Wednesday, July 18, 2007

De Soto, Top Channel, opozita dhe qeveria

Është e qartë se qeveria po tregohet selektive në goditjen me gjobë kundër bizneseve të pronarit të televizionit Top Channel. Por po ashtu është po kaq e qartë se edhe ky televizion, ashtu sikurse edhe gazeta Shqip, janë selektivë në goditjet ndaj qeverisë. Ndeshja po paraqitet si një konflikt midis biznesit e fjalës së lirë më një anë dhe prirjes së shtetit për t’i kontroluar ato më anë tjetër. Por nuk është thjeshtë kështu. Kjo është të përdorësh skema të një konteksti në një kontekst mjaft tjetër. Për më tepër fatkeqësia jonë është se ne mbesim deri tek konflikti selektiv i interesave midis palëve dhe nuk duam të shohim më përtej: atë çka zbulon dialektika e kësaj ndeshjeje. Sipas meje në thelbin e këtij konflikti, përtej selektivitetit të Berishës apo vetëmbrojtjes së tipit “dy duar për një kokë” të pronarit, kombinuar me etjen për rikthim në pushtet të opozitës, duhet të shohim e shtrojmë për zgjidhje një problem që ngërthen nevojën e ndryshimit të vizionit të zhvillimit të vendit. E kam fjalën për çështjen e modelit të kapitalizmit anarkist që kemi ngritur në Shqipëri dhe të ardhmen e tij.
Le të hyjmë në temë.
Në sajë të një kombinimi të injorancës me kulturën tonë të manipulimit - të dyja nuk janë pa lidhje sepse një investim serioz në dije e refuzon përdorimin e dijes për qëllime manipulimi, - në mjediset pseudointelektuale shqiptare gjen shumë teori për të justifikuar e përligjur gjoja teorikisht (apo duke iu referuar historisë) realitetet tona të mbrapshta. Mu pse janë manipulative ato teori shpesh bijen ndesh me teori të tjera të predikutar nga të njëjtët individë. Si shembull do të sillja idenë e shumëpërhapur se “kështu si ne, (dmth me informalitet e kriminalitet) është bërë edhe Amerika”, e cila aq shpesh kombinohet, pastaj, me predikimin e “tolerancës zero”, që është krejt e kundërta e së parës.
Teza se kështu është bërë edhe Amerika është krejtësisht manipulative dhe atyre që vërtet e besojnë kur e predikojnë nëpër tryeza u rekomandoj të lexojnë librin “ Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” të Max Weberit në qendër të të cilit qëndron teza se “kapitalizmi racional”, siç e quan ai atë anglo – sakson, është ngritur mbi themelet e moralit të rreptë kalvinist që predikon se puna e ndershme dhe e sukseshme është shenja e hirit të Perëndisë.
Por le ta lemë kapitalizmin racional anglo – sakson dhe le të kthehemi tak kapitalizmi anarkist i yni, me çka kuptoj një ekonomi që zhvillohet në mënyrë thuajse krejtësisht të pa kontrolluar nga shteti. Kjo që po ndodh tek ne ka disa aspekte me të cilat janë marrë teoricienët e ekonomisë. Emri më i njohur madje i prurë edhe në Shqipëri për të na dhënë zgjidhje është De Soto. Ai është një ekonomist peruvian teoricien i një lloj anarko kapitalizmi sipas të cilit “laisser faire” (në shqip do ta përktheja “bëj ç’të duash”) duhet lejuar deri në kufijtë e informalitetit sepse kjo nënkupton edhe zhvillim energjish. Sipas tij informaliteti mund të formalizohet nesër duke i kthyer në pronarë të ligjshëm ata që deri dje kanë qenë informalë e, duke u bërë të tillë, ata do të paguajnë taksat e pronës. Kemi të bëjmë me një teori ultraliberiste dmth. ultra të djathtë, nga këndvështrimi i teorive të ekonomisë, ku shteti humbet në disa zona edhe rolin e arbitrit dhe kontrollorit të respektimit të ligjit e të kompeticionit të drejtë.
Me një fjalë Bathorja, pushtimi i bregdedit, pushtimi i frekuencave nga Top Channel, ndërtimet pa leje, mungesa e planeve urbanistike, e vijave të verdha, shfrytëzimi pa kontroll i pyjeve dhe lumenjve etj. janë të gjitha shprehje e një kapitalizmi anarkist i cili, sipas De Sotos, pastaj do të formalizohet duke u kthyer në burim zhvillimi të mëtejshëm.
Gjer këtu, nga halli, duket shumë bukur. Por çështja shtrohet së pari, se mos kemi shkuar shumë larg në ndërtimin e kapitalizmit tonë anarkist dhe a mund të kthehemi dot prapa dhe, së dyti, si do të kthehemi prapa?
Nuk jam njohës i realitetit peruan, por nga sa di dhe nga sa e kam kuptuar teorinë e De Sotos ajo e sheh informalitetin si diçka që bashkëjeton me ekonominë formale dhe që thithet prej saj. Po ashtu De Soto nënkupton një politikë që gjithsesi qëndron jashtë këtij informaliteti, që tenton ta formalizojë atë dhe jo një politikë që është bash mamija e tij, gjeneruesja dhe përshpejtuesja e tij. Si të thuash ai presupozon një Tiranë formale të cilës nesër i bashkangjitet një Bathotre informale dhe jo një Tiranë informale në krye të një Bathoreje informale. Por gjithsesi Shqipëria është vendi ideal për të provuar, me ekstrapolim, se teza e De Sotos për lënien të lirë të informalitetit mund të rezultojnë katastrofike.
Nuk është e vështirë të argumentosh se kapitalizmi anarkist i yni i aplikuar në kushtet e një vendi që deri dje ishte me ekonomi krejtësisht të kolektivizuar ka prodhuar një kaos që më shumë sesa zhvillim po prodhon shkatërrim dhe prishje të cilësisë së jetës. (Përndryshe duhet të ndryshojmë kuptimin e zhvillimit nga diçka pozitive në diçka negative siç edhe bëhet sot nga mjaft teoricienë.) Në mënyrën më dramatike ky lloj kapitalizmi demaskohet me situatën absurde kur ndërkohë që në vend është investuar aq shumë në raport me numrin e popullsisë - mjafton të kesh parasysh numrin e pafundëm të ndërtimeve private që janë kryer veçanërisht në zonën bregdetare - ai është në një krizë të thellë elektrike, të furnizmit me ujë të pijshëm, të infrastrukturës, të ndotjes që besoj se nuk e njohin as vendet më të varfëra në botë. Nuk është vështirë të argumentosh gjithashtu se në kapitalizmin anarkist alla shqiptar (por besoj se edhe në atë de sotian) nuk mund të ndahet lehtë kufiri midis ekonomisë informale dhe ekonomisë kriminale; midis ekonomisë ku kemi evazione fiskal dhe ekonomisë që funksionon si pastrim i parave të pista të drogës e të tarfiqeve me gjithë pasojat sociale e kulturore që sjell kjo.
Por problemi kryesor që ngre kapitalizmi anarkist është se ai prodhon të fuqishmit e vet që kushtëzojnë politikën dhe mënyrën e bërjes së saj, por edhe sistemin e vlerave mbizotëruese, duke bërë që të vështirësohet në mos bëhet i pamundur kthimi prapa. Për ta ilustruar le të sjellim ndërmend se çfarë bëmë ne me kioskat që fare mirë, me pushtimet që i bënë ata më ligjshkellësit parqeve e gjithshkaje publike, mund të cilësohen si fillimi i informalitetit. Le të kujtojmë se sa para shkoi dëm për t’i ngritur ato dhe për t’i pastruar ato pastaj. Gjithkush sot thotë se do të kishte qenë më mirë të mos i kishim lejuar që në fillim (e në fakt përveçse në Shqipërinë e kapitalizmit anarkist kërkund tjetër në Lindjen ish-komuniste ato nuk mbinë). Mirëpo në vend se të mësonim prej asaj përvoje e t’i ktheheshim formalitetit ne vepruam në vazhdim me të njëjtin stil siç ndërtuam kioskat: duke ngritur pallate shumica e të cilëve sot duhen shembur për të kthyer në normalitet dhe formalitet vendin. Jo rastësisht madje është bash një pjesë e mirë e ish ligjshkelësve kioskaxhinj që bëjnë sot ligjshkelje në shkallë shumë herë më të lartë abuzimi e shkatërrimi. Dua të them, pra, se ekonomia informale ka krijuar politikën dhe pushtetin e vet me të cilin zhvillon vetveten madje duke rritur edhe shkallën e informalitetit. Kjo edhe sepse nën presinin e kapitalizmit anarkist politika humbet edhe detyrën e krijimit të vizioneve e projekteve për të ardhmen. Në kapitalizmin anarkist edhe politika si çdo gjë i nënshtrohet lojës spontane të forcave të më të fortëve dhe shteti, sipas rrethanave, trajtohet nga aktorët e bizneseve informale herë si partner e herë si në konflikt me ta, por kurrë si arbitër dhe mbrojtës i interesave të tërë shoqërisë.
Një nga ilustrimet e shumta dhe do të thoja më dramatiket, pasi ka të bëjë me kokën e vendit, është ajo çka ka prodhuar në Shqipëri anarkizmi kapitalist në fushën e mdiave. Kur Shqipëria sapo u hap ndaj lirisë Dritëro Agolli tha një fjalë që asokohe u debatua dhe sulmua shumë "media është armë dhe arma nuk jepet pa leje". U gjykua rëndë asokohe si një komunist që ishte mësuar të kontrollonte mediat dhe ata që e sulmuan kishin të drejtë nga një pikëpamje sepse Shqipëra ishte asokohe e etur për liri mediash të pakontrolluara dhe të papërdorura nga shteti. Mirëpo as ne dhe as komunisti Agolli (ndoshta) nuk e dinim asokohe se thënia e tij përputhej në përmbajtje me diçka që e ka thënë edhe një nga filozofët më në zë në ato vitet e para të rënies së komunizmit, kampioni i lirisë së individit, filozofi i shoqërisë së hapur edhe ai me ermin Karl, por me mbiemirin Poper. "Nuk ka demokraci nëse nuk ka kontroll mbi televizionin." thotë edhe Karl Poperi.
Sot kërkush nuk mund ta mohojë se 80 stacionet televizive private që ka Shqipëria janë një monstër e pakontrollueshme, produkt i kapitalizmit anarkist, që nuk i mbron liritë tona, por i kërcënon e deformon ato duke filluar që nga liritë e atyre që punojnë aty, gazetarëve. Ata kanë bërë robër edhe vetë politikanët. Me fuqinë e tyre ato sot kontrollojnë edhe prokurorinë edhe gjyqsorin. Fakti që Top Channel nuk i hap as derën tatimorëve, por kur ata i venë gjobë e hedh në gjyq dhe nxit prokurorinë të hapë çështje, tregon fuqinë e tij të pakontrolluar. Teorikisht televizione të tilla janë mbrojtës të kapitalizmit anarkist që kërkon lulëzimin e tij jashtë kontrollit të shtetit. Në këtë lloj kapitalizmi organeve të tilla si prokuroria u mbetet të merren vetëm me krime të tilla si vrasja, vjedhja e xhapave kurse shtetit i duhet të modifikojë Kodin Penal për krime të tilla si evazioni apo korrupsioni në mënyrë që të paktën të gjithë qytetarët të ndjehen të padënueshëm kur merren me to. Mirëpo një situatë e tillë nuk do mend se nuk mund të funksionojë në kapitalizëm sepse do të na çonte në gjendjen e parashtetit që është Kanuni, madje edhe para Kanunit, tek xhungla. Anarkizmi si mungesë e shtetit është një ëndërr e bukur, por ai mund të jetë vetëm utopi e socializmit libertar të Chomskyt që synon menaxhimin e pronës nga komunitetet dhe jo e kapitalizmit që mbështetet mbi lulëzimin e pronës private.
Që ky kapitalizëm anarkist dhe kjo media produkt e njëherësh instrument i tij duhen vënë nën kontrollin e interesit të të gjithëve këtë e di tashmë gjithkush. E dinë edhe vetë mediat e pronarët e tyre të cilët, edhe ata, janë bërë robër të pjellës që kanë ngritur e që, nevoja për ta ushqyer, i shtyn nga mëkati në mëkat. Sot kemi nevojën urgjente të ndahemi nga kapitalizmi anarkist që po na merr frymën e të futemi në rrugën e kapitalizmit racional që karakterizohet pikërisht nga transparenca e bizneseve. Televizionet tona ashtu si bar restorantet e pafundme, ashtu si karburantet që i kemi në çdo dy metra ashtu si ndërtimet në brigjet e Durrësit, Sarandës në qendër të Tiranës e gjetkë, janë zhvillime tumorale që pengojnë demokracinë dhe tregun e lirë dhe ekonominë e shëndoshë gjithashtu. Të mos harrojmë se kur Freedmani, kampioni i liberalizmit, ngrinte çështjen e tregut të lirë nuk e kishte hallin më të madh se kjo do të zhvillonte më shumë ekonominë, por mbi të gjitha sepse një ekonomi e kontrolluar nga shteti vinte në kërcënim liritë e individit. Por garancia e lirisë së individit dhe e iniciativës së tij është mbrojtja e lirisë së konkurencës nga shteti. Kurse në kapitalizmin anarkist shtetit i hiqet edhe ky rol kaq i domosdoshëm për lirinë. Në fakt këto televizione janë ngritur pikërisht për të kontrolluar tregun e lirë dhe për të mbrojtur përfitimin e një grupi njerëzish në dëm të grupeve të tjera. Ata janë kërcënues të lirisë pikërisht, ose më saktë, edhe për faktin se ata nuk garantojnë as fjalën e lirë dhe as tregun e lirë.
Ja pse mendoj se thellë thellë konflikti midis Top Channel dhe qeverisë përmban këtë problematikë shumë serioze. Por, ashtu sikurse e thashë edhe në fillim, ne i shmangemi kësaj dhe merremi me dukjen e jashtme të konfliktit, me interesat imediate të palëve dhe jo me interesat afatgjata të të gjithëve. Kjo sepse të dy palëve nuk u leverdis të shohin më thellë. E këtu duhet vënë në dukje përgjegjësia e mazhorancës qeverisëse. Çështja është se në vend që të shohim projekte të qarta nga ana e qeverisë për kontrollin e informalitetit shohim tentativa spontane, në më të shpeshtën selektive, si kjo e gjobës ndaj bizneseve të pronarit të Top Channel, që denoncojnë qartazi mosekzistencën e një projekti dhe që tregojnë se më shumë sesa me kontroll të shtetit mbi bizneset informale kemi të bëjmë me kontroll të pushtetit të një pale mbi pushtetet e pakontrolluara prej saj. E kjo në terma afatgjata i shërben bash kapitalizmit anarkist sepse le përshtypjen se segmente të tjera të tij po tentojnë të përdorin shtetin për të triumfuar mbi rivalët pa u respektuar ligji e barazia para tij.
Akoma më e vështërë bëhet puna për hartimin e një projekti kundër kapitalizmit anarkist kur, ndërsa qeveria të paktën flet në mënyrë demagogjike për nevojën e formalizimit, ne kemi një opozitë që ndonëse e quan veten të majtë bëhet apologjete e kapitalizmit informal ultra të djathtë de sotian. Është e vërtetë se sulmi i qeverisë është selektiv, dhe politik, por nga opozita nuk pritet që ajo të mbyllë sytë përpara problemit madhor që qëndron prapa këtij konflikti, duke e parë kërcënimin e fjalës së lirë vetëm nga qeveria. Ajo është përgjegjësja kryesore e ndërtimit të kapitalizmit anarkist në tetë vjetët që ishte në pushet dhe, nëse sot flet për ndryshim sistemi, ajo duhet të paraqesë alternativën e saj të majtë për futjen e vendit në hullitë e kapitalizmit racional që mbizotëron në Evropën ku synojmë të integrohemi dhe dhe jo të bëhet aleate e verbër e pushteteve të informalitetit.
Nëse politika nuk do ta ndihmojë këtë proces mendoj se gjithsesi, ashtu sikurse e kam shtjelluar në shkrimin “Gjermani dhe Gjermeni” ne, në sajë të konkurrencës globale, do të jemi të shtrënguar të futemi një ditë në hullinë e kapitalizmit racional, por rruga do të jetë më e gjatë dhe kostoja që do të paguajmë si shqiptarë shumë më e madhe. (Korrieri, 18 Korrik 2007)


1 comment:

Anonymous said...

PERPIQU TOSO, E KE SHUME MIRE TI, PO VALLE TE DEGJONJNE KETA NJEREZ?