Saturday, September 2, 2006

Heshtja ndaj lirisë

Para disa ditësh në gazetën italiane La Republica socialisti liberal Giuliano Amato iu përgjegj një pyetjeje që u bëhet shpesh pas ndryshimeve të viteve ’90 socialistëve evropianë. Pyetja (e shtruar nga John Loyd në një shkrim të botuar disa ditë më parë po në La Republica të titulluar “Çdo të thotë të përcaktohesh socialist”) është pak a shumë kjo: pas kaq vite ndryshimesh në çfarë konsiston identiteti juaj? A jeni të sigurt se mund ta quani përsëri veten socialiste ndërkohë që në vend sesa ta nacionalizoni ekonominë, po e liberalizoni, po i reduktoni pensionet publike etj.? Vizioni që ofroni e vlerat e admirueshme për të cilat luftoni të tilla si pluralizmi, solidariteti, ambientalizmi dhe pasioni demokratik a mund t’ia faturoni krenarisë suaj socialiste? Apo, sugjeron Loyd, këto janë vlera që mund të konsiderohen tjetër gjë nga identiteti socialist si me thënë vlera që shtrojnë edhe çështjen se çkuptojmë sot kur flasim për të majtë e të djathtë.
Përgjigja që jep Amato në shkrimin e tij “Ja pse ndihem krenar që jam socialist” sillet rreth çështjes së lidhjes së lirisë me barazinë. Sipas tij “aspirata e madhe për barazi, interpretues të së cilës kanë qenë socialistët historikisht, është gjenetikisht e lidhur me lirinë”, “ajo aspiratë shprehte dëshirën e shenjtë të shumicës për ta pasur këtë të mirë, lirinë, të cilën e kishin shijuar vetëm pak në të kaluarën.”
Ajo që më nxit të shkruaj këto rradhë është se duke lexuar Amaton e menduar për Shqipërinë më lindi vetvetiu idea se në vendin tonë sikur ka një kohë të gjatë që nuk flitet më jo më për barazxinë por as për lirinë në kuptimin e lirisë për të gjithë, por sikur i gjithë debati ynë (edhe kur përmendet aq rrallë liria, për të mos folur për barazinë), është i përqendruar në negociatat që bëjnë dy partitë kryesore në dukje në emër të lirisë së votës, por në thelb për të ndarë pushtetin që çprej 15 vjetësh ka prodhuar tjetër po krejt tjetër gjë nga ajo që mund të quhet liria si aspiratë e të gjithëve.
Në fakt do të duhej të flisnin për lirinë të gjithë ata që sot vetëquhen të majtë duke bërë edhe një analizë të asaj periudhe nga kemi dalë kur, për shkak të ideologjisë komuniste, liria dhe barazia iu kundërvunë njëra tjetrës, por gjithë duke venë në dukje se aspirata për barazi si kusht i lirisë ka nënkuptuar dhe nënkupton reforma të rëndësishme shoqërore e politike sepse shëndeti për të gjithë apo arsimimi për të gjithë nuk mund të realizohet duke u çuar të gjithëve doktor apo mësues privat në shtëpi, por duke krijuar spitale e shkolla publike.
Ndërkohë që një socialist i sotëm shqiptar do të duhej të trajtonte këtë lidhje midis lirisë dhe barazisë një liberal i djathtë, duke i mshuar të drejtës së individit për tu pasuruar në një kompeticion të ndershëm ku i vetmi rregulator është ligji i mbrojtur nga shteti do të argumentonte se kjo do të sillte më shumë të mira për të gjithë dhe prandaj më shumë liri për të gjithë. Por do të duhej të flisnin sot ata që vetëquhen liberal demokratë apo të qendrës së djathtë edhe duke patur parasysh se çfarë ka prodhuar në vend liberalizimi dhe tregu ynë i lirë alla shqiptarçe.
Problemet që ngrihen sot, si të së majtës dhe të së djathtës, janë shumëplanësh. Ato kanë të bëjnë me identitetet e tyre që në fakt mungojnë, kanë të bëjë me përcaktimin më qartë edhe të ndryshimeve midis tyre, çka do ta orientonte edhe më mirë elektoratin, por kanë të bëjë edhe me një pikë të përbashkët ku duhet të puqen të dyja pavarësisht se duke u nisur nga dy drejtime të ndryshme: liria.
Ajo që vihet re është se pas 15 vjetësh flitet aq pak për lirinë në Shqipëri. A mos vallë pse ekzoston iluzioni se atë tashmë e kemi fituar? Apo pse ka një stresim të tillë saqë duket si luks të flitet për lirinë kur njerëzve u duhet të mbijetojnë? Apo koncepti për lirinë është aq i ngushtë tek ne, për shkak të paditurisë që na ka pllakosur, saqë shumica nuk e ka as si problem ngase nuk e di se çështë ajo përtej disa kufijve të ulët që e reduktojnë atë në lirinë biologjike? Të treja mund të jenë të vërteta e që të treja theksojnë nevojën e debatit mbi lirinë.
Sot mungojnë përgjigje ndaj një pyetjeje kardinale si ajo: a e fituam ne lirinë në vitin 90 dhe a jemi sot pra të lirë? E vërteta është se kur dolëm në vitet 90 nga diktatura u fol shumë se kishim fituar “lirinë nga” (freedom from) por nuk kishim ndërtuar “lirinë për” (freedom to) nëse do të përdorim dy kontepte të mirënjohura të Fromit. Thënë ndryshe tjetër gjë është të të hiqen zinxhirët dhe tjetër gjë është të mund të ecësh me këmbët e tua, tjetër gjë është të të hapet dera e kafazit e tjetër gjë është të fluturosh. A po ecim ne dot me këmbët tona, a po fluturojmë ne dot në qiejt e kësaj bote? Këto janë pyetjet që sikur po harroet të ngrihen sot.
Më konkretisht këto pyetje mund të shtrohen edhe kështu: A mund të quhemi të lirë kur nuk kemi të drejtat themelore si ajo për të lëvizur. A mund të quhemi të lirë kur jemi përditë nën ankthin e një të ardhmje të pasigurt? A mund të quhemi të lirë kur një e treta e bashkatdhetarëve jetojnë si qytetarë të dorës së dytë në vende të huaja pa të drejta atje si gjithë qytetarët e atyre vendeve dhe pa mundësi jete normale në vendin e tyre? A mund të quhemi të lirë të rrethuar nga krimi? A mund të quhen të lira prostitutat e trafikuara? A mund të quhen të lirë trafikantët e tyre? A mund të quhen të lirë tërë ajo armatë të papunësh? A mund të quhen të lirë ajo armatë të paditurish?
E ndërkohë që ngrihen tërë këto pyetje ajo që bije në sy në vendin tonë është heshtja si nga e majta edhe nga e djathat ndaj lirisë si aspiratë e të gjithëve.
Pas eksperiencave tragjike të shekullit XX sot një gjë është tashmë e qartë - sikurse e thotë edhe Amato në shkrimin e tij, - se historia nuk udhëhiqet nga rregulla shkencore siç besohej në kohën e komunizmit e fashizmit, se ajo nuk mund të drejtohet drejt synimesh finale, por se ajo ushqehet nga lëvizje në të cilat, nga ana tjetër, duhet të dish të orientohesh duke kërkuar të kesh një busull. Nëse e majta ka si busull aspiratën për barazi kurse e djathta iniciativën sa më të papenguar të individit për tu realizuar që të dyja tek e fundit duhet të shënojnë një nord, lirinë. Heshtja për lirinë është njëlloj sikur një shoqëri të ketë humbur busullën ose sikur asaj nuk i duhet busulla sepse nuk ka dëshirë të lëvizë apo pse është mësuar ta lëvizin të tjerët. (Korrieri 31 gusht 2006)

