Më shkruante një lexues pas shkrimit "Parlamenti si elektroshok" (Panorama, 1 mars 2011): “mendoj qe sikur shqiptarët ta kuptonin mirë që gjysma e fitores është e garantuar duke patur një gjyqësor dhe polici të shëndoshë, që nuk trembet përpara oligarkëve, do të ishin të gatshëm të manifestonin me këmbëngulje dhe pa u lodhur që në krye të këtyre institucioneve të vendoseshin njerëz të ndershëm dhe të guximshëm për t’i shkuar deri në fund kauzës së një shteti ligjor.
A ka ardhur ndoshta koha që gazetarët dhe figurat me integritet të ndryshojnë gjuhën ndaj popullit, duke e paralajmëruar rreptësisht se jemi në një moment fatal dhe duhet të levizim qoftë një herë të vetme për një shtet ligjor dhe jo për partitë?”
Kam përshtypjen se ideja se një pluralizëm partik pa drejtësinë nuk mund të jetë kurrë demokraci ka zënë vend në vetëdijen e shqiptarëve, shumë më tepër sesa në fillimivitet ‘90 kur gati e identifikonim demokracinë me pluralizmin partiak. Kjo ndoshta edhe pse dëmi që kanë krijuar partitë e pakontrolluara nga pushtete të tilla si ai i gjyqsorit është bërë shumë evident. Por, sikurse e tregon edhe çka shkruan ky lexues, vlen të shtrohet pyetja se ku jemi në këtë proces ndarjeje të pushteteve? A kemi bërë hapa para apo prapa? Dhe, në kontekstin e sotëm, të procesit ndaj 21 Janarit, a mund të presim një forcim të gjyqsorit dhe prokurorisë? Ç’duhet të bëjmë për të sensibilizuar edhe më publikun për këtë nevojë?
Në përpjekjen për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve nuk mund të mos vish tek ideja se zhvillimi i demokracisë nënkupton zhvillimin e krejt institucioneve të saj dhe se ky zhvillim mund të krahasohet me ecjen e një flote. Pra se prokuroria dhe drejtësia jonë nuk mund të veçohen nga ecja e demokratizimi i brendshëm i partive politike, nga pastrimi nga korrupsioni i institucioneve shtetërore, nga pavarësimi i mediave etj.. Ato janë pasqyra të njëra tjetrës dhe mjaft të shikosh njërën për të gjykuar nivelin e të tjerëve. Por, megjithatë, kur kemi parasysh një flotë këtë mund ta imagjinojmë si një flotë ushtarake që ka rregulloren e vet, pra se është dikush që komandon dhe janë të tjerët që ndjekin, ose si një flotë më e lirë ku sejcila nga këto "anije" veç e veç mund ta stimulojë ecjen përpara apo mund ta frenojë këtë në një kompeticion të ndërsjelltë. Kjo e dyta i shkon më shumë demokracisë përderisa flitet edhe për pushtete të pavarur nga njëri tjetri. Pra, çdonjëra nga anijet, sipas këtij konceptimi, mund të marrë inisiativën ta nxisë flotën të ecë më përpara, varësisht nga individët që janë në krye të tyre, nga pushteti që kanë, nga vështirësitë që dalin nga rrethanat edhe nga presioni.
Në thelb kriza që po përjetojmë sot vjen për shkak të dy partive kryesore që prej vitesh kanë bllokuar ecjen përpara të demokracisë/flotës duke i rreshtuar institucionet e tjera, si në një flotë ushtarake, prapa dhe në funksion të tyre duke i bërë njëherësh edhe të pafuqishëm për të kontrolluar pushtetin e tyre korruptues dhe të korruptuar.
Le të shohim se si ka qenë pozicioni i anijes së sistemit të drejtësisë në këtë flotën tonë këta njëzet vjet, për të ardhur tek ajo që po ndodh sot.
