Tuesday, July 1, 2008

Afera amerikane dhe pandëshkueshmëria shqiptare

Çështja e lidhjes së ambasadorit amerikan Withers me aferën e paligjshme të falsifikimit të fishekëve kinezë, ku dalin të përfshirë amerikanë dhe shqiptarë, ka mbytur faqet e lajmeve të televizioneve dhe ato të gazetave.
Është vërtet një ngjarje me të gjitha elementët për të qenë një skup mediatik, shumëdimensional sepse përfshin në një lidhje të çuditëshme, gati surreale, një shtet të vogël si Shqipëria dhe shtetin më të fuqishëm në botë, pse ka në prapaskenë luftra dhe armë që prekin konflikte botërore, sepse gjejmë në këtë lojë protagonistë të rëndësishëm, ndër të cilët edhe gazetën më të njohur në botë New York Times, pse në lojë është edhe rivaliteti midis Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit, midis demokratëve amerikanë dhe atyre republikanë.
Çdo gazetar që ka ndjekur dhe komentuar ngjarjet më të rëndësishme në vend nuk mund të mos bëjë komentin e tij edhe lidhur me këtë ngjarje. Nxitoj prandaj edhe unë të bëj komentin tim.
Janë dy pikat më të rëndësishme që më fton të ve në dukje kjo histori ashtu siç është zhvilluar deri tani.
Së pari, ndonëse, siç thashë, kemi të bëjmë me një ngjarje kaq mediatike për shkak të implikimit të SHBA, kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se pjesa shqiptare e kësaj afere është shumë herë më e rëndë dhe kriminale sesa ajo amerikane. E kam fjalën për atë se tragjedia e Gërdecit është shumë herë, pakrahasimisht herë më e rëndë sesa përfshirja ose jo e ambasadorit amerikan në falsifikimin e origjinës së fishekëve. Fakti se në këtë aferë janë amerikanët, se në të mund të ketë dorë edhe vetë ambasadori, nuk duhet të na bëjë të kalojmë në plan të dytë krimin e Gërdecit. Dhe krimi i Gërdecit nuk lidhet me fishekët kinezë apo shqiptarë, por lidhet me faktin se të korruptuarit shqiptarë, në etjen e tyre për para, kanë shkuar shumë më përtej në krime dhe paligjshmëri sesa shitja me fallsifikim i fishekëve të vjetër kinezë. Ata kanë futur në proces demontimi predha të artilerisë së rëndë në kushte të paimagjinueshme sigurie për çdo qënie njerëzore që ka sadopak ndjeshmëri ndaj jetës së tjetrit. Dhe ky është krimi kryesor për të cilin duhet të akuzohen dhe gjykohen përgjegjësit e kësaj afere ku ajo e fallsifikimit të origjinës së fishekëve është pjesa më e lehtë. Duhet bërë, pra, kujdes që afera amerikane të mos eklipsojë krimin shqiptar, të mos futemi në sherret midis Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, apo ato midis demokratëve dhe republikanëve amerikanë e të ngecemi aty.
Së dyti, midis asaj se çka po ndodh në Amerikë dhe këtej nga ne lidhur me këtë aferë bije në sy një diferencë e madhe. Ne shohim dhe ndjejmë peshën e rëndësisë me të cilën po trajtohet kjo aferë në SHBA dhe, po ashtu, kemi ndjenjën se këtej nga ne nuk do të ndodhë asgjë me protagonistët tanë të krimit. Kjo sepse ne dimë se në SHBA drejtësia është e pavarur nga politika, se fajtorët do të dënohen, kurse tek ne jemi në mbretërinë e pandëshkueshmërisë me një drejtësi të kapur nga autorët e krimit qofshin këta politikanët qofshin oligarkët si Delijorgji me shokë. Në këtë kontekst kjo ngjarje vlen të komentohet edhe për atë se edhe në këtë rast, si shumë herë, ne shpresën e kemi të na shpëtojnë të huajt. Pra dëgjon shumë zëra që të thonë se fakti që për këtë çështje po hetojnë edhe amerikanët mund të na ndihjmojë sepse, duan s’duan, edhe prokurorët tanë do të detyrohen të hetojnë e të nxjerrin fajtorët; se kjo do të jetë një provë edhe për drejtësinë tonë, se nga ky dokumenti i fundit doli qartë se Mediu ka ditur që