Monday, April 10, 2006

Mbytja e Titanikut dhe muzikantët tanë

Ndërkohë që i gjithë shtypi ynë bubullonte e bubullon me ngjarjen e shekullit, duelin Berisha – Ngjela, mbushur me fotot e mëdha të protagonistëve e me komente gjithfarëshe politikanësh e analistësh gjithfarësh mbi Berishën autoritar apo mbi përgjimin e pabesë të Ngjelës, në një cep të vogël të një gazete pashë një lajm që iku thujse pa u komentuar. Ishte një deklaratë e Guvernatorit të Bankës, Fullani, i cili paralajmëronte se vendi mund të përballet me një krizë shumë të fortë ekonomike për shkak të rritjes artificiale që i ka bërë krimi çmimeve të shitjes së ndërtimit.
Sipas guvernatorit (i mbështetur tek të dhënat e INSTAT), ndërkohë që kostoja e ndërtimit është rritur shumë pak gjatë vitit 2005, çmimet e shitjes vazhdojnë të kenë ritme rritjeje shumë më të mëdha. Me gjuhën e tregut në këtë rast thuhet se kemi të bëjmë me një “kërkesë” të fortë, por problemi është se ku e ka burimin financiar kjo kërkesë e fortë. Sipas guvernatorit këto janë paratë e krimit dhe të emigracionit. E ndërkaq, lidhur me këto para, në deklaratën e Fullanit thuhet: “Burime të tilla si të ardhurat nga emigracioni, apo nga aktivitetet të jashtëligjshme vlerësohen se janë resurse financiare të përkohshme, të vështira për t’u parashikuar, ndërkohë që janë zërat kryesorë që financojnë degën e ndërtimit. Për rrjedhojë, një rënie e mundshme e shpejtë e burimeve të sipërpërmendura do të sjellë kufizime të forta në kërkesë, por edhe në degët e lidhura me të”. (Panorama 7 prill 2006).
Gjithë sipas guvernatorit, për sa kohë kërkesa do të vazhdojë të jetë e madhe, gjithçka do të jetë e qetë. Por problemi do të vijë kur kërkesa të zvogëlohet. Pra, kur paratë e paligjshme të frenohen dhe kur emigrantët të mos financojnë më familjet e tyre. Në këtë rast, vlera e një metri katror do të fillojë të zbresë deri në pikën e kërkesë - ofertës normale. Duke patur parasysh se një pagë mesatare në Shqipëri duke u bazuar edhe në sektorin privat, sipas guvernatorit, është rreth 40 mijë lekë kuptohet se po të hiqen paratë e pista, nuk mund të financohet kurrë blerja e një dyqani me një çmim 3 mijë euro/metri, apo e një apartamenti me një çmim 800 euro/metri. Për pasojë, në rast të uljes së çmimit, të gjithë kolateralet e vendosura në banka, që sipas Fullanit, garantojnë rreth 80 për qind të kredive, do të zhvlerësoheshin. Po ashtu do të zhvlerësoheshin edhe sektorët që financojnë, ose prodhojnë për ndërtimin që është industria më e fuqishme në vend. Ky do të ishte fillimi i një krize ekonomike dhe financiare, që, gjithë sipas guvernatorit, ndoshta do të krahasohej me atë të fundit që ka kaluar Shqipëria. Dmth me atë të rënies së piramidave.
Zgjidhjen guvernatori nuk e jep, por lan duart duke thënë se është urgjente të ndërhyhet - duke na kujtuar një larje duarsh të disa vjetëve më parë (1996) të një tjetër guvernatori, Lunikut.
Kush ka parasysh jetën e emigrantëve të ndershëm në Perëndim dhe njëherësh faktin se kostoja e jetës në Shqipëri është, në shumë aspekte, e barabartë, në mos më e shtrenjtë, se në Perëndim e ka të qartë se të ardhurat nga emgracioni i ndershëm nuk mund të jenë kryesore për mbajtjen gjallë të kësaj industrie. Ato mund të vlejnë për të mbajtur me bukën e gojës të afërmit e papunë, por jo për të blerë dyqane me 3000 euro metri katror e apartamente me 800 euro metri katror. Është evidente, prandaj, se fati ynë është kryesisht në dorë të krimit e se, që të mos pësojmë krizën për të cilën paralajmëron guvernatori ne na duhet të lutemi natë e ditë që krimi të vazhdojë i qetë aktivitetin e tij.
Mirëpo edhe aventurieri më i paturpshëm e ka të vështirë të pranojë këtë logjikë. Jo më kot guvernatori thotë se “është urgjente” të ndërhyet. Sepse edhe sikur të ishte kështu, pra se kriminelëve shqiptarë për hir të mbijetesës së Shqipërisë do tu lihej aktivitet i lirë trafiqesh e droge, pasojat e një ekonomie të tillë janë katastrofike sepse një ekonomi i ndërtuar mbi krimin jo vetëm se pjell vetëm krim të mëtejshëm, padrejtësi, polarizim, pasiguri për të ardhmen dhe atë që tashmë e thonë të gjithë se ka ndodhur në Shqipëri: kapjen e shtetit, por e degradon tërë shoqërinë duke sjellë më në fund edhe kolaps ekonomik.
Ky pra është problemi më i madh që ka vendi. Guvernatori paralajmëron se anija është e çpuar në fund dhe duke futur ujë pra duke iu afruar rrezikut të mbytjes. Mirëpo ndërkaq çfarë po ndodh në Shqipëri? Ajo çka po ndodh të kujton historinë e mbytjes së Titanikut, kur, ndërkohë që transoqeaniku mbytej, kapiteni i dha urdhër orkestrës që të vazhdonte të luante muzikë në mënyrë që të mos krijohej panik. E ndërsa orkestra luante valset e Shtrausit Titaniku mbytej. Kuptohet, tek ne nuk bëhet fjalë për valse të Shtrausit as për lojën fisnike të asaj orkestre. Në vend të valseve të Shtrausit muzikantët e orkestrës sonë vazhojnë avazin e vjetër. Ata bëjnë zhurmë me bilbila e buria e grushta e shqelma se kush të marrë timonin e anijes. Kjo “muzikë” e marrjes së timonit e transferuar së fundmi edhe brenda mazhorancës, që ndryshe përkthehet si luftë për pushtet e përfitime personale, shohim se amplifikohet në televizione e gazeta nga gjithfarë gazetarësh e analistësh që për çdo gjë flasin (veçanërisht kanë merak autoritarizmin e Berishës) por veç për krimin e organizuar jo, duke tërhequr vëmendjen e njerëzve nga problemi real që ka vendi rreziku i mbytjes së anijes. Është një orkestër shumë e pabesë sepse një pjesë e muzikantëve tanë duket se e bëjnë me vetëdije këtë lojë duke e ditur se për ata do të ketë barka shpëtimi. Ashtu si shpëtuan, madje dolën të pasuruar, edhe më 97-tën. Dhe pa çarë kokën se çfarë pasojash do të krijojë mbytja për të tjerët. Madje një pjesë duket se janë të vetëdijshëm se vetëm mbytja e anijes mund t’i shpëtojë. Kurse të tjerë duken aq dritëshkurtër sa nuk u shohin sytë përtej timonit të lakmuar dhe qejfit personal që mund t’u krijojë ai paçka se guvernatori i paralajmëron për mbytjen edhe të qejfit të tyre me mbytjen e anijes.
Dhe si për çudi dhe mosçudi ndërkohë që rreziku vjen e bëhet më i madh tingujt e këngës kakofonike “Në luftë për timonin” të muzikantëve tanë vijnë e bëhen më shurdhues duke lënë pak shpresë se veshët e tyre të shurdhuar nga miopia e interesit personal janë në gjendje të dëgjojnë zërat që u thonë se përpjekja e përbashkët për të mbyllur të çarat në fund të anijes është më e rëndësishme sesa lufta për timonin e saj. E ndërkaq, klasa e dytë dhe e tretë në fund të anijes, e lënë në terr dhe e pafuqishme për tu organizuar, duket se do të jetë ajo që do ta paguajë përsëri më shtrenjtë mbytjen e saj. (Korrieri, 9 Prill 2006)

2 comments:

traveller one said...

Wish I could read your blog!
www.acrossthelana.blogspot.com

Albanese said...

Pershendetje z. Lubonja ne pamundesi tu kontaktoj privatisht po ju dergoj mesazhin nepermjet nje komenti.
Une jam Administratori i Faqet.com nje sherbim i njgjashem me blogspot.com por shqiptar. Deri tani shenojme 2040 regjistrime dhe 4388 shkrime dhe miliona klikime qe shtojne shume mundesite qe shkrimet tuaja te lexohen nga nje publik me i gjere dhe i perzgjedhur.
Ju ftoj zyrtarisht te perdorni sherbimin tone per shkrimet tuaja ku do ju garantojme plus sherbimeve baze nje adrese www.emriqedeshironi.com falas dhe nje grafike te vecante per faqen tuaj.
Mirepres nje pergjigje tuajen nepermjet emailit info@faqet.com.

Ju uroj sukses ne perpjekjen tuaj dhe gjithe te mirat
Me rrespekt
Adion Gorani