Monday, June 16, 2008

A do ta gjejë Rama me Berishën kabllin kinez


"44 leje të reja ndërtimi në Tiranë"
Hapa gazetat të lexoj se për çfarë bëhej fjalë me ndjenjën që kam kur hap faqet e kronikës së zezë. Lexova dy syresh, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Disinformim i gjallë! Gjëja e parë që më ra në sy, i dashur lexues, ishte se, ndryshe nga lajmet e kronikës së zezë, këtu jepej vetëm pjesa e bardhë e lajmit. Sepse në të dy gazetat - që kuptohej se kishin material të dhënë nga Bashkia - flitej vetëm për gjashtë punëra publike që, nga sa konstatova, ishin kryesisht restaurime rrugësh të qendrës. Asnjë informacion nuk jepej për 44 lejet e ndërtimit për pallate përveç faktit se 33 qenë leje ndërtimi dhe 11 leje sheshi. Asnjë fjalë, për be, se për çfarë pallatesh bëhet fjalë, se ku do të ngrihen, se cilët janë arkitektët e shquar apo të rinj, cila është forma e këtyre pallateve, lartësia e më the të thashë. Dikush mund të thotë: po këto janë private pse duhen thënë? Por a ka gjë më publike sesa pallate që të ngrihen befas përballë dirtares, që të gllabërojnë edhe volumin e mbetur të ajrit që frymëmerr, që të zënë edhe pemën e fundit që të zinte syri edhe centimetrin e fundit katror të pejsazhit të Dajtit, që ngrihen mbi trotuare ku ke ecur tërë jetën, që ta bëjnë edhe më të vështirë trafikun me makina e ecjen më këmbë? Për të mos folur për monumente historike apo për atë se ata ta reduktojnë edhe më vlerën e një apartamenti që mund të kesh blerë apo që pret ta shesësh.
Për të shpjeguar këtë terr informativ Bashkia sqaronte, nëpërmjet një kuadrati gri, edhe arsyen pse KRT-ja e Tiranës i zhvillon me dyer të mbyllura seancat e saj: “Në mbështetje të ligjit nr. 8480, datë 27.05 1999, “Për funksionimin e Organeve Kolegjiale të administratës shtetorore dhe Enteve Publike” mbledhja e KRT si organ kolegjial që nuk zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, në bazë të nenit 9.1 të ligjit të mësipërm i zhvillon mbledhjet pa praninë e mediave."
Pasi u konsultova me dy juristë njëri më tha se në këtë ligj nuk thuhet se organet e zgjedhura jo drejtpërdrejt duhet t'i bëjnë mbledhjet të fshehta. Një tjetër më tha se, sipas ligjit, ka të drejtë Bashkia. Po ç'rëndësi ka kjo. Rama e Berisha ligjin e bëjnë si të duan dhe e interpretojnë si të duan.
Po Berisha çlidhja ka me këtë, do të më pyesë lexuesi im i nderuar demokrat. Po si nuk paska mor zotëri. KRT-ja që kemi tani rezulton se filloi të punojë e të japë leje ndërtimi vetëm pasi u arrit marëveshja "historike" që ajo të përbëhet nga tre njerëz të Ramës tre të Berishës dhe një të zgjedhur bashkarisht. Rama, nga sa jam informuar nga burime të sigurta të brendëshme, njerëzit e vet i mbiquan "pula". Nuk e di se si i quan Berisha të vetët, ndoshta gjysmagjela. Dhe, sa për vete, kur lexoj këtë sqarim nuk indinjohem edhe aq pse pulat e Edi Ramës nuk kakarisin fare kur bëjnë vezë (më falni pallate). Sepse Rama dihet se, nëse ka ndonjë aftësi ku ua kalon të gjithëve, është aftësia për të fshehur me mashtrim kombëtar dhe ndërkombëtar punët e veta të liga. Kurse me gjysmagjelat e Sali Berishës indinjohem sepse i kam ende të freskëta fjalimet e Olldashit kur deklaronte pasojat dramatike që i ka sjellë qytetit shkellja e regullores së urbanistikës nga Rama. A nuk qe ai, me Berishën në krah, që deklaronte se 3 milion e 500 mijë metrave katrorë ndërtime të kryera gjatë gjashtë vjetëve të Ramës, sipas kësaj rregulloreje, do të duhej t’u ishin shtuar, minimalisht, 210 mijë metra katrorë gjelbërim rrotull pallateve, 210 mijë metra katrorë ndërtim të parqeve të gjelbëruara, 280 mijë metra katror rrugë dhe shëtitore, 1 milion e 220 mijë metra katrorë park periferik, 40 çerdhe të reja, 40 kopështe, 20 shkolla tetëvjeçare, 10 shkolla të mesme, 70 mijë metra katrorë terren sportiv publik e se të gjitha këto, që mungojnë, përbëjnë diferencën midis një qyteti normal dhe qytetit që ka ndërtuar Rama - sipas meje midis një qyteti normal dhe një qyteti të çmendurish. Nuk kanë kalur dy vjet që bërtisnin kështu, këta, duke premtuar transparencë dhe ndëshkim të korrupsionit. Kurse tani, pulat e Ramës dhe gjysmagjelat e Berishës punojnë së bashku me dyer të mbyllura për t'i pakësuar edhe më hapësirat e gjelbëra. Kush mund ta kontrollojë tani zbatimin e asaj rregullores që, edhe me opozitë, u nëpërkëmb në atë farë feje? Ku do të arrijmë kështu?
"Cherchez la femme" (kërko gruan) është një thënie (e vjetëruar) frënge sipas së cilës, tek motivet që lidhen me gruan duhet ta kërkosh origjinën e veprimeve të mira apo të liga të njerëzve. Tek ne, i dashur lexues, nëse kërkon të gjesh origjinën e të gjitha sjelljeve të politikanëve tanë, të konflikteve apo të marrëveshjeve, të buzëqeshjeve apo ngrysjeve në fytyrë - mor po të gjithshkaje, por edhe të gazetarisë sonë, të shoqërisë civile, se ku jemi nisur e ku po shkojmë duhet të aplikosh thënien: "kërko lejen e ndërtimit". Të duket e paqartë sjellja e ndonjë figure që deri dje e ke gjykuar ndryshe? Shih se mos ka hallin e ndonjë leje ndërtimi. Gjithë këtë zallamahi politike që ke parë, edhe paqen e madhe midis Ramës dhe Berishës, edhe mbylljen e dosjeve të krimit të korrupsionit tek lejet e ndërtimit duhet ta gjesh.
Mirëpo paradoksalisht, gjetja e lejes së ndërtimit tani që Berisha dhe Rama kanë bërë paqen e madhe (mu për shkak të lejeve të ndërtimit) është bërë thuasje e pamundur. Tani duket sheshit se nuk ka mbetur më asnjë shpresë që kryetari i ynë Bashkisë ta gjejë atë kabllin kinez. Po ky kablli kinez ç'lidhje ka me këtë muhabet do të thuash ti, i nderuar lexues. Ka ka. Sepse gjithë çka thashë lidhur me shprehjen "gjej lejen e ndërtimit" nuk do të ishte thënë sikur ne të kishim një plan urbanistik dhe këtë do ta kishim sikur të mos qe kablli kinez. Lermë ta shjegoj: Me një plan urbanistik të diskutuar e aprovuar edhe përpara qytetarit sekush do të dinte se ku ndodhet, se çfarë ka përpara, se çfarë do të ketë mbrapa, se sa do të jetë vlera e apartamentit apo e shtëpisë së tij. Do të dinin edhe ndërtuesit se ku ndërtohet e ku nuk mund të ndërtohet. Shkurt do ta kishte pushtetein plani që është ligj dhe jo Rama e as Berisha. Nuk do të kishte nevojë as për marrëveshje e as për mbledhje të fshehta KRT-je. Unë jam i bindur se sikur të mos ekzistonte problemi "leje ndërtimi", pra të ekzistonte plani/ligji jo vetëm që Rama nuk do të ishte korruptuar nga oligarkët, por as oligarkët nuk do të ishin korruptuar nga Rama, por edhe sikur kjo prap se prap të ndodhte Berisha do ta kishte luftuar korrupsionin e, të jesh i sigurt, i dashur lexues, se as Gërdeci nuk do të ishte hedhur në erë. Dhe as rreziku i ndërtimit të një termocentrali bërthamor nuk do të na kanosej. Mirëpo a e di ti, i nderuar lexues, se përse nuk bëhet plani urbanistik? Ja, ta them unë: për shkak të atij të mallkuari kabëll kinez, që Rama ka filluar ta kërkojë që kur u bë kryetar bashkie dhe nuk e ka gjetuar akoma. E kam dëgjuar vetë me veshët e mij gjatë fushatës së fundit për kryetar kur një gazetar e pyeti se përse ka shtatë vjet (tani janë bërë nëntë) që nuk bën e planin urbanistik të premtuar që fushatën e parë. A e dini se si u përgjegj mashtruesi ynë ndërkombëtar? (Them ndërkombëtar, i dashur lexues, se ky na mashtron me francezë e me belgë e me artistë ndërkombëtarë.) U përgjegj se bëtja e planit nuk është një punë e lehtë sepse, që të bësh planin urbanistik, duhet të dish se çfarë ka nëntoka e Tiranës. Dhe për ta ilustruar këtë tha se ka kaq kohë që Bashkia është në kërkim të një kablli të vendosur nga kinezët që del nga Radio Televizioni dhe nuk dihet se ku përfundon dhe pa gjetjen e këtij kablli dhe të gjithshkaje ka nëntokë Tirana nuk mund të bëhet dot një plan urbanistik.
E kështu i dashur lexues Edi Rama e ka filluar kërkimin e kabllit duke nisur nga Radio Tirana duke hapur themele pallatesh. Atje ku nuk gjindet kablli ngrihen pallate. A e keni parë se si e ka bërë çorap me pallate një nga pjesët më të bukura të Tiranës, bllokun me vila prapa dhe rreth RTSH ku ndodhet edhe pallati ku banon Berisha. Akoma edhe më çorap do ta bëjë, do t'i shembë edhe vilat e mbetura, sepse, atje duhet gërmuar shumë shumë se mu atje rrotull është origjina e kabllit. Kurse Berisha me kryekomunarët e tij, para sistemit 3 + 3 + 1, i ishin futur kërkimit të kabllit nga fundi i tij që mendohej se mund të binte andej nga rrëza e Malit të Dajtit, Kashari apo Sauku sepse në fillim nuk e linte Rama të gërmënte në qendër. Prandja janë ato pallatet e tmerrshme në rrëzë të Dajtit apo matanë liqenit. Nuk e ka fajin korrupsioni i dashur lexues, është faji i kabllit që na lanë kinezët. Si puna e atij litarit që të le i varuri jashtë, por ky është brenda, thellë, i padukshëm. Tani Berisha e Rama po gërmojnë sëbashku. Po a ka shpresë të na e thonë, edhe po e gjetën në themelet e ndonjë pallati, lajmin e madh të gjetjes së kabllit? Unë dyshoj se jo. Por më duket se edhe ne nuk do të kemi më interes që ata ta gjejnë kabllin. Më duket se, ashtu si kanë ardhur punët, ne kemi që të gjithë interes që kablli të mos gjindet kurrë sepse gjetja e tij do të kërkonte ndonjë të varur kurse ne jemi popull paqësor, që e duam jetën sido që ajo na paraqitet dhe që fajin e gjejmë gjithmonë jashtë vetes. Kështu, me kabllin të pagjetur askush nuk do të varet, faji do t'u mbetet kinezëve kurse ne do të vazhdojmë të jetojmë pa e ditur asnjëherë se ç'vendoset të ndërtohet për ne me dyer të mbyllura çka është kusht i domosdoshëm i lumturisë. (Korrieri, 12 qershor 2008)


1 comment:

andi mecaj said...

Pershendetje!