Wednesday, August 2, 2006

Shpërhapja e shëmtimit

Shkrimtari, regjizori, poeti italian Pier Paolo Pasolini, duke u shprehur në vitet 50 për bukurinë e pasurive kulturore dhe natyrore të Italisë shkruante se kishte shpresë vetëm te varfëria që ato të mund të ruheshin. Ideja e tij ishte se, përndryshe, nëse do të binin para në duart e italianëve injorantë e të babëzitur të pasluftës ata do të shkatërronin bukuritë e Italisë me shpenzimin e pamend të kësaj paraje.
Sa herë udhëtoj nëpër Shqipëri më vijnë gjithnjë e më shpesh ndërmend këto fjalë të Pasolinit. Sot mund të thuash se nëse ka vend ku mund të ilustrohet në mënyrën më dramatike kjo ide e Pasolinit kjo është Shqipëria. Vetëm paraja në duart e injorantëve, e në duart e kriminelëve të babëzitur do të mund të bënte këtë masakër shëmtimi që të sheh syri. Një shëmtim që po shpërhapet në mënyrë galopante nga qytetet për në rrethinat e tyre veçanërisht në zonën bregdetare të Shqipërisë me qendër pulsimi Tiranën e Durrësin.
Për të mos folur më për qytetet, ku ndërtimet janë bërë vetëm me një kriter: nxjerrja e maksimumit të metrave katrorë ndërtim/fitim në një truall, pa llogaritur më as stile e koherencë stilesh, as harmoni e proporcion me pjesën tjetër, pale ruajtje vlerash kulturore e historike, një nga masakrat më pak të folura, por gjithaq dramatike, është ajo që po i bëhet ambjentit e pejsazhit natyror, veçanërisht në zonat midis qyteteve e në bredgdet. Kush ka udhëtuar në rrugët Tiranë - Durrës, Tiranë - Elbasan, Tiranë - Shkodër e përgjatë vijës së bregdetit për në Vlorë ka asistuar në mënyrë të vazhdueshme në këtë shpërhapje të shëmtimit. Ndërtime pa kriter dhe pa stil ngrihen ku të munden, duke mos lënë më një zonë të gjelbër, një kodër, një pyll, një korie, një copë fushë pa e ndotur me beton. Lumenjtë që kanë qenë aq të bukur me ujrat e tyre të gjelbra në të kaltërt sot, për shkak të lavatriçeve pa numër apo dhe përdorimit si vendhedhje mbeturinash gjithfarsoj, shëmbëllejnë me copa shkretëtire dhe pejsazhi hënor të flakura mbi Shqipëri siç mund të flaken gjërat në një vend plehërash. Vijat e pejsazheve kodrinore në horizont, që kudo nuk lejohen të thyhen e ndryshohen, tek ne i sheh të gjymtuara vazhdimisht nga ndërtimet. Nuk po flas këtu për fshatrat ku shtëpitë e vjetra në vend se të restaurohen janë shembur në masë e janë zëvendësuar me të reja krejt njëlloj me njëra tjetrën në tërë vendin, pa asnjë lloj stili, duke humbur shumë e shumë vlera të arkitekturës lokale.
Kemi të bëjmë me një shëmtim galopant që të kujton tumorret e lëkurës që shpërbëjnë si fizikisht edhe estetikisht një pamje njeriu normal. Brenda 15 vjetësh ky tumorr është shpërhapur dramatikisht në lëkurën e Shqipërisë. Dhe, për fat të keq, e paradoksalisht, një nga shkaqet është mu paraja e keqpërdorur. Puna është se e tërë paraja që kanë akumuluar shqiptarët, para e pastër dhe e pisët (më së shumti), emigrantësh të jashtëm dhe të brendshëm, korrupsioni dhe pune të ndershme është kanalizuar për të ushqyer këtë turmorr. Dhe, pa dyshim, injoranca dhe babëzia në bashkveprim me njëra tjetrën po e ushqejnë atë. Mënyra se si veprohet më shpesh në funksion të këtij shëmtimi është kjo: nëse ka ndonjë zonë të bukur sepse aty ka edhe gjelbërim, edhe det të pastër edhe pejsazh magjepës rrotull, apo