Thursday, April 10, 2008

Gjeneral Berisha i rrethuar Ose kush do ta shpëtojë ushtar Berishën

Duke folur para disa kohësh me një militant demokrat nga ata për të cilët rëndom themi se mendojnë bardh e zi, që e shohin, pra, të keqen vetëm nga ana e kundërshtarit e të mirën në krahun e vet; e që ishte një nga ata që besonte sinqerisht dhe pa interes - të paktën në kohën kur fliste me mua - se Berisha e kishte seriozisht e sinqerisht luftën kundër korrupsionin, më bëri përshkrimin e një Berishe të rrethuar.
"Ai është i rethuar nga institucione të kapura nga krimi - më tha. Në momentin kur don të sulmojë prokurorin (kupto Sollakun) që ka qenë një nga mbrojtësit kryesorë të krimit, atë e sheh të sulmuar menjëherë nga prapa: Presidenti më një anë (në atë kohë Moisiu), opozita më anë tjetër, shumica e mediave gjithashtu. Në momentin kur ai sulmon mediat e përdorura nga pronarët (kujto sulmet per Top Channel) atë e sulmojnë përsëri thuajse të tërë aktorët insitucionalë me akuzën se po shtyp lirinë e fjalës dhe informacionit. Në momentin kur kërkon të formalizojë biznesin përsëri gjendet i kundërsulmuar nga të gjitha forcat e shumta të ekonomisë informale të lidhura me opozitën. Por edhe brenda partisë së tij ai është i rrethuar nga shumica që nuk e shohin partinë veçse si instrument për përfitimet e tyre personale. Ata që e sulmojnë si rrezik autoritarizmi - vazhdoi - e ngatërrojnë me Berishën e periudhës së tij të parë të viteve 92- 97, por ai është tjetër sot, është i rrethuar."
Duke e futur në analizë këtë intuicion të tij nuk mund të mos i jepje të drejtë kur thoshte se s'kishim të bënim me Berishën e fuqishëm politikisht të viteve 92-97- tës për mëse një arësye; së pari, atëhere ai kishte një një mbështetje të lartë popullore pasi kishte ardhur në pushtet me 70% të votave; së dyti, kishte një opozitë shumë të dobët; së treti, mundësinë e kontrollit të shtetit me SHIK e polici; së katërti, kishte në duart e tij median kryesore TVSH (në mungesë të mediave private); së pesti, kishte pushtet ekonomik (në mungesë të një pushteti ekonomik të zhviluar). Kurse Berishës së 2005-sës i mungonin të tëra këto për të mos thënë se shumicën e këtyre faktorëve e kishte kundër. Ai kishte kundër shumicën e mediave private; shumicën e bizneseve që janë të llidhur me PS; një opozitë shumë të fortë e cila nuk është thjeshtë opozitë, por ka pushtetin lokal në kryeqytet. Kishte kundër prokurorinë, Presidentin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Militanti ngulmonte pra të thoshte pra, se për Berishën e posa riadhur në pushtet mund të thuhej gjithshka duke patur parasysh periudhën e tij të parë: se ishte autoritar, personalizues institucionesh e më the të thashë, por se ishte i pakorruptueshëm. Një miti ky i fortë që shumëkend e bënte të mendonte se edhe në pozicionin e një komandanti ushtrie të rrethuar nga ushtritë armike, madje edhe nga ajo e vetja, ai mund të triumfonte. Shumë kanë besuar në këtë mit, madje edhe opozita vetë, e cila, kur ka ngulmuar se ishte e gatshme të priste me durim katër vjetët me një kryeministër tjetër të PD, por jo me Berishën, kuptohej qartë se hallin e kishte mu tek antikorrupsioni i Berishës, sepse vetëm atij i trembej tek PD-ja se mund t'i hapte me gjithë mend dosjet e socialistëve të korruptuar?
Çmund të thuhet sot pas tre vjetësh, veçanërisht pas Gërdecit? Sot nuk mund të thuash më se Berisha ka kundër Presidentin, Kryeprokurorin, apo Këshillin e Lartë të Drejtësisë, madje as shumicën e mediave private: as se ka kundër shumicën e bizneseve. Madje edhe me opozitën duket se i ka punët në vijë. E megjithatë, sot ai është më i dobët se kurrë ndonjëherë për të luftuar korrupsionin, për të mos thënë se Gërdeci i dha një goditje fatale. Paradoksalisht, ai është kaq i dobët pikërisht sepse është kaq i fortë. Në fakt gjeneral Berisha është kaq i dobët, ndonse është çliruar nga rrethimi i shumicës së armiqve të sipërpërmendur, sepse nuk ka më me vete ushtar Berishën dhe dobësia e tij vjen pikërisht sepse, për tu "çliruar" nga rrethimi, i është dashur të sakrifikojë ushtar Berishën. Po cili është ky ushtar Berisha? Ushtar Berisha në fakt është një fantazëm që nuk e dimë nëse ka ekzistuar ndonjëherë me të vërtetë. Është ndoshta pikërisht ai që gjeneral Berisha kërkoi të imitonte më 1992 kur, pasi u zgjodh president, vendosi të qëndronte në shtëpinë e tij të thjeshtë në vend se të shkonte në vilën presidenciale. Ndoshta është ajo hija e edukimit komunist që shumë i ka bërë të besojnë se këta komunistët të gjitha të këqijat mund t'i kenë, por robër të lekut megjithatë nuk janë. Në fakt ushtar Berisha është ai që adhuronte militanti kur ma përshkoi Berishën të rrethuar. Ushtar Berisha është ai që mbante gjallë atë pjesë të opinionit që ende shpresonte, apo që gjakonte të shpresonte, se ai mund të ndëshkonte të korruptuarit dhe ta fuste politikën në hulli të ndershmërisë. Ushtar Berisha ishte ai që mbante gjallë shpresën e njerëzve për pastrimin e shtetit nga mashtruesit e vjedhësit. Në fakt i rrethuari i vërtetë sot është ushtar Berisha ose më saktë kjo shpresë që kishin njerëzit tek njeriu që i vunë emrin Berisha. Kurse gjeneral Berisha ose Berisha real është pjesë e rrethimit të egër kundër tij. Sot, kur të gjithë protagonistët e kësaj klase politike janë pjesë e rrethimit, çështja shtrohet më dramatike se kurrë se kush do ta shpëtojë ushtar Berishën.

3 comments:

Anonymous said...

Nese Ushtar Berisha ka qene gjithnje nje fantazem, a s'do ishte me mire te cliroheshim nga ky imazh duke e flakur tutje si te rrezikshem, ne vend qe te bejme nostalgjiket e te mendojme si ta shpetojme? Nese kemi nevoje per simbole, le te krijojme simbole te reja, simbole qe nuk bazohen mbi shumefytyresine e politikaneve aq te etur per pushtet e aq kokeforte ne pagabueshmerine e tyre, saqe ta transformojne veten nga simbole te shpreses e lirise ne simbole te urrejtjes e tiranise. Dorezo armet Ushtar Berisha dhe nisu drejt rruges se harreses per te mos u kthyer me kurre. Shqiperia nuk ka me nevoje per sherbimet e tua.

Eni said...

Duke lexuar këtë artikull, më erdhi në mend një debat televiziv i para shumë muajve ku Mustafa Nano dhe Fatos Lubonja "u grindën" ca si ashpër nëse është Berisha apo "shteti i kapur" burimi i të këqijave për Shqipërinë. Zoti Lubonja atëherë mendonte që s'duhet t'i jepnim kaq shumë peshë ndikimit të një individi të vetëm, ndaj çuditem ca sot (megjithëse pozitivisht) që ai ka filluar ta pranojë që roli (ose rolet) që Berisha ka luajtuar gjatë 1992-2008 nuk mund të lihet jashtë ekuacionit.

