Wednesday, October 17, 2007

A mund të fillojë drejtësia

Duke ndjekur zhvillimet politike të dyvjeçarit të fundit ku PD me Berishën në krye është në pushtet e PS me udhëheqësin e saj të ri Rama janë në opozitë nuk mund të mos dallosh, mes kaosit e rrëmujës së një politike të përditshmërisë pa vizione, se konflikti politik i kësaj periudhe ka kaluar, megjithatë, nëpër tre faza të ndryshme të diktuara nga tre faza të strategjisë së opozitës. Në fazën e parë kali i betejës së opozitës ishte vënia e theksit kryesisht mbi paaftësinë qeverisëse të demokratëve dhe, veçanërisht, mbi paaftësinë e kryeministrit Berisha. Faza e dytë ishte një fazë ku kali i paaftësisë u la në rresht të dytë kurse në rresht të parë u vendos kali i rrezikut autoritarist të Berishës, lufta kundër kërcënimit që ai, si uzurpues institucionesh, na paraqet për liritë dhe të drejtat tona. Pa i lënë mënjanë këto dy akuza tani opozita ka hyrë në një fazë të tretë kur në rresht të parë është vendosur kali i denoncimeve të mazhorancës për korrupsion. Denoncimi për paligjshmëri i rrugës Durrës - Kukës - Morinë dhe, së fundi, kërcënimi për bojkot i parlamentin nga opozita, nëse mazhoranca refuzon të hetoet nga Prokuroria, mund të thuhet se janë momenti i dukshëm i ndërrimit të kalit.
Në këtë shkrim nuk dua të hyj në komente e analiza lidhur me këtë strategji të opozitës – se sa efikase, se sa e drejtë, se sa është e mbështetur me projekte alternative etj. etj. Dua të bëj komentin e konstatimit se kemi të bëjmë me një fazë të re jo vetëm për opozitën, por edhe për krejt politikën pasi, për herë të parë, të dy forcat politike e përqendrojnë aktivitetin e tyre politik mbi akuzat e ndësjellta për korrupsion.

Po ta thjeshtëzosh sadokudo tranzicionin tonë në kërkim të asaj se ku është përqendruar konflikti politik midis palëve në kohëra të ndryshme mund të themi se kemi pasur një periudhë (92 – 97) kur opozita e asaj kohe kishte si kalë beteje akuzat ndaj Berishës autoritar ndërkohë që ajo na premtonte liritë dhe të drejtat e munguara. Në qendër, pra, ishte konflikti midis autoritarizmit dhe premtimit për liri. Pastaj, pas vitit 97 dhe aktivitetit destabilizues të PD deri në 1998, që kanë qenë një periudhë vërtet e vështirë, sa mund të quhet e jashtëzakonshme, erdhi një periudhë kur Berisha opozitar e ndërtoi tërë strategjinë e tij politike mbi akuzat për korrupsion të socialistëve duke na lënë të shpresojmë se në krahun e opozitës kishim një Berishë që, edhepse autoritar, nuk ishte i korruptuar. Në qendër të politikës kësaj here u vu konflikti midis korrupsionit mbytës dhe premtimit për duar të pastra, që, tek e fundit, premtonin edhe më shumë liri. Pas fitores së Berishës vijnë tre fazat që përmenda të socialistëve në opozitë. Duke i krahasuar të tëra këto faza rezulton se kjo e tanishmja është e vetmja periudhë kur të dy palët kanë në epiqendër të forcës së tyre goditëse ndaj kundërshtarit akuzat për korrupsion. Jemi në konfliktin midis duarve të pista dhe duarve të pista. Ngulmimet e mazhorancës për të hequr prokurorin Sollaku shoqëruar me arrestime të disa figurave të rëndësishme të admnistratës nuk mund të mos lidhen me objektivin e deklaruar nga PD gjatë fushatës që e solli në pushtet: lufta kundër socialistëve të korruptuar. Nga ana tjetër opozita kërkon me ngulm hetimin për rrugën Durrës – Kukës - Morinë duke denocuar shpërdorime skandaloze fondesh e duke bërë edhe një aksion dorëzimi vullnetar të imunitetit të deputetëve të vet në këmbim të paraqitjes së Bashës në Prokurori.Pyetja që mund të shtrohet është se çfarë mund të pjellë kjo fazë. Nuk është aq e lehtë të japësh përgjigje dhe, mbi të gjitha, mendoj se kemi të bëjme me një fazë ku “hekuri i skuqur” mund të marrë forma të ndryshme varësisht nga vullnetet politike të aktorëve të ndryshëm në këtë lojë që, në fakt, duhet të jenë tërë shoqëria. Prandaj t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje nuk do të thotë thjesht të bësh një parashkim se çfarë do të ndodhë, por të përpiqesh të ndikosh që nga kjo fazë e re konfliktuale të dalë diçka pozitive për shoqërinë, të ndodhë, pra, më e mira e mundëshme. Nuk mund të mohoet se në një farë mënyre, me dhe pa vetëdijen e klasës sonë politike, kjo fazë ku është vetëfutur politika jonë ka sjellë edhe pikën më të ulët të kredibilitetit të saj. Por pikërisht për këtë, paradoksalisht, është bërë edhe më i domosdoshëm një ndryshim. E në këtë ndryshim nuk mund të mos të të shkojë gjuha atje ku dhemb dhëmbi: tek sistemi i drejtësisë i cili është ndoshta jo rastësisht në epiqendër të këtij konflikti. Të dy palët akuzojnë Sollakun pse nuk vepron kundër korrupsonit të tjetrit. Pra korrupsioni nuk është më ashtu siç e quante Rama deri dje, një akuzë e PD që fryhej e stërfryhej me shpifje për të instrumentalizuar qytetarët, por një gjë që ekziston vërtet. E në këtë kuptim jemi më pranë kërkesës për një zgjidhje. Situata që po kalojmë tregon më së miri se sa i nevojshëm është sistemi i drejtësisë jo vetëm për të ruajtur disa vlera morale të shoqërisë, por edhe si nevojë stabiliteti që nënkupton edhe respekt për shtetin ligjor dhe ekonominë e vërtetë të tregut. Ajo që po ndodh sot tek ne tregon se nuk mund të ketë as pluralizëm politik e rrjedhimisht as liri dhe as demokraci pa drejtësi; se në mungesë të sistemit të drejtësisë të fortë e të pavarur partitë e ndryshme mund të shndrrohen në banda që luftojnë me njëra