Saturday, February 28, 2009

Kultura e imazhit dhe mungesa e kulturës

Para disa ditësh lexova një shkrim të Artan Fugës me titull “Po vijnë ata… analfabetët”.
Nëse do ta sintetizoja me dy fjalë shkrimin në thelbin e tij qëndronte ideja se “konfliktet” apo “marrëdhëniet e tendosura” midis “brezave” apo edhe “grupeve socioprofesionale” që vërejmë në shoqërinë tonë nuk do të mund t’i shpjegonim nëse nuk do të merrnim parasysh faktin se ata përdorin gjuhë të ndryshme komunikimi ku brezi më i vjetër, i formuar nëpërmjet librit, përdor më shumë gjuhën tekstore kurse ky i riu është form uar kryesisht me mediat televizive dhe përdor, si mjet komunikimi, më shumë gjuhën e imazhit apo fjalën e dëgjuar.
Pra, argumenton Fuga, nëse më të vjetërve u duken më të rinjtë “analfabetë” ky është një keqkuptim apo më mirë të themi moskuptim i brezit të ri, i cili ka një tjetër mjet komunikimi: alfabetin e imazhit, prandaj, përsa i përket fjalës së shkruar, ai mund të quhet edhe analfabet, por “në kuptimin e mirë të fjalës”. Në shkrim del qartë apologjia e televizoneve tona, e kulturës që ata përçojnë dhe thirrja ndaj “tradicionalistëve” për të parë më shumë veten sesa të rinjtë kur i kritikojnë këta. Me fjalë të tjera, nëse dikujt, ku fus edhe veten, i duket banal dhe vulgar emisioni “Zonë e Lirë” e Arjan Çanit apo “Portokalli”, që akademiku i vlerëson si të “një niveli të lartë cilësor që nuk e gjen në hapësirën ballkanike” – duhet të shohë veten se mos ka mbetur analfabet në kuptimin e njohjes së alfabetit të imazhit, se mos zhytja e kokës nëpër shkronja e ka bërë të mos zhvillojë ndjeshmërinë ndaj muzikës së fjalës së dëgjuar dhe gjestit.
Jam thelbësisht në kundërshtim me këto ide të Fugës, madje, po e them që në fillim, e shoh këtë shkrim si shenjë dorëzimi të mëtejshëm të inteligjencës shqiptare ndaj një sistemi të bazuar mbi kulturën e manipulimit të publikut që vetëm në dukje ka ndryshuar, por në thelb është vazhdim i sistemit të vjetër.
Së pari, jam kundër idesë se ka një konflikt brezash në Shqipëri. Makar të kishte një të tillë. Me këtë nuk dua të mohoj kategorikisht ekzistencën e njerëzve apo edhe të grupeve të idividëve që janë të pakënaqur nga arsimimi i të rinjve apo që emisione të tilla si “Zonë e Lirë” apo “Portokalli” i gjykojnë si imitime banale të emisioneve banale perëndimore, por më rezulton se numri i tyre vjen duke u pakësuar dhe fakti se edhe një akademik është dorëzuar përpara banaliteteve televizive tregon se nuk bëhet fjalë për konflikt. Po ashtu kam dyshim nëse ai që e quajtëm brezi më i vjetër është vërtet kaq i lidhur me tekstin e shkruar apo me librin, përkundrazi edhe atë e shoh në varësi totale ndaj televizionit. Por edhe nëse ka ende ndopak rezistencë ndaj banalitetit, çka e shoh në grahmat e fundit (kur kam parasysh se si ky brez të rriturish ka lejuar gjendjen e mjeruar që mbretëron në shkollat tona publike dhe private, madje e shfrytëzon atë për interesa private) kurrsesi nuk mendoj se kjo vjen për shkak të alfabeteve të ndryshme të njërit dhe tjetrit brez.
Shoqëria shqiptare nuk vuan nga ky lloj konflikti të cilit nuk ia paska gjetur dot emrin dhe shkaqet dhe që po ia shpjegoka Fuga me teoritë moderne të konfliktit të alfabeteve duke iu referuar përvojave perëndimore. Shoqëria shqiptare, sipas gjykimit tim, vuan thjesht nga mungesa e kulturës, për rrjedhojë jo nga ndeshja e dy kulturave, por nga mosndeshja, moskonflikti kulturor, pikërisht sepse nuk mund të ketë konflikt midis gjërash që nuk ekzistojnë apo që nuk ndryshojnë në thelb. Sepse edhe kur lexon libra duhet të kesh kulturë që të dish të dallosh një libër të mirë nga një libër i keq. Edhe kur dëgjon muzikë duhet të kesh kulturë që të dallosh muzikën e mirë nga ajo e keqja edhe kur sheh filma duhet të kesh kulturë që të dallosh një film të mirë nga një i keq, edhe kur sheh pikturë duhet të kesh kulturë që të dallosh një pikturë të bukur nga një e shëmtuar. E njëjta gjë vlen edhe për të dalluar një emision të mirë apo të keq televiziv ku në një farë kuptimi, ashtu sikurse edhe tek filmi, përzihen shpesh të gjitha gjuhët. Pra, sipas meje, ne nuk vuajmë nga mosnjohja e diferencave dhe e specificitetit midis gjuhëve/alfabeteve të ndryshme, por nga njohja shumë e keqe për të mos thënën nga mosnjohja e këtyre gjuhëve të cilat nuk përjashtojnë njëra tjetrën, por janë komplementare në kulturën e njeriut.
Kur them “mungesa e kulturës” kam parasysh mbi të gjitha kuptimin që i jep kulturës Montenji në esenë e tij të famshme “Më mirë për një kokë të ndërtuar mirë sesa të mbushur mirë”. Thelbi i saj është se njeriu i kulturuar (dhe, për rrjedhojë, një shoqëri e kulturuar) është si bleta e cila arrin që, pasi mbledh nektarin lule më lule (me çka nënkuptohet mësimi i teorive e filozofive të ndryshme), arrin të krijojë mjaltin që është produkti i vet. Problemi ynë është se pikërisht për shak të mungesës së kokave të ndërtuar mirë (ku hyn edhe ndërtimi etik) ne shpesh prodhojmë një produkt emri i të cilit fillon me “m”, por që ka një shije dhe erë tjetër fare nga ajo e mjaltit.
Borgesi në “Bocet autobiografie” ka një pasazh ku tregon se si, kur ishte fëmijë, në mësimin e gjuhës e letërsisë argjentinase e mësonin të shkruante hartime të tipit “Aquellos que llucharon por una patria libre, indipendente, gloriosa…” (Ata që luftuan për një atdhe të lirë, të pavarur, të lavdishëm). “Më vonë – shkruan ai – më thanë se të shkruash në këtë mënyrë ishte gjë pa kuptim dhe se duhet të filloja të mendoja me kokën time.” Problemi i shoqërisë shqiptare është se askush nuk merakoset t’u mësojë të rinjve se si të reshtin së shkruari apo llomotituri gjëra pa kuptim të mësuara përmendësh dhe të fillojnë të mendojnë me kokën e tyre, të krijojnë personalitetin e tyre. Ky është edhe problemi më i madh i të rinjve sot, që, sipas meje, është i trashëguar nga më të vjetrit. Dhe, në këtë kontekst, unë nuk gjej ndonjë konflikt brezash, përkundrazi në thelb gjej një vazhdimësi kulturore pikërisht sepse brezi i vjetër nuk ka ditur t’i transmetojë brezit të ri kulturën e të menduarit me kokën e vet, që të krijojë bindjet e veta dhe të jetë i gatshëm të luftojë për to e të sakrifikojë, por i ka transmetuar kulturën e vet të manipulimit dhe të shtirjes. Kjo pasi edhe ai brez nuk e ka pasur kulturën e kokës së ndërtuar mirë, por, në rastin më të mirë, atë të kokës së mbushur mirë që e përdorte për të manipuluar publikun në emër të diçkaje që nuk e besonte as vetë. Duke iu referuar fushës që sjell në dukje akademiku Fuga, atë të televizoneve, një provë e kësaj kulture të imtimit e shtirjes dhe jo të krijimit janë edhe emisionet tona të shumta televizive që janë kopje e atyre surrogate perëndimore dhe që, në më të shpeshtën e herës, nuk i shërbejnë të vërtetës, por manipulimit të saj në emër të pushteti të parasë apo të politikës që i sponsorizon ato.

