Tuesday, August 23, 2016

Shqipëri - Kosovë: Sot na ndajnë të përbashkëtat jo diferencat

Largimi i një futbollisti nga përfaqësuesja e Shqipërisë për tek ajo e Kosovës ishte nga ata lajme që meritonte të zinte vend në ndonjë kënd të vogël në faqet e gazetave sportive. Mirëpo u bë kryelajm pas atij shkrimi provokativ të Andi Bushatit, i cili çuditi jo vetëm dashamirët, por edhe armiqtë e tij, me lehtësinë me të cilën përdori  fjalën "tradhtar" ndaj këtij të riu, me ironizimin e flamurit dhe himnit të Kosovës dhe përqeshjen e dashurisë së etërve kosovarë për Shqipërinë, disa prej të cilëve e kanë shprehur këtë duke u vënë bijve të tyre emra qytetesh shqiptare.
Nuk kisha ndërmend të hyja në vorbullën e shkaktuar nga ky shkrim i hedhur ashtu dembelisht për tu dëfryer, për të marrë klikime  apo nuk e di për çfarë (siç bën ndonjëherë Bushati). Por më thithi në vorbull mënyra se si u zgjerua ajo duke risjellë në skenë, nëpërmjet një shkrimi të Baton Haxhiut, edhe një shkrim timin të vitit 1995: "Ne shqiptarët dhe kosovarët - ne kosovarët dhe shqiptarët". Më tërhoqi vëmendjen atje një citim jo i saktë, i vënë  në thonjëza, sikur paskam shkruar asokohe se midis shqiptarëve dhe kosovarëve ka një "armiqësi të fjetur e cila një ditë do të shpërthejë".
Në fakt shkrimi im i asaj kohe nuk fliste për "armiqësi që do të shpërthejë", përkundrazi fliste në emër të ndërtimit të dashurisë. Ai bazohej në idenë se identitetet kombëtare dhe, më gjerë, kulturat e një populli nuk janë diçka e ngurtë, e palëvizshme, por produkt i historisë, një proces gjithnjë në lëvizje. Dhe, meqenëse qysh kur u formuan shtetet shqiptar e jugosllav historia na ndau këtej dhe andej, thosha se gati një shekull jetë e ndryshme kishin krijuar edhe identitete të reja që nuk i ndajmë, edhe mjaft diferenca të reja, përveç të përbashkëtave (por edhe diferencave) që kemi pasur edhe më parë. Një nga diferencat kryesore që kam përmendur në shkrim është ajo se, pas 1912-tës e deri në atë kohë kur shkruaja shkrimin, ne shqiptarët e Shqipërisë kemi pasur si kryeproblem sundimin nga njëri-tjetri, thuaj më mirë çlirimin nga njëri-tjetri, kurse shqiptarët e Kosovës kanë pasur problemin e çlirimit nga sundimi serb. Si pësojë, kur dolëm në vitet '90 nga diktaturat komuniste, kemi përjetuar, mes tjerash,  konfliktin e pashprehur midis patriotizmit të kosovarëve, që ishin gati të jepnin jetën për të pasur shtetin e tyre të bashkuar me Shqipërinë dhe "antipatriotizmin" e shqiptarëve që po e braktisnin Shqipërinë, pas gjëmave që u kishin shkaktuar të vetët, - gjë kjo e pakonceptueshme dhe e papranueshme nga patriotët kosovarë në atë kohë.
Vlerësimi im i asaj kohe ishte se për këto diferenca e mosbesime, të vjetra e të rejat që po lindnin, ne nuk flisnim. I mbulonim ato me retorika boshe për "vëllezërit kosovarë", për "çështjen e Kosovës", për "armikun e përbashkët serb", "bashkimin"  etj., ndërkohë që duhet të flisnim për të ndërtuar një komunikim të vërtetë, për të kaluar kësisoj nga faza e  "dashurisë platonike" e distancës në atë të një dashurie të kontaktit real midis shqiptarëve këtej dhe andej kufirit

***
Ajo që bije në sy në debatin e këtyre ditëve, si në shkrimin dhe replikën e Bushatit edhe të shumë të tjerëve që e pasuan, është se autorët e komentuesit nga Shqipëria dhe ata  nga Kosova, në reagimet e tyre,  po e venë theksin tek diferencat. Disa venë në dukje epërsinë e Kosovës dhe të tjerë të Shqipërisë apo po flasin për komplekse e paragjykime të vjetra e të reja. Pra, siç konstaton Haxhiu, duket sikur po shpërthen ajo "armiqësia e fjetur", që unë e paskam paralajmëruar e që disa po përpiqen ta qetësojnë, duke marrë anën e tjetrit.
Duke iu referuar shkrimit të 21 vjetëve më parë mund të them se në këtë debat ndjehet pikërisht mungesa e atij dialogu dhe komunikimi të vërtetë që kam kërkuar asokohe në mënyrë që, pasi t'i kuptojmë diferencat, mosbesimet e paragjykimet, nga faktorë ndarës këta të bëhen pjesë e ndërgjegjes sonë historike, të kulturës sonë, "burime komunikimi, mirëkuptimi."
***
Nuk është kurrë vonë për ta bërë këtë që thashë më sipër, por 21 vjet pas atij  shkrimi, aq të kontestuar asokohe, më duhet të them se jetojmë në një kontekst tjetër në të cilin kryeproblemi shqiptar i debatit dhe dialogut që duhet të bëjmë në emër të afrimit dhe dashurisë, paradoksalisht, nuk janë diferencat, por ngjashmëritë.
Po e them këtë edhe pas një vizite që bëra para disa ditësh në Kosovë, ku munda të flas me njerëz të mençur atje, për problemet që kanë kosovarët e t'i krahasoj me problemet që kemi ne shqiptarët këtu. Pa dyshim Kosova ka probleme specifike nga ato që nuk i ka Shqipëria, që lidhen me pavarësinë e papërfunduar plotësisht, por definitivisht mund të them se ajo që, paradoksalisht, na ndan më shumë nuk janë diferencat, si 20 e kusur vjet më parë, por ngjashmëria e problematikave. E përbashkëta dramatike shqiptare sot është se edhe Kosova ka hyrë në fazën e Shqipërisë dje dhe sot, ku nuk i lipset më çlirimi nga armiku i huaj, por çlirimi prej të keqes që vjen nga të vetët. Sepse të dy palët sot kemi ndërtuar, si askund tjetër në Ballkan, shtete të kapura, të dështuara. Sepse nëse në vendet e tjera mund të flitet për shtete që kanë edhe mafiet e tyre, në dy vendet tona mund të  flitet për mafie që kanë shtetet e tyre. Në të dy vendet besimi i qytetarëve tek institucionet e tyre të shtetit është minimal, për të mos thënë se shteti shihet si armik i tyre. Në të dy vendet flitet për një bjerrje dramatike të shpresës, për një atrofizim të ndjenjës së revoltës dhe protestës; për ikjen nga vendi si shpëtim. Në të dy vendet njerëzit kërkojnë të vijnë të huajt tu vendosin drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. Në të dy vendet ka zgjedhje të kontestueshme nga palët. Në të dy vendet konflikti midis forca kryesore politike i ngjason luftës së bandave për kontroll territori dhe përfitimesh. Në të dy vendet po bjerr gjithnjë e më shumë sistemi i vlerave, kultura, dija. Në të dy vendet rruga e çlirimit nga kjo e keqe shihet me parandjenjën e një fundi dramatik.
Me fjalë të tjera, sot e përbashkëta dramatike që na ndan është se si shqiptarët edhe kosovarë jetojnë keq në vendet e tyre, sepse relacionet njerëzore në të dy vendet janë përkeqësuar dramatikisht; sepse njëri tjetrin e shohim gjithnjë e më shumë vetëm si instrument për ta përdorur, si klient apo si viktimë për ta vjedhur; sepse deri trashëgiminë dhe natyrën e përbashkët dhe publiken, që lidhin njerëzit, shqiptarët e shohin si plaçkë për ta privatizuar dhe grabitur për interesa paraje dhe pushteti. Në këtë klimë, ku jeta si njeri i ndershëm, i lirë dhe me dinjitet bëhet gjithnjë e më e vështirë,  ku burimeve si natyrore edhe shpirtërore po u vjen fundi,  ndjenja të tilla si miqësia, dashuria, besimi i njeriut tek njeriu zveniten. Këto janë të këqija të përbashkëta që, detyrimisht, na ndajnë po qe se nuk bashkohemi dot t'i luftojmë, siç nuk po e bëjmë dot. Këtë janë më keq se një pushtim i huaj sepse pushtimi edhe të bashkon, siç ka bashkuar kosovarët dje.
Në sajë të këtij pushtimi nga të vetët sot bijtë e atyre kosovarëve që nuk arrinin të kuptonin shqiptaret që iknin në fillimvitet 90, besoj se i kuptojnë sot shumë më mirë. Sepse ata po ikin edhe vetë në Evropë (apo edhe  deri në Siri për të luftuar në krah të ISIS-it), si pasojë e bëmave të të vetëve.
Harrova të them: të përbashkët si në Shqipëri dhe në Kosovë kemi edhe faktin se kryepërgjegjësit e këtij "më keq se pushtimi" mbi shqiptarët kërkojnë ta mbulojnë këtë masakër duke u rënë tambureve të atdhedashurisë, të miqve dhe armiqve të huaj të përbashkët apo duke tundur flamurin kuq e zi nëpër stadiume.
***
Meqënëse ky shkrim lindi nga një lajm mbi futbollin le ta mbyll me të përbashkëtat edhe në sport. Të dy palët kemi të përbashkët faktin se, për vetëmburrje kombëtare, u kërkojmë djemve të emigrantëve, të rritur, edukuar e stërvitur në Zvicër apo Gjermani, të luajnë në përfaqësueset e tona. Të dy palët qorrollepsemi pas ndonjë fitoreje, nganjëherë duke bërë të tillë edhe humbjen, siç ndodhi me përfaqësuesen shqiptare në Francë. Të dy palëve nuk na preket fare sedra kur shohim fqinjët grekë, serbë, kroatë, malazezë të marrin pjesë në kaq po kaq shumë sporte, madje edhe me suksese të jashtëzakonshme, si në Olimpiadën që po zhvillohet  këto ditë në Brazil e të ngremë pyetjen: po ne çfarë na mungon? Asgjë, përveç faktit të përbashkët se vazhdojmë të bartim nga brezi në brez një kulturë që e sheh shtetin vetëm si instrument për të vjedhur e sunduar të tjerët e që i ka kthyer shqiptarët në një turmë individësh që s'dinë të ndërtojnë interesin e përbashkët.
E pra, jo diferencat, as armiku i huaj, por se si të shpëtojmë nga kjo e keqe e përbashkët duhet të jetë sot "çështja shqiptare" më e madhe që duhet ta trajtojmë edhe veçmas në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe së bashku, qoftë edhe në godinën e Lidhjes së Prizrenit po të doni, në emër të dashurisë me njëri-tjetrin jo thjesht si shqiptarë, por si njerëz mbi të gjitha. (Panorama, 22 gusht 2016)

Wednesday, August 17, 2016

Mbi autorësinë e krimit ndaj stadiumit Qemal Stafa

Që të kryesh një akt kriminal si shkatërrimi i stadiumin Qemal Stafa, pjesë integrale e Ansamblit të Bozios, i mbrojtur edhe me ligj si monument kulture, nuk është e lehtë. Që të kryhet kjo punë duhet që autori/ët të ketë minimalisht  katër karakteristika:
Së pari duhet të jetë thellësisht injorant.
Së dyti, thellësisht i korruptuar.
Së treti thellësisht mashtrues e i paturp.
Së katërti thellësisht sociopat, delirant megalloman.
Pa çdonjërën nga këto karakteristika ajo masakër nuk do të mund të kryhej. E megjithatë këto janë vetëm kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Sepse, që të kryhet ky akt, duhet edhe një karakteristikë tjetër e rëndësishme: autori duhet të ketë pushtet. Madje të jetë jo më pak se Kryeministër i Shqipërisë.
Dhe këtu vjen e ngatërrohet problemi i autorësisë së këtij krimi. Vërtet ky krim s'mund të ndodhte pa një sociopat si Edi Rama, që po i manifeston përditë e më rëndë karakteristikat që rendita, por problemi është se në këtë vendin tonë  kjo kategori njerëzish, shoqërish të rrezikshëm, që normalisht duhet të përfundojnë në spital, në burg apo në fundërrinat e shoqërisë, tek ne bëhen kryeministra, ministra e me radhë, pra arrijnë të  ngrenë një strukturë pushteti. Dhe të bësh këtë do të thotë të kesh mbështetje nga shumë njerëz. E prandaj a është e drejtë t'i vishet autorësia e këtij krimi, që as në ëndrrat më të këqija nuk e kemi imagjinuar, vetëm një individi, sado i sëmurë psiqikisht dhe moralisht qoftë ai? Kurrsesi jo! Të mendosh kështu është njëlloj sikur të mendosh se Enver Hoxha i bëri krimet i vetëm, dhe thjesht e vetëm ngaqë ishte megaloman, paranojak e delirant. Jo, këtu nuk duhet folur thjesht për një individ kriminal e të sëmurë, por për një shoqëri kriminale e të sëmurë. Prandaj gjykoj se autori është në shumës.
***
M'i ngacmuan këto mendime pamjet e tmerrshme të shembjes së fasadës dhe dy reagime të dy bashkëpunëtorë të Ramës; ai i Artan Lames dhe ai i ministres së kulturës Mirela Kumbaro. Këta thyen heshtjen që ka shoqëruar këtë akt të politikanëve,  oligarkëve, intelektualëve, gazetarëve, biznesmenëve, militantëve që janë baza e piramidës së pushtetit të Ramës, mbi të cilët ngrefoset ky gjel kur bën akte të tilla, duke hedhur madje edhe sharje e ofendime ndaj atyre që e kundërshtojnë. Pyetja e thjeshtë që shtrohet është: a do të mund ta bënte ky këtë krim pa këta? Sigurisht që jo. Mjaft të kesh parasysh se pa paratë e atij oligarkut nga Fieri, deri dje të panjohur, që thotë se do të investojë 50 milion euro, apo pa Dukët, që dikur Berisha i quante "të krimit" dhe që pastaj u kaloi në pronësi stadiumin, ky krim ndaj trashëgimisë nuk do të kryhej. Por këtu nuk dua të merrem me këta që, sëbashku me Ramën, përbëjnë dy anë të së njëjtës medalje dhe janë një pakicë. Do të merrem me reagimin e Lames dhe të ministres së kulturës që punojnë si të thuash tek superstruktura e këtij krimi, që kanë edhe për detyrë, si eksponentë intelektualë dhe drejtues institucionalë të lançuar nga partia në pushtet,  t'i shpjegojnë publikut akte të tilla.
***
Reagimi i Lames me një fjalë të vetme, "ndjesë", fliste shumë edhe për këtë kategori pasi ishte edhe heshtje edhe fjalë. Ai vetë njihet si njeriu më me ndjeshmëri dhe kompetencë ndaj trashëgimisë në PS. Qoftë si individ qoftë si kryetar i Forumin të Trashëgimisë ai ka marrë karrigen e përfaqësuesit të PS në debate pa fund në kohën kur kjo ishte në opozitë, duke i bërë njerëzit të shpresojmë se kur ajo të vinte në pushtet, gjëra të tilla nuk do të ndodhnin. Po kujtoj debatet mbi prishjen e piramidës, për planin urbanistik të Bashës, protestat kundër zgjerimit të rrugës së Elbasanit në kurriz të pronës publike dhe trashëgimisë me prishjen e gardhit të periudhës fashiste apo edhe denoncimin e heqjes së kangjellave të larta të oborrit përpara fasadës së presidencës.
E pra Lame është i vetmi ndër ata që "hanë" tek sistemi Rama, që është shprehur publikisht kundër prishjes së Stadiumit. Në mbledhjen që bëri Kryeministri te Hotel Tirana Internacional, ku disa pamje renderash i paraqiti edhe si prezantim  i projektit edhe si dëgjesë publike, edhe si miratim i tij  nga KKT-ja, Lame u ngrit dhe iku në shenjë proteste, se ajo ishte një maskaradë, se u la jashtë me përdhunë shoqëria civile, por edhe sepse gjeli u tha me të tallur të pranishmëve (për turpin e heshtjes së tyre) se ndonjëri aty (e kishte fjalën për Lamen) do të përfundonte prapë në spital nga ai projekt. Ju kujtoj se Lamja kishte qenë në spital, jo pse e kishte kapur diarreja pas dëgjimit të ndonjë logoreje nga ato të shefit të tij, por nga një sëmundje e rëndë që e kishte çuar në prag të vdekjes.
Thënë gjithë kjo nuk mund të mos e pyes Lamen: në emër të kujt kërkon ndjesë o njeri: të vetes, të Rilindësve apo të sociopatit që vazhdon ta mbash mbi supe? Mos do të na thuash: ndjesë se i shkreti nuk di se ç'bën? Dhe pastaj: Për çfarë kërkon ndjesë o Lame?  Që u prish Stadiumi, që ke punuar e punon për pushtetin këtyre që e prishën, se ndjehesh prandaj edhe përgjegjës apo për çfarë. Sepse nuk na mjafton vetëm një fjalë. Përndryshe, ndjesa jote mund të na tingëllojë edhe thjesht si larje goje apo duarsh. Shpresoj se e ke kërkuar sepse direkt apo indirekt, me mbështetjen që i ke dhënë e i jep, ndjehesh edhe ti përgjegjës për këtë masakër. Sepse, sikur ti dhe Shkreli e shumë të tjerë, anëtarë të Forumit tënd të Trashëgimisë, që Rama s'mund t'i akuzonte dot si njerëz të
Berishës, siç bën zakonisht për të mbuluar krimet e veta,  të kishit protestuar, siç protestuat tek rruga e Elbasanit, kur prishi fasadën e Kryeministrisë dhe interiorin e katit të saj të parë, apo duke dhënë dorëheqjen kur ky vendosi të prishë stadiumin, ky krim s'do të ishte kryer ndoshta. Kurse me heshtjen dhe nënshtrimin tuaj ia lehtësuat punën, i hapët rrugën kësaj masakre dhe shumë të tjerave.  Dhe kjo është çështja e çështjeve sipas meje, kur na duhet të flasim për autorësinë e këtij krimi.
***
Reagimi që flet më shumë se çdo tjetër se nuk duhet e nuk mund t'ua lemë përgjegjësinë ligjore dhe morale vetëm disa injorantëve të babëzitur e të çmendur ishte ai i ministres së kulturës, që drejton institucionin që e paguajmë për mbrojtjen e trashëgimisë. Pas shembjes së fasadës ministrja kërkoi të na shpëlajë trutë duke shkruar në facebook për historinë, sipas saj "fantastike", të "tempullit Abu Simbel" që medemek paska "ndryshuar vizionin e ruajtjes së trashëgimisë në pajtim me zhvillimin e modernitetit". (Nuk është kujdesur as të kuptojë se Abu Simbel nuk është emri i tempullit, por i vendit (fshatit)  ku është gjetur tempulli. Po pse të lodhet kaq shumë: në botën e injorantëve, për injorantët jeton e punon.) E pra, sipas saj, ashtu siç u bë projekti i shpëtimit të dy tempujve të Abu Simbelit në Egjypt, pasi mbaroi diga dhe do të lëshohej uji i Nilit, duke i ngritur më lart në kodër, kështu po punohet nga Ministrja jonë edhe me gurët e fasadës së stadiumit. Pra ata po u mbledhkan një nga një për ta shpëtuar fasadën nga përmbytja që do të sjellë stadiumi me kullë që do ngrihet aty. Se ku do futen as ministrja nuk e di, se s'e ka vendosur akoma gjeli në Kryeministri, por ajo di se do të aprovojë  çdo gjë, edhe sikur të hidhen në nevojtore. Ajo di se as duhet të mendojë nëse kishim ne nevojë të ngrinim një stadium me hotele, qendra biznesi, e kulla, e supermarkete, siç kishin egjyptianët për ujët e Nilit, ndërkohë që Tiranë është plot me të tilla, shumica bosh ose të pambaruara. As për faktin se mos kishim një vend tjetër ku të ngrinim një stadium të ri që të mos prekej monumenti që ajo ka detyrë ta mbrojë. E kam shkruar edhe herë tjetër: këta rilindësit janë raca më bastarde e politikanëve që kanë nxjerrë këta 25 vjet pasi këta, pasi të vjedhin e mashtrojnë sy ndër sy, duan edhe të të tallin e të thonë se je një leshko, që nuk e kupton se ata në fakt po punojnë për të mirën tënde, sipas vizionit më modern që ekziston në botë. Ministres do t'i mjaftonte një lexim i ligjit dhe rregullores së trajtimit të monumenteve të kulturës për të mos lëshuar mufka mashtruese të tilla që, përveç të tjerave, rrezatojnë edhe injorancë të madhe në punën që kryen. Sepse ligji parashikon që nuk mund të ndërtosh deri në një distancë të caktuar pranë një monumenti kulture, kurse ajo që po lejon ministrja, duke shkelur ligjin, është ndërtimi brenda një monumenti pasi edhe hapësira midis fasadës së Stadiumit dhe kolonave është pjesë e ansamblit monumental të Bozios. Po ashtu, jo vetëm fasada, me gjithë shkallët dhe me skarpatet e bukura me bar që kishte në dy anët e hyrjes, por edhe vetë ovalja e stadiumit, ka pasur simbolikën dhe harmonizimin e vet në këtë ansambël unikal, e nuk mund të zëvendësohet me një rrotë kaçkavalli të ngrënë nga të katër anët e me një kullë groteske në mes, siç është projekti Rama&Casamonti, që mund ta çosh në çdo qytet të globit dhe të qëndrojë si një "junkspace", siç i quan konstruksione të tilla arkitekti dhe teoricieni i famshëm danez Rem Koolhaas. Sa për atë që t'i kërkosh ministres të kuptojë se ajo që është bërë me Nilin dhe me tempuj e Abu Simbelit në vitet 60, nuk do të bëhej kurrë sot, - pas mësimeve që ka nxjerrë njerëzimi nga shkatërrimet që i ka sjellë trashëgimisë dhe ambientit kulti i modernizimit, veçanërisht në vitet '50 - '60, - se sot bota e kulturuar po i shkatërron digat për t'i rikthyer edhe një herë lumenjtë në rrjedhën e tyre natyrale, është e tepërt për  inteligjencën dhe diturinë e saj e të kryeministrit të saj, të atrofizuara me kohë nga sëmundja e pushtetit, parasë dhe vanitetit. 

