Thursday, September 20, 2007

Intelektualet dhe pushteti

Duke komentur shkrimin tim mbi polifemin e Tiranës, veçanërisht atë pjesën ku them, duke ironizuar kondicionin e kategorisë sime, se, teksa shkruaj, ndjehem si ata avokatët e kohës së komunizmit që deri andej nga mesi i viteve 60 lejoheshin të bënin sikur bënin profesionin, formalisht, pasi tashmë vendimi për dënimin e viktimës ishte marrë, një i njohur më tha: ti je më keq akoma se ata avokatët. - Pse, si jam, sipas teje, - e pyeta. - Ti - më tha - je si ata kundërshtarët e dënimit me vdekje në Amerikë që manifestojnë në kangjellat e jashtme të vendit të ekzekutimit me nga një pankartë në dorë, ndërkohë që i dënuari atje brenda është duke u ekzekutuar. Qendrën historike tanimë e ka marë lumi, kurse ti tund pankartën te Xhamija dhe Sahati. Në fillim më erdhi për të nënqeshur me krahasimin, që mu duk më i goditur se ai i imi me avokatin, sepse e tregonte edhe më fort pafuqinë intelektuale për të ndryshuar një vendim pushtetar. Por, pastaj, duke menduar më gjatë, arrita në përfundimin se ai nuk kishte të drejtë, se kishte një dallim të madh midis avokatëve të kohës së Hoxhës që dilnin formalisht në gjyq të bënin profesionin dhe atyre që dalin e protestojnë sot në Amerikë kundër dënimit me vdekje, ndërkohë që i dënuari po shkrumohet nën tensionin e lartë të karrikes elektrike.
Ka disa dallime thelbësore, sipas meje, në kondicionin e këtyre dy palëve. Por, pikë së pari, për ta zhvilluar krahasimin, le le të ve në dukje se me figurën “avokatët e kohës së Hoxhës” do të kem parasysh në këtë shkrim kategorinë e tërë atyre profesionistëve që jetuan për bukën e gojës në regjimin e Hoxhës pavarësisht se nuk e donin atë dhe pavarësisht se bindjet e tyre ishin krejt të kundërta nga ato çka bënin. Ata të pafuqishëm ndaj pushtetit që varionin që nga të heshturit që të thoshin privatisht: nuk ke çi bën, kështu janë këto punë, do të hamë edhe ne një copë bukë, kemi edhe ne kalamaj për të ushqyer, - e me këtë pandehnin se i largoheshin përgjegjësisë për atë që i ndodhte vendit – e deri tek ata që detyroheshin edhe t’i këndonin publikisht mësimeve të partisë dhe të udhëheqësit të lavdishëm. Kam parasysh pra më shumë një kondicion intelektual që pandehëm se e kapërcyem më 1991, por që e pamë dhe po e shohim të rikthehet në forma të tjera “ikjeje nga liria” në kohën postkomuniste. Pas artikullit “Disa mendime mbi qikllopin e Tiranës” kanë qenë tronditëse për mua disa telefonata të një numri arkitektësh dhe intelektualësh që, duke më mbështetur idetë e artikullit, më kanë thënë: nëse do materiale eja të t’i japim, e që, kur u jam përgjegjur: nuk kam nevojë për informacionet tuaja, por për zërin tuaj publik, më janë përgjegjur pak a shumë me frazën: ti dashke t’i heqim vetes bukën e gojës. E pra, për të ardhur tek dallimi midis “avokatëve të kohës së Hoxhës” të sotëm dhe manifestuesve kundër dënimit me vdekje do të thoja se ka disa dallime thelbësore midis tyre, që kanë të bëjnë së paku me tre gjëra që përcaktojnë edhe kondicionin e individit në një shoqëri: së pari me raportin e tyre me pushtetin; së dyti me raportin e tyre me të ardhmen dhe së treti me raportet të tyre sociale. Dua të them se manifestuesit kundër dënimit me vdekje, që shkojnë të protestojnë përpara kangjellave të pushtetit në SHBA, edhepse e dinë se nuk mund ta ndalojnë aktin që po kryen pushteti, së pari nuk janë të nënshtruar ndaj pushtetit, së dyti kanë shpresën dhe besimin se lufta e tyre nuk do të shkojë kot sepse, nëse nuk shpëtojnë dot një të dënuar me vdekje sot do të shpëtojnë shumë të tjerë në të ardhmen, pra nëse nuk fitojnë të tashmen do të fitojnë të ardhmen dhe pikërisht ky mosnënshtrim, ky besim dhe kjo shpresë u jep forcë të ndërsjelltë për tu bashkuar e për tu ndjerë më të fortë nëpërmjet krijimit të dimensionit të tyre social.
Kurse shumica e profesionistëve që figurativisht i quajta “avokatët e kohës së Hoxhës” kanë: së pari, një raport nënshtrimi në mos bashkëpunimi me pushtetin e mafjes që sundon vendin; së dyti, bash ky nënshtrim i bën të kenë mungesë besimi dhe shprese ndaj të ardhmes, e, së treti, shprishja morale e shkaktuar nga nënshtrimi dhe mungesa e shpresës i bën tu mungojë edhe dimensioni i tretë, ai social, i bashkimit me njëri tjetrin në emër të një ideali të përbashkët. Edhepse një pjesë mund të duken së jashtmi se e bëjnë punën e tyre të avokatisë, në thelb më kujtojnë shkrimin e një miku tim ish i burgosur, i cili, duke perifrazuar Platonin, i paraqet ata duke lënë këtë testament: ”Falenderoj Zotin që më bëri barbar dhe jo grek, që më bëri skllav dhe jo të lirë dhe që jetova në shekullin e Kokëdhimës.” (N. Boriçi: Helmimi i Sokratit dhe të gjallët në Tiranë.)
Pra ajo çka dramatiksht mungon tek shumica e profesionistëve shqiptarë janë dimensioni i mosnënshtrimit, i besimit në bindjet se e ardhmja i përket atyre si dhe i aftësisë për tu bërë bashkë në emër të këtyre bindjeve. Edhe në rastet kur nuk mungon dimensioni i mosnënshtrimit mungojnë dukshëm dy dimensionet e tjera, veçanërisht kur ke parasysh se sa investohet nga pushteti për shkatërrimin e këtyre dy dimensioneve nëpërmjet korruptimit të intelektualëve, që nga blerja e heshtjes së tyre e deri duke arritur të bëhen të japin “porosira” (lexo kërcënime mafjoze) siç ishte ajo që më jepej nëpërmjet një pseudoarkitekti në gazetën Shekulli të djeshme: “porosia e fundit…: kontrollo çiften para se të dalësh për gjah, se, mesa duket, sustën e siguresës e ke të konsumuar; mos të të plasë ndonjë ditë në dorë!”. Sepse, tek e fundit, ky kondicion i shumicës së intelektualëve të sotëm në raport me pushtetin nuk është një çështje individësh, më heroikë apo më frikacakë, më të fëlliqtë apo më pak të fëlliqtë, por një fenomen politik dhe social ashtu si mafja.Në kontekstin e këtij fenomeni që kushtëzon gjendjen e shumicës së profesionistëve shqiptarë (nuk është lapsus që herë i quaj profesionistë e herë guxoj t’i quaj intelektualë), raportin e tyre me pushtetin e parasë së pisët dhe politikës së pisët nuk mund të mos na tërheqin vëmendjen lëvizjet e fundit të afrimit të një grupi intelektualësh në krah të PD, çka e ka rihapur edhe një herë çështjen e raportit të intelektualëve me pushtetin me gjithë problematikën që ajo ngërthen sa në rrafshin teorik aq edhe në rrafshin e përvojave të deritanishme.
Më së pari nxitoj të them se duke pasur parasysh vrasjen dramatike që i ka bërë shpresës ky pushtet është për tu inkurajuar çdo lëvizje e re që lëshon mesazhin e nevojës për ringjallje të shpresës, nëpërmjet prurjes në politikë të më shumë moraliteti, profesionalizmi, frymëzimi dhe energjie intelektuale. Por, pikërisht në kuadrin e inkurajimit të këtij afrimi dhe bashkëpunimi në të mirë të ndryshimit, mendoj se është me vend të vihen në dukje disa probleme që lidhen me angazhimin e intelektualëve në krah të partive e pushtetit politik që, po qe se do të kiheshin parasysh, them se do ta bënin më të efektshëm këtë bashkëpunim.Sipas meje problemi kryesor që ka vendi ynë nuk lidhet ashtu dhe aq me mungesën e ideve apo me mosnjohjen e problemeve, madje as edhe me mungesën e njohjes së rrugëve për zgjidhjen e tyre, tek e fundit, pra, me mungesën e profesionalizmit. Problemi kryesor që ka vendi ynë përsa i përket raportit të intelektualëve me pushtetin është etik, ai ka të bëjë me raportin e mbrapshtë midis moralit dhe pushtetit, midis moralit dhe biznesit, midis moralit dhe profesionalizmit. Ky raport i mbrapshtë ka bërë që etika, e për pasojë të drejtat e dinjiteti njerëzor, të mbeten të burgosur dhe të nëpërkëmbur në kurthin e një regjimi që mbahet më këmbë pikërisht në sajë të korruptimin moral dhe material të njerëzve duke tjetërsuar, kësisoj, edhe çdo lloj profesionalizmi, demokracie dhe zhvillimi. Them se kjo gjë është e njohur për të gjithë dhe nuk mungon, po ashtu, njohja teorike e rrugëve për ta çliruar moralin dhe dinjitetin jo vetëm të intelektualve, por edhe të tërë njerëzve në vend, nga burgu ku e kanë futur. Ide të tilla si nevoja e eliminimit të konfliktit të interesve, e venies në punë të prokurorisë e të drejtësisë e të hallkave shtetërore që të çojnë tek ato, transparenca, ndryshimi i shumë ligjeve etj., etj., që janë të lidhura direkt me ndryshimin që kërkojmë, njihen mirë nga të gjithë. Prandaj pyetja që shtrohet është: çfarë mund të sjellë më shumë angazhimi në politikë i intelektualëve të rinj, më të aftë e më të përgatitur, për këtë ndryshim? Kjo pyetje bëhet edhe më e mprehtë kur kemi parasysh se nuk mungojnë në institucione të ndryshme tonat njerëz të aftë të shoqërisë civile apo që kanë studiuar jashtë që janë po ashtu edhe të rinj, me një apo disa gjuhë të huaja, të cilët, për fat të keq, i kemi parë, kë më herët e kë më vonë, në kondicionin e “avokatëve të kohës së Hoxhës”, atë të të heshturit apo të të nënshtruarit, në mos, më keq akoma, të të korruptuarit.
Prandaj nuk mund të mos të të lindë dyshimi: mos vallë edhe këtë afrim të intelektualëve drejt një force politike duhet ta shohim si përsëritje të modelit të vjetër: atë të inteletkualit që, duke u ndjerë i pafuqishëm, i pambrojtur madje edhe i kërcënuar ekonomikisht, apo i tunduar nga pushteti dhe paraja, kërkon ta zgjidhë gjendjen e tij duke u futur në ombrellën e pushtetit politik. Sepse, fatkeqësisht, përvoja ka treguar se një pjesë e mirë tek ne aftësinë profesionale nuk e shohin si një investim të madh, atë më te shenjtin, të pashitshmin, por si një mundësi për të rritur çmimin e shitjes së vetes në këmbim të pushtetit dhe parasë. Shembulli i arkitektëve që kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë Tiranën pa u vënë emrin e autorësisë, dmth. të krenarisë profesionale, shumicës së shëmtirave që kanë projektuar e po projektojnë, ashtu si ai i atyre kolegëve të tyre që, përsëri në emër të pushtetit dhe parasë, kanë projektuar e po projektojnë të shkatërrojnë bregdetin, e pyje, e lumenj, e monumente kulture, duke preferuar të mbeten anonimë si profesionistë, e, nga ana tjetër, duke na thënë ne të tjerëve ju nuk keni të drejtë të flisni se nuk jeni të profesionit, është vetëm një pjesë e këtij mjerimi të madh intelektual. Kundërpërgjigja më e mënçur ndaj kësaj pyetjeje është ajo sipas së cilës pushteti të jep edhe mundësi për të ndryshuar realitetin prandaj dhe angazhimi i këtyre intelektualëve është i nevojshëm po qe se ata do të luftojnë sinqerisht për ato që premtojnë.E përsëris edhe një herë se, duke parë gjendjen e pashpresë, nuk mund të kem zemër t’i kundërvihem atyre intelektualëve që i janë afruar forcave politike kur më japin këtë argument. Por përsëri duke iu referuar përvojës së të kaluarës dhe po ashtu filozofisë time, (sartriane), mbi angazhimin intelektual, sipas së cilës intelektuali i angazhuar ndryshon nga militanti partiak në atë se ai ruan qëndrimin kritik ndaj pushtetit, ruan të drejtën për të zbritur nga anija kur e sheh se ajo po ikën në rrugë të shtrembër, e po ashtu se është e vështirë në mos e pamundur të punosh njëherësh për pushtetin e së tashmes dhe idealet e së ardhmen, po i rikthehem edhe një herë problematikës që gjej tek kjo lëvizje dhe në përgjithësi tek raporti i intelektualve tanë me pushtetin.Kur flitet për raportin e moralit me profesionalizmin nuk mund të mohoet se njerëz më të ditur mund të sjellin më shumë përgjegjshmëri sesa njerëz të paaftë që jo rrallë i futen aventurës së abuzimit jo vetëm për shkak mungese moraliteti, por edhe për shkak injorance dhe moslargpamësie. Psh., një arkitekt apo urbanist që e njeh shumë mirë këtë art e ka shumë më të vështirë ta shkelë atë sesa një që kujton se mjafton te kesh nje shesh ndërtimi dhe para për të projektuar. E, në këtë kontekst, është pozitive thirrja e njerëzve të aftë, me dinjiteti profesional, në politikë. Por, megjithatë, sipas meje, në këtë vend mbetet prioritar problemi i nëpërkëmbes së kualifikimit, të inteligjencës dhe të dinjitetit profesional nga arroganca dhe babëzia e pushtetetarit – qoftë ky pushtetari jashtë intelektualit apo brenda vetë këtij. Prandaj, e përsëris, problemi kryesor i yni është ai i mungesës së moralitetit më shumë sesa problemi i mungesësë së profesionalitetit. Edhe vetë thirrja e njerëzve të rinj nga PD-ja më shumë sesa çështje profesionalizmi, sikurse u reklamua, më duket se është çështje e paraqitjes së figurave të pakonsumuara moralisht. Dhe s’ka asgjë të keqe gjer këtu, por prap nuk mund të mos mendoj se pak gjë mund të sjellë më shumë duke u angazhuar direkt në politikë një intelektual i zoti, nëse politikanët që e thërresin sot atë të militojë në parti, apo të jetë prezent në mbledhjet e tyre, do të respektonin gjatë aktivitetit të tyre ekzekutiv, fushë në të cilën ndoshta mund të kenë edhe më shumë talent, idetë e intelektualit të botuara apo të kërkuara si këshillë. Prandaj nuk mund të mos ngresh pikëpyetjen paralajmëruese se mos kërkojnë të na paraqisin figura të reja intelektuale për të lyer këmbën me miell me ta, e për të na e hedhur edhe një herë.Gjithë në këtë kontekst, pa iu kundërvënë afrimit të intelektualëve pranë disa figurave që në të kaluarën nuk kanë treguar se i respektojnë ata, dua, megjithatë, të theksoj se me etikë profesionale, duhet të kemi parasysh edhe forcën morale për t’i mbrojtur bindjet dhe idetë tona, kur të vijë puna për tu ndeshur me presionet që mund të vijnë sa nga autoritarizmat e personave në krye të institucioneve tona të ngritura sipas nje jerarkie tmerrësisht piramidale, aq edhe nga sistemi i pushtetit të korrupsionit - apo edhe nga pushtetari apo skllavi brenda vetes sonë. Më konkretisht, duke iu referuar PD, psh., çështja shtrohet: sa kurajo qytetare do të kenë intelektualët e thirrur për t’i thënë “nuk mendoj kështu si ti” Sali Berishës kur të mos jenë dakort me ndonjë ide të tij? Dhe, më thellë akoma, sa korajo do të kenë t’i thonë jo pushtatarit brenda vetes e të heqin dorë nga pushteti kur e shohin se ky nuk mund të mbahet veçse duke tradhëtuar bindjet e tyre? Përvoja ka treguar se ky nuk është vetëm problem i Sali Berishës, i cili nuk di se sa e ka parasysh faktin që, nëse i rëndon për keq e kaluara, një nga peshat më të rënda është pikërisht ajo pjesë e së kaluarës së tij që e tregoi të paaftë për të bashkjetuar e punuar si i barabartë me intelektualët e shumtë që e mbështetën në krye të herës PD-në e po ashtu për t’i thënë “ndal!” pushtatarit brenda vetes. Siç kam shkruar edhe herë tjetër ky është problem i thuajse çdo institucioni, pasi është fenomen kulturor. Sot rezulton se ka mjaft të rinj që kanë mbaruar jashtë shtetit e punojnë në institucionet tona të pushtetit qendror apo lokal, por që, megjithatë, nuk kanë as kurajon minimale për t’iu kundërvënë shefit kur mendojnë se ky nuk ka të drejtë. Aq më pak i kam parë këta “të rinj” në gjendje për t’iu kundërvënë atij që duam të ndryshojmë: pushtetit të parasë, të korrupsionit. Dhe ndoshta edhe më pak për t’iu kundërvenë pushtetarit apo skllavit brenda vetes.Mendoj se këto çështje etike janë për tu pasur fort parasysh nëse vërtet kërkojmë të ndryshojnë diçka në këtë vend. Tek e fundit historia e marrëdhënieve të profesionistëve tanë me pushtetin ka qenë histori e kthimit të tyre në shërbëtorë të nënshtruar, në përsosës të artit të skllavit: gënjeshtrës; dhe ajo çka duhet të ndryshojmë është pikërisht kjo histori. Në thelbin e vet kjo është lufta për të mundur atë që Michel Foucault e quan “armiku madhor”, “kundërshtari strategjik”: fashizmi “jo vetëm ai historik i Hitlerit dhe Musolinit […], por edhe fashizmi që është tek të gjithë ne, që s’i shqitet mendjes dhe sjelljeve tona të përditëshme. Fashizmi që na bën ta duam pushtetin, që na bën që edhe vetë ne të gjakojmë për atë që na dominon dhe na shfrytëzon.” (Michel Foucault, Parathënie e librit të Gilles Deleuse dhe Felix Guatari “Anti Edipi: kapitalizëm dhe skicofreni”)(Korrieri, 27 janar 2005)

3 comments:

bledab said...

I dashur Fatos:
Problemi i pasurise intelektuale ne Shqiperi eshte borxhi me imadhe qe regjimi totalitare i trashegoi shoqerise shqipetare. Kritica juaj rreth pasivitetit dhe klientelizmit te klases intelektuale ndaj pushtetit eshte e plote dhe mire detajuare, por medyshja dhe pyetja ime kryesore eshte: a kemi ne vertet nje klase intelektuale? Eshte reale te flasesh sot per nje vend si Shqiperia qe eksperimentoje nje regjim politike autoritare per 50 vjete, i cili edukonte dhe plasmonte njeriun qe nga momenti i lindjes deri ne vdekje sipas idologjise se tije? Si mun te flitet sot - vetem 17 vjete mdas renies se nje regjimi gjysem-shekullor - per nje klase intelektuale apo politike pergjegjese per veprimet e saja? Passuria culturore dhe intelektuale e nje shoqerie nuk mun te jete frut i nje jete relativisht te shkurter prej 17 vjeteve, por nje investime i shume brezave. Per fat te keq duhet pare realitet drejt e ne sy dhe duhet pranuar fakti qe shoqeria jone aktualisht eshte e virgjer inteletkualisht. Nje intelektuale mund ti shesi shpirtin pushtetit apo parase por jo nje klasse intelektuale e tere, dhe nesse kjo ndodhe eshte per te dyshuar tek ekzistenza e klases intelektuale.
Pasuria economike ndodhe te jete edhe frut i nje momenti te vecante, por pasuria njerezore e nje shoqerie nuk mund asnjehere te jete frut i nje momenti te vecante.
Varferia intelektuale e shoqerise yone e konstakton ne cdo moment, mjafton te lezosh titujt e gazetave apo te ndjekesh nje emision lajmesh ne nje televizion nacional dhe e kuptone menjehere cilesine dhe nivelin intelektuale te argumentave qe trajtohen. Ne jemi nje popull me nje nivel intelektuale elementar, pothuajese ne nivelin zero, dhe sa me pare arrijme te jemi te vetedijshem per kete handicap, me mire do te jete per ne per te investuare ne menyre serioze ne kete sfere. Ketu me vjene spontane deshira te flase per sistemin arsimore shqipetare dhe per nodnje politicane (Genc Pollo) qe ne te gjithe karrieren e tije politike kane bere ministrin e arsimit sikut ta kishte trasheguar ministrine nga prinderit dhe te ishin betuar qe do ta ruante sistemin arsimore ne formen e tije primitive, por komenti do te zgjatej shume.

Me respekt Bledar Bregasi.
20/09/2007

meditime-pershtypje said...

I dashur Fatos!Une,sa kam mundur,te kam ndjekur ne shkrimet e tua dhe dua te them qe ne fillim:ke nje guxim qytetar per t'u marre si shembull.Une e kuptoj mirefilli apelin tuaj per te kundershtuar,per t'iu kundervene cdo padrejtesie sociale,kunder shetit apo individeve te vecante qe,per fat te keq,vene domenin e tyre mbi nje pasuri qe eshte e te gjithve,duke e tjetersuar ate"ne emer te progresit?!"dhe kjo te ben te ulerish!!!" dhe jo vetem kaq,po te marrin poza kokoshesh maje plehu dhe te kendojne nme ze te trashe bassi,gjasme"trashur nga hallet e polemit".Dhe nuk ka me keq,kur zeri ndryshe qe duhet te jete disa oktave me larte se ketyre kodosheve qe pasurohen me shkopin magjik,nuk ka me keq,pra,qe zeri ndryshe rri strukur dhe belbezon apo ca dhe me keq:hesht.Per cfare intelektuali me flet?Ku jane ata?Kur e ngriten me te vertete zene?Nuk pashe gje te ngrinin zerin kur Lidhjes se Shkrimtareve iu vu dryni.As kur iu vu dryni Akademise.Mos vallle duhet shtruar pyetja:-Kush e ka radhen?Citon Nuredin Boricin(une e kam mik!) e shkrete qe nuk pa nje here drite te bardhe,se,ende,mishin e ha babai dhe kockat kelyshi.Me vjen keq,i dashur,por nuk ka me intelektuale.Secili,me sa kam vene re nga larg,i ka bere rreke byhtes dhe,sa kohe bythen e tij e ka te ngrohte,zjarri le t'i bjere jo vetem Tiranes,por dhe gjithe Shqiperise.Tek secili(per intelektulete e kam fjalen!) fshihet ngapak,ai Nikita Guganci i Gorkit qe kerkonte qoft dhe nje eklips,qe vetem ai te shpetonte.A ka idealiste?Natyrisht,qe ka.Po dhe ata,per shume arsye(objektive dhe subjektive)heshtin.Tek intelektualet qe ka sot Shqiperia,i dashur Fatos,duhet t"u ngulesh ne veshe si vathe te medhenj ato vargjet e Witmanit qe bertiste:"Kundershtoni sa te mundni...".Por valle,a mundesh?Perpjekja juaj eshte dinjitoze dhe qytetare,njeheresh,por"bytheengrohtet"as qe duan t'ia dine.Secili sikur thote:-C'me duhet mua?Kemi katandisur si ai njeriu qe ka shunme hasme dhe,hasmit,nga qe shpresojne tek njeri-tjetri asnje nuk e vret.Dhe ketu nuk diskutohet per nje njeri,po per nje kryeqytet qe,sic e shoh, ne vend te zbukurohet,po percudnohet.Dhe rrime e bejme sehir.-Povera noi!-do bertiste Malombra.Po pse keshtu,dreqi ta haje?...
Perparim Hysi,20 shtator 2007

Endri said...

Per mendimin tim ka nje dinamike te lehte pozitive sa i perket shtreses se profesionisteve dhe intelektualeve ne Shqiperi. Kjo sepse nje pjese e studenteve qe kane studiuar jashte kane filluar te kthehen. Gjithashtu dhe zhvillimi i tregut shqiptar keto 17 vjet ka krijuar pak nga pak hapesira per profesioniste.

Megjithate, gjate gjithe 17 viteve te fundit shtresa e profesionisteve dhe intelektualeve ka qene ne menyre kronike e dobet dhe e pafuqishme. Kjo dobesi kronike e ketyre dy shtresave ka dy aresye te medha. Se pari mund te permendet emigrimi i nje pjese te madhe te intelektualeve dhe profesionisteve. Se dyti mund te permendet mosha e re dhe starti ne kushtet me te keqija te "Tregut te Lire" ne Shqiperi qe e kane bere ate te zhvillohet shume ngadale e te mos krijoje hapesira per persona te kualifikuar.

Kjo dobesi e intelektualeve dhe profesionisteve ka bere qe deri tani ata te ruajne pak a shume te njejtat marrdhenie te varesise (ekonomike) dhe nenshtrimit ndaj qarqeve politike si ne kohen e komunizmit.

Edhe ne rangun e elitave kombetare po te shohim marrdheniet e elites politike gjate ketyre 17 viteve me elitat e tjera --tek elitat e tjera une fus: elitat akademike, elitat profesionale(psh. ekonomiste te njohur, mjeke, arkitekte, inxhiniere etj.) dhe elitat mediatike-- vihet re perseri varesi e theksuar ndaj elitave politike pikerisht per shkak te zhvillimit te ngadalte te Tregut dhe emigracionit masiv.

Pra, roli natyral i elitave te ndryshme si nje mekanizem kontrolli dhe rigjenerimi ndaj elitave politike nuk ka funksionuar ne Shqiperi pikerisht per shkak te mungeses se pavaresise ekonomike te ketyre elitave ndaj elitave politike.

Per mendimin tim nuk eshte mungesa e moralit ajo qe ka shkaktuar apatine dhe instrumentalizimin kronik te intelektualeve e profesionisteve por dobesia e tyre ndaj qarqeve politike. Shume prej te heshtureve apo dhe atyre qe instrumentalizohen i njohin problemet dhe i quajne ato te denueshme moralisht. Pra radari i tyre moral eshte ne rregull.


Zgjidhja pra, nuk eshte forcimi i moralit tek intelektualet e profesionistet e heshtur por forcimi ekonomik i tyre. Ne fund te fundit cdo sistem vlerash morale duhet te kete nje baze ekonomike te shendoshe. Nese kjo baze ekonomike mungon atehere ai sistem vlerash nuk mund te mbijetoje. Rrjedhimisht edhe ne Shqiperi varesia e shumeanshme e intelektualeve dhe profesionisteve ndaj qarqeve politike gjate 65 viteve te fundit ka ngritur nje sistem heshtjeje dhe nenshtrimi qe nuk e gjen gjekundi ne Europen lindore.

Perfundimisht, angazhimi publik i intelektualeve e profesioniste te rinj apo te vjeter, te studiuar jashte apo brenda, varet nga pavaresia e tyre ekonomike. Pra, e thene me qarte nga ecuria e Tregut ne Shqiperi dhe nga aftesia e tij per te krijuar dalengadale hapesira punesimi per shume te kualifikuarit. Zgjidhja eshte zhvillimi i Tregut dhe jo nje sistem i ri moral.

Gjermani
http://veshtrime.blogspot.com