Monday, March 10, 2008

Brenda çorbës

Para disa ditësh botova një shkrim të titulluar “Çorbë derri” ku çarjen PS - LSI e trajtoja nga këndvështrimi i nevojës së krijimit të një të majte të re. Sipas këtij këndvështrimi “nga jashtë çorbës” kjo që po ndodh nuk ndryshon asgjë thelbësore në nevojën për ta pastruar politikën shqiptare – në këtë rast të majtën - nga një klasë politike që tashmë ka humbur kredibilitetin në një shkallë alarmante dhe për ta riformuar atë. Pas këtij shkrimi më erdhi një kritikë racionale sipas së cilës, megjithë dëshirën time për një të majtë të re, apo edhe për një klasë të re politike, fatet e politikës sonë do të varen edhe për një kohë nga kjo klasë politike e prandaj bëja mirë të analizoja atë që është dhe jo atë që duhet të jetë. Ishte një ftesë pra për të hyrë brenda çorbës e për të analizuar çfarë është më e mira dhe çfarë është më e keqja në këtë që po ndodh realisht në konfliktin midis partive të mëdha dhe partive të vogla lidhur me kodin e pritshëm zgjedhor.
Sipas gjykimit tim ajo çka “duhet” dhe ajo çka “është” nuk janë të ndara, - njëra në sferën e ideales dhe tjetra të reales - por janë dy pamje të realitetit në bashkëveprim me njëra tjetrën. E nëse flas për atë çka “duhet” mendoj se kjo do të ndikonte sadopak në ndryshimin e asaj çka është. Megjithatë nuk mund ta mohoj se ajo çka “duhet” mund të realizohet me ndërhyrjen nga jashtë asaj që “është”, por edhe nëpërmjet dinamikës përbrenda saj. Në këtë kontekst, lidhur me debatin në fjalë, çështja e futjes “brenda çorbës” sipas meje shtrohet pak a shumë në formën e pyetjes: a duhen reduktuar apo edhe zhdukur partitë e vogla dhe të mbetemi me një dypolësh të fuqishëm PD – PS apo ato duhet të ekzistojnë? Cilat janë të mirat dhe të këqijat e të dy varianteve? Cila do të ishte zgjidhja më e mirë?
Nëse do ta trajtojmë çështjen nga pikpamja teorike do të thoja se avantazhi i madh i demokracisë është pikërisht pluraliteti i mendimeve dhe i përfaqësimeve. Demokracia është si një orkestër ku luajnë shumë instrumente dhe jo një violinë e vetme apo qoftë edhe një duet. Duke qenë e tillë ajo nga një anë është më e komplikuar e kërkon më shumë aftësi, por, nga ana tjetër rrit edhe më shumë qoftë lirinë qoftë përfaqësimin. Le të kujtojmë se një nga kritikat që i bënte Hitleri demokracisë parlamentare kur kërkonte eliminimin e saj ishte se ajo, në vend se të bënte punë, shpenzonte energji pafund me debatate parlamentare. Por, nuk mund të mohoet se, në mungesë të aftësive dirigjuese, vijmë në rastin kur kjo orkestër në vend se të bëjë muzikë prodhon kakofoni. Një shembull i këtyre vështirësive të demokracisë është Italia ku ekzistenca e shumë partive të vogla ka prishur koalicionet duke rrëzuar qeveritë. Jemi në rastin kur paaftësia për të menazhuar demokracinë krijon problemin e mosqeverisjes. Përpjekjet e krijimit të një dypolëshi të bazuar mdi dy parti të mëdha që po bën në Itali Veltroni dhe Berluskoni lidhen pikërisht me këtë fenomen mosqeverisshmërie.
Tani le t’i kthehemi realitetit shqiptar. Pse po bëhet ky ligj nga dy partitë e mëdha? Sipas mendimit tim shkaku nuk është mosqeverishmëria. Të paktën deri tani partitë e vogla nuk kanë shkaktuar rrëzime qeverish dhe as pamundësi realizimi reformash në emër të mbrojtjes së interesave të një elektorati të tyre siç ndodh psh. me të majtën radikale apo të gjelbërit në Itali që kanë penguar disa reforma djathtas të qeverive të qëndres së majtë, apo me demokristianët e qendrës që kanë penguar Berluskonin në legjislaturën paraardhëse. Por, megjithatë, partitë tona të vogla i kanë bezdisur partitë më të mëdha. Sigurisht jo pse i kanë qëndruar besnik elektoratit të tyre specifik. Partitë tona të vogla, në këtë kuptim, e kanë tradhëtuar elektoratin sa herë kanë dashur për hir të shkrirjes me pushtetin e më të mëdhenjve duke humbur deri kuptimin e ekzistencës së tyre. Ato, po ashtu, nuk kanë as një vizion të ndryshëm nga partitë e mëdha, as edhe një elektorat të caktuar që është i tyre dhe vetëm i tyri. Ato i kanë bezdisur “të mëdhenjtë” sepse individët në krye të këtyre partive pasi kanë hyrë në parlament, kanë shantazhuar nëpërmjet fenomenit që tashmë është mbiquajtur “fenomeni demokristian” sipas të cilit një grup deputetësh bëhen bashkë në një parti fantazëm dhe shantazhojnë rënien e qeverisë po nuk morën përfitimet e tyre personale, apo nëpërmjet fenomenit Xhuveli ku liderët e një partie të vogël, pasi kanë marrë votën në emër të një koalicioni, e kanë tradhëtuar atë duke hyrë në koalicionin fitimtar.
Nga ky këndvështrim mund të thuhet se partitë e vogla kanë shkuar me këmbët e tyre në këtë moment të krizës. Le të kujtojmë rrugën e disa prej partive më të njohurave. Aleanca Demokratike kur lindi në 1993 deri më 1997 luajti një rol të rëndësishëm për të mbledhur rreth vetes pjesën e elektoratit që ishte zhgënjyer nga Berisha, por që nuk donte as socialisët. Mé 1997 e më tej, me hyrjen në koalicion me socialistët dhe bërjen e figurave kryesore të kësaj partie ministra, dora dorës, kjo parti e humbi këtë elektorat që mund ta rriste sikur të kishte ruajtur identitetin e saj dhe sot e shohim të reduktuar në një grusht njerëzish. Edhe PSD lindi si një forcë e majtë që kërkonte të mblidhte rreth vetes të majtët që distancoheshin nga trashëgimia e Partisë së Punës. Mirëpo sot, po ta dëgjosh Skënder Gjinushin, ai më shumë përdor fjalën “e majta” kur flet për çfarë përfaqëson sesa emrin e partisë së tij. Edhe ajo parti sot ekziston për Gjinushin dhe jo për elektoratin që duhet të përfaqësojë. Partia Republikane lindi me pretendimin e një të djathte të qendrës më të moderuar se PD-ja pastaj u bë parti e ish pronarëve e mund të thuhet se është ndër partitë që ka ruajtur këtë elektorat, por vetëm me kaq ajo do të ishte thjeshtë një shoqatë ish pronarësh. Dhe sot vështirë të thuash se, duke qëndruar në koalicion me Berishën, i ka ndihmuar apo i ka tradhëtuar ish pronarët. Mé shumë më duket se qëndron kjo e dyta. Edhe LSI e Ilir Metës lindi me pretendimin e madh që të përfaqësonte të tradhëtuarit nga PS –ja duke e akuzuar këtë se ishte kthyer në parti e oligarkëve, por shumë shpejt e harroi këtë retorikë që e diferenconte nga PS madje u fut në koalicion me të dhe sot nuk merret më vesh se pse dhe ku ndryshon ajo nga PS-ja.
Ka pra shumë arësye për të thënë se partitë e vogla nuk na duhen më sepse nuk përfaqësojnë asgjë përveçse interesat e disa individëve. E megjithatë sipas mendimit tim në realitetin shqiptar ato prap duhen. Le të shpjegohem:
Né fakt, por ta çojmë deri në fund diskutimin mbi diferencat midis partive mund të themi se, hiq disa arsye historike që vijnë gjithnjë e më shumë duke u shuar, edhe PD e PS nuk ndryshojnë nga njëra tjetra përsa i përket programeve e vizioneve politike. Pra ashtu sikurse nuk kemi nevojë për partinë e vogla sepse nuk kanë asnjë ndryshim në program e përfaqësim nga partitë e mëdha mund të arrijmë edhe në konkluzionin se nuk kemi nevojë as për dy parti të mëdha përderisa të dyja ato kanë të njëjtin program dhe, tek e fundit, pavarësisht retorikave antikomuniste të njërës dhe progresiste të tjetrës, në thelb përfaqësojnë që të dyja interesat e një grupi të vogël oligarkësh që u financojnë fushtat elektorale - të cilët jo rrallë financojnë edhe njërën edhe tjetrën për të qenë të sigurtë se pushteti dhe paraja e tyre do ta kenë gjithnjë rrugën shtruar. Mirëpo, nga ana tjetër, të gjithë e dimë se në momente të caktuara ekzistenca dhe rivaliteti për pushtet midis tyre, madje edhe e interesve të oligarkëve të ndryshëm, ka qenë e vetmja mundësi që na është dhënë për të pengur arrogancën dhe abuzimin në rritje të palës në pushtet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për partitë e vogla. Po të vëresh rolin pozitiv të ekzistencës së partive të vogla ky ka qenë mjaft të rëndësishëm jo përsa i përket programeve dhe vizioneve të këtyre partive por, përsa i përket lirisë. Roli i partive të tilla si Alenanca Demokratike apo PSD ka qenë i rëndësishëm në vitet e qeverisjes së parë të Berishës për ta penguar prirjen e tij autoritariste sepse PS-ja e asaj kohe nuk gëzonte kredibilitetin dhe mbështetjen popullore. Po ashtu LSI e Iliri Metës u bë shumë e rëndësishme për të rrëzuar Fatos Nanon nga pushteti që po bëhej gjithnjë e më abuziv jo vetëm me pasuritë e shqiptarëve, por që po kërcënonte edhe liritë e tyre. Edhe sot mund të thuhet se megjithë imoralitetin nga shumë pikpamje të fenomenit demokristian, përsa i përkeet lirisë, ekzistenca e një grupimi që mund t’i thotë “jo” Berishës në raste të caktuara e pakëson frikën e një Berishe që mbetet i gjithpushtetshëm.
Në rast se do të realizohet projekti Barisha Rama për eliminimin e partive të vogla mendoj se rreziku për kërcënimin e lirive tona do të jetë më i madh. Jo vetëm pse në të dy krahët do të kemi dy liderë autoritarë që nuk i pyesin pasagjerët se si po e ngasin autobuzin dhe ku po e çojnë - nëse do të perifrazojmë një thënie të fundit të ish sekretarit të PS Blushi atribuar Ramës - jo vetëm pse kështu do të pakësohen idetë dhe përfaqësimi, por edhe pse kështu do të pakësohen mundësitë që, kur njëra palë ta mbushë kupën, të gjenden disa “të vegjël” që mund të bëhen të mëdhenj duke e anuar peshoren nga ana tjetër. Nése do të realizohet projekti Berisha - Rama, duke patur parasysh sa mentalitetin e tyre autoritarist aq edhe kulturën tonë të nënshtrimit ne rrezikojmë të mbetemi nën hyqmin e konfliktualitetit apo pajtimit të tyre për një kohë shumë të gjatë dhe kjo do të ishte një perspektivë jo e shëndoshë për të ardhmen e demokracisë së brishtë shqiptare. Pa përjashtuar në këtë perspektivë variantin edhe më të keq që mbetja vetëm e dy partive mund të lëshojë në një fazë të dytë luftën për eliminimin e njërës prej tyre dhe të mund të gjindemi paskëtaj në një lloj qevrisjeje monopartiake alla Putin ku liritë të jenë thellësisht të kërcënuara
Si përfundim, duke patur parasysh çka thashë më lart, do të thoja se ligji elektoral duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të jetë sintezë e nevojës të gjetjes së formulave që do të eliminonin fenomene të tilla si Dushku, ai demokristian, ai zhuvelian (ndonëse sipas meje këtë nuk e ndryshon ligji, por ndryshimi i ndërgjegjes politike të politikanëve tanë) dhe më anë tjetër të kihen parasysh nevoja e ekzistencës së partive të vogla përfaqësuese si instrumente që rrisin jo vetëm shkallët e lirisë, por edhe mundësitë e përfaqësimit e të ndryshimit të realiteteve në vend. (Korrieri, 8 mars 2007)

4 comments:

Vemendje said...

Zoteri, fillon dhe mbaron corben e gatuar nga te tjeret.

Nuk ka diktat te llojit te ketij qe po ndodh me politiken shqipetare tani, qe te jete me i keqe edhe se ne komunizem.
Pse?
Pergjigjen e thua vet me corben qe edhe vete s'te pelqene ta hash. Qe te mos leshe veten edhe te tjeret te ushqehen me corbe, varianti i dy partive eshte premtues, sepse vete fuqia brenda sejciles nga partite dote vete stimuloje zhvillim permes konkurences brenda saj.
Duke i lene antaret te fokusuar ne zgjedhjen e nje personi qe do te drejtoje vendin. Keshtu qe njera parti s'ka rendesi se eshte si tjetra, ato do jene ne konkurence, me udheheqes qe do justifikoje voten e antareve. Votuesit do jene sic jane edhe sote, jo me te ditur apo me te pa ditur, duke perdorur po kete potencial brenda dy partive, sesa shume e per lume.

Votuesi del i fituar me dy parti, jo se jane pak shpenzimet financiare, por sepse fokusohet mundesia per pergjegjesi ne ekzekutimin e drejtimit te qeverrise.
Do jete shume e veshtire te krijohet diktatorship, se drejtuesit e partive nuk kane lluksin qe kane tani, ata do jene te ekspozuar me shume nga kundershtaret brenda vete dy partive ne fjale.
Vota e popullit eshte faktori tjeter qe s'eshte e thene te kete interesa politike sic kane gjithe keto parti qe zhgarravisin situaten per te lehtesuar ekzistencen e tyre, sic e the dhe vete individuale.

Pershtypja qe dy partite e medha ngjajne ne metode dhe programe eshte me mire, sepse ne s'duam mendime qe ushqejne partiaket por popullin.
Mendoj se do te jete me e veshtire per te qene drejtues se sa eshte sot, per ata qe drejtojne, ne sistemin e dy partive, ku votuesi do kontriboj direkt, sesa rref ujin ne hava me sistemin shume partiake.

Anonymous said...

Z. Lubonja,

nuk jam dakord me mendimin tuaj se per te perfaqesuar nje "sfumature" mendimi (dhe/apo vullneti) ndryshe, brenda sistemit tone politik qeverises, duhet medoemos te ruajme e te mbrojme partite e vogla.

Une mendoj se shkohet drejt zgjidhjes se problemit te tendencave autokratike vetem po te detyrohen partite e verteta - ato qe kane histori, identitet dhe elektorat te mirefillte - te funksionojne ne baze te parimeve te demokracise se brendshme.

Nga ky kendveshtrim, per mendimin tim, partite e vogla nuk e kane ndihmuar, perkundrazi, e kane penguar, zhvillimin e demokracise ne Shqiperi.

Me lejoni te shpjegohem.

Sic thoni edhe ju, shumica prej tyre kane lindur si rrjedhoje e mosmarreveshjeve ne gjirin e partive te medha.

Ne momentin e krizes, keto grupe dhe udheheqesit e tyre kane zgjedhur te largohen nga partia e madhe dhe te krijojne nje grupim te ri, me nje filozofi dhe program te ri qeverises, me nje fizionomi te re.

Duke bere keshtu ato kane dashur

1. te reformojne/modifikojne pikepamjen apo aksionin e partise se madhe dhe,

2. te paraqesin nje alternative te re e te ndryshme qeverisese per vendin

Sa prej tyre jane kane arritur qellimit?

A ka ndryshuar ndopak PD/PS - te marra ne teresine e tyre qenesore - nga trysnia e ushtruar nga grupimet e shkeputura?

Per mendimin tim, - perjashto ndonje "korrigjim" te vogel, formal e te perkohshem - ato nuk kane ndryshuar aspak.

Ndersa persa i perket qellimit te dyte, e keni pohuar edhe ju se te gjitha keto grupime e kane humbur shume shpejt edhe ate pak fizionomi te veten qe i dallonte nga forcat e tjera.

Nderkaq, cfare do te kishte ndodhur sikur keto grupe dhe udheheqesit e tyre te kishin zgjedhur te qendronin brenda partive te medha dhe ti zhvillonin po aty tezat dhe alternativat e tyre qeverisese?

Per mendimin tim, po te kishte ndodhur (po te ndodhte) kjo do te kishim me shume demokraci dhe ate cilesisht me te mire.

Udha e udheheqesve me tendenca autokratike nuk do te ishte nje autostrade me tete korsi sic eshte sot.

me respekt
B.

D.Klosi said...

Corben 17 vjecare do t'ia servirim z.Berisha ne pragun e zgjedhjeve te ardhshme.

Endri said...

Sa i perket ndarjes PS-LSI per reformen zgjedhore me sa di une mosmarrveshjet nuk jane tek perqindja kufi e futjes ne parlament apo tek sistemi proporcinal rajonal por tek listat e hapura apo te mbyllura te kandidateve. Listat e hapura do te thote qe votuesit mund te votojne per partine dhe/ose per kandidate. Ndersa listat e mbyllura nenkuptojne qe votuesit mund te zgjedhin vetem partine dhe partia zgjedh kandidatin e zones.

Nuk jam ekspert ligjor dhe nuk e di mire se cfare pasojash direkte apo indirekte mund te kene listat e hapura apo te mbyllura. Megjithate sic e kuptoj une listat e hapura apo te mbyllura nuk rrezikojne ekzistencen e partive te vogla te cilat kane nje elektorat aq sa c'do ti rrezikonte nje perqindje kufi e larte.

Praktikisht me nje kufi prej 4-5% ne parlament do te kishim 4 parti (PS,PD,LSI,PR). Ky sistem 4 partiakesh siguron heterogjenitetin (parti te medha dhe parti te vogla) e nevojshem ne parlament

Ajo qe eshte per te ardhur keq eshte mungesa e transparences ne zhvillimin e te gjithe ketij procesi te rendesishem. Deri me tani nuk kam lexuar ndonje projektligj te plote te ndonje partie mbi reformen zgjedhore. Gjithshka behet neper takime te fshehta dhe neper deklarata sporadike. Pra, nuk ka nje dokument ligjor qe tregon statusin e deritanishem te kompromisit PS-PD mbi reformen te cilin shoqeria civile mund ta analizoje ne menyre te plote. Gjithshka eshte nje rremuje e madhe ku nuk mund te kuptosh qarte se per cfare behet fjale ne realitet.