Friday, March 30, 2007

Një krim ndaj Gjirit të Vlorës

Gjiri i Vlorës është nga ato vende që zakonisht i quajmë bukuri të rralla të natyrës. Kështu quhen vendet ku mblidhen shumë bukuri njëherësh - apo të gjitha bukuritë së bashku - në mënyrë të tillë sa të duket e pabesueshme që natyra tregohet kaq bujare me një vend. Edhe Gjirin e Vlorës natyra e ka bërë të tillë. Ai të mahnit me kombinimin e jashtëzakonshëm të detit të kaltërt me malet e larta rreth tij, me gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanin që e mbrojnë nga deti i hapur në perëndim, por edhe me lagunën e Nartës në veri. Ai ka energjinë e detit, por edhe qetësinë dhe paqen e një liqeni njëherësh. Është e vështirë të përshkruhen perëndimet dhe lindjet e diellit në Gjirin e Vlorës. Është një nga ato vende që meriton me tepri fjalën “i bekuar”.
Gjirin e Vlorës mund ta imagjinosh të mbushur me jahte e varka me vela shumëngjyrëshe si një nga portet më tërheqës e më piktoreskë të Mesdheut, si një nga portat më të bukura të hyrjes në Ballkanin perëndimor. Por sot, në këto ditë fundmarsi, ai është bosh dhe i zymtë në bukurinë e tij, sepse sikur e ndjen se i kanoset një e keqe e madhe: vdekja.
Është e pabesueshme, por e vërtetë: shqiptarët ose më mirë të them disa shqiptarë nga ata që kanë në dorë fatet e vendit, në traditën e paraardhësve të tyre që për 50 vjet e izoluan dhe shpërfytyruan sa mundën e ku mundën Shqipërinë me bunkerë dhe metalurgjikë e monstra gjithfarëshe duke pretenduar se po i bënin mirë - kanë vendosur ta kthejnë gjirin e bukur të Vlorës në një moçal të ndyrë nafte. Atij i kanosen dy plane vrastare. Në pjesën veriore të tij, në Triport, atje ku sot, për një kombinim fatlum të disa rastësive, ka mbetur një pjesë e gjirit krejt e virgjër me një brez të gjerë rëre të pastër e të imët në breg dhe pastaj me një pyllnajë pishash që shtrihet disa kilometra, këta lloj shqiptarësh kanë vendosur, pa pyetur as komunitet dhe askend që i ka mbetur dy pare mend e ndërgjegje në kokë, ta kthejnë në një vend ku do të ngrihen oxhaqet e teceve në një sipërfaqe 14 hektarë si dhe një rezervuar e rafineri nafte e ashtuquajtur Petrolifera që do të zaptojë edhe ajo 18 hektarë të tjera. Për t’i bërë vend këtyre monstrave – e pabesueshme, por e vertetë – do të priten pishat e një plazhi që do ta kishte zili çdo vend në Evropë.
Nuk mjafton kjo. Në pjesën jugore të gjirit të Vlorës do të vendoset terminali i së ashtuquajturës AMBO që do të thotë se brenda Gjirit to Vlorës do nxjerrin grykët e tyre të zeza tubat e naftës që do të mbushin 750000 deri në 1 milion fuçi nafte në ditë për ta shpërndarë në tërë botën. Sa për dijeni, Shqipëria ka nevojë vetëm për 700 000 ton naftë në vit kurse AMBO do të sjellë rreth 300 000 ton në ditë. Nuk do shumë mend për ta përfytyruar shpërndërrimin e Gjirit të Vlorës brenda një kohe të shkurtër në një vend të helmuar e në agoni. Efektet shkatërruese të naftës njihen tashmë. Nuk do të vonojë e ujrat e tij të kaltër, ku sot notojnë gjithfarë peshqish, do të shndrrohen në ujra të zinj të vdekur –sepse, veç tjerash, ujrat e gjirit të Vlorës nuk ndrrohen lehtë pikërisht prej mbrojtjes së tij nga deti i hapur. Po ashtu oxhaqet e tecit do të lëshojnë në qiellin mbi Vlorë hijen e tyre të zezë e të ndotur me helme. (Nuk po flas këtu për ndotjen akustike dhe ndotjen estetike të pejsazhit sepse shqiptarët për të cilët bëj fjalë duket nuk e kanë mësuar ende se sot në botë ka edhe urbanistë pejsazhi.) Vlonjatët duhet të harrojnë peshkimin, duhet të harrojnë kultivimin e vreshtave për verë e raki si dhe të frutave gjithfarëshe, duhet të harrojnë ëndrrat për turizëm e agroturizëm, duhet të harrojnë deri sportin e notit për t’ia lënë vendin përbindëshit të naftës që do të ushqehet me Gjirin e Vlorës..
Është një krim ndaj gjirit, që do të thotë një krim ndaj banorëve të sotëm të tij, por edhe ndaj fëmijëve të këtyre banorëve dhe fëmijëve të fëmijëve, por edhe një krim ndaj tërë vendit? Shqipëria ka vetëm 400 km bregdet dhe ky është shumë pak dhe shumë i shtrenjtë për ta masakruar kësisoj. Shqiptarët tashmë kanë prishur shumë nga ky breg me padijen dhe babëzinë e tyre e të politikanëve që kanë në krye. Edhe Gjiri i Vlorës nuk ka mbetur pa u dëmtuar nga betoni dhe çimentua e hedhur pa përgjegjësi nga ndërtuesit që pretendojnë t’i marrin atij sot për sot tërë fitimin që duhet të shpërndahet në breza. Në fakt është pangopshmëria e papërgjegjshmëria e shqiptarëve mbarë që i ka hapur rrugën trajtimit të tyre në këtë mënyrë edhe nga të huajt. Por gjithsesi Gjiri i Vlorës ka mbetur ndër pjesët më të bukura të bregdetit dhe shkatërrimi i këtij gjiri me naftën do të jetë grushti përfundimtar, mu në zemër, që do t’i jepet bregdetit shqiptar.
Çdo shtet normal evropian një vend të tillë si ai i Triportit ku duan të vendosin tecin dhe Petroliferën e ku qeveria famëkeqe e Nanos parashikoi një park energjitik qindra hektarësh do ta kishte shndërruar në një park të madh kombëtar natyror. Nuk do shumë punë e mund për këtë sepse deti është aty dhe i pastër, pyllnaja e pishave është aty dhe rëra është aty. Nuk do shumë punë e mund që atje të vinin e të bënin plazh, të thithinin ajrin e pastër e të shijonin pejsazhin shqiptarë nga tërë Shqipëria, Kosova e Maqedonia që nuk do të mund të shkojnë më në Golemin e kthyer në kosh të shëmtuar plehërash. Aty do të vinin pa dyshim edhe turistët e huaj të cilët përsëri në vende të tilla si Saranda dhe Durrësi nuk mund të qëndrojnë më as edhe një ditë për shkak të ndyrësisë dhe betonimit të paparë të bregut. Vlora me hotelet, bare restorantet e shtëpitë e dhëna me qira do të mbushej përplot me ta. Ky park duhet të ishte pjesë organike me lagunën e Nartës që e ka përbri e që është zonë e mbrojtur. Prandaj, duke përfytyruar këtë mundësi kaq të dukshme nuk mund të mos shtrosh pyetjen: si ka mundësi që mu ngjitur me një zonë të mbrojtur për veçansitë e saj natyrore, si laguna, të ndërtohet një monstër natyrëvrasës e njerivrasës? Si ka mundësi që Gjiri i Vlorës të mendohet njëherësh si zonë turistike dhe industri nafte dhe energjitike? Nuk ka gjë më absurde. Vetëm në Shqipëri i gjen absurditete të tilla si për të na kujtuar se qeverisemi ende nga një klasë politike që ka trashëguar kulturën e Enver Hoxhës i cili në breg të liqenit të Pogradecit ndërtoi Ferrokromin, në luginën e mrekullueshme e pjellore të Elbasanit Metalurgjikun e që bregdetin e populloi me bunkerë në vend se me turistë.
Ajo që të vjen në mendje kur mëson për projektet e qeveritarëve të sotëm në kombinim me partnerët e tyre ndërkombëtarë në këtë rast është se Shqipëria shihet si një vend i zgjedhur nga bota globale për shkarkimin e plehërave të kësaj bote. E në këtë përzgjedhje politikanët tanë kanë marrë rolin e menaxhuesve të mirëpaguar të këtij procesi të shpërndërrimit të Shqipërisë në koshin e plehërave të Evropës. Jo rastësisht në projektet e mëparëshme të famëzezës qeveri Nano parashkohej që në Shqipëri të digjeshin plehërat e Italisë e të prodhohej energji edhe për Italinë. Sigurisht njerëzve të naftës globale nuk ka pse t’u dhimbet Shqipëria. Ata kanë hapur edhe luftë dhe kanë vrarë njerëz e po vrasin njerëz për naftë. Dhe pushimet kanë se ku i kalojnë në pika të tjera më fatlume të globit. Po ashtu ata nuk kanë ndonjë lidhje historike, shpirtërore dhe kulturore as me Vlorën dhe as me Shqipërnë. Por Vlora dhe Shqipëria duhet t’u dhimbet shqiptarëve.
Të shkatërosh Vlorën me pretendimin se kështu po prodhon energji për të patur drita shqiptarët është njëlloj sikur të djegësh pemët e oborrit të shtëpisë për t’u ngrohur e bërë dritë. Jo vetëm, por, në fakt, prapa idesë së nevojës së shqiptarëve për drita qëndron nevoja për të paisur me energji pompat e përbindëshit AMBO. Teci më shumë do të ngrihet për pompat e AMBOs sesa për Vlorën. Kurse ideja se në sajë të AMBOs shqiptarët do të kenë 40 milion dollarë më shumë në vit është qesharake sepse vetëm turizmi që mund t’i humbë Vlorës prodhon më tepër se kaq e do të prodhojë shumë herë më tepër se kaq pa AMBOn.
Vlora u bë e njohur në vitin 97 për shkak se ishte vendi ku u përqendrua kriza e rënies së piramidave financiare. Por ato ishin vetëm letra që humbën, tek e fundit, kurse krimi që do t’i bëhet Vlorës duke i ngritur tecin Petroliferën dhe terminalin e AMBOs është shumë herë më i madh, shumë herë më afatgjatë dhe do të mbetet gjithherë aty. Megjithatë Aleanca Qytetare e krijuar në Vlorë për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës nuk ka sot mbështetjen e asnjërës parti ndonëse shumica e komunitetit të Vlorës është me të. Asaj nuk iu njoh as e drejta për referendum nga KQZ e komanduar nga partitë. Por mu për këtë lëvizja e saj është më e fortë e premton të bëhet baza prej së cilës mund të ngrihet nesër një klasë e re politike dhe një kulturë tjetër politike. Në fakt lëvizja e saj nuk denoncon vetëm masakrën që kërkon t’i bëhet Vlorës, jo vetëm klasën politike që e njeh qytetarin vetëm kur i kërkon votën dhe pastaj e mashtron. Kjo lëvizje denoncon edhe faktin se sa e rezikshme është kur dy parti dalin jashtë kontrollit të shoqërisë duke u kthyer në banda që e grabisin atë. Në kohën e krizës së piramidave Vlora ishte në faqe të parë të gazetave e të lajmeve. Sot nuk ndodh kështu jo vetëm pse asnjërës forcë politike nuk i intereson, por edhe pse, për fat të keq, një pjesë e qytetarëve nuk e dinë e nuk janë të informuar për çfarë i pret – ashtu sikurse dje nuk qenë të informuar derisa iu mbyll dera e piramidave. Përgjegjësit janë të njëjtë. Por një gjë është e sigurtë: politikanëve si Sali Berisha Fatos Nano me shokë edhe mund t’u harroet humbja e parave të njerëzve në piramidat, edhe mund t’u falet korrupsioni, por krime të tilla si ky që po bëjnë e planifikojnë kundër natyrës së Shqipërisë, do të mbajnë emrin e tyre për breza e nuk do t’u harrohen e falen kurrë. (Korrieri, 29 mars 2007)

Tre variante gjelle presidenciale

Duhet të kalonte edhe ca kohë përpara se të fillonte të ziente kazani i gjellës presidenciale, pasi kemi aq shumë punë të tjera për të bërë: mazhoranca për të qeverisur vendin, opozita për t’u riformuar, por edhe për të qeverisur qytetet kryesore, mediat për të analizuar tërë atë histori që kemi prodhuar gjatë këtij viti. Mirëpo mënyra më e mirë për t'u ikur punëve duket se është të merremi me çështje të tilla si ajo e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm pasi ajo ka lidhje me punën e punëve kuzhinës së politikës sonë: pushtetin. Prandaj nuk ka ditë që të mos i fryhet zjarrit të kazanit ku po gatuhet presidenti ynë i ardhshëmm, i cili, po zjen e do të rrijë në gjendje vlimi deri në korrik mesa duket. Kështu që do të na duhet t’i hedhim disa herë ujë që ai të mos avullojë krejt e presidenti të mos na dalë, kështu, i djegur e zhuritur fare.
Në kontributin e hedhjes ujë kazanit, le të jap edhe unë një gjykim për presidentin. Sipas meje, problemi i presidentit të ardhëshëm, tek e fundit, është nëse do të mund të zgjidhet ndonjë president që të bëjë punën e presidentit dhe jo të partive? Por çdo të thotë president që të bëjë punë e presidenti dhe jo të partive kur këtë, me një fjalë presidentin, e zgjedhin partitë, madje kërkohet të jetë edhe konsensual? Ja paradoksi i parë që kërkon një shpjegimi jo të vogël dhe që na fut në thelbin e çështjes. Në fakt, cila është apo duhet të jetë puna e presidentit në një kontekst dhe konsensus si ky i yni? Sipas meje nuk është një punë e vogël. Le ta ilustroj me një shembull. Berishës i duhet një president që t'i thotë “ok” heqjes së kryeprokurorit Sollaku sepse kështu mund t’ua mbyllë gojën e t’i bëjë rrup sup tërë ata opozitarë që i ngrefosen sot dhe i kërcënojnë pushtetin. Opozitës, përkundrazi, i duhet një president që të mos e lejojë mazhorancën që nëpërmjet një prokurori tjetër nga Sollaku ta verë atë nën presion, apo t’i nxjerrë të palarat, në mos ta shkatërrojë fare. Dhe për këtë ka armën më të mirë: zgjedhja e presidentit nuk sigurohet dot pa konsensusin e të dyja këtyre palëve. Atëhere logjikisht e mira e të mirave është që ai të jetë një president që të funksionojë ndaj këtyre dy partive siç funksionon vetë Sollaku. Sepse, që të mos ia hamë hakun, Sollaku, vërtet nuk ka hapur dosjet e vjedhjeve të socialistëve, por, ama, nuk është se ka hapur ndonjë dosje nga ato që kanë çuar socialistët kundër Berishës. Edhe presidenti i sotëm, Moisiu, me thënë të drejtën, duke mos prekur Sollakun, ka preferuar të mos godasë asnjërën palë më mirë sesa të godasë vetëm njërën.
Atëhere është e zgjidhur çështja e presidentit: më mirë këta që kemi. Pse t’i ndryshojmë? Konsensusi tek e fundit nuk qendron tek personi i presidentit, por tek zgjedhja e një njeriu që nuk do t'i bjerë në qafë as njërës dhe as tjetrës palë, paçka se sa për sy e faqe ky do të quhet një president i ndershëm që respekton kushtetutën. Mirëpo edhe puna e një presidenti të tillë super i dobët do një farë force sepse, po qe se njëra palë bëhet e fortë tamam, atëhere ekziston rreziku se ajo palë ta kapë presidentin e për pasojë edhe prokurorin. Ky mund të jetë Berisha sot, por mund të bëhet edhe Edi Rama nesër. Dhe këtu lind problemi, sepse Berisha i konsideron këta vegla të socialistëve dhe nuk ka besim, aq më tepër po të kesh parasysh se pa mbrojtjen e opozitës këta do ta kishin patur keq punën. Atëhere zgjidhja më e mirë është që asnjëra palë të mos bëhet e fortë tamam që presidenti dhe prokurorët të mos lëvizin dot kundër asnjërës palë. Mirëpo në këtë rast kemi rrezikun që dy palët të mos reshtin së luftuari deri ditën kur të ndjehen të sigurtë se janë të fortë tamam sa për ta zgjedhur vetë presidentin dhe për ta përdorur sipas oreksit. Pra më një anë kemi rrezikun e luftës premanente për të zgjedhur president me një numër infinit zgjedhjesh kurse më anën tjetër rrezikun që njëra palë të vendosë sundimin mbi të gjithë. Midis Sillës dhe Karridbës i thonë kësaj po të përdorim një metaforë nga mitologjia. Por Silla dhe Karidba mund të kalohen fare lehtë nëse të dy palët do të bijen dakort se nuk do të prekin njëra tjetrën dhe do ta alternojnë pushtetin në një mënyrë një çikë më të rreguluar. A nuk do dhe populli paqe dhe qetësi? A nuk duan edhe ndërkombëtarët konsensus dhe bashkëpunim?
E pra, nëse do të bëjmë një sitezë të analizës që bëmë deri tani na del se kemi tre variante për zgjedhjen e presidentit. Njëri variant është të kemi një president që frenon e kontrollon në emër të ligjit shkeljet dhe abuzimet e të dy palëve. Varianti i dytë është që të kemi një president që frenon e kontrollon shkeljet e njërës palë – ndoshta po në emër të ligjit – e mbyll sytë ndaj atyre të palës që e ka zgjedhur. Varianti i tretë është që të kemi një president që mbyll sytë ndaj shkeljeve të të dy palëve. Kuptohet se varianti i parë përjashtohet pa u menduar fare për të. Një president që t’i luftojë të këqijat e të dy palëve do të thotë de facto një president që i lufton të dy palët dhe këto do ta hanin të gjallë një president të tillë. Atëhere dilema mbetet midis zgjedhjet së një presidenti që lufton të këqijat e njërës palë (çka më konkretisht, sot për sot, do të thotë një president që shkarkon Sollakun dhe hap dosjet e opozitarëve të sotëm, por jo të mazhorancës) dhe një presidenti që lejon të këqijat e të dy palëve. Kjo është zgjedhja. Me një president të njëanshëm kemi rezikun të mbetemi pa opozitë dhe mazhoranca të abuzojë sa të mundë, kurse me një president që pranon të këqijat e të dy palëve mbetemi në kënetën ku kemi qenë duke legjitimuar deri në përjetësi një klasë politike të korruptuar.
Por cila është e keqja më e vogël? Një mendje të thotë se është më mirë që njëra palë të fillojë të presë disa degë sepse kjo do të krijojë mundësi që të pastrohet edhe tjetra pastaj. Personalisht kam qenë para do kohësh i një mendimi të tillë por duke besuar se pala tjetër nuk do të fillonte të abuzonte. Por sa më shumë kalon koha aq më shumë nuk do të guxoja të bëja një zgjedhje të tillë duke patur frikë se mos është më mirë një opozitë e korruptuar sesa të jemi pa opozitë fre përpara një force që nuk jep shenja se ka një peshë cdhe një peshore për të gjithë. Prandaj e mira e të mirave është të mos rekomandosh asgjë për presidentin.
Siç e shihni nuk bëra gjë tjetër veçse i hodha pak ujë kazanit për ta ftohur në mënyrë që të vazhdojë zjerja e gjellës së presidentit deri në korrik. (Korrieri, 24 mars 2007)

Friday, March 16, 2007

Faza e re e kapjes së PS

Para disa ditësh lexova në Korrieri një shkrim të ish ministrit të jashtëm socialist dhe deputetit të PS Kastriot Islami me titull « Koalicioni i rrezikshëm dhe “Pashallarët” perëndimorë ». Shkrimi më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçante për dy aresye: së pari, pasi gjeta atje një numër konstatimesh shqetësuese që, prej kohësh, tentoj t’i përçoj në opinionin publik shqiptar, por pak ose aspak jehonë kam gjetur nga politikanët dhe shtypi. Së dyti sepse këto konstatime vinin pikërisht nga njëri prej eksponentëve më të rëndësishëm të Partisë Socialiste që ka qenë në pushtet për tetë vjet dhe në adresë të së cilës kanë qenë adresuar kryesisht konstatimet dhe akuzat e mija.
Por çfarë shkruan Islami në shkrimin e tij? As me pak as më shumë sesa konstatimin se: « Korrupsioni dhe kapja e shtetit gjeneroi gjatë kësaj kohe “politikanë të pasur të lidhur me biznese e që dominojnë mediat” dhe “biznesmenë shumë të pasur që kërkojnë të mbrohen e të vazhdojnë të pasurohen padrejtësisht në Kuvend”. Sipas Islamit kjo gjë tashmë nuk është vetëm realitet, por edhe filozofi dominuese dhe të gjithë ata politikanë që nuk i bashkohen asaj janë të destinuar të ndëshkohen si pjesëtarë të politikës së vjetër. Ai shton se “kjo lloj politike e re” ka aktorët e saj edhe në skenë edhe në prapaskenë, e “të gjithë i njohin”, por, megjithatë, nuk na jep emrat e tyre. Ai arrin ta quaje këtë koalicion të politikanëve me biznesin dhe të biznesit me politikën (duke i vënë edhe inicialet (PB-BP)), “Kupolë”, që ka kapur edhe institucione të rëndësishme kushtetuese, pa i vënë emrin as këtyre institucioneve. Po ta përkthejmë këtë që thotë Islami me ndonje terminologji jo pak të përdorur kohët e fundit mund të thuhet se kemi të bejme me një variacion mbi temën e kapjes së PS çka, duke patur parasysh se ajo ka qenë deri dje në pushtet, ka edhe kuptimin e kapjes së institucioneve të shtetit. Po ashtu nuk është vështirë t’i përkthesh frazat me emra të përgjithshëm të kupolës së Islamit në emra të përveçëm si Edi Rama, Ilir Meta, Dhori Sollaku etj.
Duket sikur në këtë afirmim të Islamit nuk ka ndonjë gjë të re përveç faktit se Islami është kujtuar të zbulojë, më në fund, se mbreti paska qenë lakuriq. Dhe nuk mund te mos të të lindë dyshimi se ai e bën këtë pasi e sheh veten të përjashtuar nga pushteti në PS pas ngjarjeve të fundit elektorale ku duket se “kupola” ka vendosur t’ia heqë atij mundësinë e kandidimit në bastionet socialiste. Ose ndoshta e bën si shantazh ndaj kupolës. “Në rast se dukuria e eliminimit të “politikanëve profesorë e profesionistë” në emër të politikës së re dhe zëvendësimi i tyre me personazhe produkt të “pazareve informale politikë-biznes” do të vazhdojë të deformojë konfiguracionin tejet të deformuar, jo vetëm politikisht të Kuvendit aktual, atëherë vendi do t’i largohej standardeve demokratike dhe sistemi demokratik do të ishte i rrezikuar.” - thotë Islami ne shkrimin e tij
Kuptohet se pyetja që të vjen t’i drejtosh menjëhere është: ku ishe deri dje ti Adam? Sepse, sipas meje, shumë “profesorë” të cilëve Islami nuk ua përmend emrat, ashtu sikurse nuk përmend as emrat e “politikanëve të rinj të pasuruar padrejtësisht”, kanë pasur, së bashku me Islamin, shumë mundësi ta frenonin këtë proces. Ata kanë qenë në vendet më të rëndësishme në krye të shtetit dhe nuk kanë reaguar, por kanë bashkjetuar në paqe dhe harmoni me (PB-BP). Prandaj është dëshpëruese të lexosh sot ish nënkryeministrin dhe ish ministrin e jashtëm, deputetin e djeshëm dhe të sotëm Islami, të thotë: “Mendoj se është pak vonë për veprim, por jo për reflektim. Së paku për sensibilizim të faktorit ndërkombëtar.”
Por ndoshta nuk është vendi këtu për të sulmuar Islamin dhe, po ashtu, ndoshta nuk është krejt e saktë të thuash se ai nuk po na kumton ndonjë gjë të re. Ajo që del si elementi i ri në shkrimin e Islamit – që merr rëndësi të veçantë duke patur parasysh se ai i ndjek nga brenda zhvillimet në PS - është se ai flet për një proces që në gjirin e së majtës quhet “politika e re” çka nuk është e vështirë të kuptohet se nënkupton gjuhën e përdorur nga lideri i ri i PS Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Ajo çka na thotë Islami të re duket se është fakti që me fitoren e Ramës, edhe në funksion të fuqizmit të pushtetit të tij dhe atyre që e mbështetën në zgjedhjet e fundit, procesi i pastrimit të partisë nga « profesorët » e vjetër të cilëve u kanë mbetur ende disa skrupuj e personalitet dhe zëvendësimi i tyre me individë edhe më të paskrupullt, siç i do edhe sistemi që është instaluar edhe ashpërsimi i luftës me kundërshtarin për ndarjen e përfitimeve nga politika, do të njohë në PS një valë të re. Pra e reja e Islamit eshte se procesi për te cilin flet ai nuk ka përfunduar, por ka hyrë në një fazë tjetër, që duhet ndjekur, sikurse thotë ai, me shqetësim të madh, pasi “politika e re” që na paralajmërohet është edhe më e rrezikshme sesa “e vjetra” që kemi pësuar deri tani.
Në fakt po të tentojmë të kthehemi prapa në kohë do të shohim se ky proces i kapjes së politikës së PS nga individë që deri në një kohë nuk kishin lidhje direkte me të, por pasuroheshin me mjete të ndryshme ca të pastra dhe ca të pista apo të dyshimta i shoqëruar paralelisht me pasurimin e padrejtë të udhëheqësve “historikë”, ka filluar të dalë në sipërfaqe herët në kohën e qeverisjes socialiste. Eshtë po ashtu e ditur se një nga trampolinat kryesore që përdorën këta për t’u lidhur me njëri tjetrin e për të kapur PS e nëpërmjet saj institucione shtetërore, e për t’i bërë ato të punojnë për interesat e tyre private ishin mediat që krijuan. Deri këtu nuk kemi thënë ndonjë gjë të re. Ashtu sikurse nuk është e re se instrumentet dhe njëherësh arkitektët kryesorë politikë të kësaj kapjeje ishin figura të tilla të rinjsh si Ilir Meta kur qe kryeministër, Edi Rama ministër e kryebashkiak, por edhe Nano pasi u bë për herë të dytë kryeministër. Ata kuptuan të parët se militantët e të ashtuquajturës bazë të PPSH e pastaj PS mund të vlenin vetëm si mish për top, se, ndërkaq, mund të ishe më “efikas” dhe “më i suksesshëm” duke bashkëpunuar me të pasuruarit e rinj të fuqishëm jashtë politikës e duke shfrytëzuar mediat e tyre apo paratë e tyre të pista sesa duke u mbështetur tek një ushtri anonimësh e bythgrisurish që vlejnë vetëm për të votuar e që, tek e fundit, s’kanë ku të përplasen përveçse tek ata. Ata ishin të parët që kuptuan se nuk ka rëndësi se cili e ka emëruar Prokurorin, mjafton që ai të punojë për sistemin e tyre korruptiv, të marrë për këtë llokmën e tij e t’i lerë të gjithë të qetë në grabitjen që i bëjnë shumicës. Rezultati është ai që na e thotë Islami si zbulim se «tani në Shqipëri “politika e re” nuk ka nevojë më as për parti politike dhe as për parti elektorale, as për forume të grave dhe as për ato të të rinjve, as për programe e platforma elektorale, as për figura politike dhe gjeneratorë të ideve të reja e reformatorë dhe as për shoqëri civile, as për sondazhe, për asgjë....” (unë do të shtoja edhe as për të majtë e as për të djathtë) sepse tani “në emër të politikës së re” duhen vetëm bashkëpunëtorë në biznese apo bashkëaksionerë, që kanë financa të fuqishme e financues të fushatave elektorale dhe të kontove politike e personale”.
Dikush do të thoshte po ç’të keqe ka që njerëz të pasuruar ekonomikisht të fillojnë të merren edhe me politikë apo të ndikojnë politikën. Asgjë të keqe nuk ka deri në pikën kur politika është shprehje edhe e interesave të tyre. Por ajo çka vihet re është se politika punon vetëm për interesat e tyre dhe, akoma më keq, kundër interesave të të tjerëve dhe akoma akoma më keq duke varfëruar, kriminalizuar e demoralizuar shoqërinë. Ajo çka vihet re është se këta e kanë përdorur politikën për tu pasuruar padrejtësisht - siç thotë Islami - dhe nga ata që pasurohen në mënyrë kriminale nuk mund të presësh të qeverisin në mënyrë të drejtë, pasi janë peng i bandave që kanë ngritur dhe i metodave që kanë përdorur për tu pasuruar. Këtu nuk kemi të bëjmë me ligjet e kapitalizmit apo me “mënyrën se si u bë Amerika” siç kanë qejf të thonë shërbëtorët shkarrashkrues të këtij sistemi grabitjeje në dritë të diellit, por me një pathollogji të sistemit demokratik kapitalist, me një hipertrofizim të difekteve të tij deri në ekstremin vetshkatërrues. Ja pse Islami, gjithsesi, ka ngritur një alarm me vend.
Mirëpo dy pyetje thelbësore më duket se duhet të shtrohen teksa bëjmë këtë analizë në funksion të gjetjes së rrugëve për parandalimin e rreziqeve, deri të lirisë. Së pari, a ka pasur vallë një parti të tillë siç pretendon Islami: një parti, pra, që të përfaqësojë interesat e një shtrese të gjerë shoqërore dhe jo ato të një grupi mafjoz që e ka përdorur atë për qëllime krejt të tjera nga ai i shërbimit dhe përfaqësimit të shtresave të gjera? Né fakt Islami duket sikur po flet për procese degradimi partish në Perëndim nën goditjen e fenomenit Berlusconi dhe jo për Partinë e Punës që pastaj mori emrin Partia Socialiste. Sepse mëma e PS, e ashtuquajtura Parti e Punës, nuk ka qenë përgjatë 45 vjetëve diktaturë parti e popullit, por një instrument në duart e një grupi të vogël njerëzish – që shpesh i quajmë nomenklaturë - për të shtypur e shfrytëzuar pjesën më të madhe të popullsisë në emër të interesave të veta. Edhe mediat që përdorte ajo edhe ekonomia që ndërtoi ajo u shërbenin pushtetit dhe përfitimeve të kësaj nomenklature. A u shndërrua ajo pas rënies së komunizmit në një parti të vërtetë demokratike dhe të majtë duke marrë emrin Partia Sociliste? Kurrsesi. Vetë fakti që ndonëse ajo u shndrrua shumë shpejt në partinë e interesave të të “pasuruarve padrejtësisht” e të “bizneseve të dyshimta” votohet nga ish komunistët që dje të vrisnin në emër të barazisë tregon se ajo parti e ka mbartur të keqen brenda. Prandaj sipas meje ajo që po ndodh e po denoncon Islami nuk është shprishja e diçkaje që ekzistonte, por (virtualisht) humbja e një ëndrre për parti të vërtetë dhe (realisht) vazhdimësia në epokën kapitaliste e së njëjtës parti e e së njëjtës mënyrë të bërjes politikë: kapja e pushtetit me çdo mjet sado kriminal dhe përdorimin e tij për interesa të atyre që e kapin.
Së dyti mund të shtrohet pyetja: Islami dhe profesorët çfarë përfaqësonin në atë dhe pastaj këtë parti? A kanë ata përgjegjësi për atë dhe këtë parti sepse siç thuhet çdo korrigjim fillon nga vetkorrigjimi? Sipas meje nëse nuk do t’i fusim si pjesë e nomenklaturës apo kupolës së re post komuniste të kësaj partie në rastin më të mirë ata do t’i quanim individë që u treguan të paaftë për të ndërtuar një parti të vërtetë socialiste.
Se çfarë duhet bërë për lindjen e një partie të tillë apo për transformimin e PS në një parti të tillë - e në përgjithësi për kalimin e vendit nga parti gangsterësh e mafjozësh në parti politike - kjo është një temë e gjatë ku mund të kontribuohet me shumë ide. Por me siguri mund të thoja se një nga rrugët më të suksesëshme do të ishte që njerëz që mendojnë si Islami të mos presin të bijen nga fiku për ta ngritur zërin e tyre, por ta ngrenë kur kanë shumë më tepër në dorë për të luftuar në emër të drejtësisë, ligjit dhe interesit të shumicës. (Korrieri, 10 mars 2007)

Një gropë e zezë, që flet shumë

Në rrugicën ku kaloj përditë kur dal nga shtëpia – po e quaj rrugicë për nga ngushtësia sepse mund të quhet edhe rrugë për nga numri i banorëve dhe i makinave që kalojnë dhe i pallateve që ajo ka anash - vodhën para disa kohësh kapakun rrumbullak të një pusete që ndodhet mu në mes të rrugës. Nën vrimèn e saj rrumbullake të zezë, ku mund të hyjë e ngecë një rrotë makine, u shfaq boshllëku i dhomëzës prej betoni ku dolèn nè dritè edhe ca tuba e saraçineska të ndryshkura që spruconin ujë me presion në oraret kur Ujësjellësi na hap grykèn e Bovillès.
Siç e marrin me mend tiranasit, të cilèt, prej kohësh, e vuajnë këtë punën e vjedhjes së pusetave, as që bëhej fjalë në ditët e para të pretendoje që ajo të zëvendësohej shpejt e shpjet. Të jetuarit në Shqipëri na ka mësuar tashmë me disa standarte shërbimi dhe e dimë se në raste të tilla duhet të presësh ndonja dy javë të mira përpara se të fillosh të shpresosh ta shohësh pusetën të mbuluar me një kapak të ri (e kam fjalën për qendrën se në periferi mund të ketë të tjera standarte). Kërkush, pra, nuk po priste që ajo të zëvendësohej për dy javë megjithëse në zonën time ka edhe disa deputetë që nganjëherë i bijen telefonit dhe e zgjidhin ndonjë vështirësi të tillë në kohë më të shpejtë se “norma”. Kështu që, siç pritej, rrumbullakja e pusetës në mes të rrugës dhe gropa e zezë poshtë saj u kthyen në një vepër arti nga ato që i quajnë instalacion. Hera herès dikush fuste në të ndonjë dërrasë që dilte një metër mbi sipërfaqe për tu treguar shoferëve se atje kishte një gropë, hera herës rrethohej me ndonjë gomë makine apo kuti kartoni e hera herës mbetej thjeshtë një rreth rrumbullak i zi që duhet ta shquaje veçanërisht natën, përndryshe bije brenda. Ndërkaq, meqënëse aty afër saj janë edhe plehërat, boshllëku në gropèn e pusetès filloi të mbushej me lloj lloj qesesh plasmasi me mbeturina shtèpish, nga ato qè nuk i mbanin mè koshat e Bashkisè, me kuti kartoni e shishe gjithfarëshe duke krijuar edhe shqetësimin se dekompozimet e tyre mund të filtronin në të çarat e tubit të ujit të pijshëm që rridhte. Por ama, si instalacion, u bë edhe më i përsosur.
U interesava të di se kush e kishte në vartësi e më thanë: Ujësjellësi. Pra nuk e paska pushteti lokal, por e ka ai qendrori – thashë me vet - jo Edi Rama por Berisha përkthehet kjo. Kaluan tre javë, katër javë, një muaj, një muaj e një javë një muaj e gjysëm dhe ende puseta ka mbetur instalacion me disa variante që mund ta titullosh fre mirë “Rrugë tranzicioni tiranase - 2007” apo “Gropë shqiptare ku takohet uji i pijshèm me plehërat”, apo “Kronikë e Ujësjellësit pas një vjedhjeje”.
“Kot të presësh edhe nga deputetët - më tha një komshi teksa kalonim unë në një anë ai në anën tjetër të gropës - kohët e fundit kam parë se nuk bëjnë asnjë metër më këmbë, kurse makinat i kanë fuoristrada dhe nuk kanë rrezik të bijen tek vrima e pusetës. Prandaj - shtoi - shih mos na sjell ndonjë televizion.” “Televizioni s’vjen këtu, por të shoh mos bëj një shkrim i thashë. Veçse pak shpresë kam se mund ta lexojë drejtori i Ujësjellësit.”
Né fakt vjedhjet e pusetave e meritojnë një kronikë televizive sepse gojët e zeza që ato lenë hapur flasin shumë më tepër sesa për një pusetë. Ato janë të barsura me simbolikë dhe kush kalon të patën tre herë në ditë mbi një gropë të zezë si e jona nuk mundet të mos bjerë në refleksione të shumta. Pale sikur të vendosësh një kamer aty diku mbi tè dhe të filmosh mënyrën se si sillen kalimtarët kur kaljnë nga mëngjesi deri më darkë nè ngushticèn midis plehërave tè Bashkisè dhe asaj grope tè Ujèsjellèsit – si me thènè midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Me siguri do të dilte një mrekulli. Por mua kjo gropë e zezë më erdhi në ndihmë edhe për të lexuar më mirë votën e elektoratit. Do të thotë lexuesi i nderuar ç’lidhje ka kjo me votimin. Ka, ka. Ja ta shpjegoj:
Problemi është se në mungesë të institucioneve të specializuara dhe me besueshmëri që të masin e të na japin treguesit e efektshmërisë apo jo të një qeverisje dhe, po ashtu, në mungesë të mediave që të bëjnë punën e informimit dhe jo të propagandës e manipulimit, qytetarëve u duhet të orientohen intuitivisht për mbarëvajtjen apo jo të punëve nëpërmjet shenjash të mbledhura andej këtej me sy e me veshë e me nuhatje e me prekje. Këto mund të na japin një perceptim intuitiv nëse jemi më mirë se dje apo më keq – sepse, tek e fundit, edhe votimi nuk na jep një gjykim të qartë, pasi të gjitha palët reklamojnë fitore. Them se çdo qytetar ka shenjat e veta, disa pika referimi që i ka parë dhe i sheh vazhdimisht nëpërmjet shqisave të tij e që lidhen me gjërat që sillen rrotull jetës e punës së tij duke filluar që nga uji e dritat e deri tek rruga ku shkel përditë, ku bëjnë pjesë edhe gropat edhe pusetat. Është e qartë se të dhënat shqisore tè pèrpunuara nga intuita nuk kanë ashtu dhe aq siguri dhe mund të jenë edhe ato rezultat i një keqvlerèsimi, sepse janè thejsht përvojè personale. Por ja që ato mbeten thuajse i vetmi burim i besueshëm – sigurisht më i mirë se mediat që shkojnë i zgjedhin në mënyrën më të paturpëshme për motive krejt të tjera nga informimi dhe shërbimi, raste të tilla.
E pra unë do të thoja se, në zonën ku banoj, nuk ka mbetur pa ndikim në humbjen e besimit tek qeverisja edhe kjo gropa e zezë rrumbullake e pusetës. Mund të duket diçka fare e vogël por janë këto “vogëlsira” që duke i takuar ditë për ditë vijnë e mblidhen e bëhen një mullar pakënaqësie. Sepse kur kaloi muaji dhe ajo vrima rrinte atje ende e hapur duke gëlltitur plehërat që gjithmonë e tejkalojnë gati dy herë kapacitetin e koshave që na ka vënë Bashkia nuk mund të mos thoje me vete: pa dyshim këtu kemi të bëjmë me diçka që nuk shkon me këta demokratët. Né kètè pikè do tè thoja se plehèrat, qè tani u takojnè socialistève, nuk luajnè rol sepse ato janè dhe kanè mbetur thuajse konstante nè pamjen e tyre: gjithnjè, pèrjetèsisht sheh njè mullar plehèrash, qè dalin jashtè koshave e rrijnè nganjèherè dy tri ditè pa u marrè. Edhe pusetat i vidhnin edhe në kohën e socialistëve, por kaq gjatë, mu në qendër të qytetit, sikur ata nuk i linin pa i zëvendësuar. Mund të rrinin tre javë, ja katër shumë shumë, por një muaj e gjysëm sikur i tejkalon të gjitha normat. Por edhe sikur t’i kenë lënë kaq gjatë a nuk na u premtua përmirësimi i cilësisë së jetës? Si duket pa marrë sms Kryeministri dhe pa marrë drejtori i Ujësjellësit urdhër prej tij, apo po nuk mbeti ndonjë makinë ministri a deputeti demokrat atje tek gropa, kapaku i pusetës nuk do të zëvendësohet kurrë.
Por reflektimet rreth asaj grope, teksa kalon anash saj, nuk mund të mos të të çojnë edhe në zona të tjera të qeverisjes. Madje edhe tek sektori më i suksesshëm, Ministria e Rendit. Vërtet janë kapur disa banda trafikantësh, dhe shyqyr, por puna e policisë nuk është vetëm të kapë trafikantë. Ka lloj lloj krimesh në këtë vend. Dhe është për t’u çuditur se pse policia jonë nuk është, psh., në gjendje të zbulojë trafikantët e pusetave prej gize. Sepse, ta hajë dreqi, ato nuk janë kuleta, as celularë që fshihen lehtë. Ato janë pllaka të rënda prej gize të cilat kush i vjedh e bën për t’i shitur. Dhe ato nuk mund të shiten në ndonjë vend dosido. Ato mund të shiten atje ku pastaj dërgohen në një furrë shkrirjeje që në vendin tonë, me sa di unë, nuk janë të shumta, në mos qoftë vetëm Metalurgjiku. Pra mjafton të çosh shqetësimin atje tek shkrirësit dhe tu kërkosh atyre llogari se kush ua sjell këto puseta për të mbrritur deri tek njerèzit për të cilèt punojnë hajdutët e pusetave natën. Mirëpo edhe policët tanë duket kanë punë të tjera më të rëndësishme në mos bashkëpunofshin edhe ata, si shkrirësit, me hajdutët.
Megjithatè, pusetat e vjedhura e të lëna dëshpërimisht pa kapak për muaj e muaj mu nè mes tè rrugève më shumë se çdo gjë tjetër, edhe se standarti i jetës së dorës së parë të hajdutëve të tyre, tè ngacmojnè për diçka tjetër. Ato tè revoltojnè pèr faktin se zëvendësimi i tyre nga pikëpamja materiale nuk kushton thuajse asgjë. Ajo çka tregon puseta e mbetur pa kapak është pikërisht “kapaku” që u ka munguar e vazhdon t’u mungojë njerëzve tanë të politikës e administratës: minimumi i ndjenjës së përgjegjësisë për punën që bëjnë. Ajo gropë/gojë e zezë flet përditë e të thotë se e fundmja gjë që mendojnë këta njerëz kur shkojnë nëpër zyra është se si të kryejnë punën për të cilën paguhen, reduktimin e halleve më banale të njerëzve. (Korrieri, 8 mars 2007)

Kompromisi moral, kompromisi politik dhe pazaret

Në debatet e shumta që hapi takimi Nano Berisha mbi moralitetin apo imoralitetin e tij, mbi vlerën apo mosvlerën e tij krizëzgjidhëse më tërhoqi vëmendjen edhe polemika midis Artan Fugën dhe Mustafa Nanos. Midis të tjerash në polemikë trajtoheshin edhe ngjashmëritë (sipas Fugës) apo pangjashmërinë (sipas Nanos) të këtij takimi me të tjera takime e kompromise midis armiqsh e kundërshtrarësh në botë. Më qëlloi që pikërisht në ato ditë të lexoja në gazetën italiane La Republica një shkrim të ish disidentit, politikanit dhe historianit polak Geremek mbi ngjarjet në Poloni pas çështjes së arqipeshkopit Wielgus i cili u akuzua si agjent i shërbimeve sekrete dhe për këtë dha dorëheqjen ditën e meshës që do të përuronte detyrën e tij si arqipeshkop i Varshavës. Nuk mund të mos bëja lidhjen pasi në argementet e Fugës përmendej, midis të tjerash, edhe takimi ndërmjet Jaruzelskit dhe disidentëve Polakë në fund të viteve 80 që i hapi rrugën trasformimit paqësor politik në Poloni e për të cilin fliste edhe Geremeku në shkrimin e tij.
Duke iu përgjegjur akuzave që i bëhen sot në Poloni disidentëve si Geremeku nga politikanët e rinj që kanë ardhur në pushtet, të cilët i akuzojnë se kanë bashkëpëunuar me regjimin e djeshëm, Geremeku thotë duke folur për atë takim: "Kemi bërë kompromis politik, por jo kompromis moral." Është një pohim që ve në dukje diferencën midis dy kompromiseve dhe që nuk fsheh, nga ana tjetër, problematikën e kësaj diference që e vuan edhe Geremeku.
Më duket se duke iu larguar trajtimeve bardhe zi dhe qëndrimeve emocionale që dominuan në shtypin shqiptar çështja e takimit Nano Berisha duhet shtruar, tek e fundit, në kontekstin e kësaj problematike. Pra i duhet dhënë përgjigje pyetjes se çfarë ishte ky takim një kompromis politik, një kompromis moral, apo çfarë? E, në këtë këndvështrim, them se nuk është çështja thjeshtë tek ky takim. Këtë takim duhet ta trajtojmë si një fenomen që fare mirë mund t'i vihet edhe shumë emra takimesh të tjera emrash të njohur.

Kompromisi politik është më i qartë për tu dalluar. Ai arrihet midis dy kundërshtarësh që mbrojnë interesa të ndryshme që kanë ambicie të ndryshme. Të dy palët heqin dorë nga diçka për të arritur këtë kompromis sepse të dy palët, por edhe popullsia në përgjithësi, më shumë do të humbisnin sesa të fitonin nga moskryerja e këtij kompromisi. E në këtë aspekt është e drejtë ideja se politika është kompromis. Por një gjë duhet vënë në dukje menjëherë kur flasim për kompromisin politik. Ai nuk duhet mistifikuar sikur të jetë zgjidhja e artë e politikës. Çdo kompromis politik ka specikat e veta dhe po ashtu edhe anët e tij të dobëta e mund të sjellë suksese ashtu sikurse mund të sjellë edhe dështime. Kompromisi mund të arrijë përafrimin e dy ekstremeve në një të mesme "quaje po deshe të artë" dhe tek kjo e mesme mund të mblidhen të mirat e dy ekstremeve, por aty mund të mblidhen edhe të këqijat e dy ekstremeve.
Politikisht kompromisi Nano Berisha zgjidhi një krizë që po e çonte vendin në rrezik kaosi dhe vakumi institucional, e kjo i duhet njohur. Por ai ka edhe shumë anë negative politikisht ndër të cilat shpejt e shpejt mund të thoja se ai fuqizoi traditën e vjetër të pushtetit të personave mbi atë të institucioneve, apo se ai rrezikon të na bashkojë nesër dy të këqijat e ekstremeve autoritarizmin e Berishës me korrupsionizmin e Nanos. Por mbi të gjitha ai tronditi rëndë, për të mos thënë se rrënoi, shpresën se Berisha do të mbajë premtimet për luftë korrupsionit të cilat janë sa politike aq edhe morale. Deklarata e Berishës pas takimit se ato çka ka thënë për Nanon kanë qenë për efekte elektorale është një deklaratë që në një vend me demokraci normale do të shkaktonte krizë politike (si ajo para disa kohësh në Hungari) dhe kërkesë për zgjedhje të parakohëshme sepse del se publiku është mashtruar nga ky politikan kur ka votuar.
Takimi Nano Berisha në këtë kontekst ishte jo vetëm një kompormis politik me shumë të meta, por edhe një kompromis i rëndë moral, pasi u përjetua si një tradhëti ndaj disa principeve dhe premtimeve? Ai të bën të shtrosh pyetjen: mos është më e drejtë të themi se nëse një kompromis është i papranueshëm moralisht ai nuk mund të jetë i pranueshëm edhe politikisht? Mbetem i mendimit se nuk mund të ketë një ndarje midis politikës dhe moralit, se ato janë dy hapësira të aktivitetit publik që edhe janë të dallueshme por edhe të shkrira me njëra tjetrën. Nëse do të kërkonim një ide bashkuese të të dyjave më duket se ajo gjendet tek Raymond Aroni i cili thotë: "Për interesa kompormiset edhe mund të bëhen, por për vizionin e botës kurrë." Problemi që shtrohet sot mbi tërë klasën politike shqiptare është: a kanë apo nuk kanë këta një “vizion të botës” në të cilin besojnë e për të cilin janë të gatshëm të mos pranojnë asnjë kompromis? Dhe përgjigja është: jo as nuk e kanë pasur dhe as kanë. Ata njohin vetëm interesa, shpesh nga ato më banalet, dhe se janë këto interesa që diktojnë mbi politikën dhe politikanët tanë duke i humbur sensin politikës dhe duke bërë që takime të tilla e politika në përgjithësi tek ne të mos e meritojë fjalën kompromis, por thjeshtë fjalën pazar. (Korrieri, 28 Janar 2007)

Iracionaliteti i marrëveshjes për çertifikatat

Nuk munda ta çoj deri në fund dokumentin e marëveshjes prej 20 pikash midis mazhorancës dhe opozitës mbi çertifikatat. Ndjenja që më ngjalli, teksa lexoja nen pas neni tërë ato hollësira e masa sigurie, ishte se, nëse do ta përmbledhim punën e këtyre 6 muajve të politikës shqiptare e veçanërisht të opozitës, ajo do të përmblidhej thjeshtë e vetëm në këtë dokument madhështor që do të mbetet në histori për të dëshmuar gjendjen e mjerueshme të karvanit shqiptar e të karrocierëve të tij pas 15 vjetësh rrugë drejt Evropës. Sipas meje nëse koha dhe energjitë e shpenzuara për këtë dokument do të ishin shpenzuar ndryshe, psh. sikur drejtuesit e PS, LSI, PSD, AD, PDS të ishin nisur personalisht në një aksion kombëtar për të regjistruar tërë popullsinë derë më derë, e, duke u bërë, me këtë rast, edhe propagandë në favor të tyre, kjo punë do të ishte kryer më shpejt sesa hartimi i kësaj marëveshjeje mbi çertifikatat. Dhe pa dyshim dobia do të kishte qenë shumë më e madhe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mazhorancën. Por kam frikë se të dy palëve jo vetëm pse në pjesën më të madhe janë një tufë të paaftësh e dembelësh që kanë të vetmin merak të kapardisen mbi pushtet e mbi para, por edhe pse nuk u intereson t'i regjistrojnë qytetarët shqiptarë, u leverdis tamam një punë kështu.
Kryetari i PS Rama deklaroi së fundi se PS-ja ka dijeni për një plan manipulimi me çertifikatat e vjetra të paregjistruara dhe ky ishte shkaku i ngulmimit të opozitës për përdorimin vetëm të çertifikatave të pas 1 nëntorit. A ka vërtet një plan të tillë. siç thonë opozitarët; a është ky produkt i imagjinatës apo paranojës së kryesocialistit apo ishte një sendërgji për të justifikuar shtyrjen e zgjedhjeve siç thotë mazhoranca? Askush nuk di ta thotë me saktësi këtë sot për sot. Por bash loja me këtë ambiguitet e paqartësi është thelbi i politikës sonë.
Do të ishte në dobi të të gjithë publikut që ky plan të denoncohej sa më parë në shtyp, por edhe në Prokurori, nëse ka të dhëna serioze për këtë. Partitë nuk mund të bëjnë një lojë si midis bandash që i ngrenë në errërsirë prita njëra tjetrës në kurriz të votuesit të gjerë. Nëse ka një plan të tillë dikush duhet të përgjigjet për hartimin e tij, nëse jo Rama dhe cilido që ia ka servirur publikut duhet të përgjigjet. Sepse kjo akuzë ka dy të këqija brenda: së pari edhe nëse u pengua vjedhja me çertifikata përderisa vjedhësit janë jashtë ata do të kërkojnë një mënyrë tjetër për të vjedhur, dhe, së dyti, çka është edhe më e rënda, ajo ngre përpara shqiptarëve një çështje shumë më të rëndë, atë të numrit masiv të manipuluesve.
Po të tentosh të imgjinosh se si do të mund të kryhej ky manipulim do të arrijmë në përfundimin se ka dy mënyra: ose një ushtri militantësh PD-istë do të rendinin nga njëra qendër e votimit në tjetrën me çertifikata rezervë në dorë për të votuar dy e tre e katër herë, me të njëjtin emër apo me emra të ndryshëm, ose demokratët paskan gjetur ndonjë marifet që ato të përdoren nga ndonjë grusht i kufizuar manipulatorësh. Rrugë tjetër nuk hamendësohet dot. Nëse do tu referohemi formës së akuzave të PS dhe do të kemi parasysh edhe se pas procesit të votimit kutitë do të jenë në kontroll të të dy palëve, mundësia më e madhe e përdorimit të çertifikatave për manipulim duhet të jetë ajo e para: ushtria e militantëve.
Mirëpo në këtë rast kemi të bëjmë me një akuzë që nuk ngrihet më kundër një e dy personave, apo edhe një grupi personash, por kundër një numri shumë më të madh shqiptarësh. Prandaj dhe është më e rëndë si akuzë sesa një sherr midis politikanësh, por dhe më dëshpëruese për gjendjen e votës së lirë në vend.
Por le të thellohemi pak mbi këtë akuzë dhe mundësinë e vërtetësisë së saj.
Po të kemi parasysh metodat e manipulimit gjatë kohës që socialistët kanë qenë në pushtet (por edhe ato të Berishës në 1996) do të vemë re se ato nuk janë bazuar kurrë në përdorimin e një numri të madh bashkëpunëtorësh në krim. Lojërat janë bërë nga një numër shumë më i ngushtë të interesuarish. Në zgjedhjet e fundit lokale, mesa kujtoj, ka pasur një "dëbim" me kompiuter të votuesve që u hoqi mundësinë një numri shumë të madh votuesish pro PD. U fol për një gabim në program, për një lloj çmendjeje të kompiuterit qendror. (Do të duhej në fakt të ishte hetuar për këtë nga ana e Prokurorisë sepse një punë e mirë e Prokurorisë dje do të na e kursente këtë krizë sot). Po në këto zgjedhje u fol për banda që hapnin kutitë e, si pasojë, në Tiranë rezultuan 2/3 e kutive të pavlefshme po të zbatohej me përpikmëri ligji, kurse me kutitë e rregullta fitonte Ngjela. Por kurrsesi nuk u akuzua një popull i tërë si bandit. Edhe në zona të tilla që janë shumë më jashtë kontrollit përsëri manipuluesit janë një grup i vogël banditësh. Dhe po të kesh parsysh se të interesuarit për manipulim nuk janë njerëzit e thjeshtë, por kryesisht politikanët, del se mundësia e përdorimit të një numri të madh manipulatorësh është shumë e vogël dhe aq më tepër shumë më e zbulueshme.
Pra, ndërkohë që më një anë na del se duhet të përdoret një numër i madh njerëzish për të përmbysur rezultatin me çertifikata më anë tjetër na rezulton se, që kjo punë të bëhet pa u dekonspiruar, duhet përdorur një numër i vogël njerëzish. Të them të drejtën nuk zgjidh dot këtë kontradiktë. Por megjithatë një gjë di të them me siguri: Si në rastin e manipulimit të lokaleve që përmenda ashtu edhe në raste të tjera, çfarëdo formë që është përdorur, ka pasur jo pak "rrjedhje" që i kanë bërë zgjedhjet të jenë jashtë standartëve çka i ka bërë edhe ndërkombëtarët të thonë, për të disatën herë, se zgjedhjet ishin të pranueshme, por jo brenda standarteve. Përndryshe sot nuk do të kishim vëzhgues e nuk do të kishim tërë këtë krizë.
Duket se është pikërisht përvoja e manipulimeve të veta që i bën socialistët të kenë kaq frikë një hakmarrje të demokratëve e po ashtu frika se ndërkombëtarët, të ndodhur, si gjithmonë, përpara faktit të kryer, do të zgjedhin përsëri të keqen më të vogël. Dhe nuk mendoj se demokratët do t'ua kursenin hakmarrjen, e as se kanë një kulturë tjetër politike. Megjithatë një gjë pozitive ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Hapësira e manipulimit ka ardhur duke u ngushtuar për shkak të rregullimit të kontrollit reciprokmë një anë (fatkeqësisht jo për shkak të ngritjes së një arbitrimi të paanshm me krediblitet) e të një votuesi që është gjithnjë e më pak militant më anë tjetër. Por nuk është zhdukur. Dhe nuk besoj se mund të zhdukej duke prodhuar çertifikata të jashtëzakonshme për zgjedhjet apo të noterizuara siç pretendonte opozita; por as edhe me dy dokumentet shtesë nuk mund të zhduket. Sepse, siç thashë, nëse vjedhësit janë jashtë, ata do të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër.
Prandaj, në vend se të shtrohet problemi për një krim të mundshëm dhe të pavërtetueshëm deri në kryerjen e tij a nuk do të ishte më racionale të kërkohet diçka tjetër edhe nga opozita edhe nga mazhoranca edhe nga ndërkombëtarët, por edhe nga opinioni mbarë? Ajo që mund të kërkohet dhe me të drejtë dhe brenda ligjit është që të mos përsëriten me përvojat si ato të zgjedhjeve të shkuara lokale kur megjithëse sipas ligjit 2/3 e kutive në Tiranë rezultuan të pavlefshme, megjithëse në Durrës numri i votuesve u katandis, mesa mbaj mend, në më pak se 30% për shkak të "humbjes" së zonës së votimit nga një pjesë e madhe votuesish, ato përsëri u konsideruan të vlefshme. Le të bëhet një marrëveshje e marrëveshjeve që të respektohet ligji dhe vetëm ligji, i cili parashikon edhe pavlefshmëri të pjesshme apo deri të plotë zgjedhjesh. Angazhimi për të respektuar ligjin kuti më kuti, deri edhe në anullimin e zgjedhjeve në tërësi, do të ishte më efikas sesa ky dokumenti absurd për çertifikatat apo ajo pika edhe më absurde e tij sipas së cilës fallsifikuesi me çertifikata dënohet me aq e kaq vite burg. Kuptohet se kjo do të shtronte problemin e kostove të zgjedhjeve të tjera e të rrëmujës e vakuumit që do të krijohej midis dy zgjedhjeve, në rast të anulllimit të tyre. Por ndoshta një gjë e tillë, shoqëruar me dënimin sipas ligjit të përgjegjësve, do t'i jepte njëherë e mirë fund praktikave të zgjedhjeve brenda dhe jashtë standarteve sepse është pikërisht hapësira e këtij ambiguiteti që është shfrytëzuar nga politika jonë për të nëpërkëmbur votën e lirë. Dhe rruga drejt zgjedhjeve të lira është tamam zhdukja e hapësirës midis ligjit dhe marrëveshjes që lejon këtë ambiguiteti e që, për fat të keq, politika, kërkon ta mbajë më këmbë si të vetmin breg shpëtimi për veten. (Korrieri, 20 Janar 2007)

Wednesday, February 28, 2007

Soc-realizmi dhe katarsi ndaj tij si ure drejt nje kulture te re

(Refleksione mbi dy ekspozita të hapura në Galerinë e Arteve)

Para disa ditësh në Galerinë Kombëtare u përuruan dy ekspozita disi të pazakonta: një me piktura të realizmit socialist dhe tjetra me skulptura edhe ato të thadruara gjatë kohës së soc-realizmit. E pazakonta ishte se ato u shfaqën për herë të parë pas disa vjetësh mbylljeje në bodrumet e Galerisë.
Thelbi i të dy ekspozitave ishte dhënia e tipareve kryesore të artit figurativ të asaj periudhe - çka përbënte një provokim interesant për t'iu qasur asaj kohe nga optika e përvojës së krijimtarisë artistike.
Ekspozita e pikturave fillon me një pikturë të Zajmit në qendër të së cilës është një komisar partizan që u flet njerëzve pranë një vatre për ëndrrën komuniste. Pastaj vijon me piktura që ekzaltojnë me radhë luftën nacional-çlirimtare, ndërtimin e socializmit në fshat dhe në qytet, figurat e udhëheqësve, prishjen me Bashkimin Sovjetik, periudhën e zërit të masave që të kujton revolucionin kulturor kinez - për të mbaruar me vitet e fundit të komunizmit ku shohim në një kompozim të Bregut pjesëtarët e një familjeje shqiptare të shikojnë të gjithë në drejtime të ndryshme çka, sipas konceptimit të kuratorit Qendro, simbolizon mbylljen e ciklit, hutimin dhe zhgënjimin përfundimtar të shoqërisë shqiptare.

Pavioni i skulpturës është i ndërtuar në formën e një instalacioni gjigand: skulpturat janë të vendosura në rafte pa synuar të japin individualitetin e njërit apo tjetrit artist përkundrazi për t'i fshehur individualitet artistike dhe për të theksuar ngjashmërinë e këtyre kokave me modelet e parafabrikuara nga propaganda. Ai synon të japë idenë se skulpturat e asaj kohe kanë modeluar tiparet e një njeriu fiktiv, jashtë realitetit - partizanë, punëtorë, ushtarë, kooperativistë ose udhëheqës të karakterizuar nga mungesa e theksuar e vërtetësisë, figura nëpërmjet të cilave soc-realizmi synonte të plazmonte figurën e njeriut të ri që rezultoi një përçudnim i njeriut.
Ekspozitat ngjallën debate të shumta edhe në shtypin shqiptar edhe në rrethe të ndryshme artistësh. Veçse debatet rreth saj, në më të shpeshtën e herëve, evidentuan çoroditjen morale dhe kulturore që po përjeton shoqëria shqiptare, një nga shkaqet e së cilës, mendoj, vjen bash nga çoroditja në përqasjen kulturore ndaj të kaluarës. Ky shkrim është një përpjekje për të analizuar këtë çoroditje kulturore në disa nga aspektet e saj.

Debatet nxorrën në pah përsëri një pikëpyetje të shtruar jo për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit:

A ka pasur realizëm socialist në Shqipëri?

Përgjigja negative ndaj kësaj pyetjeje është sugjeruar pikërisht nga disa korifej të realizmit socialist me synimin për të hedhur tym mbi atë periudhë, për të justifikuar veprat e shumë autorëve e për të thënë se arti dhe letërsia shqiptare nuk i ka respektuar normat e realizmit socialist, i ka thyer ato duke bërë një art të vërtetë, universal që i tejkalon normat e realizmit socialist. Një manipulim i tillë, që fatkeqësisht ka zënë mjaft vend në botën e sotme kulturore shqiptare, është bërë i mundur për arësye se Shqipëria nuk ka mundur të krijojë ende një art dhe kritikë të spikatur post komuniste, sepse shumë nga autorët që vazhdojnë të dominojnë jetën kulturore dhe artistike shqiptare janë po ata që kanë bërë letërsinë dhe artin komunist, madje vazhdojnë të kenë pushtetin kulturor në Shqipëri. Ky manipulim, i mbështetur shumë edhe në suksesin që ka pasur vepra e Kadaresë në Perëndim, është katërcipërisht në kundërshtim me të vërtetën. E vërteta, ashtu siç e tregojnë edhe këto dy ekspozita, është se arti dhe letërsia shqiptare kanë qenë ndër respektuesit më të fortë të normave dhe kanuneve të realizmit socialist ashtu siç i ka shprehur ato Gorki: realiste në formë dhe socialiste në përmbajtje. Çfarë ka qenë realizmi socialist? Në thelb ai ka qenë një instrument i shprehjes së propagandës së partisë, i ideologjisë nacional - komuniste me mjete letrare dhe artistike. Duke patur parasysh se në Shqipëri ka qenë diktatura më e egër, prandaj dhe imponimi e cenzura më e egër, është absurde të thuash, siç pretendojnë disa, se letërsia dhe arti në Shqipëri kanë qenë më pak në shërbim të ideologjisë, më të lira nga cenzura se në vende të tjera lindore, (me përjashim ndoshta të vendeve komuniste aziatike si Kina e Revolucionit Kulturor, apo Vietnami dhe Korea e Veriut). Realizmi socialist i ka shërbyer në Shqipëri, më shumë se kudo tjetër në Lindje, larjes dhe shpëlarjes sistematike të truve të shqiptarëve nëpërmjet krijimit të atij realiteti virtual që shqiptarët duhet të bënin sikur e besonin se ekzistonte, përndryshe quheshin jo normalë dhe futeshin ose në burg ose në çmendinë. Edhe përsa i përket formës, ai ka qenë më i shtërnguari në darën e realistes. Ndërkohë që në vende të tjera të Lindjes eksperimentohej edhe impresionizmi edhe kubizmi edhe ekspresionizmi edhe modernizma të tjera, në pikturën shqiptare vërehej me dyshim edhe ndonjë trill koloristik që i largohej ngjyrës së mishit - kur pikturohej ndonjë portret.
Mirëpo diskutimi i këtyre ekspozitave nxorri në pah, për fat të keq, faktin se shumica e artisëve të realizmit socialist nuk janë të vetëdijshëm për karakterin e veprave të tyre, nuk janë të ndërgjegjshëm për rolin që kanë luajtur ato gjatë periudhës komuniste, nuk ndjehen përgjegjës për atë se, nëse në Shqipëri pati aq shumë njerëz të manipuluar, aq shumë njerëz të çoroditur dhe shpesh të rrezikshëm, për këtë ka ndikuar edhe vepra e tyre si formuese e njeriut të ri me tipare përbindëshi. Ndonjë nga artistët arriti të shprehet në shtyp se ai i ka paraqitur kooperativistët me entuziazëm teksa punonin në fushë sepse ashtu i ka parë vërtet ata. Është për t'u çuditur se si ai nuk ka mundur t'i shohë kooperativistët shqiptarë në mjerimin e pakufi ku i katandisi kooperativizimi, se si punonin 14 orë në fushë vetëm për bukën e gojës - shpesh duke e ngrënë atë vetëm me hirrë - prandaj dhe, me të rënë regjimi, shkatërruan kooperativa, lanë shtëpi dhe shkuan e u bën argatë në dhe të huaj.
A kanë shkuar ndonjëherë vërtet punëtorët për t'i dhënë mendime piktorit për veprën e tij, siç paraqiten ata në veprën e Sali Shijakut Zëri i Masave? Jo, në studion e tij kanë shkuar vetëm cenzorët që kanë parë me dyshim njollat e vajit që vendoste ai mbi telajo. Skënder Kamberi, që tani na thotë se i ka parë kooperativistet të gëzuara në fushë, në fund të viteve 60 bëri një pikturë ku paraqiste një partizan të plagosur në krahët e një shoku partizan. Cenzorët i thanë se është pesimiste. Dhe ai, për të larguar "pesimizmin" nga piktura, u detyrua të vendoste në sfond brigadën partizane me flamur të kuq në ballë, që vinte drejt tyre. Ndërsa kur pikturoi tabllonë "Rrethimi i Krujës dhe Vrana Konti", cenzorët shkuan dhe i shkurtuan mjekrat e figurave që kishte pikturuar. Përgjithësisht, kur përgatitej një ekspozitë, nëpër salla kishte nja dy a tre piktorë të thirrur prej Lidhjes (thuhet se Danish Jukniu i quante ata "ambulanca"), të cilët sorrollateshin me penela në dorë dhe, me porosi të Komisionit, pa i marre leje fare autorit, bile duke i bërë "nder", ndërhynin nëpër tabllo duke venë yje nëpër kapa, duke ngritur ndonjë shtyllë tensioni në sfond, duke rrudhur ndonjë vetull apo çelur ndonjë qiell. Deri këtu ka arritur diktati i partisë në letërsi dhe art.
Për shkak të këtij diktati letërsisë dhe artit shqiptar i mungon krejtësisht përshkrimi realist i dyzetepesë vjetëve jetë nën komunizëm. Në faqet e librave, bobinat e filmave dhe kanavacat e pikturave të asaj kohe mungon krejtësisht lodhja, mundimi, zhgënjimi i njerëzve të asaj epoke. Në drurin e gdhendur e bronxin e shkrirë mungon krejtësisht shtypja e dhunimi që pësonin njerëzit, ankthi dhe frika që i shoqëronte ata. Prandaj, përveç përgjegjësisë për manipulim dhe shpëlarje trushë, krijuesit shqiptarë të asaj kohe i kanë edhe një borxh të madh brezave që do të vijnë sepse në vend se ta pasqyrojnë atë kohë, e kanë fshehur.
Në mënyrë të çuditëshme sot sheh në shtyp akuza se ekspozita i ka fyer autorët. Sikur të kishin mundësi të ngriheshin nga varri mijëra të persekutuarit nëpër kampe, burgje, që tani nuk janë më, të pushkatuarit në emër të ideologjisë që kanë propaganduar këta autorë, të torturuarit nga xhelatët e manipuluar nga kjo propagandë, do të flitej për një fyerje tjetër shumë më të rëndë që ka të bëjë me moskujtesën dhe mosmoralitetin në art.
Mirëpo dikush thotë se jemi ngopur me propagandë antikomuniste. Duhet të shohim vlerat. Dhe, sipas tyre, shumë nga këto vepra kanë vlera estetike.

Atëhere le të diskutojmë për vlera

A ka pasur vlera estetike të ndryshme në atë kohë, a kanë pasur skulpturat dhe pikturat e asaj kohe vlera më të mëdha apo më të vogla plastike, profesionale apo kanë qenë të gjitha njëlloj? Ky ishte një diskutim tjetër që ngritën këto ekspozita. Pa dyshim jo të gjitha kanë pasur të njëjtin profesionalizëm. Bijen në sy pikturat e Sali Shijakut apo të Danish Jukniut për një kolorit më të pasur, për harmoni më të madhe formash, dallohet skulptura e Odhise Paskalit për plastikën e saj edhe në bustin e Enver Hoxhës. (Këtë pikëvështrim, ndryshe nga ekspozita e pikturës, mënyra e ekspozimit të veprave të skulpturës nuk të lejon ta shquash mirë dhe mendoj se sikur veprat e autorëve të mos ishin vendosur të shpërndara andej këndej, por secili autor në raftin e vet, do ta jepnin më mirë këtë dimension, pa e cënuar atmosferën e përgjithshme që përçon ekspozita.) Mirëpo, kur flasim për vlera, mendoj se duhet të reflektojmë pak më gjatë. Pa dyshim partia e njihte forcën e artit në manipulimin e emocioneve të njerëzve dhe pa dyshim ajo ka ditur t'i dallojë artistët më profesionalë nga ata më pak profesionalë - nuk guxoj të them më me vlerë apo më me pak vlerë sepse, sikurse do ta shtjelloj më poshtë, nocioni "vlerë" më duket diçka shumë më komplekse. Partia organizonte konkurse dhe nuk mund të mohoet që në dhënien e çmimeve shpesh nuk ndikonte vetëm tematika, por edhe profesionalizmi. Nuk tingëllonte njëlloj një poemë e Kadaresë që, kur i këndonte partisë, thoshte …që të të shkulin ty parti / duhet të përmbysin / tërë këtë tokë të lashtë e të rëndë / të përmbysin / kështjellat /malet / këngët / të ngrënë nga balta e të rivrasin të rënët… (që fitonte çmim të parë) me një bejte propogandistike të tipit Parti Enver / jemi gati kurdoherë. Por dyshoj shumë nëse këto vargje duhet t'i quajmë me vlerë apo jo. Më së shumti mendoj se kemi të bëjmë me një potencial të kthyer në antivlerë, me një shpërdorim të talentit, për të mos thënë me një korruptim të tij. Pra, problemi nëse ato piktura apo skulptura kanë patur apo nuk kanë patur vlera është shumë më kompleks sesa të thuash se ka pasur piktorë që kanë ditur ta venë më mirë apo më keq ngjyrën. Çështja është se kjo krijimtari krijoi një sistem vlerash "specifike", të papërputhshme me sistemin e vlerave universale ose, e thënë ndryshe, e ktheu mjedisin e prodhimit artistik në një maqineri propagandistike duke tjetërsuar vetë natyrën e krijimtarisë e të artit. Dikush sjell argumentin që edhe piktura bizantine ka qnë në funksion të një ideologjie, por megjithatë, ne sot e pëlqejmë atë për vlerat estetike. Para të gjithash duhet të kemi parasysh se arti bizantin ishte një udhekalim i modernitetit në pikëpamje të formës, se kanunet e asaj pikture ishin një novacion në funksion të përcjelljes së frymës së shenjtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për revolucionin që bënë rilindasit në drejtim të modernitetit, (futja e perspektivës dhe dritë-hijes në hapësirën dydimensionale) paçka se veprat e tyre mbaheshin edhe ato mbi ca kanune të mirëpërcaktuara. Këto periudha qëndrojnë si hallka të një zinxhiri në historinë e risive artistike. E njejta gjë mund të thuhet edhe për ca artistë sovietikë në fazën e parakanunizimit të soc-realizmit, të cilët i dhanë udhë ca frymëzimeve vërtet novatore. Por dihet fati i tyre në BS pas kanunizmit të socrealizmit të cilin e morëm të gatshm ne. Gjjithashtu, le të mos harrojmë thënien e Biblës se "ka shpresa të vërteta dhe shpresa të rreme". Fryma e kristianizmit, megjithë kufizimet e veta, madje edhe aspektin e saj totalitar, ishte ajo e dashurisë së njeriut për njeriun. Prandaj dhe i ka rezistuar shekujve. Pra çështja është edhe se çfarë fryme përcjellin këto vepra, çfarë u thonë sot të rinjve pikturat, librat, filmat e socrealizmit? Asgjë tjetër përveç dogmave të një sistemi absurd, kriminal. Ç'rëndësi ka nëse raportet koloristike, fjalitë apo rolet janë te realizuara me mjeshtëri, kur kjo mjeshtëri shërben për të plazmuar një subjekt të propagandës nacional-komuniste të shtetit totalitar që shtyp lirinë dhe krijimtarinë e vërtetë? Kjo të çon edhe më tej tek një çështje kardinale: nëse ka apo nuk ka moralitet në art, nëse është moraliteti pjesë e vlerës apo jo. Këtu mendimet mund të ndahen. Ka teoricienë që thonë se vlera estetike qëndron jashtë dhe pavarësisht nga përmbajtja ideore e veprës. Por, veçanërisht në shekullin e njëzetë, sundon shumë më fort ideja se shkrimtari apo artisti nuk mund të qëndrojë jashtë problemeve akute të shoqërisë, se ai madje është ndërgjegja më e lartë e shoqërisë. Tomas Mani, pas eksperiencës naziste, dënon qëndrimet apolitike që ai vetë ka pasur gjatë kohës paranaziste. Le më pastaj të flasësh për një letërsi e art që i shërben diktaturës. (Jo më kot edhe Kadareja, idhulli i atyre që thonë se vlerat estetike qëndrojnë mbi përmbajtjen, i ka ripunuar thellësisht veprat e tij në botimet e periudhës postkomuniste për t'u hequr përmbajtjen komuniste.)
Gjithashtu, në diskutimin rreth vlerave, le të mos harrojmë se arti shqiptar, nën diktatin e realizmit në formë dhe socializmit në përmbajtje, nuk njohu, për dyzetepesë vjet, zhvillimet e artit të shekullin të njëzetë. Asnjë izëm tjetër përveç realizmit nuk lejohej të njihej, pale të eksperimentohej në Shqipëri. Veprat e impresionizmit, kubizmit, ekspresionizmit, abstraksionizmit, futurizmit, konstruktivizmit, dadaizmit, surrealizmit, në gjysmën e dytë të shekullit, që ne e jetuam vetëm nën vulën e real-socializmit, kishin hyrë tashmë në fondin e klasikëve të shekullit duke ua lanë rradhën përvojave të tjera krijuese si ato të konceptualistëve, postmodernistëve etj. Kurse në Shqipërinë real-socialiste nuk njiheshin fare qoftë si forma të reja krijimi, qoftë si filozofi e re krijimi - përveçse kur denigroheshin në ndonjë libër duke u interpretuar si shenja të degjenerimit të shoqërive që i kishin pjellë. Historia e pikturës në Akademinë e Arteve mbaronte me Kurbenë që daton fundin e shekullit XIX. Në fillim të viteve shtatëdhjetë sugjerimi i një kritiku se në funksion të idesë (gjithmonë socialiste) mund të përdoreshin edhe format e kubizmit, u dënua rëndë në kuadrin e dënimit të liberalizmit. Piktorët që kishin tentuar të dilnin sado pak në ndonjë trajtë që të kujtonte ekspresionizmin, fovizmin apo kubizmin u çuan nëpër riedukime dhe burgje. Prandaj, duke patur parasysh edhe këtë vonesë skandaloze që arti shqiptar po e vuan akoma, fjala "vlerë" bëhet akoma më shumë problematike.
Duke folur për vlera, mendoj se socrealizmit shqiptar më shumë se çdo vendi tjetër lindor, i shkon thënia e Hemingueit "Letërsia në fashizëm është e dënuar me shterpësi."

Problemi i qasjes ndaj të kaluarës ose katarsisi

Në qasjen kulturore ndaj të kaluarës është pikërisht shterpësia për të cilën flet Heminguei ajo që njëkohësisht po e vuajmë aq shumë dhe po e kuptojmë aq pak. Problemi më i madh që na la kulturalisht realizmi socialist dhe në përgjithësi ideologjia nacional-komuniste është se mendja krijuese, dhe më në përgjithësi aftësia gjykuese e njeriut shqiptar, u formua sipas një metode shumë të ngjashme me metodën e preferuar të metafizikës së manastireve dhe të universiteteve skolastike mesjetare. Metoda skolastike praktikoi mbylljen e syve, dyllosjen e veshëve, dhe injorimin e botës reale pasi njerëzit qenë të bindur se burimi i të gjitha njohurive i ishte dhënë njeriut njëherë e përgjithmonë nga hyjnia. Në rastin tonë këto njohuri dhe vështrime të botës na i kishte dhënë njëherë e përgjithmonë ideologjia e partisë. Pikërisht kjo mbyllje sysh, dyllosje veshësh dhe injorim i botës reale ka bërë që kultura soc-realiste, e mbështetur në shabllonet dhe të vërtetat e dhëna nga ideologjia, ta pengojë njeriun shqiptarë të zhvillojë dyshimin në të vërtetat që i thuheshin në emër të autoritetit, të kthejë vështrimin nga bota reale brenda dhe jashtë vetvetes, të zhvillojë vëzhgimin dhe introspeksionin, të mendojë e krijojë sipas mendjes së vet, e dijen ta shfrytëzojë për të shprehur me vërtetësi dhe origjinalitet përjetimet dhe emocionet e veta. Pra, fundja më në fund, të krijojë personalitetin e tij.
Gjatë këtyre tetë vjetëve tranzicion Shqipëria ka ofruar tema, drama, ngjarje që do t'i kishin zili krijuesit e të gjithë botës. Por letërsia dhe arti shqiptar pak i ka kaluar ato nëpër filtrin krijues e në më të shpeshtën e rasteve, kur e ka bërë këtë, nuk ka ngjallur emocione të forta tek shoqëria. Në më të shpeshtën e herëve krijuesi post-komunist ka preferuar të arratiset në imitimet e atyre eksperimenteve evropiane që nuk kishte mundur t'i realizonte gjatë kohës komuniste dhe ka kërkuar më shumë suksesin jashtë shtetit sesa komunikimin me komunitetin e tij, shërbimin ndaj shoqërisë. Një nga arësyet pse ka ndodhur ky fenomen, që tregon superficialitet dhe që është shumë larg konceptit të kulturës së vërtetë, është pikërisht fakti se kultura që i parapriu kësaj të sotmes nuk ishte në gjendje të pillte kulturë. Është mungesa e frymëzimit tek ajo kulturë, mungesa e komunikimit të vërtetë me shoqërinë. Është shterpësia për të cilën flet Heminguei.
Një nga arritjet e rëndësishme të kulturës shqiptare postkomuniste mendoj se do të duhej të kishte qenë kryerja e katarsisit për atë që ndodhi në komunizëm. Para disa vjetësh, në krye të rënies së komunizmit, qasja ndaj të kaluarës, në funksion të katarsisit, u duk diçka më e mundëshme. Më kujtohet një debat midis Dritëro Agollit dhe Sabri Godos që shpërtheu në shtypin shqiptar në fillim të vitit 1991. Godo i thoshte Agollit se 40 vjet krijimtari real-socialiste nuk mund të kompensoheshin me një artikull dhe një intervistë, prandaj i rekomandonte një periudhë pauze. Agolli në përgjigjen që i jepte bënte apologjinë e vetvetes mbi bazën e idesë se jemi të gjithë bashkëfajtorë "Madje edhe ata që më vonë patën fatkeqësinë të bien në burg - i thoshte ai - më parë i kanë thurur hymne regjimit" dhe pastaj i përmendte Godos reportazhet "e spërkatur me ujë të trëndafiltë socialist".
Ky ishte vetëm fillimi i një debati që po të ngrihej përmbi luftrat personale, atyre për pushtet dhe interesave të tjera meskine, do të ndihmonte katarsisin e shoqërisë shqiptare. Mirëpo ndodhi e kundërta. Debati nisi mbi baza denigrimi dhe eliminimi. E kaluara, në vend që të studiohej për të njohur më mirë se nga vinim dhe ku shkonim, u përdor si mjet lufte banale për pushtet. Njerëzit kërkuan ta fshehin e manipulojnë atë, shpesh duke përdorur të drejtën e gjithsejcilit për t'u rinovuar ose duke ia veshur gjthshka Enver Hoxhës ose duke e varrosur në bodrume, pa kuptuar se kështu nuk do të çliroheshin prej saj, se kështu ajo do të vazhdonte t'i ndiqte e tebtilosur. Tebtilosje ishte edhe vetë kyçja në bodrum e këtyre veprave: frikë nga konfrontimi me vetveten, frikë e cila u shit banalisht si antikomunizem? Shumëkush mund të thotë se e kaluara u harrua për shkak të bëmave të tjera që ndodhën në vendin tonë, por në fakt ajo nuk u harrua, ajo u përsërit në një formë tjetër pikërisht sepse u harrua.
Komunikimin midis shqiptarëve sot e karakterizon mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, oportunizmi, thënia e të vërtetave mbas shpinës. Kjo është pjesë e kulturës së djeshme që nuk po e ndryshon dot kultura e sotme. Madje, sot, pas tetë vjetësh, ne po jemi edhe më të çoroditur në qasjen ndaj të kaluarës. Të gjithë e dimë se nëse në fillim dikush edhe besonte në atë lloj arti, pastaj ai iu bë mënyrë jetese, mënyrë e ushqimit të familjes. Të gjithë e dimë se si grindeshin dhe urreheshin shumica e shkrimtarëve dhe artistëve tanë për shkak të një çmimi apo medaljeje, se si shtyheshin për t'i dhënë dorën udhëheqësve që vinin në inaugurim, se si bënin festë kur Enver Hoxha u dërgonte ndonjë fjalë urimi, se si shpesh shtypnin me cinizëm, qysh në sprovat e para, më të rinjtë, se si promovonin të rinj që s'kishin asnjë grimcë talent, se si e dinin komunizmin të përjetshem dhe prandaj u rrazbitën që të shkriheshin me të. Por bëjmë sikur nuk i dimë këto gjëra. Madje flasim për personalitete të larta dhe të shquara. Problemi nuk është t'u kujtosh edhe një herë Agollit dhe Godos të kaluarën dhe t'i denigrosh. Problemi nuk është as t'u kujtosh të shkuarën disave për t'u mbyllur gojën. Me qasje ndaj të shkuarës kuptoj mbi të gjitha krijimin e një distance të kthjellët dhe analitike ndaj saj, qartësimin e raportit të shoqërisë shqiptare me atë të shkuar, krijimin e një raporti që e bën atë ta shohësh njëherësh si diçka e jona dhe diçka tjetër nga çka jemi ne sot. Problemi i artistëve që kanë krijuar veprat e ekspozuara në Galeri është problemi i të gjithë shqiptarëve të asaj kohe; ata nuk kanë qenë të lirë, ata kanë qenë të detyruar të shpreheshin sipas shabloneve dhe normave të cenzorit dhe manipuluesit të madh dhe njëherësh kanë qenë instrumeni i këtij manipulatori. Puna është që ne duhet të kemi kurajon dhe guximin ta njohim këtë realitet, të njohim përgjegjësitë për të. Vetëm atëhere do ta kemi kryer katarsisin. Nëse vetë brezi ynë nuk ka guximin e duhur për ta bërë këtë gjer në fund, të paktën duhet të shërbejmë si urë për brezin e ri, të krijojmë klimën për këtë katarsis. Le ta bëjë ai të plotë këtë, çka është e domosdoshme për çlirimin e shoqërisë shqiptare nga kultura e hipokrizisë, mosbesimit dhe moskomunikimit. Kështu ka ndodhur me brezin e dytë të gjermanëve, aq as sot në Gjermani ka një Habermas, më i madhi filozof i tyre, i cili pati kurajon në fillim të viteve '80 të luftojë me historianët gjermanë në emër të idesë se ajo që kreu vendi i tij gjatë Luftës së Dytë nuk ishte një ndër tmerret e shumta që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit, (çka mund t'ua lehtësonte ndërgjegjen shumë gjermanëve), por një tmerr pa precedent.
Fatkeqësia është se ne nuk po bëhemi urë, por barrierë dhe brezi i ri është krejtësisht i disinformuar, i ç'interesuar, i manipuluar. Nga gjithë çka shoh në shtyp dhe nga reagimet e të rinjve ndaj asaj të kaluare, shoh një çoroditje tronditëse. S'ka se si të ndodhë ndryshe kur sheh se anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve në vend se të kërkojnë ndjesë kërkojnë pjesë, në emër të shërbimeve të mëdha që gjoja i paskan bërë vendit, kur sheh se Presidenti nderon me tituj pa fund autorë vepra e të cilëve jo vetëm nuk duhej nderuar, por dënuar, kur sheh se këta në vend se të jenë të ndërgjegjshëm për veprën e tyre tundin në faqet e shtypit dhe ekranet e televizorit disa çertifikata njerëzish të shquar botërorë, për të cilat brezi i ri e ka vështirë të mësojë se janë paguar me dollarë, se janë piramidat e fundit mashtruese që funksionojnë në Shqipëri. Problemi është se kështu e shkuara e harruar kthehet përsëri për t'u rimishëruar tek vetë brezi i ri. Madje ajo është kthyer sepse, në thelb, ajo çka ndodhi dje dhe ajo çka po ndodh sot, si një nga problemet më shqetësuese të rinisë së sotme, nuk është tjetër veçse variacion mbi temën e mungesës së moralitetit dhe idealit në një shoqëri.
Dy ekspozitat na ndihmuan ta hapim këtë debat që mendoj se është e nevojëshme të vazhdohet përmbi nivelet e denigrimeve dhe mllefeve meskine, prandaj organizatorët e saj duhen falenderuar.
(Shekulli, 25 korrik, 1999)