Në shkencë, një metodë shumë e përhapur për të zgjidhur probleme është ajo që quhet "trial-and-error" (provo dhe gabo). Nëse ke një problem, provo nje zgjidhje, nëse gabon, provo një zgjidhje tjetër, e kështu me rradhë, derisa të gjesh zgjidhjen e duhur. Për mendimin tim, karriera politike e Berishës në këto vite mund të përkufizohet si një seri e pafundme "trial-and-error" eksperimentesh në kurriz të demokracisë dhe popullit shqiptar. Berisha çdo disfatë e ka shikuar vetëm si një zgjidhje që nuk ka funksionuar, dhe ka vazhduar në aplikimin e një varianti të ri. Ose, duke përdorur metaforën e këtij shkrimi, sa herë që Gjeneral Berisha ka humbur një betejë, ai më pas është veshur si ushtar me një uniformë të re e flamur të ri, të cilin e ka tundur derisa është ribërë gjeneral. Ju keni të drejtë (megjithëse ca me vonesë, po më mirë vonë se kurrë), nuk ka pasur ndonjëherë një Ushtar Berisha të çiltër. Ka pasur vetëm një kamaleon që gjatë gjithë jetës së tij, ka ndërruar lëkura pa fund, gjithnjë duke projektuar në sipërfaqe atë çka të tjerët donin të shihnin.

Si të shpëtojmë Ushtar Berishën që militanti i shkrimit ëndërron? Shumë thjesht. Të fillojmë me përmbysjen e çdo kulti individi si shpëtues i kombit. Të ndërtojmë një shoqëri ku çdokush është thjesht një "Ushtar i Panjohur" që lufton aq gjatë derisa humbet një betejë, dhe më pas ua lë vendin ushtarëve të tjerë. Dhe Gjenerali i vetëm të cilit i binden të gjithë, gjithmonë, është vetëm një, LIGJI.

Kotherja said...

I dashur Fatos !
Ti ke fatin e mire qe ( te keq ne kete rast ) je person i njohur nga publiku, por keshtu ti humb nje tregues tjeter vleresi per Berishen. Ja ta them une me pak fjale si e mendoj: po te ulesh ne nje kafe te thjeshte ku robt flasin pa dogane mund te shikosh se niveli i anekdotave per kete njeri eshte shume i madh. Une e kam fare te qarte qe ti vete e kupton se cdo me thene kjo, por nuk di a kupton vete Berisha kete ? Une them qe jo se ndryshe nuk do degjonin histori me Skenderbe diten qe marrim ftese per ne NATO, apo cilesime si Berisha Skenderbeu i diteve tona, te botuara nga e perditeshmja e Fahri Balliut.
Sepse varrin Berishen nuk ja bene vetem ata qe permend ti, po dhe lukunia e "ushtareve" qe e rrethojne, qe flasin ne emrin e tij, qe abuzojne me emrin e tij, ata qe ketej e cilesojne Skenderbe dhe nga ana tjeter informojne mediat prane opozites per bemat e administrates se tij.

I dashur Fatos !
Kemi qene deshmitare te nje ngjarjeje shume te rende qe krahas gjithe te tjerave deshmon per paaftesi te Berishes per te krijuar nje skuader qe do na qeveriste mire. Se sa e vlen ta diskutojme kete tani nuk di ta them se do na pefshinte nje mori e madhe fjalesh, por si qytetar i ketij vendi une akoma nuk kam degjuar fjalen " Me falni ". Kjo i dashur eshte mungese e plote sinqeriteti qe te mos i vene nje percaktim me te rende.

Ose shkurt : Berisha* deshtoi ne gjithshka !

* Ai vete kerkoi te identifikohet me ecurine qeverisjes se tij.