Saturday, December 19, 2009

Rregullat e lojës dhe kush e fiton lojën

Atmosfera që ka krijuar konflikti i kohëve të fundit midis mazhorancës dhe opozitës është e tillë që sikur kërkon t'i heqë trurin e madh shoqërisë, dmth. aftësinë për të menduar, racionalizuar konceptualizuar. Kjo sepse të dy palët në konflikt po ngacmojnë trurin e vogël të njerëzve, atë të emocioneve, me gjuhën e urrejtjes e të fyerjes, me eksitimin e militantëve nëpër sheshe, me ftesat për veprim, për rreshtim në një krah apo në tjetrin. Ndërkaq, për një numër jo të vogël njerëzish, që, sipas meje, është maxhoranca e vërtetë, kjo krizë ka thelluar emocione negative dëshpërimi. Ata që nuk jetojnë me emocionet e kësaj lufte civile pa armë, por që, përkundrazi, ndjehen të dhunuar prej saj, thonë shpesh e më shpesh: "Ç'është ky mallkim?!", "Kur do të shpëtojmë nga këta të marrë?"
Sipas gjykimit tim këta të dytët, të dëshpëruarit, janë më pranë mundësisë së racionalitetit sepse një pjesë syresh kërkojnë të dalin nga dëshpërimi me gjetjen e rrugëzgjidhjes. Po ashtu, për fat të mirë, ethja e luftës që u transmetohet militantëve, nuk, është ende e tillë që t'i nxisë në veprime dhune. Dhe kjo për shkak se kriza është një krizë e përsëritur ndaj të cilës shoqëria ka njëfarë imuniteti.
Kjo bën që mendimi racional, ndonëse i pakët, të mos mungojë krejt në shoqërinë tonë. Dhe të mendosh e konceptualizosh në këtë situatë, sipas meje, do të thotë të nxjerrësh disa mësime, që nuk se nxirren për herë të parë, por që, me përsëritjen, duket se bëhen gjithnjë e më evidentë.
Sipas gjykimit tim mësimi kryesor që duhet të nxjerrin shqiptarët nga kjo krizë është se në demokraci rregullat e lojës janë më të rëndësishme sesa kush e fiton lojën. Pra, problemi që na shtrohet përpara më kthjelltësisht se kurrë është se si ta shembim një kulturë të trashëguar nga diktatura sipas së cilës e rëndësishmja nuk qëndron në rregullat e lojës, por se kush e fiton lojën. Pra, se si të bëjmë pjesë të vetëdijes sonë se më e rëndësishme është të kesh zgjedhje të lira dhe të ndershme se sa t'i fitosh këto me çdo mjet; të kesh një pushtet gjyqsor të pavarur dhe jo të përpiqesh ta kapësh për fyti pushtetin gjyqsor; të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe jo të kemi dy ligje, një për miqtë dhe tjetrin për armiqtë.
Duke i renditur këto ide më duket sikur po rendis një leksion të mërzitshëm, nga ato që perëndimorët bënin në fillim të demokracisë. Dhe nuk ka punë më të mërzitëshme sesa të thuash gjëra evidente: jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit, demokraci do të thotë shtet ligjor, "the rule of law". Bëhet edhe më e mërzitshme dhe qesharake përsëritja e këtyre mësimeve evidente pasi është po aq evidente se këto mësime ne nuk i kemi përvetësuar kurrë seriozisht, por vazhdojmë t'i (sh)përdorim me lehtësinë më të madhe. Kriza që po kalojmë e provon këtë, por, po kjo krizë, imponon megjithatë, pikërisht pse është krizë, kërkesën për një zgjidhje jo vetëm në terma afatshkurtëra, por edhe në terma afatgjata, si mësim prej saj. Diçka pra duhet bërë. Nga diku duhet filluar për të arritur që edhe në Shqipëri ligji të ketë më shumë rëndësi sesa "maliqi".
Me këtë "diçka" nuk kam parasysh zgjidhjet afatshkurtëra të tipit që propozojnë kryesisht palët në konflikt: "të hapen kutitë", "harroini kutitë"; "të hyet në Parlament", "të vazhdohet bojkoti", "do t'i shkulim dhëmballët e mafjes", "hap kutitë ose largohu!"; as tentativat e fundit të disave për pajtimin e Berishës me Ramën. Sipas meje, kush ndalet vetëm në këtë nivel, thellë thellë nuk kërkon ndryshimin e kësaj gjendjeje, pasi ajo i leverdis. Me "diçka" kam parasysh disa hapa që më duken thelbësore për ndryshimin e drejtimit të mbrapshtë që kanë marrë punët e politikës sonë.
E vërteta është se ne kemi bërë disa hapa duke ngritur disa institucione të demokracisë, duke hartuar mjaft ligje, por, nga ana tjetër, e dimë shumë mirë se këta janë shumë më pak të rëndësishëm sesa "insitucionet" e dhunës, hilesë, rryshfetit, mikut klanit etj. me të cilat operojnë politikanët tanë e shoqëria në përgjithësi, nën shembullin e tyre. Të ndërtosh demokracinë, në këtë kontekst, do të thotë se si arrish të dobësosh këta institucione të paligjëshme në favor të fuqizimit të institucioneve të ligjshme. Dhe kriza që po provojmë, sipas meje, na mëson se, për të arritur këtë, duhet të ndalim prirjen e rrezikshme që po na çon në drejtimin e kundërt me këtë.
