Thursday, February 7, 2008

Mburrja identitare dhe Holokausti

Një numër jo i vogël shkrimesh që janë botuar së fundi lidhur me humanizmin e shqiptarëve ndaj çifutëve gjatë Luftës së Dytë, me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të Auschwitzit, nuk mund të mos më kujtonin një histori, që i ka ndodhur nënës sime në kohën kur kemi qenë familjarisht në burgje dhe internime. Pasi kishte mbaruar, sëbashku me tim vëlla, takimin me tim atë në burgun e Burrelit po prisnin të gjenin ndonjë makinë që të ktheheshin për në vendin e internimit. Më në fund u ndal një Zuk me shoferin e të cilit u morën vesh të hypnin prapa në karroceri. Mirëpo, ndërkohë që po shkonin të merrnin trastat, shoferit iu afrua një person të cilin nëna ime e njohu sepse ishte një “intelektual” me të cilin kishte punuar bashkë në Tiranë, i cili u afrua tek kabina dhe se çfarë i tha “pësh - pësh” në vesh shoferit. Kështu që, kur nëna ime dhe im vëlla shkuan të hipnin mbi karroceri, shoferi u tha: - më falni, por nuk ju marr dot – e u kuptua qartë se personi në fjalë e kishte informuar shoferin se ata që donin të hipnin në makinë ishin familjarët e një armiku të rrezikshëm të partisë dhe pushtetit.

Puna është se nëna ime e kujton këtë histori me nënqeshje sa herë e dëgjon apo lexon këtë “intelektualin” të flasë apo të shkruajë sot rreth humanizmit të popullit shqiptar ndaj çifutëve - veç të tjerash në petkun e njërit prej eksponentëve të shoqatës Shqipëri - Izrael.

Me këto që shkrova nuk dua të merrem me atë person, as të hyj në kërkime historike se si është e vërteta e çifutëve në Shqipëri (rekomandoj për këtë temë dy shkrime serioze të Artan Putos botuar në Përpjekja 3, verë 1995 dhe Përpjekja 8, tetor 1996) dhe as, madje, të mohoj një fakt që më duket i vërtetë: që shqiptarët nuk kanë ushqyer ndjenja antisemite, paçka se nuk u kanë munguar dhe nuk u mungojnë edhe sot ndjenja raciste e diskriminuese ndaj romëve, homoseksualëve, sllavëve, kundërshtarëve politikë, që janë. edhe këta, në listën e kategorisë së viktimave të Auschwitzit.

Ajo që më nxiti të shkruaj lidhur me këtë debat është një fenomen kulturor, aq i shpeshtë ndër ne e që së fundi u shfaq edhe tek mënyra se si e përkujtuam Auschwitzin, një mënyrë që kontraston fort me mënyrës se si e përkujtoi Evropa e që flet për një hendek të madh kulturor.

Kultura post-holokaustiane

Evropa e përkujtoi çlirimin e Auschwitzin me frymën e kulturës së saj, kritike dhe humaniste e që, midis të tjerash, sot ka edhe dimensionin post-holokaustian pikërisht për shkak të rëndësisë që ka pasur dhe ka në ndërgjegjen evropiane Holokausti. Çfarë do të kuptojmë me kulturë post-holokaustine? Do të kuptojmë një kulturë që lindi nga një pyetje e madhe që i ka shtruar dhe vazhdon t’i shtroj njerëzimi vetes pas Holokaustit dhe Gulagëve: cilat janë arësyet që na çuan tek lufta dhe tek Holokausti dhe çfarë duhet të bëjmë që ata të mos përsëriten? Përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje u shfaqën qartë, si tipare tashmë themelore të kësaj kulture, në përkujtimin e çlirimit të Auschwitzit. Kultura post-holokaustiane e përkujtoi çlirimin e Auschwitzin duke dënuar edhe një herë jo vetëm një nga ideologjitë më antinjerëzore në historinë e njerëzimit, që bazohej në superioritetin e racës, por edhe çdo ideollogji kësisoj. “Holokausti na shërben të kuptojmë se nuk duhet të bijem pre e atyre ideollogjive të bazuara në dallimet e racës, ngjyrës, gjuhës apo fesë që na lejojnë të shkelim mbi dinjitetin njerëzor” tha Papa në mesazhin e tij.

Me kulturë post-holokaustiane do të kuptojmë mesazhin “nuk duhet të harrojmë”, jo thjeshtë për të bërë histori, por sepse mësimi i Auschwitzit është se liria nuk jepet njëherë e përgjithmonë, por është gjithnjë e rrezikuar nëse e harrojmë të shkuarën. Prandaj dhe Evropa i mëshoi mesazhit se Holokausti nuk filloi në Auschwitz, por me gurin e parë që u hodh në një vitrinë dyqani çifut, me profanimin e parë të një sinagoge, me fyerjen e parë raciste të hedhur në rrugë, prandaj dhe televizionet evropiane u mbushëm me dhjetra dokumentarë të vjetër e të rinj që demaskonin “ferrin tokësor” që ngriti nazizmi.

Kultura post-holokaustiane nënkupton gjithashtu empatinë ndaj çdo viktime dhe solidaritetin me të, pra se ajo që u ndodhi çifutëve dhe jo vetëm atyre, por edhe romëve edhe homoseksualëve edhe polakëve, rusëve, social demokratëve është një gjë që mund t’i ndodhë gjithkujt e nuk duhet t’i ndodhë askujt.

Kultura post-holokaustiane ka edhe një dimension tjetër: ajo na mëson se e keqja, kur merr të tilla dimensione, nuk mund të mos jetë edhe pjesë e jona. Këtë ide përçoi në fjalën e tij nobelisti i paqes Ellie Wiesel, një nga të mbijetuarit e holokaustit kur tha se është e vërtetë se ka xhelatë dhe viktima, e se nuk ekzistojnë faje kolektive, por përgjegjësi të caktuara, por është po ashtu e vërtetë që pak apo asnjë në Evropë nuk mund ta konsiderojë veten i pafajshëm për atë që ndodhi. Gjë që Shiraku e shprehu duke thënë: “Kujtimi i ebrejve të deportuar është për Francën më shumë sesa një dhimbje, është ndjenjë faji dhe kërkesë për përgjegjësi.”

Me kulturë post-holokaustiane do të kujtojmë edhe të ardhmen që Evropa kërkon të ndërtojë mbështetur mbi këtë përvojë: prandaj dhe Simon Weil, një nga të mbijetuarat e Holokaustit, ish presidente e Parlamentit Evropian, ripërsëriti në Auschwitz thirrjen: “pikërisht këtu ku u krye e keqja absolute duhet të lindë vullneti për një botë të vllazërimit.” Kontinenti i vjetër u mblodh në atë që quhet edhe varreza më e madhe pa varr në botë duke u ndjerë se ishte mu tek rrënjët tragjike nga ka lindur ëndrra evropiane. Tmerri i Auschwitzit ka futur në ADN e Evropës së Bashkuar vullnetin për të eliminuar luftrat, për të flakur përfundimisht përdorimin e urrejtjes si instrument politik, njohjen dhe pranimin e të tjerëve, dhënien fund të diskriminimeve, mosbesimin tek idetë “e forta”, që ushqyen totalitarizmat e shekullit XX.

Mburrja identitare provinciale

Përballë kësaj ngjarjeje që ka dimensione sa të thella historike aq edhe aktuale ne reaguam vetëm me një nga dimensionet më qesharake e më anakronike të kulturës sonë: me mburrjen identitare provinciale, gati gati në një frymë superioriteti racor, kësaj here në lëmin e humanizmit. I mshuam, pra, nëpër media elektronike e gazeta vetëm mesazhit se sa humanë kemi qenë ne ndaj çifutëve, gati gati se ne jemi të vetmit që nuk i kemi persekutuar, duke arritur të glorifikojmë kësaj here edhe qeverinë kuislinge të asaj kohe për punën “e lavdishme” që paska bërë me nënshkrimin e një marëveshjeje me gjermanët, duke harruar, veç të tjerash, se kur gjykojmë një fakt historik të përmasave të tilla botërore, duhet ta gjykojmë për ato që i ka bërë tërë botës dhe jo se çfarë ka bërë në fshatin tonë, prandaj dhe se çdo lloj marrëveshjeje me një zezonë të tillë, si nazizmi, ka qenë dhe është e dënueshme e nuk bën nder. Zëdhënësit e mburrjes identitare qëndruan madje në beft me lopatë në dorë për të çrrënjosur çdo filiz që mund të tentojnë të mbjellë ndonjë “ideolog” që e mendon “mosglorifikimin e kombit si rrugë drejt përsosjes” e që në këtë rast mund ta shpjegonte humanizmin tonë ndaj çifutëve jo si një “atavizëm krenar të kohëve të para”, por si rezultat i një marëveshjeje të bërë me gjermanët. Nuk mungoi madje ndonjë shkrim nga e djathta ekstreme që, gjithë në vazhdën e kulturës sonë tradicionale të gjetjes së fajit apo përgjegjësisë tek tjetri, e të manipulimit qesharak të historisë, hodhi idenë se, nëse ka pasur të këqij ndaj çifutëve, këta nuk kanë qenë ata që nënshkruan marrëveshje me nazistët, por komunistët, duke sjellë si argument faktin se një ish komuniste (që duhet ta lexojmë joshqiptare) paskësh spiunuar disa çifutë për të shpëtuar të dashurin e saj.

Edhe kësaj here, si gjithmonë, mburrja identitare provinciale nuk la të shtrohen pyetje themelore aq të nevojshme për të futur në Shqipëri kulturën post-holokaustiane. Personi që përmenda në krye të shkrimit, dhe shumë si ai, vazhdojnë sot e kësaj dite të bëjnë aq shumë për të mburrur humanizmin e popullit tonë ndaj çifutëve dhe aq pak për të shtruar një pyetjeje të thjeshtë e për t’i dhënë përgjigje asaj: si është e mundur që një popull që qënka treguar aq human ndaj çifutëve u tregua aq shnjerëzor ndaj shqiptarëve të vet duke i shfarosur ata me gjithë familje nëpër kampe burgje dhe vende internimi? Pse ndërkohë që festonim kush e di se sa festa që lidheshin me antifashizmin ndërtuam një sistem fashist, në thelbin e vet, të bazuar mbi dhunën dhe diskriminimin deri eliminimin e kundërshtarit; pse ndërkohë që dënonim Holokaustin ndërtonim Spaçet?

Sipas meje është pikërisht kultura që mbizotëron sot në Shqipëri, me atë dimension të fortë mburrjeje identitare që bën të mos kemi instrumente për t’i shtruar këto pyetje dhe për t’u dhënë përgjigje në funksion të mospërsëritjes së të njëjtëve fenomene Ajo na bën që të dy realitetet t’i shohim si të ndarë me njëri tjetrin, pa bërë përpjekje të shpjegohet kundërshtia midis tyre; ose, më saktë, që njërin ta shpjegojmë me të keqen jashtë nesh si psh. “murtaja komuniste”, kurse tjetrin me “heroizmin e popullit tonë ndër shekuj.” Është po ashtu skicofrenia që shkakton kjo kulturë dominante në shoqëri që na ka bërë që, duke u mburrur se kemi qenë kundër diktaturës, të vazhdojmë të ndërtojmë në periudhën post-komuniste regjime me fytyrë autoritare e mafjoze.

Mburrja identitare si nacional romantizëm i vonuar

Nëse do të kërkojmë rrënjët e kulturës së mburrjes identitare do të theksoja dy syresh:

Së pari, nacional romantizmi i vonuar për të cilin kam shkruar edhe herë tjetër prandaj nuk dua të zgjatem. Tashmë dihet se evokimi i një të kaluare të lavdishme është karakteristikë e nacional-romantizmit të shekullit 19 kur po krijoheshin identitetet nacionale e shtetet etnike që krijuan ndërgjegje kombëtare të ndërtuara tërësisht mbi vlerat e nacionalizmit e që, në shekullin e XX, pollën edhe monstra, siç ishte fashizmi dhe nazizmi, krimet e të cilëve sollën edhe atë që më sipër e quajta kultura post-holokaustiane që në Evropë është edhe kulturë post-nacionaliste.

Arësyet për mbetjen tonë në anakronizmin e romantikës nacionaliste e për rrjedhojë për mosfutjen në Shqipëri të kulturës post-holokaustinae, post-nacionaliste lidhen kryesisht me regjimin komunist i cili jo vetëm e izoloi Shqipërinë, por dhe e veshi politikën totalitare me justifikimin nacionalist duke e përdorur mburrjen kombëtare si instrument të rëndësishëm pushteti, si kundra sulmeve të “armikut të jashtëm”, imperializmit, e më pas socialimperializmit, ashtu edhe të “armikut të brendshëm” - duke zhvilluar kështu një surrogat ideollogjik ku përziheshin stalinizmi me një nacionalizëm të vonuar.

Por, lidhur me regjimin komunist, dua të veçoj edhe një tipar tjetër të tij që më duket i rëndësishëm në kontekstin në fjalë: krijimin e një kulture zyrtare të ngrirë. Dy të mbijetuar të Auschwitzit që kishin jetuar edhe në Berlinin Lindor, të pyetur mbi ndryshimin e përkujtimit të Holokausit në Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore thanë se kishte një ndryshim të madh: në lindje mbizotëronin përkujtimet zyrtare, kurse në Gjermaninë Perëndimore ishte shoqëria civile ajo që bënte shumë më tepër për të mbajtur gjallë Kujtesën; aty kishte një qëndrim shumë më të vërtetë ndaj Holokaustit, prandaj dhe perëndimorët e kanë përçuar shumë më mirë kuptimin e tij të vërtetë, kanë qenë, po ashtu, shumë më efikas përsa i përket transmetimit të tij tek të rinjtë.

Jo vetëm kaq, por në RDGJ, sikurse dëshmon edhe shkrimtarja Christa Volf, mbizotëronte edhe tendenca, aq e përhapur në kulturën tonë, për t’ia deleguar të keqen fashiste tjetrit, në rastin e tyre RFGJ-së. Pa dyshim kjo diferencë kulturore është një nga arësyet kryesore pse sot vihen re shumë më tepër prirje naziste në pjesën lindore sesa në atë perëndimore.

Problemi është se një kulturë e kthyer në kulturë zyrtare pushteti jo vetëm humbet aftësinë e zhvillimit të saj, por humbet edhe kontaktin e vërtetë me njerëzit duke u tjetërsuar dhe humbur, tek e fundit, një nga rolet themelore të kulturës: aftësimin e shoqërisë për të njohur vetveten, për t’iu përgjigjur pyetjeve të kohës, për të komunikuar me botën në frymën e kohës. E për fat të keq ky handikap i lënë tek ne nga kultura zyrtare komuniste në trajta shumë më dramamtike se në RDGJ po vazhdon edhe sot, sa për shkak të rrënjve të thella që ka hedhur kultura zyrtare komuniste gjatë 50 vjetëve, aq edhe për shkak të krizës së tranzicionit. Është pikërish kjo kulturë e zyrtarizuar që lejoi të profanohet, pa hasur rezistencë nga shoqëria civile, vendi i memorialit të heronjve dhe dëshmorëve të vendit e i të rënëve anglezë gjatë Luftës së Dytë duke u vendosur përbri tyre një varrezë impozante e nazistëve të vrarë në Shqipëri, gjë që, duhet të skuqë nga turpi çdo shqiptar që ka ndjekur përkujtimin që i bëri Evropa 60 vjetorit të çlirimit të Auschwitzit.

Mburrja identitare si kompleks inferioriteti

Nevoja për mburrje identitare ka edhe një origjinë tjetër që e lexon shpesh në thirrjet e shumë ideologëve të mburrjes identitare e racore: ne duhet t’i tregojmë botës që jemi evropianë që në kohën e ilirëve e jo më të Skënderbeut, ne duhet t’i tregojmë botës që jemi humanë, ne duhet t’i tregojmë botës që Nënë Tereza është nëna jonë. Të gjitha këto ne i themi e i shkruajmë e i stërshkruajmë nëpër gazeta e libra dhe prapë, ngaqë duket se nuk ia mbushim dot mendjen botës se jemi ashtu dhe aq humanë e evropianë, i përsëritim dhe i ripërsëritim dhe pastaj, kur përsëri nuk ia mbushim mendjen botës, gjejmë ca tradhëtare që kanë nxjerrë të palarat e shtëpisë jashtë dhe ua vemë fajin atyre duke i linçuar në altarin e kombit dhe përsëri asgjë nuk ndryshon. Jo vetëm, por bëhemi edhe më shumë qesharakë pa e kuptuar që bëhemi të tillë. Sepse nuk jemi as në gjendje të kuptojmë se prapa kësaj sjelljeje qëndron një kompleks i thellë inferioriteti ndaj tyre. Sepse nuk jemi në gjendje të kuptojmë se edhe ai më i thjeshti evropiano perëndimor e kupton menjëherë se po përdorim një gjuhë provincialësh të painformuar, të paaftë për të dialoguar me ta. Sepse ai e ka marë domosdo nëpërmjet ajrit frymën e kulturës post-holokaustiane; e di se pse dhe se si një popull i mbushur me gjenij të shkencës, filozofisë, muzikës, letërsisë si Gjermania arriti të bëhet gjatë një periudhe mishërim i së “keqes absolute” në botë; e di se njeriu është produkt i kulturës dhe jo i racës, sikurse mburremi ne kur përmendim shqiptarë të shquar nëpër botë duke harruar tërë ata hordhi pa fund bashkëracorësh që duhet të na bëjnë të heshtim sikur të pranonim teorinë se njeriu është produkt i racës.

Si përfundim dua të them se do të ishim shumë më të respektuar tek të tjerët, me shumë më tepër dinjitet sikur më së pari të arrinim të krijonim respektin për veten, sepse mburrja para të tjerëve thellë thellë zbulon një mungesë respekti për vete. E këtë do të duhet ta bëjmë duke arritur të kuptojmë më së pari ndër vete dhe pastaj duke ua shpjeguar edhe të tjerëve problemet tona, edhe vonesën tonë edhe prapambetjen tonë evidente për çdo evropian me vështrim kritik, dhe jo duke i fshehur ato pas mburrjes identitare provinciale. Për të ushqyer aspiratën tonë për tu bërë të barabartë me evropianët nuk na duhet të kultivojmë deklarimet vanitoze mbi madhështinë kombëtare, siç bëmë edhe kësaj here me përkujtimin e Holokausiti, çka, nën dritën e kulturës evropiane katandiset në një mit qesharak të provincës që shërben për të fshehur rrënjët e kompleksit të inferioritetit, por na duhet të kultivojmë sinqeritetin, frymën kritike dhe njohjen e vlerave të kulturës së sotme evropiane, post-holokaustiane. (Korrieri, shkurt 2005)

6 comments:

Anonymous said...

"Mburrja identitare dhe Holokausti i Lubonjes"
Kjo "mburrje" nuk ekzistone tek Lubonja, edhe "Holokaustin" e shef nga nje perspektive e njeriut qe ka vuajtur persekutimin. Kjo verteton qe F.Lubonja s'ka "mburrje" dhe eshte i "vuajtur"
Shkrimi i referohet qart realitetit te Lubonjes dhe si rrjedhoje asaj pjese qe ai ka jetuar ne ate realitet. Ke c'lexone dhe meson prej kesaj pervoje.
Kame nje rezerve si lexues i kesaj pervoje te zotit Lubonja, se shef si te shtirur humanizmin besnikerin e popullit tone kur i ve perballe monstruozitetin qe ka prodhuar po ky popull.
Lubonja arrin te prek tela te ndjeshem kur eshte ne argument si individ, dhe jo aq efektoz kur pergjithson ne emer te individit.
Eshte njelloj sikur nje Gjerman i sotem te argumentoj te keqen e nazizmit gjerman, do kishte efekt anesor, se eshte vete ky popull qe prodhoj ate fashizem dhe denimin e tij, pa nenvleftesuar faktore te (tjere). Me faktore te (tjere) une dua t'i terheq vemendje z.Lubonja se duhet te konsultoje analizen e tij per "mburrje" identiteti dhe "dyfytyresine" e holokaustit ne fenomenin Shqiptar te politikes se sotme ndofta edhe me pare, se rrezikon te argetoj vetem vezhguesin jo aktiv te fenomenit.

p.s. S'e gjeti gje mamane e tij kur s'emori ai shoferi se ja nderroj mendjen "mendja" e keqe. Ajo ishte duke jetuar ne burgun e saj, qe e vetmja liri ishte te mendonte krahas vuajtjes. Po keshtu duhet te shofim realitetin ne shqipri, mendoj, pak sa ndryshe nga Lubonja.

Anonymous said...

Komunizmi na la injorant, dhe injoranti nuk e kupton që është injorant. Emri “periudhë tranzicioni” i referohet periudhës së përshtatjes së ekonomisë së një vendi drejt një ekonomie tregu. Do të shtojë që kjo përiudhë mund të quhet edhe si periudhë ku “injorantët e komunizmit” arrinë të kuptojnë që janë injorant dhe fillojnë të edukohen. Në shqipëri akoma nuk ka përfunduar periudha e tanzicionit. Kështu deri sa të mbarojë kjo periudhë do vazhdojmë të dëgjojmë se sa të zgjuar jemi ne shqiptarët, se sa popull me vlera jemi, se ne kemi qënë Ilir dhe kemi qënë qendër e kulturës, se ne kemi shumë shqiptarë nëpër botë që mbajnë poste të larta, e brockulla të tjera si këto. Oh, mjerë ne “injorantët”.

Anonymous said...

"Komunizmi na la injorant, dhe injoranti nuk e kupton qe eshte injorant" shkrun i nenshkruari"injoranti"

Ky person qe tmerrohet nga injoranca e tij por me shume nga e te tjereve, me kujtone ksenolatrine e "te rinjeve ne kohen e komunizmit" i takon e njejta periudhe kur mendoj se ka qene edhe ky autori "injoranti" i ri, dhe i ka ngelur ora ne ato vite.
Shqiptari s'eshte as me shume as me pake se c'do popull tjeter i madhe ose i vogel kudo ne bot.
Dikush kur i ndan dhe krahasone per te ulur apo ngritur njerin apo tjetrin, rref ujin ne hava.

Lubonjes do t'i vinte rende te mendonte si ty autor nenshkruar si "injoranti, por s'vepron ndryshe nga ty, edhe metoda qe Lubonja perdor, duke mohuar njerin dhe vlersuar tjetrin, ose te dy ose asnjerin. Njerzit aktin ne jete duke e jetuar si te vertet, c'do keq kuptim per shikuesin e cfaqes varet nga sa e njeh ngjarjen e cfaqes dikush, perfshire edhe autoret e cfaqes.

Anonymous said...

Me vjen shume keq qe akoma dhe sot ka njerez ne Shqiperi qe perdorin mediat e shkruara per shkrime te tilla depresive. Ne fund te fundit as nuk e kuptoj se ca qellimi i ven vehtes zoti Lubonja me nje shkrim te tille. Sic duket zoti Lubonja eshte teper i fiksuar me nje kohe te caktuar ne histori dhe do medoemos ta shfaq realitetin e asaj ne menyre negative ndaj te sotmesh. Fakti qe shqiptaret ndihmuan hebrenjte ne ate kohe, pa marre parasysh se ne cfare mase, dhe fakti qe ca njerez festojne dhe shkruajne per kete eveniment nuk besoj se prodhon asgje negative dhe ne asnje menyre injorance.

Anonymous said...

U bera kureshtar nga fjalet e S. Bejkos dhe kerkova shkrimin e Lubonjes, qe munda ta hap vetem ketu ne blogun e tij. Pasi e lexova nje here i hodha edhe nje sy te dyte kalimthi, se ne shtypin shqip me qellon gjithnje e me radhe te lexoj gjera qe terheqin. Dhe kur je larg, nganjehere ndjen nevojen te mendosh se edhe ne vendin tend nuk mungon mendimi intelektual, se jo cdo gje eshte foshnjore, provinciale, akt vasalizimi e nenshtrimi.
Atehere pse keto reagime ndaj shkrimit ne fjale? Me sa duket Lubonja ben perpjekje dhe ka aftesine te shohe dicka me larg. Kjo ben qe te tjeret qe jane aty poshte te nervozohen, te mos kuptojne se per cfare flet ai, ta akuzojne se genjen e madje te flasin per nje shumice popullore, shenje e dukeshme e demagonjise, qe eshte skandalizuar a revoltuar nga shkrimi tij!?
Po a mund te kritikohet ndokush se ka veshtrim me te qarte se te tjeret? Nuk e di. As nuk mund te thuhet se kjo ndodh vetem ne Shqiperi, se duke u ndodhur ,ne udhekryq te shume kulturave, me kohe fitohet nje lloj imuniteti qe te ndihmon te relativizosh gjithcka. Gjithsesi, ne kete veshtrim i lejoj vetes te them se po me te njejten llogjike duhet pare edhe citimi i Shirakut qe sjell Lubonja, se kujtimi i ebrejve të deportuar është për Francën më shumë sesa një dhimbje, është ndjenjë faji dhe kërkesë për përgjegjësi.

Kjo eshte nje e vertete e tmerershme per Francen dhe jo aq e tmerreshme per Shqiperine. Pse? Eshte nje histori qe e njoh mire dhe kam biseduar me dhjetra cifute per kete problem.
Franca zyrtare e Vishise u vu ne sherbim te Gestapos dhe grumbulloi cifutet nga ishin e nuk ishin dhe i hipi ne tren me distinacion Auschvicin.
Spiunimi i i francezve per identitetin e fshehur te nje cifuti, qofte edhe per ti marre ate dyqanin poshte pallatit, eshte proverbial.
Por ne te njeten kohe, eshte mijra here me i madh se ne Shqiperi numuri i cifuteve te shpetuar e fshehur nga francezet e thjeshte, per te cilet nuk flet askush, aq e madhe eshte tronditja per ate qe beri Franca zyrtare.

Por ne shkrimin e Lubonjes nuk vihet ne diskutim ky lloj estimacioni, por instrumentalizimi i fakteve historike. Se e verteta eshte qe miti i cifuteve te shpetuar po ndertohet mbi nje genjeshter. Ne rregjistrat e nje kampi perqendrimi diku nga Prishtina, ka nje numer shume te madh cifutesh qe jane arrestuar ne Shqiperi. Dhe kete e fshehin te gjithe.
Gjithsesi kur e sheh mburrjen identitare si kompleks inferioriteti, ketu jam disi dyshues, se edhe ky kompleks si cdo komplek eshte me kompleks se sa duket:-)). Personalisht me shume jam i prirur ta shoh kete si kerkim te nje identiteti te ri, pas rrezimit shkaterrues te mitit, me sakte miteve te komunizmit, qe ishin apropriuar nje nje shumice njerzish, vecanerisht nga te tille faibles d'esprit, si ai tipi i episodit qe sjell autori ne fillim te shkrimit.
Se ne pamundesi per te ndertuar nje identitet te brendshem, shume vete fatkeqesisht e kerkojne ate se jashtmi, si nje yll gjenrali mbi spaleta.

Duket kemi te bejme me nje tipar kombetar, hipokrizine e te cilit e kuptojne shume vete, por jane te pakte ata qe perpiqen ta crrenjosin, sikunder Lubonja .

dkokonozi.

Anonymous said...

Z.Fatos jam lexues i thjesht i rreshtave tuaj,ndaj po sugjeroj pak gje qe mendoj se ben prurje per te gjithe. Raca njerezore tregon se evolon mbas ideve te krijuara nga nevoja, ashtu si dhe formimi i cdo individi percjell ADN e brezave te nderthurur me fatin e tij. Ketu mendoj se qartesia juaj duhet te persoset ne funksion te Racave njerzore pasi te gjihte luftojne dhe pavetdijshem per teritor mbijetese, ndaj formojne lobingje dhe prapaskena qe idealistet te behen heroj. Duke besuar ne indetitetin tend idealist te fjales se lire dhe jo te perpunuar do lexoj thjesht pa paragjykim.