Sunday, December 30, 2007

Fëmijët në burgun e Vaqarrit

Në zhargonin e burgjeve kujtoj se kishte edhe një shprehje që përdorej për një kategori të veçantë të burgosurish. "Është i Makarenkos ky" thuhej për ndonjë të burgosur ordiner, por edhe për ndonjë ordiner që dënohej më pas për politikë, që kishte historinë e veçantë se e kishte filluar qysh herët një lloj aktiviteti kriminal: dmth në një moshë që nuk e përfshinte Kodi Penal. Ishin ata që qysh fëmijë i kishin dërguar për një lloj riedukimi në një shkollë në periferi të Tiranës që quhej "Shkolla e korrektimit". Më duket se kishte edhe një emër si "8 Nëntori" ajo shkollë, por nuk e kujtoj saktë. Ishin fëmijë pra, që, si të thuash, ishin rritur atje. Kjo ishte një shkollë e ngritur nën modelin e shkollave sovjetike të Makarenkos, pedagogut të njohur i cili ka shkruar edhe një libër që është botuar në ato kohë edhe në shqip ku tregon për bëmat pozitive të fëmijëve të riedukuar në shkollën e tij. "Poema pedagogjike" titullohet libri.
Në burgjet tona megjithatë etiketimi si "i Makarenkos" nuk kishte aspak kuptimin poetik të "Poemës pedagogjike". Ai kishte një kuptim ironik: atë se personi në fjalë ishte një i regjur në ato punë të vjedhjes e puneve ordinere sepse i kishte mësuar ato qysh herët, që kur kishte qenë në shkollën e korrektimit, nga kontakti me më të mëdhenjtë.


Nuk di të them se sa, në të vërtetë, një shkollë e tillë ka pasur ndonjë efekt pozitiv, siç rekalamonte Makarenko. As nuk e njoh fatin e të gjithë atyre që kaluan nëpër atë shkollë. Por di të them se nga ç'kam dëgjuar nga ata "të Makarenkos" ajo shkollë më shumë i shëmbëllente një burgu për fëmijët ku ata mësoheshin me shumë të këqija e mbi të gjitha me kulturën e dhunës. Di të them se një shkollë burg e tillë ku fëmijët, pasi kryenin ndonjë krim në një moshë që nuk parashikonte Kodi Penal, shkëputeshin nga shoqëria dhe familja e mbylleshin në një lloj gjysëm dënimi gjysëm edukimi ku thuhej se mësonin edhe zanate sot është e papranueshme. Sepse nuk do shumë mend se mbyllja e fëmijëve në një ambjent të tillë në një moshë aq delikate nuk mund të korrektojë gjë, por vetëm sa mund të deformojë. Por përvoja e një shkolle të tillë provon, gjithashtu, se shoqëritë, prej shumë kohësh, janë përballur me problemin e fëmijëve që, për arësye nga më të ndryshmet, janë futur në rrugën e krimit. E ndonëse ende nuk kanë gjetur atë më idealen për përballimin e kësaj plage shoqërore kanë bërë hapa përpara duke kërkuar forma të tilla riedukimi që të jenë sa më pak në kundërshti me kërkesat e rritjes së një fëmije. Sepse qënia njerëzore është ajo që ka fëmijërinë më të gjatë, deri në 18 vjeç. Vetëm në këtë moshë ajo është në gjendje të përballojë jetën si një i rritur. Ka shkencëtarë që mbrojnë tezën se natyra na ka dhënë ne njerëzve dashurinë që e mban lidhjen shumë më gjatë sesa lidhja e kafshëve pikërisht sepse duhet që prindërit të jenë bashkë për një kohë të gjatë që të rrisin fëmijën. Kurse ta mendosh një qënie në moshë të fëmijërisë të ngujuar në burg, kjo është sa kundër vetë natyrës aq edhe kundër shoqërisë. Këto kujtime e refleksione më lindën duke vizituar Burgun e Vaqarrit ku pata rastin të vizitoj edhe dy qelitë ku mbahen të ngujuar minorenë e që më bënë të ngre pyetjen: a kemi përparuar ne apo kemi bërë hapa prapa që nga koha e shkollës sonë të Makarenkos? Nuk e imagjinoja dot se ambjenti ku mbaheshin të ngujuar minorenët e dënuar - në këtë rast bëhet fjalë për ata që i përfshin Kodi Penal - nuk ishte tjetër gjë, por veç dy qeli në fund të të njëjtit korridor të gjatë ku qenë edhe qelitë e të burgosurve të rritur. Minorenët i gjeta duke luajtur letra në një dhomë ku, përveç krevateve marinare, mureve të bardha, pllakave të dyshemesë dhe një televizioni nuk kishte asgjë tjetër. Shumica e tyre kishin kryer ndonjë vjedhje, kurse dy ishin për vrasje. Mezi të jepnin ndonjë përgjigje me ndroje kur i pyesje - kuptohej nga ndrydhja e madhe e prezencës së policisë dhe të të riturve që po i vizitonin. Vetëm një 15 vjeçar që dukej se ishte një fëmijë hiperaktiv filloi të ankohet për gjithshka duke thënë se atje kishte mësuar vetëm të rrihej, se sapo të dilte do të vazhdonte zanatin e vjedhjes pasi nuk kishte zanat tjetër e se nuk i interesonte zanat tjetër as të mësonte shkrim e këndim. Dhe pastaj më tregoi parakrahun me disa të prera brisku që, siç më tha, ia kishte bërë vetes sepse, nga dëshpërimi, kishte tentuar të priste damarët. Nuk e kam gjetur veten në një komunikim më të vështirë se sa me ata fëmijë. Edhe kur njëri prej tyre pak më i rritur më nxorri disa libra që lexonte nuk mu ngroh zemra fare përkundrazi ata libra mu dukën të pavend në atë botë ashtu sikurse ishin të pavend aty edhe ata fëmijë.
Është e vështirë të kuptosh se si i mbijeton një i rritur ngujimit në burg, mungesës së njerëzve të dashur, mungesës së gjysmës tjetër të botës, asaj femërore, kur bëhet fjalë për meshkuj. Jam i bindur se ata që nuk e kanë pruvuar e kanë të vështirë ta kuptojnë se çfarë do të thotë kjo torturë nga e cila edhe i rrituri del i traumatizuar në mos i deformuar. Por ngujimi në burg nuk ka vetëm torturën e mungesave të shumta, por edhe të prezencave. Dostojevsi gjënë më të vështirë të burgut konsideronte bashjetesën e detyruar me të tjerët. Dhe në burgun e Vaqarrit pashë se dhomat ishin me një dendësi që, nga sa kam përvojë, jo të pakët, nga burgjet e diktaturës, mund të them se ishte një dëndësi më e madhe se e atyre burgjeve. Kurse për fëmijët një ngujim i tillë, sipas meje, prek kufijtë e krimit. Nëse i rrituri edhe mund të adoptohet fëmija vetëm mund të shkatërrohet në ngujime të tilla. Ika nga burgu i Vaqarrit duke menduar se sa pak na shqetëson ne kjo plagë. Si ka mundësi që ndërsa në botën për të cilën flasim aq shumë se duam të hyjmë ka gjykata për fëmijët dhe po ashtu edhe vënde të ndara ku ata vuajnë dënimin tek ne fëmijët vuajnë dënimin në të njëjtat burgje me të rriturit dhe dënohen nga të njëjtat gjykata? Pse vallë nuk kemi kohë të merremi me këtë punë që nuk kërkon shumë mundim? Pse nuk kërkojmë të adoptojmë edhe ne format alternative të dënimit të minorëve? Mos vallë sepse atë botë e konsiderojmë një botë që nuk na përket; sepse ata fëmijë i konsiderojmë tashmë të humbur përgjithmonë? Pse në përgjithësi ndaj fëmijëve ne jemi sjellë në mënyrë kriminale duke u shkatërruar të ardhmen duke u shkatërruar vendin ku jetojnë? Apo pse jemi aq të sëmurë në të gjithë trupin tonë shoqëror sa nuk i ndjejmë dot dhëmbjet e kësaj pjese të trupit. Ky shkrimi meriton të mbyllet me këto pikëyetje për të gjithë shoqërinë e mbi të gjitha për ata që janë përgjegjës direkt. Por meqënëse jemi në ditët e festave të pragvitit të ri do të doja ta mbyllja me urimin që Viti i Ri të mos i gjejë më ata fëmijë në burgun e Vaqarrit. (Korrieri, 27 dhjetor 2007)


4 comments:

Anonymous said...

Si dikush që ka vuajtur torturat e fëmijëve të tillë në fëmijëri, mua s'më vjen shumë keq për to. S'i detyronte njeri të vidhnin e rrihnin kalamajtë e tjerë. E kishin zgjedhjen dhe zgjodhën jetën e të fortit. Por viktimat e tyre që s'kishin zgjedhje? Çfarë duhet të bëhet sipas jush me to? Të lihen të lirë të bëjnë si të dojnë (sidomos ata vrasësit)? Nëse nuk mësojnë të jetojnë sipas rregullave të shoqërisë, atëherë s'kanë pse të pranohen si pjesëtarë të shoqërisë. U janë dhënë disa shanse por nuk duan të punojnë për një jetë normale. Duan t'i bien jetës shkurt ose të kenë fuqi mbi të tjerë, dhe neve duhet të na vijë keq?

Anonymous said...

Problematike e gjetur, per tu debatur ne kete fund vite. Mendoje, se kemi nevoje ta sensibilizojme publikun mbi kushtet e veshtira qe keta te rinj "te denuar" perballohen, gjithashtu dhe mbi format e edukimit qe mund t'ju proposoje "burgu". Por, do te doja ti shtoja argumentit tuaj, se pikerishte duke qene se jemi nje vend ne zhvillim do te ishte mire qe te bejme me shume kujdes ndaj denimit me keto grupe mosha dhe çfare mund ju propozojme, perveç se ti formatojme si "kriminele" te ardheshem qe kane burgun shkolle. E gjeje idene interesante per rihapjen e nje shkolle ri-edukimi por mendoj se ka dhe shume forma te tjera "sociale" qe mund ju ofrojme.

Anonymous said...

Z. Lubonja ka te drejte kur shkruat per kushtet mizerabel te kesaj kategorie ne I.E.D.P. Po mendoj se shteti duhet te beje dicka qe t'i edukoje keta femije para se te behen kriminele. Besoj se per te ngritur nje gjykate per te miturit, nje burg per te miturit etj., nuk jane akoma ne konceptin e shtetareve tane.

Anonymous said...

Me vjen keq dhe turp kur lexoj komentet e meposhtme .Si nuk pyetet pse keta femije zgjodhen kete rruge ?Pse keta femije a nuk kane mundesi te ndryshojne ?Pse keta femije perjashtohen njeher e pergjithmone nga shoqeria jone?...
E kush eshte shkaktar i gjithe kesaj...ju te dashur TE RRITUR e SOVRAN qe nai mbushet ditet me kotesi duke na krijuar vetem lokale dhe disko.
Ne femite jemi pasqyre e asaj qe ju shembellyet te ne.
Ne femite qe rrime lokaleve e nuk vjedhim jemi me keq se ato femite "hajdut" qe jane burgjeve ,se ato ne nje fare menyre protestojne e veprojne edhe pse e kane zgjedhur menyren me te keqe.
Jeni ju qe mbani pergjegjsi si per ne hajdutet,si per ne qe vetem kafe dime te pime dhe si per ne qe studjojme(qe pothuajse s'ka).
Keshtu qe eshte ne doren tuaj qe neser te keni me shume femije burgjeve apo shkollave....eshte vetem ne doren e ju TE RRITURVE dhe JU SOVRANVE.