në nëntor 2007 se çfarë ndodhte, jo se ishte i huaj për këtë aferë siç ka pretenduar etj.. Personalisht jam skeptik ndaj kësaj shprese. Sepse më duket se edhe sikur të arrijë të dënohet Mediu nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim në thelbin e gjësë. Unë e shoh klasën tonë politike aq të infektuar nga sëmundja e Mediut dhe drejtësinë aq të lidhur me klasën tonë plitike saqë e kam të vështirë të besoj se, pas kësaj historie, ne do të dalim me ndjenjën se sistemi i impunitetit për klasën tonë politike ka marrë një goditje të rëndë dhe se nesër do të kemi më shumë drejtësi. Sikur në SHBA afera korruptive të kishte shkaktuar edhe 26 viktima nuk di se çfarë do të kishte ndodhur. Atje vetëm për faktin se janë blerë fishekë kinezë po bëhet nami, kurse tek ne është evidente ngadalësia e veprimit, pafuqia ndaj së keqes, mungesa e vullnetit për ta ndëshkuar atë. Kemi të bëjmë me një diferencë që, metaforikisht, do të thoja se është si ajo midis sëmundjes që bije mbi një trup të shëndoshë, që ka forcën e imunitetit për të reaguar dhe pashpresësisë së një trupi me Sida, me sistem imunitar të shkatërruar, të cilit episode të tilla veçse i venë në dukje agoninë e tij.
Qofsha i gabuar, por përshtypja ime është se sistemi i imunitetit për klasën tonë politike është forcuar edhe më shumë dy vjetët e fundit, veçanërisht pas Gërdecit. Kjo sepse, në fakt, është e njëjta klasë politike që ka 17 vjet që më një anë përthellohet në abuzim me pushtetin dhe, më anë tjetër, e konsolidon gjithnjë e më shumë këtë pushtet. Kjo klasë politike - e kam fjalën për të gjithën pa dallim krahësh - në krye të herës e kishte shumë më tepër frikë drejtësinë. Pastaj, veçanërisht pas 97-tës, kur, megjithë atë masakër, nuk i hyri gjemb në këmbë, por vetëm vazhdoi pasurimin e saj edhe më tej, ajo e rriti edhe më sigurinë se nuk mund t’i ndodhte gjë. Konsolidimi i sistemit të korrupsionit me socialistët e çoi në një shkallë edhe më të lartë këtë siguri, por përsëri lufta për pushtet që lindi brenda socialistëve në një fazë dhe ajo midis mazhorancës dhe opozitë në fazën tjetër, ku njëra palë denonconte palën tjetër, sikur e ruajti një farë frike nga drejtësia. Kurse me kapjen nga PD të sistemit të korrupsionit dhe veçanërisht pas Gërdecit siguria e pandëshkueshmërisë u rrit edhe më shumë pasi palët e shohin veten në të njëjtin batak. Së fundi kemi hyrë në një fazë të fundit të forcimit të mëtejshëm të kësaj sigurie nëpërmjet marrëveshjes së heshtur dhe të hapur mazhorancë - opozitë për të ndarë të patrazuar nga drejtësia dhe opinioni publik pushtetin dhe përfitimet abuzive prej tij. Sot vërtet opozita bërtet herë pas here për Gërdecin, por ndjesia e përgjithshme e opinionit është se kemi të bëjmë me show-un televiziv të rradhës, me larje goje sepse asnjëra palë nuk ka forcë morale për të kërkuar t’i shkohet deri në fund drejtësisë pasi Delijorgji dhe shokët e tij i kanë pasur bashkëpjesëtarë në krim. Njerëzit nuk kanë më asnjë besim. Ata i janë nënshtruar së keqes dhe padrejtësisë e cila i godet dhe mpin ngado që kanë kontakt me politikën.
Ka shumë që kanë arritur në këtë përfundim dhe në fund të këtyre arsyetimeve shtrojnë pyetjen: mirë, po si do të dalim nga kjo gjendje? E përsëris edhe një herë: qofsha i gabuar, por kam shumë frikë se nga kjo gjendje ne do të na nxjerrë kolapsi dhe jo aftësia për të përmirësuar shkallë shkallë vetveten dhe e keqja e kolapsit është se ai pjell kaos i cili jo vetëm rrit pandëshkueshmërinë, por nxjerr në krye përsëri sharllatanë dhe aventurierë të kategorisë së këtyre që kemi sot në krye. (Korrieri, 27 qershor)

No comments: