Thursday, April 28, 2016

Shullazi, të pasurit tanë dhe shteti

Pas arrestimit të Shullazit, dy kanë qenë titujt e medieve, që më kanë tërhequr më shumë vëmendjen. Njëri ishte ai që sillte lajmim se Shullazi deklaroi përpara gjykatës se është i papunë dhe se ka tetë klasë shkollë; tjetri që biznesmenët që kanë pësuar raketingun e Shullazit nuk kanë pranuar të paraqiten në Prokurori, madje e kanë mohuar se i kanë paguar të holla Shullazit.
Këto dy lajme meritojnë shumë komente, por dua të tërheq vëmendjen te një problem themelor mbi të cilin hedhin dritë këta dy tituj, duke i lidhur me njëri-tjetrin. I pari ngre pyetjen: Si ka mundësi që një njeri që rezulton i papunë, pa profesion – sepse me shkollim minimal – ka miliona të deklaruara dhe shteti nuk di asgjë se si e ku kullot ky qytetar i tij, që për më tepër rezulton i shënjuar nga policia si kontingjent krimi? Ku është shteti?

Lajmi i dytë ndihmon t’i japim përgjigje pyetjes se ku është shteti. Ai flet jo vetëm për dobësinë e shtetit, deri në mosekzistencë, por edhe për një nga arsyet themelore të kësaj mosekzistence. Sepse kur ngrihet pyetja se çfarë është shteti, nuk mund të mos dalësh te çështja se si mbahet shteti në këmbë që të ekzistojë. D.m.th., midis të tjerash, edhe te çështja se kush i mban policinë, prokurorinë, gjykatat që janë organet kryesore që i mbrojnë qytetarët nga krimi (pa harruar më anë tjetër shkollat dhe tërë ato institucione që kontribuojnë për edukimin dhe rritjen morale kulturore të qytetarëve – kjo edhe si parandalim i krimit). Përgjigjja është shumë e thjeshtë: një shtet që funksionon sipas parimeve të shtetit modern kapitalist mbahet në këmbë nga kontributi që derdhin qytetarët e tij për të. Dhe në këtë pikë të arsyetimit duhet të kujtojmë se kontribuuesit e parë kryesorë janë ata që fitojnë më shumë: të pasurit. D.m.th., kategoria e të kërcënuarve në fjalë.

E pra, pyetja shtrohet: Sa të pasur kemi ne në këtë të ashtuquajturin shtet, që kanë vetëdijen se shteti janë ata ngase pa paratë e tyre nuk mund të funksionojë mirë as policia e as prokuroria e gjykatat që duhet t’i mbrojë nga krimi? Sa të pasur kujdesen për mirëmenaxhimin e parave që ata derdhin, nëpërmjet taksave për shtetin në mënyrë që të zgjidhen politikanët më të mirë, policët, prokurorët e gjyqtarët më të mirë, më të përgjegjshëm? Sa janë ata që kërkojnë llogari për keqmenaxhimin e kësaj paraje kur shohin të ndodhin ngjarje si kjo me Shullazin? Shumëkush, duke lexuar këto pyetje do të më përqeshë si naiv e do të thotë: Ti e di shumë mirë përgjigjen: zero! Por edhe kjo përqeshje është pjesë e problemit, sepse tregon se ne jemi mësuar me një situatë anormale, me një sistem politikoekonomik, me mosekzistencën e shtetit tonë në kuptimin e atij shteti që i shërben qytetarit dhe mbron qytetarin. Mirëpo unë u them se ngjarje të tilla hedhin dritë në formën më tragjike mbi shkallën e kësaj mosekzistence dhe bëjnë thirrje ulëritëse për ndryshim, pasi tregojnë se vjen një moment kur sistemi i ngritur keq kthehet e godet deri edhe arkitektët e tij. Sepse ngulmoj se të pasurit tanë janë arkitektët kryesorë të kësaj gjendjeje, si anë tjetër e medaljes së politikanëve që i akuzojmë aq shumë – edhe pse tashmë gjithnjë e më shumë të parët dhe të dytët i sheh nën të njëjtin kostum dhe jo rastësisht. 

Zgjedhja e pagesës në vend të denoncimit, frika që kanë sot të pasurit tanë për të dëshmuar vjen ngase pasurimi i tyre nuk ka shkuar krahas forcimit të shtetit dhe forcimit të të gjithë shoqërisë. E kundërta ka ndodhur: ata së bashku me politikanët kanë ngritur një sistem pasurimi në kurriz të mbajtjes dobët të shtetit dhe varfërimit të qytetarëve të tjerë. Në fakt, ky i ashtuquajturi shtet i yni nuk është gjë tjetër veçse një aleancë mafioze e shumicës së të pasurve tanë me politikanët tanë për të grabitur pjesën tjetër të qytetarëve. Rëndom, të pasurit tanë, në vend se të paguajnë taksa me të cilat të ndërtohet shteti, nxitojnë të paguajnë nën dorë, në mënyrë të paligjshme politikanë, për të rritur përfitimet e tyre. Rëndom shtetarët tanë, në vend se të mbledhin taksat e t’i përdorin ato për punë publike, u kërkojnë të pasurve tanë t’u bëjnë ndonjë punë publike gratis, d.m.th., në mënyrë të paligjshme, sa për t’u hedhur hi syve qytetarëve, e pastaj ua shpërblejnë dhjetëfish me tenderë e më the të thashë po me paratë e grabitura këtyre qytetarëve. Edhe paratë që i kanë dhënë Shullazit të pasurit tanë nuk i kanë problem se i nxjerrin nesër përsëri nëpërmjet këtij sistemi. Në këtë kuptim, edhe pse nuk janë vrasës (ndonëse ka edhe shumë prej tyre që për t’u pasuruar kanë aplikuar edhe këtë profesion), ata nuk janë të ndryshëm nga Shullazi. Të dyja palët janë kundër shtetit. Përfundimi është i qartë, më duket: Për të dalë nga kjo gjendje e mosekzistencës së shtetit si shërbim për shkak të shtetit që funksionon si vegël e këtyre të pasurve, Shqipëria ka nevojë jo vetëm për një tjetër elitë politike, por edhe për një tjetër elitë ekonomike. (Panorama, 27 prill 2016)

Thursday, April 21, 2016

Shullazi - grupe kriminale dhe organizata kriminale

Numri i ngjarjeve të kronikës së zezë që flasin për të vrarë, të plagosur, shpërthime e djegie makinash, vetëgjyqësi, kërcënime, larje hesapesh nuk po njeh pakësim. Së fundi këto ngjarje i kanë zënë vendin kryesor edhe kronikës politike. Arrestimi i Shullazit dhe çka po dëgjojmë e lexojmë për veprimtarin e tij errësuan edhe vizitën e Kryeministrit në SHBA. Ç'bëhet kështu? - pyesin njerëzit. Paradoksalisht, ata, janë tejet të interesuar por edhe i qëndrojnë larg kronikës së zezë. Ajo që e shpjegon paradoksin është frika e strucit. Më një anë njerëzit kërkojnë të bindin veten se këto fenomene zhvillohen në nëntokën e një bote që nuk u përket atyre, më anë tjetër e ndjejnë se ndarja  e këtyre dy botëve është iluzion dhe i kaplon frika se mos një ditë u troket krimi në derë. Në fakt, kur arrin puna të kërcënohen me vrasje të fëmijëve edhe kandidatët për rektor të Universitetit mund të thuhet se krimi i ka trokitur në derë kujtdo dhe, të bësh si struci, do të thotë t'i hapësh derën e ta futësh atë në shtëpi. 

Grupet kriminale dhe organizatat kriminale

Një ish shef policie duke folur në emisionin Opinion për rastin Shullazi tha se ai ka ngritur një "grup të strukturuar kriminal" duke e quajtur këtë një krim të rëndë, por gjithsesi të një niveli më të ulët sesa krijimi i një "organizate kriminale". Ndërkaq, gazetari investigativ Artan Hoxha, i pyetur se si e shpjegonte ai që njerëz si Shullazi paskan interes se cili do të vihet rektor, u përgjigj, duke përmendur Savianon, se Camorra në Itali, për të kontrolluar përfitimet e parave publike, ka infiltruar njerëzit e vet edhe në sektorë të tillë si arsimi apo shëndetësia.
Mirëpo, sikur ta marrim të mirëqenë shpjegimin e gazetarit Hoxha, atëherë i bije që Shullazi të ketë krijuar një organizatë kriminale, sepse e tillë është Camorra. Gjykoj se ish shefi i policisë është më pranë të vërtetës: Shullazi mbetet në nivelin e një grupi të strukturuar kriminal. Por kujdes: le t'i shkojmë deri në fund kërcënimit ndaj kandidatit për rektor - siç duhet t'i shkojë Prokuroria. Nuk ka dyshim se kërcënimi është bërë për t'i hapur rrugë një kandidati tjetër dhe se, dikush tjetër, i afërt me rrethin që kërkon të verë këtë kandidat, ka gjetur Shullazin (apo qoftë edhe ndonjë tjetër) për ta kërcënuar me jetën e fëmijëve. Ama nuk është Shullazi, por  janë këta të tjerët që kërkojnë të fitojë kandidati i tyre në mënyrë që të shtinë në dorë përfitimet e parasë publike. Me fjalë të tjera janë këta, pa dyshim  njerëz të politikës, organizata e vërtetë kriminale, Camorra shqiptare.
Historia e këtyre 25 vjetëve tregon se emra si Shullazi janë bërë kaq të frikshëm vetëm kur kanë bashkëpunuar me partitë politike duke u ofruar atyre dy gjëra që u duhen: dhunën për të frikësuar kundërshtarët dhe paranë. Në shkëmbim organizatat e mëdha i kanë lënë të zhvillojnë aktivitetin e tyre derisa ka ardhur një moment kur personat apo grupi në fjalë janë bërë të pambrojtshëm edhe nga vetë organizata. Raste të tilla kemi pasur edhe më parë: mjaft të kesh parasysh rastin e Zani Çaushit që më së fundi përfundoi në burg, apo rastin e Haklajve apo Mulosmanit në Tropojë. Duket se edhe Shullazi po hyn në këtë kategori, por burgosja e njerëzve të tillë nuk e zgjidh aspak problemin, ashtu sikurse nuk e ka zgjidhur as burgosja e Zanit me shokë. Sepse vatrat e krimit janë organizatat e mëdha kriminale që janë bërë gjithnjë e më të fuqishme edhe në sajë të përdorimit të grupeve të strukturuara kriminale. Treguesi më i qartë i kësaj është edhe hyrja e kriminelëve të akuzuar për vrasje dhe trafiqe e krime të tjera në Parlament, gjë kjo e paimagjinueshme në vitet '90. Po ashtu, nëse Shullazi është pasuruar nëpërmjet raketingut ndaj privatëve  krimi më i madh në vendvazdhon të mbetet "raketingu" shtetëror, grabitja nga politikanët e pronës publike për t'u ndarë me klientelën, grabitja e parasë publike nëpërmjet tenderave, grabitja e resurseve të vendit nëpërmjet koncesioneve, apo mbledhja me policë e taksidarë nëpërmjet gjobave marramendëse e kursimeve të fundit që u kanë mbetur njerëzve. Nëse për të shpëtuar nga Shullazi paska ikur jashtë shteti një apo disa biznesmenë, mos harroni se për të shpëtuar nga raketingu i organizatës së madhe po ikin përditë me qindra shqiptarë.
Po këta nuk vrasin si Shullazi - të thonë disa.  Po tua lypë nevoja edhe këtë e bëjnë, se prandaj i mbajnë afër Shullazët, por kanë vrarë megjithatë diçka edhe më të madhe: shpresën e njerëzve se mund të jetojnë me dinjitetin e punës së tyre të ndershme, se mund të shpëtojnë nga sistemi i grabitjes dhe poshtërimit që kanë ngritur.

Opozita dhe krimi

Këtë që shkrova më sipër për lidhjen e politikës me krimin nuk e them vetëm unë. E thotë edhe opozita. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi dëgjuar dhe lexuar vazhdimisht nga ana e opozitës akuzat  se Edi Rama e ka mbushur Parlamentin, administratën, pushtetin lokal me kriminelë, dhe në rastin konkret, se Shullazi ka lidhje me Ministrin e Brendshëm Tahiri, se policia e tij i ka lehtësuar aktivitetin, e ka lënë të udhëtojë me makinë të blinduar, etj. si këto. Meqenëse një pjesë e këtyre akuzave rezultojnë të vërteta gjëja e parë që dëgjon të thonë ca njerëz është: shyqyr të paktën që është opozita, që është Berisha, që guxojnë t'i thotë disa të vërteta se përndryshe do të jetonim në një terror edhe më të madh nga këta njerëz. Fakti është se edhe rasti Shullazi u mor seriozisht pas denoncimit të Sali Berishës për kërcënimin e kandidatit për rektor. Megjithatë, në kontekstin për të cilin po flas, kjo "shyqyr që është opozita" ka anën e vet tejet të errët e dëshpëruese. E kam thënë edhe vetë shpesh në formë gjysmë ironike me fjalët: "më mirë dy banda sesa një bandë".  Pse e them këtë? Sepse dje rolin denoncues të lidhjes së shullazëve me politikën e luante opozita që sot është në maxhorancë dhe, megjithatë, gjendja nuk ka ndryshuar me ardhjen e saj në pushtet, përkundrazi, - ashtu sikurse nuk ndryshoi edhe pardje kur opozita e sotme merrte pushtetin. Është kollaj të thuash sot në opozitë se Edi Rama na e mori pushtetin duke bashkëpunuar me kriminelët, por edhe ai më naivi ka të drejtë të ngrejë pyetjen: po mirë more zotërinj, a nuk erdhët ju në pushtet me premtimin për të luftuar krimin dhe baronët e drogës? Si ka mundësi që në këta tetë vjet në vend se të dobësoheshin këta qenkan fuqizuar aq shumë sa arritën t'ju marrin edhe pushtetin ndonëse ju kishit me vete Policinë, Prokurorinë, SHIK-un?
Nuk ka përgjigje tjetër përveç asaj se krimi në formën e grupeve të strukturuara kriminale ka qenë i lidhur edhe me "organizatën" tjetër të madhe prandaj, në vend se të luftohet ai ka bashkëpunuar e është rritur bashkë me të. Vetë fakti që Shullazi dhe grupi i tij në vitin 2011 kërcënonte kandidatët socialistë dhe në vitin 2013 militonte në krah të socialistëve është prova më e mirë e kësaj.

