Monday, March 17, 2008

Pergjegjesia eshte e shtetit

Si ka mundësi të ndërtohet një fabrikë për çmontimin e minave dhe të predhave të artilerisë në një zonë dendësisht të banuar? Kush e ka dhënë lejen që ajo të vendoset aty? Për ç’arsye është vendosur aty? Si ka mundësi të grumbullohet një sasi aq e madhe predhash në një vend, kur, sipas deklaratës së kryeministrit, djegoret e tyre edhe shpërthejnë vetvetiu? A ka mundësi që kompania amerikane të quhet e specializuar, kur për një punë kaq të rrezikshme, punëson njerëz që dje kanë ardhur nga Greqia dhe sot punësohen, apo hallexhinj që nuk gjejnë dot punë tjetër e që deklarojnë se punonin aty për pesë lekë? A mund të jetë serioze një fabrikë çmontimi predhash, kur drejtori i fabrikës fle brenda saj, siç doli se flinte drejtori i kësaj fabrike? Nëse kompania amerikane e ka mbyllur kontratën prej shumë muajsh, siç deklaroi menaxheri i saj në “News 24”, ç’është kjo firmë shqiptare e nënkontraktuar, e cila, në fakt, bënte punën dhe mbulohej me emrin e amerikanëve? Sa të ligjshme janë këto nënkontraktime? Kush e mban përgjegjësinë: firma e kontraktuar, apo ajo e nënkontraktuar? Pse duhen këto nënkontraktime? Pse qeveritarët tanë na i mbulojnë kompanitë vendase me kompani të huaja? Të gjitha këto pyetje e të tjera presin përgjigje, por presin edhe përgjegjës gjithashtu. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një mallkim, as me një fat të keq. Le të mos bëjnë teatër duke treguar nëpër media poza mediatike politikanësh që japin gjak, as të mburrim gatishmërinë e reagimit të forcave tona policore dhe as solidaritetin e rrejshëm mazhorancë-opozitë, gjoja në emër të hyrjes në NATO. Ajo që ndodhi, është pasqyra më dramatike deri më sot e asaj se ku është katandisur vendi që kemi ndërtuar me duart tona, si rezultat i sistemit politik e ekonomik që funksionon në vendin tonë prej 17 vjetësh. Le ta themi troç: është sistemi kriminal i korrupsionit super të lartë, shkaktari kryesor i rritjes marramendëse të probabilitetit të aksidenteve që ekzistojnë në vendon tonë. Kjo ngase çdo punë në këtë sistem, madje edhe ato të një rrezikshmërie kaq të lartë, nuk bëhen me logjikën e shërbimit, por të grabitjes dhe të përfitimit maksimal. Të gjithë e dinë se ky është shkaku i kësaj tragjedie dhe i shumë të tjerave që nuk kanë ndodhur e që mund të ndodhin. Atij shkaku mund t’i shkosh drejt thelbit, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha, kur tha se Ministria e Mbrojtjes kishte përgjegjësi vetëm për transportin e predhave, kurse përgjegjësitë e tjera i kishte firma private. Si ka mundësi!? Paskemi një kryetar qeverie që nuk ditka as rolin e institucioneve që drejton. Por, a është vërtet kështu? Jo, aspak! Berisha e di shumë mirë se një nga rolet më të rëndësishme të shtetit është të vigjilojë mbi interesat publike, të na mbrojë nga rreziqet, nga vjedhësit, nga grabitësit, nga mashtruesit dhe nga të gjithë llojet e kriminelëve, qofshin në punë private apo shtetërore; të parandalojë aktivitetin e tyre kriminal e me radhë. Të paktën këtë e ka nga përvoja e piramidave financiare. Jo vetëm, por edhe e ka deklaruar gjatë tërë fushatës elektorale kundër socialistëve, kur ka premtuar ndërrimin e shtetit nga shtet “i kapur”, nga mafia në shërbyes të qytetarëve, sepse ai e di që kanë rënë edhe tavane shkollash të posarikonstruktuara mbi kokat e fëmijëve tanë, për shkak të këtij sistemi tenderësh korruptivë. Në rastin konkret, ai e di shumë mirë se shteti është kontraktor për të kryer një punë që u shërben qytetarëve, në emër të rritjes së sigurisë së jetës së tyre, kurse kontrata apo tenderimi që qeveria e tij ka bërë ose nuk e ka bërë si duhet, është e tillë, që e ka rritur këtë pasiguri, duke shkaktuar tragjedi të paparë. Mjafton vendosja e asaj fabrike atje, për të paditur shtetin për krim. Po, pse gabon përsëri Berisha, duke bërë deklarata të tilla larjeje duarsh nga përgjegjësia? Sepse është i kapur nga sistemi që premtoi se do ta ndryshonte. Të gjithë e njohim si funksionon sistemi ynë i korrupsionit në sektorin e punëve publike: paratë tona publike kontraktohen me firma private, të cilat shpesh zgjedhin edhe nënkontraktorë që bëjnë pazare me politikanët dhe rezultati është një cilësi minimale punimi e një vjedhje maksimale që ndahet midis kontraktorëve apo nënkontraktorëve dhe politikanëve. E që kjo vjedhje të jetë maksimale bëhet gjithçka; neglizhohen deri edhe kushtet minimale të masave të sigurisë. Kjo shpjegon shumëçka edhe në këtë rast: vendndodhjen e fabrikës, faktin pse atje punonin gra dhe fëmijë për pesë lekë, madje edhe faktin pse ato predha kanë udhëtuar si bomba shëtitëse në rrugët më të trafikuara të Shqipërisë, ndërkohë që ne nuk dinim asgjë.

Sot ne jemi vendi që kemi vdekjet më të shumta nga aksidentet rrugore, duke i kaluar vendet e tjera 2 deri në 8 herë. Nuk ka dyshim se një pjesë e përgjegjësisë për këto vjen nga vjedhjet që nuk lejojnë të kryhen tërë vizimet, ndriçimet e mbrojtjet e duhura të rrugëve, që për më tepër janë kushte të imponuara nga normat evropiane.

Ne kemi distributorë karburantesh apo shitës bombolash gazi brenda në qytete, ngjitur me pallate banimi e jashtë çdo norme sigurie.

Ne kemi mu në mes të kryeqytetit një linjë tensioni të lartë, që na varet mbi kokë, mu mbi bulevard. Na u tha se do të hiqej, se ishte provizore, por sot, pas kaq vitesh, askush nuk kujtohet se pse paratë e KESH-it duhet të vidhen.

Sot ne nuk dimë as se çfarë hamë, sepse tregtarët e ushqimeve i kemi bërë edhe ministra të ushqimeve, vetëm e vetëm për të mbrojtur fitimet e tyre.

Ne kemi bërë ndërtime, ku nuk mund të hyjë dot zjarrfikësja, nga etja për metër katror e përfituesve.

Ne nuk dimë çfarë mund të na ndodhë sikur të bjerë një tërmet, sepse projekteve tmerrësisht abuzive ndaj hapësirave publike, të pakontrolluar nga institute sizmike serioze, u janë shtuar edhe kate sipër, apo janë hequr themelet e pallateve të vjetra për të hapur biznese private.

Të gjitha këto, pra, e të tjera, kanë ndodhur, sepse ata që duhet të kontrollojnë privatin, nuk kanë kryer detyrën, ngase janë paguar nga privati shumë herë më shumë nga sa i paguan shteti. Edhe kur hyjnë në politikë, politikanët tanë hyjnë duke bërë kalkulimet e këtyre përfitimeve, ndërkohë që biznesmenët tanë, kur u hyjnë investimeve, kujdesen më së pari të sigurojnë lidhjet korruptive me ta, ashtu sikurse edhe për të blerë heshtjen e mediave dhe të intelektualëve. Kaq e thjeshtë është e vërteta që e dimë të gjithë. Ky është sistemi politik e ekonomik që funksionon tek ne dhe tragjeditë e aksidenteve kësisoj janë vetëm njëri prej aspekteve më të dukshme e më tragjike të pasojave të tij mbi jetën e qytetarëve. Filozofia e piramidave financiare nuk ka rënë, ajo vetëm ka ndryshuar pamje.

Më kujtohet se Edi Rama ka thënë njëherë: “Takohemi pas tërmetit”. Nuk e di a do të takohemi dot pas tërmetit, por këto dy ngjarje që ndodhën njëra pas tjetrës, ajo e Farkës dhe kjo e Gërdecit, më duket se janë simptoma të një sëmundjeje që paralajmëron për tërmetin. Është sëmundja 17-vjeçare e një shteti të kapur nga korrupsioni e paligjshmëria në formën më të kriminale. (Korrieri, 17 mars, 2008)

15 comments:

ITS said...

Sa të ligjshme janë këto nënkontraktime? Kush e mban përgjegjësinë: firma e kontraktuar, apo ajo e nënkontraktuar? Pse duhen këto nënkontraktime? Pse qeveritarët tanë na i mbulojnë kompanitë vendase me kompani të huaja?

===

Kjo eshte e thjeshte fare. Praktika e kontraktimeve dhe nenkontraktimeve njihet ne gjithe boten e trete.

Duke krijuar kompani fiktive, eshte me e lehte te fshehesh gjurmet e qarkullimit te parave dhe rryshfeteve qe marrin qeveritaret per cdo tender.

Aristides Milakis said...

perpara se te fillojme te flasim per shperthimin e minave dhe te predhave, te municioneve te cdo tipi; duhet te flasim per natyrshmerine e ketyre fenomeneve.

c'te mbjellesh do te korresh.

keto jane pasojat e militarizimit te shoqerive te djeshme, dhe te sotme " demokratike".

perpara se te diskutojme, per ate se pse shperthyen keto mina; duhet te diskutojme nese na duheshin vertet ato mina( dhe ketu nenkuptoj cdo egzistence armatimi dhe trupash ushtarake).

duhet te diskutojme, nese duhet te behemi anetar te "natos", dhe nese duhet te shpenzojme shuma te reja kolosale, tek "xhandari nderkombetar" per armatim.

flasim per pavaresi te shteteve te ndryshme. per pavaresi te kosoves.

c'perralla me mbret!

eshte valle sot shqiperia e pavarur?! sigurisht qe jo! as ekonomikisht, as ushtarakisht, dhe fatkeqesisht as politikisht!

fatkeqesisht "jemi nen breket" e superfuqise se vetme globale.
jemi percuesit e hegjemonise se koka-koles, dhe te hollivudit, dhe nje konsumator i ardhshem i arsenalit te amerikan ushtarak....

D.Klosi said...

Edhe Shefi i Shtabit te Pergjithshem,z. Hoxha, si specialist ushtarak , xhenjer(si edhe mban graden e Gjeneralit).
Si mundet qe nje xhenjer te mos ta di praktiken elementare te cmontimit te minave, municioneve dhe rrezikshmerine qe paraqet ky proces?
Pse u lejua j procesi i cmontimit prane qendres se banuar?
Pse nuk jep doreheqjen ne se e ka kundershtuar nje proces te tille dhe nuk e pranuan?

Eni said...

Zoti Lubonja,

ju formuloni të gjithë pyetjet që gjakftohtësia e logjika sugjerojnë përballë një situate të tillë, tipare të cilat shpresojmë që të
karakterizojnë dhe prokurorët që po merren me hetimin e cështjes, sepse të gjithë kemi nevojë për përgjigje.

Jo për të kënaqur ndonjë ndjenjë hakmarrjeje, por për
të krijuar një precedent ligjor, i cili do të bëjë të qartë njëherë e përgjithmonë që kush futet në politikë me moton për t'i shërbyer shtetasve shqiptarë, duhet të përgjigjet para ligjit kur dështon me pasoja si kjo e Gërdecit në kryerjen e këtij misioni.

Ju përpiqeni të jepni dhe një përgjigje tuajën që pse
ndodhin gjëra të tilla në Shqipëri:
"Të gjitha këto, pra, e të tjera, kanë ndodhur, sepse ata që duhet të kontrollojnë privatin, nuk kanë kryer detyrën, ngase janë paguar nga privati shumë herë më shumë nga sa i paguan shteti."

Unë jam dakord me këtë përgjigje, por jam dhe e disorientuar, për atë cka vjen paskësaj.
Ju në të kaluarën keni kritikuar me të drejtë, që qeveria socialiste e Nanos ishte e korruptuar dhe duhej
të largohej nga pushteti. Tani na del që dhe Berisha, megjithë retorikën e tij para dhe pas-elektorale, drejtoka një qeveri që është po aq e kapur.
Mesa di unë, ju jeni kritik dhe ndaj Ramës dhe stilit të tij qeverisës, prandaj dhe ardhja e tij në fuqi mund të mos i ndryshojë gjërat.

Atëherë, si i bëhet që Shqipëria të dalë nga ky rreth vicioz? Ku t'i gjejmë këta njerëz që do të vënë ligjin para interesit të tyre personal dhe dëshirës për t'u pasuruar? Unë e di që opinionistët e gazetarët nuk mund të qeverisin vendin, po kush do na ndihmojë ne zgjedhësve
të zgjedhim një klasë të re politike, nëse intelektualët
tanë nuk na tregojnë se kush janë masat reale që mund të
na shpëtojnë nga korrupsioni në këtë shoqëri që kemi?
Si të ja bëjmë që të kapërcejmë fazën e analizave dhe tregimit me gisht për të filluar shërimin e vërtetë?

Vemendje said...

Per sa kohe qytetari do beje pyetjet me vend kryeministrit, pa marr pergjigje per to? Per sa kohe dikush qe kupton me shume se kupton Kryeministri detyren e tij do te injorohet? Mos eshte kjo e vetmja pergjigje e problemit, qe te gjith e shohin sot pas tragjedis se Gerdecit? Lubonja bene anatomin e korrupsionit, dhe korrupsioni e ka folen tek Kryeministri. Berisha duhet larguar me forc se s'iken vet. Ai s'ka te beje me realitetin qe flet Lubonja dhe gjith shqiptaret.

Anonymous said...

Z. Lubonja,

me duket se ne kete shkrim ju keni kaluar lexuesve qe ju ndjekin nje manipulim konceptual, - per mendimin tim me dashje, - te realitetit.

Manipulimi lexohet qe ne titull ku thuhet: "Pergjegjesia eshte e shtetit".

Pergjegjesia, z. Lubonja, nuk eshte e Shtetit. Per faktin e thjeshte se nuk mund te jete e Shtetit.

Shteti eshte nje subjekt juridik, nje strukture ligjore, nje teresi aparatesh. (Dhe Zoti e di sesa nevoje kemi ne, si popull dhe si shoqeri, per Shtet!!)

Nuk po ndalem tek format e ndryshme te shtetit qe ka njohur historia njerezore, disa prej te cilave kane qene te keqija, disa te tjera me te mira, me siguri asnjera e persosur.

Shteti i sotem Shqiptar, nga kjo pikepamje (pra si sistem), i perket kategorise se Shteteve me te mira te mundshme.

Shteti eshte ai (ajo) qe eshte, - nje strukture e cila po te perdoret ashtu sic duhet garanton ekuiliber ne jeten e vendit, progres, mbrojtje, dinjitet e gjithcka tjeter qe deshirojme e presim nga nje Shtet.

Problemi qe kemi ne z. Lubonja (tash e 17 vjet qe kemi Shtetin demokratik) nuk eshte me vete Shtetin (e perseris, si strukture) por me ata qe vene ne levizje mekanizmat dhe aparatet e tij, eshte me qeverine.

Jua do mendja se qeveria Berisha 1 dhe 2, apo ajo Nano 1, 2, 3..., apo ajo Meta, apo Majko, etj me radhe, po te kishin qeverisur, fjala vjen, Shtetin Italian (qe po e marrim per kete supozim apriori me te mire se tonin) do te kishin pasur me shume sukses?

Nuk ma do mendja.

Prandaj Z. Lubonja, me vjen keq, por mendoj se kete here, kalkulimi juaj si opinionberes ka mbizoteruar mbi detyrimin e gazetarit (dhe ndoshta edhe te intelektualit) qe te shprehe te verteten.

E cila, persa i perket pergjegjesise se tragjedise, per mendimin tim eshte kjo:

PERGJEGJESIA ESHTE E QEVERISE!!!

A na cliron ky fakt nga ankthi dhe frika se edhe qeveria qe do te vije, cilado qofte, do te jete si kjo qe kemi, mos me keq?

Aspak.

Por kjo nuk duhet te na pengoje te kryejme detyren tone si qytetare - ju edhe me shume se ne, pasi keni ndikim, permes mediave, ne nje pjese shume me te madhe te opinionit publik - te denoncojme, me emer dhe mbiemer, jo vetem si fenomenologji, cdo akt antiligjor dhe antiqytetar qe ndodh ne mjedisin e ngushte dhe te brishte ku jetojme ne te gjithe.

E di qe po sterzgjatem por dua t'ju kujtoj edhe nje episod te fundit: renien e asaj qe ne Itali quhet La Prima Repubblica.

"Republika e Pare" Italiane nuk ra me mesymje ndaj fenomenologjise se praktikave korruptive dhe klientelare te sistemit te partive politike Italiane.

Ra athere kur "sulmi" i drejtesise u perqendrua mbi emra konkrete.

Jo rastesisht, nderhyrja e fundit publike e Craxit ne Parlament ishte nje perpjekje in-extremis per ta pergjithesuar fajin, per ta fenomenizuar ate.

Per sa thashe me lart, duke shpresuar te kem qene sa me i kthjellet, ndonese po ju shkruaj nxitimthi, shpresoj te kem ngacmuar vemendjen tuaj dhe t'ju kem nxitur te reflektoni mbi zgjedhjen per te denoncuar publikisht dhe haptazi, me emer dhe mbiemer pergjegjesit e drejteperdrejte te tragjedise.

me shume respekt

Eni said...

Si një nga lexuesit e artikullit të z. Lubonja, në kontrast me atë cka shpreh komentshkruesi Anonymous nuk ndjej ndonjë lloj manipulimi nga titulli i z. Lubonja, apo përmbajtja e artikullit. Fakti që ka korrupsion në Shqipëri nuk është vetëm faji i qeverive që shkojnë e vijnë, por edhe i të gjitha strukturave të tjera që përbëjnë shtetin shqiptar: Parlamenti, presidenca, prokuroritë, policia, gjykatat, shkollat e universitetet, shërbimi shëndetësor, shërbimet e tjera publike, etj. etj. Të bësh fajtor vetëm Berishën, Nanon, Ramën, Majkon, e të tjerë si këta, duke u thënë emrat dhe mbiemrat, nuk ka për ta zhdukur me magji korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Të marrësh si shembull Italinë dhe rënien e Craxi-t nuk besoj që e ndihmon shumë debatin e korrupsionit në Shqipëri. Mbas gjithë atyre që ndodhën, aktorët e politikës italiane vetëm ndërruan emrat e partive. Italia vazhdon të jetë politikisht e brishtë, dhe e pafuqishme ndaj korrupsionit, përderisa është sërish në pragun e rizgjedhjes së Berlusconi-t, një nga personave që mbijetoi aq shumë gjyqe farsë, i akuzuar për korrupsion, evasion fiscal, e manipulime të tjera.

Prandaj, nëse duam të luftojmë korrupsionin në Shqipëri, ndoshta është mirë që të kriminalizojmë fenomenin, duke krijuar një ambient social, ku korrupsioni të shikohet si një sëmundje ngjitëse të cilës duhet t'i rrish larg, dhe jo si një biletë për në lëndinën e luleve "mos-më-prek". Vërtet që një qeveri që punon vetë në këtë drejtim do të ishte e dëshirueshme, por nëse nuk bashkohet gjithë opioni publik kundër fenomenit të korrupsionit, cdo qeveri ka për të qënë si një gjeneral pa ushtarë në këtë betejë.

Për ta mbyllur, kisha një hije të lehtë dyshimi ndërsa lexoja komentin e "Anonymous", që këto argumenta i kisha dëgjuar dhe më parë nga një tjetër analist i njohur shqiptar, i cili ka shumë qejf dhe të marrë shembuj nga politika italiane, meqë ka jetuar vetë disa vite në Itali. Ishte argëtuese, të supozoja për ca caste që ai përdor anonimitetin e Web-it për të mbajtur gjallë dialogun. Po sigurisht, ai që kam ndër mend unë, s'do ta kish patur problem të vinte emrin e tij të vërtetë këtu, ndaj, supozimi im nuk qëndron.

Anonymous said...

Ne komentin tim te meparshem kam lene jashte me vetedije nje variabel shume te rendesishme, ate popull/shoqeri (e marre kjo e fundit ne teresine e saj). Kjo per faktin se ai i imi ishte nje koment i shpejte dhe per pamundesi kohe nuk munda te thellohem. Kjo ndoshta ka lene vend per keqkuptime si ato qe gjeta te shkruara ne komentin e Enit.

Gjithesesi jam padyshim plotesisht dakord qe fenomeni i korrupsionit, si edhe cdo shfaqje e tij ne cdo ind e ne cdo skaj te strukturave tona publike, duhet luftuar me te gjitha menyrat dhe mjetet ne dispozicion.

Njera nga menyrat e luftimit te fenomenit (nga e shoqerise civile, permes mediave dhe diskutimit publik) eshte padyshim edhe zberthimi i tij teorik dhe propaganda kunder tij me shkrime pergjithesuese (si ky i Lubonjes).

Por, per mendimin tim, nuk eshte kjo menyra e vetme dhe ne rastin ne fjale, perhere sipas meje, nuk eshte as me efikasja.

Eksponentet e shoqerise sone civile, intelektualet, studentet dhe te gjitha ata qe jane te pajisur me ndergjegjje qytetare nuk duhet te kene frike (dhe as te bejne kalkulime, per mendimin tim) ta shprehin te verteten edhe me emra e mbiemra, rast pas rasti.

Pra, une mendoj qe sa here qe nje njeri (apo grup njerezish) i veshur me pushtet (publik ose privat) vepron ne dem te interesave tona te perbashketa, shoqeria civile duhet te reagoje fuqishem dhe ta denoncoje veprimin dhe personin ne fjale.

Lufta kunder korrupsionit dhe te gjitha antivlerave te tjera qe mbajne peng zhvillimin e vendit tone behet rast me rast, beteje mbas beteje.

Ky lloj reagimi do te filloje gradualisht te shkaktoje ndryshimin.

Persa i perket situates ne shtetin fqinj, e mora si shembull sepse edhe vete Lubonja e citon shpesh dhe jeton madje nje pjese te vitit (mesa kam lexuar) ne Firence.

Une nuk mendoj se Italia nuk ka ndryshuar. A ka ndryshuar per mire apo per keq, kjo eshte ceshtje tjeter, ceshtje opinionesh personale, po nuk me duket ky objekti i debatit.

Shembullin e Craxit e solla pasi me duket emblematik. Vemendja e opinionit publik ishte mbi te - ai reagoi duke u perpjekur ta pergjthesonte fajin. Nuk ja arriti. Ai vete, deri athere nje nga njerezit me te pushtetshem ne Itali, u detyrua te arratisej nga syte kembet. Partia e tij, legjende dhe potence e politikes Italiane per me shume se nje shekull u shkri krejt, ashtu si edhe "dinosauri" tjeter Partia Democristiane.

A u zhduk me keto parti pushteti i pushtetit politik (me falni per lojen e fjaleve)? Aspak! Por nuk besoj se pritej kjo... .

Persa i perket identitetit, une jam Anonim (sepse nuk jam person publik) ndaj edhe mendoj se ky nick, ne kete blog me shkon per shtat. Cdo lidhje me ndonje linje mendimi te dikujt tjeter eshte krejt kazuale.

me respekt

Eni said...

Anonim,

sigurisht që edhe unë besoj që në rastin në fjalë është e domosdoshme të gjejmë shkaktarët e vërtetë, ndaj dhe e hapja komentin tim të parë me shpresën që prokuria këtë herë do ta bëjë detyrën sic duhet dhe pritet.

A i takon z. Lubonja dhe analistëve të tjerë të shtypit të tregojnë me gisht kush qëndron prapa ngjarjeve të Gërdecit? Të paktën besoj që jo zotit Lubonja, sepse ai nuk është gazetar investigues, por një opinionbërës sic e quajtët ju vetë. Nëse ai nuk ka fakte për fajtorët e Gërdecit, nuk është logjike që ai të përmendë emra konkretë.

Sigurisht që mund të flitet për përgjegjësi morale dhe politike, por mendimi im personal është që përgjegjësi të tilla janë shumë të vështira për tu provuar para një gjykate, dhe s'do të na jepnin atë cka të gjithë do të donim, dënimin e vendimmarrësve, vendimzbatuesve, dhe kontrulluesve.

Analistët dhe shoqëria civile duhet të vënë në dukje dhe të trumpetojnë sa më fort efektet e vendimeve politike dhe të dënojnë mënyrën sesi merren dhe zbatohen vendime të tilla. Sepse emrat e politikanëve po na ndërrohen cdo vit, por dhe këta të rinjtë që erdhën (Basha, Olldashi, Oketa, Bumci, etj.) nuk ditën të shkundnin politikën nga statukuoja e mëparshmë dhe u bënë pjesë e një sistemi politik të krimbur.

Unë mendoj (ndoshta e kam gabim) që duke përmendur emra tërë kohës, duket sikur analistët dhe shoqëria civile po bën gjueti shtrigash, dhe i jep municion këtyre politikanëve për të dalë para opinionit publik e të thonë: "shikojini këta të mjerë, vetëm të tregojnë me gisht dinë, ai, ajo, ata, ato. Qëllimi i tyre është i qartë, duan karriget tona për shefat e tyre". Dhe unë mendoj që një pjesë e publikut bie ndoshta me të drejtë në këtë grackë.

Tregimin me gisht le të ja lemë politikanëve që luftojnë për pushtet. Ne të tjerët le të ngremë zërin për gjithë ato gjërat që nuk shkojnë mirë dhe që duhen ndryshuar, duke kërkuar që kush është përgjegjës (pavarësisht nëse quhet Berisha apo Rama apo Meta) të japë llogari. Vetëm kështu mund të shkëputemi nga fryma e bajraktarizmit që po na merr frymën.

Përherë e më shumë, frikësohem që ajo që ne kemi quajtur një nga virtytet më themelore të shqiptarit, "besa, fjala e dhënë, besnikëria ndaj një personi", është ajo që po na prish më shumë punë në ndërtimin e një shoqërie normale, të bazuar në ligje që veprojnë njësoj për të gjithë.

Selfmaderadio said...

Rasti i kesaj fabrikes eshte vertet i frikshem: 12 km larg Tiranes, me nje aktivitet 24 oresh, me nje liste te gjate njerezish dhe institucionesh qe e dinin ekzistencen e saj (perfshire edhe ata qe punonin aty) dhe eprseri regjistron gati ilegale (ose gjysem ilegale, ose dokumentat jane hartuar te tilla qe nuk i dihet tamam statusi) dhe e pakontrollueshme. As nga vete shteti! E pabesueshme.

Lind pyetja (pyetjet): sa biznese te tilla (te rrezikshme apo jo) funksionojne ne Shqiperi?

Sa e ka kapacitetin juridik, material, njerezor Shqiperia per te nderrmare ndermarrje te nivelit te nje centrali berthamor?

Anonymous said...

Arsyeja se perse hipotizoj nje manipulim konceptual nga ana e z. Lubonja qendron ne faktin se ai ka perdorur ne titullin e artikullit te tij fjalen SHTET, ne vend te fjales shume me apropriate (per mendimin tim) QEVERI.

Artikulli i rradhes i z.Lubonja nuk eshte nje persiatje mbi natyren e "Problemit" te shoqerise sone, por nje shkrim me teme shume specifike: trajton tragjedine e Gerdecit.

Ne Gerdec vdiqen dhjetra dhe u plagosen qindra njerez te pafajshem, u shkaterruan totalisht disa qindra dhe pjeserisht disa mijera shtepi dhe ekonomi familjare, per te mos folur per sipermarrjet e ndryshme dhe demet ekonomike te perllogaritura ne miliona euro qe pesuan ato, apo per nje tjeter dem te pallogaritshem te shkaktuar, ate ndaj imazhit te brishte te vendit tone ne syte e qytetareve te botes.

Tani, cfare e shkaktoi katastrofen?

Shperthimi ne nje fabrike per cmontimin e municioneve.

Kush eshte (mund te jete) pronari i vetem i municioneve ne Republiken e Shqiperise?

Shteti Shqiptar.

Cila strukture e Shtetit e ka nen varesi/administrim kete sektor (ate te armatimeve)? Parlamenti? Presidenti? Gjykata? Spitali? Doganieri?

Jo. E ka Qeveria, e cila permes njeres prej strukturave te saj, Ministrise se Mbrojtjes, administron (qeveris) edhe kete punen e armatimeve.

Pra, e dashur Eni, dhe i dashur z. Lubonja, ketu nuk behet fjale per te identifikuar shkaktaret e halleve te popullit tone nder shekuj, gjate diktatures, gjate mish-mashit korruptivo-kriminal 17 vjecar te pas diktatures, e ku di une se cfare tjeter; dhe as hallet e gjithe qytetareve te vendit tone te vogel ne perballjen e tyre te perditshme me jeten ne Shqiperi! Jo zonja dhe zoterinj!

Ketu (SOT) eshte fjala per te identifikuar publikisht shkataret dhe pergjegjesit e tragjedise se Gerdecit.

Te cilet (dhe ketu nuk mendoj se na duhet shkenca e zoteruar prej z. Lubonja, opinionologjia, per te kuptuar) jane SHTETI, ose qe te jemi te qarte, ajo hallke e tij qe kishte nen administrim municionin e Gerdecit, QEVERIA.

Anonymous said...

Shkaktar dhe pergjegjes i vertete i tragjedise ne Shqiperi,( por edhe me gjere), eshte militarizimi i shoqerise shqiptare, i shtetit shqiptar. Cdo qindarke leku e shpenzuar, per t'iu kundervene nje armiku imagjinar qe s'ka per te ardhur kurre, eshte nje filiz i ri i nje Hiroshime te ardhme.
Duhet te investojme tek shpirti dhe tek mendja, dhe jo tek bunkeret, e armet.
Per sa kohe do te vazhdojme te veprojme ne menyre te tille, jeta jone e ardhme, do ti ngjaje asaj te banoreve te dikurshem te Gërdecit.

Eni said...

I dashur Anonim,

simpatizoj me komentin tënd të fundit, ku shikova të përziera keqardhjen për jetët e humbura dhe të shenjuara (të cilës i bashkohem), indinjatën e thellë për cinizmin e qeverisë shqiptare (të cilës i bashkohem), si dhe sensin e lartë të përgjegjësisë qytetare (meqë po përdorni këtë forum të zotit Lubonja për të vënë në dukje perceptimin tuaj për analizën jo të përfunduar ose dhe manipuluese të Lubonjës).

Sidoqoftë nuk mund të mos vë re dhe ndjenjën e disfatizmit dhe të pafuqisë, ndjenja këto që i shikoj tek shumë bashkështetas. Nëse mund ta vazhdoj zinxhirin logjik që ju filluat, dua të pyes: E kujt është qeveria e Shqipërisë? Në letër e shqiptarëve, por në praktikë mund të themi që është e Berishës. Po ama Berisha erdhi këtu me votën e lirë të shqiptarëve. Si mundën shqiptarët të rikthenin Berishën në pushtet pas gjëmës që qeverisja e tij shkaktoi në 1997? A nuk mjaftuan të vrarët e atëhershëm (shumë më tepër se Gërdeci, dëmet, prishja e imazhit të Shqipërise - e cila qe shumë më e rëndë dhe permante) që Berisha të mos ishte kurrë më pjesë e skenës politike shqiptare?

Berisha rierdhi në pushtet, sepse shteti shqiptar dhe populli shqiptar dështuan në analizimin e fenomeneve që sollën Marsin e 1997.
Nëse dhe kësaj here, shoqëria dhe shteti shqiptar dështojnë në analizimin e shkaqeve që cuan në tragjedine e Gërdecit, duke u mjaftuar me largimin e kësaj qeverie dhe zëvendësimin e saj përmes një tjetre, shumë Gërdecë të tjerë do të na presin.

Nëse, ne shqiptarët, nuk pushojmë së shikuari fajin tek të tjerët dhe jo tek indeferenca jonë e pashoqe dhe disfatizmi alarmant, Berishë të tjerë do na lindin si kërpudhat mbas shiut, sepse ne vetë i ushqejmë.

Prandaj të ftoj ty, sic ftova zotin Lubonja në komentin tim të parë, të angazhohemi në një debat civil se si të ja rikthejmë fatin e Shqipërisë shqiptarëve dhe jo të ja lëmë më në dorë qeverive që shkojnë e vijnë.

Anonymous said...

te vetmen gazete qe lexoj me kenaqsi dhe te vetmet opinione qe me bindin jane kto tuajat zotni lubonja.gerdeci ku flaka ishte barut i perzier me gjak te pafajshem femijesh puntore ne te zeze,tregoj
edhe nji here me shume shurme e potere me shume gjame e vaj se c'qeveri kemi c 'shtet kemi,c'drejtesi kemi,se c'ekonnomi tregu kemi se c'media kemi. kure do kthehemi nga kjo rruge pa kry ku na ka fute kjo klase politike me sali e fatos ma medi e me rame me mete gjinush ndoke me xhuvela topalla me rrompalla .nji pyetje, kam cka duhet me ndolle ne shqipni per me ba kthesee me hy ne rruge te drejte,me pase shtet te se drejtes ku te ankohet viktima ete pergjigjet pfajtori si tane bota e zhvillueme .

Anonymous said...

E dashur Eni,

ne diskutimin e fundit nisesh nga presupozimi se ngjarjet e hidhura te vitit '97 jane pergjegjesi e Berishes (qeverise dhe qeverisjes se tij). Si individ, edhe une jam i nje mendjeje me ty.

Po a eshte ky mendim i yni nje e vertete e padiskutueshme?

A mund te jete e tille persa kohe asnje eksponent i klases sone politike-qeverisese (majtas apo djathtas)(me perjashtim te ndonje "bosi" te firmave piramidale) nuk eshte denuar nga sistemi yne gjyqesor per ngjarjet e vitit '97?

"'97-a" eshte nje krim. I tille eshte edhe "Gerdeci". Te dyja keto ngjarje meritojne ndeshkim. Politik per qeverine ne pushtet. Penal per personat, me emer dhe mbiemer, qe me qellim, apo per shkak te veprimit/mosveprimit te tyre shkaktuan fatkeqesine.

Ndeshkimi i drejte dhe i merituar edhe i ndonje politikani te kastes do te kishte nje efekt te forte edukues, per mendimin tim.

Cdo qytetar i vendit tone do ta shikonte se perballe ligjit nuk ka njerez "te paprekshem".

Nese kjo do te ndodhte, ne syte e qytetareve tane "i forti" i radhes, ai qe u imponon pushteteve te tjera ligjin e tij, do te ishte i vetmi subjekt i legjitimuar ta beje kete: SHTETI.