Thursday, February 12, 2009

Dëmet e izolimit kulturor


(Mbi debatin për Skënderbeun)


Nëse do të përmblidhja, mbështetur mbi çfarë kam thënë deri tani, vështirësitë kryesore që ngre për shqiptarin e kohës së sotme inercia e kulturës së nacional – komunizmit si fe/ideologji zyrtare, për ta bërë atë që, edhe sot, të besojë për të kuptuar, (por jo të kuptojë për të besuar) një tjetër fe/ideologji zyrtare që sot mund ta quajmë nacional - evropianizëm, do të veçoja tre aspekte thelbësore:
Së pari, ajo kulturë eliminoi diversitetin e këndvështrimeve dhe perspektivave mbi botën. “Uno itinere non potest pervenire ad tam grande secretum” (një rrugë e vetme nuk mjafton për të të çuar në një sekret kaq të madh) thoshte Aurelio Simmaco përfaqësuesi i paganëve në senatin romak (384 ) duke u grindur me senatorët katolikë, që kërkonin eliminimin e besimeve të tjera në perandori. Predikimi i një rruge të vetme drejt së ardhmes dhe përdorimi i dhunës shtetërore për të ndaluar çdo predikim tjetër e bëri nacional - komunizmin të fshijë çdo mënyrë tjetër të interpretimit të botës, çdo fe dhe besim tjetër, çdo filozofi tjetër gjithashtu. Kjo solli edhe mbylljen mendore të shqiptarëve ndaj diversitetit. Edhe sot është shumë e vështirë hapja ndaj tjetrit të ndryshëm, ndaj teorive të ndryshme, njohja e kontradiktave edhe brenda vetë një mënyre të të vështruarit të botës, aftësia për ta vënë veten në dyshim, gjithashtu.
Së dyti, do të veçoja prirjen, në vazhdim, më një anë për të ndërtuar fe/ideologji zyrtare dhe, më anë tjetër, përdorimin e saj dhe klerikëve e këngëtarëve të saj si “rrip transmisioni” të pushtetit. Termi "rrip transmisioni" i atribuohej Stalinit kur fliste për organizatat e tjera të masave në raport me pushtetin e partisë komuniste, por, në fakt, e gjejmë të përdorur shumë herët në histori. Sekti i donatianëve, që refuzonin pushtetin tokësor kundër të cilit të krishterët kishin luftuar për tre shekuj, filluan të akuzojnë si "rripa transmisioni" të pushtetit autokrat perandorak të krishterët katolikë që, pas Kostantinit të Madh, e vunë fenë e tyre në shërbim të tij.
Së treti, dëmi që i ka sjellë shkencës së historisë shqiptare dhe nëpërmjet saj krejt vetëdijes historike shqiptare dhe, tek e fundit, njohjes së vetvetes, tjetërsimi i shkencës së historisë në mitologji duke u bërë shprehëse të vërtetash absolute dhe jo të vërtetash që saktësohen vazhdimisht falë studimesh dhe zbulimesh të mëtejshme; si dhe, sëbashku me këtë, orientimi politik i kërkimeve dhe i zbulimeve për të vërtetuar të vërtetat tashmë të parathëna e të zbuluara nga politika dhe qëllimet e saj të ditës.
Duke u nisur nga këta tre aspekte besoj se, nëse do të tentojmë ta sintetizojmë të keqen më të madhe që solli regjimi nacional - komunist nga pikëpamja kulturore, do të thoja se ky e ka emrin izolim kulturor. Vetë izolimi u kthye në një mit duke i dhënë një identitet shqiptarit të diktaturës nga i cili nuk është çliruar ende, së paku kulturalisht. Është miti i veçansisë së popullit shqiptar: si një popull që nuk ishte fetar si gjithë të tjerët sepse kishte një fe sipërore: shqiptarizmin, si një popull që ishte i vetmi në rrugën e drejtë e të vërtetë, i vetmi popull i mirë në mes të të këqinjve. Ky izolim kulturor ka lënë gjurmë të ndjeshme edhe në të tashmen. Dhe në këtë kontekst, midis të tjerash, në debatin tonë ky reflektohet në formën e paaftësisë për të kuptuar se nacionalizmi nuk është një fenomen i vjetër sa ç'është historia e njerëzimit, por një fenomen relativisht i ri, i shekujve XIX - XX, jo vetëm shqiptar, por evropian e më gjerë, e në këtë kontekst, se figura historike e Skënderbeut dhe e shumë shenjtorëve të nacional - komunizmit nuk përputhet me figurën e tyre të ndërtuar nga kjo fe/ideologji në shekullin XIX e XX.
Oliver Schmitt, duke folur në librin e tij për studiuesit shqiptarë, thotë: "deri më sot në studimet shqiptare nuk vihet në dyshim prapaprojektimi në Mesjetë i identiteteve moderne etnike". Me fjalë të tjera kjo do të thotë se në Shqipëri studiuesit nuk janë ende në gjendje të kuptojnë se historitë e Mesjetës, ndër to edhe ajo e Skënderbeut, janë manipuluar politikisht për të ndërtuar një identitet e ardhmëri në shekullin XIX e më pas në periudhën komuniste. Ata vazhdojnë ta shikojnë historinë si një vazhdimësi e pandërprerë teleologjike sipas thënies së Enver Hoxhës: "Populli shqiptar e ka çarë historinë me shpatë në dorë" ku e tashmja dhe, për rrjedhojë, edhe politikanët e sotëm, përbëjnë pikën kulminante të kësaj historie, janë, si të thuash, mesia që pritej të zbriste, më në fund, mbi tokë.
Le ta ilustrojmë "prapaprojektimin" për të cilin flet Schmitt dhe përdorimin e tij politik me një nga aspektet më negative të politikës së regjimit nacional - komunist: izolimin e shqiptarëve.
Enver Hoxha duke trajtuar Skënderbeun thoshte: "Populli ynë luftoi për një çerek shekulli të tërë me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye. Ai doli gjithmonë fitimtar mbi hordhitë e Perandrisë osmane sepse populli luftonte për lirinë, pavarësinë, dhe tokën." Vini re: nuk thotë për fenë. Në fakt nuk ka historian serioz që e interpreton luftën e Skënderbeut si luftë nacionale të popullit shqiptar. Luftrat me karakter çlirimi kombëtar kanë filluar në shekullin XIX dhe, po ashtu, nuk ka pasur një ndarje dhe aq më pak armiqësi midis popujve që jetonin në Ballkan asokohe. Dallimi dhe armiqësia më e madhe ishte fetare: ajo midis të krishterëve dhe muslimanëve që po vinin me osmanët. Mirëpo Enver Hoxhës nuk i intereson ta verë në dukje ekzistencën e fesë. Duke komentuar këtë interpretim të historisë nga ana e Enver Hoxhës mund të themi se ai nuk ka bërë tjetër veçse ka marrë mitet nacionaliste të Rilindjes, por duke i parë ato me metodologjinë e materializmit dialektik dhe historik u jep një karakter teleologjik, pra në frymën e filozofisë së historisë marksiste sheh një ecje gjithnjë përpara të historisë në sajë të mekanizmit shpjegues: dialektikës së luftës së klasave. Mehmet Shehu e pasuron edhe më komponenten komuniste kur shkrua: "Faktor vendimtar dhe burimi i vetëm i qëndresës heroike dhe i fitoreve të arritura në atë luftë të gjatë kanë qenë masat popullore, kryesisht fshatarësia. Masat popullore ishin kundërpesha ndaj lëkundjeve dhe tradhtisë feudale…" (Dy citimet janë marrë nga libri i Schmitt). Pra në optikën e ideologjisë së kohës së Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, historia e Skënderbeut të Mesjetës popullohej me "feudalët tradhëtarë" dhe "masat popullore" besnike të çështjes kombëtare. Kemi të bëjmë me një "prapaprojektim" në Mesjetë të identiteteve dhe ideologjisë të kohës kur Hoxha e Shehu burgosnin klasat e ashtuquajtura të pasura duke i akuzuar edhe si agjentë të të huajve. Në këtë optikë instrumentalizuese Aleks Buda, historiani më i njohur shqiptar, shkruante në artikullin e tij "Fan Noli, historian i Skënderbeut" që vazhdon të botohet dhe ribotohet në Shqipëri dhe Kosovë: "Pas luftës së madhe antifashiste, ku pjesëmarrja e masave popullore luajti një rol kaq të madh në asgjësimin e pushtuesve, figura e Skënderbeut u bë përsëri aktuale dhe mori një vlerë të re. Historiografia jonë ka për t'i dhënë heroit tonë, ashtu si gjithë figurave të mëdha historike, rolin e vet të merituar, nëse do të niset nga vlerësimi për rolin e masave popullore."
Këtij prapaprojektimi të politikës së Hoxhës të shekullit XX (veçanërisht pas viteve '60) në Mesjetë, ndryshe këtij instrumentalizimi të Skënderbeut në funksion të stabilizimit të regjimit të izolimit, i këndonin jo vetëm politikanët dhe historianët, por edhe shkrimtarët e artistët shqiptarë. Ja si shkruan kritiku letrar Jorgo Bulo, tek parathënia e kolanës së veprave të Ismail Kadaresë, (“Naim Frashëri” Tiranë 1981): "I. Kadarenë e interesoi në mënyrë të veçantë, në fazën e pjekurisë së talentit të tij, problemi i fateve historike të kombit tonë, i fateve të socializmit në Shqipëri." Vini re se si "fatet historike" dhe "fatet e socializmit" vihen në një lidhje vazhdimësie vijëdrejtë historike. Më tej Bulo vazhdon: "Në rrethanat që u krijuan pas tradhëtisë së hapur revizioniste, […], çasti kërkonte prej shoqërisë shqiptare të mobilizonte të gjitha energjitë e veta materiale e shpirtërore për t’i bërë ballë bllokadës, […] Në këto kushte u aktivizua si asnjëherë mendimi shoqëror dhe ndërgjegjja estetike e kombit, u gjallëruan kërkimet artistike për të pohuar, përmes artit, burimet e thella morale që frymëzonin qëndresën heroike të Shqipërisë dhe mbushnin me besim e optimizëm për fitoren." Po në të njëjtën optikë, në vitin 1971, kritiku letrar Vasil Melo do të botonte një recension mbi romanin "Kështjella" ku shkruan: "Dhe vetvetiu kapërcehen hapësirat, afrohen epokat, gjenden pikat e përbashkëta, dhe ajo kështjellë e romanit merr një kuptim edhe më të gjerë, ajo na duket se është edhe Shqipëria e sotme dhe ata kështjellarë shqiptarët me përpjekjet dhe luftën e tyre për të mbrojtur vendin, lirinë dhe fitoret e revolucionit. [… ] Përcaktimi i fytyrës së perandorisë osmane në roman nuk mbetet vetëm brenda kornizës së historisë, por ai vlen edhe për të karakterizuar armiqtë e sotëm të vendit tonë dhe të njerëzimit." (“Nëntori”, nr. 4, 1971, f. 25.) Vetë Kadare duke folur për këtë roman thotë: "Shfrytëzova analogjinë historike midis epokës së Skënderbeut dhe epokës së sotme». (Vepra, vol 12, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, f. 320.)
Është mëse e qartë se si politika dhe arti në shërbim të saj "prapaprojektojnë" të tashmen në Mesjetë; se Skënderbeu dhe epoka e tij modelohen ashtu që të flasin në emër të interesave të elitës së diktaturës.
Duke karakterizuar gjendjen e shkencës së historisë në këtë kohë të diktaturës, por duke mbrritur, prej saj, deri në kohën e sotme, Schmitt shkruan kështu në librin e tij:
"Pas prishjes së diktatorit Enver Hoxha me Bashkimin Sovjetik u përforcua ai izolim që e çoi jetën shkencore në ngushtica nacionaliste e shpesh ksenofobe, prej të cilave edhe sot e ka vështirë të çlirohet. Shqipëria totalitare përhapi, me mjetet e shtetit totalitar, imazhin e vet për Skënderbeun. Prej fundit të viteve '60 e deri më sot janë në thelb po të njëjtët historianë që përcaktojnë interpretimin e heroit kombëtar."
Do të thoja jo vetëm të njëjtët historianë, por, siç po e provon edhe debati në fjalë, edhe të njëjtët shkrimtarë, të njëjtët kritikë arti po ashtu. Dhe kjo është një nga arsyet e reagimit të tyre kaq të egër. Ajo që i prek ata më shumë është pjesa e fundit e librit të Schmitt, kapitulli "Kujtesa harresa dhe rikujtesa" ku ai flet për përdorimin e Skënderbeut nga projektet e ndryshme politike, veçanërishta ata nacional - komuniste dhe për rolin e tyre në këta projekte.
Por, siç e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës, problemi nuk është e kaluara, por e tashmja. Problemi është se e njëjta metodologji "prapaprojektuese" e "afrimimt të epokave" , e intrumentalizmit të historisë me qëllime politike të kohës që jetojmë, në dëm të shkencës, në dëm të mendimit kritik po ashtu, tek e fundit, në dëm të nevojës për dalje nga izolimi kulturor ku na futi diktatura nacional - komuniste po vazhdon edhe sot. Si ilustrim i kësaj na shërben fjala e Presidentit të sotëm Bamir Topi në konferencën që organizoi këtë vit me rastin e 17 janarit, ditëlindjes së Skënderbeut. Aty ai mbajti një ligjëratë me temë "Familjet e Mëdha fisnike dhe kontributi i tyre në historinë e Kombit dhe Shtetit Shqiptar". Në mes të tjerash, pasi i quan "mendje të robëruara", historianët si Schmitt dhe ata intelektualë shqiptarë që e mbrojnë veprën e tij, sepse ata "përpiqen sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit europian" thotë: "Unë jam i bindur që e gjithë fisnikëria historike, si dhe ato familje që iu bashkangjitën asaj me gjeste të rralla patriotizmi, heroizmi, mençurie apo aksion politik në shërbim të lirisë kombëtare, të Pavarësisë së Kosovës dhe prosperitetit të kombit, në kohë të vjetra dhe të reja, dëshmojnë që Skënderbeu, Kryefisniku është kudo, tek çdo shqiptar, si ideal dhe si realitet."


Metodologjia është tipike e nacional - komunizmit: manipulim i historisë për qëllime ideologjike e politike të kohës që jetojmë. Ndryshon vetëm komponentja "komuniste" për t'u bërë "antikomuniste". Nëse komunistët, duke aplikuar ideologjinë e tyre të pushtetit, flisnin për "masat popullore" si faktori kryesor në luftën për çlirimin e atdheut në Mesjetë, Topi, meqënëse e quan veten sot si i djathtë, përfaqësues të famijeve të mëdha që i persekutuan komunistët në shekullin XX, i kthehet kohës së Skënderbeut, mjerisht me të njëjtën metodë prapaprojektuese duke provuar se, ka bërë të njëjtën shkollë. Ata që Mehmet Shehu i quante "tradhëtarët feudalë" ky i riabiliton dhe i bën "fisnikëri historike". Pra, nëse në Shqipërinë e Enver Hoxhës miti rilindas i Skënderbeut u plotësua me dimensionin komunist të "udhëheqësit të masave" të "gjeneralit partizan", të autorit të reformës agrare, në Shqipërinë e Bamir Topit të vitit 2009 ai interpretohet si udhëheqësi i "fisnikërisë historike" e cila, paska luftuar që nga koha Skënderbeut e këtej për çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në fakt e vërteta historike e asaj kohe nuk ka të bëjë fare më këto tentativa narracionesh të reja mitologjike në shërbim të politikave të ditës së sotme. Një pjesë e atyre që Mehmet Shehu i quan "feudalë tradhëtarë" kurse Topi "fisnikëri historike" në fakt për të ruajtur pronat e tyre u konvertuan në muslimanë, pastaj i shërbyen me devotshmëri perandorisë për disa shekuj dhe vazhduan t'i sundojnë ato që M. Shehu i quan "masat popullore", ndërkohë që historia e tyre mesjetare nuk ka lidhje as me çlirimin kombëtar shqiptar dhe as me revolucionin socialist dhe reformën agrare.
Në fakt çështja është se në luftrat e tyre të sotme për ruajtje të pushtetit politik dhe kulturor, përfaqësuesit e kulturës së izolimit kërkojnë të na përçojnë idenë se, duke u prekur Skënderbeu, Shqipëria vihet në rrezik, por se ata janë aty, duke vigjëluar, në mbrojtje të shqiptarëve nga armiqtë e tyre dhe të Skënderbeut. Mirëpo në fakt Shqipëria rrezikun më të madh në historinë e saj e kaloi pikërisht në kohën kur miti i Skënderbeut u ngrit më këmbë më fort se kurrë dhe pikërisht nga ata që i ngritën atij monumentet. Shqipëria, në fakt. mund të mbrohet shumë më mirë duke u angazhuar përditë në luftën kundër korrupsionit, shkatërimit ekologjik, mjerimit kulturor e me rradhë që po përjeton fatkeqësisht ndërkohë që ata kanë pushtetin politik e kulturor dhe hyjnizojnë prap Skënderbeun. Prandaj do të thoja se, minimalisht, ata meritojnë thënien e shkrimtarit gjerman Karl Schlogel: "Një devocion për të vdekurit që nuk buron nga respekti për të gjallët është i dyshimtë." (Korrieri, 12 shkurt 2009)

