Monday, April 6, 2009

E majta dhe të pushkatuarit pa gjyq

Para disa muajsh në shtypin tonë u botua një dokument i kohës së Luftës, i veçantë për nga makabriteti i vet. Ishte një letër që Nexhmije Hoxha i dërgonte, nga Tirana, Enver Hoxhës në Shtabin e Pergjithshëm. Pjesa më tronditëse e atij dokumeti ishte përdorimi nga Enver Hoxha me shokë i fjalës “dekorim” për ata që ai urdhëronte të pushkatoheshin apo vriteshin pa gjyq. Nga letra në fjalë kuptohet se Enver Hoxha i ka pas dhënë udhëzimin Tiranës që Anastas Plasari, një komunist i grupit të Zjarrit, “të dekorohet”; mirëpo, sipas përgjigjes që Nexhmija i dërgon atij, del se Deti (Nako Spiro) dhe Doktori (Ymer Dishnica) nuk kanë qenë të bindur se ai duhej “dekoruar”, i brente ndërgjegja se mos po bënin një padrejtësi, prandaj e kanë dërguar Plasarin në Shtabin e Përgjithshëm, prej nga vinte urdhëri, që të merreshin ata me të. Hoxha qenkësh tërbuar që ata, në vend se ta “dekorojnë”, e kanë dërguar në Shtab dhe, në letrën që i ka dërguar bashkëshortes së ardhshme, ka përdorur deri fjalë fyese ndaj saj. Interesante është se, kur Plasari ka shkuar në Shtab, rezulton se ata nuk e kanë pushkatuar. Me një fjalë Hoxha jo vetëm që donte ta vriste këtë njeri, por donte që krimin ta kryenin të tjerë.
E solla këtë shembull për të hyrë në debatin e këtyre ditëve mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq para vitit 1944 që e majta e kundështoi me forcë duke përdorur argumentin se nuk mund të dëmshpërblehen ata që quhen “kolaboracionistë”.
Mjafton dokumenti që përmenda, mjafton përdorimi i fjalës “dekorim” si pseudonim për vrasjen pa gjyq, për të treguar mungesën e humanizmit, mendjengushtësinë, por edhe padrejtësinë që ka karakterizuar atë kohë dhe udhëheqjen e së ashtuquajturës Partia Komuniste. Ndërkaq ajo kohë, që është glorifikuar për 45 vjet nga propaganda e Enver Hoxhës, mbahet ende sot nga trashëgimtarët direkt të saj PS-ja, por edhe LSI apo PSD, si guri themeltar i palëvizshëm i themeleve të këtyre partive që nuk duhet prekur ashtu siç nuk duhet prekur gjëja e shenjtë. Këtë qëndrim e tregoi edhe debati i fundit për të ashtuquajturit “kolaboracionistë”. Partitë e ashtuquajtura të majta, për fat të keq, ndonëse kanë hedhur poshtë të gjitha vlerat e ideologjisë që i kanë frymëzuar dikur udhëheqësit e tyre kryesorë, paradoksalisht nuk kanë hedhur ende asnjë hap për rishikimin e kohës kur u materializua për herë të parë ajo ideologji.
Pra, problemi i parë që reflektohet edhe në debatin e këtyre ditëve, është se narrativa e Luftës, e thjeshtëzuar, e mitizuar në bardhë e zi për qëllime politike përgjatë 45 vjetësh regjim komunist, ka mbetur e tillë edhe sot për këto parti dhe elektoratin e tyre. Me termin “kolaboracionistë” është bërë një manipulim propagandistik duke i shumuar e futur të gjithë në një thes të zi ashtu sikurse është bërë me termin “dëshmorë” që u bënë 28 000 ndërkohë që, sipas dokumenteve, rezultojnë shumë më pak. Dhe askush nuk hyn të shikojë me sy kritik në këta dy thasë të mbetur bardhë e zi. Ato mbahen ashtu për qëllime politike të së sotmes.
Sigurisht nuk ka qenë punë e lavdishme, por e dënueshme, puna e atyre shqiptarëve që i dorëzuan kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit dhe u futën në shërbim të pushtimit. Megjithatë edhe atë periudhë e ato akte më shumë sesa t’i demonizojmë, siç ka bërë propaganda komuniste, sot duhet t’i kuptojmë e arsyetojmë. Le të mos harrojmë, psh. se regjmi i Zogut ishte një regjim i urryer në pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht intelektuale, se shumë e pritën Italinë edhe si çlirim nga tirania e Zogut, ndërkohë që, po ashtu, pjesa më e madhe e popullsisë, që nuk kishte zhvillur ende ndonjë ndjenjë kombëtare të fortë, e pa ardhjen e italianëve thjesht e vetëm si mundësi mirëqënieje ekonomike. Pa harruar ata që, për të vazhduar mbijetesën e tyre dhe të familjes, u detyruan të konformohen. Pra pritja me duartrokitje e italianëve dhe bashkëpunimi me ta, mes tjerash edhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës, është një realitet kompleks në të cilin është e vështirë të ndash me thikë antipushtuesit nga një anë dhe kolaboracionistë nga ana tjetër.
Së dyti, të mos harrojmë se tek të ashtuquajturit “kolaboracinistë” janë futur edhe ata që iu kundërvunë edhe me armë italianëve. Në Konferencën e Pezës (1942) komunistët ishin sëbashku me Abaz Kupin dhe njerëzit e tij legalistë psh. që ishin ndër të paktët që qëlluan mbi italianët kur ata pushtuan vendin. Apo deri më 43-shin, siç tregon Konferenca e Mukjes, komunistët ishin të gatshëm të ndanin pushtetin me ballistët. Vetëm pas 43-shit, kur jugosllavët kërkuan nga Enver Hoxha dënimin e Mukjes për qëllime që lidheshim me Kosovën dhe, njëherësh, kur u pa se komunistët kërkuan të bëjnë, sëbashku me Luftën Nacinal – Çlirimtare, edhe revolucionin proletar për përmbysjen e klasave ndodhi ajo që një pjesë bashkëpunuan edhe me gjermanët kundër komunistëve. Nuk ka dyshim se bashkëpunimi me gjermanët është i dënueshëm, dhe nuk mund të justifikohet, siç bëjnë disa, me Kosovën, sepse krimet e nazizmit kishin tmerruar gjithë botën, dhe nuk mund të ishin të pranueshme qoftë edhe vetëm për këtë, por, gjithsesi, vllavrasja që pasoi përgjatë një viti, deri më 29 nëntor 1944, përsëri nuk mund të thjeshtëzohet në bardhë e zi duke i futur të gjithë ata që u vranë në anën e komunistëve në thesin e bardhë dhe të gjithë ata që u vranë nga komunistët në thesin e zi pa dalluar midis tyre përgjegjësitë e ndryshme, rrethanat e ndryshme apo edhe padrejtësitë e ndryshme.
Së treti, tek të pushkatuarit pa gjyq nga komunistët, por edhe tek ata që u vranë pas shpine prej tyre, hyjnë edhe shumë ish komunstë. Rasti i Anastas Plasarit, që përmenda në krye të shkrimit, është një; ai mund të quhet edhe “fatlum” që i ka shpëtuar plumbit. Por janë të shumtë ata që kanë ngrënë plumbin pa gjyq apo plumbin pas shpine. Liderët e grupeve të ndryshme komuniste si ai i të Rinjve, apo i Shkodrës që nuk ndanin të njëjtat ide apo programe politike me Partinë Komuniste të Hoxhës, apo të ashtuquajturit fraksionistë, dënoheshin me vdekje dhe ekzekutoheshin kur mund të kapeshin. Mjafton të kesh parasysh Anastas Lulon, Zai Fundon, të ashtuquajturit fraksionistë të Vlorës si Pali Terova me shokë. Ka pasur edhe shumë nga ata që janë ekzekutuar pa u deklaruar armiq. Mjafton të kesh parasysh Mynir Xhindin, ndër të rinjtë intalektualë më të njohur të Vlorës, familjes së të cilit, siç tregon pas shumë e shumë vitesh Sofo Lazri në librin e tij, deri në fund iu tha se u vra nga një plumb qorr; apo Mustafa Gjinishin që u varros me nderime nga “shokët e luftës” që e vranë pas shpine.

E gjithë kjo histori, e mbushur edhe me krime e padrejtësi, kthjellohet në tragjizmin dhe padrejtësitë e saj po të kemi parasysh atë që ndodhi gjatë 45 vjetëve të pushtetit të fitimtarëve. Stilin “revolucionar” të vrasjeve pa gjyq të kundërshtarëve, që përdorën gjatë Luftës, komunistët, pasi morën pushtetin, e kthyen në stil qeverisje, duke instaluar regjimin e terrorit shtetëror, me burgje e kampe internimi, me vrasje me gjyqe të inskenuara me akuza falso e me pohime të marra nën torturë, që arriti deri në pushkatimin e grave shtazëna, që hoqi institucionin e avokatisë, duke e shndrruar, pra, vendin në një ferr që e bëri gjithnjë e më të shumtë numrin e atyre shqiptarëve që ndjenin keqardhje që kjo “farë e keqe” nuk u mposht nga kundërshtarët e tyre gjatë Luftës së Dytë. Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik kujtoj se kanë qenë të shumtë ata, në botën demokratike perëndimore, që u kanë dhënë të drejtë atyre që kanë qenë për qëndrime të tjera ndaj BS gjatë Luftës së Dytë pikërisht duke patur parasysh të keqen që i erdhi botës, veçanërisht popujve që u vendosën nën regjimet komuniste, prej stalinizmit.
Por le t’i kthehemi debatit tonë të ditëve të fundit mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq gjatë kohës së Luftës. Së pari duhet vënë në dukje se një nga të drejtat themelore të njeriut është ajo e një gjyqi të drejtë, të paanshëm dhe madje me avokat. Pushkatimet e asaj kohe pa gjyq janë një shkelje monstruoze e kësaj të drejte. Dikush mund të thotë se këtu bëhet fjalë për kohë lufte. Por edhe Lufta ka ligjet e veta që duhen respektuar. Robërit psh. nuk pushkatohen. Argumenti tjetër është se njëlloj kanë vepruar edhe kundërshtarët e komunistëve, madje duke shfrytëzuar gjermanët. Ka prova se kështu ka qenë. Por ka një ndryshim të madh. Ata që u vranë prej atyre që u quajtën më vonë kolaboracionistë u glorifikuan, u quajtën dëshmorë të kombit, u nderuan dhe familjet e tyre gëzuan për pesëdhjetë vjet privilegje që i vunë në pozita superiore edhe pas rënies së komunizmit. Kurse ata që u vranë pa gjyq nga krahu tjetër jo vetëm që u demonizuan, por familjet e tyre shpesh përfunduan nëpër burgje dhe internime krejtësisht në mënyrë të padrejtë dhe me pasoja të pariparueshme për tërë jetën, pa patur asnjë mundësi, mes tjerash, për të vërtetuar asnjë lloj pafajësie të njerëzve të tyre në gjyqe të paanëshme pasi drejtësinë e kishin vendosur fitimtarët me armë dhe e mbanin me armë.
Parti si PS, LSI, PSD, që konsiderojnë si të tyren trashëgiminë e veteranëve ish komunuistë të luftës, kanë nevojë të reflektojë thellë për atë të kaluar ashtu si gjithë shqiptarët dhe jo të mbesin të ngrirë në narrativën 45 vjeçare të propagandës komuniste për Luftën. Madje këto parti mund të ishin një instrument mjaft i mirë i këtij procesi. Mirëpo rezulton se edhe sot ato refuzojnë të dëgjojnë një narrativë të asaj kohe ndryshe nga ajo që ka ndërtuar Enver Hoxha, madje deri në atë pikës sa nuk pranojnë të rishkojë qëndrimet edhe ndaj figurave të komunistëve të vrarë me gjyq dhe pa gjyq, gjatë Luftës, madje edhe pas saj. Kjo nuk do të thotë që tashmë duhet imponuar një narrativë tjetër e vetme e Luftës që thjesht i kthen përmbys gjërat, siç ka prirjen të bëjë e djathta në pushtet duke aplikuar të njëjtin stil të propagandës komuniste. Kjo do të thotë, para së gjithash, që partitë e majta të pranojnë hapësirën demokratike të narrativave të ndryshme që nuk përjashtojnë njëra tjetrën por që, sëbashku, na afrojnë më shumë tek e vërteta dhe e drejta. E pas kësaj të shikojnë edhe trashëgiminë e tyre në frymë kritike në mënyrë që të emancipojnë edhe veten e tyre e elektoratin e tyre, por edhe gjithë shqiptarët nga dogmat e ngulitura për mëse gjysëm shekulli nga propaganda komuniste. Shoqëria civile, mediat, individë të ndryshëm, sadokudo, kanë bërë diçka në këtë drejtim, kurse partitë janë ato më reaksionaret.
Kjo nuk është thjesht çështje parash dhe dëmshpërblimi të të pushkatuarve pa gjyq para vitit 1944. Në këtë aspekt ndoshta vështirësia është teknike: gjetja e dokumenteve që e vërtetojnë këtë. Veçanërisht kur ke parasysh se në çfarë kalvari dokumentacioni i kaloi administrata e drejtuar nga e djathta ish të dënuarit me gjyq deri në përpilimin e listave. Çështja, në thelb, ka të bëjë me vënien e një drejtësie dhe të vërtete në vend, që, tek e fundit, është detyrë e këtij brezi të gjallësh ndaj të vdekurve të djeshëm. Dhe kjo besoj se do të ndihmonte për të zhvilluar ndërgjegjen shoqërore, për të ndërtuar një shoqëri më të përgjegjëshme që do të sillej në mënyrë më të drejtë e më të vërtetë edhe në të sotmen. Kalimi thuajse në indiferencë nga shoqëria i një dokumenti aq makabër, si ai që përmenda në krye të këtij shkrimi, tregon se shoqëria jonë ka shumë për të bërë në këtë drejtim dhe se e majta ka përgjegjësitë kryesore për këtë frenim. (Korrieri, 6 prill & Tema, 7 prill)

3 comments:

Anonymous said...

Per mendimin tim demtimet dhe demshperblimet duhen vendosur rast pas rasti, ne menyre individuale.

Nese egziston vullneti i duhur politik, zgjidhja gjendet.

Keshtu p.sh. mund te ngrihet nje gjykate e posacme, me gjyqtare, prokurore dhe avokate te posacem, per rishqyrtimin e seciles ceshtje individuale.

Anonymous said...

Nuk eshte çeshtje vetem individuale, per te cilen na u dashkan perseri prokurore! Prokurori ne parim, perfaqeson shtetin/shoqerine ne rastet penale.Ndaj kujt do duhej prokurori ne keet rast? Perseri per te akuzuar te akuzuarit dhe te denuarit?

Eshte me shume nje perqasje ndaj te drejtes morale se sa nje drejtesie formale. Per shume raste individuale, nuk ka per t'u gjetur kurre e verteta, e varrosur shume thelle dhe me kujdes, apo edhe e konsumuar natyrshem me kohen qe ka kaluar.
Me tepr se sa rastet e veçanta, me duket se duhet te ndryshoje qendrimi ndaj te pergjithshmes, ndaj armikut te mundur.

Kam degjuar se edhe sot ka njerez qe psh ne Tepelene, as nuk u ofrohen dot pronave te tyre te konfiskuara pa asnje te drejte nga regjimi, sepse u dalin fshataret perpara me arme, duke i share e kercenuar akoma si te deklasuar. Duket sikur koha ka ngelur ne vend per shume vete.

Po ne kete terren behet edhe diskutimi i perhershem mbi festat kombetare, diskutim i deformuar ne menyren me te mbrapshte nga e djathta. Ne te vertete nuk ka shume rendesi kur e ka hedhur pertej kemben e fundit, gjermani i fundit. Mund te kete qene fare mire edhe ne dt 29. Problemi eshte se pse 29 ka sfumuar gjithmone 28, dhe kjo e fundit ne vend qe te ishte festa me e rendesishme , kalon pothuajse ne heshtje. Fanfarat jane lene gjithmone per 29, pasi kjo eshte fitorja e "vertete". Nuk eshte çlirimi ai qe festohet, por dita e ardhjes ne pushtet te komunisteve. Kjo mungese brerjeje ndergjegjjeje dhe mosreflektimi total per te kaluaren, te tmerron! Duket sikur ne jemi nje shoqeri, ne thelb, aq reaksionare dhe konservatore, sa edhe idete dhe bindjet politike trashegohen ne familje me breza! Nderkohe, qe keto duhet te ishin vertet diçka individuale, sidomos sot kur per 19 vjet njerezit jane me ne fund te lire te mendojne si te duan dhe te zgjedhin bindjet e tyre.

olti said...

Lajmeroini te http://laj.me/ keto shkrime qe te lexohen nga nje publik sa me i gjere.
Poshte diktatura e mediave te kontrolluara nga KRIMI. T'u themi miresevjen mediave sociale si http://laj.me/ e te tjera te ngjashme.