Sunday, August 31, 2008

Rinia jonë dhe olimpiada


Olimpiadat kanë qenë dhe mbeten ngjarje të mëdha botërore multidimensonale, jo vetëm sportive, por edhe politike edhe mediatike edhe komerciale… edhe gjeografike, sepse të bëjnë të njohësh, madje të prekësh me dorë tërë botën, të ndjehesh qytetar i saj. Megjithë kontradiktat, e tillë ishte edhe kjo e Pekinit.
Mund të ulesh të shkruash për olimpiadën duke e parë në të gjithë këto fusha e të tjera. Por ajo që më uli të shkruaj për të ishte një ngacmim që më kthehej e rikthehej teksa ndiqja garat e ndryshme sportive.
E tregon edhe titulli: rinia jonë dhe olimpiada.
Ajo që personalisht më godet gjithnjë e më shumë në olimpiadat, sa më shumë kalon mosha e shtohet numri i olimpiadave që më jepet rasti të ndjek nëpërmjete ekranit televiziv apo të kinemasë (për mua kjo histori ka filluar me një film mbi olimpiadën e Romës të vitit 1960) nuk janë më kampionët e mëdhenj, as momentet e bukura të jashtëzakonshme agonistike, as shumësia e medaljeve që merr njëri vend apo tjetri. Sigurisht këto kanë vendin e tyre, por ajo që më ka mbresuar gjithnjë e më shumë në olimpiadat e fundit që kam ndjekur, ashtu sikurse edhe në këtë të Pekinit, është shumësia e sporteve që ushtron qënia njerëzore. Sepse vetëm në një olimpiadë sheh të mblidhen thuajse të gjitha sportet: futboll, basketboll, volejboll, waterpol, not, atletikë, gjimnastikë (kaq shumë disiplina në këto tre të fundit) hedhje nga trampolina, kanoe, kanotazh, vela dysh katërsh, mundje boks, xhudo, tenis, pingpong, skermë, çiklizëm, hipizëm, gjuajtje me pushkë me rrathë, me pjatel … nuk i numëroj dot të gjitha dhe nuk i di të gjitha. Kam përshtypjen se edhe fjalët në shqip nuk i kemi për t'i shenjuar e diferencuar të gjitha.
Nuk mund të mos mbetesh gojëhapur duke parë se sa kreative është qënia njerëzore, edhe përsa i përket sportit; por edhe përpara faktit që nënkupton kjo shumëllojshmëri: se sa shumë pasion dhe energji njerëzore derdhen në këto sporte.
Në fakt, sportistët që shohim në ekran në Olimpiadë janë vetëm maja e piramidës, ata që kanë dalë nga një seleksionim i gjatë që edhe frymëzojnë shumë të tjerë. Por nën ta, në vendet prej nga vijnë, duhet të imagjinojmë një numër shumë shumë herë më të madh sportistësh, pafundimisht më të madh. Pa ta nuk do të kishim as Olimpiadë. Dhe tek ata qëndron, për mua, mrekullia e vërtetë e sportit, ndoshta sporti i vërtetë. Sepse në thelbin e vet sporti nuk bëhet me synimin për të dalë në pedanat e medaljeve; ai bëhet sepse është një pasion, një kulturë, një mënyrë për t'i dhënë kuptim jetës, për të njohur veten, për ta forcuar atë si fizikisht edhe mendërisht, për t'u shoqërizuar, solidarizuar etj.