tjetrën duke bërë palë të tyren edhe organet e drejtësisë e prokurorisë e duke u bërë kështu një kërcënim jo vetëm për mosmbarëvajtjen e punëve, por edhe për liritë e të drejtat e qytetarëve. Kjo që po ndodh tregon se kjo situatë mund të pjellë ose një kaos konfliktual si ky i sotmi ose një sistem autoritar ku pala që është më e fortë (të paktën për momentin) e bën drejtësinë ndryshe për vete e ndryshe për të tjerët. E në të dy rastet liria dhe drejtësia mungojnë. Personalisht nuk besoj se rruga Durrës - Kukës - Morinë u ideua nga Berisha dhe Basha pa projekt për të vjedhur paratë e shqiptarëve në bashkëpunim me kompaninë amerikane. Besoj se kemi të bëjme më shumë me një vendim politik që ka pasur për synim fitimin e simpatisë së shqiptarëve, por kryesisht të kosovarëve si dhe me zgjedhjen e një kompanie që mund t’i bënte qejfin edhe Bushit. Dhe besoj se moskryerja e projektit lidhet me ngutin për ta kryer atë rrugë sa më parë e për ta marrë, pra, tërë meritën PD-ja. Por nga sa duket sheshit prej të dhënave të shtypit atje ka shkelje ligjore dhe vonesa gjithaashtu dhe rritje kostosh të papara. Këto sikur i ka vërtetuar deri më sot edhe refuzimi i Bashës për tu paraqitur në Prokurori. Dhe kur ngrihen akuzat për korrupsion çështja, tek e fundit, reduktohet në shkeljet ligjore sepse mund të jetë e vështirë të provosh nëse në sajë të këtyre shkeljeve ka hyrë apo nuk ka hyrë në xhepin e ndonjë pushtetari ndonjë lek rryshfeti. Të paktën kjo ishte logjika që u përdor nga vetë PD kur u akuzua projekti i Zogut të Zi. Nuk u zbulua ndonjë lek në xhepin e Edi Ramës, por këto u deduktuan nga evidentimi i shkeljeve ligjore që dukej sheshit se ekzistonin. Po ashtu, pavarësisht se mund të duash të bësh një punë të mirë, kjo nuk mund të bëhet në kurriz të krejt ekonomisë së vendit e, për më tepër, për këtë nuk mund të vendosësh arbitrarisht pa pyetur kërkend. Nëse një projekt na kushton shumë, mund ta pëlqejmë, por, kur nuk e paguajmë dot, e lemë apo e ndajmë në etapa. Majkua disa kohë më parë hodhi idenë e tunelit nënujor Vlorë – Otranto, por një ide e tillë, po të tentohej të realizohej, do të fundoste jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe atë italiane. Së fundi duhet shtuar se një vend si Shqipëria, pikërisht pse dihet se ka hapësirat më të mëdha për informalitet e shkapërcim të ligjit, jo rrallë synohet edhe nga të huajt për të abuzuar e përfituar. Shembujt nuk mungojnë që në kohën e Nanos së parë. Prandaj hetimi i ndershëm dhe i drejtë edhe për rrugën Durrës - Kukës - Morinë është një gur prove i rëndësishëm për mazhorancën. Le të kthehemi atëhere tek drejtësia. Çështja që del sot është: a mund të kemi ne një drejtësi të aftë që t’i mbërthejë të dyja palët, që të peshojë pa asnjë lloj ndikimi e presioni politik nëse ka pasur shkelje në Zogun e Zi apo në rrugën Durrës – Kukës – Morinë e të kthjellojë me syrin e drejtësisë së vërtetë qytetarët që duan të dinë e të bëhet drejtësia? Përgjigja është “jo” dhe kjo jo vetëm sepse do të mbeteshim pa parti politike, e pa kryetarë, por mbi të gjitha sepse partitë politike janë më të forta se drejtësia sot për sot. Në këtë rast do të duhej një drejtësi që të ishte në nivelin e asaj italiane që me oporacionin “duart e pastra” shkaktoi shkatërrimin e partisë demokristiane dhe socialiste në fillimvitet ‘90. Por edhe atëhere kishte një parti, ajo ish komuniste, që, duke mos pas qenë asnjëherë në pushtetin qendror, mbushi sadokudo vakumin moral të politikës, kishte edhe një shëqëri civile të shëndoshë. Në mungesë të një drejtësie e po ashtu të një opozite kredibël, siç është rasti ynë, do të duhej që kjo klasë politike të përmbysej me ndonjë revolucion qoftë edhe paqësor. Por për këtë duhet minimumi një shoqëri civile e shëndoshë ndërkohë që tek ne edhe kjo është gllabëruar nga politika, prandaj me sa duken bathët apatia që ka mbërthyer njerëzit vështirë se mund të prodhojë ndonjë lloj lëvizjeje në këtë drejtim. Atëhere si do të mund të dalim nga kjo gjendje? A mundet që mekanizmi të jetë tjetër, jo aq i pastër dhe radikal përderisa për pastërtinë dhe radikalitetin që kërkojmë do të duhej të na vinte një trup gjyqsor direkt nga qielli e të fillonte proceset ndaj të gjithëve, e po ashtu një klasë politike qiellore. Pra, a mundet që këto masa të pjesëshme edhe selektive që po ndërmerr mazhoranca, arrestimet që kanë ndodhur kohët e fundit, por edhe kërkesa për ndërrimin e një prokurori e në tërësi për reformimin e sistemit të drejtësisë të ndikojnë që drejtësia jonë të fillojë të ecë disi më përpara drejt së mirës. Po ashtu, nga ana tjetër, fakti që opozita, ndonëse vetë e zhytur në korrupsion në kohën kur ishte në pushtet sot denoncon aktet abuzive të mazhorancës a mund të ndikojë në frenimin e kësaj plage që duket sheshit se është ajo që i shkakton hemoragjinë më të rëndë asfiksuese vendit? Besoj se kërkush nuk thotë dot se është më mirë të rrimë kështu si kemi qenë me sistemin e drejtësisë ashtu siç ishte në kohën e Socialistëve, ku fjala korrupsion as nuk përmendej nga eksponentët e mazhorancës së atëherëshme. Konflikti i sotëm në këtë kuptim është i shëndetshëm. Po të punohet mbi të me vullnet të mirë ai mund të prodhojë diçka pozitive. Këtu përsëri kërkohen njerëzit e vullnetit të mirë dhe ja ku dalim dashur pa dashur tek Presidenti Topi i cili është njeriu që, edhe për kompetencat që i jep Kushtetuta, edhe si i përzgjedhur për njeri vullnetmirë, duhet të bëhet katalizatori i drejtimit për mirë të këtij procesi. Por Topi së fundi deklaroi se çështja e Sollakut i përket Parlamentit duke treguar qoftë kufizimin e tij qoftë kushtetues qoftë pafuqi politike për të kryer një reformë në drejtësi. Ndërkaq në Parlament dominojnë vullnetet e këqij: ai i opozitës që më një anë thotë heqim imunitetin vullnetarisht kurse më anë tjetër kundërshton heqjen e Sollakut që akuzohet nga mazhoranca si imuniteti i vërtetë i opozitës. Ky është vullnet i keq sepse nëse me heqjen e imunitetit opozita kërkon të provojnë pafajësinë e të vetëve atëhere nuk duhet të ketë frikë as nga heqja e Sollakut për ta provuar këtë pafajësi. Shqipëria sado që nuk është vend me drejtësi të fortë e të pavarur nuk është megjithatë vend ku një politikan mund të dënohet padrejtësisht. Ndërkaq nga ana tjetër kemi vullnetin e keq të mazhorancës që duket se më shumë e ha meraku të heqë Sollakun për ta mbajtur nën presion opozitën me një prokuror të vetin - së fundi ndoshta edhe për të mos u përdorur nga opozita për çështje të tilla si ajo e rrugës Durrës - Kukës Morinë - sesa të angazhohet seriozisht në ato reforma që do ta ulnin mundësinë e korrupsionit në vend. Sepse e di edhe bufi se korrupsioni nuk lind tek Sollaku, ai vetëm sa nuk dënohet tek Sollaku. E shenjat për ta luftuar korrupsionin atje ku lind, pra jo thjeshtë e vetëm me ndëshkim fajtorësh, por me zmontim të sistemit të korrupsionit, PD-ja i ka të vogla.Ja pse sillesh nga sillesh dhe e ke vështirë të gjesh shtegun prej nga ku drejtësia jonë mund të nisë rrugën e saj për mbarë. Por nëse ky shtek do të ketë një fillim ky fillim do ta nisë rrugën e tij nga pena e Topit i cili është përpara një prove të vështirë që ose mund ta ngrerë lart si politikan ose mund ta ulë shumë. Një mbështetje megjithatë ai e ka: opinionin që është tejet i lodhur nga sistemi i korrupsionit dhe “hekurin e skuqur” të konfliktit të fundit midis mazhorancës dhe opozitës. (Korrieri, 10 tetor 207)

5 comments:

bledarbregasi said...

I dashur Fatos,
pas 17 viteve autoqeverisje demokratike, vajtëm ku vajtëm, dhe e katandisëm veten tek dëshira dhe vullneti i një njeriu të vetëm {Topi}, ashtu si jetuam per 50 vjet, nën dëshirën dhe vullnetin e Enver Hoxhës....Është ky një fakt shumë domethënës që duhet të na bëjë të reflektojmë....
BledarB.

Anonymous said...

Opinioni shqiptar, qe ka pare nje korrupsion te pa pare keto 17 vjet, e kudo,eshte teper mosbesus ndaj cdo gjeje. Madje edhe sikur nje rruge te behet cdo gje ne rregull, e as nje fjal te mos dal, per shkak te pervojes se keqe keto 17 vjet, njerezit do mendojne prap qe ka korrupsion. Keshtu dhe ne rrugen 57 kilometershe qe ben qimet e kokes, mendoj se qeveria e ka humbur komplet besimin e opinionit publik, qe sic e thashe mesiper per arsyet. Mendoj se ne shrimin e Fatosit, preket ciptesisht korrupsioni, e me teper propoganda ose ajo fushata qe bente ose thoshte cdo parti, psh kur e kulifiko Berishen pas 97tes si luftus te korrupsionit. Emri i berishes eshte i lidhur me dy vjedhjet me te medha, piramidat finaciare, grabitja e tokes. Plus si qytetar kam pare qe 92-97 u instalua nje sistem korruptiv ne dogana e tatime e zyrat e shtetit, e kjo behej nga qe pushteti u monopolizua te nje njeri, e ky njeri mbeshtetjen e tij e krijonte jo ne baze te aleancave e programeve, qe donin te ndryshote politiken e perqendrimit te pushtetit, po me rekrutim mbeshtetesis me dhenien e zyrave te shtetit per fitime personale. Berisha ka te vecant se nuk i behet gje qe thote te kunderten aty per aty, e keshtu me i siqert ai Nano qe te pakten mbyllte gojen, se e dinte ca bente, sesa ky qe ben te njejten gje, po qe del e ben engjellin e uleret per te kunderten.
Pra korrupsioni u instalua 92-97, u krijua nje precendent e nje histori , erdhi PSja ne pushtet, vazhdoi te vidhte ne te njejten menyre e kuptohet e coi nje hap me tej. Po qe se PDja do kishte nje standart te fort kundra korrupsionit e vjedhjes ne 92-97, PSja do ta kishte shume te veshtire, te kthente kete tradite ne te kundert, do qe kosto e larte , e ne nje menyre partia qe vite pase do qe e kondicionuar te kishte disipline e jo vjedhje. Po kur partia me pare i hap deren, ti qe vjen me pas e ke te hapur deren e korrupsionit, e keshtu eshte e thjeshte. Pa then ketu qe ne 92-97 u grabiten pasuri te madhe kombetare, nje pjes e tyre vajten dem. Po keshtu ne ne ndryshimet ne 2005sen, PDja do vjedhi sa PSja me pare, e do ta coj nje hap me lart, sic beri me keter rrugen. Pra se e gjeti keshtu, e me keq kur e con nje hap me larg, neser kur te vij PSja prap kjo do vjedhi me shume. Pra precedenti i korrupsionit vete ne drejtimin negativ, e cdo parti hedh hapa ne ate drejtim.

Personalisht nuk besoj se korrupsioni do shkulet menjehere, se dhe Berisha e ka ne qender te politikes se tij korrupsionin, se eshte menyra totalitare qe ai drejton partine, qe e ben ate qe njerezit qe i vin nga pas e qe i mban i mban me ato poste qe marin kur vin ne pushtet.
Po keshtu dhe Rama.
Korrupsioni eshte futur keq, e mendoj se nje nje kohe tjeter do iki, se sa te jene keta Berisha-Nano-Rama, do vej dore me dore, sic e kane bere deri tani.
Kur te prehet linja e pushtetit, e te rilind e vij nje politike e re, shpresojme te gjenerohen gjerat e te kemi nje politike antikorruptive.
Duhet te pranojme qe rezimi i shtetit ne 90ten, pushteti ra ne duar te njerezve qe nuk ishin produkt i e te kapur nga shoqeria, po e moren pushtetin per vete e plackiten ca deshen, ose plotesuan epshet e tyre bajraktare.
Mua me vjen keq qe Lubonja beson se Berisha vertet eshte i pakoruptuar, se ai e polli kete politike ne 92shin, kete funksionim, qe vajti dore me dore, e eshte pergjegjes per shkaterimin e ekonomise kombetare ne fillimet e 90tes, per vjedhjet piramidale, e per vjedhjet e tokave, ca do me teper? Keto kane qene vjedhjet e shkaterimet me te medha ne historine e shtetit shqiptar.

bledarbregasi said...