* * *
Shembulli i një kulture ku njohja e një apo disa teorive nuk përdoret për të interpretuar më mirë një realitet, por për të tjera qëllime është, sipas meje, edhe ky shkrim i Fugës. Apologjia që i bën akademiku Fuga direkt dhe indirekt televizioneve shqiptare le shumë për të dyshuar nëse këtu kemi të bëjmë me një mendim të tijin të vërtetë apo kemi të bëjmë me kulturën e manipulim të publikut në emër interesash që s’kanë të bëjnë me të vërtetën dhe as me kulturën. E them këtë pasi, duke patur parasysh kontekstin shqiptar, nga akademiku mund të pritej një kritikë e televizioneve tona pikërisht për faktin se janë thjesht imitues surrogat të emisioneve surrogate perëndimore dhe jo një glorifikim i tyre. Nga akademiku mund të pritej të bënte thirrje për alfabetizimin e të rinjve pasi jemi një shoqëri ku të rinjtë kanë reshtur së lexuari dhe jo një keqpërdorim i teorive të komunikimit për të justifikuar të rinjtë që nuk lexojnë më libra. Edhe përsa i përket alfabetit të imazhit mund të pritej një thirrje për ta zotëruar atë sa më mirë, për të nxitur, psh., televizionet shqiptare të fillojnë të japin klasikët e kinematografisë dhe jo një vetëkënaqësi e vetëmburrje me emisione që na bëjnë gjithë ditës qesharakë.
Mirëpo akademiku ngulmon të na bindë edhe teorikisht. Duke keqpërdorur deri Umberto Econ ai ngulmon ta zhvleftësojë tekstin e shkruar përpara imazhit duke e paraqitur atë si diçka të tejkaluar. Duke cituar Econ ai shkruan se çdo tekst është një keqkuptim midis atij që e shkruan dhe atij që e lexon, se s’mund të kërkojmë besnikëri ndaj tekstit kur ai vetëm mund të lexohet subjektivisht… dhe më poshtë vijon: “Zakonisht ai që e shkruan fjalën vendoset edhe në një pozicion mbizotërues, sundues ndaj atij që e lexon atë, i cili vetëm lexon dhe nuk ka se ku e gjen autorin për t’a diskutuar me të tekstin e shkruar, për t’a plotësuar, kritikuar, korrigjuar, madje përshtatur.” Përballë kësaj gjendjeje (autoritare) ai vendos televizionet që, sipas tij, mundësokan dialogun dhe arrin në përfundimin se: ”Leximtarët e kanë më lehtë të jetojnë sipas një qytetërimi vertikal, autoritar, hierarkik. Kurse analfabetët modernë njohin si rregull një organizim dialogues, demokratik, liberal, horizontal.”
Në vazhdën e këtyre ideve akademiku thotë se ndërsa radioja prodhoi regjimet totalitare televizonet prodhuan demokracinë.
Sipas gjykimit tim kemi të bëjmë me një shembull dramatik sesi në emër të dijes, të emrave të njohur dhe të copëzave të teorive të qëmtuara aty këtu nuk zbulohet një e vërtetë që jetojmë, por manipulohet një publik injorant. Sepse, psh., Eco, në ”Mbi interpretimin e tekstit” vërtet flet për subjektivizmin e leximit, por përcakton qartë edhe kriteret kur një interpretim i tekstit është i drejtë dhe kur ai është i gabuar. Po ashtu, akademiku “harron” se Eco, të cilin e përmend dy herë, është një ndër kritikuesit më të ashpër të kulturës së “gërvisht dhe fitosë” të televizoneve të Berluskonit që imitojnë këta tanët dhe një ndër intelektualët që më rrallë se kushdo shfaqet në televizon, por vetëm shkruan.
Të thuash se leximtarët janë më të prirur për t’iu nështruar diktaturave kurse televizionarët janë më demokratë më duket vëret një punë e paparë e denjë për “Zonën e Lirë” të Çanit. A e di akademiku se diktatori më i tmerrshëm i shekullit XX, Hitleri, ka shkruar vetëm një libër “Mein Kampf” (madje edhe ai i diktuar) dhe atje thotë se po e shkruan meqë ishte në burg, por se nuk ka besim tek fjala e shkruar, por tek fjala e folur sepse vetëm ajo, sipas tij, godet si çekan në zemrat e njerëze. Madje ideja e tij ka qenë se niveli i fjalimit duhet ulur sa më shumë në mënyrë që të prekë sa më shumë njerëz - çka nuk mund të mos të të kujtojë audiencat e mëdha të emisoneve që glorifikon akademiku në shkrimin e tij. Po ashtu, t’ia atribuosh lindjen e diktaturave radios dhe atë të demokracive televizonit më duket një aventurë intelektuale e paparë, por që, fetkeqësisht, mund të zerë vend shumë mirë në mendje që nuk inkurajohen më të marrin mundimin të lexojnë libra mbi historitë e diktaturave madje as të shikojnë filma e dokumentarë seriozë për to, por që kërkojnë rehatinë e thjeshtëzimit dhe dëfrimit të dembelit në emisionet banale televizive.

