Friday, January 20, 2006

A mjafton miti i “Tolerancës fetare”

Historia ka provuar shpesh herë se si fshehja pas një miti historik mund ta lerë një shoqëri në miopi përpara realitetit e kjo mund të rezultojë e dëmshme në mos e rrezikshme. Kjo ndodh veçanërisht kur mitet humbasin aktualitetin e tyre, apo kur nga një forcë frymëzuese, përbashkuese e identitetdhënëse kthehen në simbole pushteti që vjen duke u degraduar, por edhe, - madje do të thoja mbi të gjitha, - kur shoqëria nuk zhvillon instumentet e njohjes me sy kritik të historisë dhe të zhvillimeve të saj. Shembujt janë të shumtë si në historinë botërore ashtu edhe në historinë shqiptare. Historiani Bernd Fischer kur flet për mitizimin e Luftës së Vlorës nga Zogu dhe propaganda e tij thotë se vështrimi i italianëve me syrin e këtij miti, pra duke i nënvleftësuar ata, dhe mosnjohja e realitetit se nuk qenë shqiptarët që “hodhën në det” ushtrinë e një fuqie të madhe, por rrethanat historike që e detyruan këtë të largohet, ndikoi që Shqipëria ta humbasë shumë lehtë pavarësinë më 1939.
Një mit historik që duhej parë me kujdes në këtë kontekst e duhet zbërthyer në të mirë të njohjes së realitetit është ai i tolerancës fetare midis shqiptarëve. Pas rënies së komunizmit ky ka qenë një nga shtyllat e forta të vetmburrjes së shqiptarëve. Aq sa Presidenti ynë ka arritur ta quajë, së fundi, në fjalimin e tij të famshëm në Oxford: « nje tipar etnotipik te shqiptareve », ”nje tradite qe vjen nga thellesia e shekujve » që “nuk është zhvilluar në kohët moderne” por që “ka ekzistuar madje edhe para shfaqjes së faktorit osman” dhe ta paraqesë si guri i çmuar që ne mund t’i paraqesim Perëndimit për të na pranuar në komunitetin e vet: “toleranca nderfetare ishte nje prej cilesive qe terhoqi menjehere vemendjen dashamirese te te gjithe atyre dijetareve dhe politikaneve, shqiptare e te huaj, qe besonin dhe kerkonin tek populli shqiptar nje imazh tjeter. »
Po të gërmojmë vetëm pak më thellë me sy kritik do të vëmë re se tërë këto që citova më lart nuk janë tjetër veçse shfaqje e kulturës së fshehjes si struci para realitetit. Mjafton për këtë ta ballafaqojmë ralitetin historik shqiptar me disa pyetje të thjeshta që kanë të bëjnë me thelbin e tolerancës. Pyetja e parë është: nëse me tolerancë do të kuptojmë pranimin e tjetrit të ndryshëm atëhere si ka mundësi që shqiptarët kanë qenë kaq intolerantë ndaj njëri tjetrit të ndryshëm saqë ndërtuan regjimin më totalitar në Evropën e pas Luftës së Dytë? Si ka mundësi që arritën t’i mbyllin krejt kishat dhe xhamijat ndërkohë që vendet e tjera komuniste nuk arritën deri këtu? Dhe, për tu afruar në kohë: si është e mundur që edhe sot e kësaj dite tregojnë një intolerancë të jashtzakonshme ndaj njëri tjetrit - po të kesh parasysh marrëdhëniet pushtet opozitë psh., por jo vetëm?
Ka një paradoks këtu: një popull që e ka tolerancën tipar “etnotipik” “shekullor” tregohet kaq intolerant. Dhe paradokset kërkojnë shpjegim. Pa dyshim po të përpiqemi t’i japim një shpjegim racional këtij paradoksi do të vijmë në përfundimin se ajo që e quajmë “toleranca fetare” e shqiptarëve nuk është një veti e dhënë njëherë e përgjithmonë, madje as tolerancë në kuptimim e gjerë të fjalës, por produkt i kushteve historike të një konteksti të caktuar, madje, ndryshe nga ç’thotë Presidenti, kryesisht i kohëve moderne. Nëse do të kërkojmë rrënjët e saj në Shqipëri do t’i gjejmë pjesërisht në tolerancën ndaj feve të ndryshme që ka pasur përgjithësisht Perandoria Otomane, pjesë e së cilës shqiptarët e tre feve qenë për 500 vjet, por mbi të gjitha ato do t’i gjejmë si produkt i periudhës kur lindi nevoja e ngjizjes së shtetit komb në Shqipëri, dmth. në kapërcyell të shekullit XIX, kur feja laike e kombit u bë mbizotëruese mbi fetë tradicionale sepse, përndryshe, këto do të pengonin procesin e kombformimit. Që këtej edhe thënia e famshme (intolerante) e Pashko Vasës, njëherësh i krishterë dhe pasha otoman, “mos vështroni kisha e xhamija, feja e shqiptarit është shqiptaria.” Gjë që në vendet e tjera rreth nesh nuk ndodhi sepse feja u bë faktor identiteti kombëtar për shkak se mbizotëronte një fe e vetme.