"Çfarë bëjnë kafepirësit e bllokut? - më pyeste me chat nga SHBA një mik që po e ndiqte edhe ai olimpiadën - është turp, gjithë rinia në botë merret me diçka pozitive, tenis, ping-pong, çfarëdo sporti, janë aktivë për mjedisin dhe çështje të tjera. Ata tanët i ke gjithë ditën e mbarë nga një kafe/bar tek tjetri."
Ishin edhe fjalët e tij që më nxitën të shkruaj këto rradhë.
Nuk e vuaj aspak skarcitetin e rinisë sonë në olimpiadë nga këndvështrimi i një nacionalisti. Sigurisht do të ishte e bukur edhe emocionuese të shihje ndonjë kampion shqiptar në podium teksa ngrihej flamuri ynë. Por jam kundër manipulimit nacionalist të sportit ashtu sikundër jam kundër komercializimit të sporti, kur gjithshka shndrrohet në para. Këto janë një tjetërsim i tij. Ndoshta shembulli më sintetik i këtyre të dy aspekteve ishte organizatorja e Olimpiadës Kina, ku pamë sportistë të prodhuar në laborator enkas për të afirmuar superfuqinë e re botërore dhe reklama gjigande me fytyrat e sportistëve milionerë kinezë, agjentët e të cilëve nuk bëjnë kontrata më pak se një millionëshe. Po ashtu nuk më shkon ndërmend se një vend i vogël si i yni mund të konkurojë me vende me një popullsi të madhe sepse në ato vende ka më shumë mundësi të dalin talente. Por ngulmoj se këtu nuk është as çështje konkurimi, tek e fundit, ndonëse nuk mund të mbetesh indiferent kur sheh se ka shumë vende më të vegjël se ne që garojnë me dinjitet, madje ngjiten edhe nëpër podiume medaljesh. Për mua çështja kryesore është ajo e kulturimit dhe edukimit sportiv, e zhvillimit të pasioneve për sportin, per të gjetur e shprehur veten nëpërmjet tij, për të derdhur energji në mënyre pozitive, për të krijuar shoqëri, solidaritet e me rradhë. Sepse sporti është një nga mënyrat më të shëndetshme për të zhvilluar potencialitetet pozitive të njeriut, për të zhvilluar edhe shpirtin e garës, por edhe solidaritetin dhe sakrificën për grupin, disiplinën dhe autodisiplinën, por edhe forcën fizike e mendore për të pasur një jetë me shëndet me gjallëri me sociabilitet dhe më me kuptim gjatë gjithë jetës.

Pse tek rinia jonë mungojne të gjitha këto, apo janë kaq të mangëta? Pse ne na duken sikur vijnë nga një botë tjetër, si marsianë, sportistët që shohim në olimpiada. Ne fakt jane homo sapiens si ne, dykëmbësh dhe dyduarsh si ne. E gjithë diferenca qendron ne kulturën, edukimin sportiv që kanë. Nuk është kjo as çështje race e as çështje prirjesh, paçka se u tha se xhamajkanët i kanë fibrat muskulore superiore për garat e shpejtësisë. Po ku ishin deri dje xhmjaknët? Pse nuk fitonin?
Olimpiada e Pekinit vetëm sa m'i ngacmoi këto mendime. Në fakt nuk ishte skarciteti i tanëve në Pekin, por ajo që shoh përditë të ndodhë në Tiranë e gjithë vendin tonë me sportin dhe raportin e rinisë sonë me të, që më nxitën të shkruaj këto rradhë. Sepse shoh me dhimbje për rininë dhe me revoltë ndaj atyre që duhet ta drejtojnë atë se ne, në vend të sporti kemi zhvilluar lojën e bixhozit me sportin; se kemi me qindra vende bastesh, por jo fusha sportive, me qindra kafe, por aq pak palestra; se ne lajmet kryesore që lidhen me sportin tek ne nuk mbizotërojnë rezultatet e mira, por shitjet e ndeshjeve nga sportistët tanë, se pikat e referimit për rininë tonë nuk janë sportistë të shquar, por trafikantët e drogës dhe prostitutave që bredhin të patrazur e të kapardisur mbi BMW X5 në rrugët e Tiranës.
Ku janë Agim Fagët, Panajot Panot, Asllan Rusët e Zhani Bonatët kampionët e çiklizmit si Agalliu të notit të boksit, që edhe në terrin e diktaturës inspironin me pasione pozitive rininë? A duhet thënë se komunizmi investonte më shumë sepse e përdorte edhe sportin si imazh? Pjesërisht kjo është e vërtetë, por këtë e hedh poshtë fakti se në vendet tona fqinje ra komunizmi, por shohim përsëri serbët, sllovenët, kroatët të dalin nëpër podiume. Ndiqja para disa kohësh një intervistë të numrit një të botës në tenis serbes Ivanoviç që tregonte se, në mungesë fushash tenisi, gjatë dimrit ishte stërvitur në një pishinë bosh që nuk funksiononte për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë. E megjithatë një tjetër serb gati sa nuk i rrëmbeu në pishinat e Pekinit medaljen e arit njërit prej yjeve absolute të olimpiadës, amerikanit Phelips. "Kur ekziston një vullnet i madh - thotë Makiaveli - nuk ekzistojnë vështirësi të mëdha". Jo, ky skarcitet i të rinjve tanë nuk është as çështje të hollash as çështje sistemi as çështje race; është çështje kulture e cila i jep jetë tek i riu pasionit që ushqen e forcon pastaj edhe vullnetin.
Ku janë politikat e Ministrisë së Kulturës Turizmit dhe Sporteve? Ku janë politikat e Ministrisë së Arsimit. Kërkund. Jo, u gabova: ata ua kanë lënë në dorë punën e sportit, ashtu sikurse edhe shumë punë të tjera, bosëve tanë të biznesit. Janë ata që drejtojnë sportin tonë dhe politikat tona lidhur me sportin. Por, nga sa më rezulton mua, këta nuk i ka çuar atje dashuria për sportin. I ka çuar biznesi, veshja e figurës së tyre dhe e bizneseve të tyre me një kostum të mire publike. Kryetari i delgacionit tonë të vogël olimpik është një ish sportist, vërtet, por biznesin e tij sëbashku me ish basketbollistin Rama, sot kryetar bashkie i Kryeqytetit, nuk ka sportin, por, përkundrazi, shndrrimin e fushave të sportit, por edhe të teatrove dhe të parqeve në ndërtime fitimprurëse. Kurse, për ironi, mesa di, fëmijët e tij nuk po rriten në Shqipëri, por jashtë shtetit, atje ku ka shumë fusha sporti dhe shumë parqe, gjelbërim, teatro e kinema. Ministri ynë i Kulturës dhe Sporteve Ylli Pango, ka qenë edhe ai sportist, notar i mirë si bregdetas që është, por në vend se me ruajtjen e plazheve të bregdetit ai merret me kthimin e tyre në fshatra turistike, që në shqip do të thotë ndërtim vilash e hotelesh private për 1 përqindëshin e të pasurve shqiptarë, që do tu pakësojnë edhe më fëmijëve tanë mundësinë për të pasur kontakt me detin e për t'u bërë notarë.
Varfëria e jetës sonë sportive, e pasioneve të rinisë sonë për sportin është një nga simponat e krizës së vlerave të një shoqërie ku kultivohet vetëm një pasion: ai i lekut të fituar lehtë, pa punë, pa studim, pa mundim, pa sakrifica, pa solidaritet, pa ndershmëri. Rezultati duket në të gjitha fushat: një katastrofë kulturore dhe shpirtërore e pashembullt e njeriut shqiptar të cilit mburrja me pasurinë dhe dëfrimi me të i mbeten thuajse e vetmja ndjenjë. Dalja nga kjo krizë është punë e vështirë. Njohja e problemit nuk mjafton, por nëse ai ndjehet seriozisht atëhere ka më shumë mundësi të gjinden rrugët. Dhe rrugët, sipas meje, duhet të fillojnë me ndërtimin e një sistemi tjetër vlerash që njeriut njëdimensional shqiptar, të orientur vetëm nga leku, t'i hapen horizonte vlerash të tjera. Dhe ushtrimi i sportit, pasioni e dashuria për të, janë një nga më të bukurat e këtyre vlerave. (Korrieri, 30 gusht 2008)

4 comments:

Anonymous said...

ndonese shqetesimi eshte i drejte dhe lidhja e njeriut te sotem duhet te jete sigurisht teper harmonike me sportet dhe idete olimpike ne pergjithesi, kam frike se i fundit vend ku mund te evidentosh nje kulture sportive te paster, si edhe nocionet brilante qe udheheqin lojerat olimpike - jane vete olimpiadat moderne te ketyre 25 viteve te fundit.

rastet e "super herojve" si Usain Bolt, apo edhe te Michael Phelps, s'jane gje tjeter vecse shembujt me fodull te mostrave njerezore te krijuara prej shoqerive me te fuqishme farmaceutike, si edhe dominimi total i nevojes qe ka sistemi i sotem global i vlerave per idhuj te rinj (te krijuar keta me cfaredo lloj kostoje...).

te bukura jane sportet, e madhe nevoja jone per to, por fatkeqesisht, ajo c'ka pame ne kete olimpiade te fundit, vetem me principe olimpike dhe kulture sportive s'kish te bente...

Anonymous said...

shoh me keqrdhje z.LUBONJA se komentusit nuk e kane kuptuar mire thelbin e ceshtjes qe ngrini ju.une si i ri qe jam dhe jam mare pak me sport me dhembe me shume kjo gjendje sepse nuk shoh shokte e mi qe te kene deshire te bejne ndonje sport por rrine gjithe kohes ose ne kafe ose duke gjuajtur femra ose duke luajtur lloto keto jane "pasionet" mbizoteruse te rinise shqipetare.une ndej nevoje te merrem me sport sepse mund te derdh aty shume deshire pasion vullnet sakrifice dhe gjithashtu i jap nje kuptim jetes merrem me dicka.shpresoj qe shkrimi juaj te kete ndikuar sado pak ne sensibilizimin e te rinjve erald belliu

Anonymous said...

Vertet jemi ne nje rreth vicioz,ne nuk e dime cfar na duhet e jo me te kerekojme ate,dhe ata qe na drejtojne dine cfar u duhet atyre e su intereson shqiperia e shqiptaret.Edhe kur bejme komente ne nuk qajme hallet tona por te botes.Te them se femijet tane nuk i motivon asgje drejt biblotekave e pasurive shpirtrore,kjo dihet.Femijet tane nuk kane ku te luajn edhe kjo dihet,por mua si 50 vjecare me mungon nje rrugice ne mes te nje parku apo nje ambjent cfardo ku te mund te eci 1 ore apo 30 minuta qe te mbaj gjall muskujt e venat e pastaj te pi kafe me atlete diku prane ketij ambienti.Ne Tiran kete mund ta besh vetenm ne parkun tek kodrat e liqenit ne qytete te tjera jo.Po ky esht minimumi qe mund te kerkoj nje njeri.

Jola said...

- "Me Sportin kundra veseve, droges, alkoholit, ndenjes kot, ...." ky eshte nje nga slloganet qe perdorej ne shkollat fillore( ne Kroaci) per te nxitur prinderit qe te angazhonin femite e tyre ne sport.

- Nje tranjer i nje ekipi te nivelit cilesor thoshte "gjithmone i them lojtareve te mi qe menyra me e mire :
1)per te qene i duartrokitur,
2)per te mbajt trupin ne forme
3)dhe per te qene i paguar eshte Sporti.

-"Ambasadoret e nje vendi jane heronjt dhe sportistet."

- Ne gjithe universitet perendimore por edhe ato lindore(si Kroacia,Sllovenia...) studentet qe merren me sport bonifikohen me kredite(sipas nivelit qe jane ne sport).

- Gjate kohes qe presidenti Bush ishte ne Kroaci me rastesisi te isha aty, dhe ne lajme shume perflitej per mbremjen gala qe do mbahej dhe per 60 te ftuarit special, dhe nder te ftuarit ne lajme vetem per sportistat flitej;
P.S.(ishte i ftuar dhe delegacioni yne, me President dhe Kryeminister dhe Politikane te tjere ... por si permendi njeri(per pjesmarrjen e tyre mora vesh pasi pashe imazhe nga darka)).


Ne jo vetem qe s'bejme asgje per ta nxitur kulturen sport... perkundrazi e luftojme dhe perpiqemi t'ia rrembejme endrren dhe deshiren per ta ushtruar atyre PAK qe e ushtrojne.