Ç'duhet bërë në këto kushte

Përballë kësaj vërejtjeje dikush nga opozita më ka thënë: po, por Edi Rama ka thyer çdo rekord.
Nuk dua të justifikoj në asnjë mënyrë Edi Ramën, përkundrazi. Madje mund të them se është deri diku e vërtetë ajo që thonë mbështetës të Berishës se ai i përdorte kriminelët, por  nuk ulej në tryeza të hante pinte me ta kurse Rama, i ul në tryezë i bën miq e shokë. Megjithatë nuk besoj se arritja e këtij rekordi i dedikohet thjesht karakterit të Ramës, paçka se përgjegjësitë e tij për thellimin e lidhjeve të PS me krimin janë të pafalshme. Ta reduktosh tek përgjegjësia e një njeriu, qoftë ky Rama apo Berisha apo Meta, lidhjen e politikës me krimin do të thotë të mos kërkosh ta zgjidhësh problemin, por ta manipulosh atë.
Nëse duam të analizojmë shkaqet pse krimi na ka hyrë në shtëpi me qëllimin e sinqertë për ta luftuar atë, duhet të kemi parasysh se faktori kryesor është ekonomia kriminale që kemi zhvilluar, që ka zhvilluar, si anë tjetër të medaljes, politikën kriminale. Sepse, për të mbrojtur dhe zhvilluar ekonominë e vet krimi ka kapur institucionet nëpërmjet kapjes së partive dhe vice - versa partitë në luftën për pushtet gjithnjë e më shumë i janë afruar krimit dhe kriminelëve duke degjeneruar në banda në luftë me njëra tjetrën për kontroll pushteti dhe territori. Madje, edhe fakti që shohim Berishën të guxojë të denoncojë Shullazin ndërkohë që institucionet shtetërorre, shoqëria civile e mediet nuk guxojnë ta bëjnë këtë të parat, është në koherencë me logjikën e luftës së bandave, (në thelb e njëjta logjikë me të cilën funksionon edhe Shullazi): tek Berisha shkojnë e ankohen si një i fortë për të kërkuar mbrojtje nga të fortët e tjerë ndërkohë që normalisht njerëzit duhet të shkonin të ankoheshin në organet e shtetit.
Ajo që po ndodh sot, degjenerim i dukshëm i këtij fenomeni deri në krcënimin e kandidatit për rektor për mua shpjegohet kryesisht me faktin se sot po përjetojmë një varfërim të skajshëm ekonomik dhe moral. Ekonomik jo vetëm për shkak të pakësimit dramatik të të ardhurave të emigrantëve dhe të mbarimit të industrisë së ndërtimit që kryesisht është mbajtur me paratë e tyre dhe të drogës, por edhe sepse një ekonomi kriminale ka për natyrë të vet grabitjen jo prodhimin, e në mbarim të këtyre burimeve organizatat kriminale dhe grupet e strukturuara të krimit në shërbim të tyre kanë hedhur vështrimin tek paratë publike. Morale sepse një ekonomi kriminale rrënon e korrupton atë që është kapitali më i çmuar i një shoqërie, ai njerëzor.
Pyetja "ç'duhet bërë për të dalë nga kjo gjendje?" sot ngrihet në formën më dramatike se kurrë. Nuk është e lehtë të gjesh kurën e një sëmundjeje kaq galopante dhe virulent, por edhe nuk dua ta mbyll këtë shkrim pa dhënë së paku një sugjerim. Që shullazët të mos na dalin përpara për të na kërcënuar me vrasjen e fëmijëve, apo se do t'u qajmë në dorë po nuk bëmë siç duan ata apo shefat e tyre  duhet që njerëzit që fshehin kokën si struci, duke menduar se janë në punën e vet, ta ngrenë atë. Veçanërisht kjo vlen më së shumti për ata qytetarë, intelektualë, gazetarë, specialistë  që kanë gjetur rehat duke mbështetur, me kokë ulur, njërën apo tjetrën parti, pa dashur të shohin se këto parti kanë rënë në duar njerëzish që i bëjnë të funksionojnë si organizata kriminale. (Panorama, 21 prill 2016)

Tuesday, April 12, 2016

Sheshi Skënderbej - aventurizmi i radhës


Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale më tërhoqi vëmendjen posteri elektoral me të cilin u paraqit Erjon Veliaj. Krahas fytyrës së tij rinore dhe sfondit mavi atje paraqitej me vizë të bardhë edhe një sky-line i pamjes veriore të qendrës së kryeqytetit. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte fakti se në këtë sky - line qenë skicuar vetëm konturet e disa ndërtesave që Tirana i ka pasur që në kohën komuniste e më parë, dmth xhamia me minaren, kulla e sahatit, pallati i kulturës, Hotel Tirana, por mungonin ndërtesa të tilla si grataçiela afër ish selisë së PD apo Torre Drini si dhe ca pallate të tmerrshme prapa Pallatit të Kulturës që në fakt sot e mbizotërojnë këtë sky-line.

Pse më bërë përshtypje kjo? Sepse, sipas meje, po t'i vlerësonte, krijuesi i posterit duhet t'i kishte futur edhe ato. Por pse nuk i ka futur? Sepse edhe ai edhe porositësi, janë të vetëdijshëm se ajo që i është bërë qendrës me këto ndërtesa nuk është ndonjë bukuri që duhet evidentuar, përkundrazi.

E bëra këtë hyrje sepse tani po na propozohet të diskutojmë një projekt i ri të ndryshimit të qendrës, duke na ftuar të japim edhe mendimet tona si qytetarë. Në këtë kontekst, personalisht, e para gjë që më vjen të them është paralajmërimi se meqenëse, siç e tregon edhe posteri i Veliajt, ndryshimet e bëra deri tani kanë rezultuar shëmtime, duhet të tregohemi më të përgjegjshëm në aventurat e reja.  Sot ka një konsensus në njerëzit me shije se Sheshi ka qenë shumë më i bukur në projektin italian, pastaj, me ndërhyrjet e regjimit u shëmtua, por gjithsesi mbeti më funksional dhe shumë më tepër i qytetarëve, kurse goditjet rrënuese i mori më pas, me  ndërhyrjen e parë të Ramës që lulishtes prapa Skënderbeut i prishi disenjimin italian, i preu pishat historike, duke e transformuar nga një vend plot kujtime e ku mund të ulej e qëndrohej në një govatë sterile bari që vazhdoi pastaj me shtesën e govatës bythëpërpjetë të Bashës që e vuri këtë hapësirë në funknsion vetëm të kalit të Skënderbeut që nuk ha as bar.

***

Por le të kalojmë tek projekti që na është paraqitur. E para gjë që më erdhi në mendje kur e pashë projektin, ashtu siç e kanë paraqitur mediet, qe një ndjenjë çlirimit sepse nuk pashë disa pallate të larta të projekteve paraardhës të Ramës. E kam fjalën për një pallat midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, një të dytë përpara Hotel Tiranës, një të tretë midis Hotel Tiranës dhe Muzeut Kombëtar, një të katërt që i hynte në mes si penis Muzeut Kombëtar  të cilët kanë qenë o në planin Francez o në atë Belg dhe që – le të mos harrojmë – na janë paraqitur si mrekullira të urbanistikës e arkitekturës. Në vendet e tyre projekti aktual kishte pemë. Etika e komunikimit ta do që Kryeministri të na thotë pse ka ndryshuar mendim ai apo ekspertët e tij. Kjo edhe që të besojmë se s’do ta ndryshojë nesër. Mirëpo asgjë e tillë nuk ndodhi. Fatkeqësisht  as gazetarët nuk ia kërkuan psenë. Prandaj edhe këtë “çlirim” timin them se duhet ta marrim me rezervë pasi kemi të bëjmë me njerëz që ta shesin pa të keq betonin për bar, dhe pallatet për pemë.