Këtu na duhet të bëjmë një saktësim përsa i përket konceptit të tolerancës. Ai historikisht ka burim fetar dhe nënkupton një komunitet fetar superior në numrin e besimtarëve, mbi të gjitha në pushtet, që toleron një komunitet tjetër inferior. Ky ka qenë në Francë rasti i tolerimit të protestantëve nga Henriku IV (Edikti i Nantës, 1598) i cili toleroi ushtrimin e fesë protestante, gjithë duke shpallur katolicizmin si fe shtetërore. Pra është një koncept që nënkupton një superior që toleron inferiorin, që ve gjithashtu një prag mbi të cilin nuk toleron. Madje, sipas filozofit frëng Derrida, termi “tolerancë” jo rastësisht është marrë nga biologjia sepse nënkupton edhe asimilimin (e inferiorit nga superiori). Pra, nëse gjatë periudhës otomane ka pasur tolerancë të pushtetit otoman me fe muslimane ndaj të krishterëve (kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu dhe, po të kërkojmë në historinë e shqiptarëve të asaj kohe, do të gjejmë raste të tmerrshme intolerance të shqiptarëve muslimanë të pushtetshëm ndaj shqiptarëve të krishterë psh.). Kurse në periudhën e formimit të shtetit shqiptar më shumë sesa për tolerancë, mund të flitet për bashkekzistencë relativisht në paqe midis komuniteteve me fe të ndryshme. Kjo, siç e thashë, kryesisht në sajë të dominimit të fesë së ndërtimit të shteti komb “shqiptarisë”, e më pas të ideologjisë së komunizmit, mbi fetë tradicionale. Ndërkaq fakti që ideologjia e shqiptarisë dhe mbi të gjitha ajo e Enver Hoxhës nuk arriti të bashkjetojë në harmoni me fetë e tjera tradicionale nuk është aspak shenjë tolerance përkundrazi është shenjë intolerance. Për komunizmin shqiptar, madje, mund të thuhet se vuri një prag thuajse zero tolerance ndaj të tjerëve që nuk mendonin si ai. Prandaj tu flasësh evropianëve për tolerancë që paska ekzistuar ndër shqiptarët edhe para Ediktit të Nantës, me synim që të ndrrosh imazhin, do të thotë thjeshtë t’i bësh të qeshin.
Nuk do shumë, pra, për të kuptuar se dallimet fetare në Shqipëri nuk janë bërë motiv konflikti dhe intolerance jo për ndonjë veti “shekullore” të shqiptarëve, por sepse feja nuk ka qenë instrument pushteti politik në Shqipëri pasi instrumenti ideologjik i pushteti ka qenë një tjetër fe/ideollogji.
E këtu vijmë tek problemi që u bë motiv i këtij shkrimi: Sikur, pra, të krijoheshin kushte social politike ku përkatësia fetare të kishte ndikim në pushtetin politik – siç ka ndodhur në botë, mjafton të kesh parasysh se sa është rritur instrumentalizimi i fesë nga politika në botën arabe njëzet vjetët e fundit, (por edhe amerikane) - atëhere, duke qendruar të strehuar si struci në mitin e tolerancës fetare, do të ndesheshim me situata ndaj të cilave do të gjendeshim të papërgatitur.
Çka shkrova më sipër ka marrë shkas nga konstatimi i një numri incidentesh ndërfetare në Shqipëri dhe të tentativave të mbylljes së tyre duke përmendur të mirënjohurën traditë të tolerancës fetare si dhe, shpesh, nëpërmjet veshjes së shkakut të tyre “armikut të jashtëm”. I fundit është ai i Bushatit kur një kryq i madh i vënë mbi një kodër është sharruar natën, dhe gjithshka u tentua të mbyllet duke përmendur traditën e mirë si dhe duke ia faturuar, siç shkruhej në ndonjë gazetë, serbit jo muslimanëve shqiptarë. Duke treguar, pra, përsëri, gatishmërinë tonë për t’i ikur realitetit në vend se për ta përballuar atë në kontekstet e reja fetare dhe ndërfetare që janë krijuar në vend.
Me këtë nuk dua assesi të them se nuk duhet përmendur kjo traditë. As se duhet mohuar vlera e saj. Por, së pari, se duhet kuptuar me frymën kritike të kohës historia e saj pasi vetëm kjo mund të na bëjë të aftë për të kuptuar drejtë të tashmen e për të projektuar të ardhmen dhe, së dyti, sepse miti i tolerancës nuk mjafton për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme ashtu sikurse nuk mjafton sot tu thuash shqiptarëve: ”mos vështroni kisha e xhamija, feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ashtu sikurse nuk mjaftoi dje propaganda e regjimit komunist që, ndonëse u foli shqiptarëve për 50 vjet për dashurinë dhe sakrificat për atdheun, i pa ata të ikin me vrap jashtë atdheut sapo iu dha rasti i parë i hapjes së kufijve.
Jacque Derrida, kur trajton problemin e mprehtë të sfidave evropiane me emigrantët e shumtë muslimanë që e popullojnë sot Evropën, e atakon konceptin e tolerancës, sikurse e thashë edhe më lart, si një koncept që nënkupton superioritetin dhe asimilimin duke kërkuar që evropianët ta zëvendësojnë atë me konceptin e “mikpritjes së pakushtëzuar” me çka kupton pranimin e tjetrit me kulturën e tij. Këtë ai e konsideron sfidën e rradhës që ka Evropa përpara. Është një shembull se si kohë të reja kërkojnë ide të reja dhe idetë e reja prodhojnë kohë të reja.
Prandaj mendoj se në trajtimin e fenomeneve ndërfetare që vihen re sot, siç janë vendosjet e kryqeve apo ndërtimi i xhamive në vende sfiduese për besimtarët e tjerë, apo të tjerë akte që reflektojnë qëndrime anti të krishterë apo islamofobike nuk duhen injoruar disa faktorë të rëndësishëm të periudhës paskomuniste, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në nivel kombëtar, kemi përjetuar dhe po përjetojmë krizat morale dhe të identitetit që ka krijuar rënia e komunizmit çka shumë njerëz i ka çuar tek feja si kërkim shprese dhe identiteti. Krahas kësaj kemi përjetuar ringjalljen e komuniteteve fetare, çka midis të tjerash nënkupton se këto nuk mund të lihen të margjinalizuar apo të injoruar, si më parë, se roli i tyre në rimëkëmbjen morale dhe shpirtërore të vendit duhet të bëhet pjesë integrale e rimëkëmbjes së tërë shoqërisë. Pa harruar nga ana tjetër se ky është një terren shumë i favorshëm për instrumentalizimin e fesë dhe se nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë tentativa të këtij instumentalizimi duke arritur deri në shprehje të demonizimit të njërit apo tjetrit komunitet apo të përcaktimit se cila duhet të jetë feja e parë e shqiptarëve. Të mos harrojmë gjithashtu se po përjetojmë një mosshkollim e kriminalizim të frikshëm të shoqërisë përballë të cilit qëndron një klasë politike thellësisht imorale dhe e korruptuar. Ti lesh njerëzit pre të injorancës, krimit, varfërisë, imoralitetit dhe të shpresosh se ata, megjithatë, nuk do të bëhen bisha ndaj njëri tjetrit pasi ti u përmend natë e ditë se ata kanë qenë gjithnjë të urtë e të bindur është një iluzion që mund të ketë pasoja të rrezikshme. Këtyre u duhet shtuar në nivel ndërkombëtar fakti se përgjithësisht përjetojmë rigjallërimin e feve në botë në këtë periudhë pas moderne dhe pas 11 shtatorit, që ka shtuar ndjeshëm fenomenin e instrumentalizimit të feve për qëllime politike, që ka nxjerrë në pah shqetësueshëm rrezikun e kundërvënies botë e krishterë - botë muslimane.
Prandja ngulmoj se ruajtja e frymës shekullare dhe ekumenike të Shqipërisë duhet parë si një sfidë e vazhdueshme që duhet t’i përgjigjet konteksteve të reja të krijuara si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel ndërkombëtar dhe jo duke u strehuar në traditën nacionaliste të një shekulli më parë apo, edhe më keq, në atë totalitare komuniste. (Korrieri, 18 janar 2006)