(Vijon të hënën)


2 comments:

Lulian Kodra said...

Ne nje fjale mbi diktaturen, Kadareja ka thene se fajin e kishte Marksi, nga qe ne teorine e tij nuk e njeh permbajtjen. Nje tjeter nga argumentet qesharake te ketij eseisti popullor.

Nderkohe qe ne bote, ballafaqimi i argumentave vazhdoi dhe vazhdon te tregoje se materializmi dialektik eshte metode e suksesshme, ne Shqiperi edhe teoria Marksiste, kam pershtypjen, i vuajti pasojat e izolimit ksenofobik po aq sa cdo menyre apo metode e te shkruajturit te historise apo e te berit shkence. Pjesa e cituar nga Mehmet Shehu, cfaredo mund te perdore, por kurrsesi materializmin dialektik, ne mos, nje forme demagogjike te kesaj metode. Pasi materializmi historik do te ishte i bindur mbi paperputhshmerine e "vegjelise" me prijesat dhe familjet e medha te kohes, le me te sugjeronte perfaqesim te te parave nga te fundit.

Perderisa pjesa me e mire e argumentit flet per metoden shkencore, them se kjo eshte nje pike qe duhet sqaruar me sakte.

Anonymous said...

Nje analize e mrekullueshme. Inteligjenca shqiptare eshte fatlume qe regjimi diktatorial nuk arriti te shuaje mendje humane dhe te ndritura sic eshte rasti i Lubonjes.