Së dyti, duhet thënë se ideja e një zone pedonale të Tiranës është e mirëpritur, por ka disa POR-e të mëdha prapa idesë së kthimit të sheshit Skënderbej (duke përshirë edhe Parkun Rinia edhe hapësirat prapa Hotel Dajtit deri tek lulishtet përpara Parlamentit) në një zonë të tillë.)

***

POR-i  i parë (sipas meje më i madhi) lidhet me obsesionin e trashëguar nga regjimi komunist që më shumë i vinte rëndësi propagandës, imazhit dhe nevojës së pushtetarëve për të vënë vulën e tyre qendrës sesa cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës. Nëse kemi parasysh se jeta e qytetarëve nuk zhvillohet në qendër, por atje ku banojnë, harxhimi i milionave për rindryshimin e kësaj qendre  do të ishte puna e fundit që duhet t’u shkonte ndërmend këtyre njerëzve. Sepse qendra, edhe kështu siç është, edhe pse më e shëmtuar se më parë, është të paktën e sistemuar, kurse Tirana përtej saj, atje ku jetojnë njerëzit, është katastrofë në të gjitha kuptimet - si përsa i përket gjendjes së rrugëve e rrugicave ashtu edhe hapësirave publike. Vjena, që sipas një studimi rezulton si qyteti me cilësi jete më të lartë se çdo qytet tjetër në botë, ka pikërisht këtë cilësi: qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në qendër për të gjetur hapësira publike pedonale e gjelbërim, por i kanë ato përreth vendbanimeve të tyre sëbashku me kënde lojrash e fusha sporti për fëmijët e tyre.  Pra nëse është fjala për të shpenzuar miliona euro për përmirësimin e jetës së qytetarëve (një pjesë e të cilëve sot ankohen se s'kanë bukë për të ngrenë, një arsye kjo më tepër për ta bërë projektin të papranueshëm) e para gjë që duhej bërë do të ishin projekte parqesh të vegjël, fushash sporti, rregullime sistemime rrugësh e rrugicash - diku diku edhe shtetëzime në mes të vendbanimeve të qytetarëve - që do të normalizonin sadopak jetën e qytetarëve atje ku banojnë. (Do të ishte bukur që me këtë rast arkitektë e urbanistë të shoqërisë civile t’i paraqisnin qytetarëve, si alternativë ndaj projektit të Sheshit, projekte të tilla të bëra vullnetarisht).

***

POR-i i dytë i madh që ngre ky projekt - gjithnjë lidhur me përmirësimin e cilësisë së jetës së tiranasve - është se çfarë do të bëhet me trafikun po u kthye sheshi në pedonal. Nga përvoja që kemi kur është bllokuar Bulevardi dhe veçanërisht rrethrrotullimi tek Sheshi, që është arteria kryesore  e qarkullimit të trafikut në Tiranë, është krijuar një kaos i tmerrshëm, i padurueshëm dhe i rrezikshëm për këmbësorë, shoferë e biçiklistë. Pretendohet se këtë do ta zgjidhë një unazë e vogël që do të kalojë prapa Bankës Kombëtare, prapa Muzeut Kombëtar, prapa Hotel Tiranës, që do të vazhdojë duke prishur ndërtesën historike të Petrelasve ku ka qenë INSIG-u (një krim tjetër ky ndaj historisë së Tiranës), që pastaj do të kalojë përpara nëntë katësheve për të vazhduar, nuk dihet se ku, disa thonë tek rruga e Elbasanit deri ku kryqëzohet me Lanën, disa tek pedonalja duke e kthyer edhe një herë atë në rrugë makinash (edhe ky një tjetër krim). Nga sa di unë kjo nuk është vendosur akoma dhe ky është skandal. Nga përvoja ime si këmbësor dhe si shofer, madje që banon afër kësaj zone, më rezulton se kjo unazë e vogël, nuk mjafton kurrsesi për të plotësuar funksionin që kryen Bulevardi sepse edhe me rrethrrotullimin e Sheshit si arter trafiku ajo sot është plot. Prandaj qarkullimi në këtë unazë do të ishte një ferr i vërtetë dhe ç’është më e keqja do të ndotte qytetin edhe qendrën pedonale shumë herë më tepër sepse makinat do të qëndronin në këtë unazë me orë. Pra, nëse do t’i qëndronim idesë së krijimit të një qendre pedonale tek Sheshi do të duhej që edhe kjo unazë e vogël të ishte vetëm për transport publik, çka do të thotë, përveç të tjerash, që të punohet më së pari për të rregulluar problemin e trafikut jashtë kësaj unaze, çka nënkupton, përveç të tjerash, që edhe idetë për parkingje në qendër të Tiranës të hidhen poshtë.

***

Së treti, janë tejet problematike edhe ideologjizime e simbolikat e reja që kërkohet t'i shtohen sheshit. Kam parasysh propozimin nacionalist të shtrimit të sheshit me gurë që vijnë nga tërë anët e Shqipërisë, medemek për ta bërë atë zemrën e gjithë shqiptarëve; atë kozmopolit të sjelljes së luleve nga tërë Mesdheu apo bota si dhe atë demokratik (të shitur si ide e Anri Salës) që sheshi të vijë pak si piramidë, në mënyrë që qytetarët të mund të ngjiten aty dhe të ndjehen zotër të Tiranës.
Siç e thashë një nga problemet e mëdha të shëmtimit të atij Sheshi ka qenë se nuk është ruajtur koherenca e stilit të kohës kur është disenjuar për herë të parë. Shtresëzime të tilla si ai sovjetik me Pallatin e Kulturës, ai modernist me 15 katëshin, ai enverist me Muzeun Kombëtar dhe pastaj ato ramiste e bashiste veçse ia kanë shtuar kakofoninë dhe shëmtinë. Shtesat e reja, që s'mund t'i fshijnë shumicën e të vjetrave, veçse do ta bëjnë edhe më problematik atë vend qoftë nga pikëpamja funksionale qoftë estetike. Veçanërisht e tillë, sipas meje, do të ishte ndarja e vazhdimësisë së Sheshit me Bulevardin Zogu I nëpërmjet një ndërtese midis 15 Katëshit dhe Muzeut, që thuhet se është në projekt, edhe pse në projektin që na u paraqit mbahet e fshehur me pemë. Gjithë duke folur për shëmtim do të thoja se edhe prishja e ndërtesës së ish Insigut për të vazhduar pseudounazën do t'i shtonte shëmti qytetit qoftë si prishje e historisë së tij qoftë edhe pasi pallati modernist i projektuar nga Maks Velo në njërën anë dhe shtëpia e stilit liberty në anë tjetër të saj do të mbeteshin si objekte në mes rrugës dhe pa lidhje.

