Monday, March 30, 2020

Perëndimi po mban në këmbë narko-shtetin shqiptar


Në pranverën e vitit 2019, partitë opozitare shqiptare u larguan nga parlamenti. Bashkëpunimi mes krimit të organizuar dhe Partisë Socialiste në pushtet gjatë zgjedhjeve ishte i qartë. Ato deklaruan se nuk donin të ishin më fasada demokratike e një narko-shteti. ‘The Independent’ e quajti Shqipërinë ‘Kolumbia e Europës’. Protestat dhe mosbindja civile duhej të kishin alarmuar opinionin publik në vend dhe politikanët perëndimorë. Por Brukseli e dënoi opozitën dhe mbështeti qartësisht qeverinë. Argumenti kryesor: Ju keni bërë progres drejt standardeve tona, prandaj nuk duhet të dilni nga parlamenti. Dhe tani edhe Holanda po bie dakord që BE të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Përse kjo mbështetje për qeverinë autokratike dhe të korruptuar të Shqipërisë, e cila bashkëpunon gjithnjë e më shumë me krimin e organizuar? Sepse Bashkimi Europian dhe SHBA preferojnë ‘stabilitetin’ përpara demokracisë. Është edhe rreziku i rritjes së ndikimit rus ose turk në rajon. Për SHBA është e rëndësishme që qeveria shqiptare pranoi një grup muxhahedinësh iranianë si refugjatë. Megjithatë shkaku kryesor i ndihmës qëndron diku tjetër. 
Tranzicioni nga vendet komuniste drejt modelit perëndimor u bazua në dy paradigma sempliste: ‘fundi i historisë’ i Fukujamës dhe ‘vendet e përçara’ të Hantingtonit. Elitat pro perëndimore në vendet lindore (në kontrast me mentalitetin lindor të popujve të tyre dhe për këtë “vende të përçara” sipas Hantigtonit) duhej të udhëhiqnin  popullin e tyre drejt ‘Tokës së premetuar’ që Perëndimi e kishte arritur tashmë (Fukujama). Ky i ashtuquajtur ‘tranzicion’ do të sillte zgjerimin e Perëndimit sipas një modeli që do të pushtonte botën.
Udhëheqësit e popullit 
Elitat politike perëndimore do të mbikëqyrnin vendet e Europës Lindore në këtë tranzicion. Elitat lindore – nën legjitimimin e tyre – do të shërbenin si udhërrëfyese të popujve të tyre. Ato do të garonin se kush do t’i plotësonte më mirë kërkesat e Perëndimit. Disa vende tani janë pjesë e BE. Ballkani Perëndimor, pjesa e fundit e karvanit, thuhet se po zhvillohet në mënyrë inkurajuese. 
Në realitet, me Trumpin, Brexitin dhe lëvizjet sovraniste në vendet e BE, Perëndimi tregon se nuk e ka arritur tokën e premtuar. Me zhvillimet autokratike në Hungari dhe Poloni, dhe me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dhomën e pritjes; perspektiva është edhe më e zymtë.
Ekonomia shqiptare ka qenë gjithmonë e dobët, informale dhe kriminale - por në vitet e fundit po financohet gjithmonë e më shumë nga krimi i organizuar. Shpërthimi masiv i ndërtimeve në Tiranë nuk është tjetër veçse pastrim parash nga të ardhurat e krimit të organizuar shqiptar në Europë. Politika shqiptare i ka promovuar gjithmonë e më shumë këto interesa. Ajo është bërë gjithmonë e më autokratike, me demokraci të kufizuar. Trafikantët dhe vrasësit kanë arritur të futen në Parlament, të zgjidhen edhe kryebashkiakë në shumë qytete, gjë që nuk do të ishte kurrsesi e mundur në vitet ’90.
Shumë shqiptarë kanë braktisur vendin në vitet e fundit. Sipas agjencisë kërkimore Gallup (2017), 56 përqind e njerëzve duan të emigrojnë. Në vitin 2100, Shqipëria që ka tani 2.87 milionë banorë, do mbetet vetëm me 512 mijë.
Përparim? 
Shqipëria nuk është në një tranzicion drejt anëtarësimit në BE. Në vend po stabilizohet gjithmonë e më shumë një  narko regjim autoritar. Po pse euroburokratët këmbëngulin se Shqipëria ka bërë përparim? Shkaku duhet kërkuar tek neo-liberizmi që u aplikua në Perëndim, si dhe në vende si Shqipëria, dhe që  dështoi. Dallimi mes vendeve perëndimore dhe lindore qëndron tek shtrirja e kësaj sëmundjeje dhe tek sistemet e tyre imunitare. Në Perëndim, neo-liberalizmi dhe globalizmi kanë pjellë ‘post-demokracinë’ (Colin Crouch), në të cilën politikanët janë administratorë të thjeshtë të interesave ekonomike të disave, me shumicën e mbetur pa përfaqësim politik. Vende si Shqipëria janë shembulli më dramatik i kësaj post-demokracie. Aty diktatura kaloi direkt në një post-demokraci, pa e provuar demokracinë. Ata ‘pak’ në Shqipëri janë kryesisht eksponentë të krimit të organizuar që kanë kapur shtetin, duke i bërë institucionet e tij asgjë më shumë sesa vegla për zgjerimin e fuqisë së tyre ekonomike.
Mbështetja e SHBA dhe BE për narko-shtetin shqiptar buron nga refuzimi i tyre për të pranuar dështimin e neoliberizmit dhe globalizimit si në vendet e tyre edhe përsa i përket projektit të bashkimit evropian. Ata duan të ruajnë mitin e tranzicionit sipas të cilit vende si Shqipëria janë ‘të ndryshme’ për shkak të kaluarës së tyre komuniste; se ata do t’i kapërcejnë këto dallime me ndihmën e BE. Euroburokratët, njësoj si elitat e korruptuara të Ballkanit Perëndimor, dëshirojnë të vazhdojnë narrativën e vjetëruar të tranzicionit për të ruajtur pushtetin e tyre. Ato e paralajmërojnë publikun për lëvizjet populiste të majta dhe të djathta (apo për vendet që konsiderohen armike gjeopolitikisht si Rusia). Por është vetë BE dhe SHBA që kanë ngritur post-demokracinë – me fytyrë njerëzore apo çnjerëzore - në Europë.(Shkrim i botuar në të përditëshmen e njohur holandeze, "Volkskrant”, 24 mars, 2020).



No comments: