Friday, February 29, 2008

Makao

Sa herë lexoj apo dëgjoj në mediat lajme si ai i para dy ditëve, se KRT e Tiranës aprovoi leje të reja ndërtimi, - të cilat nuk janë as një e dy, por 50 e lart, - më kap një ndjenjë e keqe ankthi. Kur tentoj ta zbërthej këtë ndjenjë dalloj qartë të paktën dy përbërës të shkrirë në të. Së pari më duket sikur po më ngushtohet edhe më hapësira jetike dhe vizuale me këto kosheret gjigante prej çimentoje dhe betoni shëmtia estetike e të cilave ma bën edhe më asfiksuese ndjesinë e mbytjes. Por më kap edhe një ndjenjë frike e akumuluar kahershëm në ndërgjegje: cilës shtëpi të vjetër tiranase apo cilës vilë italiane i ka ardhur rradha tani? - them me vete. Është një frikë që tashmë shoqërohet me ndjenjën e resinjacionit prandaj më ngjall edhe një trishtim që amplifikohet nga mungesa, tashmë, e çdo rezistence intelektuale ndaj kësaj masakre të paparë të flamës së çimentos ndaj kujtesës sonë arkitektonike. Aq më tepër kur sheh se mazhorancë e opozitë kanë vendosur ta çojnë sëbashku deri në fund këtë masakër.
Ky trishtim më kapi edhe para disa ditësh kur Top Chanel dha lajmin e djegjes së rradhës, pa dyshim të qëllimshme, të një shtëpie monument kulture, asaj të Vërlacit, që nuk e pashë të komentohet nga ndonjë e përditshme e shkruar. Edhe në lajmin e Topit u dhanë vetëm disa rrënoja në flakë, nuk u dha asnjë foto arkivi ku të shihej se si kishte qenë kjo shtëpi. Nuk pati as ndonjë reagim nga Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, intelektualë, artistë apo shkrimtarë. Kam përshtypjen se vetëm emri i njohur i Vërlacit e bëri të futej në lajme dhe se, po të kishte qenë strehuar gjatë Luftës Enver Hoxha apo Nexhmije Hoxha, do të komentohej ca më gjatë, siç u komentua djegja para ndonja dy muajsh e shtëpisë së Mulletit, por jo për humbjen e një monumenti kulture.
Sepse jemi në Makao.
Ç’lidhje ka me ne kjo ish koloni portugeze e kthyer kinezëve më 1999, do të pyesë lexuesi. Në fakt bëra një shoqërim idesh ngase mu kujtua një letër që i shkruan të bijës nga Makao udhëtari, gazetari e intelektuali i shquar italian me origjinë fiorentinase Tiziano Terzani mbi transformimin që ka gjetur atje në krahasim me si e kishte lënë në kohën kur nuk i kishte rënë flama e çimentos. Është një letër që tashmë e kujtoj sa herë dëgjoj për lajme të tilla lejesh të panumërta ndërtimi.
“Gjithshka në Makao është ribërë, riçimentuar. Nga asnjë anë nuk munda të ndjej atë erën e vdekjes që, në fakt, ishte vetë jeta e saj. Do të kisha dashur që për një ditë të isha edhe i verbër edhe i shurdhër dhe pa nuhatje – aq më vriste çdo gjë që shihja, ndjeja, e nuhasja përreth.[…]
Avantazhi që kemi ne evropianët është se kemi ende qytete tek të cilët gjejmë vetveten. Qytete ku nuk kanë ndryshuar të gjitha pikat e referimit, ku ende mund të marrësh një kthesë rruge dhe ta dish se do të ndodhesh përballë një kishe apo një kolone, një peme apo një portiku, një shtëpije të vjetër që është gjithnjë me të njëjtën ngjyrë. Në Makao nuk ishte më as deti për të ma dhënë këtë siguri me frymëmarrjen e tij monotone të valëve që dikur ndesheshin me shkëmbinjtë e mëdhenj. Ata kanë shkulur vendit edhe detin.”
Tani besoj se lexuesi e ka të qartë pse thashë Makao. Sepse edhe ne po shkulim vendit gjithshka, edhe detin, pa kuptuar se çfarë po humbasim në mënyrë të pakthyeshme.
Po a mund të thuhet se po humbasim një gjë kur nuk e dimë se e kemi, pasi nuk kemi ndërgjegjen e vlerës së saj? Kjo është një pyetje që duhet shtruar seriozisht, nëse duam të ruajmë atë çka nuk e kemi humbur ende. Tek e fundit çdo gjë është çështje dijeje apo vetëdijeje dhe nuk thonë kot se padija është nëna e të gjitha të këqijave. Në fakt ne kemi një ministri që është edhe e kulturës edhe e turizmit që duhet ta udhëhiqte këtë ndryshim vlerash në kokat e njerëzve në favor të dijes dhe të vetëdijes për të cilën flet Terzani. E kemi kopiuar modelin nga evropiantë, kur e kemi bashkuar trashëgiminë kulturore me turizmin. Por evropianët e kanë konceptuar kështu sepse shohin një lidhje të ngushtë midis trashëgimisë kulturore dhe turizmit sepse monumentet e kulturës janë ata që tërheqin turistët. Kurse tek ne ministrat e kulturës merren me ngritje fshatrash të reja turistike që shkatërrojnë trashëgiminë e vjetër kulturore e natyrore, që hanë edhe detin. Tek ne ministrat e kulturës bëhen kryebashkiakë dhe qendrën e Tiranës nga monument kulture e kthejnë në shesh ndërtimi pallatesh, që i lyejnë pasta ngjyra ngjyra dhe reklamojnë si turistike bash pallatet dhe ngjyrat e tyre fringo të reja.
Sepse ne nuk jemi në Evropë, jemi në Makao.
“Ku është ylli yt? Në cilat kujtime e gjen orientimin tënd? Ku e ke sigurinë tënde? Imazhit të cilit qyteti i drejtohesh kur do të dish se cili je? Ku do të gjesh forcën për tu ndjerë i ndryshëm në momentin e baticës së të tjerëve?” Këto janë pyetje që shtron Terzani në letrën e tij. Dhe përgjigjen e gjen tek qyteti i tij i lindjes, Firence, dhe vlerat e ruajtura e trashëguara në shekuj të këtij qytetit.
Por ne nuk jemi në Evropën e Firences, jemi në Makao. Në këtë “Makaon” tonë ku konsumizmi është në kufijtë e barbarisë, ku po të guxosh të thuash ndonjë fjalë në mbrojtje të shtëpive të vjetra të lëshohen me taborret e shkarrashkruesve: “ti je kundër zhvillimit”, “je për qerpiçin” “qyteti nuk është një muzeum” “qyteti nuk është një gjë e vdekur, ai është një gjë e gjallë që zhvillohet”. Në fakt, ashtu siç thotë Terzani për Makaon, “vdekja” e shumë prej qyteteve tona ishte jeta e tyre ose shpresa e rigjallërimit të tyre kurse ky gjoja zhvillim është vdekja e tyre e përditëshme nën baticën akulturuese e mbytëse të flamës së çimentos që transformon çdo vlerë arkitektonike e natyrore të qytetit, në koshere gjigante betoni në hojet e të cilave njerëzit mizërojnë në një jetë larg natyrës, kulturës, kujtesës, pa pasur fare nevojë të ndjehen të ndryshëm nga të tjerët. (Korrieri, 20 shkurt 2008)

5 comments:

I padituri said...

Fatos ! Ja si do e komentoj une kete gjemëmadhin : ( Ramen )
E kan kap per koqesh dhe nuk ka nga lun, kjo e para,

e dyta ai e ka shume te veshtire te kuptoje natyrshem edhe gjera te thjeshta ( ai nuk di te perdore as dhe nje makine te thjeshte llogaritese ) ndaj reagon me shume vonese ( jo pa shume ndjenje faji ) por me shume shume vonese.

E treta, mos u lodh me me ate idiot mer burre se sinqerisht eshte kohe e humbur. Nuk ka faj ai po fajin e kemi vete.

Kotherja said...

I dashur Fatos !
Ne pamundesi per te te shkruar ndryshe do desha mendimin tend , nese eshte e mundur publikisht, per nja dy probleme qe ne fakt duket sikur nuk kane lidhje te drejperdjete me shkrimin Makao, por terthorazi mendoj se po.
U be afro nje vit qe jemi nen presion mediatik mbi Dialogun ( ne fakt monologun ) me Shqiperine dhe te them te drejten jam shume i bezdisur sepse nuk degjoj asgje te re qe te kem interes personal. Ajo qe me ben pershtypje eshte se nga ky tur Kryetari i Bashkise se Tiranes por qe ben dhe perfaqsuesin e politikes se re eshte se ai perjashton kontaktet me qytetaret e Bajram Currit dhe qytetaret e Kavajes. Une psh cer nuk do jepja te degjoja se si eshte mendimi i socialisteve ne keto dy zona. Po pse keto dy zona?? Sepse me intereson sinqeriteti publik me shume se hipokrizia e tavolines. Une do te desha nje mendim tendin lidhur me kete sepse sinqerisht une e besoj qe ti e ke te veshtire te heshtesh.
Preokupimi i dyte qe kam eshte se me ka zene frika dhe kam filluar seriozisht te mendoj mbas 17 vjetesh( asnjehere nuk jam largu me shume se 10 dite ) te largohem nga Shqiperia. Mendoj te largohem sepse cdo dite ne vend te me rregullohen punet me prishen, me prishen sepse me trajtojne si qen kur shkoj e ble nje abone, sepse sapo mbaroi nje rruge afer baneses ku banoj e qe zgjati afro 2 vjet e gjysem sistemimi i saj , filloi nje tjeter rruge aty afer qe besoj do zgjase edhe kjo nja dy vjet e gjysem. Kam filluar te mendoj per argimin tim sepse vetem 10 metra perballe ballkonit ka fillu ndertimin nje pallat dhe une nuk mund te fle apo te pushoj rehat nga zhurmat e qe besoj se do zgjasin edhe nja dy tre vjet. Kam filluar te mendoj te largohem se nena ime shume e vjeter e ka te veshtire te dale as ne rruge as dhe ne ballkon per te marre nje cike ajer te paster dhe une nuk dua ta vdes me duart e mija ( ne fakt te tija ). Me thuaj si te veproj te rri apo te iki, mua qe nuk u largova asnje dite nga ky vend jo se jam shume patriot as dhe kur u dogj e u pervelua me 97 as dhe ndonejhere tjeter. Ma thuaj hapur c`te bej sepse kur ma thua mua jam i sigurte qe ja u thua shume e shume personave qe kane te njejtin hall si timin. Nuk duan as politike te re , as politike te vjeter, nuk dun as drita as uje, as makina, as rruge qe do shtrohen ne te ardhmen e larget, duan ti genjejne dhe i hane genjeshtrat, nuk iu intereson sistemi proporcional rajonal apo si ta kene qefin, nuk iu pelqen te shikojne xhepin e politikes.
Une kam vetem nje hall te vogel : qe nena ime shume e vjter dhe qe ka vuajtur shume per te na rritur te kete mundesine te jetoje keto dite qe i kane ngelur, jo ato dite qe jane ne koken vetem te Kryetarit te Bashkise sone te dashur dhe qe ben opoziten.
Une nuk dua ta shof nenen time te merzitur a me ndihmon dot ?

Me Respekt Kotherja

Fatos Lubonja said...

Sic mund ta konstatoni edhe vete ne shkrimin Makao ka shume trishtim dhe pesimizem,prandaj e kam veshtire t'ju ndihmoj. Megjithate sa me gjate te kerkoj per te gjetur nje pergjigje/ndihmuese aq me shume me rezulton se e vetmja ndihme qe mund te sugjeroj eshte bashkimi i zerit qytetar kunder ketyre padrejtesive. Ai pallati dhjete metra afer jush nuk do te ishte ngritur sikur banoret e pallatit tuaj te ishin ngritur bashke per ta ndaluar qofte edhe me sakrifica. Edhe rruget qe na hapen cdo tre vjet duke na mbushur me pluhur e balte do te beheshin ashtu burim kanceri po te ngriheshim te gjithe. Ne fakt kjo e rrugeve dhe pallateve eshte nje industri qe punon thjesht per pasurimin e disave dhe jo per ti sherbyer njerezve dhe Kryetari i Bashkise eshte thjeshte instrumenti i tyre. Eshte nje nomenklature e re qe duhet rrezuar pa pritur qe te bjere Muri i Berlinit.
shendet e gjithe te mirat
fatosi

Anonymous said...

Filloi qe ne 1945 shkaterrimi i shqiperise; pra viteve '90 motoja ishte t'i bejme malet fusha, tani eshte te cimentojme cdo gje.

nuk e di se cfare rruge kemi marre, por me duket se vazhdojme akoma me mentalitetin komunist.

Anonymous said...

Tungajtjeta Fatos...
Te drejtohem ty per thjeshtesine qe tregon si vuajtes nga e vjetra, por edhe sublim nga e reja...
Kam patur rastin te ndjek disa diskutime tuajat ne lidhjeme problemet e shqiperise, dua te perment ketu ate mbi shendetesine. Jo vetem qe jam ndritur ne kembe e te kam thene "bravo Fatos" por dua te te them kjetu se po qe se nuk hapen syte, nuk shikohet realiteti, nuk ka shpetim ne Shqiperi. Me sa kuptoj une, ne Shqiperi ndodh dicka e njejet me regjimin e kalur, ku prona e te gjitheve, eshe prone e asnjerit, dmth, TAXAT e popullit, trajtohen si ti doje qefi kush i ka ne dore, dhe nuk i hyn gjemb ne kembe! Kjo besoj e sqaron tere situaten se perse nuk i hyn "gjemb ne kenbe" senjerit qe i trajton ato si te tijat, asnjerit qe ka qene nje vit, dy apo pese vjet ne qeverisje (ne cdo nivel) dhe nuk punon me mbas asaj periudhe, por ka edhe mercedes, edhe pallate, edhe pse jo bodiguarde...
Kjo nuk eshte "aspak faji i tyre", po r do te thoja i popullit...sigurisht kjo eshte shenja me e mire qe tregon qe sistemi legal ne shqiperi eshte njesoj si ne mesjete, bile ne mesjeten turke qe na ndane nga familja kristiane e na rradhiti ne zymtesine e perjeteshme...
A mendini ju se ka ndonje zgjidhje per kete situate?
Sa per dijenine tende, une punoj prej vitit 1999 per njeren nga komanite me te medha ne bote, dhe jam ne Corporate Office, dhe drejtoj sistemin financiar (nuk jam kryesori, por kam nje rol te rendesishem, dhe e kuptoj kete sistem me mire se cdokush besoj, por e kam te pamundur te kuptoj sistemin ne shqiperi).
KAm patur nje oferte nga qeveria e kaluar qe te vij e te punoj ne shqiperi, por une i kerkova te vij e pnoj pa para, vetem me nje rroge te thjeshte si te nenpunesve te tjere. Kur erdha ne shqiepri, gjeta neper zyrat e qeverise nejrez partiake, qe kishin ardhur nga jasht (ska rendesi nga ku, por nga pertej detit, dhe qe ne vendet nga kishin ardhur mernin Asistence Sociale, kursene Shqiperi kishin marre frenat ne dore...) E imagjinoni tani seriozitetin e kesaj pune?
U thash atyre qe me therriten, qe nese ju nxirrni nje ligj, qe te fuse ne burg pa gjyq, cdonjerin qe merr rushfet apo qe nuk mbulon me koletaral pronat qe ka vene inkluduar edhe makinat e shtrenjta, ate here une nuk mund te punoj ketu...Keshtu qe ika miku im...
Ju si mendoni, a mundet qe te behet shqiperia ne ate "mbreteri te rremujes se organizuar" qe ekziston atje?