Wednesday, May 31, 2006

“Uji pa ngjyrë” dhe kovat e së majtës

Kujtdo që ndjek jo vetëm zhvillimet politike në Shqipëri, por edhe ato që ndodhin në vendin fqinj, që e njohim më mirë, Italinë, lëvizja e re që në median tonë quhet herë “shkrirja e së majtës” dhe herë “krijimi i federatës së të majtës”, nuk mund të mos i dalë parasysh një projekt që gatuhet çprej disa kohësh në Itali mbi krijimin e një partie të madhe të qendrës së majtë që mund të quhet “Partia Demokratike” e që është pjesë e një projekti për bipolarizimin përfundimtar të spektrit politik italian.
Krahasimi me projektin italian më duket i vlefshëm si një pikë referimi për të marrë në analizë shkrirjen e së majtës sonë.
Sipas analistëve të shtypit italian projekti i krijimit të partisë demokratike është një projekt që mbështetet fort nga ata që në Itali quhen “potéri fòrti” (sipërmarrësit e fuqishëm industrialë italianë) interesat e të cilëve i mbështet edhe gazeta më e madhe e më e vjetër e vendit “Corriere della Sera” ku një pjesë syresh janë edhe aksionistët kryesorë. Kuptohet, nuk bëhet fjalë për interesa se kush do të marrë tenderat, por për ndërtim politikash që shkojnë në kahen e interesave të tyre. Një nga interesat kryesore që kanë “potéri fòrti” në Itali për mbështetjen e krijimit të një partie të madhe të qendrës së majtë është se, duke u krijuar një Parti Demokratike, ku mendohet se do të shkrihen ish Partia Komuniste, sot DS, që në këto zgjedhje kapi 18 % me Margerita që është partia e krijuar nga pjesa e majtë e demokristianëve që në këto zgjedhje kapi afro 12 % mendohet se krijohet kështu një interlokutor shumë më i moderuar që nuk do të jetë më nën trysninë e të majtëve më radikalë që në këto zgjedhje shkuan afro tek 10 përqindëshi, të cilët, nga kndvështrimi i “potéri fòrti”, frenojnë reformat liberalizuese për të cilat ka nevojë vendi që të zhvillojë një ekonomi kompetitive në tregun global. Ky projekt mbështetet edhe nga ata që mendojnë se sistemi bipolar krijon shumë më tepër stabilitet dhe qeverisshmëri, por kundërshtohet nga ata që mendojnë se një shkrirje e ish komunistëve me ish demokristianët do të prekte shumë sensibilitetet historike e kulturore në bazën e të dy partive e, po ashtu, do të bënte që një pjesë e elektoratit të DS t’i bashkohet votuesve të Rifondacione Komuniste të Bertinotit kurse një pjesë e Margeritas të votojë për partitë e qendrës së djathtë ku ka hyrë pjesa tjetër e demokristianëve. Ndërkaq as që bëhet fjalë që Bertinoti dhe elektorati i tij i majtë të pranojnë të “shkrihen” në këtë projekt të formimit të Partisë Demokratike pasi këtë e quajnë një projekt që diktohet nga interesat e “potéri fòrti” dhe jo të asaj pjese të elektoratit që tradicionalisht ka përfaqësuar e majta.
Pa u zgjatur më tej në analizën e projektit italian, do të vemë re se në thëniet dhe kundërthëniet e këtij projekti bije në sy se politikanët lëvizin jo në emër të interesave të tyre personale apo të klanit të ngushtë, por të interesave shumë më të gjera dhe se, po ashtu, frenohen nën thirmat e forta të sensibiliteteve historike e kulturoe të partive e interesave të elektorateve të tyre.
Le të kthehemi tani tek projekti ynë i bashkimit të së majtës. Ajo që bije në sy në krahasim me projektin italian është pikërisht mungesa e interesave përtej atyre të protagonistëve të nismës për bashkim e të klaneve të vogla rreth tyre. Por ajo që veçanërisht bije më shumë në sy në këtë projekt shkrirjeje është mungesa e identitetit, të bazës (në një rreth më të ngushtë), e, në një rreth më te gjerë, të elektoratit. Bije në sy pra se këto parti (apo më mirë të themi krerë partish) elektoratin e kanë thjeshtë dhe vetëm si një ujë pa ngjyrë që e derdhin për të mbushur kovat që duan e që herë e derdhin në një kovë/parti e herë në një tjetër. Herë hedhin më shumë tek njëra e herë tek tjetra. Kësaj here duket se kanë vendosur ta derdhin në një fuçi të madhe të vetme. Në fakt edhe fenomeni i Dushkut e njëjta gjë ishte në thelb - nëse me Dushkun do të kuptojmë manovrimet/kombinacionet me trensferim elektorati të një grushti politikanësh për të marrë për veten dhe njerëzit rreth tyre sa më shumë vende, prandaj ky bashkim nuk duket veçse si një variacion i Dushkut. E gjithë retorika e Dushkut, veçanërisht në gojën e LSI-stave me Metën në krye, por edhe e Gjinushit në Dushkun e parë, ishte tradhëtia që i ishte bërë bërë elektoratit. Tani del se elektorati nuk e njeh ndjenjën e tradhëtisë e nuk ka asnjë lloj sensibiliteti historik e kulturor dhe ia ka dorëzuar veten, pa kushte, liderëve të vet duke ua lënë atyre të lirë të vendosin se në cilën kovë a fuçi do të derdhet. Dhe përderisa nuk kanë ngjyrë, as erë, nuk ka rëndësi se ku derdhen. I vetmi problem është se ata kanë interesa vëndesh pune në doganë, administratë e më the të thashë. Çfarë do të hanë njerëzit e Ramës e çfarë do të hanë njerëzit e Metës, po atyre të Nanos e Gjinushit mos vallë kësaj here do t’u mbeten thërrimet? Kjo është e vetmja çështje, por edhe atë e rregullojnë kapot. Prandaj marrja e vendimit që uji i elektoratit të majtë të derdhet i gjithi në një fuçi të vetme duket shumë i arsyeshëm. Në një farë kuptimi ky mund të quhet varianti më i mirë i Dushkut, sepse shpresojmë që - nëse ata nuk gjejnë ndonjë marifet – do të na kursejnë, të paktën, ato para që kemi paguar deri tani për të ashtuquajturat parti pa elektorat.
I vetmi problme që mbetet është ai i krijimit të një të majte të vërtet sepse vështirë të besojë kush se njerëzit më të pasuruar në Shqipëri sot për sot po bashkohen që të gjithë për të përfaqësuar e mbrojtur intresat e të nëpërkëmburve e grabiturve prej tyre. Por kjo është një çështje tjetër që pret.

P.S. Besoj se i njëjti arësyetim do të bëhet edhe nesër kur e djathta të vendosë të krijonë një parti të vetme të madhe. Edhe atëhere kam frikë se i vetmi problem që do të mbetet do të jetë krijimi i një të djathte të vërtetë. Por edhe kjo është një çështje që pret. (Korrieri, 28 maj 2006)


Saturday, May 27, 2006

Ky “model” “bashkëpunimi” i politikës me biznesin ka një emër shumë të thjeshtë në Kodin Penal: “bashkëpunim në krim”.

Mazhoranca ka miratuar një amendament që ndalon pronarët ose ata që kanë aksione me mediat elektronike, të marrin pjesë në tenderat me fonde publike. Kjo nismë vjen nisur nga përvoja e abuzimeve ose e përfitimeve të këtyre kategorive nëpërmes trafikut të influencës, me idenë për të bërë një rregullim në këtë drejtim, ndërsa është kontestuar nga ata që mbrojnë parimet demokratike të barazisë dhe të drejtave të njeriut. Cili është opinioni juaj, a është kjo një zgjedhje e lehte?

Zgjedhja nuk është e lehtë mbi të gjitha sepse kemi të bëjmë me prerje kollonash që, në një farë mënyre, mbajnë në këmbë sistemin e koruptuar mediatik që kanë ndërtuar socialistët dhe, ndërkaq, sipas meje, nuk duket se ekziston një vizion/projekt i qartë se çfarë do ta zëvendësojë atë në fushën e mediave. Prandaj mbetet rreziku që ose ky sistem mediatik të bjerë e të na zerë brenda ose që disa nga kollonat e tij të zëvendësohen me mbështetës të PD-së. Por, gjithsesi, sipas meje, është një akt i rëndësishëm pozitiv, qoftë edhe vetëm si sinjal moral, paçka se ka plot kundërthënie e nuk e zgjidh përfundimisht problemin e tjetërsimit të rolit të mediave tona.
Tek ky ligj kemi të bëjmë me eliminimin e një konflikti interesi të pastër dhe shumë të dukshëm. Eliminimi i konflikteve të interesave presupozon që kontrollori dhe i kontrolluari të mos jenë i njëjti person apo grup interesi, por të jenë autonomë. Media në fakt ka për synim të kontrollojë e mbi të gjitha të kontrollojë se si punon pushteti. Pushteti nga ana e vet ka për qëllim të kontrollojë (mes tjerash) se si punon biznesi, veçanërisht se si kryen punimet publike për të cilat ka dhënë të hollat. Kurse në rastin e kësaj lidhjeje: pushtet - media - biznes nuk ka më kontrollorë dhe të kontrolluar, por një sistem të mbyllur shumë të ngjashëm me atë komunist ku pushteti kishte nën kontroll mediat të cilat i përdorte për të propaganduar punët e veta dhe i paguante këto me të hollat publike. Nuk është e rastit që bizneset kryesore që funksionojnë në Shqipëri, ai i ndërtimit dhe ai i tenderave, (që të dy të varura nga firmat e politikanëve) në më të shumtën e rasteve menaxhohen nga biznesmenë që zotërojnë edhe media.
Gjëja më paradoksale që vihet re në kundërshtimin e këtij ligji është ai i atyre që e kundërshtojnë këtë ligj në emër të të drejtve të njeriut. Të bësh një ligj kundër konfliktit të interesave nuk do të thotë të bësh ligj kundër të drejtave të njeriut, por të bësh një ligj që i kufizon të drejtat deri atje ku ato cënojnë të drejtat e të tjerëve. A thua se abuzimi në shuma përrallore me fondet publike nëpërmjet këtij sistemi nuk paska cënuar të drejtat e njeriut. Në fakt ka cënuar të drejtat e shumicës së njerëzve sepse shumicën e tyre e ka lënë me një sistem arsimor mizerabël, me një gjendje spitalore të ububushme, me një gjendje rrugësh që degradojnë në mënyrë galopante sëbashku me mushkëritë e njerëzve – sepse kemi të bëjmë me të holla që, nëpërmjet këtij sistemi, në vend se të investohen në këta sektorë futen në xhepat e pak personave.
Problemi që mbetet edhe pas këtij ligji është se media jonë ka qenë e tjetërsuar e nuk ka luajtur rolin e “kontrollorit” të ndershëm e autonom, por është keqpërdorur, edhe në shumë raste kur pronarët e tyre nuk kanë patur biznese që lidhen me tenderime, por biznese të tjera ose kur kanë pasur si pronë vetëm median. Ata që e kundërshtojnë këtë ligj sjellin edhe argumentin se fare lehtë pronarët mund ta ushtrojnë presionin e mediave të tyre në favor të të tretëve me të cilët, pastaj, ndajnë përsëri fitimin; apo mund të krijojnë kompani fantazma për ta fshehur konfliktin e interesave. Mirëpo, këto nuk mund të shërbejë si argumente për të justifikuar ruajtjen krejt haptas të një situate konflikti interesash sepse përvoja tregon se kur disa padrejtësira arrijnë deri edhe të mbrohen me ligj atëhere shkalla e degradimit të një shoqërie rritet shumë më tepër. Gjithsesi mendoj se ky ligj nuk mjafton për të kthyer median tonë nga rruga e tjetërsuar ku ka hyrë në rrugën e një medijeje të lirë që i shërben të vërtetës. Duhet një projekt shumë më i plotë, i cili, veç të tjerash, duhet të krijojë mundësira për rritjen e autonomisë dhe personalitetit edhe të stafeve të gazetarëve që ky sistem i ka kthyer në vasalë të pronarëve e indirekt edhe të pushtetarëve.



Z.Lubonja, shtypi i ditës po zbulon fakte se si kryetari i Bashkisë së Tiranës ka bërë të mundur që miq të tij të bëhen aksionerë në biznese fitimprurëse dhe në shërbime që blen ose ofron Bashkia. Ju keni qenë vazhdimisht kritik në mënyrën se si menaxhon Bashkinë Edi Rama, çfarë komenti keni për këto aspekte?

Në Kanada ka një ligj për administratorët e punëve publike sipas të cilit në çdo institucion të rëndësishëm shtetëror ekziston një tip bordi etik tek i cili një administrator i lartë i atij institucioni është i detyruar të japë llogari për disa veprime që bën. Psh. nëse atë e ka ftuar një apo dy biznesmenë për drekë, ai është i detyruar të shkojë tek ky bord e ta njoftojë se filan biznesmen e ka ftuar për drekë. Bordi do ta pyesë (ose do të interesohet) nëse ky biznesmen ka ndonjë biznes që lidhet me sektorët që mbulon ai institucion dhe, nëse rezulton se ai ka biznese të tilla, do t’i thotë se një drekë e tillë nuk mund të haet. Besoj se ky shembull flet vetë për të treguar se sa ndjeshmëri ka bota për paranë e vet publike. Besoj, gjithashtu, se kush ka pasur rastin të frekuentojë restorantet tona më lluksoze e di prej kohësh se administratorët tanë hanë kryesisht (në mos vetëm) dreka e darka me persona bizneset e të cilëve varen kryesisht (më mos vetëm) nga sektori që ata drejtojunë.
Ndër akuzat e mija të kaherëshme ndaj Ramës ka qenë edhe ajo e krijimit të lidhjeve të shkurtëra pushtetar - biznesmen, duke anashkaluar ligjin dhe institucionet. Problemi është se gjatë periudhës socialiste ky u bë modeli i menaxhimit të parasë publike në Shqipëri. Modeli Rama, pra, është modeli i një politikani që mbështetet nga grupe biznesi me të cilët krijon lidhje të shkurtër që anashkalojnë sa institucionet shtetërore aq edhe ato partiake dhe programet që i kanë lançuar. Ky model, në thelb, punon kundër forcimit të institucioneve të shtetit formal e çon në struktura të pervertuara të shtetit, sepse, që të funksionojë, ai kërkon që gjithshka të vihet nën kontrollin e personit/personave që kanë krijuar lidhjen e shkurtër e të heqë mundësinë që institucioni të kontrollohet me transparencë dhe demokraci. Nuk është pra e rastit që Rama është akuzuar vazhdimisht se ka eliminuar borde vendimarrëse apo se ka shkapërcyer tenderime apo që ka dhunuar arbitrarisht kompetenca të të tjera institucioneve e se nuk lejon kontrolle ashtu sikurse nuk është e rastit që lidhjet e tij më të ngushta njëherësh miqësore e tenderuese i ka me një biznesmen si Kokëdhima edhe ky i akuzuar në mënyrë të vazhdueshme për përfitime skandaloze në kurriz të pronës dhe të fondeve publike. Ashtu sikurse nuk është rastësi që Rama ka qenë dhe mbetet politikani më i promovuar në median e këtij, sepse, që të funksionojë ky model kërkon sa shuarjen e zërave kritikë që mund të hedhin dritë mbi dëmet e kësaj mënyre të punuari aq edhe propagandimin e krijimin e kultit të politikanit që i shërben biznesmenit/ëve që e mbështesin. Dyshja Rama – Kokodhima është ajo më elokuentja për ilustrimin e këtij sistemi që ka shkaktuar abuzime të pallogaritëshme me fondet publike. Në botë ky “model” “bashkpunimi” ka një emër shumë të thjeshtë të formuluar në Kodin Penal: bashkpunim në krim. Tek ne, meqënëse ky lloj bashkpunimi është mënyra se si janë ndërtuar marrëdhëniet e politikës me biznesin, e quajnë partneritet i shtetit me biznesin në emër të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut.


Si e parashikoni turizmin shqiptar këtë sezon. Duket se janë marrë shumë masa dhe ka një pritshmëri të madhe. Dhe në përgjithësi, si mendoni se vendi ynë me resurset që ka mund të bëhet atraktiv për pushuesit evropianë..

Para disa ditësh shkova të ha një drekë në Durrës. Parakalova tërë plazhin që nga Hotel Adriatiku deri në fund të Golemit. Pamja që pashë, - sepse kisha ndonja dy vjet që nuk kaloja andej - ishte një llahtar. Kisha krijuar përshtypjen se nga vitet e fundit ishin shembur disa gjera për t’i hapur më shumë vend gjelbërimit dhe rërës dhe pejsazhit, por pashë se kishte ndodhur e kundërta: ishin shtuar edhe më e po shtoheshin akoma betonimet e bregut e të pejsazhit të gjelbër në kodrat prapa. Në fakt duhet ta quaj superllahtar sepse atje bashkohen disa llahtare njëherësh: injoranca masive e njerëzve që vazhdojnë e blejnë e harxhojnë të holla në atë ferr, babëzia e ndërtuesve që nuk ndalen përpara asnjë krimi urban, si dhe korrupsioni i administratorëve që kanë lejuar atë krim. Ai vend mund të jetë atraktiv vetëm për ndonjë regjizor që, si Felini, mendon se e bukura qëndron tek e shëmtuara. Por për turistë evropianë që duan të shijojnë detin e pastërt, rërën e butë dhe pejsazhin e gjelbërt as që bëhet fjalë. Shtoi kësaj edhe faktin se ky betonim po vret përiditë edhe atë që quhet “turizëm kulturor” të cilin quteti i Durrësit, si një nga qytetet më të vjetër të Ballkanit, duhet ta kishte të zhvillur në kulm, pasi jo vetëm që nuk ka më kërkime arkeologjike, por janë shkatërruar edhe shumë monumente kulture që ekzistonin, për të ndërtuar pallate.
Dendësia e ndërtimeve në ish plazhin e Golem e përtej është në proporcion katastrofikisht të zhdrejtë me cilësinë e pushimeve. Dmth atje ka një dendësi maksimale me cilësi minimale pushimesh. Në fakt tërë ato ndërtime nuk janë bërë me qëllim zhvillimin e turizmit në Shqipëri. E tërë ajo katrahurë nuk është tjetër veçse jashtëqitja e një industrie larjeje parash. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Sarandë edhe Vlorë edhe në Velipojë.
Më parë flitej se ne kishim potenciale turistike që mund të bëheshin realitet sikur të ndërtonim infrastrukturë, dmth. rrugë më të mira, furnizim me elektrik dhe ujë si dhe më shumë siguri. Tani, sipas meje, edhe sikur t’i kemi këto, zorr se mund ta kthejmë turizmin bregdetar në burim. Ne do të vazhdojmë, mesa duket, të kemi si burim të ardhurash paret e drogës që do t’i pastrojmë në bregdet. Është një histori absurdi tragjik. Dikur në kohën e Enverit kishim në bregdet bllokun e udhëheqjes, një shkretëtirë për njerëzit e thejshtë shumica e të cilëve nuk mund ta shijonin bregdetin për shkak të varfërisë, dhe jo turistë. Tani kemi përsëri “bllokun e udhëheqjes”, një “shkretëtirë” betoni ku përsëri njerëzit e thjeshtë vuajnë një det të mbushur me ekskremente, dhe përsëri jo turistë. (Rubrika Përpjekja, Standart 27 maj 2006)

Tuesday, May 23, 2006

“Esenca” jonë identitare dhe “kanibalizmi kulturor”

Para pak kohësh në zgjedhjet lokale që u bënë në Angli, sëbashku me humbjen e rëndë të Blairit, ra në sy edhe një fenomen më anësor, por që u komentua jo pak në shtypin botëror: rritja e partisë së ekstremit të djathtë "British National Party" që është partia raciste. Ndonse pakrahasimisht më e dobët se partia e Le Painit në Francë, për shkak të traditave të Britanisë së Madhe, që e kanë bërë atë një vend shumë më multikulturor e shumë më të hapur ndaj tjetrit sesa Franca, përsëri rritja e kësaj partie pati jehonë. Duke i shkruar për këtë fenomen një mikut tim anglez, në shkëmbimet me e-mail më erdhi prej tij një e dhënë vërtet befasuese. Pasi më konfirmoi se kjo nuk është assesi një parti me peshën e asaj të Le Painit ai më solli një fakt që i kishte bërë përshtypje edhe atij si njohës dhe dashamirës i shqiptarëve. Më shkruante se në lagjen fqinje të tij në Londër, ku gazetarët kishin shkuar e kishin bërë hulumtime, sepse atje banonin shumë emigrantë, votues të "British National Party" të intervistuar ne gazetë kishin thënë se nuk kishin asgjë kundër zezakëve, por e kishin me shqiptarët (që atje i njohin si kosovarë, por ne e dimë se shpesh pretendimi se janë kosovarë është përdorur edhe nga shumë shqiptarë të Shqipërisë për të fituar azil atje).
Nuk mund të mos më kujtohej ky fakt duke ndjekur polemikën e nxehtë mbi identitetin e shqiptarëve që filloi me atë të Qoses ndaj Kadaresë dhe u pasua e po pasohet nga një numër jo i vogël komentesh e debatesh. Pse mu kujtua pikërisht ky fakt? Sepse në tërë atë çka po thuhet e shkruhet për identitetin e shqiptarëve nuk mund të mos shquash si shtysë kryesore aspiratën për të qenë evropianë, dhe sepse polemikën, në këtë konteks, e ka nxitur idea kadarejane se identiteti i krishterë i shqiptarëve është një vlerë në këtë projekt kurse ai musliman një antivlerë - çka pastaj çon nga ideja se bëjmë mirë ta theksojmë atë të parin dhe ta zbehim sa të mundim atë të dytin, deri në atë të zhdukjes fare të këtij të dytit. Nuk mund të mos më kujtohej, po ashtu, se pikërisht në Britani Presidenti ynë Moisiu mbajti një fjalim për t’i dhënë një dorë këtij projekti duke thënë atje, midis të tjerash, se: « Shpesh shqiptarët quhen një popull musliman, ose me shumicë muslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane. Si rregull, është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.”
Mesa duket anglezët që kanë votuar për "British National Party" nuk i paskan dëgjuar fare këshillat e Presidentit tonë se duhet të gërmojnë pak për të gjetur thelbin e vyer të shqiptarëve, (në fakt sips Frojdit, po të gërmosh pak. tek njeriu do të gjesh kafshën), por i kanë parë ashtu siç shfaqen dhe i kanë futur në listën e më të këqinjve, dmth. edhe prapa arabëve dhe zezakëve, për të mos folur për indianët, kinezët e më the të thashë. Çudi e madhe! Po çfarë ka ndodhur kështu? A nuk e dinë ata, anglezët, se identiteti ynë prej evropiani me fytyrë të bardhë e për më tepër me rrënjë të thella greko romake e pastaj të krishtera duhet të mjaftonte që ata të mos na linin edhe prapa zezakëve me fytyrë të zezë që janë shumica edhe muslimanë, pale? E, për më tepër, nuk jemi as terroristë si ata fytyrëkafët arabë! Këtë pyetje mu duk se lexova në fytyrën e habitur të një të njohuri kur i tregova për prononcimet e votuesve të "British National Party" i cili e ka të ngulitur thellë e fort në kokë se po të vijë puna për kinezë e zezakë e arabë e të kuq e të verdhë, ne ata nuk i vemë në hesap, po ç’tu bëjmë këtyre gjermanëve e anglezëve dhe atyre nordikëve që e kanë edhe lëkurën ca si më të bardhë se ne.
Edhe fytyra e tij e habitur nuk mund të mos më çonte tek debati që po bëjmë ne për identitetin evropian të shqiptarit.

* * *
Le të kthehemi atëhere tek debati. Ajo që bije në sy, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, është se tek shumica e të angazhuarve në këtë debat ka një mosnjohje dramatike të koncepteve moderne për identitetin - e atë kombëtar veçanërisht - që e denoncon rëndë edhe teksti i Presidentit që duket qartë se është shkruar nga ndonjë “akademik” i shkollës së Enver Hoxhës i konvertuar keq në oksidentalist. E kam fjalën për atë se shumica e artikullshkruesve, me në krye Kadarenë, kur flasin për kombin shqiptar dhe identitetin shqiptar kanë parasysh një “thelb” të pandryshueshëm të shqiptarit dhe shqiptarisë, i cili mbetet aty pavarësisht se si janë shfaqur historikisht dhe se si shfaqen sot shqiptarët në Shqipëri dhe në botë.
«Besimtari musliman shqiptar vertet betohet ne emer te Kur'an-it, por njëkohësisht feston Shën Mërine e Gushtit, Shën Gjergjin e Majit, Shën Kollin e vjeshtës dhe Krishtlindjet. Kjo do të thotë se brenda njeriut shqiptar, pavarësisht se si e përcakton ai veten sot, ka një faktor homogjenizues, dhe ky faktor homogjenizues është pikërisht periudha prej 15 shekujsh krishtërim që ka secili prej tyre në traditën e paraardhësve të vet. » - vazhdon të thotë Presidenti ynë në Oksford në kërkim të « thelbit » të shqiptarit që kësaj here i ve emrin « faktor homogjenizues ». Kurse ish presidenti Berisha duke u shprehur për polemikën tha: « [Kadare] ka meritën se në tërë veprën e tij ka mbledhur copëza të një shpirti kombëtar. »
Pa e ditur, por për shkak se u është ngulitur thellë gjatë periudhës komuniste, dy presidentët dhe vetë Kadareja gjykojnë duke përdorur konceptin stalinist për kombin e për pasojë edhe për identitetin kombëtar. Sepse është i Stalinit koncepti i kombit si diçka e përcaktuar njëherë e mirë sipas të cilit: “kombi është një komunitet popujsh i ndërtuar historikisht e i stabilizuar, i dalë mbi bazën e një gjuhe, territori, jete ekonomike, kulturore, natyre fizike dhe se vetëm plotësimi i njëkohshëm i këtyre karakteristikave mund të përbëjë një komb”. Edhe një mori artikullshkruesish në debatin e fundit i sheh të flasin për këtë thelb/shpirt të pandryshueshëm të shqiptarit, të shkojnë prapa në histori, dhe, pasi e gjejnë e përcaktojnë këtë thelb, (“esencë evropiane” e quan njëri, ”konstitucion shpirtëror evropian” e quan tjetri, “gjeografi” e redukton një tjetër) tërë pjesën e mbeture quajnë shfaqje, aksident. Kështu trajtohen edhe 500 vjet qënie në Perandorinë Otomane edhe koha komuniste edhe ky tranzicion i vështirë. Problemi është se duke parë këtë thelb që na e servirin përpara fytyrës si në pasqyrë ideologët tanë “rilindas modernë” nuk arrijmë të kuptojmë se si nuk na e shohin të shkruar në ballë edhe ata anglezët e nuk kuptojnë, pra, se ne jemi më evropianët e evropianëve të mundshëm - pasi këtë e kemi të shkruar në fytyrën tonë të bardhë, në gjeografinë tonë fatlume dhe në ngulmimin tonë të paepur për të thënë se jemi evropianë. Dhe kjo histori e keqe ka kohë që përsëritet. Më kujtohet se në leximet e mija kam hasur mes tjerash në shënimet e një koloneli gjerman të Luftës së Dytë që ka jetuar në Shqipëri asokohe e që ka shkruar se këta shqiptarët mburren e na thonë me të madhe se janë arjanë dhe perëndimorë, por po t’i vesh re janë lindorë tipikë.
Si shpjegohet ky pasqyrim kaq i shtrembëruar i vetes sonë në pasqyrën e tjetrit, ky dallim midis thelbit dhe shfaqjes (që për hir të së vërtetës edhe ne e ajgëtojmë hera herës sepse, kur vjen puna, e themi edhe ne se “jemi prapa” se “kemi shumë të meta”, por ama thelbin tonë shqiptar e kemi si gur diamanti)? Përgjigja mund të jepet vetëm duke shtruar pyetjen: me çfarë kemi të bëjmë në fakt kur flasim për “esencën evropiane të identitetit shqiptar” me një “esencë” që ekziston apo me një krijim/dëshirë/ideal, një “komunitet të imagjinuar”, sikurse do të thoshte Benedict Anderson? Ata që kanë bërë një shkollë të mesme normale në Perëndim, ku midis të tjerave kanë mësuar edhe elementet bazë të romantizmit të shekullit XIX e disa koncepte bazë të mitologjisë e të logjkës moderne do të përgjigjeshin menjëherë, sikur të ndiqnin debatin tonë, se në këtë kërkim/gjetje esence në shekujt e shkuar kemi të bëjmë me atë që mitologët e quajnë “miti i kthimit në origjinë” i cili ka qenë një nga mitet themeltare të nacional romantikës së shekullit të XIX në luftrat për çlirim kombëtar (e për të zhveshur një identitet e për të krijuar një identitet tjetër). Ata do të çuditeshin vetëm me faktin se si ne nuk e dimë se jetojmë në shekullin XXI e se, po ashtu, logjika aristoteliane e substancës dhe aksidentit është e tejkaluar kur flitet për këtë kategori që sot quhen esencë dhe eksperiencë.
Në fakt, të gjithë nacionalizmat balkanas kanë pasur në rrënjët e krijmit të identiteti të tyre mitin e kthimit në origjinë i cili ka qenë i rëndësishëm jo vetëm për farkimin e identitetit, por edhe për të fituar pavarësinë. Ky mit u bashkua me aspiratën për tu bërë perëndimorë sepse mu atje kishin lindur edhe lëvizjet nacionale rilindase për çlirimin nga sundimi i perandorive. Ky mit ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në historinë e Shqipërisë, por, nga ana tjetër, duhet sqaruar se në shekullin e XIX besohej se miti dhe realiteti ishin e njëjta gjë kurse tashmë njohja se ka një dallim midis mitit dhe realitetit nuk është më monopol i disa të diturve në Evropë, por pjesë e diturisë së njerëzve të zakonshëm. Ashtu sikurse është e tillë edhe njohja se sipas konceptit modern për kombin popujt kanë qenë dhe janë në formim dhe evoluim, se kombformimi e, për pasojë, edhe identiteti kombëtar janë një proces dinamik.
Pra sot gjithkush e di se problemi i kërkimit apo gjetjes në histori apo gjeografi të një thelbi/identiteti në fakt është problemi i krijimit të një thelbi/identiteti ose të shumë thelbeve/identiteteve si instrumente të nevojshme social kulturore për t’iu përgjigjur nevojave të ndërtimit të së tashmes dhe të së ardhmes. (Këtë e ka ditur edhe një nga etërit e nacionalizmit shqiptar Mithat Frashëri, kur thoshte se më 1912 shqiptarëve u dilte detyra që nga një grumbuj fisesh të krijonin një komb.) E mbi të gjitha sot në botën ku kërkojmë të hyjmë gjithkush e di se ka një dallim të rëndësishëm midis atij që rëndom ne e quajmë “komb” apo “popull” dhe atij që quhet “shtet kombëtar” sepse ky i fundit është produkt i kohëve moderne dhe se sot rendi ndërkombëtar botëror ndahet në shtete dhe jo në kombe apo popuj (çka psh. i lejon një francezi që ka origjinë afrikane të quhet francez). Vetëm ne, nxënësit e nacional komunizmit të Enver Hoxhës, vazhdojmë të flasim sikur qysh nga koha e ilirëve e pastaj e Shtetit të Arbërit, që e gjejmë vetëm në veprat e Kadaresë, e deri më sot, kemi qenë e jemi e njëjta substancë, po ata shqiptarë e po ky komb e po ky shtet kombëtar. Dhe kjo mënyrë të foluri nuk na bën as lindorë as perëndimorë, por vetëm qesharakë.

* * *
Para disa kohësh pati një debat mbi restaurimin e një monumenti kulture në Kalanë e Shkodrës që në fillim ka qenë kishë dhe pastaj gjatë 500 vjetëve është bërë xhami. Mënyra se si qe emëruar restaurimi i objektit në dokumentin e Ministrisë së Kulturës: “restaurimi i Kishës së...” e shtyu komunitetin musliman të kërkonte ndërprerjen e punimeve me frikën se mund të kthehej në kishë - çka ata e konsideronin fyerje të historisë së tyre dmth. edhe të identitetit të tyre. I gjithë debati u përqëndrua në atë se çfarë ishte ky objekt, kishë apo xhami. Ndeshja midis komuniteteve u transferua kështu në histori ku pretendimit se ka të drejtë ai i cili gjen se cila ishte trajta origjinale e këtij objekti iu kundërvu pretendimi se më e rëndësishme se kjo ishte trajta e fundit e tij. Dhe kjo i vuri shqiptarët në dilemën: po çfarë jemi ne, të krishterë, sikurse thonë ata që pretendojnë se në krye të herës ka qenë kishë, muslimanë sikurse thonë ata që pretendojnë se për 500 vjet ky objekt ka qenë xhami, apo mund të jemi të dyja sikurse thonë disa të tjerë që thonë se ka qenë edhe kishë edhe xhami?
Po t’i shkosh ca më thellë këtij debati, tek ideja se objekti duhej restauruar ashtu siç ka qenë në trajtën e parë, ndeshemi mu me rivitalizimin e mitit të kthimit në origjinë, por me një variant të rishikuar të tij në krahasim me variantet e rilindasve, por edhe në krahasim me variantet e komunistëve. Sepse në varianin e rilindasve kthimi në origjinë ishte kthim në atdheun e lirë jo në fe, kurse në variantin e komunistëve fetë (edhe të krishterat edhe muslimanet) janë konsideruar si diçka e huaj për “thelbin shqiptar”, si agjentë të të huajve që na kanë pushtuar. Dhe po të shohim më me kujdes, ata që sot përdorin arsyetimin se feja muslimane është fe e pushtuesit nuk bëjnë gjë tjetër veçse përdorin logjikën e komunistëve, sepse, po ta përdorim këtë logjikë deri në fund, edhe feja e krishterë na del fe e pushtuesve pasi na ka ardhur nëpërmjet pushtuesve romakë ndaj të cilëve ne, ilirët, kemi luftuar për ruajtjen e pavarësisë dhe të identitetit tonë kulturor, të cilin, sikurse ka shkruar edhe vetë Kadareja i madh, e kemi pasur as më lart e as më poshtë sesa vetë grekët e shquar të Antikitetit. Atëhere kush është thelbi ynë identitar?
Kushdo që nuk e ka kokën të deformuar nga shkolla nacional komuniste e Enver Hoxhës dhe që njeh sadopak konceptet moderne mbi identitetet kombëtare (mjafton të kesh lexuar disa libra që janë botuar edhe në shqip si “Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780-a. Programi, Miti, Realiteti” i E. J. Hobsbawm apo “Etnonacionalizmi në Evropë” i Urs Altermattt), e ka të qartë se këtu nuk bëhet fjalë për gjetje të vërtetash historike, por për krijim të vërtetash mitologjike me synim përbashkimin e njerëzve për qëllime të së tashmes dhe të së ardhmes e se ato që i quajmë “esenca” duhet t’i përkthejmë në “ideale”.
Prandaj i gjithë ky debat, po ta përkthejmë, siç duhet përkthyer, nga si e kemi vendosur ne me kokë prapa, për nga historia, me kokë para, për nga e ardhmja, shtrohet në këtë formë: debati rreh të përcaktojë se çfarë identiteti/identitetesh kemi nevojë sot të krijojmë apo theksojmë që t’i përgjigjemi idealeve të kohës e të ndërtojmë të tashmen e të ardhmen tonë? A na ndihmon theksimi i identitetit të krishterë dhe dobësimi i identitetit musliman për këtë – sikurse thonë kadarejanët? A duhet të vemë shqiptarinë mbi identitetet fetare duke i zbehur këto, apo ta vemë atë (shqiptarinë) si ombrellë mbi identitetet më të vogla, sikurse thotë Qosja që është më afër rilindasve? Apo mos vallë duhet t’i vemë të gjithë identitetet me një plan, madje të krijojmë edhe identitete të tjera pa ombrellë tjetër identitare mbi krye (përveç shtetit laik që garanton të drejtat e qytetarit) sepse janë gjëra të ndryshme, që, të gjitha, në ndërveprim midis tyre? E kur shtrojmë pyetjen “a duhet ne?” përsëri sekushi prej nesh duhet të bëjë kujdes se menjëherë do t’i dalin përpara pyetje të tilla: “Kush jam unë që paskam të drejtë të përcaktoj identitetet primare dhe sekondare të shoqërisë sonë?” “Kush jam unë që dua të ndryshojmë identitete?” “Kush jam unë që dua të shtojmë identitete/” “A kam unë të drejtë t’i imponoj një katoliku apo një muslimani se duhet të verë shqiptarinë mbi besimin e tij?” “A ka të drejtë një katolik apo një musliman të më thotë mua se nuk jam një shqiptar i vërtetë sa kohë që nuk besoj në fetë e tyre?” “A mundet një shqiptarist të më thotë se jam shqiptar i dorës së dytë pasi nuk e njoh shqiptarinë si thelbin tim njerëzor, por vetëm si një nga identitetet e mija, e prandaj nuk jam as evropian?” “A ka të drejtë një katolik t’i thotë një muslimani se ai është më pak evropian meqë nuk është i krishterë” “A ka të drejtë një musliman të thotë se identitetin e tij e gjen më fort në botën arabe sesa atë evropiane?”
Ndaj këtyre pyetjeve e të tjerave përgjigjet janë të ndryshme varësisht nga vizioni për botën që kemi. Por vetë fakti që ekzistojnë tërë këto pyetje e të tjera si këto lidhur me identitetin/tet tregon sesa komplekse është çështja dhe, nëse duam të ndërtojmë një demokraci, duhet që lidhur me këto pyetje të përdorim të tjera koncepte mbi identitetin nga ato tashmë të vjetëruara që flasin për “thelbe” e “esenca” apo identitete superiore dhe inferiore apo për “përpjekje për të përkufizuar një herë e mirë vetëdijen tonë identitare që të gjithë popujt evropianë e kanë bërë tashmë”. Nëse vërtet aspirojmë të bëhemi qytetarë demokratë të kohës kur jetojmë – po refuzoj të them evropianë sepse demokracia si rrugë drejt më shumë lirie nuk është “thelb” apo “esence” e Evropës që e bën atë superiore ndaj të tjerëve, por një proces me shtrirje historike e gjeografike shumë më të gjerë, e të pafundëm - duhet të kemi të qartë se kur flasim për identitetin/tet duhet të ngulmojmë për kultivimin mbrojtjen dhe njohjen e identiteteve të disafishta të njeriut dhe jo për një thelb të vetëm identitar dhe as për një superidentitet përfundimtar. Kjo për shumë arësye: sepse shoqëria qytetare (evropiane e më gjerë) është ndërtuar mbi bazën e të drejtës individuale të qytetarit dhe jo të së drejtës kolektive të grupit dhe ky qytetar është multiidentitar qoftë edhe vetëm për shkak të evoluimit që pëson me moshën; sepse identitetet e disafishta që ndërveprojnë me njëri tjetrin i përgjigjen shumë më mirë realiteteve sociale dhe individuale; sepse, sikurse thotë edhe Urs Altermat, ”vetëm kështu mund të gërshetohen me njëra tjetrën luajalitet politike dhe kulturore”; por, dhe e mbi të gjitha, sepse, sikurse thotë Claud Lèvi Strauss, homogjenizimi kulturor nuk është tjetër veçse “kanibalizëm kulturor”. Prandaj kush kërkon të na përcaktojë një identitet primar përfundimtar, t’i verë tij edhe mbiemrin “evropian” (duke (sh)përdorur kështu këtë mit të fuqishëm të kohës, sepse edhe “identiteti evropian” është një mit/ideal që kush do të kërkonte ta përcaktonte si një esencë të pandryshueshme do të ngatërrohej më keq se ata që kërkojnë të përcaktojnë esencën e shqiptarëve) dhe të paraqitet si përfaqësuesi dhe mbrojtësi i i tij, duhet parë me dyshim. Sepse një hap e ndan përcaktimin e këtij identiteti nga përpjekja për të na homogjenizuar, diskriminuar e pastaj persekutuar. Një nga kadarejanët, duke u prononcuar për debatin në fjalë, pasi çmon lart konsekuencën e Kadaresë në mbrojtjen e idesë se identiteti i Shqipërisë është i lidhur me krishtërimin, pra me Perëndimin, dhe dënon qëndrimin sipas të cilit Shqipëria është udhëkryqi i dy kulturave shprehet: “Shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia aktuale religjioze, kanë një dhe vetëm një identitet historik, politik, kulturor dhe qytetar, atë evropian. Kush mendon ndryshe dhe vrerin e vet rreket ta shpërndajë sa majtas - djathtas, sa andej - këtej kufirit, pastë veten në qafë.” Sa afër gjuhës së diktaturës tingëllojnë këto fjalë! Dhe jo rastësisht njerëz që shprehen kështu, shpesh, po të kërkosh në të kaluarën e tyre komuniste, do t’i gjesh se edhe në atë kohë kanë ushtruar “marrjen në qafë” të njerëzve.
Askush, prandaj, të mos mendojë se ajo histori e shëmtuar kanibalizmi kulturor që çon në kanibalizmin pa epitet ka mbaruar. Në historinë e shkurtër paskomuniste shqiptare gjejmë dy periudha ku shfaqen me agresivitet kësi kanibalësh që, duke kërkuar të venë prioritete identitare e të homogjenizojnë kanë vënë në rrezik bashkjetesën harmonike të komuniteteve të ndryshme fetare të saporigjallëruara në Shqipëri e më gjerë, të shqiptarëve. Ka qenë një periudhë e parë kur, nën ndikimin e rritjes në përgjithësi të nacionalizmave në Ballkan, që, përsa u përket shqiptarëve, kishte të bënte kryesisht me çështjen e Kosovës, pra, me kundërvënien ndaj serbëve, kjo racë kanibalësh tentoi të fuste në Shqipëri e ta instrumentalizonte politikisht idenë se shqiptarët e mirë apo të vërtetë (dmth. esencialë) ishin shqiptarët muslimanë, sepse vetëm në sajë të tyre kishim mundur të ruanim identitetin dhe kombësinë, se, përndryshe, po të qe për të krishterët tradhëtarë, do të na kishin përpirë serbet dhe grekët. Asaj kohe u përdor shumë nëpër gazetat, veçanërisht të pushtetit, termi “sllavoortodoks” për të demonizuar pjesën e shqiptarëve që ishin kundër pushtetit i cili duhet të kishte, sipas kësaj paradigme, në themelin e vet të sigurisë, muslimanët.
Pas 11 shtatorit vihet re një përpjekje për gjallërimin e një paradigme të kundërt kanibalësh që çon tek instrumentalizimi i identitetit fetar të krishterë. Meqënëse vëllai ynë i madh, Perëndimi e veçanërisht Amerika, që na ndihmoi edhe për çlirimin e Kosovës, ka si armikun e vet të madh muslimanët, atëhere ne duhet të theksojmë identitetin tonë të krishterë që është garancia se vëllai i madh do të na dojë e do të na mbajë pranë përherë.
Ja pra se si xhamia ha kishën dhe kisha ha xhaminë jo për shkak të të vërtetave të së kaluarës, por për shkak të orekseve të kanibalëve kulturorë të së tashmes që shpesh e ndrrojnë shijen, gjellën dhe oreksin sipas asaj se kush u jep të hanë. E për sa kohë do të zhvillojmë këtë kulturë kanibalësh që manifestohet edhe në marrëdhëniet me të tjerët e ndryshëm kudo që ndodhemi nëpër botë, e do të bëjmë debate mbi identitetin/tet me një frymë që na tregon se kemi mbetur në shekullin XIX e në kohën e totalitarizmave, kam frikë se votuesit e “British National Party” do të na lenë në listën e më të këqinjve, nën zezakët e arabët muslimanë, megjithë mburrjet tona për esencën evropiane të ndërtuar mbi lëkurën e bardhë, origjinën e krishterë dhe gjeografinë. (Korrieri, 23 maj 2006)

Monday, May 15, 2006

Degradimi qëndron në karakterin e marëdhënieve që po ndërtohen midis shqiptarëve

Duke komentuar publikimin e një videoje pothuajse pornografike ku shquhet një vajzë e njohur për ekranin siç është Inis Gjoni, e keni konsideruar këtë si një akt të një shoqërie të degraduar. Pse sipas jush kjo është një tipar për realitetin shqiptar, dhe jo një dukuri që haset përbotshëm në shoqëritë e konsumit.

Nëse e keni lexuar me vëmendje shkrimin tim unë nuk shprehem kundër pornografisë. Ndonëse jam kundër komercializimit që arrin deri në komercializimin e trupit, ngase jam në përgjithësi kundër matjes së gjithshkaje me vlerat e shitblerje, pornografinë e pranoj nga një këndvështrim tjetër: sepse e konsideroj si një formë të çlirimit të energjisë seksuale të njeriut, si një formë, pra, për t’u çliruar nga ato tabu që e kanë mbajtur këtë energji të ndrydhur e që jo rrallë kanë bërë që ajo të marrë devijime të tmerrshme tragjike qoftë në jetët personale qoftë edhe në nivele katastrofash shoqërore. Pra në këtë kuptim pornografinë e shoh si një mjet për të arritur më shumë liri seksuale çka do të thotë edhe më shumë liri njerëzore.
Po ashtu e kam vështirë të shprehem për ndalimin me ligj të prostitucionit ndonëse e konsideroj si një plagë të shoqërisë që vjen sa nga varfëria (këtu kam parasysh prostitutat) aq edhe nga mungesat e lirive seksuale (e këtë kam parasysh më shumë klientët). E kam të vështirë të shprehem për ndalimin me ligj sepse askush nuk ka të drejtë të vendosë se çfarë don të bëjë me trupin e vet një njeri përveç të zotit të atij trupi. Është njëlloj sikur të kërkosh të ndalosh me ligj që një grua të martohet me një burrë për shkak të parave të tij. Sepse, edhe në këtë rast, a nuk kemi të bëjmë me prostituim, por me një burrë të vetëm? Mund ta dënosh moralisht, por nuk mund ta ndalosh me ligj. E këtu duhet bërë dallimi me trafikimin që duhet të jetë tmerësisht i dënueshëm sepse në këtë rast, për atë çka ndodh me trupin e një njeriu, vendosin të tjerët, trafikantët, që i çojnë e i shfrytëzojnë prostitutat në rrugë.
Thënë kjo le të kthehemi në skandalin Gjoni. Në thelbin e atij skandali, ashtu siç e shoh unë, nuk kemi të bëjmë as me pornografi as me prostitucion. Në botën e huaj për të cilni flisni ju mund të gjesh pafund pornostare që e kanë edhe profesionin e tyre pornografinë, por që kanë edhe personalitetin e tyre edhe dashurinë e tyre ashtu sikurse edhe shumë prostituta që e kanë profesionin e tyre prostitucionin, por që kanë edhe personalitetin e tyre edhe dashuritë e tyre. Ajo çka gjej unë tek skandali Gjoni, ose, më saktë, ajo që më ngacmoi të shkruaj rreth këtij skandali, ka të bëjë me karakterin e marëdhënieve që po ndërtohen midis shqiptarëve. Marrëdhënie që karakterizohen nga mungesa e dashurisë së vërtetë, e respektit të ndërsjelltë në marrdhënie, përkundrazi ku bije në sy krijimi i lidhjeve mbi një kulturë të (sh)përdorimit të njëri tjetrit për qëllime thjesht fitimi parash. (e këtu nuk e kam fjalën vetëm për lidhjet me bazë seksuale, por edhe për lidhjet miqësore e më the të thashë). E në këtë kontekst nuk bëj dallim as me aktin e atij personi shtetëror që e ka nxjerrë videon nga institucioni shtetëror për ta shitur. Në këtë skandal, pra, nuk kemi të bëjmë me pornografi, por kemi të bëjme me një video private, të mbajtur në celular s’dihet se pse, por sipas meje për t’ua treguar si trofe miqve apo për të shantazhuar Inisin, nga një person që rezulton edhe si trafikant droge dhe si i dashuri i saj, e nxjerrë kjo video në të ashtuquajturin “treg të lirë” nga një funksionar i një institucioni shtetëror jo dosido, por i drejtësisë, me qëllime, sipas meje, përfitimi parash. Zorr se mund të gjesh kaq shumë imoralitete e në formë kaq banale në një ngjarje në botën që sollët ju për krahasim, përveçse në filma. Këtu e gjej unë atë që ju e quajtët specifikë shqiptare, jo se nuk ekzistojnë në botën e perëndimore, por sipas meje kurrsesi në një shkallë e shtrirje kaq dramatike.


Kohët e fundi ka pasur një debat të nxehtë mes Kadarese dhe Qoses, në lidhje me identitetin europian, apo lindor të shqiptarëve, ku është cekur elementi i besimit fetar. A e keni ndjekur këtë debat, dhe cili mund të ishte komenti juaj për të.


E kam ndjekur polemikën e Qoses kurse me idetë e Kadaresë njihem prej kohësh. Nuk mund veçse të jem dakort me tërësinë e kritikave të Qoses madje, jashtë modestisë, mund të them se shumicën e tyre (si argumente) do t’i gjeni në faqet e Përpjekjes të shtjelluara prej vitesh, (mjafton të përmend numrin 15-16 “Mbi rolin e miteve në historinë e Shqipërisë” apo numrin 20 “Feja dhe shqiptarët”) edhe në mjaft nga shkrimet e mija (I fundit titullohej “Mbi shpërdorimin e Nënë Terezës”).
Prandaj nuk dua të zgjatem në këtë përgjigje lidhur me tema të tilla si ajo e ikjes nga identiteti musliman, të racizmit e të ndjenjës nacionaliste të epërsisë mbi të tjerët si shprehje, thellë thellë, të një kompleksi inferioriteti; ajo e identitetit kombëtar si një proces historik dhe jo si një e dhënë e pandryshueshme; ajo e anakronizmit dhe keqkuptimit të identifikimit të Evropës me krishtërimin e në këto kontekst edhe mbi shpërdorimin e Nënë Terezës; ajo e manipulimit të së kaluarës; ajo e metodave komuniste të identifikimit të kundërshtarit me armikun e Shqipërisë etj. – të cilat i kam trajtuar edhe si kritikë ndaj Kadaresë, por mbi mbi të gjitha si kundërvënie ndaj një kulture të kultivuar në komunizmin tonë.
Ajo çka desha të komentoj lidhur me polemikën e Qoses janë dy gjëra që sipas meje meritojnë debat.
E para është çështja se pse e gjejmë shkrimtarin Ismail Kadare, (dhe jo vetëm atë, por në përgjithësi elitën tonë ish komuniste) pas hapjes së Shqipërisë, në pozicione që në spektrin politik kulturor evropian do të përkufizoheshin si qëndrime afër ekstremit të djathtë. Qosja e paraqet këtë (ri)pozicionim të tij si konformizmin i ri (ndaj Perëndimit) të një shkrimtari me karakter konjuktural. Por në Perëndim, e veçanërisht tek intelektualët, ekziston edhe kultura e majtë, e pushteti i majtë. Madje, po të vesh re, marrësit e çmimit Nobel, që aq shumë e aspiron Kadareja, kanë qenë e janë kryesisht të majtë.
Sipas meje kjo “zgjedhje” e djathtë për një konformizëm të ri nga ana e Kadaresë është kushtëzuar mjaft nga e kaluara: nga disa faktorë kulturorë, të formimit të vjetër të regjimit komunist, por edhe nga disa faktorë psikologjikë që kanë të bëjnë me komplekset e krijuara gjatë asaj kohe. Kur them “formim i vjetër” kam parasysh atë që e kam thënë dhe e ripërsëris për të njëmijtën herë se kultura e Enver Hoxhës ka qenë nacional – komuniste dhe nuk ka asgjë të përbashkët, në shumë aspekte, me kulturën qoftë liberale qoftë të majtë (edhe komuniste) evropiane. Nacionalizmi, racizmi, ndjenja e superioritetit ndaj kinezëve, turqve, grekëve sllavëve, evgjitëve ashtu sikurse patriarkalizmi e maçoizmi apo persekutimi i homoseksualëve kanë qenë pjesë e kulturës sonë, gjuhë edhe e Enver Hoxhës, dhe po ta vesh re vepra e Kadaresë është e mbushur me elementë të këtillë. Kur ai tallet me kinezët si racë, kur e quan gjuhën serbe “gjuhë jevgë”, apo i bën turqit prurës të ferexheve në Shqipërinë e ndritur të Mesjetës askush nga komunistët nuk është shqetësuar. Edhe ikja nga identiteti turk ka qenë pjesë e asaj ideologjie e trashëguar pa dyshim nga nacional romantizmi i Rilindjes. Edhe atë e gjen me bollëk në veprën e Kadaresë mjafton të lexosh veprat me tematikë perandorinë osmane.
Kur flas për faktor psikologjik në këtë zgjedhje të djathtë kam parasysh “ikjen nga e majta” me të cilën janë identifikuar intelektualët shqiptarë gjatë regjimit e që ka të bëjë me komplekset e fajit që u ka krijuar kjo përkatësi. Prandaj nuk mund të pajtohem plotësisht me Qosen se këtu kemi të bëjmë thjeshtë me një konjukturalizëm. E djathta neokon e Bushit e pas 11 shtatorit veçse e justifikon këtë qëndrim, por nuk është shkaku. Më shumë kemi të bëjmë me një tentativë për të shpëtuar jetën dhe veprën e për të mbijetuar e ruajtur pushtetin kulturor që vërteton edhe thënien e vjetër: ekstremet puqen. E në këtë tentativë hyn një element i ri: ndryshimi i qëndrimit ndaj katolicizmit. Nëse në kohën e Hoxhës Shqipëria qëndronte sipërore dhe e pamposhtur si ndaj Lindjes edhe ndaj Perëndimit, e kështu paraqitet edhe në veprën e Kadaresë, korrigjimi më i vogël i mundshëm që mund t’i bënte Kadareja veprës është të hiqte gjysmën krejtësisht të pambrojtshme antiperëndimorizmin. Pa dyshim kjo nuk ndahet edhe nga ëndrra për tu bërë pjesë e Evropës, por pse duke e identifikuar Evropën me katolicizmin dhe jo me Iluminizmin psh. çka mund të ishte më afër të majtës. Sips meje faktori psikologjik i largimit nga e majta i mpleksur me karakterin thellësisht nacionalist të veprës e kanë diktuar këtë zgjedhje të djathtë.
Një gjë tjetër që vlen të komentohet lidhur me këtë polemikë ka të bëjë me mënyrën sesi ka reaguar e ashtuquajtura inteligjencë shqiptare lidhur me këtë polemikë që është mjaft e rëndësishme si përsa i përket tematikës ashtu edhe autoritetit të polemizuesve. Qosja me të drejtë ve re se disa nga gafat e Kadaresë, kur flet për çështjet e identitetit, janë të tilla që mund të mbesnin në klasë çdo gjimnazit në shkollat normale perëndimore. Ndërkaq tek atikullshkruesit mbi këtë polemikë bije në sy një mungesë kompetence po aq skandaloze përzjerë me një ndjenjë nga ato e njerëzve të vegjël që nuk janë në gjendje intelektuale të kenë mendimet e tyre e aq më pak të venë në dyshim idhujt e kombit, prandaj në vend se të kërkojnë të vërtetën i ha meraku se si të bëjmë që t’i pajtojmë zotat që s’dihete se pse qënkan zëmëruar me njëri tjetrin. Të tjerë, më të ditur, që i dinë këto punë, heshtin e hanë siç kanë heshtur e ngrënë tërë jetës. Po ndryshe si do të ishim në këtë mjerim intelektual e shpirtëror ku jemi.

Pranimi i 5 kinezeve të cilat kanë aplikuar për azil politik, por që kërkohen nga Kina si terroristë, është tema e ditës. Ka pasur shumë komente. Një palë e konsideron një lëvizje me kosto të panevojshme që ka bërë qeveria, duke u konfliktuar me Pekinin. Një palë, mendon se është njerëzore të pranohen 5 qënie humane, të cilat po të dorëzohen, i pret litari. Një palë tjetër e interpreton si një bindje të autoriteteve tona ndaj një dëshire amerikane. Si e gjykoni ju këtë rast.