***
Në mes të reagimit njerëzor të Lames, prej të cilit presim, edhe për të mirën e vet, të ndahet nga kjo lukuni kriminale, dhe atij të ministres, që i bëri jehonë Kryeministrisë, duke i zhytur edhe më thellë duart në krim,  qëndrojnë shumë njerëz "normalë" që kanë punuar për ta sjellë në pushtet këtë maxhorancë kriminale. Ata në këtë rast heshtën; me një heshtje që mban erë nënshtrim, komprometim, konformizëm, interesa, banalitet, injorancë e çdo gjë tjetër që mund të quhet dobësi njerëzore. Heshtja është forma më e ulët e bashkëpunimit, por është nganjëherë edhe më e neveritëshmja. Pa bashkëpunimin e kësaj kategorie "të heshturish" një individ i vetëm, sado i lik e i marrë qoftë,  sado të poshtër t'i ketë bashkëpunëtorët e ngushtë, nuk do të guxonte as ta gërvishtte atë monument kulture dhe jo më ta shembte.
Prandaj, duke e përgjithësuar problemin,  gjykoj se, që të çlirohemi nga ky regjim ku na sundojnë injorantët, të korruptuarit, mashtruesit dhe të çmendurit, duhet të reflektojmë të gjithë më thellë, mbi atë se ata nuk do të mund ta merrnin kurrsesi pushtetin e të kryenin krime të tilla, që në thelb janë krime kundër dinjitetit dhe lirisë sonë, pa bashkëpunime të tilla të njerëve që shohin vetëm se si t'i përshtaten maskarallëkut dhe jo se si ta sfidojnë dhe ndryshojnë atë. (Panorama, 17 gusht 2016)