Interesant eshte shrimi i Lubonjes...person qe une stinoje..por me pelqeu edhe sintetizimi qe bene anonymus mbi fenomenin e korrupsioni (bukur)...por dua ti them anonymusit se me as sa un e kam ndjekur nepermjet shkrimeve te veta Lubonjen, nuk mendoje se mendimi i tije per Berishen eshte qe ky i fundit eshte person i paster...perkundrazi.....

Pershendetje
BledarB

BledarB

Anonymous said...

bledarbregasi, se kemi nje emer, po une e them bledi.

Qe te jem me i qarte, mua me ka habitur, sesi ne 2005 Sali mori karten e antikorrupsionit, ky njeri qe ra nga pushteti per vjedhjet piramidale?! e gazetaret e shoqeria civile e aprovuan kete kart te tije.
Antikorrupsioni i Sali Berishes, jo vetem qe eshte propogande e paster, po ka qene ky njeri qe ne fill te 90tes instaloi politiken qe sjell korrupsionin, dhe e dyta si shume diktatoret, ky e perdor kete karte, per te asnjanesuar opoziten ndaj qeverise, qe do kishte duart te parat e shqiptareve pas 05ses, dhe e do presion, shiko ca behet me rrugen 57km, dhe vim te kreu i shpates, antikorrupsionin Saliu e perdori per te avancuar pushtetin e tij, e gllaberuar me radhe gjithe pushtetet, e sic e dime presidentin e mori, e tani do mar dhe prokurorin, drejtesine komplet ne dore, pra me kete karte ai pushtoi gjithe pushtet, qe ne kushtet te tjera do ta kishte shume veshtire.
Per presidentin ai filloi sulmin ne kuadrin e antikorrupsionit kundra Sollakut, e qe sulmoi Moisiun pa reshtur, po thelbi qe te uzurpimi i pushteteve.

Korrupsioni u vendos ne shqiperi ne menyren sesi u konceptua politika pas 92shit, e nuk qe kapitaliste fare.
Berisha ne kushte normale nuk do vinte kurre ne pushtet, ai ka qene gjithe kohen nje njeri konflikual e nuk kishte aftesi shoqerore, qe ta conin ate te konsesuset qe krijojne njerezit e ngrihen lart nga mbeshtetia qe kane ne shoqeri.
Ai erdhi ne pushtet kur u krijua nga boshlleku ne ndryshimin e regjimeve, e kuptohet qe te mbante pushtet zgjodhi rrugen qe do joshte njerezit e mbeshtetesit me postet.


Nqs nuk duam korrupsion kjo nis qe te partite, sesi behet politika, njerzit qe perfshihen ne te, e me radhe, mos ngelemi vetem te vulneti ose rastesia e njerezve e lidereve.

Partite tona mbledhin njerez pa pune, vitet te tera rine pa pune, e kur vine ne pozite ca do presesh nga ata.
Ka disa zgjidhje standarte sesi te organizosh nje parti,e te cilet mbeshtetet, si i ben kontraten e pjesmarjes me individet e saj ejt qe kur te vish ne pushtet te mos kesh baren e njerezve te papune qe duan pushtim postesh.

Te ne kjo politike qe pjell korrupsioinin eshte instaluar nga Sali Berisha qe ne 1992shin, qe e vume te vitne demokracine e kapitalizmin,ky vuri anarkine dhe totalitarizmin personal.

PSH.
Ca ligji zbatimi do nga kadastrat,e lufte kunder korrupsionit, kur nje pjes e politikes jo vetem qe ka nxitur njerezit te pushtojne e vjedhin toka, po ne qeveri legalizon vjedhjet?! Pra ka me korrupsion nga kjo, e cbalancim e prishje komplet te sistemit, pas te cilit nuk ve me ligj.

E keshtu me radhe ne cdo fushe eshte bere, korrupsioni eshte pjelle.

Ca mos korruptim zyrtaresh do, ku partia vjen ne pushtet emeron zyrtarin edhe ne zyren me te ulet, sikur nuk vjen per komandim te shtetit nga timoni, po per thithjen e tij ne cdo qelize.

Ca mos korruptim zyrtaresh do, kur ne opozite per vite me rradhe mban njerez, shumica te pa pune, me te vetmen arse, qe kur te vish ne pushtet tu japesh ne pune, post ose nje zyre shteterore.

Mendoj se korrupsioni, duhet pare ne gjithe sistemi e tij, qe ta luftosh e ti kerkosh partive ne opozite e pastaj ne pushtet gjera reale, qe korruspioni te shkulet nga ky vend.

Pra te ndryshohet menyra sesi behet politika, kjo menyre qe ka pjell kete korrupsion.

E mos kalojne njerezit me sic kaloi Berisha ne 2005sen, e madje mori dhe flamurin e antikorrupsionit njeri pergjegjes per dy vjedhjet me te medha, ate te piramidave dhe tokave.

Sic e shpjegoi sistemin, sic eshte ne perendim te artikulli per Universitetet, Lubojna edhe per korrupsionin duhet te shikojme sesi jane te perberesit e sistemit qe te mos pillet korrupsion.
E neser ta kesh te stjelluar e detaluar, e drejtusit e neserm te kalojne ne te gjitha keto detajet, e te vleresohen ne te gjitha keto, e jo si deri tani vetem nga fjalet e propoganda.
Me te mira.

bledarbregasi said...

I dashur anonymus,
në këtë shkrimin tënd, me bere te reflektoja...ose më mirë më bëre te kuptoje një diçka: Berisha te dyja herët që ka ardhur në pushtet, ka përfituar pòrtò ardhur në pushtet nga nje situata politike e trazuar...shiko rasin e 1990....po edhe ai i 2005 mund të kosiderohet si një sitatë politike e varfër, sepse e majta pasi qeverisi per 2 mandate, krijojë një klim dhe opinion mbi politikën kaq të keqe përshkak të rritjes së nivelit të korrupsionit saqë populli kur shkojë të votonte ndihej kaq i pa shpresë saqë vendosi të votonte persëri Berishën sepse ishte e vetmia alternativë dhe i vetmi që premtonte luften kundër korrupsionit...Pra nga nje situateë e keqe si ajo e 2005 mund të përfitonin vtëm njerëz të këqinj..si Saliu..Por edhe kur sistemi politik në Shqipëri është i monopolizarë nga vetëm dy personazhë si Saliu dhe Nano..është llogjike që këta të dy, bëjnë çbëjnë sjellin në fuqi apo edhin poshte njëri tjetrin...Per kete asye un mendoje se nje sistem politike i shedoshe nuk krijone situata politike te deshperuara, ku edhe zgjedhja qe me pas bene elektorati, mund te jete e deshperar apo emotive, sepse ne nje sitate te veshtire {si ishin ato e 1990 dhe 2005} edhe nje person mjaft inteligjent mund te gaboje ne zgjedhet qe bene...Per kete arsye une mendoje qe Saliu dhe Nano nuk duan qe sistemi politik dhe Shqiperia ne pergjithesi te zhvillohen, sepse e dine qe edhe populli ndryshone dhe zhvillohet ne gjykimet dhe zgjedhjet e veta....Per mendimin tim, Nano dhe Berisha kane per te mbijetuar ne politiken shqipetare, derisa kjo nuk do arrije te krijoje nje fare stabiliteti dhe derisa debati politike do jete i monopolizuare nga dy person...Dhe monopolet zakonish kur jan formuar mire dhe konsoliduare per vite me radhe eshte e veshtire ti eliminosh..

Pershendetje.

Pershendetje