Do të më vinte shumë keq nëse një akt i tillë do të vinte si rezultat i bindjes sonë shekullore ndaj më të fortit. Sot në Evropë ka një debat të madh lidhur me avjonët e CIAs që kanë transportuar nëpër qiejt e shteteve perëndimore në mënyrë ilegale persona të dyshuar për terrorizëm. Në Itali është hapur një proces për faktin se CIA ka ndërhyrë në Itali dhe ka marrë pa dijeninë e shtetit italian – të paktën kështu pretendojnë institucionet shtetërore - një qytetar arab i dyshuar për terrorist. Mesazhi moral që rrezatohet nga debati është i qartë: ligjet që mbrojnë të drejtat e njeriut nuk duhet asesi të cënohen, sepse kjo do të përbënte një degradim për qytetërimin që kemi ndërtuar e për atë që synojmë të ndërtojmë. Shqipëria nuk duhet të dalë jashtë kësaj logjike, cilido qoftë shteti që i kërkon të shkelen të drejtat e njeriut. Politikanët tanë duhet të kuptojnë më në fund se ajo çka kemi nevojë është që me qëndrimet e tyre ndaj botës ata t’i japin pak më shumë dinjitet vendit me të cilin kemi lidhur identitetin tonë e jo të mbajnë qëndrime që i shërbejnë ruajtjes së pushtetit të tyre në kurriz të dinjitetit tonë. Kur flitet sot për ato vende ku mendohet se CIA ka çuar për të hetuar, duke aplikuar torturën, të dyshuarit për terrorizëm flitet me përçmim, si shtete të kategorisë së dytë e të tretë, si “vend egërsirash” nëse mund ta përdor këtë krahasim. Ne nuk duam që Shqipëria të jetë një kosh i tillë. Sot shumë analistë ngrenë pikëpyetjen nëse shekulli ky kemi hyrë do të mund të quhet deri në fund si shekulli i dytë i SHBA apo do të marrë emrin shekulli i parë i Kinës. Pra Kina është një vend që po i rritet shumë pesha në botë, që investon për këtë edhe duke korruptuar elitat. Po të mbetemi të tillë siç kemi qenë deri më sot e po të ndodhë ajo që profetizojnë ata që thënë se ky do të njihet si shekulli i parë i Kinës ka gjasë që nesër të kthehemi me Kinën kundër SHBA. Mos të harrojmë se jo shumë kohë më parë kemi qenë kështu ashtu sikurse kemi qenë edhe me BRSS kundër SHBA. Kjo histori duhet të mbarojë. Ne duhet të jemi një shtet evropian që marrdhëniet me tjetrin i ndërton mbi respektin e ligjit dhe të atyre vlerave që mbrojnë liritë dhe të drejta e njeriut përpara të cilave të gjithë duhet të ndjehen e trajtohen si të barabartë. Kina do të merrte kështu një mesazh të madh nga Shqipëria e vogël, mesazh që do të ishte shumë më i fortë e më i vërtetë nëse të njëjtën logjikë do ta përdornim edhe për SHBA e këdo tjetër nesër. (Rubrika Përpjekja, Standart 13 maj 2006)


Inis Gjoni dhe dashuria

Ka ditë që media ka patur si një nga kryelajmet e saj shpërhapjen nëpër internet të një videoje celulare të një personazhi që disa gazeta e quajtën “VIP i skenës”, pa i përmendur emrin, disa “një showgirl”, derisa, më në fund, doli hapur se ishte fjala për bukuroshen Inis Gjoni e cila është filmuar me celular nga i dashuri i saj, i arrestuar më vonë për tafikant droge, teksa merr kokainë e bën seks ne gjendje nudo. Videoja ka mbetur në celularin e trafikantit të arrestuar, është administruar si provë materiale kur ky është kapur, mirëpo, pas një kohe, “ka dalë në treg” dhe sot qarkullon në internet.
Kam ndjekur reagimet dhe komentet në median shqiptare mbi çështjen Gjoni, që më duket çështje emblematike, sepse shumëdimensionale, për të analizuar problematikën e degradimit moral e shpirtëror të një shoqërie. Uroj të jem i gabuar, por, nga sa kam lexuar, më rezulton se shoqëria shqiptare, të paktën duke iu referuar mediave, po e trajton me një farë sipërfaqësie çëshjen Gjoni, sepse është duke anashkaluar atë që, nën këndvështrimin tim, është kryethelbi i kësaj çështjeje.
Është folur shumë për aktin e shkeljes së sekretit e të privatësisë nga ana e gjyqtarëve apo të atyre që e nxorrën nga zyrat e institucioneve shtetërore këtë video, e nuk jam kundër që është folur për këtë (dyshoj shumë se është bërë për lekë, por, edhe po të mos jetë kështu, kemi të bëjmë me një nëpërkëmbje të palejueshme të dinjitetit të institucionit); është debatuar për mediat që e nxorrën emrin e në duhej nxjerrë apo jo (në mbrojtje të privatësisë); për ata që e hodhën në tregun e seksomanëve të internetit; për një revolucion seksual që po na sjell dashur pa dashur Inisi, për faktin se ajo është viktimë e teknologjisë. Ndërkaq bukuroshja Gjoni, sikur ta dijë se bukuria është mbrojtja e fundit e njeriut, po del e jep intervista në televizionet që, nga ana e tyre, nuk ndalen përpara asgjëje në garën sa të sëmurë aq edhe banale për audiencë.
Vetëm për një çështje që më duket se është pjesa e nënujshme e ajsbergut të kësaj çështjeje si simbol i degradimit të shoqërisë shqiptare nuk kam parë të flitet e të shkruhet në mediat tona.
Para se të shtjelloj shqetësimin tim nxitoj të them se, sikur të bëhej fjalë për një video porno e Inisi të quhej pornostari i parë shqiptar, kjo nuk do të përbënte ndonjë çështje që mund të më nxiste të shkruaja. Në debatin nëse duhet lejuar apo jo pornografia, ashtu sikurse prostitucioni, anoj nga lejimi, por nuk më pëlqen ta nxis, ashtu sikurse, nga ana tjetër, ngulmoj se duhet bërë një dallim i qartë – çka ne nuk e bëjmë – midis prostitucionit dhe trafikimit. Inisi fare mirë mund të merrte në atë rast titullin e një emencipueseje seksuale të shoqërisë apo e një çlirueseje të ndrydhjes shekullore seksuale të shqiptarëve. Edhe sikur dikush ta kishte filmuar nudo fshehurazi, qoftë edhe hapur apo vetë i dashuri dhe kjo të kishte dalë padashur apo me dashakeqësi, apo për komercialitet, nuk do të ishte ndonjë punë e madhe për tu shqetësuar sipas meje. Bukuria epshndjellëse e Inisit do ta mundte edhe dashakeqësinë e shoqëria shqiptare do të kishte pak më shumë afërsi me lakuriqësinë e cila është gjendja jonë më e natyrshme. Është e rëndë shitja e materialeve nga njerëzit e institucioneve, nëse është kështu siç dyshoj, por tashmë kemi kaq kohë që merremi me ta dhe kemi shkruar aq shumë për privatizimin e institucioneve dhe përdorimin e tyre si ndërmarrje fitimprurëse nga drejtuesit e tyre. Madje edhe fakti i thithjes së kokainës do të më ishte dukur diçka që nuk do të meritonte të uleshe për të shkruar për këtë rast pasi shumë kokainomanë i kemi në krye të punëve publike kurse Inisi, të paktën, nuk merr vendime për të gjithë ne teksa merr kokainë.
Ajo që më uli të shkruaj është fakti se më rezulton, nga kujtesat e lajmeve të mëparëshme të shtypit, se nuk është rasti i parë që bukuroshja rezulton e lidhur/dashuruar me trafikantë droge. Nëse nuk gabohem një ish i dashur i saj trafikant droge ka përfundur i vrarë madje. Këtu më vjen të ndalem sepse skandali Gjoni për mua është tronditës mbi të gjitha sepse ka të bëjë me sistemin e vlerave që është përhapur e po përhapet në këtë shoqëri edhe lidhur me atë që është konsideruar e konsiderohet si vlera e vlerave: dashuria (“Zoti është dashuri” thotë Shën Pali); me moralin e lidhjes midis të rinjve; me atë nëse ka apo nuk ka më në Shqipëri vlera shpirtërore e sentimental në lidhjet dashorore apo gjithshka është katandisur e po katandiset thjeshtë në një pazar trupash në të cilët nuk lëvizin gjak e ndjenja, por para.
U nxita të shkruaj lidhur me këtë temë edhe duke parë se ndonjë artikullshkrues thotë se Inis Gjoni është një shembull për vajzat e reja, sepse, po të ishte kjo punë thjeshtë çështe e një personi, nuk do t’ia vlente të merreshim gjatë me të. Dhe, në fakt, duke ndjekur çështjen e saj nuk mund të mos më parakalonin nëpërmend jo pak, por shumë vajza të reja me bukurinë e Inisit hipur ose duke ngarë nëpër rrugët e Tiranës makina luksoze nga ato që në vendet ku janë prodhuar mund t’i blejnë vetëm milionerët e që tek ne mund të mbrrijnë vetëm nëpërmjet rrugëve të krimit.
Disa pyetje dalin menjëherë në pah në këtë rastin e këtyre vajzave: Pyetja e parë është: vërtet dashuria i çon gjithnjë tek trafikantë vajzat si Inisi apo i çon paraja drejt tyre? Pyetja e dytë që shtrohet është: ç’raport moral dhe ligjor kanë këto vajza me këta njerëz të krimit. Thënë ndryshe ç’personalitet moral e shoqëror kanë? Janë bashkëpunëtore, janë përfituese apo thjeshtë viktima? Nga ana tjetër, duke patur parasysh se burrat shpesh nuk janë gjë tjetër veçse ajo çka duan gratë që ata të jenë, nuk mund të mos e shikosh këtë fenomen, në aspektin se krijimi i lidhjeve të tilla është një raport i ndërsjelltë që ushqehet nga modele që kërkojnë njëri tjetrin. Pra se edhe meshkujt shpesh modelohen për t’iu përshtatur femrave me kërkesa të tilla. E nëse ky është një fenomen i përhapur, paçka se jo gjithnjë në të njëjtën shkallë bukurie dhe paturpësie, këtu kemi të bëjmë me një dramë të vërtetë shoqërore. Ç’kuptim ka ta filmosh me celular të dashurën tënde dhe ta mbash atë filmim në celular. Më shumë sesa çdo gjë kjo të çon tek hamendja se kemi të bëjmë me një mashkull që kërkon tua tregojë atë video meshkujve të tjerë për tu mburrur me trofenë e tij dhe, pa dyshim, kjo nënkupton një marrëdhënie që s’ka asgjë të përbashkët me dashurinë. Këtu qëndron perversiteti i marrdhënies jo në lakuriqësinë as në mënyrën se si bën seks Inisi, e cila, meqë ra fjala, pikërisht se ka një marrdhënie të tillë, hipokrite e të pandjerë, dyshoj shumë se nuk di ende se ç’është seksi i vërtetë.
Para disa kohësh në Gjermani u hap një debat i shkaktuar nga një gazetar i cili e pyeti një politikane gjermane që kandidonte nëse në jetën e saj kishte simuluar ndonjëherë orgazmën. Ajo u përgjegj se i kishte ndodhur ta bënte një herë një gjë të tillë shumë vjet më parë kur kishte qenë e re. Debati u shtri në atë nëse duheshin bërë apo jo pyetje të tilla në publik nga gazetarët. Por ajo çka e shqetësoi më shumë një kritik të njohur gjerman nuk ishte kjo, por se si kjo grua kishte arritur të gënjente, pra të krijonte një marrdhënie të shtirur në një gjë kaq të rëndësishme dhe kaq intime si dashuria.
Më duket se debati mbi skandalin Gjoni më shumë se në çdo gjë tjetër duhet të ishte përqendruar pikërisht në atë se ai zbulon krizën e thellë që karakterizon marrdhëniet midis njerëve në shoqërinë shqiptare, sinqeritetin e këtyre mardhënieve, ndershmërinë dhe luajalitetin e tyre, aftësinë për të parë sëbashku në drejtim idealesh fisnike e të larta. E ky debat do të na çonte më një anë tek problemi i hipertrofizimit me pasoja të rënda i një vlere të vetme, parasë dhe, më anë tjetër, tek nevoja e kultivimit të atyre vlerave që e kanë bërë njeriun të jetë krenar se është njeri e të çmoj e të zgjedhë në jetë të jetëve vlerat që mishërohen tek poeti, prifti, artisti, shkencëtari dhe jo tek krimineli, hajduti, mashtruesi, që frymëzojnë dashurinë e njeriut për njeriun dhe jo (sh)përdorimi i njeriut nga njeriu. (Korrieri, 12 maj 2006)


Monday, May 8, 2006

Interviste dhene gazetes Korrieri

Si mendoni se është vepruar deri më tani për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm? A ka qenë kjo një procedurë e rregullt?

Siç e keni lexuar edhe më parë në faqet e kësaj gazete unë bëj pjesë ndër ata që e kanë konsideruar Prokurorinë si mëlçinë e sëmurë të organizmit tonë. Me fjalë të tjera vendin ku bllokohen, në vend se të pastrohen, tërë helmet që prodhohen në organizmin tejet të sëmurë të shoqërisë sonë e veçanërisht të politikës sonë. Prandaj kam qenë dhe mbetem me idenë se duhet bërë trapianti i kësaj mëlçije të sëmurë. A do të mund të shërohet organizmi pas kësaj? Kjo mbetet për tu parë, por Prokurori duhet të ikë edhe për këtë; pra për të parë nëse do të ndryshojë apo nuk do të ndryshojë asgjë për mirë në ecurinë e organizmit. Ai duhet të ikë edhe që socialistët të provojnë se nuk kanë hallin e tyre që e mbrojnë kaq shumë. Ai duhet të ikë edhe që Berisha të mos e ketë si alibi se nuk e lufton dot korrupsioni sepse i ka duart e lidhura nga prokuroria e kapur. Prandaj, sipas meje, përpara se të shtrohet pyetja e procedurës para së gjithash duhet shtruar pyetja: a duhet hequr apo jo prokurori? Nëse ka një konsensus për këtë atëhere procedurat gjinden, konvergojnë, nëse nuk ka konsensus për këtë atëhere ndodh ajo që po ndodh që nëpërmjet lojës së procedurave të pengohet procesi. Kur mazhoranca dhe opozita divegojnë kaq shumë në qëllimin kryesor, zorr se mund të gjinden procedura të pranuara nga të gjithë, sepse nuk ka ligj që të mos ketë difektet apo ambiguitetet e veta. Ndërkaq dua të ve në dukje se përveç ligjit të shkruar ka edhe ligje morale. Në një vend ku kontestimi i prokurorit është kaq i madh nga mazhoranca në pushtet, kur akuzat për korrupsion janë të shkallës sipërore, e ku, mbi të gjitha, vetë rezultati i zgjedhjeve u përcaktua nga faktori korrupsion, prokurori duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë.

Si e vlerësoni rolin e Presidentit të Republikës në çështjen “Sollaku”?

Sipas mendimit tim Presidenti përsa i përket luftës kundër korrupsionit ka qenë shumë nën lartësinë e detyrës morale dhe institucionale të kryeqytetarit shqiptar. Nuk ka treguar ndjeshmërinë që i kërkohet një institucioni si Presidenca ndaj nëpërkëmbjes së të drejtave të qytetarëve që sistemi i korrupsionit i ka varfëruar dhe nëpërkëmbur përditë, i ka lënë me jetë të pagarantuar e shpesh në dorë të krimit e të parave të pista. Presidenti lë shijen e atij që nuk do të ndryshojë asgjë themelore në këtë vend pasi vetë ndjehet mirë dhe merak kryesor ka ndonjë rizgjedhje në atë post. Sipas meje duhet të kishte qenë ai që duhet t’i kishte sugjeruar Sollakut dorëheqjen dhe jo Topalli, pasi firma e tij është shumë e rëndësishme në emërimin e Prokurorit, e kjo firmë nënkupton edhe përgjegjësi për mosarritjet.


Mendoni se largimi i mundshëm i Sollakut mund të sjellë të tjera ndryshime në institucionet e pavarura kushtetuese?

Mua nuk më duket se ka institucione të pavarura kushtetuese në Shqipëri. Ata në tërësinë e tyre sipas meje kanë qenë të kapur nga mazhoranca. Madje po të vesh re edhe ligjërisht ata janë përcaktuar nga mazhorancat parlamentare. Duhen rregullime të tjera ligjore që të sigurohet pavarësia e tyre, por problemi që mbetet është a e meritojnë ata pavarsinë apo jo. Historia e këtij tranzicioni, siç tregon edhe rasti i prokurorit Sollaku ka provuar se pavarësia është jo vetëm një privilegj, por edhe një detyrim i madh. Fatos Nano duhet të kishte shkuar me kohë në burg sikur ne të kishim vërtet prokurori të pavarur në kuptimin e pavarësisë së një pushteti që nuk përfill se kush është pushtetar dhe kush është qytetar i thjeshtë, por që i konsideron të gjithë të barabartë përpara ligjit. Sot kriminelët strehoen në imunitetin e politikanit për tu mbrojtur nga prokuroria. Pse? Sepse Prokuroria ndjehet e pafuqishme ndaj tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për institucionet e tjera që duhet të ishin të pavarur. Problemi tjetër është çfarë kërkon të bëjë Berisha me këto institucione? Nëse Berisha e çliron shtetin nga kapja që i ka bërë mafja, siç premton, a do të jenë më të pavarur apo përsëri do të mbeten të varur? Sipas meje po ndodhi kjo, që është më e mira e mundshme, do t’u hiqet një varësi, ajo ndaj mafjes e cila kishte kapur pushtetin e socialistëve, por që ka pasur edhe autoniminë e vet si pushtet ndaj këtyre institucioneve, por do tu mbetet të luftojnë për tu çliruar edhe nga varësia tjetër, ajo ndaj Berishës: me një fjalë ne do të na duhet të vazhdojmë të luftojmë për të pasur institucione vërtet të pavarura që të sigurojnë funksionimin normal të demokracisë. Kjo është çështja dhe për këtë, sipas meje, kërkohet një opozitë e shëndoshë moralisht jo një opozitë që ka handikapin e madh të akuzës se ajo kërkon të mbrojë këto institucione të sëmura sepse kërkon të mbrojë vjedhjet e të vetëve. Opozita një dy e thotë se po bëhet gjueti shtrigash se korrupsioni luftohet me reforma insticionale. Mirëpo shtrohet pyetja: si mendon opozita a luftohet korrupsioni edhe duke i dënuar të korruptuarit dhe, nëse nuk ka ndodhur kjo, a nuk do të thotë se duhet një reformë në institucionet e drejtësisë? Unë kam dëgjuar shumë të huaj, nga ata ku shkon e qahet opozita se po kërcënohet demokracia, të thonë se po nuk filloi drejtësia të funksionojë në Shqipëri ndaj politikanëve të korruptuar asgjë nuk do të funksionojë në këtë vend. Dhe këtu nuk është çështja që këta të futen në burg për burg. Këtu është çështja që ata të marrin përçmimin që meritojnë e jo të vazhdojnë të kapardisen nëpër kolltuqe pushtetarësh dhe kjo ka një qëllim edhe më të thellë që të ndryshojë modeli i politikanit e modeli i njeriut të respektuar dhe i punës së respektuar në këtë shoqëri.


Cilat mendoni se janë përfitimet politike të z. Berisha në përpjekjen e tij për largimin e Prokurorit të Përgjithshëm?

Sipas meje Berisha është një një proces konsolidimi të pushtetit të tij. E në këtë luftë të tij për pushtet i ka dalë “asi” (por një as i zi me shumë rrezikqe): armiqtë e tij (nuk po i quaj kundërshtarë sepse po marr rastin më të keq) janë edhe armiqtë e pjesës më të madhe të shoqërisë sepse gjatë tetë vjetëve e kanë grabitur në mënyrën më të paturpshme këtë shoqëri. Nuk duhet të harrojmë se vota e 3 korrikut ishte votë kundër korrupsionit. Duke u angazhuar në këtë luftë Berisha i përgjigjet një nevoje psikologjike, por edhe një nevoje për të ngritur shtetin ligjor, por edhe një nevoje për të ndërtuar një ekonomi të shëndëshë. Goditja e Prokurorit është epiqendra sot për sot e kësaj lufte. Nëse në vazhdim ai e heq prokurorin dhe do të shohim në krye të Prokurorisë një prokuror që do të hapë dosjet e politikanëve, e nëse nga ana tjetër ai dhe të tijtë do t’i mbajnë duart larg nga abuzimi me të mirën publike, atëhere përfitimi i tij do të jetë jashtzakonisht i madh. Mund të krenohet se ka larë mëkatet e qeverisjes së parë dhe e ka futur shtetin në shinat e ligjit. Nëse nuk ka këtë qëllim por vetëm të terrorizojë e paralizojë kundërshtarët kjo lojë nuk mund të zgjasë shumë dhe do të diskreditohet dhe e gjitha kjo do t’i kthehet në bumerang. Unë ngulmoj se sqarimi i kësaj mëdyshje do të fillojë vetëm pas heqjes së Sollakut.

Kryeministri ka folur për lidhje të politikës me krimin dhe oferta financiare për të mosgoditur rrjetet e krimit të organizuar. A duhej publikuar apo denoncuar një rast i tillë? Si e vlerësoni sjelljen e z. Berisha në këtë rast?

Që të jap një gjykim duhet të di rastin konkret për të cilin ka aluduar kryeministri. Megjithatë në përgjithësi mund të them se një nga pikëpyetjet e mëdha që mbeten është nëse luftën kundër korrupsionit Beriusha e ka mjet pushteti apo qëllim, ndonëse nuk mund të ndahen me thikë këto të dyja. E në këtë aspekt nëse ai bën retorikë apo e ka seriozisht. Por mbetet edhe më i madh shqetësimi se mos në vend të luftës kundër korrupsionit do të kemi një riorganizim të flukseve korruptive në mënyrë që ato të çojnë ujë tashti në pushtetin e PD-së. Sipas meje fakti që kryeministri e mohoi këtë të dytën publikisht mund të shfrytëzohet sepse gjithsesi e ve në një farë detyrimi, por sigurisht nuk është garanci. Garanci japin veprat jo fjalët. E në tërësinë e vet unë jam i idesë se shumë më pak fjalë duhet të kishte pasur në luftën kundër korrupsionit e lidhjes së politikës me krimin dhe shumë më tepër punë serioze për të mbledhur fakte të pakundërshtueshme e për të vënë në veprim organet e specializuara e për t’i mbërthyer të korruptuarit me fakte të pakundërshtueshme nga cilido. (Korrieri, 7 maj, 2006)


Hapja me Perëndimin ka lindur politikanë hibridë, tip centauri, minotauri, apo edhe mushke

Së fundmi ka gjetur një botim të zgjeruar një intervistë e historianit që është marrë me shqiptarët, Fischer, dhënë në VOA, ku ai duke përmendur autoritarizmin e Berishës, flet se duhet investuar në një brez të ri politikanësh, si Pollo, Meta, Rama. Si ju duket kjo deklaratë, dhe në përgjithësi, investimi që u bëhet nga jashtë, faktorëve vendas të politikës?

Qëndrimeve të të huajve ndaj zhvillimeve në vendin tonë në përgjithësi duhet tu fusim disa koeficientë përpara: njëri koeficient sipas meje është ai që duhet futur për shkak të njohjes sipërfaqësore të vendit tonë, por edhe për shkak të një njohjeje vetëm racionale të realitetit shqiptar nga ana e tyre. Me këtë të dytën (ku sipas meje hyn rasti i Fischerit) kuptoj një njohje të cilës i mungon njohja që quhet intuitive, që vjen nga prekja me tërë shqisat e realitetit, e që nuk mund të fitohet veçse duke e jetuar përditë një realitet, duke shkelur përditë në rrugët tona, duke folur me tërë njerëzit, e jo thjesht duke lexuar libra apo artikuj gazetash e duke takuar vetëm një kategori të shoqërisë. Një koeficient i dytë është ai që buron nga fakti se tek të huajt që e duan Shqipërinë, si Fischeri, ka një pozitivitet më të madh sesa tek ne sepse ata duan të gjejnë diçka pozitive, e kërkojnë atë, e për këtë pozitivitet i ndihmon edhe fakti se nuk e jetojnë përditshmërinë tonë me tërë streset dhe vështirësitë dhe shëmtimet e dëshpërimet që krijon ajo.
Ideja e nevojës së një brezi të ri për të ndryshuar është normale. E themi edhe ne brenda. Le më pastaj të huajt të cilët nuk arrijnë të kuptojnë se si ne jemi kthyer tek Berisha përsëri pas eksperiencës së 97-tës. Duhet ta kesh jetuar Shqipërinë ditë për ditë gjatë tetë vjetëve degjenerim të socialistëve për ta kuptuar këtë.
Të huajve kërkesa për të rinjtë u vjen më natyrshëm edhe për arsye se tek ata funksionon shumë më mirë mekanizmi i ndrrimit të brezave dhe i dialektikës së brezave. Një tregues kryesor që i dallon shoqëritë që ecin përpara nga shoqëritë që rrijnë në vend është se shoqëritë e zhvilluara priren për kah ndeshja e brezave shumë më tepër sesa për kah bashkpunimi me baballarët, çka ndryshe do të thotë se tek ato shoqëri të rinjtë janë shumë më pak të komprometuar e njëherësh të frustruar nga baballarët. Sigurisht nuk ka një ndarje me thikë, por sipas meje tek ne mbizotëron prirja për të imituar baballarët e kombit, ajo e “harmonisë” midis brezave.
E këtu mund të vij tek rasti i tre të përmendurve nga Fischeri si shpresë për ndryshim. Sipas meje edhe ata në tërësinë e tyre janë një ilustrim i dominimit të prirjes së imitimit të baballarëve, dmth. i së njëjtës kulturë të sjelluri e të ushtruari të pushtetit. Nëse do të bëja një krahasim të prototipeve që kanë në kokë Meta, Rama apo Pollo mund të thoja se Meta, me prirjet e tij autoritariste të shfaqura kur ishte kryeministër nuk mund të mos të të bënte të mendoje se adhuronte Mehmet Shehun, ndërkaq deliret paranojake dhe deri disa poza të Ramës të çojnë më afër prototipit të Enver Hoxhës kurse Pollo ka si prototip më të afërt Ramis Alinë.
E këtu vijmë tek një çëshje tjetër; se sa këto manifestime janë pjesë e karakterit të tyre dhe sa kjo sjellje e tyre modelohet nga kërkesa për t’iu përshtatur modelit të pushtetarit që ka në kokë shumica e njerëzve votën e të cilëve këta kërkojnë. Sipas meje këto të dyja nuk mund t’i ndash, kemi të bëjmë me dy anë të së njëjtës medalje. Prandaj dhe më shumë sesa nga individë ndryshimin unë e pres nga një ndryshim në tërësi i kulturës së shqiptarëve.
Por pyetja juaj të çon edhe tek një fenomen tjetër i shfaqur veçanërit në këtë periudhë hapjeje të Shqipërisë ndaj perëndimit ku, mes tjerash, është shfaqur fort edhe roli i perëndimorëve në lojrat tona. E kam fjalën për një fenomen hibridizimi që ka bërë të lindin disa specie të veçanta politikanësh, tip centauri, minotauri, apo edhe mushke: politikanë gjysma e të cilëve punon e funksionon sipas kërkesave të imitimit të baballarëve kurse gjysma sipas kërkesave të përdorimit të një gjuhe krejt tjetër për perëndimorët.
Më tipiku në këtë aspekt është Rama, njeri që e di gjuhën e perëndimorëve më mirë se kushdo tjetër dhe e përdor me ta më shumë se kushdo për të fituar simpatinë dhe mbështetjen e tyre, kurse më anë tjetër, gjithashtu, shfaqet me aftësi të jashtzakonshme prej baballarësh: autoritar e personalizues institucioni edhe më shumë se Berisha, delirant, gënjeshtar dhe manipulator politik, intrigant e i korruptuar si ata më të këqinjtë që ka nxjerrë politika shqiptare.
Problemi se sa këta hibridë janë një hap përpara i shoqërisë dhe sa janë pengesë për emancipimin e shoqërisë ha diskutim. Personalisht jam kundër kësi lloj hibridësh, sepse, sikurse ndodh përgjithësisht, rezultojnë sterilë si mushka, me paaftësi për të krijuar vazhdimësi, pasi nuk arrijnë të krijojnë lidhje të vërteta me njerëzit sepse edhe lidhjet me kulturën perëndimore që imitojnë i kanë superficiale dhe mbi të gjitha i përdorin për qëllimet e gjysmës tjetër.
Së fundi dua të shtoj se ne të keqen nuk e kemi patur nga mungesa e moshave të reja në politikë. Përkundrazi më duket se e kemi pasur nga prania e të rinjve në moshë që kanë pasur modelin e vjetër autoritar të pleqve në kokë bashkuar me energjinë dhe papërgjegjshmërinë e të rinjve. Është kombinimi më i keq i mundshëm në politikë.

Tre ditë më parë, ishte Dita e Lirisë së Shtypit. Nëse vemë prozhektorët mbi median shqiptare, çfarë dalloni ju në këtë sens. Sa të lira janë mediat, dhe këtu dua të shkëpus dy nënbashkësi, lirinë e botuesve dhe atë të gazetarëve.

Kur flasim për lirinë na del përpara një gjë shumë komplekse, sepse liria lidhet njëherësh me njohjen (nuk mund të jesh i lirë po të jesh i paditur), por lidhet edhe me pasurinë (nuk mund të jesh i lirë kur nuk ke bukë të hash), por lidhet edhe me karakterin (sepse mund të kesh edhe para edhe dijeni dhe prap të mbetesh skllav në shpirt), por lidhet edhe me krijimtarinë (Anna Harendt thotë se liria nuk konsiston në kundërvënien, sepse edhe ajo nënkupton një varësi, por në inisiativën, në aktin e lindjes, të krijimtarisë), por lidhet gjithashtu edhe me pushtetin (sepse një i pushtetshëm me një të papushtetshëm nuk janë njëlloj të lirë) e këto arësyetime e të tjera të çojnë në atë se çfarë sistemi është ai ku ka më shumë liri, sepse liria është diçka që lidhet edhe me faktin se ne nuk mund të jemi të lirë nëse të tjerët nuk janë të lirë, e prandaj po të jetosh në një diktaturë apo oligarki je shumë më pak i lirë sesa po të jetosh në një demokraci. E të gjitha këto janë aq të ndërliksura me njëra tjetrën sa duke kërkuar lirinë mund të futesh në një labirinth të shtigjeve të lirisë i cili rezulton pa fillim e pa fund.
Nëse do të afrojmë prozhektorin mbi pikën e këtij labirinthi ku ndodhemi ne e, më posaçërisht, ku ndodhet media e më posaçërisht se ku ndodhen botuesit dhe ku gazetarët do të thoja se me afrimin e parë, krejt afër, do të shihnim se kemi disa pronarë ose botues që sillen si padronë me gazetarët e tyre, pasi gazetën e duan me fytyrën e interesave të tyre e prandaj do të arrinim në konkluzionin se të parët janë të lirët dhe të dytët skllevërit. Por po ta largojmë edhe ca prozhektorin do të arrinim në konkluzionin se këta padronë janë pjesë e një regjimi oligarkik (e kam quajtur edhe regjim mediatik) dhe jo në një demokraci, e do të vëme re se këta shfrytëzojnë një pjesë të pasurisë së tyre për të mbajtur këto media e ndërkaq këto media i përdorin për të ruajtur pushtetin që u siguron para dhe rritjen e ruajtjen e pasurisë që kanë vënë. Gazetarët, veçanërisht ata që punojnë përditë në gazetë, në këtë regjim i shoh si të thuash si majorët, rreshterët dhe kapterrët e regjimit mediatik, pra të tjetërsuar nga roli që duhet të ketë gazetari në një demokraci dhe në një farë mënyre si instrumente të sundimit të oligarkëve mbi shtresën e gjerë. Megjithatë varësisht nga shkallët individuale të njohjes, sigurisë ekonomike, karakterit apo krijimtarisë i dalloj në më pak të lirë dhe më shumë të lirë, por gjithsesi brenda ushtrisë mediatike. Por, jashtë këtyre diferencave, a mund të thuhet se të parët janë më të lirë kurse të dytët janë më pak të lirë varësisht nga gradat, për të përfunduar tek të nënshtruarit e regjimit mediatik, populli i thjeshtë? Varet nga këndvështrimi dhe nga koncepti që kemi për lirinë. Mund të thuash edhe se ajo që mund të duket si liri më e madhe e gjeneralëve dhe më e vogël e majorëve, kapterrëve e me rradhë në një kontekst më të gjerë janë aspekte të një shoqërie të organizuar në formë vertikale ku mungon liria për të gjithë, sepse të gjithë tek e fundit shtypin njëri tjetrin. Por pesha më e madhe sigurisht bije tek ata që janë në fund.

Në "standard", është cekur në një editorial këtë javë, një ide që flet për integrim përmes denatyrimit. Analiza merr shkas nga disa raste që po përsëriten ku shqiptarë që jetojnë në Europë, po përfitojnë azil duke u paraqitur si homoseksualë. Këto raste sipas një kqyrjeje jo të hollësishme, sjellin tek njerëzit një reaksion të pakëndshëm, gati bezdi. Si e gjykoni ju lirinë seksuale në vendin tonë, dhe a mendoni se shoqëria jonë tradicionale do të gjejë mundësinë për të pranuar shpejt në gjirin e saj edhe homoseksualet.

Së pari dua të them se përdorja e termit “denatyrim” për homoseksualët është një gjë e papranueshme në botën e qytetëruar. Shpesh herë ne quajmë të panatyrshme gjëra që në fakt nuk janë kundër natyrës, por janë kundër kulturës me të cilën jemi rritur e edukuar aq sa na duket sikur janë pjesë e natyrës sonë njerëzore dhe kush është ndryshe ka diçka të panatyrshme. Por kur ndeshemi me kultura të tjera zbulojmë se sa relative janë disa gjëra që i kemi quajtur absolute. Edhe gratë në kulturën e shekujve të mëparshëm evropiane konsideroheshin si inferiore nga natyra. Mjafton të përmend Napoleonin që thoshte “natyra i ka bërë gratë skllavet tona”. Por të thuash sot në Evropë një gjë të tillë tingëllon qesharak.
Homoseksualët janë pjesë e larmisë së natyrës sonë njerëzore kurse përndjekja dhe persekutimi i tyre nga shoqëritë e mëparëshme dhe veçanërisht nga regjimet të tilla si komunizmi dhe fashizmi e të drejtat që ata gëzojnë sot në vendet më demokratike janë tregues se shkallaret e lirisë së njeriut edhe si realizim i lirive të tij seksuale janë të pafundme.
Prandaj nëse dikush që është heteroseksual paraqitet si homoseksual për të fituar në Evropë një privilegj që nuk e merr dot ndryshe ai thjesht mund të konsiderohet si gënjeshtar, imoral, i pakarakter njëlloj si një shqiptar që paraqitet si italian apo si rus apo si polak, apo si një musliman që ndrron emër e bëhet i krishterë.
Por rasti që përmendni ju mund të ketë brenda edhe një të vërtetë të hidhur që një pjesë nga ata shqiptarë të jenë vërtet homoseksualë, dhe, duke e ditur se në Shqipëri jeta për homoseksualët e deklaruar është shumë e vështirë, kanë kërkuar azil. Sipas meje problemi më i madh që ka vendi është me kategorinë e atyre që gënjejnë, sepse kush jeton me një identitet fallso nuk mund të ketë një jetë të vërtetë, ashtu sikurse edhe një vend që e detyron një njeri të fshehë identitetin e tij nuk është një vend ku njeriu mund të ketë një jetë të vërtetë.
Shoqëria jonë ka shumë sfida përpara në drejtim të lirive seksuale midis të cilave edhe ajo e pranimit të homoseksualitetit si diçka normale. Këto liri, do të ecin krahas njëra tjetrës si një flotë, sëbashku me gjithë ato që quhen të drejta dhe liri qytetare. Kjo flotë ka një rrugë të gjatë përpara, por fakti që arrijmë sot të flasim për këto tema që para jo më shumë se dy dekadash të kushtonin vite burgu, tregon se kemi bërë disa hapa përpara, që sipas meje duhen shpejtuar. (Rubrika Përpjekja, Standart 5 maj, 2006)