Sunday, July 31, 2016

Rama lakuriq dhe rrobaqepësit e tij

Më lakuriq se kaq nuk mund të ketë: paguan tjetri 80 000 dollarë për të bërë një foto me Obamën që pastaj t’ua nxjerrë shqiptarëve për t’i manipuluar. Kjo është kulmi. Nuk po merrem me atë se ku e si i gjeti të hollat, as me shkeljen e ligjit shqiptar dhe amerikan. Edhe pse të rënda, shumë të rënda, këto mbeten dytësore përpara imoralitetit të kësaj ideje. Qoftë edhe si mendim, e jo më e vënë në jetë, ajo është shumë e turpshme. Të vjen turp që ke njerëz me moral të tillë në krye, që jo vetëm, por shiten nëpër botë edhe si artistë emancipues të popullit të tyre; turp për popullin që trajtohet si debil, turp për ata që e mbajnë për lider apo mik një njeri të tillë, turp për ata ndërkombëtarë që vazhdojnë ta mbështesin.
Sikur ti referohemi asaj përrallës me mbretin lakuriq mund të thuhet se ky është momenti kur mbretin e shohin të gjithë që është lakuriq. Por, a ju kujtohet se si është përralla? Mbreti kërkonte një kostum, më të bukurin e mundshëm; shkoi në disa rrobaqepës dhe ata, që të merrnin para qyl, ia mbushën mendjen për kostumin prej ajri, se ai ishte më i bukuri. Dhe kështu mbreti dilte lakuriq duke menduar se kishte veshur kostumin më të bukur dhe kërkush nuk ia thoshte të vërtetën sepse kishte frikë. Derisa të vërtetën ia tha një fëmijë. Dhe mbreti, sapo e mori vesh, e falenderoi fëmijën dhe veshi një kostum.
Morali i përrallës është i shumëfishtë: godet mashtruesit, indiferentët e frikacakët, por çmon edhe vërtethënësit. Duhet ta thuash të vërtetën, të mos kesh frikë. Sepse, e vërteta lind ndryshimin. Sepse “më mirë një e vërtetë e vogël sesa një gënjeshtër e madhe” – thoshte Leonardo da Vinçi; sepse “e vërteta është gjithmonë revolucionare” – thoshte Antonio Gramshi.
Duke u nisur nga kjo fuqi e së vërtetës ka vende ku sunduesit përdorin policinë edhe burgjet për ta fshehur atë. Ka vende ku përdoren vrasjet të atyre që dinë të vërteta djegëse. Ka shumë gazetarë që kanë rënë viktima kështu.
Por, të dashur lexues, këta nuk janë rasti i vendit tonë, harrojeni! Edhe ajo përralla me mbretin lakuriq që dëgjoi një fëmijë dhe veshi kostum nuk është rast i kryeministrit tonë. Vërtet e kemi përdorur metaforikisht edhe ne, ndonjëherë, kur ka plasur ndonjë skandal i madh, duke thënë: “kësaj here mbreti doli lakuriq, kësaj here do të bëhet nami”. Por, a ju kujtohet të ketë ndodhur ndonjë gjë? Asgjë.  Prandaj qetësohuni. Ne kemi më për zemër atë shprehjen: “Skandali më i madh zgjat tre ditë.” Po pse? Sepse ne jemi degjeneruar aq keq sa jemi kthyer në një shoqëri ku e vërteta nuk ka pikë vlere. Tek ne njerëzit, duke filluar që nga kryeministri, nderojnë ditë e natë zotin e gënjeshtrës, mashtrimit dhe manipulimit që u sjell para. Po nuk bënë nga një mashtrim e manipulim në ditë ata nuk i zë gjumi, sepse s’kanë futur gjë në xhep atë ditë. Tek ne Leonardos i thuhet: më mirë një gënjeshtër, sado e vogël qoftë, sesa një e vërtetë, sado e madhe qoftë. Le më pastaj sikur gënjeshtra të jetë e madhe, atëherë është feja vetë. Edhe kur zbulohet ndonjë e vërtetë që këlthet me poshtërsinë e saj, mos prisni që dikush ta pranojë e të thotë se ka gabuar, aq më pak kryeministrin. A e keni dëgjuar atë fjalimin e famshëm të Kenedit, ku flet për hapjen që duhet të ketë administrata e tij ndaj kritikave të shtypit? Ndër të tjera citon një të urtë që thotë: “Një gabim bëhet faj ne momentin kur ju refuzoni ta korrigjoni atë.” E pra, vetëm kjo s’mund të ndodhë në Shqipëri. Ne gabimet i bëjmë faje dhe fajet i bëjmë krime sepse të keqen e  gjejmë gjithmonë tek ata që na thonë të vërtetat. Prandaj Kryeministri ynë nxitoi të krijojë faqen e vet të informimit për të përgënjeshtruar kritikat.
Kryeministri ynë bredh lakuriq, pa i bërë syri tërr sepse ai ka një ndryshim të madh nga mbreti i përrallës. Ai e di shumë mirë se është lakuriq, por di gjithashtu se në vendin tonë njerëzit që vlerësohen më shumë janë birat e kurvës, rrobaqepësit mashtrues, që “qepin” kostume prej ajri dhe marrin lekë qyl për këtë. Prandaj dhe ai e ka gjetur zgjidhjen: bën edhe mbretin lakuriq edhe rrobaqepësin e kostumeve të veta. Sigurisht kostumexhiu ynë nuk punon vetëm. Ai ka ngritur një sistem të tërë kombëtar dhe ndërkombëtar rrobaqepësishë që punojnë natë e ditë për t’i shtuar zbukurimet kostumeve të tij, që ai të duket gjithmonë i freskët me kostume, kollare dhe këpucë gjithmonë të reja fringo. Duhet ta dini se 80 000 dollarët janë vetëm maja e ajsbergut të shifrës që harxhohet për këtë, thjesht sa për një fotografi, imagjinoni.
Rrobaqepësitë që kanë pasur xhiron dhe suksesin më të madh janë ajo që kanë  punuar për tregun e huaj. Në fakt në përgjithësi këto rrobaqepësi aplikojnë fasonerinë: rrobat dizenjohen e qepen në Tiranë nga stilistë e rrobaqepës shqiptarë nën mbikëqyrjen personale të kryerrobaqepësit, por për rifiniturën punojnë të huajt. Edhe marka është ndërkombëtare, madje zgjidhet që të jetë sa më e njohur pasi shqiptarët kanë një dobësi të veçantë për markat e njohura. Vetëm të jetë markë, por edhe fallco e pranojnë.
A ju kujtohet çfarë na tha kur befas na çuditë të gjithëve se do të prishte Stadiumin Qemal Stafa? Ne stadiumin e donim tjetërkund, - tha - por francezët na thanë se stadiumin e keni mirë këtu ku e keni. Ne stadiumin e ri e donim pa kullë, por ishte arkitekti italian (Casamonti) që na tha se duhet me kullë. Dhe çfarë vlejmë ne përpara arkitektëve francezë, italianë, gjermanë, belgë? Mbyllni pra gojën. Hani supën e huaj të gatuar në kuzhinën time dhe krenohuni me bukurinë e kullave që po ju marrin frymën, se unë me oligarkët që morën paratë do të shkojmë të banojmë në ajër të pastër në kodrat rreth Tiranës. Por për kullat tuaja mos harroni se kanë shkruar e do të shkruajnë gazetat më falni rrobaqepësitë e tërë botës dhe për këtë duhet të jeni krenarë.
Të njëjtin stil mashtrimi përdori edhe për draftin e Reformës në Drejtësi. “Merruni vesh me Amerikën dhe me Evropën” - thoshte lakuriqi. Shkruajeni si të doni; unë e firmos pa problem po ua pranoi Amerika dhe Evropa. Me një fjalë janë të huajt që e kanë qepur kështu draftin jo unë, kur në fakt ishte i qepur e shqepur e qepur e shqepur i gjithi në Tiranë sipas shijeve e synimeve të tij. Por markën ama ishte mirë ta kishte Made in USA, Made in Europe, ose Lu&Vllahutin. Se shqiptarët kështu e hanë. A i patë rrobaqepësit e kryeministrit se si ulërinin: Zgjidhni, o me Amerikën o me Berishën! Tani edhe pse humbës, sepse pati ca të huaj që nuk pranuan të punojnë si rrobaqepës të kryeministrit, edhe pse vetëm me konsensus nuk e donte, po e trumbeton si fitore. Por kostumi i ri është në qepje e sipër, prisni dhe pak.
Ndërkaq, për ta mbyllur atje ku e nisëm, a keni parë ndonjë nga gazetarët rrobaqepës t’i drejtojë një herë të vetme një pyetje se si është kjo puna e 80 000 dollarëve për një foto me Obamën? Po Lu-në a e keni parë ndonjë herë të thotë se cili është qëndrimi i Ambasadës Amerikane për këtë lajm të turpshëm për të cilin po flet përditë shtypi amerikan?

Por prisni, do ta merrni përgjigjen. Deviza e kryeministrit është: nuk ka mjet më të efikas për të mbuluar zbulimin e një gënjeshtre dhe mashtrimi sesa një gënjeshtër dhe mashtrim edhe më i madh me rrobaqepës edhe më të njohur brenda dhe jashtë vendit. Prisni kur të dalë vetë shtypi amerikan një ditë me lajmin e bujshëm se ai që ishte në fotografi me Obamën nuk ishte Edi Rama i vërtetë, por një sozi e tij i paguar nga opozita shqiptare për të diskredituar Kryeministrin. (Panorama, 30 korrik 2016)

Tuesday, July 19, 2016

Si ta lexojmë deklaratën e Metës

Lufta politike në vend, ndërtuar së fundi mbi Reformën në Drejtësi, pati një pikë kulmore deklaratën e së dielës së Ilir Metës i cili propozoi të aprovohet me konsensus Reforma dhe pastaj të ikë ky Kryeministër dhe kjo Qeveri (ku edhe ai bën pjesë) për t’u zëvendësuar me një qeveri teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të ardhshme.
Si ta lexojmë këtë deklaratë që disa e quajtën  “bombë”?
Sipas meje, në thelbin e vet, deklarata e Metës, që në fakt nuk erdhi e papritur, qe një provë më tepër se Shqipëria është një vend të cilit tashmë i rri ngushtë kostumi i autokracisë, i partisë së vetme shtet të udhëhequr nga një lider që bën edhe ligjin edhe Maliqin, por që, i rri gjerë, duke iu lëvarur madje, edhe kostumi i demokracisë dhe i shtetit ligjor.
Gjatë fjalës së tij Meta përmendi shpesh fjalën papërgjegjshmëri dhe kuptohej qartë, midis rreshtave, se e kishte fjalën jo aq për papërgjegjshmërinë e politikës, por për atë të Ramës që, për të realizuar qëllimet e tij të eliminimit të kundërshtarëve, duke përfshirë edhe Metën, s’ka lënë intrigë pa bërë, së fundi duke tentuar të shtijë në dorë Drejtësinë nëpërmjet përdorimit të ndërkombëtarëve, e duke krijuar, kështu, një situatë konfliktuale me rreziqe për stabilitetin e vendit. Meta nënkuptoi se ai nuk pranon të kërcënohet apo dhe të shkojë në mënyrë selektive në burg nga njeriu që ai vetë e solli në pushtet pasi i shkoi tre vjet më parë në Gjirin e Lalëzit dhe  i lëpiu tërë pështymën që kishte hedhur mbi të. O të gjithë, o asnjëri dhe mos u fshi pas ndërkombëtarëve, se ata edhe mund ta hanë, por jo ne që të njohim dhëmbë e dhëmballë – ishte nënkuptimi i fjalës së Metës.
Dhe deri këtu ka të drejtë sepse ky njeriu, për të realizuar qëllimet e tij, nuk njeh jo vetëm moralin e ligjin, por as kodet e nderit të mafies. Por ama i duhet vënë në dukje Metës se ka lëvizur vetëm kur pa bythën e tij në rrezik dhe jo teksa shihte se arroganca dhe psikopatia e Ramës po dëmtonin padrejtësisht të tjerët; se brenda tre vjetësh ai ka hedhur hapa të paimagjinueshme për të realizuar ëndrrën e gjithpushtetshmërisë duke filluar që nga lidhja me kriminelët e trafikantët, e blerja e një fotoje me Obamën 80 000 $  (duke shkelur ligjet shqiptare dhe amerikane), për të vazhduar pastaj me trajtimin e godinave të institucionit ku hyri si shtëpia e tij private, me korruptimin e medieve ish-kundërshtare ose mbylljen me akte të dhunshme të atyre që nuk i korruptonte dot, tek dhënia e tenderëve dhe koncesioneve njerëzve të tij në mënyrat më  arbitrare e selektive të mundshme, me përgjime të paligjshme etj., etj..
Gjithsesi duhet thënë se interesat e Metës me interesat e një Shqipërie që kërkon të ndërtojë demokraci dhe jo pushtetin e një autokrati përputhen. Siç janë përputhur kur ai u shkëput nga Berisha më 2013 kur ky po i tejkalonte limitet që pranojnë shqiptarët për pushtet absolut të një personi/parti duke i hequr mundësinë që të zgjidhej për herë të tretë.
Për ata që do të më përmendin përsëri mbështetjen e amerikanëve për Reformën do të them se vështirë se, me gjithë të dhënat që kanë për Ramën, të mos e kenë kuptuar rrezikun që paraqet për demokracinë, prandaj dyshoj shumë se (në rastin më të mirë) duan të eksperimentojnë në Shqipëri modelin e pastrimit të korrupsionit duke ia vënë drejtësinë një dore autoritare sipas disa modeleve që thuhet se kanë funksionuar me sukses në disa vende aziatike. Por Shqipëria, me gjithë problemet që ka, tregoi edhe një herë se ky lloj kostumi asaj i rri ngushtë. Ndoshta ngaqë vijmë nga një sistem që e ka bërë të urryer udhëheqësin absolut, edhe pse modeli i tij vazhdon të tërheqë jo pak psikopatë.
Në fakt, edhe sikur Rama të ishte bërë kryeministër i dalë nga një lëvizje antikastë me premtimin e pastrimit të të gjithë politikës së korruptuar shqiptare, edhe sikur të mos bënte çdo ditë nga një shkelje të ligjit siç bën, por të qeveriste me duar të pastra, prapë do të duhej të tregohej shumë kujdes për t’i dhënë atij të gjitha pushtetet, edhe atë të drejtësisë, e jo më kur ke parasysh se është në krye të një partie që ka një të kaluar të zezë para viteve 90, dhe, po ashtu, që gjatë viteve 90 ka ndërtuar sistemin e kastës së korruptuar dhe për më tepër ka ardhur në pushtet pikërisht me Ilir Metën.
***
Këtu vjen problemi i dytë që ngre deklarata e Metës: ajo që ka të bëjë me vështirësinë e dhënies trupit të Shqipërisë një trajtë të cilit t’i qëndrojë kostumi i shtetit ligjor dhe demokracisë. Ashtu siç e paraqiti Meta në disa momente të deklaratës së tij dukej shumë e thjeshtë puna e rrobaqepësit. Sikur mjafton të aprovojnë së bashku Reformën në Drejtësi, të bëjnë dekriminalizimin dhe pastaj të shkojnë në zgjedhje nga ku të nxjerrin një Parlament të pastër që do nxjerrë një drejtësi të shëndoshë për 30 vjet. Për mua kjo ishte një retorikë e përdorur për të kaluar momentin. Të ndërrosh për një ditë trajtën që ka marrë trupi i Shqipërisë është e pamundur. Pati një pjesë të deklaratës, megjithatë, ku Meta tregoi se e di se ç’duhet bërë. Kur foli për “sakrifikim”, “heqje”, apo “dhënie” të pushtetit të tij dhe kolegëve pushteteve të tjera, ku ai i drejtësisë kuptohet se është ndër më të rëndësishmit.
Në fakt Meta të dielën tregoi se sot për sot jemi në  situatën kur nuk pranojmë pushtetin e një personi të vetëm, por kemi pushtetin e disa personave: me çka kuptoj edhe Ilir Metën e të tijtë edhe Ramën e të tijtë edhe Bashën e Berishën e të tyret. Sigurisht është më mirë të kemi pushtetin e disa personave (i kam quajtur shpesh partitë e tyre edhe banda) sesa pushtetin e një personi/bande, siç synon Rama. Deri këtu biem dakord me Metën, por për çfarë duhet bërë për të kaluar në dorëzimin e pushtetit nga duart e tyre në “duart” e ligjit, Meta nuk na dha ndonjë formulë të qartë dhe bindëse.
Edhe pse foli për pakësim pushteti të tyre nuk m’u duk se ka menduar gjatë dhe seriozisht për këto as më parë dhe as në netët që tha se ka ndenjur  pa gjumë përpara se të jepte deklaratën e fortë. Më së shumti deklarata e tij ishte një mbrojtje e pushtetit të tij nga rreziku Rama. Por nga kjo mund të dalë diçka pozitive për të gjithë edhe pse s’duhet përjashtuar rreziku që paraqet vakuumi i pushteti që mund të krijohet sikur këta vërtet të heqin dorë menjëherë nga çdo pushtet e përgjegjësi.
Shpresojmë që Meta të mendojë më seriozisht për këtë çështje në ditët në vazhdim. Por duhet të mendojnë edhe shqiptarët duke u nisur nga parimi se demokracia dhe drejtësia nuk dhurohen për 30 vjet, por fitohen dhe mbrohen ditë për ditë nga pak dhe duke u ndërgjegjësuar se edhe kjo lufta që po bëhet për një drejtësi vërtet të pavarur dhe jo në duart e partive është pjesë e këtij procesi. (Panorama, 19 korrik 2016)


Tuesday, July 5, 2016

Brexit, post-demokracia dhe Shqipëria

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian është konsideruar nga disa analistë si kriza më e rëndë që ka kaluar Evropa që prej Luftës së Dytë Botërore. Pse kaq e rëndë? Sepse po vritet një projekt për të cilin është investuar aq shumë energji, mund, pasion, jo vetëm i një brezi, duke e futur Evropën drejt një të panjohure të bartur plot me të panjohura e rreziqe. Duket se “baballarët themelues”, siç i quajnë udhëheqësit francezë, gjermanë, italianë, që i dhanë nismën projektit, po lëvizin nga varri duke parë goditjet vrasëse që ai po merr.
Po përse kjo krizë, kur, sipas një opinioni gati të gjithpranuar, ky i Evropës së Bashkuar është një nga projektet më të bukur që ka ndërtuar ndonjëherë njerëzimi, që ka sjellë paqe dhe stabilitet në një Evropë deri vonë të masakruar nga luftërat? Ngaqë brezat e rinj  kanë harruar se çfarë ka ndodhur 70 vjet më parë – përgjigjen disa. Si reaksion ndaj përmbytjeve të papërballueshme të emigracionit - përgjigjen të tjerë. Ngase kjo që është ndërtuar deri tani nuk është Evropa e popujve, por Evropa e bankierëve dhe financierëve – ngulmojnë të tjerë akoma. Komentuesit janë të shumtë dhe këndet nga e shohin Brexit-in janë po ashtu të shumtë. Megjithatë shumica bashkohen në komentin se kemi të bëjmë me një dështim të elitave politike të vendeve evropiane për ta çuar përpara këtë projekt në kontekstin e rendit botëror të krijuar pas rënies së Murit të Berlinit, që rëndom e quajnë globalizim.
Parë si dështim elitash gjykoj se Brexit është një krizë e Perëndimit ku duhet futur edhe SHBA. Më së shumti duhet parë si krizë e post-demokracisë (Colin Crouch), me çka do të kuptojmë rrëshqitjen e Perëndimit në një sistem politik ku vendimmarrja nuk është më e popullit (demosit), por e një pakice (oligo) të pasurish që kanë marrë në dorë vendimmarrjen, që kanë krijuar një elitë politike mediatike në shërbim të tyre. Një sistem ku politikanët janë bërë gjithnjë e më shumë thjesht menaxherë të interesave të këtyre, duke bërë jo vetëm që të majtë dhe të djathtë të humbasin diferencat, por edhe fuqinë dhe përfaqsueshmërinë e tyre. Këtë e tregon edhe fakti se vetëm një e katërta e parlamentarëve britanikë ishte për daljen, kurse votimi i popullit tregoi se për të ishte më shumë se gjysma. Tek reaksioni ndaj kësaj gjendjeje shohim si lëvizjet nacionaliste, deri të ekstremit të djathtë, që janë kundër invazionit të emigrantëve, e që premtojnë mbrojtje të interesave të vendasve duke bërë thirrje për kthim në kohët e arta, edhe lëvizjet e majta që denoncojnë rritjen e polarizimit ekonomik nën udhëheqjen e këtyre elitave, që kërkojnë një Evropë tjetër, sociale dhe të solidaritetit.
Pavarësisht nëse alternativat që këta ofrojnë janë të besueshme apo jo, ky “salto nell buio”, siç i thonë italianët kur dikush kërkon shpëtim duke marrë guximin të hidhet drejt së panjohurës, ishte një “fuck you” ndaj kësaj elite, i ngjashëm me lëvizjen VAFA (va fan culo) në Itali, me çfarë ka ndodhur në Spanjë në Greqi, por edhe me daljen e dy figurave që konsiderohen anti-establishment në SHBA, si Trump dhe Sanders.
Në këtë kuptim Brexit duhet parë edhe si një përpjekje për dalje nga post-demokracia, e kthyer në një status quo që e mbrojnë partitë tradicionale, për të rihyrë në demokraci. Pra demosi po kërkon të rimarrë në dorë vendimmarrjen për fatet e veta si një formë e sfidimit të elitave vendimmarrëse post-demokratike. “Më ktheni vendin tim.” ishte parulla e fituesve në Britani.
Ajo që bije në sy gjithashtu është se humbësit, elitat e akuzuara, më shumë sesa një analizë të përgjegjësive kanë gjetur justifikimin duke akuzuar hordhitë barbare, raciste, ksenofobe, të të pagdhendurve që janë mobilizuar kundër tyre nga politikanët populistë. Dhe pa dyshim ky qëndrim e rëndon procesin.


Shqipëria si pasqyrë e krizës

Duhet thënë se Shqipëria ka shumë ndryshime nga vendet e tjera evropiane, por mund, megjithatë, të shërbejë edhe si një pasqyrë e krizës së tyre, pasi në Shqipëri fenomenet negative të krizës shfaqen në mënyrë më të dukshme.
Më së pari duhet thënë se shqiptarët kanë vazhduar të drejtohen nga një elitë politike mediatike që procesin e integrimit evropian e ka interpretuar, ashtu siç interpretonin komunistët fazën e ndërtimit socialist, si një tranzicion, i diktuar nga domosdoshmëria historike, drejt komunizmit, si diçka të paevitueshme, që  do të vinte, veç të kishin besim tek udhëheqësit e vendit dhe tek ata ndërkombëtarë me në krye Bashkimin e Lavdishëm Sovjetik apo Kinën e Madhe Popullore. Elita shqiptare thjesht zëvendësoi në strukturat e gatshme mendore të njerëzve Bashkimin Sovjetik me SHBA dhe Evropën dhe udhëheqësit lindorë me udhëheqësit perëndimorë Kohl, Clinton, Berlusconi, Tony Blair, Merkel, etj. Edhe mbështetja që ka marrë nga Brukseli dhe Washingtoni është përdorur prej saj ashtu si mbështetja që nomenklatura merrte dikur nga Moska apo nga Pekini.
Mirëpo, sikurse thotë Karl Poperi “E ardhmja varet nga ne, ne nuk varemi nga asnjë domosdoshmëri historike”. Me fjalë të tjera është njeriu ai që bën projekte që dikur i ka konsideruar si “fjala e Zotit” apo si “domosdoja historike”, por që, në fakt, janë thjesht projekte të tij që edhe mund të dështojnë. Edhe ky i Evropës është një projekt realizimi i të cilit varet nga njeriu. Brexit tregoi se ky projekt ose duhet korrigjuar radikalisht ose ka arritur në pikën e pakorrigjueshmërisë dhe shumë evropianë po duan të provojnë një projekt të ri, të bazuar mbi përvojat e mëhershme.
Po a nuk mund të thuhet se edhe elitat evropiane e kanë trajtuar si domosdoshmëri historike projektin, pa e parë se, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, po e çonin atë në një drejtim të gabuar? Them se po. Përndryshe do të duhet të kishin punuar shumë më tepër dhe shumë më ndryshe në vendet e tyre më së pari e pastaj edhe me vende si Shqipëria që aspironin të bëheshin pjesë e projektit.
Shqipëria është një nga provat më të dukshme  të dështimit të burokracive Evropiane. Ka kaluar jo pak, por një çerek shekulli që ajo është nën tutelën e Brukselit dhe organizmave të tjera që kanë drejtuar të ashtuquajturin integrim të vendit në Evropë. Ngjarje të tilla si futja e Shqipërinë në NATO, heqja e vizave, statusi i Shqipërisë si vend kandidat janë shitur në retorikën politike si “hapat që hidheshin në socializëm në rrugën drejt komunizmit”. Ndërkaq, mu pse ka munguar vështrimi i thellë kritik i fenomeneve të globalizimit dhe veçanërisht të post-demokracisë në vendet perëndimore, burokracia e Brukselit  asnjëherë nuk ka venë në diskutim a po ecnin perëndimorët vetë dhe pastaj edhe shqiptarët në rrugën e duhur. Janë harxhuar vite për të hartuar legjislacione të ashtuquajtura të standardeve evropiane pak është vënë re se sot post-demokracia në Shqipëri manifestohet në formën më ekstreme. Gati sikur fshihet fakti se vendimmarrja është përqendruar në duart e një nomenklature që e trajton vendin si një minierë private të sajën prej nga nxjerr përfitimet e veta; se të ashtuquajturat parti politike dhe të ashtuquajturat medie janë thjesht përfaqësuese të njerëzve që kryejnë këtë grabitje; se krimi i organizuar zë në këtë aktivitet një vend kryesor. Po ashtu, një nga karakteristikat e globalizimit që sot fajësohet më së shumti për krizën: transferimi i kapitaleve jashtë vendit për përfitime, duke rrënuar shtetin nacional social, në Shqipëri shfaqet në formën më të egër. Elita e larpërmendur jo vetëm zhvendos kapitalin dhe familjen jashtë, dora dorës që e le tokën shqiptare djerrë, por edhe kapitali njerëzor, po emigron, pasi në vend nuk ekziston as era e atyre që në Perëndim quhen siguri, ekonomi e qëndrueshme, shtet social.
Prandaj them se Shqipëria është një rast ekstrem i asaj se ku të çon post-demokracia, një pasqyrë karikatureske e më të keqes së Perëndimit.

Shqipëria pa paterica
Nëse për popukt perëndimorë, që duan të dalin nga projekti evropian, mund të thuhet se kanë treguar se gjithsesi kanë instrumente vetëmbrojtje ndaj një globalizimi që e bën individin të ndjehet gjithnjë e më i pafuqishëm ndaj dorës globale të tregut, ndaj vendimmarrjeve të diktuara nga post-demokracia, Shqipëria nuk i ka këto. Sepse, post-demokraci nënkupton se demosi në këta vende e ka provuar shijen e demokracisë dhe fuqinë e saj. Brexit-t ishte provë e kësaj. Britanikët goditën me votën e tyre dy partitë më të mëdha e më tradicionale të vendit që kanë merita të jashtëzakonshme historike. Kurse Shqipëria nuk e ka provuar demokracinë. Prandaj dhe më shumë se sa për kthim të lavjerrësit për nga demokracia, në rastin shqiptar duhet folur për ndërtim të instrumenteve demokratike.
Ideja e ecjes drejt Evropës së Bashkuar si ecje e ndihmuar nga patericat evropiane drejt demokracisë i ndihmonte shqiptarët, gjithsesi. (Po flas në të shkuarën pasi më duket sikur e shoh dizintegrimin  Evropës, nëse vazhdohet kështu). Patericat evropiane jepnin një iluzion ecjeje dhe një garanci stabiliteti, megjithë problematikën e drejtimit të gabuar. Duke gabuar së bashku edhe mund të shpresonim të korrigjoheshim së bashku. Kurse pa projektin dhe pa asistencën evropiane Shqipëria mbetet si një i gjymtuar pa paterica që nuk mund të ecë. Nëse shumica e vendeve perëndimore mund të ekzistojnë si demokraci edhe duke qenë vetëm, Shqipëria ndodhet përpara një rreziku të madh. Rënia e projektit të Evropës së Bashkuar do të kishte për të efektin që pati rënia e Murit të Berlinit për nomenklaturën komuniste dhe për gjithë vendin. Ajo do të shënonte fundit e elitave që legjitimitetin e kanë siguruar nga Brukseli, por njëherësh edhe një situatë tejet të paparashikueshme për shkak të boshllëkut të pushtetit që mund të krijohet.
Në këto kushte shqiptarët duhet sa më parë të rrisin vetëdijen e këtij rreziku. Kjo vetëdije dikton nevojën e daljes së njerëzve më të përgjegjshëm në krye të politikës, që të marrin në dorë vendin pas kësaj elite të dështuar dhe kriminale. Ata do të duhet të kapen fort dhe të promovojnë me fjalën dhe veprën e tyre dy ide qendrore:
Së pari, se legjitimitetin duhet ta mbështesin tek populli i tyre; çka do të thotë se vlera të tilla evropiane si shteti i së drejtë, demokracia, liria, të drejtat e njeriut duhet të ndërtohen realisht në vendin tonë dhe jo ta mbështesin legjitimitetin, siç ka bërë elita e deri sotme, tek miqtë e mëdhenj të radhës që sot i ke nesër nuk i ke.

Së dyti, se duhet punuar përditë që vendi të mund të mbahet në këmbët e veta nëpërmjet një ekonomie të shëndoshë të qëndrueshme, që siguron punë dhe mbijetesë për të gjithë. Çka do të thotë të kalojmë nga gjendja e polarizimit ekstrem të post-demokracisë karikatureske në një shtet më social që nesër mund të qëndrojë me dinjitet në një Evropë, që shpreojmë se do t’i mbijetojë kësaj krize duke u bërë edhe ajo më sociale. (Panorama, 5 korrik 2016)