Wednesday, December 19, 2007

Biznesi banal me nostalgjinë e komunizmit

Ditën e martë ndoqa me vëmendje emisionin “Tek Keli” ku përballë gazetarit Enkel Demi ishin organizatorët e emisionit “Njëqin këngët e Shekullit”. Vura re se Demi, teksa u drejtonte pyetjet katër organizatorëve të spektaklit, nuk e fshihte shqetësimin që e brente, se shumica e atyre këngëve ishin nga ato të propagandës socrealiste dhe se riciklimi i tyre qe një fenomen që nuk duhej marrë me lehtësinë me të cilën i kishin sjellë ato në skenë regjizori Pandi Laço dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhe as dukej i bindur se ato e meritonin titullin bombastik “Këngët e shekullit”. Këtë shqetësim, por shumë më bruto, ma kishte shprehur para disa kohësh një miku im ish i burgosur politik i cili më mori në telefon i revoltuar e më tha: “ore, po çfarë po bëjnë këta kështu! Po me këto këngë janë shpëlarë trutë e miletit, kurse ne aty brenda na kanë torturuar duke na i vënë nga mëngjesi në darkë!”
Përballë pyetjeve të Demit regjizori Pandi Laço dhe të ftuarit e tjerë aty kërkuan ta shpjegonin, sipas mënyrës së tyre, atë çka kishin bërë. Sipas Laços ata kishin bërë një punë të mirë, sepse kishin ndihmuar të ruheshin këngë që po zhdukeshin. Pra një punë arkivimi mund ta quajmë. “Ashtu siç ruan psh. Galeria e Arteve pikturat dhe skulpturat e realizmit socilist” – tha njëri nga të ftuarit në mbështetje të kësaj ideje. Por kushdo që ka pak mend në kokë e di se nga arkivimi e deri në atë festë të madhe televizive ka një diferencë të madhe. Ato nuk u ritransmetuan ashtu siç ishin të regjistruara, duke u marrë ndoshta në analizë kritike, por u kënduan me patos nga të rinj e të vjetër të riaranzhuara. Po ashtu seria e spektakleve të Laços u raklamua pa rreshtur në TV Klan me tone emfatike. Jo vetëm, por, siç doli nga emisioni, organizatorët i kishin ndryshuar disa pjesë tekstesh që të mos “kërcitnin” ashtu dhe aq: psh. atje ku thuhej “partia” doli se kishin vënë “rinia” dhe nuk kishin përfshirë këngë që i këndoheshin shokut Enver, ndërkohë që ruajtja duhet t’i përfshinte edhe këto. Pra, të thuash se kemi të bëjmë me një punë ruajtjeje e arkivimi është të gënjesh trashë. Por organizatorët nuk vonuan ta përgënjeshtrshtojnë vetë idenë e ruajtjes e arkivimit kur, në përpjekjet për të legjitimuar këndimin e këtyre këngëve, sollën shëmbullin e Bella Ciaos që këndohet në Itali apo këngën e Che Guevarës. Pra, pse të mos i këndojmë ne këto këngë kur në Itali këndohet Bella Ciao dhe në Amerikën Latine apo edhe gjetkë i këndohet komandantit Che Guevara? Shkurt edhe ata nuk e mohuan dot se kemi të bëjmë me një punë riciklimi. Dhe kjo, sipas meje, meriton të anlizohet seriozisht.
Nuk jam kurrsesi i idesë që këto këngë duhen zhdukur nga dheu, as se nuk duhen dëgjuar. Ato duhen ruajtur e dëgjuar (ashtu siç janë kënduar) sepse ndihmojnë të kuptohet ajo kohë. Ato duhen ruajtur e dëgjuar edhe për arësye të studimit të fazave të ndryshme të asaj kohe, sepse edhe nëpërmjet tyre dallojmë, nëpërmjet ndryshimeve të teksteve dhe të melodive, periudhat e ndryshme të diktaturës dhe të propagandës socrealiste që e ka shoqëruar atë. Ato duhen studiuar edhe nga muzikologë që merren me studime të ndryshme të zhanreve të ndryshme muzikore, po ashtu. Ka shumë arësye, pra, pse ato duhen ruajtur e dëgjuar. Por akti i këndimit, i riarrazhmit i rimarrjes nga këngëtarë të rinj ashtu siç bënë Laço me të tijtë dhe mbiquajtja e tyre “Këngët e shekullit “ më duket një gjë krejt tjetër me të cilën nuk pajtohem kurrsesi. E konsideroj si një fenomen që meriton të shqyrtohet me shumë shqetësim. Le të shtjelloj disa nga argumentet e mija pa pretenduar se mund ta shterroj një fenomen të tillë me të cilin, e përsëris, duhet të merremi shumë serizisht. Së pari, duhet të sqarojmë se ata që këndojnë Bella Caion në Itali identifikohen edhe sot më atë këngë partizane. Edhe gazetari Enzo Biaggi, që vdiq së fundi, kishte lënë amanet që, kur të varrosej, të këndohej Bella Ciao e cila u kënduar nga ata që e shoqëruan në banesën e fundit. Po ashtu edhe ata që këndojnë dhe rikëndojnë këngën e komandantit Che Guevara identifikohen me të sepse besojnë në mitin e revolucionarit që dha jetën për një ideal. Kurse organizatorët tanë nuk na thanë nëse mendojnë se duhet të identifikohemi me ato këngë apo jo. Ose më saktë a identifikohemi ne me ato këngë apo jo. Ose të paktën se kush identifikohet. Kush identifikohet sot me këngën “Shoqet tona ilegale” që dikush tha se është këngë për luftën të cilën ne nuk e kemi hedhur poshtë. Në fakt këngë si ajo apo si kënga “Baballarët” janë këngë që u bënë shumë më vonë, jo në kohën e Luftës, për të rritur edhe më tej kultin e shoqeve (si shoqja Nexhmije) dhe shokëve (si shoku Enver) udhëheqës të partisë që në emrin e Luftës shtypën e çnjerëzuan një popull të tërë për 45 vjet. Prandaj dhe njerëzit, shumica sigurisht, refuzojnë t’i këndojnë e dëgjojnë ashtu sikurse kanë refuzuar t’i këndojnë e dëgjojnë dhe në atë kohë. Ato ishin këngë që u imponoheshin nëpërmjet propagandës. Dhe vetë fakti që ato këngë kanë shoqëruar me tingujt e tyre marrshimin e të dhunshmëve mbi shpinë të popullit shqiptar është një arësye e mjaftueshme për të mos i kënduar. Së dyti, duhet thënë se ato këngë, artistikisht, janë shumica të një shijeje të keqe. Përmbajtja e tyre, qoftë muzikore qoftë ajo e teksteve, ka pak ose aspak të bëjë me ndjenjat e vërteta njerëzore e aq më pak me ndjenjat e shqiptarëve të asaj kohe dhe akoma edhe më pak me muzikën e kohës kur janë krijuar. Po ashtu, duhet thënë se heqja e ndonjë fjale si “parti” apo “Enver” nuk ua ndryshon atyre këtë përmbajtje, as ua heq atë atmosferë të rrejshme festive e optimizmi që kërkonin të ngjallnin tek njerëzit në kuadrin e propagandës trushpëlarëse ndërkohë që realiteti ishte i mjerë. Fakti që një pjese njerëzish i pëlqejnë sepse janë rritur me to dhe i sjellin për asosacion ndërmend kohët kur ato u rrihnin veshin nga mëngjesi deri në darkë, tregon se këta njerëz kanë mbetur me shije të keqe. Por, e përsëris, pjesa më e shëndoshë dhe më me shije e shoqërisë nuk i ka kënduar e dëgjuar ato këngë as nuk ka kërcyer me to në mbrëmjet intime, sepse nuk e gjente veten në to, përkundrazi. Mirëpo sipas organizatorëve spektakli ishte një sukses. Nuk e përjashtoj këtë ndonëse nuk mund të jap gjykimin tim saktësisht sepse, nuk e ndoqa. Kur, duke kaluar nga një stacion në tjetrin, bija në këngët e shekullit nuk qëndroja atje. Por s’mund ta mohoj se mbeta për një çast i mbërthyer me çmerim tek ekrani kur pashë se spektakli u mbyll me këngëtarët tanë të vjetër e të rinj që kënduan, duke ia kaluar rradhën njëri tjetrit, këngën më të dashur të shokut Enver “Për ty Atdhe”. U tha se është kënga e kënduar nga i madhi Mentor Xhemali. Nuk u tha se është kënga më e dashur e diktatorit, një hymn i ideologjisë nacional – komuniste të pushteti të Enver Hoxhës, i cili, gjoja në emër të atdheut që qëndronts si “shkëmb graniti vigan kundër çdo stuhie dhe tufani”, e izoloi dhe e masakroi atë. Dhe fatin e vërtetë të këtij “vigani” e pamë dhe po vazhdojmë ta shohim përditë. Sigurisht me televizionet që i reklamojnë nga mëngjesi në darkë ato këngë edhe mund të kenë sukses, por ky sukses, që shpresoj të mos jetë i madh, megjithatë, është dramatik në çka tregon dhe në pasojat e veta. Sepse ky sukses është shumë i ngjashëm me “suksesin” që ato këngë kanë patur në kohën kur kishim një televizon të vetëm dhe një radio të vetme që jepnin vetëm ato nga mëngjesi deri në darkë për qëllime trushpëlarëse. Ky sukses, pra, është rezultat i një trushplarjeje të një lloji të ri që nuk është vështirë ta identifikosh. E shprehu këtë një nga organizatorët e spektaklit. Kur Demi i pyeti për shitjet e CD me këngët e shekullit ai