një kodër, një shpat mali, një pyll apo një breg lumi të këndshëm, gjëja e parë që u vjen në mend shqiptarëve është se atje duhet ndërtuar. Dhe shumë shpejt ajo çka shohim të ndodhë është shkatërrimi i këtyre zonave, kthimi i tyre nga të bukura në të shëmtuara sepse, përveç faktit që shkatërrohet ambjenti e pejsazhi janë pikërisht ndërtesat e stërshumta prej betoni e të ngritura pa asnjë stil e kriter urban e masë ato që e kthejnë atë vend të bukur në një shëmtim. Ndërkohë që duhet të ndodhte pikërisht e kundërta: njerëzit, meqënëse venë dorë dhe presupozohet se zbukurojnë kur venë dorë, i bëjnë ndërtimet mu atje ku sa më pak prishen këto bukuri e ekuilibre ekologjike dhe prej ku ato mund t’i kundrojnë e shijojnë apo vizitojnë dhe, jo vetëm, por, kur bëhet fjalë për jetesë, ato lihen për tu shfrytëzuar si toka buke, pyje apo burime hidrike, por edhe si nevojë e ruajtjes së atij ekuilibri ekologjik në të cilin jeta e njeriut shihet si pjesë dhe jo si dhunuese e natyrës.
Kurse, përkundrazi, në ndjekje të atij arsyetimi sa dritëshkurtër aq edhe kriminal sipas të cilit të bukurën nuk duhet ta jetojmë, por ta bëjmë pronë tonën, që, në fakt, është arsyetimi me të cilin manipulohen njerëzit që blejnë, kemi arritur në situata si ato të Durrësit e Sarandës. Brenda 15 vjetësh nga zona ideale për cilësinë e jetës, ku bashkohej natyra, peisazhi me klimën bregdetare me detin e rërën e pastër, por edhe me traditën e gjallë kulturore e me vlerat tradicionale e arkeologjike që zhvillojnë turizmin kulturor, ato u shndruan shpejt e shpejt në zona turizmi masiv dhe pastaj në zona banale banimi që, më në fund, kanë arritur në një shëmtim masiv.
Thelbi i problemit është se kemi të bëjmë me para të hedhura keq të menaxhuara keq sepse janë fituar keq, sepse janë para që nuk kanë ecur paralel me kulturën dhe as nuk janë produkt i saj, por i antikulturës. Janë para të rëna në duar injorantësh e të babëziturish. Dhe ajo më e tmerrshmja është se kjo injorancë nuk duket se po pakësohet. Ajo çka vazhdon të mbizotërojë në vend duket se është një rendje e ethëshme e këtij brezi shqiptarësh për të shfrytëzuar në mënyrën më barbare tërë burimet që ka ky vend e për të lënë prapa shkretëtirë qoftë kjo edhe shkretëtirë në trajtë ndërtimesh prej betoni e investimesh natyrëshkatërruese. Me një fjalë vazhdon llogjika e fillimiviteve 90, kur u prenë drurët e pemëve anësh rrugëv, për tu ngrohur në shtëpi. Veçse, nëse dje priteshin pemë e digjeshin për tu ngrohur në sobën vetiake, sot shkatërrohet çdo gjë natyrore për të ngritur shtëpinë vetiake, por edhe për të larë paratë e pista, pa kuptuar se po shkatërrohet e tëra ku bën pjesë edhe e jotja e pra në thelb po shkatërrohet edhe e jotja.
Po të përpiqemi ta përkthejmë këtë injorancë ajo do të thotë munges e atyre vlerave që lartësojnë cilësitë e jetës, e bëjnë atë më të bukur, më me kuptim më të larmishme; do të thotë po ashtu mungesë e shikimit afatgjatë të jetës, deri edhe e të ardhmes së fëmijëve, do të thotë mospërfillje e tjetrit e shum të tjera si këto. Dhe prandaj, tek e fundit, kjo që ne po bëjmë me shëmtimin e vendit ku jetojmë në thelb nuk është tjetër vese një pasqyrë e shëmtimit të jetës sonë të brendshme, e mungesës së atyre vlerave sociale dhe etike që e bëjnë njeriun një qënie sociale.

* * *
Ky shëmtim i yni i brendshëm nuk mund të bëhet pa bashkëveprimin në nivele politikash shtetërore sepse, tek e fundit, shteti nuk bën gjë tjetër veçse shpreh dhe menaxhon interesat e individëve e, kur këto janë kaq banale, ato do të ndikojnë edhe në programe politike banale. Madje politikanët tanë janë përhapësit dhe menaxhuesit më të mëdhenj të këtij shëmtimi në rritje. Mjaft të kesh parasysh marifetet e panumërta që kanë sajuar ata për të grabitur tokat në bregdet. Nuk mund të mos reflektohet tek politika edhe dritshkurtësia e atyre që mendojnë thjeshtë e vetëm për mbijetesë, edhe etja e një pjese për tu pasuruar shpejt e pandershmërisht edhe nevoja e ca të tjerëve për të pastruar paratë e drogës. Në vitet 90 zbritja e njerëzve nga mali, ku Shqipëria ka bukuri të rralla, por edhe burime të jashtzakonshme dhe përqendrimi i tyre në zonat bregdetare, u fut deri në programin e PD. Pasojat shihen sot në mënyrën më dramatike. Sot mund të ritregohet, si një variacion mbi temën e politikave të mbrapshta, një anekdotë që tregohej në kohën e komunizmit: Kur filloi reforma agrare doli një këngë që thoshte: “Dukagjinas zbrit nga mali, merre tokën që ta fali…” Pas ca kohësh, kur filloi kooperativizimi, dukagjinasit, të tmerruar nga ajo që po ndodhte në fushë, filluan të këndojnë vetmevet një këngë tjetër: “dukagjinas ik nga fusha, ngjitju malit si arusha.” Është koha për t’iu ngjitur malit, por ku të shkosh. Politikat shtetërore e programet partiake kanë ndjekur logjikën e mbrapshtë të prerjes e djegjes atypëraty të pemëve të rrugës pa menduar për pasojat afatgjata.
Për të mos folur për masakrën që ka bërë industria e ndërtimit e lidhur si mishi me thoin me politikën, si dhe për nevojën urgjente të kanalizimit të energjisë së saj në sektorë të tjerë të ekonomisë, (çka e kam trajtuar në shkrime të tjera) le të sjellim ndërmend projektet e njëpasnjëshme që i janë vërtitur dhe i vërtiten Gjirit të Vlorës dhe zonës përreth. Para do kohësh u fol për ndërtimin atje të një grupi tecesh që do të prodhonin energji për Italinë e Jugut. Ende nuk dihet se ç’do të ndodhë. Së fundi në këtë strategji të dritëshkurtësisë flitet edhe për ndërtimin në gjirin e Vlorës të një terminali të AMBOs, një naftësjellësi që do të vijë nga Lindja. Edhe ky është një projekt tjetër kriminal ndaj Gjirit. Le ta lemë mënjanë shkatërrimin që do t’i bënte pejsazhit gjatë tërë rrugës nga lindja e Shqipërisë për në Vlorë ky naftësjellës. Le të kemi parasysh vetëm se në këtë terminal planifikohet të vijnë anije çisterna që do të marrin 40 milion ton ne vit naftë bruto ose 1 milion fuçi në ditë. Kjo do të thotë se, sipas rregullit të lundrimit të këtyre anijeve, kur të vijnë atje, ato do të derdhin në det nga rezervuarët e tyre të naftës që quhen “ujrat e balancimit”, me të cilat duhet të mbushen çisternat që të lundrojnë pa u përmbysur. Pa llogaritur avujt që do to lëshojë nafta, vetëm masakra ekologjike që do të kryhet atje nga këta ujra të ndotur me naftë do të thotë të kthehet gjiri ende i bukur i Vlorës në një naftëhane e plehërhane të madhe.
Mirëpo politikanëve tanë duket se u mungon ndjenja e së bukurës e jo vetëm, por këtë vend e shohim vetëm si vend plehërash nga i cili kanë fitim të atypëratyshëm. Si plehëranë fitimprurëse e kanë parë Shqipërinë edhe ata shtetarë që lejuan shkatërrimin e bregut të Himarës me anije që merrnin rërën për ta çuar në plazhet greke. Si plehërane e shohin edhe ata që duan që Karaburuni të bëhet poligon qitje e Sazani vend eliminimi minash.
Rastet janë aq të panumërt sa të kap dëshpërimi po të shtrihesh edhe më gjerë në Shqipëri. Si plehërane e shohin Shqipërinë ata që kanë dashur të ndërtojnë këtu djegës plehërash ku do të digjeshin plehërat e tërë jugut të Italisë, që italianët vetë nuk i lejojnë të ndërtohen në vendin e tyre. Po si plehërane e shohin Shqipërinë edhe ata që kanë lejuar që në Bizë të Martaneshit të bëhet vit për vit asgjësim municionesh, çka, mes tjerash, rrezikon edhe ujrat nëntokësore. Le të flasësh pasataj për lejimin e masakrës së pyjeve në Lurë e në tërë Shqipërinë e Veriut. Kush merret me tregëtim duri mund të të thotë se tashmë gjithë materiali drusor vjen nga jashtë sepse nuk ka më material vendi ngaqë pyjet janë rrafshuar. Nuk di se ku mund të ndalojë ky numërim katastrofash kaq të mëdha në një vend kaq të vogël.
Duke shijuar bukuritë e rralla të bragdetit Jon, sa herë kam kaluar atje, edhe përpara se të lexoja idenë e Pasolinit për varfërinë si shpëtimtare, kam thënë me vete: do zoti nuk zgjerohet rruga Vlorë Sarandë që kalon nga Llogaraja sepse me këtë etje dhe këtë injorancë dhe me këto para droge e korrupsioni, po u zgjerua ajo rrugë e të mund të kalojnë atje lirisht kamionat e ndërtimit, do të shkatërrohet edhe kjo copë mrekulli që po i mbetet Shqipërisë, do të shkatërohen edhe fshtatra e bukur të bregdetit. Kam mësuar me dëshpërim se kjo rrugë ka filluar të zgjerohet dhe përsëri më janë kujtuar fjalët e Pasolinit. Në mungesë të njerëzve largpamës e adhurues të bukurive të këtij vendi duket se duhet bërë vërtet një lutje që të na mbarojnë paratë e fëlliqura, që të mund të ndalojë shpërhapja e këtij shëmtimi të jashtëm e të brendshëm. (Korrieri 25 Korrik 2006)

5 comments:

albanian atlantis said...

Shume interesante si teme.Une Durresin e dashuroj ai qytet ndaj edhe vet perpiqem qe ti laj borxhin per momentet me te bukura qe kam jetuar ne femijerine time ne kete qytet te magjishem.Tirana eshe e bukur gjithashtu .E tere eshte Shqiperia eshte nje perle por ne nuk dime ta shfrytezojme kete dhurate prej vet zotit.

Anonymous said...

Une jam nga nje qytet i vogel ne diku ne verilindje te Shqiperise.Kam emigruar prej disa vitesh ne perendim. Vitin e kaluar, pas shume vitesh mungese u ktheva ne Shqiperi per pushime.Gjate gjithe rruges per ne qytetin e lindjes nuk ngopesha se pari bukurit natyrore ende te virgjera ndoshta prej "varferise" qe ne fakt eshte evidente ne keto zona.Nuk e di po thelle ne vete frikshem uroja qe banoret e ketyre aneve te mbeteshin keshtu....

albanian atlantis said...

Shqipetareve do te ju duhej vetem turizmi dhe agrikultura per te jetuar denjesisht si qenie njerezore dhe asgje me shume.Fatkeqesisht prirja e njerezve eshte drejt rruges me te lehte qe dihet se eshte me mbrapshtja.Masakra ndaj natyres ne Shqiperi njgjason me shkaterimin qe po i ben Israeli Libanit.Ne rastin tone armiku numer nje i natyres dhe infrastruktures jemi ne.Greqia kur na shikon ferkon sigurisht barkun.Qari i saj qe fut me qindra miljona ne xhep cdo vit nga turizmi.Ne keto miljona i hedhim ne plehra.(cdo vit,cdo dite,cdo ore,cdo sekonde).

Anonymous said...

Ne keto ditet e sotme ,kur konsumi materal dhe shpirteror eshte aq i madh sa dhe hutues,sa i bollshem aq edhe i pa shijshem,natyra jone eshte shume e bukur qe zoti ja ka dhuruar shqipetareve qe te gjejne ngushellimin e tyre,prejen shpirterore,nga varferia mendore per te rregulluar veten e tyre,Rrojne ne pasuri ...por nuk jane akoma te gjithe ne nivelin e duhur,te normalitetit me rruge te pasterta,nuk te vjen mire qe te shikosh edhe mrekulline edhe pleren,papastertine e ambientit ku jetohet,mungesen e respektit ndaj njeri tjetrit, ste vjen mire kur shikon ne nje tavoline ,edhe policin edhe te paudhin ,edhe politikanin edhe te korruptuarin,edhe oficerin edhe ushtarin,s`te vjen mire kur shikon qe ne rruge makine ,kalojne edhe makinat, edhe lopet,gomaret, kur semaforetdhe vijat e kembesoreve jane formal,s`te vjen mire kur tjetri te godet me bryl, ose te hedh ne kanal, dhe nuk te thote me fal, o sa shume gjera te keqijaaaa, a po natyren na e ka dhene zoti,ajo eshte preja dhe ngushellimi yne i perhershem, ate na e ka dhene zoti,po ne cfare i japim atij... !! ???
Deri tani opingen .

Anonymous said...

ç'ti japim ne zotit? Zoti i ka te gjitha. Bile edhe ne na ka ne dore. Kshuqe nuk kemi ça i japim....