Friday, April 8, 2011

Pse është i pamundur dialogu

Para disa ditësh duke shëtitur në Parkun e Liqenit u bëra dëshmitar i një skene interesante. Tek Parku është shtuar mjaft numri i atyre që dalin e shëtisin atje me qenin e tyre. Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumica janë të rinj dhe  se këta shpesh mbajnë qenër race nga ata të tipit rotwailer që nuk e di pse janë aq të frikshëm, për shkak të historive që kemi dëgjuar për ta apo sepse vërtet janë racë më agresive. Duke shëtitur në një nga rruginat e Parkut më qëlloi për një copë here të eci përkrah një të riu  që kishte një qen të tillë. Në një moment ai u kryqëzua gjatë rrugës me dy të rinj që kishin edhe ata një qen të së njëjtës racë, tërë muskuj deri edhe në kokë, me ata veshët e shkurtër të ngritur përpjetë dhe bishtin e shkurtër. Dy qentë sikur tentuan të afroheshin ndaj njëri tjetrit, por dy padronët i tërhoqën. Dhe pastaj midis padronëve u zhvillua një bisedë. Ai që ishte në drejtimin tim i pyeti dy të tjerët për moshën e qenit që kishin me vete. Ata i thanë se ishte dy vjeç. Duket se rezultuan të së njëjtës moshë sepse ky i pyeti nëse e kishin vënë ndonjëherë të luftonte. Ata i thanë jo.  Atëhere ky u propozoi ta provonin një herë. Edhe dy të tjerët pranuan. Kështu i afruan të dy qentë drejt njëri tjetrit. Unë ndalova të shoh se çfarë do të ndodhte dhe u çudita kur pashë se të dy qentë në vend se të fillonin të gërmusheshin u afruan heshturazi kokë më kokë dhe filluan t’i marrin erë njëri tjetrit dhe të lëpiheshin. Ndoshta edhe ngase mund të ishin njëri mashkull tjetri femër. Mirëpo padronëve sikur nuk u pëlqeu kjo skenë. Pashë se filluan t’i cytin të dy kafshët që të ndesheshin. Kështu nuk vonoi shumë dhe filluan të lehurat e dy qenve kundër njëri tjetrit që shqetësuan tërë kalimtarët.


Ndoshta do të ishte më elegante ta lija me kaq këtë shkrim, sepse morali i fabulës është i qartë, por besoj se ia vlen edhe ta konkretizojmë. Ka kaq kohë që ata që shkurt i quajmë “ndërkombëtarët” (se për shqiptarët s’pyet njeri)  që më së fundi kanë emrat Fyle, Contrymen, ambasadori amerikan Arvizu etj. po na thonë që të ulemi të zgjidhim krizën me negociata apo me parlament se përndryshe do të rrezikojmë hyrjen në Evropë do të vonojmë ecjen tonë etj., etj. E megjithatë ndonëse ne e dimë se kjo na dëmton nuk e bëjmë dot, e kemi gati të pamundur. Dhe jo vetëm politikanët tanë, por besoj se meriton të themi “ne” sepse të gjithë, si shoqëri, mund të konsiderohemi të paaftë për të bërë debat e dialog e negociata derisa nuk jemi në gjendje t’ua imponojmë këtë politikanëve. Po pse vallë kjo pamundësi tragjike? 


Në shkrimin paraardhës me titull “Që zgjedhjet të mos jenë luftë finale” i kam mëshuar shumë njërit prej shkaqeve, atë që mund ta quaja kryesisht shkaku ekonomik: grupe rivale që janë vënë në luftë për jetë a vdekje, në situatën e krizës ekonomike që na ka pllakosur, për kontroll territori dhe ekonomie. Pa e mohuar këtë, gjithë duke ngulmuar se kjo është kryesorja, gjykoj se nuk duhet neglizhuar aspekti kulturor që mund të thuash se i vishet si propagandë kësaj lufte interesash, por që edhe vepron  pavarësisht prej tyre, si një mendësi dominante e shoqërisë sonë e trashëguar prej kohëve të regjimit nacional - komunist, por edhe e rifreskuar me penelata të reja. Një nga tiparet më të spikatura të kësaj kulture është fabrikimi i armikut në emër të krijimit të unitetit dhe kohezionit të grupit. Është një kulturë që dominon shoqërinë shqiptare në mënyrë të përgjithshme, jo vetëm në raportet midis forcave politike që fabrikojnë armikun e brendshëm, por edhe kur bëhet fjalë për nevojën e armikut të jashtëm . (Mjaf të kesh parasysh për këtë debatin mbi regjistrimin e pakicave etnike kur ndonëse tani jemi në Nato e flasim për marrëdhënie miqësie e për hyrje në Evropë “armiku i jashtëm” duket sikur është e vetmja mënyrë për të ndërtuar dashurinë për vendin.) 
  
Dihet se një nga ndjenjat që ka pushtetin më të madh tek njeriu, është urrejtja, kjo bijë e frikës dhe inat i të dobtëve, siç e quajnë të urtit. Është një ndjenjë që njeriu në shekuj ka arritur ta kontrollojë nëpërmjet eliminimit të shkaqeve të frikës dhe të dobësisë në shoqëritë ku jeton,  por edhe nëpërmjet njohjes dhe arësyes. Sa më shumë një shoqëri të jetë e  bartur me frikëra, dobësira dhe padituri aq më shumë kjo ndjenjë bëhet mbizotëruese. Fatkeqësisht ky është rasti i shoqërisë sonë. E këtu vijmë tek tema e këtij shkrimi që synon të shpjegojë pse ne e kemi aq të pamundur dialogun, negocimin ndonëse të gjithë na e kërkojnë, madje edhe vetë e dimë se vetëm ashtu mund ta kolojmë krizën. Problemi është se partitë tona janë ndërtuar dhe punojnë mbi bazën e fabrikimit të armikut të brendshëm nëpërmjet gjuhës së urrejtjes që zhvillohet e kultivohet nëpërmjet këtij fabrikimi. Gjatë veprimtarisë së tyre, veçanërisht elektorale, ato kryejnë një trushpëlarje të vazhdueshme ndaj elektoratin të tyre me mediat edhe gjithshka tjetër që kanë në dorë. Urrejtja sikur bëhet i vetmi motiv për t’u ndjerë bashkë e solidarë me njëri tjetrin e për të mobilizuar votuesit. Pa armikun dhe urrejtjen ndaj tij ato sikur nuk mund të ekzistojnë dot. Dëgjoni Sali Berishën dhe jo vetëm atë në PD, por edhe shumë më të rinj, se si vazhdimisht i thonë elektoratit, gati pa doreza fare, se lufta e tyre është me këlyshët e bllokmenëve që duhet të marrin mësimin final që të zhduken si racë nga faqja e dheut, duke harruar se vetë Saliu ka qenë komunist dhe se brenda partisë së tij ka edhe shumë komunistë të tjerë apo “këlyshë” komunistësh. Dëgjoni Edi Ramë e të tijtë se si tërë ditën nuk thotë gjë tjetër veçse se si e keqja vjen nga regjimi i kusarisë së Sali Berishës, se nuk do të lenë gur pa luajtur për ta hequr qafe këtë bandë kusarësh, duke harruar se në bashkitë kryesore të vendit, që janë nën kontrollin e PS, kusaria ka bërë e po bën kërdinë. Shkurt, pra, e gjithë strategjia elektorale, por edhe ajo e luftës politike në përgjithësi, është e ndërtuar mbi filozofinë e identifikimit të tjetrit kundërshtar me armikun dhe urrejtjen ndaj tij.  Dhe pyetja që ngrihet natyrshëm është: a ka mundësi të zhvillohet dialogu, marrëveshja me dikë kur atë e urren në një mënyrë kaq totale dhe betohesh se nuk do të lesh mjet pa përdorur për ta shkatërruar? Normalisht jo, është e pamundur.  Dhe ky është problemi i paaftësisë sonë për dialog e zgjidhje të krizës me bisedime. Politikanët tanë janë, kësisoj, në një skizofreni të plotë: më nja anë atyre u duhet t’u tregojnë ndërkombëtarëve se ata po bëjnë dialog, nga ana tjetër u duhet të ndërsejnë militantët dhe në përgjithësi elektoratin e tyre me ndjenja urrejtje totale ndaj armikut. Për hir të së vërtetës duhet thënë se PD-ja, ndoshta edhe pse është në pushtet e kërkon të reflektojë siguri, duket se ka ndërtuar një strategji disi mikste në këtë drejtim: ka dalë edhe me projekte për të ardhmen me gojën e Bashës veçanërisht. Por edhe këtë duket sheshit se e bën për të goditur kundërshtarin që, sipas saj, vetëm e demonizon. Ndërkaq elektorati është i qartë  se kjo është thjesht një lëvizje taktike më shumë, se nëse gjatë fushatës shfaqet edhe një retorikë që e ve theksin tek ndërtimi dhe jo tek demonizimi i kundërshtarit, duhet ta kuptojë se kjo është sa për të larë gojën me ndërkombëtarët, pasi poshtë saj gëlon urrejtja dhe mprihen thikat. 


Këtu vlen të shtrohet edhe një pyetje, megjithatë: a e urrejnë ata vërtet kaq shumë njëri tjetrin, apo thjesht ndërsejnë turmën në një si teatër kukllash? Kur Sali Berisha shpërtheu një herë në Parlament ndaj këlyshëve të bllokmenëve që “lehin, por nuk kafshojnë” e vazhdoi me akuzat aq të stërpësëritura se janë bij të etërve të tyre etj., etj. i thashë një udhëheqësi të PD, kur e takova rastësisht, se kjo gjuhë më dukej e papranueshme pasi, e para, është kundër parimeve bazë të të drejtave të njeriut që thonë se faji është individual dhe jo kolektiv apo familjar e se fajësinë familjare e ka pas aplikuar Enver Hoxha; e dyta, sepse edhe vetë PD është plot me komunistë apo ish komunistë e bij komunistësh. Përgjigja që më tha ishte: po ai nuk flet për njerëz si ty, ai flet për militantët dhe elektoratin e gjerë - a thua se këta duhen mbajtur në gjendjen e trushpëlarjes së përherëshme. Megjithatë kjo nuk do të thotë se gjuha e urrejtjes e përdorur për retorikë, e që ka prapa interesa e pazare banale njerëzish të vegjël, nuk prodhon urrejtje. Paçka se është një retorikë sipërfaqësore, që nuk buron nga ndonjë urrejtje e njementë në nivelin e lidershipit, efekti i saj psikologjik në shoqëri është shkatërrues edhe për ata që  nuk ndjehen pjesë e kësaj loje. Në këtë kontekst gjykoj se duhet parë edhe seriali i tentativave për vrasje të kohëve të fundit që dikush e interpreton me sfond politik dhe dikush me sfond ordiner, interesash dhe pazaresh të prishura. Sipas meje të dyja nuk e përjashtojnë njëra tjetrën përkundrazi e ushqejnë njëra tjetrën. Dhe kam frikë se jemi vetëm në fillimet e kësaj urrejtjeje në shpërthim që është pasqyrë e një frike dhe dobësie të madhe të klasës sonë politike. 


Si duhet të reagojë ndaj kësaj gjuhe urrejtjeje pjesa jo militante e elektoratit, që gjykoj se është shumica e shqiptarëve? Duke u dhënë sinjalin - sipas meje me abstenim, por jo vetëm: edhe duke votuar rast pas rasti sipas kandidatëve apo problematikës që jeton - se është më e vetëdijshme për realitetin që jeton dhe më e aftë për dashuri dhe dialog sesa qentë rotwailer të ngjarjes që tregova në krye të shkrimit. (Panorama, 6 prill 2011)

Monday, April 4, 2011

Që zgjedhjet të mos jenë luftë finale

 Nëse do të bënim një analizë të ftohtë të këtyre zgjedhjeve gjykoj se e para gjë që do të duhet të thonim është se këto janë zgjedhjet më të vështira që bën Shqipëria, ndoshta që prej vitit 1996. E them këtë pasi kam përshtypjen - që s’është vetëm e imja - se këto zgjedhje po përgatiten dhe përjetohen më shumë se të tjerat si lufta finale midis dy forcave politike të mbetura në fushëbetejë (PD – PS ) pasi kanë eliminuar tërë rivalët e mundshëm më të vegjël dhe më të mëdhenj.

Po pse luftë finale? Sipas meje nuk është thjesht dhe vetëm kultura totalitare, autoritare e trashëguar nga partia prej së cilës kanë dalë (PPSH) që i shtyn këto parti të sillen sikur po bëjnë luftë finale. Kjo kulturë ka qenë edhe më parë dhe do të thoja se edhe zgjedhjet e mëparëshme kanë patur goxha karakterin e një lufte finale. Por këto që po vijnë e kanë shumë më të theksuar këtë aspekt për shkak të zhvillimeve ekonomike, sociale e politike të vendit gjatë këtyre viteve të fundit, që po tregojnë gjithnjë e më shumë se dy partitë kryesore, pasi eliminuan të tjerat (ato që kanë mbetur janë thjeshtë fantazma të pluralizmit)  nuk kanë motive të mjaftueshme për ekzistencën e tyre si dy parti për shkak se, sa më shumë kalon koha, aq më pak ato përfaqësojnë shtresa të ndryshme social ekonomike apo kultura, histori e projekt - vizione të ndryshme për botën.
Pa mohuar përkatësinë e ndryshme, përsa i përket historive familjare të votuesve në kohën e Hoxhës, gjykoj se ata që diktojnë realisht politikat e këtyre dy partive janë gjithnjë e më shumë të ngjashëm me njëri tjetrin si dy pika uji, në mos qofshin edhe të njëjtët persona në shumë raste. Që të dyja përfaqësojnë interesa të së njëjtës shtresë ekonomiko shoqërore, që janë oligarkët e vendit, të cilët nuk kanë ndonjë interes të veçantë që të jenë në dy parti të ndryshme përveçse për të marrë kontrollin e plotë të territorit e të ekonomisë në duart e tyre. Jo vetëm, por midis tyre është edhe një kategori e tretë, shumë e gjerë, që i paguan të dyja partitë gjatë fushatave dhe që gjithnjë e më shumë bëhet e vetëdijshme se nuk ka ndonjë interes që ta bëjë këtë.
Duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike që duket sheshit nëpër dyqanet e supermerkatot bosh, apo në apartamentet e shtëpitë e papërfunduara apo të pashitura, ka shumë më tepër arësye që lufta politike e këtyre  grupeve për të marë kontrollin përfundimtar të territorit e të ekonomisë nëpërmjet marrjes së kontrollit të politikës, të përjetohet si luftë finale apo për jetë a vdekje. Pra në këtë kontekst kjo luftë finale vjen edhe si tregues i dështimit në shumë aspekte të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, të ndërtimit e kultivimit të diversitetit politik kulturor dhe të përfaqësimit të shtresave të ndryshme të popullsisë.
Në kushtet e kësaj lufte finale ne ndodhemi përpara dy skenarësh ose më saktë përpara dy rreziqesh. Rreziku i parë është ai që PD-ja të fitojë këtë zgjedhje me çka kuptohet edhe fitorja e Tiranës. Rreziku i madh i kësaj është që, në këtë rast, të mbetemi nën diktatin e një partie të vetme me një opozitë, të mbetur vetëm te PS, që në këtë rast do të implodojë edhe për shkak se sponsorët e saj ose do të  falimentojnë ose do të shkojnë të gjithë afër PD-së. Kjo do të ketë pasoja të rënda të lidhura me rritjen e autoritarizmit dhe arrogancës së PD-s, të shpërdorimit të pushtetit dhe të parave të shqiptarëve që Berisha i ka manifestuar pa kursim edhe me ekzistencën e një opozite të rëndësishme çka do të thotë se do të na mrrudhen e kërcënohen edhe mjaft të drejta e liri të shprehjes e me rradhë.
Rreziku tjetër është që PS të fitojë zgjedhjet dhe atëhere kjo do të konsiderohet prej saj, siç dhe ka premtuar, jo si një fitore e pushteti lokal, por si një fitore politike, që do të interpretohet pastaj prej saj edhe si një delegjitimim i zgjedhjeve të 2009. Pra, pas kësaj fitoreje do të ndodhemi nën rrezikun e një lufte të përditëshme civile pa armë midis dy forcave kryesore që do të vazhdojë deri në vitin 2013 nëse Berisha reziston. Me shumë gjasa sipas këtij skenari në periudhën 2011 - 2013 do të kemi një PS që arrin fitoren finale me të njëjtat pasoja si ato që parashtrova në rastin e fitores së PD më 2011.
Shkurt pra, përjashto militantët që ëndërrojnë pa dilema fitoren përfundimtare të palës së tyre, ne të tjerët, që mendoj se jemi shumica e shqiptarëve dhe, sipas meje, edhe të papërfaqësuar nga asnjëra nga këto parti, ndodhemi përpara rrezikut të një fitoreje finale të PD më 2011 me instalimit e pushteti të Sali Berishës dhe të një fitoreje finale të PS në periudhën kohore 2011 - 2013 me instalimit të pushteti të Edi Ramës me pak mundësi ndryshimi të kësaj situate për një kohë të gjatë.
Ndërkaq nuk duhet të harrojmë se demokracia është bash e kundërta e fitoreve finale. Ajo do të thotë pushtet i popullit jo thjeshtë si retorikë, por në kuptimin që pronar i karrikes së pushtetit është populli i cili ua jep si të thuash me qira, dhe me kontratë, për përfitimet e tija, këtë karrike partive të ndryshme, por kurrsesi përgjithmonë.
Çfarë duhet bërë që të shpëtojmë nga rreziku i këtyre dy skenarëve që do të thotë, metaforikisht, të kalojmë midis Shillës dhe Karridbës pa rënë viktima të asnjërës prej tyre. Sot për sot shqiptarët, për fat të keq, kanë në dorë për këtë vetëm një instrument: votën e tyre. Sipas meje më i suksesëshmi për të dhënë mesazhin se karriken e pushteti nuk mund ta fitojë kurrë përgjithmonë asnjëri do të ishte bojkotimi masiv. Në mungesë të këtij, pa hyrë në hollësira, do të thoja se përdorimi sa më i zgjuar i kësaj vote duhet të jetë ai që do t’ i bënte të dyja palët të mos ndjeheshin të sigurt se e kanë fituar betejën përgjithmonë. (Panorama, 31 mars 2011)