tha se ato shkonin shumë mirë, por mbi të gjitha shitja shkonte tek më të moshuarit, dmth tek nostallgjikët e asaj kohe, ndonëse edhe të rinjtë, sipas tyre, kishin filluar t’i fusnin në disko. Shkurt, sipas meje, në tërë këtë histori kemi të bëmë me një komercializim banal të nostalgjisë. Né garën tonë për pasurim të disave apo në strapacimin për të mbijetuar të shumicës edhe ato këngë, edhe nostalgjia, shihen thjeshtë si mall tregu që mund të sjellë përfitim. Kemi të bëjmë me një nga shfaqjet më të shëmtuara të asaj që Stiglitz e ka auajtur “fondamentalizmi i tregu”, i fitimit si e vetmja masë dhe peshë e çdo gjëje. Pa dyshim në jetën e njerëzve të asaj kohe ka pasur edhe gëzime familjare edhe shumë ngjarje të gëzuara që ata i kujtojnë me mall. Nuk mund të mohoet se nostalgjia, si fenomen psikologjik, është një diçka shumë komplekse. Ajo nuk mund të na mungojë qoftë edhe kur bëhet fjalë për të kaluara të zeza. Personalisht kam shkruar edhe një ese me titull “Nostalgjia e hidhërimit” ku përpiqem të shpjegoj se njeriu ka nostalgji edhe për vendin më të tmerrshëm ku ka kaluar jetën, burgun, sepse, tek e fundit, edhe aty ka përjetuar emocione. Duket se mbështetur në këtë fenomen kompleks autorët e spektaklit kanë menduar, me mendjelehtësi, riciklimin e këtyre këngëve. Them me mendjelehtësi sepse kanë harruar apo nuk e dinë se njeriu serioz që i kthehet një të kaluare si ajo e diktaturës i kthehet asaj, përveçse me nostalgji, edhe me vështrim kritik edhe me revoltë edhe me ndjenjë dënimi. Madje këto janë dominuese. I kthehet gjithashtu me mendimin që këto t’ia transmetojë rinisë e cila duhet ta njohë atë kohë, për të cilën nuk ka nostalgji asfare sepse nuk e ka jetuar, që të mos përsërisë gabimet e të rriturve. Kurse një nostalgji për atë kohë pa vështrimin kritik ndaj saj, pa ndjenjën e empatisë për viktimat e asaj kohe, pa pendesën dhe pa ndjenjën e vënies së drejtësisë mund ta kenë vetëm pjesa më e keqe e xhelatëve të asaj kohe, ata që kanë mbetur trushpëlarë dhe shpirtharë. Dhe faktkeqësisht mënyra se si këndoheshin ato këngë tregonte se tek ne kanë mbetur shumë trushpëlarë dhe shpirtharë. Nuk mendoj se Laço dhe organizatorët e tjerë ta kenë bërë spektaklin pasi janë kriptokomunistë e ndjejnë simpati për atë kohë dhe xhelatët e saj, as për të rritur numrin e votuesve nostalgjikë të PS-së, por them se zelli nostalgjiko komercial me të cilin u reklamua kjo seri spektaklesh e me të cilin i këndonin këgëtarët ato këngë për mua ishte tronditës sepse më tregonte se sa pak kemi reflektuar për atë kohë duke më bërë, fatkeqèsisht, t’i ndjej të afërt me xhelatët. Por ky fenomen tregon edhe diçka tjetër, edhe më të rëndësishme, si anë tjetër të medaljes së asaj që thashë më lart lidhur me mungesën e reflektimit mbi të kaluarën, apo, ndoshta, bash si rezultat i saj. Ai flet edhe për një boshllëk të madh shpirtëror të kohës tonë, e, në këtë kontekst, edhe për një mungesë të muzikës së vërtetë që duhet t’i përgjigjes kohës sonë. Po të vesh re edhe shumica e muzikës që krijojmë sot në tërësi është shumë banale. Edhe ajo, ashtu si ajo e socrealizmit, nuk bën pjesë në atë muzikë që këndohet e dëgjohet vetmevete nga njerëzit apo në grupe të ngushta intime, pasi nuk u përgjigjet nevojave të tyre shpirtërore. Edhe muzika që prodhojmë sot, si ajo e djeshmja, i drejtohet një shumice injorante duke ua shpëlarë trutë jo më në emër të kooperativizimit, por të fitimit. Kemi të bëjmë me dy ekstreme që puqen. Prandaj do të thoja se kulti i parasë si e vetmja vlerë, si i vetmi statusdhënës që mbretëron në shoqërinë tonë duke e tharë shoqërinë shpirtërisht, paradoksalisht na çon në atë kohë të antiparasë. Komercializimi deri edhe i këngëve të këqija që i shërbenin së keqes vjen ngase nuk prodhojmë dot këngë të mira, të vërteta, pasi jemi aq të varfër në botë shpirtërore të vërtetë. (Korrieri, 16 dhjetor 2009)

10 comments:

Selfmaderadio said...

100 kenget e shekullit eshte nje formule spektakli qe po perdoret nga praktikisht te gjitha televizionet perendimore se fundmi. Eshte nje lloj formule si Big brother, Vallezim me yjet qe na jane bere peshqesh keto kohet e fundit. Keshtu qe, Laco, dhe televizioni ku ai punon, vetem se po ripertypin keto formula e po ju shtrydhin potencialin per sukses: mediatik e komercial.

Eshte po i njejti Laco (Laco & Laco) qe para pak kohesh vuri ne skene spektaklin e kenges per femije, ne te njejtin televizion, ku femijet viheshin te kendonin kenget e te rriturve, te huaj dhe shqiptare dhe pastaj gjykoheshin nga nje juri te rriturish per cilesine e performances (premisat dhe mentaliteti i riqarkullimi edukohen qysh heret).

Mendimi kritik? Cudi qe e paska pasur Enkel Demi dhe e paska bere teme te emisionit te tij. Zhvillim pozitiv.

Anonymous said...

Nuk e di a e lexon Lubonja kete blog, por gjithesesi, me shprese se po, po i shkruaj dicka sepse do te doja nje mendim nga ana e tij.

Kam lexuar aq shkrime te Lubonjes sa kam patur mundesi dhe kam hasur kudo nje qendrim gjykimi te rrepte (te drejte, per mendimin tim) ndaj diktatures dhe fenomenologjise qe e ka shoqeruar.

Ai, per shembull, akuzon (me te drejte) shkrimtaret dhe artistet e cdo zhanri qe kane krijuar ne periudhen e diktatures se kane kontribuar fuqishem ne vendosjen dhe mbajtjen e saj ne kembe permes ushqimit te procesit te "trushpelarjes".

Por, mendoj une, nuk jane vetem ata qe kane kontribuar ne kete proces.

Ka edhe plot kategori te tjera, si p.sh., fjala vjen, ekonomistet, te cilet kane aplikuar parimet e ekonomise socialiste, inxhinjeret, qe duke krijuar vepra kane lartesuar rregjimin, mesuesit, qe krahas mesimit te shkrimit e te kendimit u kane percjelle nxenesve (ishte pjese e cdo programi mesimor!!) ne menyre sistematike nocionet e soc-komunizmit, sportistet, qe benin gola, shenonin pike apo arrinin pergjithesisht rezultate per glorifikimin e sistemit tone te mbrapshte (shkembi vigan etj. etj.), e keshtu me rradhe. Madje une mendoj se nje gol i, fjala vjen Ylli Shehut kunder Suedise, apo nje set i fituar ne Ballkaniade nga piket e Ela Tases, apo ndertimi i nje hidrocentrali apo vepre tjeter (pergjegjesi inxhinjeresh e studjuesish), apo puna sistematike e trupes se mesuesve kane qene shume me efikase ne ndertimin e sistemit (nga pikepamja e trushpelajres) sesa veprat e kujtdo shkrimtari/krijuesi.

Pergjegjesia per ngritjen dhe perpetuimin e sistemit pra, bie mbi nje numer jashtezakonisht te madh qytetaresh Shqiptare, per mendimin tim shumice derrmuese absolute.

Keta njerez kane shpenzuar nje pjese te mire te jetes se tyre ne ate sistem, brenda te cilit kane punuar, kane krijuar, kane ndertuar, kane urryer e kane dashuruar; me nje fjale brenda te cilit kane jetuar.

Ky fakt, per mendimin tim, e ben te veshtire "fshirjen", apo mohimin e vetedijshem dhe teresor te gjithckaje qe ka lidhje me ate periudhe: duke mohuar, denuar ate kohe, keta njerez (miliona njerez!!) duhet te mohojne vetveten; te denojne rende dhjetera vite te jetes se tyre! Nuk pretendoj se e kuptoj si duhet psikologjine njerezore, por mendoj se nje akt i tille kolektiv do te gjeneronte nje ndjenje faji nen peshen e se ciles shoqeria shqiptare nuk do ta kishte te lehte te mbijetonte.

Prandaj edhe reagimi (ndoshta instinktiv dhe jo i vetedijshem) eshte ai qe eshte.

Nuk mendoj se ka njeri qe ta mbroje muziken e kohes se diktatures si sistem vlerash (edukative, emancipues, etj. etj.), ashtu sic ndoshta konceptohej ne ate kohe.

Por shikoj se jane te shumte (ndoshta shumice) ata te cilet, njerezit qe e krijuan ate, autore tekstesh, kompozitore, kengetare, organizatore, e keshtu me rradhe, i nderojne, i respektojne e i vleresojne (pikerisht per vepren e tyre!!)

Anonymous said...

Edhe unë, ashtu si i zoti i shtëpisë, e lexoj këtë blog por rrallë marrë pjesë në debat. Më është dhënë kjo dhe ndjesia, e pathënë deri tani që shkrova, se këtu më interesojnë vetëm shkrimet e Lubonjës, sesa ç'thonë të tjerët, aq sa edhe për ato pak mesazhe që kam postuar, sikur jam penduar që i kam shkruar.

Kjo hyrje, si parantezë, ndoshta më vjen edhe nga cilësia e blogjeve shqip, ku në shumicë kanalizohen pasione të vjetra vendore, të cilat vitet e fundit janë mbytur dhe po bëhet gjithnjë e më vështirë të shprehen me emër në media.

Për këtë shkrim të fundit - përgëzime, Fatos Lubonja - do të thoja se na kujton edhe reagime të tjera të përngjashme të autorit, mbi tejpasionimin e gazetave mbi historikun e liderëve të diktaturës dhe familjeve të tyre këto vite, plus që na ndriçon sepse tanimë e trajton më vete dhe me një përqasje të shkëlqyer.

Unë do të komentoja dy-tre pika, sepse i mendoj shumë të rëndësishme mbi këtë temë.

Autori thotë se shumica nuk i kanë dashur këto këngë dikur, por kjo ishte në ditët kur Lubonja ishte i lirë. Mbas burgimit të tij gjërat ndryshuan shumë, sepse ne u manipuluam. Unë nuk dija ndonjë që të mos t'i deshte këto këngë në vitet 80, kur isha adoleshent. Kishte, ekzistonin, por nuk ishin shumica. U tha, ishte trushpëlarja, por ajo ishte më e thellë, më e gjerë. Unë si adoleshent nuk dija këngë të tjera, sepse nuk kisha ku t'i dëgjoja. Shikonim vetëm televizionin shqiptar, madje me grupe, sepse dy-tre shtëpi kishin televizon në një fshat me 200-300 shtëpi.

Dhe e shënoj këtë sepse vërej këto vite një shmangie të përshkrimit të jetës së fshatit shqiptar, duke iu dhënë jetës qytetare dikur, në një kohë kur, me statistika, fshatarët atëherë ishin shumica e popullsisë së Shqipërisë. Apo jo?
Kjo ka të bëjë, për tjetër parantezë, edhe pse komplekset e intelektualëve, të cilët luftojnë me të kaluarën dhe nuk duan ta ngasin plagën e kujtesës, nga njëra anë, dhe nuk duan t'i shtojnë biografisë së tyre edhe prejardhjen fshatare, e cila është harruar a korrigjuar.

Mbrapsht tek tema. Ishte manipulimi mendor, sidomos kur ata që reagonin kundër, kyçeshin brenda. Kur shpengohen ideologët e diktaturës, edhe sot që flasim ashtu sillen. Kujtoni Kadarenë ndaj Qoses: të mbyllet në çmendinë. Kjo nuk është fjalë e vogël që të harrohet, sepse analizon mënyryrën se si u mëkuam ne. Dhe këta ishin edhe ata që na bënë letërsinë, katekizmën dhe moralin.

I kemi kënduar ato këngë se na kanë pëlqyer atëherë, sepse nuk kishim mundësi të tjera artistike.
Ky është veshi i njeriut. Do të pëlqejë tinguj brenda morisë së tingujve që dëgjon.

Manipulimi mendor është një temë e madhe në kulturën shqiptare, dhe është gjynah të mos flitet. Sepse problemi më i madh yni, si grup, është psiksologjik, mbi të gjitha. Nga vjen këmbëngulja e keqe? Nga PPSH-ja, do të thonë shumë. Po, por nga Prapambetja e Popullit Shqiptar, jo nga diktatura e shkuar.

Nuk na vjen e keqja as vetëm nga politikanët sot, sepse ata kanë nxjerrë këto vite disa ligje që nuk i pranon populli, prandaj dhe ekspozohet shqiptari si i prapambetur. Tek e fundit, edhe ata janë një shtrije e cilësisë sonë si grup. Nga do dalin ndryshe? Prapambetja vjen nga psikologjia e shqiptarit, i cili ka kaluar disa faza të rrezikshme manipulimi.

Por më i manipuluari ishte vetë diktatori, që të vijonte krimet i shpenguar, jo në improvizim. Unë nuk besoj se Enveri nuk improvizonte kur dëgjonte dhe e pasonte i përlotur banalen "Për ty Atdhe". Duke studiuar këto vite literaturën e kulteve në politikë e në fe, shquaj se ai arriti në një rrjedhje të atillë, në një çmendje që kishte nevojë për ato këngë e për ato simbole, për të justifikuar edhe kultizimin. "Për ty Atdhe" ishte Himni që i këndonte Enveri Shqipërisë, ndërsa "Enver Hoxha, o tungjatjeta", ishte himni që i këndonim ne Atdheut.

Së fundi, komercializimi ka motive komerciale, por shkaku që maskarada tingëllon serioze, është tek manipulimi mendor, ajo që ka lindur dhe nostalgjinë e sotme për diktaturën. Sepse edhe dëgjoj ndonjë grua shqiptare në Toronto të më thotë, "na mori malli për Enverin, do ti, ashtu siç qe", por unë qesh, sepse nuk ia kam ngenë të merrem me të e t'i them se ku është shkaku i nostalgjisë së saj. Sepse thjesht ajo s'do më kuptojë, dhe, për më keq, mund të bjerë në depresion. Çfarë do t'i mbetet asaj, e cila ka mbarur ujë e dru si mushkë gjithë jetën, nëse i heq edhe ato pak ditë të lumtura që kaloi në aksion, bash duke kënduar ato këngë aq gazmore?

Anonymous said...

Ndërsa për ndryshimin e fjalëve "të ndyra" në këngët e diktaturës, është kaq folklorike, saqë po e postoj veças.

Kjo tregon se sa e madhe është vonesa kulturore në Shqipëri, se sa e vështirë është të përtypen jo vetëm teoritë e sotme kulturore, por edhe ajo mendimtari e viteve 1950-1990, e cila nuk na u zbulua në shkollën shiqptare. Nga ta nisësh më parë? Ja përgjigjja më e keqe, nga folklorikët.

Le ta themi më mirë. Kush e bëri i pari? Kadareja, i cili filloi të ndryshonte librat e tij, duke i shndërruar në palimpsestë. Përse të mos ta bëjnë edhe të tjerët?

Kjo më kujton Greqinë e viteve 60-70, që nisi ndryshimet e toponimeve turqisht, sllavisht e shqip nëpër male e kodra. Si në Shqipëri atëherë, kur fshati Shën Vasil, pranë meje, u gdhi një ditë Përparim, atje ku ishte dhe burgu.

Kjo, pasta, do të imitohet nga të gjithë. Më kujtohet kur isha i vogël, dhe më vinin të mëdhenjtë t'ia merrja këngës nëpër dasma. Dilte një nga brenda, hidhte një sy të shquante si kush fëmijë këndonte mirë, të kapte nga dora e të fuste në hodën e burrave pa të pyetur fare të thoshte: "merrja këngës!" Dhe ja një detaj.

Ishte një nga këngët e mia të preferuara, "Kam qenë sevdalli për këngë/tani nazet më kanë lënë", e të tjera. Mirëpo kënga vazhdoi, dhe ishte për të kënduar vargu "Hallet e dertet e mia/nuk i di as Perëndia". Sapo iu afrova fjalës së fundit, u sul xhaxhai, ndjesë pastë, ku ishte ulur tutje, dhe më thirri në vesh: "shoqëria", që të mos thoshja "perëndia". Mirëpo unë nuk kisha kohë ta ndryshoja fjalën dhe u ngatërrova dhe ajo ishte gjë e turpshme, që në dasëm të ngatërrohej këngën.

Pyes sot: përse nuk erdhi më para atij vargu, që unë të kisha kohë ta këndoja siç e deshnin të rriturit. Ai, edhe pse i shpronësuar, e cili madje pak më vonë më vonë ishte i vetmi që votoi kundër në zgjdehje dhe i shkaktoi trazira të mëdha familjes, e bëri ashtu, që të dukej se ai nuk ishte dakord me këngën që thoshte "Perëndia", sepse ajo fjalë nuk ishte e Partisë.

Anonymous said...

Anonymous nga Torontua di ti sugjeroja cfare pergjigje tju japi atyre qe nostalgojne Enver Hoxhen. Kush i detyrojti keta njeres si edhe gjysmen e Shqiperise te marri rruget e botes dhe te behen sherbetoret e saj. Nuk i detyrojti valle Enver Hoxha? Perendia na dhurojti nje vende te bekuar me nje klime fantastike, me burime tokesore dhe nentokesore. Por Enver Hoxha na i shndrojti ne sketer dhe ne ne bisha qe na ka frike gjithe bota. Por bisha nuk kupton ndaj dhe nostalgon!

Anonymous said...

... desha te thosha vetem nje gje rreth kenges "Bella ciao". Jetoj ne Itali prej shume vitesh dhe kete kenge mund ta hasesh gati ne shumicen e festave italiane, madje dhe me shume se nje here. Biles, e vene dhe ne disko duke e ditur dj suksesin mbi te rinjt. Por, a ja kan iden te rinjt se ca thote verte kenga??? Hem, nuk e di por mua me duket thjesht nje komercalizim i saj. Duke qene kjo kenge nje mit per me te vjetrit e nje grupi atehere edhe te rinjt e atij grupi fillojne e admirojne. Por s'mund te shpjegohet e gjitha thjesht me teorit mbi levizjet dhe shperndarjen/infuezes se informazionit ne grupet sociale? Jo, sigurisht qe jo. Nje pjese tjeter qe e pelqen kete kenge jane ata qe jane kunder nje drejtimi politik dhe zgjedhin "komunizmin" si "lum" kryesor per te lundruar. E verteta eshte qe te rinjt ketu ne Itali s'jane pothujse fare ides se kush eshte, nuk them komuizimi, aplikimi i komunizmit... I gjithe ky arsyet thjesht per te thene qe s'mund te merren shembuj si "Bella ciao", sidomos per nje vend qe ka kohe qe se ka pare, ose nuk e ka pare kure sic e ka pare vendi yn(un per vete kam qene akoma i vogel kur etapa e komunizmit shqipetar po mbyllesh).

Anonymous said...

Blogun e lexoj herëpashere me interesim të veçantë por nuk kam guxuar të hyj
ne debat sepse do të më thithte e do më linte brenda ndëkëhë që nuk kam
kohë, jam shume i zene. Por ky koment më intereson në mënyrë të veçantë. Me
ekstrapolim, po të ndjekësh idenë e anonimit, mund të thuhet se përgjegjës
për instalimin dhe mbajtjen në këmbë të fdiktaturës janë edhe ish të
burgosurit politikë të cilët kanë shtyrë vagona me krom bakër pirit apo kanë
ndërtuar tërë ato objekte industriale, apo tharë tërë ato këneta nga frika e
ndëshkimeve të ndryshme. Madje ata në një kuptim mund të quhen edhe më
përgjegjës sepse e kanë ditur se çfarë regjimi ishte, ndërkohë që të tjerë
mund të thonë se kanë besuar me gjithë zemër se po punojnë për ndërtimin e
socializmit. Pra nëse shtrohet pyetja a janë edhe të tjerë përgjegjës,
pëergjigja ime është "po". Sejcili në atë të vetën duhet të- mendjë për
përgjegjësitë e tij. Por pyetja mund të shtrohet edhe se cilët janë
përgjegjësit ktyesorë. Athere nuk mund të mos ndalemi në ato që kanë qenë
instrumentet kryesore të diktaturës. Po t'i referohemi Aronit instrumentet
ktyesore të diktaturës kanë qenë:
1. Ekzistenca e një partie të vetme që ka monopolin e aktivitetit politik
dhe të qeverisjes.
2. Frymëzimi dhe armatosja e kësaj partie me një ideologji që bëhet e
vërteta zyrtare e shtetit dhe së cilës i vishet një autoritet absolut.
3. Përhapja nga shteti e kësaj ideologjie nëpërmjet monopolit të dyfishtë:
atë të lavazhit të truve (tërësia e mjeteve të masmedias: radioja,
televizioni shtypi drejtohen dhe komandohen nga shteti) dhe nëpërmjet
mjeteve të forcës.
4. Shtetëzimi dhe ideologjizimi i ekonomisë.
5. Terrori policor dhe ideologjik që ushtrohet ndaj çdo gabimi ekonomik dhe
ideologjik.

Pa dyshim përgjegjësit kryesorë janë ata që kanë punuar në këto instrumente
dhe jo ata që të shtrënguar nën darën e këtyre instrumenteve kanë vendosur
të mbijetojnë duke i shërbyer sistemit. Besoj se kategorizmi që bën Aroni e
bën të qartë dalimin midis një inxhineri ndërtimi dhe një inxhinieri
shpirtrash, siç i quante Gorki shkrimtarët. Nese i pari ka ndertuar pallate
te shemtuara i dyti ka ndertuar shpirtra te shemtuara. Por përgjegjësia e
shkrimtarit apo artistit bëhet edhe më e rëndë sepse , nëse një inxhiner apo
mësues mund të thotë se puna e tij është të ndërtojë pallate apo tu mësojë
matematikën fëmijëve një shkrimtar apo artist i shekulit XX nuk mund të
thotë kurrsesi se puna e tij është t'i këndojë një diktature, përkundrazi
puna e tij është ta denoncjë atë.
Fatosi

Anonymous said...

Për komentin se ishte Enver Hoxha ai që na detyroi të marrim rrugët e botës e të bëhemi shërbëtorë të saj, a diçka e ngjashme, unë nuk mund ta them se thjesht s'e besoj. Sepse e kthej nga vetja. Kush më mba mua të mos kthehem në Shqipëri? Nuk janë nostalgjikët e diktaturës, jo, ëndërrimtarët e një kombi imagjinar, të cilët në shumicë janë anti-Enver. Është kultura shqiptare, pra, ajo që na ka sjellë në konflikt me Shqipërinë, aq sa ta urrejmë atë. Fjalët e tjera nuk janë të sinqerta, se ata që e duan Shqipërinë nuk ikin nga Shqipëria. Sepse as më mirë jetojnë gjetkë, e as më të lumtur janë. Pse atëherë?

Anonymous said...

100 kenget e shekullit besoj ishte i suksesshem sepse muzika qe po krijohet sot si ajo e BBF, apo "TV 2000" etj vec muzike nuk mund te quhen, nuk kane lidhje as me te vjetren, as me te rene, por vec me njerez injorante si Sinan Hoxha, Meda, Xhixhi etj.. se as emrat nuk me kujtohen. Ne kenget e spektaklit muzika (d.m.th pa txt e kengeve) eshte muzike.

Anonymous said...

Në shkrimin mbi nostalgjinë muzikore shqiptare z. Lubonja më duket ka shkelur në një terren të rrëshqitshëm, duke i besuar më parë ndjenjës së tij se sa logjikës. Muzika nuk akuzohet kollaj për manipulime ideologjike. Në esencën e saj ajo është produkt i një ndjenje të caktuar, gëzimi, pikëllimi, dashurie, dhimbjeje, melankolie, adhurimi, pieteti etj. Do të duket fare pa rëndësi për objektin që e frymëzoi, kur bëhet fjalë psh. për një këngë erotike, nëse është frymëzuar nga një prostitutë apo ndonjë vajzë e qashtër a virgjëreshë. Kush është ai që mund ta dijë di se ç’grua ka qenë, në fakt, ndonjë Mejreme, Zejnepe apo Margeritë e këngëve tona? Natyrisht, këtu bëhet fjalë për kohën e përjetshme të artit dhe jo për përkohësitë ideologjike diktatoriale të çdo ngjyre. Kjo është arsyeja që Bethoveni ia ndryshoi titullin një vepre të tij, pasi u zhgënjye me Napoeleonin, pa i ndryshuar asnjë notë. Po mos „Heroika“ e tij humbi ndonjë vlerë muzikore ngaqë u frymëzua nga Napoeleoni? Kjo është edhe arsyeja e riciklimit të muzikës kishtare mesjetare në Perëndim, që shumëkujt, ashtu si zotit Lubonja Këngët e shekullit, mund t’i përkujtojë fanatizmin që çoi dikur në turra drush heretikë të panumërt. Mirëpo dëgjuesit e sotëm të kësaj muzike, kur dëgjojnë tinguj që ngrenë në qiell përplot adhurim një figurë, qoftë dhe zotin apo birin e tij, mund të kenë krejtësisht të tjera ndjesi dhe jo ato që kanë pasur dëgjuesit e tyre të parë. Ndoshta është koha që dhe z. Lubonja këngën „Për ty atdhe“ të përpiqet ta dëgjojë me veshët e sotëm, dhe jo me ata që ka pasur brenda mureve të burgut.
Ja dhe një paradoks tjetër: Në fillim të vitit të shkuar, në një takim kulturor në Prishtinë ishte dhe një vajzë serbe nga një qytet i shquar për tradita nacionaliste serbe, nga Kraleva. Në pyetjen e gazetares kosovare nëse kishte diçka që do t’i pëlqente nga muzika kosovare, ajo, pa fije ngurrimi dhe me sinqeritet të plotë, përmendi këngën e grupit „Etno engjuj“, „Albania“ të njohur për përmbajtjen e saj nacionaliste. Natyrisht është e qartë se ajo s’i kishte kuptuar asnjë fjalë tjetër, pos asaj „Albania“, mirëpo as që mërzitej për këtë punë. Në përfytyrimin e saj „Albania“ s’ishte veçse metaforë e një objekti të adhuruar metafizik.