1 comment:

N.Ago said...

Zoti Lubonja!
I ...degdisur me vetëdashje, larg atij që ne, e quajmë me krenari Atdhe, m'u dha dikur mundësia të lexoj diçka nga Ju! Ajo që më ngeli në mend, ishte një pjesë e një fjalie ku, përafërsisht shpreheshit kështu: shqiptarët (ose Shqipëria) jemi një udhëkryq kulturash, traditash dhe popujsh! Përafërsisht, e theksoj. Madje, kam idenë se, qe shkruar në gazetën e mirënjohur greke "TO BIMA" (TO VIMA)!Kjo, vërtetohet gjithandej dhe shumëllojshmërisht e përditë, nga vetë ne, shqiptarët, fatkeqësisht. Desha , zoti Lubonja, t'ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time, për ç'ka keni bërë dhe bëni, për të "zbardhur" mësëfundi termin shqiptar nga hiperbolat që e kanë veshur kohëpaskohe, historianë dhe ..."historianë", të cilët, për të ledhatuar dhe përmbushur misionin e tyre nacionalist, më shumë i kanë bërë dëm, duke e shtrembëruar në të vërtetë figurën dhe "profilin" e shqiptarëve, sesa i kanë ardhur në ndihmë!
Zëra si ky i Juaji dhe ai i intelektualit tjetër shqiptar që jeton në Athinë, Gazmend Kapllanit, janë padyshim, refleksione të arta në turbullirën e përgjithshme që mbizotëron në jetën politike dhe socilale të Shqipërisë!