Në vitet e para të qeverisjes Berisha u shfaq menjëherë prirja për ta vënë drejtësinë prapa hullisë së partisë së re shtet që filloi të ndërtojë Berisha. Mjetet që përdori ishin kryesisht dy: kërcënimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me të kaluarën si dhe - lidhur me këtë - përgatitja e gjyqtarëve të rinj me kurse gjashtë mujore. Kjo prirje hasi në një farë rezistence - mjaft të kujtojmë dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm Maks Haxhia apo të kryetarit të Gjykatës së Lartë Zef Brozi, por në tërësinë e vet roli i këtyre institucioneve në ato vite mund të përcaktohet si një anije ecja e së cilës mbeti e dominuar nga pushteti politik dhe e instrumentalizuar prej tij.
Lidhur me vitin 97, që shënon ardhjen e socialistëve në pushtet, së pari duhet thënë se drejtësia u komprometua edhe më rëndë nga politika në këtë vit pasi, megjithë tërë ato krime që ndodhën, nuk pamë asnjë politikan përgjegjës t'i hapet proces. Në vend të kësaj politika ndërtoi një komision parlamentar me në krye Spartak Ngjelën që e dha ai vendimin në vend të drejtësisë për krimet e 97-tës e që, në fakt, mund të thuhet se inauguroi periudhën e impunitetit të politikanëve tanë.
Këtu duhet theksuar edhe një fenomen tjetër që kishte filluar që më herët, me Berishën, por që doli gjithnjë e më në pah në këtë periudhë: korrupsioni në këta institucione, çka, midis të tjerash, nënkupton edhe pafuqi morale të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të vepruar në emër të drejtësisë e ligjit.
Mosgoditja e atij që, shumë më tepër se ky i 21 Janarit 2011, mund të quhet grusht shteti - atëhere kur më 1998 njerëzit e Berishës sulmuan Kryeministrinë dhe pushtuan edhe Radio Televizionin - shënoi edhe një akt tjetër kapitullimi të Prokurorisë e Gjyqsorit ndaj politikës që forcoi edhe më impunitetin e politikës.
Gjthsesi për kohën e socialistëve mund të thuhet se tendenca për instrumentalizimin e drejtësisë për të goditur armikun, kundërshtarin ose për ta vënë atë nën kontroll erdhi duke u zbehur. Ajo njeh një pikë ashpërsimi kur nëpërmjet Rakipit që njihej si njeri i Nanos politika kërkoi të godiste për korrupsion njerëzit e Metës (madje, me sa kujtoj, bash Dritan Priftin), por kjo shkaktoi bashkimin e Metës me Berishën dhe heqjen e Rakipit.
E këtu nuk mund të mos vihet në dukje fakti se ndonëse Gjykata Kushtetuese e deklaroi të paligjshëm shkarkimin e Rakipit ai nuk u kthye dot në postin e tij, shenjë kjo e nënshtrimit total të organeve të drejtësisë nga politika.
Periudha e Thodhori Sollakut mund të pëcaktohet si periudha kur tashmë Prokuroria dhe drejtësia jonë kanë hequr dorë nga marrja me politikanët e të dy krahëve dhe atë pak pushtet që kanë e përdorin pikërisht për të mos ndërhyrë atëher kur, për arsye politike, u kërkohet nga njëra palë apo tjetra instrumentalizimi; aq sa për Sollakun filloi të qarkullojë thënia anakdodike se kur e kishin pyetur se si do t’ia bënte në këtë klimë akuzash e kundërakuzash për korrupsion ishte përgjigjur se do të vepronte si Muçua dmth. sipas asaj thënies: « Pushka bam e Muçua tutje.»
Këtë filozofi filloi të praktikojë menjëherë edhe ajo që nga Berisha u quajt Silvia Conti e Shqipërisë, kryeprokurorja Ina Rama. Mirëpo, për dreq, asaj i plasën në derë dy pushkë më të mëdha nga ç’mund ta priste: Gërdeci dhe tani së fundi, skandali i kasetës Meta - Prifti që u pasua me katër vrasjet e 21 Janarit e që e vunë nën presionin e fortë të politikës.
A ka shanse në këtë kushte, duke patur parasysh edhe mbështetjen amerikane për hetimin e 21 janarit, që Prokuroria dhe Gjyqsori të përjetojnë një moment pjekjeje dhe forcimi. A do të munden ato të marrin një rol shtytës përpara të flotës për të cilën bëra fjalë më lart? Përpara disa kohësh faktin që Prokuroria e çoi kasetën Meta - Prifti në Ambasadën Amerikane, e kam komentuar si shenjë dramatike të impotencës së saj duke shtuar se, me këtë rast, Ina Rama mund të bënte mirë të jepte dëroheqjen të paktën. Kjo tregonte edhe mosbesimin tim se do të kishim, më në fund, një akt pjekurimi dhe pavarësimi nga ana e Prokurorisë. Pas disa ditësh mora një telefon konfidencial ku m’u tha se Prokuroria e kishte çuar tek Ambasada Amerikane kasetën sepse, përndryshe, do të ishte e detyruar ta çonte tek Ministria e Rendit pasi laboratori i ekspertizave është atje dhe kjo do të thoshte ta çonte në duart e Berishës. (Edhe një provë kjo se si flota nuk mund të ecë veçmas pasi institucionet janë të ndërlidhur me njëqind fije njëri me tjetrin.)
Pastaj ndodhi 21 Janari, pamë Berishën ta akuzojë Kryeprokuroren si pjesë e puçit meqënëse po kërkonte të hetonte gardistët që kishin shtënë duke dhënë kështu një frenim të fortë çdo përpjekjeje të Prokurorisë për të vepruar jashtë hullisë së anijes së politikës dhe pastaj marrjen e Prokurorisë nën mbrojtjen e Ambasadorit Amerikan. Gjykoj se edhe këtë mbrojtje duhet ta interpretojmë më shumë si një akt politik, si ndërhyrje “in extremis” të të huajve për të ruajtur të paktën fasadën e shtetit dhe sëbashku me këtë edhe një farë stabiliteti sepse një nxjerrje jashtë loje e institucionit të Prokurorisë, siç donte të bënte Berisha, do të ishte një degradim total i shtetit.
Për t’u kthyer tek shqetësimi i lexuesit tim, që më duket se është një shqetësim qytetar me rëndësi, më duhet t’i them se megjithë ndjeshmërinë në rritje të qytetarëve për drejtësinë koha që njerëzit të dalin e të protestojnë përpara pallateve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, për dënimin e të korruptuarve duket ende shumë e largët. Ja tani hymë në zgjedhjet lokale dhe vrasjet e 21 Janarit, bashkë me Prokurorinë si protagonste të zbardhjes së tyre, thuajse kanë dalë jashtë vëmendjes. Edhe vetë Ambasadori Amerikan po na udhëzon tani kandidatët të dalin të bëjnë debate. Politikanët përsëri kanë uzurpuar skenën me protagonizmin dhe arrogancën e atyre që s’kanë frikë nga ligji, por vetëm nga më i forti. Njerëzit po ashtu, ndryshe nga ç’kërkon lexuesi im, janë përqendruar në luftën “për partitë”. Edhe gazetarë e intelektualë gjithashtu. Prokuroria e Gjyqsori do të presin të shohin se cili do të jetë fitimtari, dhe do të veprojnë varësisht nga kjo gjithë pa rrezikuar, e kurrsesi pa marrë në dorë përgjegjësitë që u takojnë. “Pushka bam e Muçua tutje” do të vazhdojë të jetë filozofia e jetës e veprës së prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë si për të provuar ata profetë që thonë kjo “flotë” duhet të shkojë drejt mbytjes e tëra. (Panorama, 11 mars 2011)