Nga gjithë sa thashë mua më rezulton se ky projekt është një gjë e nxituar, në kundërshtim me nevojat ulëritëse të qytetit e qytetarëve, në vazhdën e mënyrës se si kanë punuar deri më sot, jo vetëm në Tiranë, politikanët tanë: pa një vizion tërësor, pa largpamësi, pa respekt dhe pa dashuri për qyetarët, përkundrazi duke na imponur me arrogancë dhe demagogji projekte diletanteske të improvizuara nga nevojat apo tekat e çastit me një kundërvënie të fortë të interesit privat ndaj interesin publik. (Panorama, 12 prill 2016)


Wednesday, March 9, 2016

Kulti i dhunës, rilindësit dhe shteti

Në një nga intervistat  e tij, që janë të njohura për thellësinë dhe mprehtësinë e argumenteve, gazetari italian  Enzo Biaggi e pyeti politikanin Pietro Nenni se cili është gabimi më i madh që bëjnë të rinjtë. Nenni, tashmë senator në moshë të vjetër, iu përgjigj: "është një gabim që e kemi bërë të gjithë kur kemi qenë të rinj: mendojnë se historia fillon me ta."
Në vazhdën e intervistës Nenni jep tre këshilla për evitimin e këtij gabimi: së pari, njohjen e historisë dhe traditës; së dyti, distancimin nga kulti i dhunës dhe, së treti, pikërisht si alternativë ndaj dhunës si mjet politik, përpjekjen për transformimin e shoqërisë nëpërmjet aksionesh kolektive, që i bëjmë sëbashku me njerëzit.
Kuptohet se Nenni ka parasysh kryesisht historinë e Italisë, veçanërisht të fashizmit, por edhe të komunizmit, që në emër të fillimit nga e para të historisë, legjitimuan edhe përdorimin e dhunës si mjeti më efikas për ta arritur sa më shpejt qëllimin dhe që, në vend se t'i bënin gjërat sëbashku me njerëzit, i përdorën ata thjesht si objekte jo si subjekte. Por historia tregon se fenomeni shkon shumë më thellë në kohë se shekulli XX dhe arrin, i veshur me petka te tjera, deri në ditët tona .
***
Këto mendime të Nennit m'u rikujtuan duke parë një rritje dramatike të përdorimit të dhunës si mjet politik kohët e fundit që e dëshmoi javën që shkoi  dhuna e ushtruar në Elbasan ndaj Ben Blushit nga militantët e PS dhe ajo kundër të rinjve protestues në Parkut tashmë historik të Liqenit. Të dyja: e para dhunë brenda strukturave të partisë ndaj një zëri kritik ndaj udhëheqësit të partisë dhe tjetra dhunë policore ndaj protestuesve që protestojnë kundër veprimeve të këtij udhëheqësi si qeveritar nuk i shoh pa lidhje me njëra tjetrën, përkundrazi si pasqyrë të njëra tjetrës.
***
Në fakt historia e Shqipërisë është dramatikisht e mbushur me gabimet e mendjeve të ekzaltuara dhe të papjekura politikisht, që, duke menduar se historia fillon me ta, nuk kanë lënë krim e dhunë pa bërë ndaj atyre që i pengonin në rrugën e tyre. E tregon këtë jo vetëm përvoja e komunizmit, por edhe përvoja e këtyre 25 vjetëve.  Gjithsesi më duket se me Edi Ramën dhe pretendimin e tij për rilindje po përjetojmë një kulm të ri të këtij fenomeni. Sepse tek Rama dhe rilindësit e tij që pretendojnë një fillim të ri (sa për asosacion po i ve në dukje lexuesit se emri "Ba'ath" i partisë së Sadam Huseinit në arabisht ka kuptimin "rilindje") gjen të shprehura në formën më të spikatur injorimin e të tre këshillave të Pietro Nenni-t. Gjen, së pari, mospërfilljen e historisë dhe të traditës. Nuk ka kryeqytet në botën që të ketë ndryshuar arkitekturën dhe urbanistikën e qendrës ashtu siç e ka ndryshuar Tirana, ku kushdo që ka ardhur në pushtet ka synuar të fshijë simbolet e paraardhësve në emër të fillimit të historisë me të, por Edi Rama do të mbahet mend si kryevandali i kësaj masakre mbi Tiranën, çka po e vazhdon tani edhe si Kryeministër, edhe tek Parku. Së dyti, gjen kultin e dhunës, që fillon nga ajo verbale mediatike e vazhdon me atë policore, që synon të frikësojnë njerëzit e që gjithnjë e më shumë ka bërë që këta të shohin sot tek figura e policit, e tatimorit e administratorit, e ministrit deri tek kryeministri një figurë që ngjall frikë dhe urrejtje. Së treti, gjen faktin se thuajse të gjitha aksionet e qeverisë Rama, qoftë shkatërruese, qoftë gjoja shtetndërtuese ndërmerren pa bashkëpunim e konsultim me njerëzit përkundrazi ose fshehurazi tyre ose duke ua imponuar atyre dhunshëm.

***
Edhe në rastin e projektit të Parkut kundër të cilit po protestojnë qytetarët vihen re të tre karakteristikat e pushtetarit që kujton se historia fillon me të: injorimi i historisë dhe i kujtimit të atij vendi; imponimi i dhunshëm i një projekti për të prerë pemë, për të shkulur bar dhe ushtrimi i dhunës policore ndaj protestuesve që e kundërshtojnë këtë; mungesa e  konsultimit dhe bashkëpunimit me publikun nëse e miratonin atë projekt dhe nëse kishte diçka më të dobishme ku mund të hidheshin ato 600 000 euro. Si kulm i kësaj dhune të trefishtë është fakti se, me sigurinë që u jep kapja e shtetit, nuk kanë përfillur as të kryejnë hapat ligjore që parashikohen për realizimin e një projekti të tillë (siç është nxjerrja e lejes mjedisore psh.) - për çka do të duhej të ishin ata të proceduarit nga drejtësia - ndërkohë që, policia e paguar nga taksapaguesi, ushtron dhunë kundër protestuesve që mbrojnë edhe ligjin edhe Parkun.
***
Ajo që të intrigon në këtë historinë tonë është pyetja se çfarë ndikon që tek ne politikanët në vend se të fillojnë e kuptojnë, me moshën, peshën e historisë, efektin shkatërrues të dhunës si dhe të kuptojnë se janë vdekatarë si gjithë të tjerët, shumë të vegjël përpara historisë dhe botës, sa më shumë rriten në moshën biologjike aq më shumë e manifestojnë paditurinë dhe papjekurinë e tyre edhe aq më shumë sillen sikur historia jo vetëm fillon me ta, por edhe se do të mbarojë me ta. Sepse Edi Rama nuk mund të quhet më i ri; i ka kaluar të pesëdhjetat. Dhe problemi është se ai nuk është i vetëm. Po të kthejmë kokën prapa do të shohim se të gjithë ata që na kanë drejtuar të tillë kanë qenë, kush më shumë e kush më pak: njerëz që edhe kur arrijnë moshën biologjike nuk arrijnë dot moshën mendore të Nennit. Besoj se kjo pikëpyetje meriton një reflektim të thellë, sepse kemi mëse njëqind vjet, që kur është krijuar shteti shqiptar, që kush vjen në pushtet pretendon ta fillojë historinë nga e para, duke na lënë, kësisoj, gjithmonë në vend, të pandryshuar në papjekurinë tonë politike. Si provën më dramatike të kësaj papjekurie kemi rritjen e përdorimit të dhunës me rritjen e qëndrimit në pushtet të politikanëve kësisoj. Dhe kjo rritje e dhunës, tek e fundit, rrënon themelet e shtetit, siç ndodhi edhe në 97-tën, duke na vënë damkën e një populli që nuk di të ndërtojë shtet. Sepse ndryshe nga ç'mendojnë të papjekurit tanë dhuna nuk e rrit pushtetin, por e minon atë. Hannah Arendt kur flet për raportin e pushtetit me dhunën thotë se dhuna gjithmonë e shkatërron pushtetin të cilin ajo e konsideron jo si pronë individuale, por si diçka që ka të bëjë me aftësinë njerëzore për të vepruar në bashkëpunim, pra si diçka që i përket një grupi dhe që ekziston sa kohë që ekziston ky grup. Duke iu kundërvënë teorisë që reklamonin komunistët se pushteti ka dalë nga gryka e pushkës ajo thotë se me grykën e pushkës  mund të nxjerrësh urdhrin më efektiv me rezultat bindjen më perfektë dhe më të menjëhershme, por nëpërmjet grykës së pushkës nuk mund ta rritësh  kurrsesi pushtetin.
***

