Thursday, August 14, 2008

Doktori, piktori dhe e keqja më e madhe

Një nga çështjet e ndezura të politikës sot janë akuzat që i bëhen Ramës dhe Berishës nga LSI e jo vetëm për bashkëpunim me njëri tjetrin e që kanë ngjitur jo pak në opinionin publik mu pse shenjat e këtij bashkëpunimi janë të dukshme. Megjithatë nuk mungon të ngrihet edhe pyetja: a ka apo nuk ka vërtet bashkëpunim midis tyre? Duket se edhe analistët janë të ndarë në këtë çështje duke iu përgjigjur në mënyrë pozitive apo negative kësaj pyetjeje. Në një shkrim të ditëve të fundit në "Tema" Mero Baze e quante "sempliste" opozitën e LSI të mbështetur mbi akuzën e bashkëpunimit Rama - Berisha duke bërë parashikimin se, kur të vijë koha e fushatës elektorale, ata do të fillojnë të konfliktojnë, siç kanë konflituar deri më sot para fushatave elektorale, pasi në fakt ata nuk se bashkëpunojnë, dhe kjo do ta lerë LSI duarbosh.
Edhe unë mendoj se është sempliste të reduktohet bërja opozitë në akuzat e bashkëpunimit midis Berishës e Ramës. Aq më tepër duke patur parasysh se, në aspektin e tipareve karakteriale, ëndrra finale paranojake e dy personave në fjalë është jo bashkëpunimi, por eliminimi i njëri tjetrit, madje, mundësisht, asgjësimi edhe i çdo konkurenti tjetër në Ballkan e më gjerë. Por, kur them se është sempliste të reduktohet opozicioni vetëm tek akuza për bashkëpunim midis tyre, kam parasysh të tjera arësye nga ato që shtjellon Baze në shkrimin e tij. Pra, jo pse mendoj se ata sot nuk po bashkëpunojnë, as se nesër Berisha dhe Rama do të fillojnë të shahen përsëri me familje, siç kanë bërë edhe më parë, por sepse, nëse duhet të bëjmë opozitë të vërtetë, çështjen nuk duhet kurrsesi ta reduktojmë tek lufta midis këtyre dy personave. LSI e kushdoqoftë do të mbetet vërtet duarbosh po u mor thjesht e vetëm me emra të përveçëm qoftë kur ata grinden, qoftë kur pajtohen.
Në një debat televiziv para zgjedhjeve lokale në emisionin "Opinion", ku kam marrë pjesë sëbashku me disa kolegë gazetarë përballë kryeministrit Berisha, kujtoj se erdhi një moment ku ai filloi të sulmojë Edi Ramën, që ishte kandidati rival i PD për Bashkinë e Tiranës. Nuk la gjë pa thënë, por ajo që më bëri përshtypje në sulmet e tij qe fakti se ai e përqendronte tërë patosin opozitar kundër personit në fjalë, por pa thënë asgjë për sistemin e korrupsionit rreth tij, për kryetarët e vërtetë të Bashkisë së Tiranës, oligarkët që qëndrojnë prapa Edi Ramës, një pjesë e të cilëve më rezultonin edhe sponsorë të fushatës së PD dhe aq më pak për "modelin Rama" të kopjuar keqas në qeverisjet lokale të PD-së. Duke i bërë koment kësaj heshtjeje paraelektorale ndaj tyre mbaj mend se i thashë kryeministrit, duke perifrazuar Ten Hsiao Pinin, se për këta (oligarkët e sistemit) nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre ka macja, blu apo të kuqe, rëndësi ka që ajo të kapë minj. Prisja që kryeministri të thellohej tek kritika e sistemit, por ai nuk e bëri një gjë të tillë.
Besoj se është e tepërt të sjell sot shembuj që provojnë se, edhe me ardhjen e maceve blu në pushtet, si Rama në Bashki edhe Berisha në Kryeministri, kanë vazhduar t'u shërbejnë oligarkëve të sistemit në mënyrë të zellëshme në "kapjen e minjve". Përjashto ndonjë aksident natyror, si ai që i ndodhi Delijorgjit në Gërdec, ata kanë vazhduar të patrazuar bashkëpunimin me pushtetet lokale e qendrore që ka rezultuar frytdhënës edhe për Ramën e Berishën. Prova e fundit është edhe projekti për kapjen e fushave sportive të kryeqytetit ku na del se një nga protagonistët kryesorë të planit të grabitjes së pronës sonë publike në Dinamo është bash oligarku që, në bashkëpunim me Nanon, ndërtoi Kazinon në qendër të Tiranës, në bashkëpunim me Ramën privatizoi për pesë lekë edhe një pjesë të truallit tonë publik tek Parku Rinia ku ndodhet Kazinoja dhe, në bashkëpunim me Berishën, siguroi pandëshkueshmërinë dhe vazhdimësinë e bizneseve të tij të suksesëshme, megjithë premtimet e bujshme të këtij të fundit se një nga gjërat e para që do të bënte ishte heqja e Kazinos nga qendra e Tiranës. Tani me bekimin e Berishës dhe projektet e Ramës ai do të na privatizojë edhe pishinat e tërë kompleksin Dinamo.
Dikur, shumë shumë kohë më parë, kur PD-ja pillte vetëm trima dhe luanë dhe Baze besonte, siç besonin shumë, se Berisha ishte burrë i pakorruptueshëm, Drejtori i "Temës" tregonte një histori me këtë besnesmen që ngjante si anekdodë kuptimplotë. Meqënëse i bleu Bazes gazetën "Tema" duke e nxjerrë nga vështirësitë financiare që kishte akumuluar në kohën e socialistëve, ai i kërkoi këtij të fundit t'i bënte një nder, si mik e mbështetës i Berishës që ishte: t'i hiqte qafe disa taksidarë që po i trokisnin në derë. "E pamundur!" i tha Baze. "Nuk ka burrë të mund t'i flasë doktorit për këtë punë." Pas ca kohësh i kërkoi një tjetër favor që lidhej me fatura të kripura energjie elektrike të papaguara. "Largqoftë" i tha përsëri Baze "dashke që Saliu të na e mbyllë derën përgjithmonë." Më në fund një ditë miku i tha Bazes: "Mero, mirë që nuk më bëre ndonjë nder, po si gazetar a mund të më thuash një gjë të paktën?" "Fol" - i tha Baze. "Ore, më thuaj, kur do të fillojë të marrë lekë ky, se atëhere i zgjidh vetë punët, s'kam nevojë për ty."
Nuk e di a është e vërtetë, por siç thonë italianët: "Se non e vero e ben trovato". Ky është problemi. Se në krijimin e sistemit kanë kontribuar sa politikanët edhe oligarkët. Ndërkaq koha ka provuar që, nëse për politikanët është folur aq shumë duke i denoncuar e stërdenoncuar, për oligarkët e sistemit është folur shumë pak dhe, sipas meje, jo pse nuk kanë përgjegjësi, - edhe ligjore - por sepse ata janë pushteti i vërtetë, kryeministrat e vërtetë dhe kryetarët e vërtetë të bashkive. Sot, nëse flitet për një bashkëpunim Rama - Berisha flitet jo pse këta kanë bërë ndonjë krushqi familjare, por pse kanë bërë krushqi lekësh kryeministrat e tyre hije dhe kryetarët e bashkisë hije. Thënë më konkretisht disa nga oligarkët kryesorë të vendit, që kanë në dorë fijet e financimeve apo edhe interesat private të liderve në fjalë, janë marrë vesh të ndajnë një copë nga të fundit të tortës së mbetur të Tiranës. Çështja shtrohet: në këtë sistem që punon kësisoj, a ka kuptim të bësh opozitë duke u marrë vetëm me doktorin dhe piktorin. Baze shtron pyetjen: po sikur nesër Rama dhe Berisha të fillojnë luftë çfarë do t'i mbetet LSI për të bërë opozitë? Por çështja mund të ngrihet edhe ndryshe: po sikur të ndodhë që Berisha dhe Rama të ikin fare, mbi se do të bëhet opozita? A do të ndryshojë ndonjë gjë në Shqipëri nga ikja e tyre? Unë ngulmoj se sikur të ikë Berisha nga pushteti asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri ashtu sikurse edhe sikur të ikë Rama nga Bashkia, pasi ata nuk janë veçse njëra anë e medaljes e cila shpejt do të rihidhet në treg me një fytyrë tjetër politikani. Do të vazhdojmë të kemi korrupsion, do të vashdojmë të kemi moskontroll të territorit, trafiqe droge e prostitucioni, leje ndërtimi pa kurrfarë plani, zhvatje të pronës publike, vila private politikanësh ngjit e ngjit me vila bodyguardësh apo oligarkësh në truaj të bregdetit të destinuara për zhvillim turizmi e me rradhë e me rradhë. Duhet pranuar se grindjet e tyre kanë nxjerrë në pah disa të vërteta të sistemit dhe se bashkëpunimi, nga ana tjetër, i ka pakësuar hapësirat e informimit e të kontestimit. Duhet pranuar gjithashtu se ky bashkëpunim i fundit ua ka mbyllur edhe më shumë gojën përsa i përket sistemit që kanë ngritur të dy palët. (A e keni vënë re se asnjëri prej të dyve nuk e përmend një herë Delijorgjin psh.?) Po a mjafton denoncimi i emrave të tyre të prëveçëm nga LSI për t'u quajtur opozitë e vërtetë dhe e besueshme? Jo. Mjafton që Berisha e Rama të fillojnë të shahen dhe akuzojnë njëri tjetrin përsëri dhe, vërtet, një opozitë e tillë do të humbiste kuptimin. Dhe, a do të fillojnë të konfliktojnë përsëri? Pa dyshim: sapo të mbarojnë këto xhambazllëqet e fundit. A do të pajtohen përsëri: pa dyshim sapo të fillojë t'i marrë uria për para përsëri oligarkët e tyre që, pas çdo xhambazllëku të përbashkët, i kanë gjithnjë e më në dorë. Por ndërkaq sistemi do të mbetet po ai.
Je pse ngulmoj edhe një herë, siç kam ngulmuar prej kohësh, se një opozitë apo kritikë që përqendrohet tek goditja mbi personat politikanë qoftë edhe mbi oligarkë të përveçëm - le të kujtojmë goditjet e fundit të "Temës" mbi çiftin Mediu - Delijorgji - por duke mos prekur mekanizmat e kudondodhur që kanë ndërtuar lidhjen midis tyre, jo vetëm nuk mund të jetë kredibël, por shpesh i shërben vazhdimësisë së sistemit. Mjaft të kesh parasysh mekanizmin e financimit të partive që vazhdon të mbetet i patrazuar në paligjshmërinë dhe jotransparencën e tij, paçka se kandidatët për deputetë e kryetarë bashkie ndryshojnë vazhdimisht. Pas përvojës zhgënjyese që kemi me tërë klasën politike sot mund të thuhet, pa ngurrim, se një opozitë sot nuk është e besueshme kur e redukton opozicionin e saj në emrat e përveçëm Berisha, Rama, Meta, Nano a ku di unë. Po ashtu sot është e vështirë të ndërtohet një opozitë e besueshme mbi opcionet e mbështetjes së njërit lider apo njërës parti kundër tjetrës. Madje edhe opcioni i mbështetjes së të keqes më të vogël kundër të keqes më të madhe ka rezultuar zhgënjyes sepse, e ardhur në pushtet, e keqja më e vogël është bërë shumë shpejt e keqja më e madhe. Kjo pikërisht sepse, në fakt, e keqja më e madhe nuk janë emrat e përveçëm, por sistemi. Të thuash "armiku ynë i përbashkët Sali Berisha", apo "miku ynë Ilir Meta", apo "tradhëtari Edi Rama" sot nuk ke thënë asgjë. Aq më pak kur ke parasysh se këtë nuk e thonë emra të rinj, por të njëjtët protagonistë për njëri tjetrin. Një opozitë serioze dhe e besueshme sot duhet të bëjë shumë më tepër se kaq. Nëse do të rendisja shpejt e shpejt disa kërkesa kryesore për një opozitë të besueshme do të thoja se kjo do të duhej të ishte një opozitë që: së pari, ka kuptuar natyrën e sistemit kriminal që është ngritur, së dyti, që krahas denoncimit të emrave të përveçëm del me denoncime të sistemit; së treti që duke mos qenë e korruptuar inkurajon pavarësinë e vërtetë të Gjyqsorit dhe të Prokurorisë dhe jo përdorimin e tyre në emër forcimit të sistemit të pandëshkueshmërisë; së katërti që ndërton një program të qartë dhe koherent për ndryshimin e sistemit me studime serioze dhe konkrete se çfarë duhet bërë në mjekësi, në arsim, në administratë, polici, gjyqsor, kontrollin e territorit, ruajtjen e ambjentit etj. që ato të kthehen në shërbime e të mira vërtet publike, e jo mjet pasurimi privatësh; së pesti që paraqet projekte të besueshme për ndryshimin e sistemit të financimit jotransparent e të paligjshëm të partive, së gjashti që ka një projekt për reformimin e mediave që synon shndrrimin e tyre vërtet në pushtet të katërt.
Dikush do të thotë se kjo është të kërkosh të zbresë nga qielli një opozitë tjetër pasi në terren ekzistojnë vetëm këta që kemi. Por edhe "këta që kemi" edhe ata që besojnë në korigjimin gradual të këtyre që kemi është e rëndësishme ta dinë atë që s'kanë. Të paktën ta dinë se nuk mund të na mashtrojnë më me emra të përveçëm prapa të cilëve fshihet një sistem krimesh të përgjithëshme. (Korrieri 13 Gusht 2008)

1 comment:

Anonymous said...

Ato qe ju keni thene per mendimin tim qenrojne kryekeput.Mirepo derpederrat qe mbajne pushtetin (te djathte e te majte pavaresisht se ne vendin tone nuk ka shkolla te tilla te mirefillta)dashkan te na gjobisin nese nuk votojme.Kjo eshte dhune e hapur qe sistemi per te ruajtur bythen kerkon te ushtroje mbi ne minjte apo bagetite e ngrata qe me nje te lehur qeni apo ulerime çobani ikim nga na thuhet. Pasi na tallin, na plaçkisin, na vrasin, na degdisin rrugeve te botes per nje cope buke, nuk na pranojne shkollimin e larte universitar pasi jemi muslimane, kerkojne te na hyne edhe me dacka turinjve pse nuk i themi AMIN !Ketyre tentativave i duhen treguar muskujt se perndryshe i hapin siparin precedenteve te tjere akoma me te rrezikshem. Ju zoti Lubonja patjeter duhet te reagoni per kete manover te paturpshme sepse eshte detyra juaj dhe e gjithe intelektualeve te vertete( sipas kuptimit qe Edward Said i jep kesaj fjale tek Speking the Truth to the Power) dhe te pa shitur tek oligarket qe ti çjerrin masken diktatures se re qe po degradon dita dites.
Me sinqeritet Nolian Seitaj