Friday, June 1, 2007

Kjo krizë duhet shfrytëzuar për ndryshimin dhe jo përforcimin e metodave të vjetra

Fatos Nano është rikthyer për të disatën herë, por me një qëndrim paksa të ndryshëm nga herët e tjera duke lënë të kuptohet se synon të bëhet president i vendit. Ju si do ta shikonit Fatos Nanon në postin e krytetarit të shtetit dhe a ka shanse që ta arrijë një qëllim të tillë?

Më duket se pyetja nuk duhet shtruar vetëm në aspektin se sa e mundur është një zgjedhje e Nanos më 2007 president. Së bashku me këtë pyetje mund të shtrohen edhe disa pyetje të tjera të rëndësishme. Së pari duhet shtruar pyetja se ç'tregon kjo mundësi e rritur e Nanos për tu rikthyer në rol lideri në politikë? Duhet shtruar gjithashtu pyetja nëse duhet pranuar apo nuk duhet pranuar një kthim i Nanos në një post kaq të lartë e të nderuar ose ose, edhe më fort akoma, a duhet inkurajuar apo nuk duhet inkurajuar kjo, apo mos dhe duhet luftuar një mundësi e tillë. Sepse nganjëherë ne pyesim nëse një zhvillim mund të ndodhë, por, nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se edhe vetë përgjigja jonë mund të ndikojë sadopak që një zhvillim për të cilin pyetemi të ndodhë apo të mos ndodhë. Dhe veçanërisht në rastin e analistit apo opinionistit detyra e tij, sipas meje, nuk është thjesht të përpiqet të bëjë një parashikim objektiv nëse një ngjarje do të ndodhë apo jo, por, krahas analizës, të përpiqet të ndikojë me subjektivitetin e tij, në ndodhjen apo mosndodhjen e kësaj ngjarjeje.
Atëhere le t'i marr me rradhë çështjet që shtrova. Gjëja e parë që duhet komentuar është se pse sot po flitet më shumë se kurrë për një rikthim të Nanos në politikë madje edhe për presidencën e tij më 2007. Sipas meje sepse me zhvillimet e fundit është krijuar një gjendje ku për mazhorancën nuk është më prioritet korrupsioni dhe lufta kundër tij, por po bëhet prioritet stabiliteti i pushtetit të vet dhe, më anë tjetër, për opozitën nuk është më prioritet të shpëtojë nga mundësia e dënimit të liderve të vet të korruptuar nga Sali Berisha, por mbetja e barrës së përgjegjsisë për krijimin e një gjendje konfliktualiteti që mbart me vete rreziqe të mëdha për të dyja palët dhe për tërë shoqërinë njëkohësisht. Në këto kushte figura e Nanos thirret në skenë si figurë që ka ditur të manovrojë shumë më mirë me situatat konfliktuale sesa lideri i ri i PS Edi Rama i cili, pa dyshim, është një nga përgjegjësit kryesorë për situatën e krijuar që ka vënë në dikutim deri edhe aftësinë tonë për të bërë zgjedhje. Po