Wednesday, May 3, 2006

Po afrohemi apo largohemi krahasuar me fillimvitet 90?

Duke ndjekur debatin që shkaktoi pritja në Tiranë e Goran Bregoviçit midis atyre që e qesëndisën pompën me të cilën u prit “serbi”, veçanërisht shpalljen e tij “qytetar nderi” i Tiranës, dhe atyre, që, duke lënë disi në surdinë dhënien e titullit, e mirëpritën ftesën dhe koncertin e “muzikantit të famshëm” nuk mund të mos më kujtohej një debat i shumë kohëve më parë që hapi një shkrim i im me titull “Ne shqiptarët dhe kosovarët ne kosovarët dhe shqiptarët”.
Me dy fjalë ideja e shkrimit tim të asokohshëm ishte se dy procese të ndryshme historike gjatë pjesës më të madhe të shekullit të XX, madje më të rëndësishmit në aspektin e kombformimit, kishin krijuar diferenca të rëndësishme midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës; se nuk mjaftonte, prandaj, dashuria platonike e ushqyer për 50 vjet për të ndërtuar afrimin e dëshiruar; se, pas takimit të tyre, ajo dashuri sikur ishte kthyer në një fejesë zhgënjyese që nuk premtonte ndonjë martesë ashtu dhe aq të lumtur (asokohe flitej shumë për bashkimin). Sillja edhe shumë shembuj të diferencave në rrugët tona të ndryshme që prej 1912-tës e këtej duke i mshuar idesë se këto dallime duheshin kuptuar në shkaqet e tyre më të thella (dhe jo fshehur) e se, vetëm nëse ato do të kuptoheshin, do të ishim në gjendje t’i shndërronim nga burime irracionaliteti, paragjykimesh dhe kompleksesh të rrezikëshme ndarëse, në pjesë të ndërgjegjes sonë historike, të kulturës sonë, pra, fundja më në fund, në burime komunikimi e afrimi.
Shkrimi im asokohe u sulmua, nga disa më egërsisht e nga disa më racionalisht, me akuzën se duke folur për diferencat unë kisha bërë një tradhëti ndaj çështjes së bashkimit, se diferencat, edhe nëse ekzistonin, nuk duheshin përmendur pasi shqiptarët ishin në thelb një komb i vetëm i ndarë me përdhunë e që tani kishte ardhur momenti të ndreqej kjo padrejtësi historike. Unë ngulmova se duke u nisur nga një ndjenjë pozitive dëshire për afrim kisha sugjeruar se për diferencat duhej folur e, po ashtu, se ky afrim duhej ndërtuar gjithnjë e më pak mbi armikun serb apo njesimin territorial dhe gjithnjë e më shumë mbi ndërtimin e një ekonomie të përbashkët, e kulture të kultivuar së bashku. (Po përdor fjalën “afrim’ që më duket se e ngërthen më mirë se çdo fjalë tjetër një proces që është sa mendor e ideal aq edhe material e që përmban ambiguitetin dhe oportunizmin që përmban procesi në fjalë.)
Nuk mund të mos e ndiqja polemikën që u zhvillua së fundmi në shtyp në sfondin e atij debati të bërë mëse dhjetë vjetë më parë, duke kërkuar të gjej se çfarë nga ato që mund të konstatoheshin asokohe qëndrojnë ende dhe çfarë elementësh të rinj kanë ndërhyrë. Shkurt, çfarë ka mbetur dhe çfarë ka ndryshuar.
Çështja që dua të shtroj është: nuk mund të mohoet se këto 15 vjet që krijuan mundësinë e hapjes dhe komunikimit midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë njohur vazhdimësinë e dy proceseve të ndryshme historike, por, ndërkaq, a kanë qenë këto procese në të dy anët diverguese apo konverguese përsa i përket asaj ëndrre që shqiptarët kanë ushqyer për afrimin e vazhdueshëm deri në bashkim? Apo njëherësh edhe diverguese në disa aspekte edhe konverguese në të tjera? Më thjesht pyetja mund të shtrohet: ku janë sot shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës në raport me njëri tjetrin në krahasim me fillimvitet 90, më afër apo më larg?