Për të kaluar në një terren më konkret: le të marrim shembullin e institucioneve që duhet të forcohen, duke patur parasysh krizën aktuale. Kriza ka nxjerrë në pah, si problem kryesor, atë të mungesës së një arbitri autoritar e të padiskutueshëm midis të dy palëve. Me arbitër kam parasysh institucione të tilla si gjyqsori i pavarur, institucioni i presidentit, apo shoqëria civile, mediat, intelektualët. Çfarë ka ndodhur në vendin tonë? Presioni i dy partive në konflikt ka synuar t'i pakësojë fuqitë e këtyre insitucioneve me çdo kusht. Ky presion ka qenë aq i madh sa, duke e ditur se, qoftë edhe thjesht me të shkruara në ligj, disa institucione mund të bëhen nesër të rrezikshëm, ata kanë marrë masa që edhe në ligj këta të jenë të dobët. Le të kemi parasysh vetëm faktin se, kur u hartua kodi zgjedhor, dy partitë e mëdha bënë kujdes të mos kishte arbitër, por të kishte përfaqësues të tyre që të kontrollonin njëri tjetrin. Madje hartuan një kod zgjedhor që eliminonte edhe shumë parti të vogla që i kishin nëpër këmbë e që nesër mund të rrezikonin pushtetin e tyre. Po ashtu ato bënë kujdes që Presidenti të ishte i kontrollueshëm nga pushteti i tyre. Nuk po flas këtu për "kujdesin" që ato kanë bërë për të vënë në shërbim të tyre mediat dhe shoqërinë civile që e kam shtjelluar mëse një herë. Dhe e gjitha kjo është bërë në kuadrin e një strategjie të tillë ku të dy palët e kanë imagjinuar veten si forca që, në një të ardhme të afërt, do të arrijnë ta eliminojnë kundërshtarin dhe të mbeten vetëm. Në fakt, nëse qëllimi është ta eliminosh tjetrin, atëhere ç'kuptim ka të përpiqesh për ekzistencën e një arbitri që të arbitrojë ndeshjen midis teje dhe atij? Ç'kuptim ka të flasësh për rregulla loje kur ti mendon se me fitoren tënde mbaron çdo lojë?
Mësimi kryesor që del nga kriza është se drejtimi që i ka dhënë vendit kjo strategji, që ka zhvleftësuar nevojën e arbitrit dhe të ligjit, duhet të ndryshojë. Shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të shikojë nevojën e çlirimit prej saj. Ashtu siç u çliruam nga monopartitizmi i partisë së punës sot është detyrë urgjente të çlirohemi nga bipartitizmi PD -PS. Dikush mund të më thotë se nuk mund të vihet në një plan maxhoranca me opozitën, se opozita pikërisht këtë po bën me luftën e saj, po përpiqet të mbijetojë. Për mua opozita nuk po përpiqet të mbijetojë, por të fitojë duke e eliminuar tjetrin. Edhe ajo ka bërë të njëjtin kalkulim si partia e Berishës: se po të vinte në pushtet do të eliminonte tjetrin dhe prandaj i ka interesuar eliminimi i arbitrit. Edhe forma e opozitës që ka zgjedhur, duke injoruar Parlamentin dhe çdo këshillë racionale që i vjen, është e mendësisë se më te rëndësishme sesa rregullat e lojës është fitorja e lojës. Ndërkaq kriza po provon se, për të pasur minimumin e një demokracie dhe lirie që funksionojnë, nuk mjafton ekzistenca e dy partive dhe as lufta midis tyre. Fakti është se me eliminin e arbitrit ai që humbet gjithmonë është më i dobëti, dmth opozita, por edhe vendi mbi të gjitha, sepse atje ku nuk ekziston opozita nuk mund të ketë demokraci. Të çlirohet gjyqsori nga kontrolli i partive, të çlirohen mediat nga kontrolli i tyre, të çlirohen bizneset nga kontrolli i tyre, të çlirohet shoqëria civile nga kontrolli i tyre. Vetëm po u hodhën hapa në këtë drejtim mund të fillojnë të zgjerohen hapësirat e lirisë dhe demokracisë që po ngushtohen përditë. Kjo nënkupton se, midis tjerash, duhen ndryshuar edhe ato vendime e ligje që garantonin kontrollin e partive nga njëra tjetra dhe jo kontrollin e të dyjave nga një arbitër i paanshëm në emër të mbrojtjes së rregullave të lojës dhe interesit publik. Problemi sot ngrihet se kush do t'i detyrojë dy partitë, që të dyja në pushtet, të hedhin këto hapa, dmth. të hapin dhëmbët e darës me të cilët i kanë mbërthyer dhe paralizuar garantët e demokracisë? Kjo është çështja. Dikush do të më bëjë vërejtjen se përderisa këta garantë janë të kapur, ndoshta është më e saktë të thuhet se as nuk ekzistojnë, sepse realisht janë pjesë e dhëmbëve të darës; e kështu vijmë në situatën absurde kur kërkojmë shpëtim nga ai që, për të mbijetuar, ka nevojë të jetë pjesë e darës. Vështirë ta kundërshtosh një vërejtje të tillë cinike që na sugjeron idenë e rrethit vicioz, të gjarpërit që ha bishtin e tij. Por më mirë le të përdorim në këtë rast metaforën e pikës së ujit që një ditë e çan shkëmbin. Duhet ngulmuar përditë, me durimin e pikës së ujit që bije mbi shkëmb, mbi nevojën e arbitrit e të ligjit në formën e një gjyqsori të pavarur, të një presidenti mbi palët (e jo nën palët), të një medieje të pavarur, të një shoqërie civile kritike, që do t'u imponojnë një ditë palëve në konflikt të sillen me vetëdijen se më të rëndësishme janë rregullat e lojës sesa kush e fiton lojën. Situata krizash si kjo që po ndodh janë moment i përshtashëm që pika e ujit të bjerë me efekt mbi kokat e ngurta. (Korrieri, 19 dhjetor 2009)

5 comments:

Anonymous said...

Z. Lubonja,
me kete artikull i jeni afruar shume te vertetes, qe mund te permblidhet ne sa me poshte:
politika shqiptare eshte fashistizuar. Dhe fashistizimi nuk eshte nje fenomen shqiptar. Ai eshte europian dhe boteror me simtoma shume me te keqinja se tonat. Per fat te mire, sic e thoni edhe ju, ne jemi "imunizuar" ne nje fare menyre nga lufta civile (1997 qe nje pervoje "e mire" ne kete drejtim). Por qe te fashitet fashizmi, ju me te drejte ngrini tezen e "rregullave te lojes", pra njera pale do te beje sikur ben opozite dhe tjetra sikur po qeveris. Te pakten, keshtu funksionon ne USA dhe vende te tjera te zhvilluara. Ne pamje ka demokraci, qetesi dhe prosperitet. Nga brenda velon korrupsioni dhe krimi shteteror. Por ama, nuk ka konfliktualitet kaq te skajshem si ky shqiptari. Kur do ta arrijme ne kete stad "zhvillimi"?
Ndoshta kur Sali Berishat dhe Edi Ramat te kalojne ne biznes dhe ne vend te tyre te emerojne kukulla qeverisese te tipit amerikan si psh Obama. Pra, sa kohe ai qe ka pushtetin kerkon te beje edhe biznesin vetjak, do te kete konfliktualitet rrugacesh. Kur te zgjidhet ekuacioni, pra politika t'i lihet ne dore kukullave (profesioniste quhen ndryshe), do te fashitet edhe ky fashizem shqiptar fjalesh.
Te falenderoj qe na e mban trurin ne pune.
All the best from Toronto.

Vagabond said...

Nga teorite i tua Lubonje deri tek realiteti eshte jeta e popullit tim dhe tend.
Propozime bejne te gjithe edhe nje rugac edhe nje intelektual edhe nje militant edhe nje emigrant.
Teorite e pikave jane aq shume sa po ti mbledhesh ne keta 20 vjet mund ti besh hidrocentral.
Dhe vete ti e kupton kur shprehesh se e ke thene dhe here tjeter kete apo ate duke treguar lodhjen e teorive te pasukseshme.
Ndahem me ty per disa arsye.
Politika edhe ne demokracine kapitaliste i sherben nje pjese te caktuar te nje klase te caktuar.
Pra kemi nje perplasje brenda klases dhe keshtu nuk qendron teorija jote mbi regullat e lojes por kush fiton lojen.
Thjesht fare kapitali percakton kriteret dhe jo karakteret e politikanve.
Utopia e ka vendin ne raftet e biblotekave.
Kur nje vend si Gjermania ka pasur skandale deri tek perpjekjet per te bere president te saj presidentin e siemensit i njohur per skandalet e korrupsionit hedh poshte teorine tende te nje presidenti mbi palet.
Vete shkarkimi dhe ngarkimi i prokurorve si te ishi bateri makinash tregon se nuk mund te kete pamvaresi gjyqesorit nga kjo klase politike qe i sherben nje kauze e cila bashkon me se miri si tek shampot 3 te keqia ne 1
kapitalistin pa kulture kapitaliste
politikanin pa kombesi
dhe kapitalizmin e materjalizuar tek shoqerite perendimore qe nxit pikerisht status quo-ne e vendit tone per ineres te saj.
Fatos, kompleksi i jot i imi i te tjereve eshte se krahasojme mentalitetin e njeriut normal me psikologjine e politikanit qe jane diametralisht te kunderta
llogjikojme si njerez te perditshem perballe veprimtarise skllaveruese te kapitalizmit vendas dhe te huaj.
Kohera moderne ku atdheu shpesh mendohet si te jete thjesht nje tualet ku mund te shkarkojme gjithe ndotjet tona dhe ai te mos vije ere te keqe.
Lubonje, ti thua shume teori po nuk pranon teorin se ne jemi nje popull ne krize.
20 vjet e tregojne kete se kudo ne cdo element te jetes te perditshme familja rinia arsimi politika policia shendetsia gjuqsori transporti mediat fshati qyteti emigrantet ish te burgosyrit dhe ish komunistet.Jane ne krize.
Dhe kjo krize te ben ty te mendosh se nuk ka perplasje te dhunshme
kur te ka ikur pjesa me dinamike e popullit.
Kur mungon pergjithsisht mendimi i rikthimit te intelektualve te dipllomuar jashte.
Kur politika e rrugacve institualizohet.
Kur blinen shpirtra e jete.Ti me theret piken e ujit.
Nuk mund te presim nuk kemi kohe te presim na duhet nje zgjidhje e shpejte qofte dhe me humbje.
na duhet te zgjedhim jashte kornizave te fenomeneve Ciljeta dhe Mero Maze.
Larg prec zogajve muc nanove
pa shalet e Saliut dhe shallvaret e Edit.
Ka ardhur koha e njerezve te rinj e atyre qe gjithmon dalin qe aty ku nuk e presim dhe vihen ne balle te turmave duke i drejtuar ato.
Fatos je i vonuar si dhe une me teorite.
Jeta eshte mbi te gjitha teorite kapitalet dhe politikat.
I sherbejme asaj edhe thjesht duke e jetuar si njerez normale anonime por te devotshem.

altin said...

z.lubonja;ju e trajtoni problematiken me doza vertetesie,por une do te shtoja dicka nga perceptimi im,problemi ose me sakte kriza aktuale qe ne arijme te perceptojme eshte e karakterit desintegrus te te gjithe shoqerise nga elita e politikes se sotme,dhe kete krize e ka shkaktuar pikerisht mazhoranca pavaresisht se ajo kete krize ja faturon opozites,i vetmi shkak i mazhorances per te prodhuar krize eshte per te mos u integruar shqiperia ne strukturat europiane,dhe ne perfshirjen e liberalizimit te vizave per arsye se vete mazhoranca kainteres ne kete proces se ajo mbeshtetjen e ka pergjthesisht tek elektorati me ibrishte i shoqerise sidomos ne zonat rurale,[sipas statistikave qe kane paraqitur te dyja fforcat]dhe ky elektorat qe mbeshtet mazhorancenn njekohesisht eshte dhe me pak i arsimuar qe do te perkthehet qe eshte me e veshtire per tu sinkronizuar me natyren ose per tu krijuar vande pune,prandaj nese liberalizohen vizat humbje ne kete rast ka vetem mazhoranca sepse dote kete tkurje ne elektorat,sekjo pjese e brishte e shoqerise do te largohet nga vendi per te gjetur nje zghidhje ekonomike,sevete kjomazhorance nuk ka asnje program per te krijuar asete pune per elektoratin e vet dhe pr ta mbajtur statik per zgjedhjet e ardhshme qe kjo perkthehet humbje te mazhorances aktuale,sepse opozita ka nje elektorat me te kualifikuar,dhe pothuajse jane te punesuar dhe nuk u nevojitet te ndermarin aventura punesimi ne be.prandaj ketu i gjithe interesi per te mos u liberalizuar nuk eshte i opozites por i vete pushtetit pavaresisht se opozita ka rene pre e kesaj mazhorance me nje lider komunist qe kete ai e tregoi shume mire me zgjedhjet e brendshme te partise se vet me fitoren me 99.55%,dhe ky lider qe pretendon se eshte i djathte ka reshkit komplet majtas,dhe une si i djathte filozofikisht nuk di kush parti me perfaqeson.nuk deahiroj ta mari vesh 55 e balliut se do na beje ndonje fleterufe se ka nja 20 vjet qe skemi mare fletrufe nga gazetari mendjendritur qe e ka zanafillen e vet qe nga gazeta puna e shokut sali berisha............

Lavdrim said...

I nderuari Lubonja,
se fundmi me kete shkrim u rikthyhet ne itaken e ndergjegjes, pas defiance ne shkirmin kunder Kadarese, i cili per te thene ne verteten na u duk nje provokim i hapur. nejse, eshte e vertete ajo qe Ju Keni hasur ne politiken shqiptare: pra Loja me emocionet, si kunder dihet parregulla loje. Ne po asistojme ne nje berje politike me "Pathos-in" dhe jo "Logos-in". sepse Ai deperton me shpejt zemra e njerezeve sesa vetedijen...
ne pathos nuk nevojiten rregullat e lojes, por mbizoterimi i kundershtarit qe eshte disi reciproke ne politiken alla-soj shqiptare. nuk kemi imunizimin e duhhur ndaj ketij virusi, per vete faktin sepse nuk kemi investuar kapital ne aresim dhe edukim, kurrsesi ne nje vend ku nuk mesohet edukata, ne familje apo ne shkolle, cfare pritet nga politika? ndergjegjesim? aspak pushteti eshte i embel aq sa eshte i embel gjaku i kundershtarit politik.
gjithsesi "rregullat e lojes" jane ekperimentuar ne kodin kavaleresk mesjetar, por rrenjet tone arrijne deri ne mesjete?
pyetje retorike...

ju pershendes

Murik said...

Shume mire do te ishte sikur media te shkeputej nga kontrolli partiak.Por, si do te shkeputet?Media nuk eshte dicka abstrakte,media jane njerezit qe shkruajne e analizojne ne to.Keta njerez ne pergjithesi bejne punen e gazetarit thjeshte per te mare rrogen dhe jo per te informuar publikun.Media blihet e shitet pa pike problemi.Ku jane itelektualet shqiptare?Artistet?Po akademiket?Po filozofe a kemi ne qe ti marim si pika referimi?Jo,tek ne c'do gje eshte komerciale, dhe per aq kohe sa nuk ndryshojme si shoqeri ne menyren e te menduarit dhe sjelljes situata nuk ka se si te ndryshoje.Nje gje qe me ben pershtypje sa here shkoj ne Shqiperi eshte fakti qe shume njerez besojne me gjithe mend se Shqiperia ka bere perpara,se po rregullohet,se c'do vit i ngjan me shume Europes.Do te deshiroja qe kjo te ishte e vertete,por ne fakt nuk eshte gje tjeter vec asaj qe une e quaj "teoria e luges bosh", me nje fjale ne jemi mesuar te ngopemi me luge bosh.Keshtu ishte per 50 vjet komunizem,dhe keshtu po vazhdon edhe sot.Shqiptaret i kendojne luleve dhe pranveres,zambakeve e kumurive,bilbilave dhe natyres por une as bar nuk pashe ne Shqiperi e jo me lule e zogj.Qe ketu fillon genjeshtra ndaj vetes,bejme sikur jemi mire,bejme sikur jemi te lumtur,bejme sikur jemi te zhvilluar,bejme sikur jemi te emancipuar,europianizuar,bile edhe me perpara se te tjeret.Keq me vjen ta them, por me duket gati e pashprese situata.Sidoqofte shpresoj qe te jem gabim.