merr rëndësi pra aftësia e Nanos për të bërë zgjedhje madje edhe për tu tërhequr e pranuar humbjen kur tensionet kanë qenë të larta, shkurt një farë fleksibiliteti i tij i cili, jo gjithmonë, sipas meje, ka qenë shenjë urtësie për të mos thënë se në disa raste ka qenë shenjë edhe papërgjegjshmërie dhe paaftësie për të ruajtur autoritetin e shtetit. (Kam parasysh këtu veçanërisht ikjen e tij në Maqedoni kur iu sulmua kryeministria ditën e varrimit të Azem Hajdarit.)
Po pse duhet të ndodhë që ky person fleksibël të jetë Nano? Sepse Nano ka ende autoritet në parti e mbi të gjitha sepse ka një numër deputetësh që janë të vetët, pra Nano jo vetëm është personi me karakteristikat e njeriut fleksibël, por ka, nga ana tjetër, edhe mundësi reale që të luajë një rol në këtë moment. Shkurt pra ai mendon se po i përgjigjet nevojës së kohës. Ose më saktë akoma ai po përpiqet të shfrytëzojë momentin e krijuar për t'u kthyer në politikë.
Mirëpo mu këtu lind çështja: në faktin se Nano po shfrytëzon një moment të krijuar për interesat e tij personale dhe jo për interesat e vendit e as të zhvillimeve politike. Nano president do të krijonte sipas meje më shumë probleme sesa do të zgjidhte. Vërtet ai do të zgjidhte krizën e qeverishmërisë së Berishës edhe për dy vjet, por kjo do të kishte një kosto shumë të madhe. E kam thënë edhe herë tjetër se rikthimi i Nanos do të zhvleftësonte menjëherë votat që mori Berisha në 3 korrik. Berisha, duke votuar Nanon, do të mund të mbetej i ligjshëm, por do të humbiste legjitimitetin e tij. Kurse opozita edhe më keq, jo vetëm që do të përçahej, por do të humbte çdo shans që të mund të pastrohej nga të korruptuarit dhe të reformohej.
Personalisht mendoj, - e kam thënë edhe herë tjetër në këtë rubrikë - se një kthim i Nanos në rolin e Presidentit do të ishte faza e fundit e më dëshpëruesja (që nuk e përjashtoj se mund të zgjasë jo pak) e mbizotërimit në politikë të kësaj nomenklature të vjetër e të re të ashtuquajtur demokratike që u krijua nga inteligjencia që doli nga komunizmi me një traumatizim të fortë çka e bëri moralisht të paaftë për të ndërtuar ideale e besim tek principet. Ajo që më dëshpëron edhe më shumë është se, nën shembullin dhe modelin e saj, po dalin në skenën politike të rinj që më duken se përfaqësojnë një fenomen bastardimi edhe më të keq e që, në një farë mënyre, po sigurojnë vazhdimësinë e kësaj klase politike. Por le të shpresojmë se ndërkaq fara e së mirës ka mbetur diku qoftë edhe tek vetë një pjesë e këtyre njerëzve.

