Këto janë tre fjalët me të cilat,
sipas meje, përmblidhet komenti i parë që mund t'i bëhet fitores së radikalëve
të majtë në Greqi të udhëhequr nga Alexis Tsipras.
Duke qenë se Geqia nuk mund të
konsiderohet vetëm Greqi, por edhe Evropë, bashkësi evropiane, projekt evropian
këto tre fjalë shkojnë për të dy frontet, atë të brendshëm kombëtar dhe atë të
jashtëm.
Në frontin e brendshëm fitorja e
Syrizas është një ndëshkim për sistemin bipolar/bipartiak të korruptuar që ka
sunduar Greqinë (por edhe mjaft vende evropiane) prej disa dekadash ku dy
partitë kryesore të alternuara në pushtet, dora dorës, kanë ndërtuar një sistem
dhe një kastë në pushtet që është sot përgjegjëse për krizën e vendit. Kjo kastë
duke humbur edhe dallimet ideologjike, pas mbarimit të luftës së ftohtë,
aplikoi një sistem ekonomik - politik gjithnjë e më larg interesave të shumicës
së grekëve ku spikasin konflikte skandaloze të interesave. Sa për ilustrim po përmend
faktin se Syriza ka denoncuar (duke premtuar ta ndryshojë) sistemin mediatik
privat në Greqi ku zotëruesit e televizioneve private janë njëherësh edhe ata që
marrin tenderët kryesore publike për bizneset e tyre të tjera, kanë gazetat
kryesore të vendit, janë edhe presidentë skuadrash futbolli. Është një sistem që,
siç e dimë, i kalon kufijtë e Greqisë dhe ne shqiptarët e kemi provuar jo pak në
kurriz efektin e tij shkatërrues. Dukej sikur ky sistem ishte stabilizuar prej
dekadash dhe do të vazhdonte kështu,
por me dështimin që prodhoi, brenda disa vjetësh bëri që një parti e vogël si
Syriza, që nuk kishte më shumë se pesë përqind para disa vjetësh, arriti të
marrë 36% të votave.
Në frontin ndërkombëtar fitorja e
Syrizas është një ndëshkim e paralajmërim edhe për Evropën dhe projektin evropian. Prej kohësh shoqëritë civile
të shumë vendeve evropiane, intelektualët më të shquar, kanë lëshuar parullën për
një "Evropë tjetër" jo atë të kapitalit dhe të bankave; për një Evropë
ku mirëqenia nuk matet me GDP-në, por me cilësinë e jetës e kuptuar kjo si një
Evropë sociale, me solidaritetit, me marrëdhënie më të mira njerëzore, me një
jetë në harmoni me natyrën, me më shumë barazi dhe solidaritet dhe jo me
polarizim në rritje midis të pasurve dhe të varfërve. Por kjo thirrje ka hasur
në vesh të shurdhët. Fitorja e Syrizës është një ndëshkim dhe paralajmërim për
këtë shurdhëri. Është një ndëshkim dhe paralajmërim për politikat që adoptoi
kjo shurdhëri për t'iu përgjigjur krizës greke, që më shumë se sa në favor të
interesave të evropianëve të thjeshtë qenë për të ruajtur interesat e kapitalit
të madh e të bankave, për të ruajtur sistemin ashtu siç është: atë të konfliktit
të interesave që sundon edhe në vendet më të qëndrueshme evropiane si
Gjermania. Greqia gjatë këtyre viteve, u përdor si kavie për të eksperimentuar
atë që po ndodh edhe në mjaft vende evropiane: shkatërrimin e shtetit social
dhe të të drejtave demokratike - thuhet në një peticion në mbështetje të
Syrizas nga 300 firmëtarë, ndër intelektualët më të shquar të majtë, ku
spikasin emra të tillë si Noam Chomsky, Etienne Balibar, Tariq Ali, Slavoj
Zizek, Tony Servillo. Sipas tyre "paketa e shpëtimit në fakt ka shpëtuar vetëm bankat gjermane dhe
evropiane dhe ka varfëruar njerëzit; ka rënduar papunësinë duke e bërë atë
masive." Masat e fundit të marra në Greqi nën diktatin e Gjermanisë, në emër
të këtij sistemi, i ka denoncuar së fundi edhe Caritas e cila, sipas një
studimi që ka bërë, thotë se kriza e shkaktuar në Greqi nga këto masa, ka sjellë
dëme të krahasueshme me ato të një lufte, veçanërisht mbi fëmijët. Sipas
studimit të Caritas edhe kush ka një punë me kohë të plotë nuk jeton me
dinjitet sot në Greqi; është rritur dramatikisht braktisja e fëmijëve nga prindërit
që nuk mund t'i mbajnë ata, veçanërisht e fëmijëve që lindin me probleme; është
dyfishuar vdekshmëria e fëmijëve; është rritur papunësia e të rinjve në nivele
skandaloze.
Fitorja e Syrizës pra vjen si ndëshkimi
dhe paralajmërim, për të gjitha këto.
Por fitorja e Syrizës vjen edhe
si një shpresë për të gjithë ata që e kanë për zemër demokracinë, kohezionin
social dhe drejtësinë. Ajo ngjall shpresën se ndryshimet në Greqi do të sjellin
edhe ndryshime në Evropë. Shpresën se ajo që ndodhi në Greqi, që po ndodh edhe
në Spanjë - ku partia e lindur nga lëvizja e të indinjuarve është sot në krye të
sondazheve, - do të sjellë ndryshime si në politikat e brendshme ashtu edhe në
ato të bashkësisë Evropiane në emër të një Evrope të solidaritetit, të
humanizmit dhe dinjitetit e njeriut. Syriza vjen si shpresë në këtë drejtim
edhe sepse nuk është një parti raciste ksenofobe, nacionaliste si ato që kanë
lindur në disa vende të Evropës, që kërkojnë ta shpjegojnë krizën nëpërmjet fajësimit
të emigracionit duke iu kundërvënë kësisoj projektit evropian e duke rrezikuar
të na kthejnë prapa në kohë të errëta të urrejtjeve për tjetrin.
Sigurisht nuk do të jetë e lehtë
për Tsiprasin të bëhet frymëzues për një Evropë tjetër. Sistemi me të cilin ai
ndeshet është shumë i madh dhe i fuqishëm dhe Greqia e vetme nuk është vendi më
i përshtatshëm për të shërbyer si model ndryshimi për Evropën. Por kjo fitore
gjithsesi tregoi se idealet për të cilat ai luftoi, duke fituar këtë betejë të
rradhës, janë më të gjalla se kurrë në kohën që jetojmë, janë mbarë evopiane
dhe se ato nuk reshtin së rrahuri në zemrat e atyre që aspirojnë një jetë më të
mirë, më me liri, dinjitet dhe barazi, për të gjithë njerëzit e kësaj
bote. (Panorama, 27 janar 2014)