus edhe Kinën – kanë prodhuar edhe të mira materiale, kurse korporatat tona vetëm thithin para publike nga shteti, me të cilin bashkëpunojnë. Në këtë kuptim, ato janë më afër ndërmarrjeve shtetërore të komunizmit. Kur flitet për rrugët e florinjta të Edi Ramës, do të vëmë re se disa individë si Ulaj, Salillari etj., thjesht kanë zëvendësuar Ndërmarrjen Rruga Ura të komunizmit që funksiononte me paratë që mblidhte banda e Enver Hoxhës nga puna e skllevërve që punonin nëpër kooperativa, miniera, kampe- burgje e më the të thashë, por me ndryshimin se ndërsa në atë regjim, përveç ndërtimit të rrugëve dhe urave, një pjesë e mirë e këtyre parave publike shkonin për të mbajtur shtetin diktatorial, propagandën dhe çdo gjë publike, sot pjesa e luanit, shkon për pasurimin e korporatave private të Ulajve me shokë.
Por ngadalë, se ka edhe më. Këtij regjimi me tipare në rritje fashisto- komuniste i duhet shtuar edhe hajdutëria dhe korrupsioni i protagonistëve të tij. Vini re: për dy km rrugë të panevojshme, Edi Rama do të nxjerrë nga paratë e shqiptarëve, nga studentët dhe prindërit e tyre, 40 milionë euro, dhe, duke shkelur të gjitha ligjet e tenderimeve do t’ua japë dy-tri korporatave, ndër të cilat pjesën e luanit, d.m.th. gati gjysmën, një kompanie of-shore që na doli se paska falsifikuar dokumentet për të përfituar tenderin. Sipas gojëve të liga, prapa saj qëndron korporata Ulaj dhe këto 20 milionë eurot nuk do të shkojnë fare në asfaltin e rrugës, por direkt në konton bankare të një njeriu të panjohur të qeverisë si shpërblim për 350 milionë eurot e rrugës së florinjtë që i është dhënë. Dhe askush nuk mund ta hetojë se cili është ky njeri i qeverisë, në është Kryeministri dora vetë apo jo, as nëse falsifikatori është vërtet Ulaj, sepse në një regjim fashisto- komunist prokuroria është instrument i regjimit.
Protestat e kohëve të fundit janë reagimi i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i njerëzve ndaj grabitjeve kësisoj. Them “apo të pavetëdijshme” se disa deklarojnë se këto protesta nuk janë politike pa e ditur se s’mund të mos jenë të tilla. Ata që janë ngritur në protesta, si studentë, ashtu edhe njerëzit e “Astirit” apo të Shkozës duhet ta kenë të qartë se është ky regjim kasapësh me duar të përgjakura që i ka nxjerrë në rrugë dhe protesta kundër tyre, është protestë kundër vendimeve politike të këtyre kasapëve. Të thuash se këtë protesta nuk janë politike; duke i trajtuar (apo devijuar ato) në kërkesa për të marrë dëmshpërblim e shtëpive tek “Astiri” apo për të rritur përqindjen e parave që do derdhen për arsimin e studentëve, është njëlloj sikur t’u lutesh plaçkitësve që mos të të marrin gjithçka, por të të lënë diçka sa për të mbajtur frymën gjallë. Se sa mëshirë kanë këta kasapë, shikojeni tek “Astiri”. Prandaj, gjykoj se protestat e studentëve, të “Astirit” e të tjera që duhet t’i pasojnë, duhet të drejtohen kundër sistemit të grabitjes që kanë ngritur kasapët me duar të përgjakura: me thirrjen që ata të largohen nga pushteti dhe të dalin përpara drejtësisë, si dhe me kërcënimin se kushdo që mendon se mund t’i zëvendësojë për të kalëruar të njëjtin regjim me të njëjtat korporata, do të ketë një fund edhe më të keq. Në këtë kuptim, gjykoj se këto protesta duhen deklaruar si politike sa më parë, se përndryshe do të jetë vonë për të gjithë.  (Panorama, 11 dhjetor 2018)



Read More......