Një takim Berisha Rama që po përflitet herë pas here a mund të jetë zgjidhja më e mirë e krizës politikë për zgjedhjet lokale që sipas dekretit të presidentit do të zhvillohen në 20 janar?

Nga sa gjykoj unë nëse do të ndodhë një takim i tillë ky nuk do të jetë zgjidhja e krizës, por thjesht akti final i një zgjidhjeje tashmë të arritur në prapaskenë, si të thuash "firmosja" e marrëveshjes së përgatitur para takimit.
Nuk mendoj kurrsesi se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Jam kundër këtyre akteve që tregojnë një gjendje parademokratike të shoqërisë sonë, (çka është e vërtetë), por që, edhe më keq, e përforcojnë atë gjendje (dhe kjo nuk duhet inkurajuar). Po të vesh re përvojën, takime kokë më kokë liderësh bëhen vetëm midis palësh që janë në konflik apo luftë të armatosur midis tyre. Kurse ne jemi një vend që pretendon se shkon drejt demokracisë ku mosmarrëveshjet apo edhe konfliktet që mund të ndodhin zgjidhen vetëm nëpërmjet institucioneve dhe jo nëpërmjet takimeve kokë më kokë të liderëve. Kurse kjo do të thotë të vazhdojmë të përforcojmë autoritetin e personave e të marrëveshjeve (shpesh në kundërshtim me ligjin apo kushtetutën) dhe jo autoritetin e ligjit. Vetëm respektimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve garanton zgjidhjen e situatave si kjo që kemi dhe jo përqendrimi i pushteteve në një apo dy persona, qofshin edhe shpëtimtarë, pale që janë shpëtimtarë të rremë. E konsideroj negative edhe atë thirrjen që bën herë pas here Presidenti kur thotë se është gati të shkelë kushtetutën për të ndryshuar datën e zgjedhjeve po qe se partitë arrijnë një konsensus për këtë. E ç'kuptim ka kjo? Pse është president ai atëhere, për të bërë atë që u teket partive apo shefave të tyre në interes të tyre? Përkundrazi ai është atje për tu bërë garantues i mbrojtjes së Kushtetutës. Ai duhet të kërkonte respektimin e ligjit e të Kushtetutës me forcë nga të dyja palët. Kurse mesazhe të tilla japin pikërisht perceptimin tek njerëzit se tek ne shteti nuk ka për të funksionuar kurrë me institucione, por vetëm me vullnete mujsharësh.
Le të jap një shembull nga nje vend perëndimor që nuk shquhet për demokraci sepse, pas fashizmit, ka kaluar edhe afro katër dekada në një sistem thuajse monopartiak sepse ka pasur në pushtet gjithnjë demokristianë. E kam fjalën për Italinë. Atje ka një konfliktualitet mjaft të ashpër midis dy poleve që janë krijuar pas viteve '90, atij të qëndrës së djathtë të Berluskonit dhe të qendrës në majtë të Prodit. Ka madje edhe një antipati të fortë personale midis Prodit dhe Berluskonit. Por, megjithë problemet që kanë pasur, as që mendohet ndonjëherë që çështje të tilla si këto që janë krijuar tek ne me rastin e zgjedhjeve, por edhe në përgjithësi, të zgjidhen nga takime kokë më kokë midis Prodit dhe Berluskonit.
Prandaj gjykoj se pikërisht këto raste krizash, që mes tjerash kanë vënë në dukje edhe se sa e dëmshme dhe e rrezikshme është kur tërë pushteti akumulohet në persona e jo në ligj, duhet të ndikojnë që të lindë nevoja e forcimit të ligjit dhe të institucioneve. Kjo krizë, pra, duhet shfrytëzuar për ndryshimin dhe jo përforcimin e metodave të vjetra. Në këtë kontekst them se kjo krizë tregoi edhe se sa e rëndësishme është ekzistenca e institucioneve që nuk varen nga partitë, si psh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tregoi pra se këto lloj institucionesh nuk duhet të ndërtohen me formula balancimi, sepse kështu bëhen shumë kollaj pjesë e konfliktualitetit.
Kurse duke e patur shpresën tek zgjidhja nëpërmjet personave dhe partive që ata krijtojnë dhe jo institucioneve e ligjit ne nuk bëjmë tjetër veçse përgatisim krizën tjetër të ardhëshme që do të na e shkaktojnë po këta persona e po këto parti sepse ata/ato nuk do të kenë frikë nga ligji sepse ne i bëjmë të jenë ligji vetë.

Beteja për Tiranën duket se është thelbi i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Duke i analizuar të dy kandidatët si do t'i vlerësoni projektet që ata kanë për Tiranën në 3 vjetët e ardhëshme?

Të them të drejtën më duket se kjo fushatë nuk po bëhet nën shenjën e projekteve, por nën shenjën e asaj se kush është fajtor për krijimin e kësaj situate konfliktuale deri në absurd. Zgjedhjet sikur janë shndrruar në një referendum për këtë dhe kam përshtyjen se po u shtynë ato do të bëhen edhe më shumë në një referendum për shkaktarin e shtyrjes. Sepse, të mos harrojmë, shtyrja ose mosshtyrja e zgjedhjeve nuk do të thotë fitore e zgjedhjeve. Mirëpo politikanët tanë nuk shohin dot përtej sherrit të rradhës që zhvillojnë. Dhe fakti që ne nuk merremi dot me projektet, por me sherrin, është ilustrim i asaj se sa e mbrapshtë është një politikë kësisoj.
Gjithsesi, për tu kthyer tek projektet: më ka tërhequr vëmendjen një projekt i Olldashit për të bërë sipërfaqe të gjelbër ish fushën e aviacionit dhe më tepër sesa ky fjalët e tij kundër betonizmit të Tiranës. Kur dëgjoj të flitet për gjelbërim të Tiranës e kundër betonimit sikur më çelet një llampë shprese, por kjo zgjat vetëm për pak çaste sepse e kemi humbur besimin. Nuk mund të mos kujtoj se edhe Edi Rama me ngjyrën e gjelbërt e nisi fushatën e parë e duke u mburrur se kishte pastruar e gjelbëruar Lanën e fitoi të dytën, por të gjithë e dimë se Tirana është kryeqyteti më i betonuar e më i mbipopulluar për metër katror në Evropë, ai që ka ajrin më të ndotur e ku plehërat kutërbojnë si askund tjetër.
Ende nuk kam dëgjuar të thuhet një fjalë për nevojën e rikthimit të konceptit të njësisë urbane lagje apo bllok, me çka kuptoj se në çdonjërën nga këto njësi duhet të ketë shërbimet kryesore publike si parqet, shkollat, kopshtet e çerdhet, fushat e sportit etj. Njësia urbane e Tiranës u katandis, sikurse e kam thënë e shkruar shpesh, thjesht në truallin&lejen e ndërtimit që sigurohej nga bashkëpunimi korruptiv midis Bashkisë, sekserëve dhe pronarëve të një trualli, pa pyetur fare se çfarë kishte aty e përreth e çfarë do të duhej të kishte. Rezultati duket sheshit sot. Mirëpo, ndërsa dëgjova Olldashin të flasë për gjelbërim dëgjova më anë tjetër me shqetësim Sali Berishën të thotë se do t'i liberalizojnë lejet e ndërtimit. Ai e tha në kuptimin e luftës kundër korrupsionit, se Edi Rama i ka përdorur lejet si burim pushteti dhe paraje për veten e të tijtë, por ky liberalizim i lejeve nuk mund të mos të të çojë në idenë se po të vijë Olldashi në pushtet do të kemi një bum ndërtimesh, pra një shtim të betonimit ndërkohë që, sipas meje, qyteti, e në mënyrë të veçantë qendra brenda unazës, ka nevojë për një ngrirje të ndërtimeve deri në hartimin e një plani urbanistik që do të duhej të hartohej me idenë të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë, të normalizojmë çfarë mund të normalizojmë. Sepse qyteti është bërë i pabanueshëm fizikisht për shkak të shpeshësisë së ndërtimeve, për të mos folur për mungesën e atyre gjërave që e bëjnë një qytet të banueshëm shpirtërisht e kulturalisht siç janë kinematë, teatrot, galeritë e arteve, kishat apo xhamitë. Ve bast se dhe një qytet i humbur prej 50 mijë banorësh kudo në Evropë, madje edhe në Lindje, ka më shumë kinema e teatro sesa ç'ka kjo fjetorja jonë e pamatë afro 1 milionëshe. Leqë është bast i fituar se edhe një fshat 5 mijë banorësh e ka një kinema sa çka Tirana jonë e demokracisë së injorantëve, hajdutëve, dhe trafikantëve. Një qytet ashtu sikurse dhe një fshat ashtu sikurse edhe një shtëpi merr pamjen e banorëve të tij, e kulturës dhe e qytetërimit të tyre. Tirana nuk do të ishte katandisur sikurse është katandisur po të kishte të tjerë banorë. Por, nga ana tjetër, ajo nuk do të ishte katandisur sikurse është katandisur sikur në krye të saj të kishte pasur njerëz që nuk do të stimulonin pjesën më të keqe të banorëve, por atë më të mirën. Fakti që në fushata e propagandë flitet për gjelbërimin kurse ajo që ndodh në realitet është betonimi tregon se pjesa e keqe mashtron shumicën që do gjelbërimin sa për t'i marë votën dhe pastaj punon për pakicën që do betonimin për të nxjerrë fitime për veten. Kam shumë frikë se kjo praktikë do të vashdojë si me Ramën edhe me Olldashin. Personalisht e quaj veten humbës në betejën për të shpëtuar qytetin tim të lindjes, identifikohem gjithnjë e më pak me të, prandaj nuk kam shumë zë për të kënduar për jetën e tij. Më shumë më vjen një këngë vaji për vdekjen e tij. (Rubrika Përpjekja, Standart, 23 dhjetor 2006)

No comments: