Monday, December 10, 2007

Rite vetposhtërimi kolektiv

Rite poshtërimi kolektiv mund t’i quash, pa e tepruar, ato që provojnë shqiptarët e shumtë në portat hyrëse apo dalëse nga Shqipëria në Itali apo anasjelltas. Gjatë vajtje ardhjeve të mija çfarë nuk kam parë e provuar: kontrolle në hyrjen e shqiptarëve brenda aeroporteve me qen të frikshëm nga ata që stërviten për t’i marrë erë drogës, kontrolle policësh doganore që të pyesin se sa lekë ke në xhep dhe që të detyrojnë të hapësh kuletën, kontrollime për së dyti elektronike të bagazheve, ndonëse janë kontrolluar një herë në aeroportin e Tiranës, gjë që bën të vonohesh edhe ndonjë orë më tepër etj. etj.. Madje në një nga aeroportet italiane portat hyrëse ndaheshin në tre drejtime: atë të qytetarëve të komunitetit evropian, atë të atyre që ata i quajnë “extra comunitari” ku normalisht duhet të hynin edhe shqiptarët, dhe hyrja e shqiptarëve, me shënimin “Tirana” që ishte më vete. Sipas një termi të njohur ky quhet “aparteid”. Për të mos folur për intervistat poshtëruese që bëjnë një numër jo i vogël policësh racistë kur kontrollojnë pashaportat e vizat hyrëse me të drejtën që, po nuk u solle mirë, të të kthejnë edhe mbrapsh.

Herën e fundit, para disa ditësh, kur protestova përpara një autoriteti plicor italian për një variant të tillë racizmi sepse, ndërkohë që pasagjerët që udhëtonin për qytetet e tjera evropiane kalonin të patrazuar, ata që udhëtonin për Tiranë ndaleshin nga një polic doganor dhe, pasi intervistoheshin nga ky, seleksionoheshin për t’u futur në një dhomë ku kontrolloheshin fizikisht se mos kishin valutë me shumicë, ai mu përgjegj: “Po ja, ç’të bëjmë ne, bashkëqytetarë tuaj bëjnë punë të tilla që ne na detyrojnë të sillemi kështu.” U detyrova t’i përmend një thënie romake sipas së cilës “më mirë të shpëtojnë njëqind fajtorë sesa të dënohet një i pafajshëm”, kurse ju - i thashë - poshtëroni përditë qindra të pafajshëm për të gjetur një fajtor. Por pastaj vetmevete mendova se çështja se sa fajtorë kemi ne dhe se cilët janë ata është një çikë më e komplikuar. Në fakt ajo çka më shtyu të shkruaj këtë shkrim është sjellja e disa fajtorëve të tjerë, shumë më të rëndësishëm sesa trafikantët e drogës apo prostitucionit, të cilët, me punën e mbrapshtë të tyre kanë ndikuar dhe ndikojnë shumë më tepër për të krijuar imazhin e një vendi e të një populli inferior, që duhet mbajtur i izoluar, i kontrolluar e i poshtëruar. Më konkretisht u ula të rishkruaj sepse ngacmimi i plagës së hapur të poshtërimit që pësova në aeroportin italian më solli ndërmend plagën vetposhtëruese që mu ngacmua disa ditë më parë duke ndjekur vizitën e Prodit në Shqipëri. Po pse? Sepse gjatë asaj vizite më tërhoqi vëmendjen më shumë sesa ajo e ditura çështja e Kosovës lidhur me shpalljen e pavarësisë dhe porosinë “nuk duhet të nguteni” marrëveshja vetposhtëruese e qeverisë sonë me Enelin. Sipas asaj që u tha në shtypin shqiptar dhe italian lidhur me këtë marëveshje na del se italianët janë shumë të interesuar të ndihmojnë Shqipërinë dhe rajonin dhe vetveten me burime energjitike dhe për këtë kanë menduar të ngrihet në Shqipëri një termocentral me karbon në brigjet e Adriatikut. Flitet se edhe termocentralin bërthamor, për të cilin foli Berisha, mund ta marrin përsipër italianët. Por, nëse ky i dyti shpresojmë të mbetet demagogji fantapolitike, ai i pari, me qymyr guri apo koks, siç i thonë ndryshe karbonit, përmendej edhe në marrëveshjen në fjalë të nënshkruar nga ministri Ruli. Ky termocentral, sipas deklaratave, do të zgjidhte jo vetëm problemet energjitike të Shqipërisë, por edhe nga ato të rajonit e të Italisë vetë e cila, sa për dijeni të atyre që nuk e dinë, pjesën më të madhe të energjisë nuk e prodhon në vend, por e importon. Kushdo që i njeh sadopak punët e Italisë, e ka të qartë se Eneli dhe Romano Prodi as nuk do të guxonin ta hidhnin idenë e ndërtimit të një termocentrali me karbon në brigjet e Italisë. Kanë dashur dikur në vitet ‘70 apo ‘80 të ngrenë një të tillë në brigjet e Toskanës, por nuk kanë mundur. Kurse në kohën e tanishme as bëhet fjalë, qoftë vetëm ta përmendin në Itali fjalën termocentral me karbon e aq më pak në brigjet italiane. Kjo ndonëse Italia ka një bregdet që është më i gjatë sesa ai i Indisë dhe ndonëse territori i saj është nja njëzet a tridhjetë herë më i madhe sesa ai i Shqipërisë. Atëhere pyetja ngrihet: si guxon Eneli dhe Romano Prodi të vijnë të propozojnë ngritjen e një supertermocentrali të tilla në një vend të vogël si Shqipëria që ka vetëm një pëllëmbë bregdet? Përgjigja është shumë e thejshtë: sepse ata, megjithë “political corectness”, kanë thellë thellë një qëndrim racist ndaj shqiptarëve. Thonë vetmevete se këta varfanjakët do të ishin të lumtur të kishin drita 24 orë sepse, sa për ndotje ambjenti e cilësi ajri e ndotje bregdeti, hundët e tyre nuk janë rafinuar ende. Para disa kohësh a nuk na propozuan ngritjen e një impianti gjigant djegjeje plehërash që do të zgjidhte jo vetëm problemin e djegjes së plehërave të Shqipërisë, por edhe të Jugut të Italisë ku qytetarët protestojnë e nuk i lenë të ngrenë impiate të tilla. A nuk u ideua transformimi i Syrit të Kaltërt në ujësjellës për Puljan? Shkurt dhe troç ata mendojnë se një vend për të djegur plehërat dhe për të djegur karbonin duhet të ekzistojë dhe meqënëse shqiptarët nuk bëjnë zë, por e presin me kënaqësi sepse kështu zgjidhin edhe disa probleme që janë më bazike sesa ato që vendet perëndimore i kanë zgjidhur prej kohësh, le ta bëjmë Shqipërinë një vend të tillë. Por problemi nuk është as Prodi as Eneli. Problemi janë plitikanët tanë që i presin me gëzimin vetposhtërues të servilit propozime të tilla (në mos i propozofshin vetë); disa sepse kështu u hyn ndonjë lek në xhep, disa sepse mendojnë se kjo i bën ta kenë mirë me fuqitë e mëdha që mund t’i mbajnë kështu në pushtet dhe disa nga mungesa e dashurisë dhe e vizioneve për vendin e tyre, - por edhe të treja sëbashu. Dhe, po ta shohësh thellë thellë, nuk ka këtu ndonjë sjellje tjetër nga ajo e trafikantëve të drogës apo prostitucionit që na bëjnë të provojmë ritin e poshtërimit kolektiv sa herë hyjmë në Itali apo dalim prej saj. Por akte të tilla të politikanëve tanë fare mirë mund t’i quajmë edhe rite vetposhtërimi që ua bëjnë edhe më të kollajtë italianëve qëndrimin racist ndaj nesh. Nëse Ruli apo Berisha vetë do t’i thonin Prodit apo Enelit se kjo puna e termocentralit me karbon është një punë që nuk bëhet, se përderisa nuk e bëni në vendin tuaj nuk ka se si të na e kërkoni ne, atëhere ne do të kishim të gjithë pak më shumë dinjitet. Të ngresh në një pëllëmbë bregdet shqiptar termocentrale me naftë, petrolifera, termocentrale me karbon, fabrika çimentoje si ato që planifikohen të ngrihen në Lezhë (pa le të ngresh edhe një termocentral bërthamor) do të thotë të dëmtosh imazhin e vendit shumë më tepër sesa ç’e dëmtojnë trafikantët që bëjnë të kontrollohet me qen me erë çdo shqiptar në aeroportet italiane. Sepse në një vend ku hidhen plehërat nuk ndërtohet asgjë e bukur por bëhen vetëm iozolime betoni. Shqipëria edhe kështu siç është ka tejkaluar kufijtë e shndrrimit në një kosh plehërash i izoluar nga bota e jo më me këto projekte monstruoze. Ajo ka nevojë për politika që ta pastrojnë dhe jo ta ndotin edhe më ambjentin e saj super të ndotur. (Korrieri, 9 dhjetor 2007)

7 comments:

Qymyrxhiu said...

Autori shkruan:

Kushdo që i njeh sadopak punët e Italisë, e ka të qartë se Eneli dhe Romano Prodi as nuk do të guxonin ta hidhnin idenë e ndërtimit të një termocentrali me karbon në brigjet e Italisë. Kanë dashur dikur në vitet ‘70 apo ‘80 të ngrenë një të tillë në brigjet e Toskanës, por nuk kanë mundur. Kurse në kohën e tanishme as bëhet fjalë, qoftë vetëm ta përmendin në Itali fjalën termocentral me karbon e aq më pak në brigjet italiane.

Në të vërtetë, në Itali ka 14 termocentrale me qymyr (të cilët përftojnë, në mos gabohem, rreth 16% të energjisë që prodhon Italia), dhe aktualisht ENEL po konverton një prej termocentraleve të veta më të mëdha (në Civitavecchia) nga me naftë në me qymyr.

Anonymous said...

Specialist, për punë të mjedisit mund të flitet edhe nga pozitat e publikut, i cili është pjesë në këto punë, sa kohë që i vuan vetë si mungesën e energjisë, ashtu edhe ndotjen e ajrit dhe të mjedisit. Zakonisht, specialistët flasin në publik kur ua kërkojnë mendimin (p.sh. në gjyq). Ideja se mendimi i specialistëve mund të zëvendësojë mendimin e intelektualit publik është skandaloze nëmos qesharake; edhe pse brenda debatit publik ka gjithnjë vend për opinionin e ekspertit. Më në fund, specialistët janë specialistë sepse dinë t'i bëjnë mirë gjërat, jo sepse dinë të flasin mirë për gjërat që bëjnë.

Anonymous said...

specialistet u pergatitkan per te percjelle kompetence neper gjyqe?

kush ua hoqi qytetarine specialisteve?

Mbrapa nje analisti te mire qendron gjithmone nje specialist i shkelqyer. Nje gjuhetari nuk i takon te keshilloje publikun nese duhet apo jo ndertuar ky lloj apo ai lloj energjiprodhuesi. Keto jane ceshtje teknike. interesat e qytetarit i mbrojne lobet e tyre, si kudo ne bote.

Anonymous said...

Intelektuali publik eshte nje specialist i llojit te vecante, ai qe flet shume dhe nuk ben asgje. I veteshpalluri intelektual publik. Nje lope qe mjel veteveten si OJQ.

Anonymous said...

qymyrxhiu

te konvertosh nuk do t'thote te ndertosh .Keshtu qe Lubonja nuk po genjen .Edhe italjonet por e konvertojne se spo dine cfare te bojn me ate teknologji tvjeter .Per te ndertu ata nuk ndertojn mo .Prandaj jan hedh andej nga ne.

Z. Lubonja respekte nga Modena

Anonymous said...

...te them te drejten ne aeroporte s'me kane trajtuar ndonjehere keq pervec faktit qe duhet te presim cik me shume per bagazhet duke qene se i kontrollojne me me imtesi. S'kemi cti bejme, kjo eshte barra qe kriminelet(s'ke ci thua, kriminelet tane jane kaq te zot sa kane shenuar adresen e prostitutave te tyre ne googleearth) tane na kane lene dhe duam s'duam, ne, perfaqesuesit e tjere te Shqiperise do e mbajme... Sa per "ndihmat" qe vendet e tjera japin, me falni Zoti Lubonja por dihet qe asnjeri te jep dicka pa te marr asgje. Puna qendron sa do perfitoj. Dhe kjo ka te bej me politikanet tane qe s'dine te kontraktojne dhe mendojne vetem si te arrijne ne nje shkalle me te lart drejt "evropianizimit" duke sakrifikuar cdo gje. Kjo, sidomos me Italin qe duhet te jet mbeshtetesja jone ne komunitetin evropian. Si mund te bej dicka per vete ky vend kur shumica e politikaneve tane nuk e kane iden e identitetit, s'kane nje kultur te "re" por vazhdojne te luajne akoma sikur te jene ne nje mbledhje fshati. Pra, politika jone e jashtme le per te deshiruar sepse menyra e perballimit te politikes se brendeshme eshte ajo e te "gricurit" me njeri tjetrin dhe si rrjedhim, duke mos patur piket per tu "gricur" me politikan te jashte, i pekulemi cfare do lloj gjeje qe na servirin, "neve" injoranteve te thjesht barbar.

Anonymous said...

Neperkembja e shqiptareve neper aeroporte vjen si pasoje e dobesise se shtetit shqiptar. Kemi shtetare qe mendojne vetem per karriget e tyre (si kabineti qeveritar aktual) ose qeveritare (si qeveria Nano) qe te mbushin xhepat-thase.
Perderisa nuk kemi nje shtet te protestoje e te mbroje qytetaret e tij c'te presesh prej tyre te kene plane afatgjata per zhvillimin e Shqiperise, per ndertimin e jo shkaterrimin e bregdetit, te ajrit, mjedisit etj.