Nuk pretendoj t'i jap përgjigje me pak radhë pyetjes që meriton volume se pse tek ne politikanët nuk e arrijnë pjekurinë politike të domosdoshme për të ndërtuar një pushtet të qëndrueshëmn - në kuptimin që i jep këtij Hannah Arendt, si aftësi e njerëzve për të vepruar së bashku, - por mbeten në stadin rinor të atij që mendon se historia fillon me të dhe e gërryejnë gjithnjë e më shumë pushtetin, nëpërmjet dhunës. Por dua të paralajmëroj edhe një herë se sjelljet e dhunëshme të Edi Ramës dhe të oligarkëve e kriminelve që e mbështesin - që u demostruan edhe javën që shkoi në mënyrë të shëmtuar në Elbasan dhe tek Parku -  janë në këtë ravë e se, në terma afatgjata, kjo sëmundje, që ka rezultuar aq shkatërrimtare për ne, mund të çojë në shpërbërjen e mëtejshme të aftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar shtet. Prandaj njerëzit e vullnetit të mirë, edhe brenda partisë Socialiste, duhet të ngrenë barrikadë sa s'është vonë ndaj kultit të dhunës që po promovojnë këta rilindas duke i kundërvënë atij bashkëpunimin e vërtetë dhe të sinqertë me njerëzit në rrugën e vështirë, por të vetmen, për ndërtimin e një shteti demokratik. (Panorama, 9 mars 2016)

Friday, February 26, 2016

Parku, oligarkia dhe Edi Rama si kryemaskë

Dy protestat kundër betonizimit tek Parku i Liqenit dikush i ka quajtur prova gjenerale për shporrjen e kësaj qeverie. Dikush tjetër i quan si përpëlitjet e fundit të opozitarizmit e të  shoqërisë civile që ka mbetur në Shqipëri. Cila është e vërteta? Sipas meje këto të dyja nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
Personalisht protestën e të rinjve të shoqërisë civile e shoh si një dritë shprese në tunelin e errët ku kemi hyrë prej kohësh.
***
Nëse do t’i shohim si të organizuara thjesht kundër Edi Ramës dhe Erion Velisë me parulla të tilla si “Velia po bën atë që s’guxoi të bëjë as Rama me Parkun”jemi në variantin e përpëlitjeve të fundit të opozitarizmit e të shoqërisë civile. Pse e them këtë? Jo thjesht se është idiote të mendosh se Veliaj po i bën këto pa dijeninë e aprovimin e Ramës, por sepse të shprehesh kështu do të thotë të mos e kapësh demin për brirësh. Dhe brirët e demit nuk janë Rama e Veliaj. Këta janë thjesht maska e këtyre brirëve. Madje Veliaj nuk është tjetër veçse maska e maskës Rama. Ashtu sikurse janë maska e maskës së maskës shumë gazetarë e intelektualët e segmente të shoqërisë civile që kanë ndërtuar të gjithë së bashku një plurimaskë që kërkojnë t’i venë emrin demokraci, por që, në fakt, është një oligarki që kërcënon të kthehet në fashizëm: si dhunë e pakicës sunduese mbi shumicën. Demi me brirët e tij të vërtetë është ky fashizëm i kamufluar deri tani, që, në një shkrim paraardhës, e kam quajtur fashizëm ekonomik)  Dhe protestat nëse duan të ngjallin shpresë duhet të kapin demin e oligarkisë për brirësh. Përndryshe thjesht do t’u mbeten maskat, Edi dhe Erijon në dorë, (nëse këta nuk ia mbathin një ditë nga sytë këmbët), por fashizmi ekonomik do të ketë vënë maska të tjera: ato që këto protesta i shohin si mundësi për të rimarrë rolin e kryemaskës sepse tani kanë mbetur në rolin e dublantit

***
Shumëkush e kupton qartë se kjo rezistencë që ndodhi tak Parku e ka burimin tek një frikë shumë më e madhe sesa sipërfaqja e betonit që do vendoset në atë kënd lodrash. Frika qëndron tek përpjekjet për ta kafshuar Parkun anës Universitetit, tek Garda, tek hyrja e rrugës së Elbasanit, tek diga. Dhe është cektësi të mendosh se këta projekte janë thjesht punë e maskës së pabesë e mashtruese Edi Rama dhe i një maske të maskës. Të gjithë e dimë se këta projekte kanë prapa oligarkinë që deri dje është kamufluar edhe prapa maskave Berisha, Basha. Edi dhe Erjoni thjesht kanë nxjerrë në treg aftësinë e tyre për të qenë maska, për të mos u skuqur dhe as zverdhur, por janë oligarkët përfituesit kryesorë të këtyre projekteve. Janë ata që i kanë zgjedhur mikluar dhe mbështetur (por edhe shantazhuar) maskat për të luajtur këtë lojë. Sepse, në kontekstin evropian ku jetojmë, oligarkët kanë nevojë për maskën e demokracisë, të ligjërimit të asaj që bëjnë nëpërmjet politikanëve të ardhur në qeverisje gjoja nëpërmjet votës së popullit. Kjo nevojë bëhet edhe më e fortë kur ke parasysh se një pjesë e tyre janë edhe vrasës e tarfikantë. Dhe ky është problemi i madh që kemi përpara, që ka nisur që pas rënies së komunizmit e me të cilin duhet të merren të rinjtë protestues nëse vërtet synojnë të na ngjallin shpresën.
***
Politologu i njohur italian Gusavo Zagrebelsky, duke karakterizuar sistemin oligarkik që kërcënon sot edhe Evropën thotë se për herë të parë në historinë e njerëzimit kemi një sistem ku paraja dhe pushteti nuk janë më thjesht mjete (për të bërë diçka të mirë apo të keqe), por janë qëllim në vetvete - si dy anë të së njëjtës medalje.
Sipas Zagrabelskit  rrethi vicioz “pushtet për para dhe para për pushtet […] i jep vend përqendrimit të pushtetit dhe të pasurisë në grupe të vegjël, autoreferencialë, të pasigurt në vetvete, të mbyllur në geto të rrethuara me mure, të lara me ar ndoshta, por sigurisht artificiale, nganjëherë edhe të militarizuara. Tendenca e këtyre oligarkëve është mbyllja progresive në vetvete sepse mbijetesa e tyre është e lidhur me mbylljen e kufijve të tyre nga bota e të përjashtuarve.” A nuk ju kujton ky përshkrim diçka që e keni parë në Shqipëri? Hidhni një sy andej nga Rolling Hills apo nga getot e Golemit apo të Gjirit të Lalzit. Të gjitha të rrethuara me mure e të ruajtura me roje janë.
Ajo që po ndodh tek Parku tregon pikërisht syverbësinë e njerëzve që pushtetin e kanë mjet për paranë dhe paranë mjet për pushteetin pa asnjë qëllim tjetër në jetë. Njerëzit që e shohin botën me këta sy çdo gjë të bukur që ekziston në natyrë e shohim si mundësi për ta kthyer në para. Këta nuk mund ta shohin dot lulen e t’i gëzohen bukurisë së saj në degë, por përnjëherë mendojnë si ta këpusin e ta shesin për para. Dhe për ta këputur u duhet pushteti dhe kështu, në rreth vicioz, për të kapur pushtetin u duhen para. Me këta dy sy, të parasë e të pushtetit, këta shohin edhe gjelbërimin e një parku, edhe një breg të virgjër deti, edhe një lumë të kulluar edhe një pyll  të bukur në mal.

***
Ajo çka venë re politologët dhe sociologët si anë tjetër të medaljes së getove të oligarkëve kësisoj është jo vetëm varfërimi, margjinalizimi, reduktimi i të drejtave të shumicës, por, çka është më e keqja, degradimi i indit social të shoqërisë, shkatërrimi i çdo ndjenje solidariteti. Dhe është logjike që ky degradim të jetë në interesin e oligarkëve. S’ka më mirë për sigurinë e pasurimin e tyre të mëtejshëm në kurriz të publikut sesa që jashtë mureve të getove të ketë individë të përçarë dhe jo solidarë. Ata edhe paguajnë për këtë. Nuk është rastësi që në një vend si ky i yni ku oligarkia ka tiparet më dritëshkurtëra pasi e shkrirë edhe me krimin, e njëheerësh vend pa traditë shqërie civile, nuk gjen dot një komuniteti gazetarësh që të bëhen bashkë për një çështje të përbashkët (qoftë edhe për interesat e tyre të lirisë së fjalës) nuk gjen komunitet intelektualësh që të ulet të hartojë një peticion për një çështje publike, por vetëm individë të përçarë që shohin dorën që u jep lekun për shërbimin që bëjnë si maska të maskave të maskave.
Në këtë kontekst,  prapa rezistencës së atij grupi të vogël po tepër të rëndësishëm të rinjsh që dolën për të mbrojtur pemët tek Parku unë shoh rezistencën kundër  një frike edhe më të madhe se betonizimi: rezistencën instiktive të njeriut ndaj shkatërrimit të shpresës për ndërtimin e indit social. Kruajua qytetare dhe ankthi me të cilën ky grup të rinjsh dolën të mbrojnë pemët e Parkut është shprehje e ankthin për të mos e humbur këtë shpresë që në terma konkrete përkthehet në ankthin për të mos e humbur të ardhmen e tyre në këtë vend. Sepse, njerëzit kanë nevojë për këtë ind social që të jetojnë sepse pikërisht nëpërmjet tij qenia njerëzore realizon potencialitetet e veta. Është e provuar tashmë se përtej një niveli të ardhurash lumturia e njeriut nuk varet më nga shuma e parave që ka në bankë apo numri i shtëpive apo makinave që ka, por nga marrëdhëniet sociale që ka, nga cilësia e miqësive e dashurive që ka, e fqinjësive të mira apo të këqija që ka. E për këtë duhet një nivel barazie, në dinjitet së paku, por duhen edhe hapësirat fizike publike ku marrëdhëniet njerëzore të mund të lindin e të zhvillohen. Dhe Parku është një nga hapësirat e fundit fizike të mbetura që e luan këtë rol. Aty shqiptarët i gjen akoma së bashku pa dallime social ekonomike. Parku po ashtu ruan edhe një kujtesë të kësaj shoqërie dhe, në këtë aspekt, kërcënimi i tij nuk është thjesht fizik por edhe psikologjik. Mbrojtja e tij është mbrojtja e një cope ind social që ka mbetur dhe njëherësh shpresa se ai mund të zhvillohet e rritet. Mirëpo, siç e thashë, është pikërisht kjo që nuk u intereson oligarkëve dhe maskave të tyre që duan ta kthejnë Parkun në oborrin e tyre privat siç kanë kthyer shumëçka në Shqipëri sot. Prandaj dhe erdhi sulmi fashist kundër tyre.
Kundër këtij fashizmi duhen përdorur të gjitha mjetet. Dhunës së tij, i duhet përgjigjur edhe me dhunë nëse është nevoja. Sepse kur arrin një kryeministër të guxojë të thotë se kush nuk më voton mua është ose dele ose budalla kjo tregon se fashizmi ka bërë hapa shumë të rrezikshme përpara. Prandaj ai duhet shporrur një sahat e më parë me gjithë shpurën e tij. Por që të shporret jo thjesht si individ por si fenomen,  nuk duhet harruar se ai nuk është kryeministër i shqiptarëve, por kryemaskë e oligarkëve; prandaj duhet denoncuar e shporrur edhe fuqia që ka prapa: ajo e atyre që, duke mos mundur të deklarohen ata që janë, u duhet të mimetizohen me këtë kryemaskë apo kryemaska të tjera të ngjashme. (Panorama, 26 shkurt 2016)


Saturday, February 20, 2016

Zhvarrimi i Kodrës si vazhdim i kitschit

Këto ditë është bërë një zhurmë lidhur me vendimin e Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra të varrosur në vendin e tij të lindjes, Ishëm. Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Kodra, të drejtuar nga Pacolli, ai na paska kërkuar të varroset në një vend të bukur në Tiranë dhe, prandaj, Ministria ka vendosur se ky vend i bukur na qenka Panteoni në Kodrat e Liqenit. Sigurisht Kodra nuk e ka lënë një gjë të tillë me testament se kjo do të ishte qesharake. Më me gjasa kemi të bëjmë ose me historinë e njohur që vijnë disa dhe zhvarrosin edhe të vdekurit me pretendimin se po bëjnë histori, ose me ndonjë gjë edhe më banale: se i ka shkrepur Pacollit për ta vënë atje; ka dhënë edhe ndonjë lek për këtë punë, si pasanik që është, dhe Ministria nuk do t’i humbasë këta lekë se ndokush fut edhe ndonjë llokmë në xhep për vete me këtë rast.
Megjithatë nuk më shtyu të ulem të shkruaj për këtë polemika e varrimit, por tema e kulturës me të cilën vishet ky banalitet i Ministrisë sonë të Kulturës që shfaqet kudo, jo vetëm në këtë rast.
***
Ibrahim Kodra është një artist me origjinë shqiptare nga Kosova, që ka lindur në Ishëm dhe që e ka zhvilluar aktivitetin e tij krijues në Itali. Kush ka mundur të ndjekë pikturën e tij do të konstatojë se i përket një pikture kubiste ku ndikimet e Picassos ndjehen shumë. Nëse do ta vendosim në kontekstin e historisë së artit italian duhet thënë se në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ai ka zhvilluar aktivitetin e tij, arti figurativ ka njohur në Itali zhvillime të tjera nga kubizmi – që nga action painting dhe arte povera tek ai konceptual, që nga videoarti e deri tek trans-avanguardia, për të përmendur vetëm disa nga këto zhvillime. Në këtë kontekst Kodra duhet të konsiderohet piktor italian, që ka gjetur veten në artin që ka bërë, dhe se si ai Italia e gjysmës së dytë të shekullit XX ka pasur shumë artistë, më të shquar dhe më pak të shquar.
Nëse do ta shohim si shqiptar duhet thënë se ai ka pasur fatin të mos jetojnë në diktaturën që artistët i kyçi në metodën e realizmit socialist prandaj dhe të jetë ndër të paktit shqiptarë që ka mundur të bëjë art modernist në vitet 45 – 90. Ndërkohë, nëse do të kërkojmë të gjejmë ndikime të tematikës apo traditës shqiptare në veprën e tij, do të thoja se nuk ka të tilla;  por mund të flasim për një atmosferë mesdhetare të veprave të tij.
Nuk kam ndërmend të hyj më thellë në vlerësimin e veprës së tij sepse s’është ky thelbi i shkrimit. Ajo që dua të them është se vepra e Kodrës, përtej vlerës që mund t’i japim asaj - çka mbetet edhe shumë subjektive - nuk lidhet dot me kuptimin që ka një panteon i figurave të kulturës shqiptare – ndërkohë që edhe vazhdimi i një panteoni të tillë është, sipas meje, një ide anakronike, për të mos thënë qesharake. Figura të tilla si vëllezërit Frashëri janë vendosur në të ashtuquajturin Panteon, si figura të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar, sepse vepra e tyre, duke filluar që nga gjuha që kanë përdorur, e për të vazhduar me tematikën e jetës dhe veprës, është shqiptare. Normalisht ata do të duhej të ishin vendosur atje jo në kohën e Enver Hoxhës, por më herët, siç i gjejmë në shumë vende të tjera figurat e nacionalizmit, (duke pasur parasysh se ideologjia komuniste ishte internacionaliste) dhe në këtë kuptim një panteon i tillë, i ngritur në kohën e komunizmit është edhe ai anakronik; por duke pasur parasysh se ideologjia e atij pushteti, veçanërisht pas prishjes me BS, ishte një sinkretizëm paradoksal i komunizmit me nacionalizmi mund të thuhet se vëllezërit Frashëri qëndrojnë atje si mishërim i kulturës nacional - komuniste të kohës së Enver Hoxhës.
Sjellja e Konicës në atë Panteon, pas rënies së komunizmit, është tregues i faktit se megjithëse komponentja komuniste ra nga ideologjia e vjetër e pushtetit komponentja nacionaliste e saj mbeti, duke i dhënë jetë një ideologjie që në shkrime të tjera e kam quajtur nacional - evropianiste (ku evropianizmi zëvendësoi komunizmin në të njëjtat struktura mendimi të njerëzve) për shkak se kultura dhe legjitimiteti i elitës sonë të pas komunizmit, strukturat e saj të mendimit, ishin po ato. Gjithsesi, në kontekstin e këtij anakronizmi, sjellja e eshtrave të Konicës atje ka një kuptim sepse vepra e tij është e lidhur ngushtë me çështjen shqiptare.

Po Kodra ç’punë ka në atë Panteon?

Kodra, në fakt, nuk ka asnjë lidhje sepse, së pari, tematika e veprës së tij nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, së dyti, sepse ai është përfaqësues i një Evrope post - nacionaliste kur piktorë të tillë nga të cilët ai është frymëzuar, si Picasso, e kanë denoncuar madje nacionalizmin, çka përçohet qartë edhe në shumë prej veprave të Kodrës, së treti, sepse ka kaluar shumë kohë tashmë për ta kuptuar e mësuar këtë.
Mirëpo rilindasve që pretentojnë të ndryshojnë gjithshka (për të mos ndryshuar asgjë) ky mësim nuk u intereson, sepse s’ka gjë më të lehtë për të ruajtur pushtetin se të ruash të njëjtat struktura mendimi tek njerëzit. Kështu Kodra lëvizet nga varri jo për shkak të asaj që ai përfaqëson, por për shkak të kulturës (për të mos thënë injorancës) së atyre që duan ta ngulin në atë Panteon. Duke qenë se ka bërë një lloj emri jashtë ai është përzgjedhur për tu mitizuar me teknikat e kulturës së vjetër nacional – romantike e pastaj nacional - komuniste duke u nisur nga dy nevoja të vjetra të rilindësve tanë të shekullit XIX– të shprehura shumë qartë në veprën e Konicës:
Së pari, “nevoja identitare” apo e “krenarisë identitare” Pra për t’i thënë botës se edhe ne shqiptarët ekzistojmë dhe madje jemi krenarë për ekzistencën tonë dhe si provë për këtë kemi njerëzit e shquar që njihen në botë që janë shqiptarë apo me origjinë shqiptare.
Së dyti, në kontekstin e shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe “kthimit” ose futjes së vendit në Perëndim (sepse, nëse do të bëhej fjalë vetëm për njerëz të shquar mund të përzgjidheshin edhe shumë shqiptarë që kishin shkëlqyer gjatë 5 shekujve të Perandorisë) – këto figura zgjidheshin me profil pro-perëndimor.
Konstruksioni i mitit të Skënderbeut është ilustrimi më i mirë i këtyre dy nevojave.

Problemi është se nëse në shekullin XIX ndërtimi i miteve të tillë ishte sidokudo në frymën e kohës; nëse në kohën e Enver Hoxhës nacional – komunizmi u imponua me dhunë dhe askush nuk guxonte të thoshte një fjalë për monumentet kitsch që ngrinte regjimi duke filluar që nga Muzeumi i Skënderbeut në Krujë apo Muzeumi Kombëtar që prishi Bashkinë dhe sheshin qendror të Tiranës, në shekullin XXI-të kesh mbetur tek nevoja për afirmim të identitetit kombëtar, të kesh nevojë të legjitimohesh nëpërmjet perëndimorëve, është një vetëdemaskim që të bën qesharak dhe të nxjerr jashtë botës. Siç jemi bërë qesharakë duke manipuluar me të njëjtat teknika nacionaliste edhe veprën e Nënë Terezës psh. duke i venë çdo gjëje të mbetur pa emër, emrin e saj; ndërkohë që ajo e shkreta nuk mund të mbrohet dot nga injoranca dhe abuzimi ynë me të -  shumë shumë mund të  thotë duke na vështruar nga qielli: “Falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë.” Siç bëhemi qesharakët kur në vend se të ruajmë shtëpitë e shkrimtarëve ashtu siç kanë qenë, në vërtetësinë e thjeshtësinë e tyre, i shembim ato e ndërtojmë në vend të tyre muzeume kitsch në stilin e shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës. (Rasti Kadare).
Por nëse Kadareja është në terrenin e kulturës që ka gatuar vetë, prandaj dhe e pranon,  ç’taksirat ka Kodra të përdoret nga kjo kulturë për të manipuluar shqiptarët që e shfaqin pastaj këtë kulturë deri në format më groteske si psh. duke u bërë thirrje futbollistëve me origjinë shqiptare të lindur, rritur, edukuar e trajnuar në Zvicër që të ndihen shqiptarë dhe jo zviceranë e prandaj, mundësisht, të bëjnë ndonjë autogol në portën e Zvicrës.
Kaq të bindur janë rilindasit nacional – evropianistë se po i bëjnë nder Kodrës saqë as nuk e venë në dyshim se ndoshta ai mund të mos pajtohet me atë çka përfaqëson ai Panteon, se si artist vendosjen e tij atje ai mund ta shihte, si dëshmi te atij provincializmi ballkanas  për të cilin antropologu i njohur bullgar Ditchev thotë ser ka një shekull që ndjek politika kulturore, që, në thelb, shkojnë drejt prodhimit të kitsch-it, si importim dhe imitim banal i asaj që është prodhuar kohë më parë në vendet e huaja.
Do të ishte mirë që rilindasit, me në krye Kryeministrin artist, ta lexojnë se si i përgjigjet Ditchev pyetjes se përse kjo formë e kitsch-it është kaq e rëndësishme pikërisht në Ballkan: “sepse atje elita nuk është legjitime. Sepse kjo elitë në të shumtën e rasteve ka dalë në krye fare rastësisht dhe përmes rrethanave të shumta të kaosit. Dhe sepse ajo nuk e ka burimin e vërtetë, të brendshëm për të qëndruar në pushtet. Ndaj ajo bën përpjekje të dëshpëruara për t'u kapur pas ndonjë "bote të jashtme", që do ta legjitimonte atë. Kultura e huaj, ndonëse e imituar në mënyrë banale, përdoret si për t'i vënë vata uniformës së pushtetit.” (Panorama, 19 shkurt 2016)