Që televizionet janë një mjet i jashtëzakonshëm kumunikimi kjo dihet tashmë dhe nuk mund të mohoen disa aspekte pozitive të gjuhës së imazhit që i përmend edhe Fuga në shkrimin e tij. Por dihet gjithashtu se pikërish fuqia e tyre ka bërë që mbi ta të verë dorë edhe shumëçka që, me një fjalë të vetme, mund të quhet “e keqja”. E keqja e pushtetit, e keqja e parasë, e keqja e manipulimit, e keqja e gënjeshtrës, e keqja e konsumizmit. Dhe, nëse ka ndonjë kontekst ku kjo e keqe shfaqet në mënyrën më dramatike ky është realiteti ynë dhe i televizioneve tona që akademiku i mburr kaq shumë. Është i njohur filmi "Network" i Sidney Lumet i viteve 70 ku flitet për tjetërsimin e kësaj shpikjeje të madhe. Personazhi kryesor i filmit, një showman i cili ka pasur një rënie të audiencës, e rifiton këtë kur, në një gjendje depresioni, fillon t’u thotë telespektatorëve të vërtetën. Ja ç'thotë ai për televizionin në një nga fjalët e tij të bërë tashmë klasike:
"Televizioni nuk është e vërteta! Televizioni është një park i mallkuar argëtimi, televizioni është një cirk, një karneval, një trupë shtitëse akrobatësh, rapsodësh, balerinësh, këngëtarësh, fenomenesh panairi, zbutësish luanësh, lojtarësh futbolli! Zanati ynë i vetëm është të vrasim mërzinë. Prandaj, nëse doni të vërtetën, shkoni tek Zoti. Shkoni tek profeti juaj, shkoni brenda vetes suaj, miq, sepse ai është i vetmi vend ku do të mund të gjeni të vërtetën e vërtetë! Nga ne nuk do të mund ta merrni kurrë të vërtetën. Do t'ju themi gjithshka që doni të dëgjoni, duke ju gënjyer pa turp […] Ne tregëtojmë iluzione: asgjë nga tërë këto nuk është e vërtetë. Por ju, të gjithë, rrini ulur atje ditë për ditë, natë për natë, të çdo moshe qofshi, të çdo race apo feje. Ju nuk njihni tjetër veç nesh. Ja tashmë keni filluar t'u besoni iluzioneve që fabrikojmë ne këtu. Keni filluar të besoni se tv është realiteti kurse jetët tuaja janë ireale. Ju bëni gjithshka që ju thotë televizioni: visheni si në tv, hani si në tv, i ngrini lart fëmijët si në tv, deri edhe mendoni si në tv. Kjo është marrrëzi masive. Jeni të gjithë të çmendur. Pash zotin zgjohuni, jeni ju realiteti kurse ne iluzionet. Prandaj mbyllini televizoret tuaj, mbyllini tani, menjëherë, mbyllini dhe lërini të mbyllur…"
Televizioni i kthyer në instrument i konsumizmit, sipas tij, ka bërë që vendi i tij (SHBA) të mos jetë më një komb i përbërë nga individë të pavariur, por një vend i përbërë nga dyqind e ca milionë qënie të tranzistorizuara, deodorizuara, të zbardhura më shumë se e bardha, të gjithë të parfumizuar: krejtësisht të panevojshëm si qënie njerëzore sepse janë të zëvendësueshëm si pjesë këmbimi makinash.
Por, zoti Beale e pëson. Pronarit të ri, që ka blerë rrjetin televiziv ku bën pjesë ai, nuk i pëlqejnë denoncimet e tij. E detyron të flasë ndryshe, të gënjejë në emër të interesave të kompanisë së tij. Popullariteti i tij bije kur fillon e flet ndryshe, por pronari është i kënaqur që ai të vazhdojë të predikojë ashtu si do ai edhe pse me humbje. Derisa producentët vendosin ta heqin qafe duke përdorur deri edhe vrasjen e tij për të bërë spektakël. E vrasin gjatë transmetimit.
Kujtoj se filmi është bërë në një kohë kur tv nuk ishte uzurpuar ende nga “reality show” që përbën një pikë kulminante të sëmundjes së tjetërsimin të televizioneve.

E përsëris, ky shkrim nuk synon të mohojë rolin pozitiv të televizionit qoftë për kulturën qoftë për komunikimin qoftë edhe për demokracinë. Ai nuk synon as të verë në dukje të gjitha kufizmiet e tjetërsimet e tij për të cilat ka literaturë plot, që fillon qysh me rolin e tij negativ tek fëmijët. Shkrimi synon të verë në dukje, në kundërshtim me çka thotë Fuga, se një shoqëri si kjo e jona, pikërisht pse nuk ka qenë e edukuar si duhet me gjuhën e shkruar nuk ka mjetet e duhura për t’i rezistuar problemeve të mëdha që sjell gjuha e imazhit në aspektin e vet negativ çka është pjesë e një drame më të përgjithshme: asaj të një shoqërie të papërgatitur për sistemin kapitalist, si kjo e jona, që i ka marrë, për rrjedhojë, këtij të fundit aspektet më negative. Dhe, sigurisht të verë në dukje se, kur edhe pjesa më e ndritur e shoqërisë, që duhet t’u rezistojë aspekteve negative të kulturës së imazhit, duke prodhuar një kulturë tjetër, i nënshtrohet asaj, atëhere kjo shoqëri mund të thuhet se ka prekur fundin e vet etik dhe intelektual. (Korrieri, 27 shkurt 2009)

10 comments:

Arber Shtembari said...

Nje kritike shume e mire.Pershendetje.

Anonymous said...

pershendetje. Ne fakt nuk e kam lexuar artikullin e Z. Fuga, por me sa kuptova nga kritika juaj, Z. Fuga paska filozofuar gjepura te cilat fatkeqesisht shkojne teper larg dhe duhet te merren si nje kembane alarmi per "shendetin" aktual te shoqerise.
Une mendoj se eshte gjithashtu fatkeqesi per ate mishmash daljesh te pavend neper TV-ra; dhenie opinionesh apo shkrime neper gazeta te personaliteteve te ndryshme qe pervecse mund te prodhojne gafa dhe gjepura; s'bejne gje tjeter vecse kompromentojne edhe me shume identitetet e tyre te jomirformuara.

kinofili said...

kill your television

Endri said...

Per mendimin tim ju gjykoni drejt kur thoni qe ne Shqiperi nuk ka akoma nje konflikt kulturor brezash.

Megjithate mendoj se ketu duhet bere nje analize me e thelle sepse shoqeria shqiptare nuk eshte strukture monolite por ka ndasi te caktuara sociale. Dhe cdo ndasi paraqet te vecantat e veta ne marrdheniet brez i ri vs. brez i vjeter.

Per mendimin tim dara e forte e patriarkalizmit shqiptar nuk lejon kurrfare konflikti brezash ne zonat rurale. Pra nese do te kerkojme konflikte brezash duhet te shohim zonat urbane, qytetet e medha ku ka patur e ka dhe ndryshime te medha social-demografike si pasoje e levizjeve te popullsise.

Ketu duhet pranuar qe konflikti i brezave mund te linde vetem ne nje kontekst pavaresie relative te brezave ndaj njeri tjetrit. Si mund te ngrihet e ti thote nje i ri/e re shqiptare prinderve te tij/saj qe ata po i shkaterrojne te ardhmen duke ndihmuar direkt apo indirekt nje sistem jo te shendoshe nepermjet mosvotimit, apatise apo korrupsionit kur keta te rinj jetojne akoma me prinderit dhe jane plotesisht te varur nga ata ekonomikisht? Vete konfliki i madh i brezave ne Europen perendimore e Amerike ne vitet 68-70 erdhi vetem pas "mrekullive" ekonomike te vendeve ne fjale nje brez me pare. Pra erdhi ne nje kohe kur rinia mund te ishte ekonomikisht e pavarur.

ragipi said...

ju pershendes per shkrimet zoti lubonja dhe mire qe po iu meshon mu ne krye ketyre patrioteve te rrejshem dhe pseudodemokrateve te sotem qe duken si sanco panco dhe mullinjt e eres. Se vertete ia ke qelluar me televizionet tona qe vertete bile dojne te shkojn ne nje skajshmeri per demelizmin e shoqerise shqiptare bile ma shume ne kosove se ne shqiperi me progaramet qe i kan bere edhe me shume shqiptarety si thone ne gjuhen angleze KOUCH PATATOES pra qe rrin para tv dhe ato asgje te mire nuk po na qesin bile disa programe vertet jane bere banale. Ia ke qelluar m ate te Canit me Zonen qeai kurgja nuk ban pos bjen disa vajza gjoksat te reklamojne dhe ndonje konfrontim banal dhe asgje te re. Cani ne nje ndeje si musafir i Mustafa nanos tha bile se une me shume ndihem si grek se sa shqiptar pa merre tash dhikusit shqiptar se cfar programi dhe me cfar prapavije programore do te pergastit nje program pra mos lejo qe keta pseudodemokrat te na marrin mendjen te lumte ragipi,tung

Anonymous said...

Artikulli prek dhe nxit reflektime dhe diskutime ne shume drejtime.

Une dua t'ju shkruaj per dy aspekte te vecanta te marrdhenies mes individit dhe televizionit, ne pergjithesi dhe ne vecanti ne rastin e shoqerise Shqiptare.

E para, perdorimi pa kriter i televizionit mund te coje gradualisht ne "vrasjen" e jetes shoqerore te individit.

Kjo duke filluar nga marrdheniet ne familje.

Koha qe i dedikojme televizionit eshte shpeshhere e tepert; ajo i merr minuta e ore te cmuara marrdhenieve nderpersonale - duke filluar nga ato me familjaret, bashkeshortet, prinderit, femijet, por edhe miqte, shoket, te afermit.

E dyta ka te beje me funksionet formuese/informuese dhe argetuese te televizionit.

Une mendoj se informacioni televiziv eshte i dobishem, por kurresesi i mjaftueshem, se potenciali formues/edukativ i tv-se eshte i madh, por serisht, kurresesi i mjaftueshem dhe po e njejta gje mund te thuhet per funksionin e tij argetues.

Informacioni televiziv mbi ceshtje me zgjojne tek ne nje interes te pergjithshem duhet kryqezuar me ate te mediave te tjera (shtypi i shkruar, radio, mediat elektronike, etj); ndersa ai mbi ceshtje per te cilat kemi nje interes specifik duhet te jete jo vetem me i plote (permes perdorimit te mediave te tjera te permendur me lart), por edhe me i thelluar e i detajuar: ne kete drejtim mendoj se njerezit duhen inkurajuar te njihen me aspektet e ceshtjes qe ju intereson permes leximit te librave te eksperteve, pjesemarrjes se drejteperdrejte ne seminare e konferenca apo qofte edhe thjeshte kerkimit ne rrjet te te dhenave plotesuese nga burime te besueshme.

Persa i perket aspektit formues/edukativ, ka nje shkrim te Umberto Ekos te perkthyer dhe te botuar nga gazeta libertas qe mendoj mund ti pershtatet edhe tv-se.

Edhe ne rastin e funksionit argetues mendoj se tv si mjet eshte shume i abuzuar.

Abuzimi, apo grabitja sasiore dhe cilesore e kohes sone te cmuar behet ne dem te argetimit ne natyre dhe ne ajer te paster, ne dem te praktikimit te sporteve, apo te frekuentimit te bibliotekave, muzeve, teatrove apo qofte edhe lokaleve ku luajne muzike live (e shkruaj kete te fundit pasi nuk dua te dukem si ai qe shkruan kodra mbas bregut per situata utopike, pasi e di mire se oferta kulturore e Tiranes - per te mos folur per pjesen tjeter te venndit- eshte pertoke).

Endri said...

Televizioni eshte ashtu si radio dhe libri nje menyre e njeanshme komunikimi. Komunikimi ka ne keto media vetem nje kah, nga autori/spikeri tek shikuesit degjuesit e lexuesit. Kjo i ben keto media ne rastin me te mire te paplota ne menyren e komunikimit.

Per mendimin tim televizioni eshte media me inferiore kur flasim per qellime pedagogjike apo analiza te realitetit. Televizioni dhe imazhet inskenojne momentin, te kalueshmen, e nuk jane te pershtatshme per te zgjidhur probleme ku duhet perqendrim e analize.

Sidoqofte pesembedhjete vitet e fundit interneti po i konkuron dhe ndryshon me sukses te tre keto media. Interneti eshte nje media qe i ka pervetesuar, pasuruar e perziere te tre menyrat e komunikimit: tekst, ze(radio, podcast), imazh(video,fotografi). Por vlera me e madhe e internetit eshte mundesimi i komunikimit dy kahesh.

Sot nga trysnia e konkurences se internetit shume televizione e radio jane zhvendosur shprehimisht ne internet duke u bere pjese e tij. Interneti perben median me te fuqishme aktualisht ne shoqerite e informacionit. Forca e madhe e kesaj mediaje mundi te shihej dhe gjate fushates elektrorale te Obames. Interneti eshte per medimin tim e ardhmja e komunikimit medial.

Flori said...

Nje artikull mbreslenes dhe per me teper nxites diskutimi dhe reflektimi...
Faleminderit per shkrime te tilla!

Anonymous said...

Jeni i shkelqyer Zoti Lubonja!
Jam e sigurt se per ju nuk eshte problem qe jeni kunder te "fuqishmeve" atyre qe e perdorin koken plot per te fituar
pasi sic thot Nice ai qe fluturon lart eshte i detyruar te fluturoj shumicen e kohes vetem.
Lexova shkrimin e Canit sot,me erdhi keq qe e kishte zvoglu me teper Canin qe njohim .Ai ate qe ka dashur, te behet i njohur dhe te fitoj nje rroge te mire,e ka arritur,ashtu si shumica e te ftuarve te tije.
Lubonja inspiron dicka tjeter qe eshte shume me lart e shume me larg.
Jame e sigurt se Fuga nuk do ta shkruante nje shkrim si i juaji ne asnje rrethane.Bile e di qe Fuga duke e lexuar Lubonjen duhet te kete thene :Ke te drejte miku im.
Mirnjohje te thelle zoti Lubonja

Anonymous said...

As une nuk e kam lexuar shkrimin e Z. Fuga. E njoh prej kohesh si pedagog dhe e kam degjuar ne disa emisione TV, ku nuk thote asgje per t'u mbajtur mend.Pra boshlleku i tij nuk me çudit.
Artikulli i Z. Lubonja ne kete rast godet aty ku duhet dhe si duhet.
Lidhur me ate qe shkruan Endri per varesine ekonomike te femijeve nga prinderit si zanafille e mungeses se pavaresise mendore e botkuptimore, mendoj se ne fakt e anasjellta do ishte me afer realitetit. Pra, nqse te rinjte edukohen te pavarur ne mendime dhe qendrime, ata do te duan si rrjedhim te jene edhe te pavarur ekonomikisht. Njerez qe nuk jane mesuar te mendojne ndonjehere me mendjen e tyre dhe jashte kornizave te mamit dhe babit, si zorr te perpiqen te behen te pavarur ekonomikisht. Eshte me lehte te marrin bashke me udhezimet dhe te ardhurat se sa te rropaten vete per te fituar pavaresine ekonomike. Pra pula beri vezen ..apo veza beri pulen?... me duket se ne fillim pula do te kete bere vezen!