Monday, January 22, 2007

Operacioni i hapjes së dosjeve dhe kirurgët kasapë

Gjatë kësaj jave në skenën politike është rikthyer si temë ditë hapja e dosjeve të ish-sigurimit. Si e shikoni këtë inisiativë të re të politikës shqiptare dhe si duhet bërë një veprim i tillë?

Inisiativa ishte nisur për dënimin e krimeve të komunizmit dhe, sipas meje, reduktimi i një çështjeje të tillë kaq të rëndësishme në çështjen nëse duhen hapur apo nuk duhen hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit është një mëkat i ri i politikës, por edhe i gazetarisë, ndaj kësaj çështjeje. Sepse çështja e dënimit të krimeve të komunizmit është shumë më e madhe e më e rëndësishme sesa çështja nëse duhen hapur apo jo dosjet. Çështja e dosjeve dhe e bashkëpunëtorëve të Sigurimit duhet parë si pjesë e kësaj çështjeje shumë më të gjerë e më të thellë. Në thelbin e vet kjo çështja ka të bëjë me ndërgjegjësimin sa më të thellë e sa më të plotë të shoqërisë për atë sistem, për atë mënyrë të menduari e të vepruari politik, për atë lloj raporti të individit me pushtetin për atë degradim që i sjell qënies njerëzore një regjim që shtyp liritë – e të gjitha këto me synimin që ato të mos harrohen kurrë që të mos përsëriten kurrë. E shoqëruar kjo, pa dyshim, edhe me kultivimin e respektit për tërë ata që i kanë bërë rezistencë atij regjimi duke dhënë shembullin moral të mospajtimit me të keqen ashtu sikurse edhe dënimin e atyre që janë bërë vegla të së keqes. Reduktimi i gjithë kësaj problematike në batutat e politikanëve që sulmuan njëri tjetrin me pseudonimet e tyre siç ndodhi në parlament dhe pastaj me sfidat retorike që i hedhin njëri tjetrit “hajt t’i hapim që të shohim se kush jeni ju dhe kush jemi ne” – të gjitha këto në funksion të luftës së tyre aktuale për pushtet – si dhe reduktimi në shtyp i gjithë problematikës vetëm në këtë çështje për mua është një fyerje ndaj gjithë atyre që kanë përjetur seriozisht tragjedinë e atij sistemi. Është fyerje po ashtu për inteligjencën njerëzore që kërkon të kuptojë e të mësojë e të racionalizojë.
Ja pse siç e shihni po vonoj t’ju jap përgjigjen direkte për atë që kërkoni, sepse edhe në pyetjet tuaja reflektohet ky reduktim i gjithë çështjes në atë të dosjeve. Nuk mund ta mohoj se një çështje e tillë ka tërheqjen e vet të veçantë gazetareske pasi ka të bëjë me diçka të fshehtë që duam ta mësojmë, me diçka që e dimë, por nuk e dimë, me diçka që fshihet prapa shumë njerëzve të njohur e që ndoshta do të shpjegonte më mirë shumë nga sjelljet e tyre. Pa dyshim pra në këtë kontekst çështja e dosjeve përbën një lloj skupi gazetaresk, por detyrën e shypit e shoh edhe si detyrën e atij që kërkon të shohë përtej dhe më thellë skupit.
Për t’i dhënë një përgjigje më direkte pyetjes suaj: inisiativën e politikanëve tanë të së djathtës për tu marrë me dënimin e krimeve të komunizmit e shoh si një inisiativë të mirë, por që në rastin në fjalë rezultoi e dështuar mu sepse çështja e shpallur u reduktua në gjetjen e një mjeti për të sulmuar dhe diskredituar kundërsharët politikë. Besoj se kjo insiativë lindi nga festimi i Pezës ku e ashtuquajtura e majtë, nisur nga një pragmatizëm elektoral, por edhe nga një shterpësi kreative e së tashmes për shak të korruptimit moral, tentoi të mbledhë të rinjtë sëbashku me veteranët rreth kësaj feste të Luftës Nacional - Çlirimitare, që ka qenë festë e komunistëve, dhe nuk hezitoi, për të mikluar elektoratin që ende ka nostalgji për Enver Hoxhën, të përmendë atje pozitivisht edhe emrin e diktatorit të urryer. Pa dyshim kjo duhet dënuar dhe pa dyshim socialistët kanë përgjegjësi të madhe që për tetë vjet që ishin në pushtet kryen një reabilitim të butë të diktaturës dhe të figurave të diktaturës dhe lanë në heshtje shumë nga krimet e komunizmit. Por mënyra se si u trajtua në Parlament nga deputetët inisiatorë qe shumë e cekët – në vend të analizës së kësaj çështjeve atje dëgjuam pamflete të vonuara antikomuniste ku sejcili sikur kërkonte të provonte se sa e urrente komunizmin e duke nënkuptuar me këtë se komunistët ishin ata që kishin në krahun e opozitës së asaj salle. Nuk dëgjova askënd që të kishte përgatitur një analizë serioze se çfarë kanë bërë e nuk kanë bërë socialistët gjatë këtyre tetë vjetëve për të shpjeguar pse ne sot mund të themi se jemi larg dekomunistizimit të Shqipërisë. Edhe propozimet për dekomunistizimin qenë shumë të pakta e të cekëta. Ndërkaq, ndaj këtyre pamfleteve pamë deputetin socialist ish kryeredaktorin e Zëri i Popullit Dokle të mbajë një fjalim që filloi me gjoja shprehjen e ndjenjave të sinqerta dënuese për atë regjim, por që s’vonoi dhe nxorri helmin duke filluar të rendisë pseudonime personash që kanë qarkulluar në shtypin tonë e që thuhet se i korespondojnë figurave demokrate. Nënteksti ishte i qartë: mbylleni gojën e mos na akuzoni si komunistë sepse shumë nga ju kanë qenë spiunët e komunizmit. Duke nisur që këtu për mua çështja degjeneroi në sherr retorikash midis këtyre dy kampeve, pa asnjë tentativë thellimi që, sipas meje, pati një nga pikat e veta kulminante momentin kur Berisha u tha socialistëve: në 91-shin rrëzova nga pushteti baballarët tuaj kurse më 2005-sën ju rrëzova ju duke bërë kështu një thjeshtëzim bardhë e zi maksimalist të çështjes e duke harruar se ai vetë i pari dhe shumica e atyre që kishte në krah më 91-shin qenë komunistë, madje një pjesë edhe bij komunistësh, dhe po ashtu se në 2005-sën situata dhe problematika që e solli në pushtet ka qenë shumë më komplekse sesa ndarja komunistë antikomunistë.

Ky hap, d.m.th hapja e dosjeve a mund të jetë një lëvizje pozitive për Shqipërinë apo do të shkaktojë një tjetër kaos social dhe politik në vend. Pra a duhet të bëhet një ndarje e dosjeve që mund t'i nënshtrohen publikimit?

Hapja e dosjeve nuk mund të jetë një akt që mund të gjykohet i ndarë nga konteksti se kur bëhet, pse bëhet dhe kush e bën. Varësisht nga ky kntekst mund të gjykohet nëse kjo mund të jetë një lëvizje pozitive apo negative. Shkëputur nga konteksti është vështirë të gjykohet. Parimisht dhe idealisht mund të thuhet fare mirë se kjo duhet bërë dhe sipas meje duhet bërë për të gjithë dhe jo vetëm për politikanët apo figurat publike. Pse e them këtë? Sepse nëse flasim për katarsis duhet të nënkuptojmë një katarsis të të gjithë shoqërisë në mënyrë kapilare. Pra, ajo që do të qe ideale të bëhej do të ishte që cilido të kishte të drejtën të shkonte në arkivë dhe të shfletonte dosjen e tij ku të gjente se cilët janë shkaktarët e tragjedisë së tij. Është një e drejtë e rëndësishme e njeriut sipas meje. Është thënë shpesh se dosjet duhen hapur për poltikanët dhe sigurisht ka një arësye më shumë që njerëzit publikë të njihen më mirë nga publiku pa ua hequr atyre, megjithatë, të drejtën për tu zgjedhur apo për të zgjedhur sepse edhe kjo do të ishte një shkelje. (Aq më tepër po të kemi parasysh se ne e kishim një ligj lustracioni që parashkonte moszgjedhjen në poste të larta të ish bashkëpunëtorëve deri në vitin 2002 me sa mbaj mend, me të cilin punoi Bezhani.) Pra, do të ishte po ashtu shkelje e të drejtave të njeriut edhe heqja e të drejtës së njerëzve të thjeshtë për të ditur se cilët kanë qenë “njerëzit e thjeshtë” që u kanë shkaktuar atyre tragjedinë.
Duke vazhduar të flas idealisht pra do të thoja se ky proces nuk duhet parë si një mënyrë për të kapur e linçuar në shyp persona të caktuar publikë e për t’i asgjësuar ata si persona, por si një mundësi që do të na jepej në nivele shoqërore edhe familiare për tu thelluar në atë tragjedi, për tu pastruar moralisht, pa përjashtuar denoncimin publik për ata që meritojnë të denoncohen.
E këtu vijmë tek realiteti që ka të bëjë me çka thashë në fillim: tek konteksti se kur kryhet, pse kryhet dhe kush e kryen një akt të caktuar. Psh., a mund të bijem ne dakort që hapjen e dosjeve të ish spiunëve ta kryejnë vetë ish spiunët apo ish rekrutuesit e tyre. Besoj se jo. A është e përshtatshme që ato të hapen në një kohë kur kemi një klimë politike tejet të acaruar dhe kur po kërkojmë të dimë nëpërmjet komisionesh hetimore se cilët politikanë kanë vjedhur e sa kanë vjedhur. Besoj se nuk është e përshtatshme. A është mirë që hapja e dosjeve të kryhet për të asgjësuar selektivisht kundërshtarët politikë dhe jo për të vendosur drejtësinë? Edhe kjo besoj se e ka përgjigjen të qartë “jo”. E pra mua më duket se ky është konteksti ynë. Këtë e provon edhe fakti se tani po na thuhet më qartë se kurrë më parë fakti se tek dosjet gjatë kësaj periudhe ka pasur ndërhyrje pastrimi e selektimi. A nuk do të ishte më mirë të marrim ata që kanë qenë përgjegjës për ruajtjen e tyre dhe t’i akuzojmë e dënojmë? Pse nuk e kanë bërë këtë socialistët që po e denoncojnë me forcë këtë pastrim?
Shkurt, po të përdor një figurë që e kam përdorur edhe herë tjetër kjo puna e hapjes së dosjeve është njëlloj sikur të kesh të bësh me një trup të sëmurë që duhet operuar, por që nga ana tjetër që të kryhet operacioni duhet që trupi të ketë ca parametra shëndeti që të mos rrezikohet më keq dhe, po ashtu, që kirurgu duhet të jetë kirurg dhe jo kasap. Mua më rezulton se kemi një trup të dobët dhe jemi në dorë kasapësh. Dhe ajo që më shqetëson në këtë diskutim veçanërisht është se kjo elitë politike dhe kulturore sikur ka një strategji të vetëdijshme apo të pavetëdijshme që nëpërmjet trajtimit prej kasapësh të kësaj çështjeje ta shtyjë sa më shumë operacionin e hapjes së vërtetë të dosjeve.


Edi Rama ka mbushur një vit në drejtimin e Partisë Socialiste. Si do ta gjykonit ju këtë periudhë për socialistët dhe a mendoni se është bërë ndonjë hap në reformimin e PS-së.