Nuk pretendoj t’i jap përgjigje të prerë kësaj pyetjeje që më duket e vështirë pasi kërkon një studim shumëdimensional në të dy anët, e ndërkaq, veçanërisht për pjesën e Kosovës, më mungon një njohje e mirë. Do të mjaftohem të hedh në shkrim vetëm disa konstatime që u nxitën nga debati i fundit.
Një nga konstantet e përherëshme të dallimit midis shqiptarëve dhe kosovarëve deri në vitet 90, por edhe më mbrapa sipas meje, ka qenë fakti se të ashtuquajturit shqiptarë të “dheut mëmë” kanë qënë të zënë më shumë me problemin e sundimit të njëri-tjetrit dhe të çlirimit nga njëri-tjetri, kurse shqiptarët e Kosovës me çështjen e çlirimit nga dominimi serb. Pas luftës së Kosovës realiteti atje duket se është bërë më kompleks. Kanë lindur edhe probleme me njëri tjetrin edhe probleme me ndërkombëtarët. Tani duket se edhe atje ka shumë më tepër gjëra që i zënë me punë shqiptarët së brendëshmi, por gjithsesi domonon ende çështja e statusit. Pra, në thelb, mbetet konstantja se problemet me serbët dhe projektet e brendshme politike marrin shumicën e energjive dhe motivimeve duke e lënë në plan të dytë, madje thjeshtë retorik, çështjen e afrimit me shqiptqarët e këtej kufirit.
Ka mbetur gjithashtu nga ana e shqiptarëve të këtejshëm fakti se vështrimi i tyre mbetet i mbërthyer jashtë Ballkanit duke lënë jashtë edhe Kosovën. Pra duke qenë ëndrra e shqiptarëve të Shqipërisë jo nacionaliste por konsumiste, nëse mund ta quaj kështu, ata nuk gjejnë në Kosovë atë që kërkojnë dhe që u duket se e gjejnë në Perëndim, përveçse kur gjejnë Perëndimin në Kosovë në formë pagash të larta. Nga ana e Kosovarëve të cilët u zhgënjyen dhe dëshpëruan shumë kur shkelën për herë të parë në Shqipëri, sepse nuk e gjetën ashtu siç e kishin imagjinuar me dashurinë tyre, por në mjerim, duket se mbetet shija e hidhur e zhgënjimit. Duket gjithashtu se ka mbetur një mllef kosovar ndaj asaj se shqiptarët nuk e urrejnë ashtu siç duhet armikun serb, çka e vërteton edhe ftesa e Goranit. Kurse nga ana tjetër kemi një qëndrim të shqiptarëve të Shqipërisë ndaj serbëve ku ndjehet ende shumë fakti se ata kanë qenë njohur në Shqipëri si jugosllavë dhe Jugosllavia nuk është urruer sepse më shumë urrehej diktatura e Hoxhës që urrente Jugosllavinë e Titos.
Me një fjalë në tërësi sipas meje ka mbetur fakti që konstatoja edhe vite më parë se retorikat mbi solidaritetin për çështjen e madhe të kombit, tingëllonin gjithnjë e më formale, “gjithnjë e më shumë vegla të politikanëve në luftrat politike ndërkohë që, thellë thellë, si popuj, ndjehemi ende larg, jo rrallë edhe plot dyshime dhe mosbesim të ndërsjelltë.” Kujtoj se ato kohë, megjithë retorikat, thyhej përditë nga shqiptarët e këtejshëm embargoja e naftës mbi Serbinë.

Por ka edhe ndryshime. Një nga ndryshimet e mëdha është se 1999 ishte një moment i madh afrimi. Mikpritja e shqiptarëve të Shqipërisë atëkohë ndaj shqiptarëve të dëbuar të Kosovës u përjetua si një ringjallje e dashurisë së madhe të kultivuar për 80 vjet ndarje dhe pastaj të shuar njëfarsoj. Mirëpo, ndërkaq, ai vit dashurie sikur është harruar, sikur është lënë në heshtje. Ndoshta sepse është i bartur me shumë kujtime të hidhura ndër kosovarët. Ndoshta edhe për arsye të tjera që kanë të bëjnë me proceset në vazhdim.