1 comment:

shqipo said...

Dua t'ju pershendes meqenese e kam per here te pare postimin ne blogun tuaj, Fatos. Shpresoj qe edhe ju i pergjigjeni atyre qe te tjeret shkruajne per krijimet tuaja gazetareske.

Nje gje kam te qarte nga ato qe kam lexuar, se shqiptaret jane nder te vetmit nder ballkaniket qe nuk formuan shtet mbi baza fetare, por bashkuan elemente nga tre fete kryesore. Kjo pra eshte tregues tolerance apo jo?

A thua valle koreanet veriore ndryshojne shume nga ata jugore?
A duhet te quhen koreanoverioret apo ata jugoret si koreane te vertete?
A duhet te quhen shqiptaret e jugut (andej nga jeni edhe ju) si shqiptaret qe ne fakt nuk na nderuan ideologjikisht e kombetarisht pasi ata ishin baza e regjimit komunist dhe qe futen idete komuniste ne vend.

Dobesia e lidhjes fetare te shqiptareve u gershetua me regjimin me te eger komunist dhe stalinistin Enver qe zevendesoi mitet e tjera me te vetmin mit qe ia vlente, "nenen Parti." Nje vend i vogel si Shqiperia u frymezua nga revolucioni kulturor kinez pasi gjeti balten e duhur per te mbjellur orizin eksperimental shqiptar te ateizmit. Uji i ndenjur e i dobet islamik shqiptar, duke qene si pjese kryesore e pellgut, beri qe qendresa ndaj eksperimentit ateist te ishte e dobet dhe te perkulej shpejt.
Por toleranca e shqiptareve nuk hidhet dot poshte dhe megjihe shembujt negative historike, pergjithesisht shqiptari e ka pari shqiptarin si gjak te njejte qe quhej shqiptar para se te ishte musliman apo i krishtere. Keta shqiptare muslimane dergonin edhe femije ne kishe apo i linin femijet te edukoheshin me besimin e nenes, pasi babait i duhej te qenurit musliman per lufte, mercenarizem, lehtesi taksash, per te ruajtur nderin a mbijetese, se kur ke kaq shume male nuk e ke te lehte te jetosh si te duash.

Lexo mbi pioneret osmane, Fatos.

http://www.ekathimerini.com/4dcgi/news/content.asp?aid=50153

____________citim__________________
Also, the Ottomans not only formed their best armies from Christian converts but also appointed Christians from various ethnic backgrounds to top state positions. All Ottoman vezirs (prime ministers), with the exception of a few, were non-Muslim.

The sultans themselves were of mixed blood. Here is a list: Sultan Orhan married Horofira, Asporce and Theodora; Sultan Murad I, born of Horofira; Sultan Beyazid, born of Marya; Sultan Murad II, born of Veronica; Sultan Fatih (the Conqueror), born of Mara Despina; Sultan Beyazid II, born of Cornelia; Sultan Suleiman, born of Helga; Sultan Selim II, born of Roxalan; Sultan Murad II, born of Rachel; Sultan Mehmet II, born of Baffo; Sultan Ahmed I, born of Helen; Sultan Mustafa I, born of Cinderella Violeta; Sultan Murad IV, born of Anastasia; Sultan Mehmet IV, born of Nadia; Sultan Suleiman II, born of Katrin; Sultan Ahmed II, born of Eva; Sultan Mustafa II, born of Evemina; Sultan Mahmud I, born of Alexandra; Sultan Mustafa II, born of Janet; Sultan Mustafa IV, born of Sonia; Sultan Mahmud II, born of Aimee. The list goes on and on...
___________________________________

Kur Pashko Vasa shkruante se feja e shqiptarit eshte shqiptaria, ai nuk kishte per qellim qe shqiptaret te harronin fene, por qe ne ato momente te veshtira ky kombi rrezikonte te humbej e copetohej, dilte nevoja e bashkimit dhe e mesazheve simbol qe shqipot te mos harroheshin pas osmaneve e ideologjise se tyre.

Amanet si perfundim: mos kritiko sikur po na mallkon a sikur na urren, por na shkruaj e ndihmo si shqiptar o Fatos.