Po të vini re fjalimet e Ramës do të konstatoni se ai gjithnjë e më shumë, kur flet për mazhorancën, përdor termin “pushtues”. Me fjalë të tjera ardhjen e PD në pushtet ai e konsideron një pushtim nga të huajt dhe tërë energjitë e veta e të të vetëve tenton t’i shpenzojë për të çliruar vendin nga ky pushtim. Jemi pra në një retorikë lufte dhe shpirti i luftës është revolucioni dhe mobilizmi i luftëtarëve dhe jo reformimi. Retorikat anti Berishë po ta vini re kanë arritur kulmin edhe pse, për ta thelluar edhe më këtë shpirt mobilizimi, rritet gjihtnjë e më shumë rreziku i armikut. Po të kemi parasysh situatat e luftës ato, pra, kërkojnë bashkimin e sa më shumë njerëzve kundër armikut. Po t’i referohemi madje Konferencës së Pezës, që socialistët e festuan së fundi, parrulla e saj ka qenë bashkimi pa dallim feje, krahine, dhe ideje kundër armikut të përbashkët (nën udhëheqjen e Partisë Komuniste). Mua më duket se Rama po punon në këtë frymë lufte për të bashkuar nën udhëheqjen e socialistëve tërë kundërshtarët e Berishës duke i kërkuar këta ku të mundë pa dallim feje, krahine dhe ideje. Që nga veteranët pleq të luftës deri tek të rinj neoliberalë duke kaluar nëpër partinë e Ilir Metës që u nda me bujë nga PS-ja me premtimin e një të majte ndryshe duke përfshirë edhe deputetë të PD-së mundësisht. Edhe ideologjikisht kërkon të bashkojë idetë e majta të barazisë me çdo lloj iniciative të lirë të reklamuar nga neoliberistët. (Së fundi e pashë në një televizion privat të flasë kundër televizionit publik e të gloirifikojë iniciativa si ato të pronarit të atij televizioni pa u bërë merak fare se disa minuta më parë kishte shpalosur ide të majta. )
Dua të them pra se në këto kushte lufte apo rezistence të ethëshme e që nuk pret kundër armikut është vështirë të flitet për reformë. Reforma apo më shqip ri formimi i një force politike kërkon më së pari ndarjen, pastrimin, ndryshimin e shumë gjërave. Është një punë që do kohë dhe gjendje paqeje. Sipas meje reformimi kryesor do të duhej të kryehej në dy drejtime: së pari pastrimi i partisë nga të korruptuarit dhe, së dyti, ndryshimi i përbërjes së partinë në atë mënyrë që ajo të mos përfaqësojë më shtresat e më të pasuruarve nëpërmjet korrupsionit, por ato shtresa që duhet të përfaqësojë një parti e majtë. Mirëpo kjo është objektivisht e pamundur të bëhet nga ata që janë vetë për tu pastruar. Ata detyrë të parë imediate kanë mbrojtjen e vetes dhe të interesave të tyre. Prandaj sipas meje, tamam pamundësia e reformimit bën që ky të zëvendësohet me bashkimin në luftë kundër armikut, nën një lider luftarak dhe shpresa e vetme të mbetet që armiku të bëhet sa më i keq e që lideri të bëhet sa më i fortë. E siç kuptohet kjo vetëm reformë nuk sjell. Pasojat e ushqimit të kësaj fryme lufte për vendin janë një polarizim dhe konfliktualitet ekstrem i barsur me rreziqe të mëdha. (Rubrika Përpjekja, Standart, 14 tetor 1006

1 comment:

AK said...

Jam plotesisht dakort me ju per konteksin ne te cilin pretendohet te behet publikimi, ne cdo forme apo menyre, i dosjeve te Sig.Shtetit. Ne kohen qe po jetojme ne Shqiperi, cdo gje perdoret ne funksion te luftes ndaj kundershtarit politik te radhes. Nje veprim i tille (hapja), i bere sot, do te perdorej per qellimin e gabuar. Mendoj se jemi vite drite larg 'pastrimit moral', per te cilat keto dosje mund te shebejne. Per ta mbyllur, mendoj se politika shqiptare sot, ka probleme shume me imediate te diktuara nga situata ekonomiko-politike (nje shembull emblematik: ENERGJIA!!!!). Do te ishte mire qe fuqıte dhe 'talentin' e tyre, keta njerez qe flasin per hapje e mbyllje dosjesh, ta shpenzonin per te adresuar te tilla probleme.