Një ndryshim me rëndëri më duket se është edhe dobësimi shumë i madh i asaj fryme që shkaktoi, ndër të tjera, edhe reagimin kundër shkrimit tim të para dhjetë vjetsh. Asokohe vetë fakti i përdorimit të emrave Shqipëri dhe Kosovë sikur të ishin dy shtete më vete nuk pranohej nga shumica e shkruesve (veçanërisht kosovarë) që ndjeheshin të ofenduar, aq sa, për të evituar keqkuptimet ishte më e favorshme të përdorej shprehja “shqiptarët këtej e andej kufirit”. Sot sheh se ka një liri shumë më të madhe ndaj ideologjisë mbisunduese nacionaliste të fillimit e cila, gati me frymë totalitare, nuk lejonte të flitej për diferencat. Kjo edhe si rezultat i futjes me dhimbje të pluralizmit, por edhe në sajë të prezencës gjithnjë e më të madhe të Perëndimit. Por mbi të gjitha më duket për shkak të demonizimit që i është bërë idesë së Shqipërisë së Madhe nga të gjithë faktorët politikë në lojë.
Sot, pra, flitet hapur për Kosovë dhe për një shtet kosovar të pavarur nga Serbia, por kurrsesi për bashkim. Rugova gjatë kësaj periudhe krijoi edhe një flamur të ndryshëm. Ndërkaq, nuk është bërë e qartë se sa kjo ka qenë apo është pjesë e një strategjie për të fituar pavarësinë dhe pastaj për të filluar procesin e afrimit e pastaj bashkimit, sikurse e interpretojnë disa dhe sa kemi të bëjmë me përfundimin e një procesi historik që do të çonte në krijimin përfundimtar të dy shteteve. E nuk është e qartë, po ashtu, se sa kjo gjendje është rezultat i një pragmatizmi politik që merr parasysh faktorët jashtëshqiptarë sa rezultat i paaftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar një projekt të qartë e bindës afrimi e bashkimi dhe sa kemi të bëjmë me ambiciet e elitave të reja si këtej ashtu dhe andej që politikën nuk e kanë parë për gjë tjetër veçse për interesa të ngushta dhe që prandaj nuk e kanë në botëvështrimin e tyre çështjen që ka motivuar elitën paraardhëse kosovare.
Ajo çka mbetet në thelb e pandryshuar edhe në ndryshimet edhe në pandryshimet më duket se është pafuqia e shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e veta, vështirësia e komunikimit të sinqertë dhe të vërtetë me njëri tjetrin dhe nënshtrimi total ndaj vullnetit të më të fuqishmëve ndërkombëtarë. Ajo çka mbetet e pandryshuar është paaftësia për të kuptuar se procesi i afrimit i cili është një proces që duhet ta kuptojmë edhe në kuadrin e afrimit me Evropën ose ndryshe integrimin, është një proces që kërkon vullnet e projekte e punë serioze si për të ndërtuar brenda vendit shoqëri normale, si për të ndërtuar marrdhënie normale me fqinjët ashtu edhe për tu afruar me njëri tjetrin.
Si përfundim i këtyre që mund t’i quaj konstatime të pambaruara mund të them se ajo çka mbetet e pandryshuar, megjithë ndryshimet është se ndaj pyetjes nëse shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës po afrohen apo po largohen ndaj njëri tjetrit në krahasim me fillimvitet 90 përgjigja më e saktë që mund të jepet është ajo se ata nuk dinë të përgjigjen saktë edhe vetë sepse më së pari nuk kanë ndonjë projekt më së dyti sepse e kanë lënë veten në dorë të fatit apo të të tjerëve së treti sepse elitat kanë qëllime krejt të tjera nga ato që mund të quhen “e mira e përbashkët”. Me një fjalë sepse ata nuk e dinë as vetë se ku po shkojnë. (Korrieri 30 prill 2006)

No comments: