Friday, May 29, 2009

Nderim më të mirëve

Sot mbushen 30 vjet nga vdekja/vrasja e Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës. Më duhet të them se kjo nuk është një datë krejt e sigurt. Sepse nuk ka asnjë dokument zyrtar, deri tani, që të vërtetojë se ekzekutimi i tyre, pas dënimit me vdekje-pushkatim, ka ndodhur tamam në këtë datë. Sigurisht ka pasur një dokument që ka regjistruar datën, ndoshta edhe orën dhe vendin e ekzekutimit, por ai nuk ekziston ose të paktën deri tani rezulton i shkatërruar, i humbur ose i fshehur. Ai nuk figuron në dosjen gjyqsore ku duhet të ishte edhe sipas ligjit të asaj kohe. Data 29 maj është përcaktuar me përafërsi ngase të dënuarit që kanë qenë pranë tyre në qelitë e burgut të Tiranës kujtojnë se, midis së hënës dhe të martës së javës së fundit të majit 1979, që përkon me datat 28 - 29, janë hapur qelitë e tyre në një orë të pazakontë, natën vonë.
Nga kujtimet e mija, si i ridënuar në njërin prej gjyqeve që i dënoi ata me vdekje, atë të Fadilit e Vangjelit, di të them me siguri se të hënën datë 28 në mëngjes, sëbashku me një grup të ridënuarish e të dënuarish për herë të parë, më nisën me autoburg për të vazhduar vuajtjen e dënimit në Spaç. Deri një natë më parë ata që i kishin pasur qelitë afër nuk kishin dëgjuar të hapej dera e qelive të tyre për t'i marrë e pushkatuar. Ndërkaq, sapo mbrritëm në Spaç, ne, grupin e të ridënuarve në ato dy gjyqe, na kthyen përsëri në Tiranë pa na thënë asgjë për shkakun, e na rrasën në të njëjtat qeli ku kishim qenë. Pas tre ditësh të ankthshme pritjeje për të marrë vesh ç'po ndodhte, të enjten 31 maj, na thirrën një nga një në zyrat e hetuesisë ku na treguan fotot e Fadilit, Xhelalit e Vangjelit të pushkatuar. Kuptuam se na kishin kthyer pasi dikush kishte dhënë urdhër të na tregoheshin fotot e të na thuhej se gropa e zezë ishte vendi që na priste po të guxonim të bënim atë që kishin bërë ata të tre. Pra ekzekutimi ka ndodhur me siguri midis të hënës 28-të dhe të enjtes 31. Sipas dëshmive të bashkvuajtësve që i kanë pasur qelitë afër atyre të Fadilit, Vangjelit apo Xhelalit rezulton se ata i kanë marrë të hënën 28 afër mesnatës apo duke u gdhirë e marta 29.
Me këtë shkrim përkujtimor nuk synoj, megjithatë, të ngjall emocionet e asaj ngjarjeje. E kam bërë këtë, shpresoj, me librin Ridënimi dhe nuk më duket se ato do të mund të shpreheshin, ashtu siç meritojnë, në një shkrim të shkurtër si ky. Desha thjesht të bëj vetëm një refleksion mbi këtë mungesë date të saktë, që ma shoqëron kujtimin e tyre vazhdimisht, por që ma bën të dhimshëm veçanërisht në një ditë si kjo.
Ne kopertinën e libri tim Ridënimi, botuar së fundi në Londër, ka një koment të Doris Lessing që e vuri në dukje Rudina Xhunga në intervistën me nobelisten që e botoi edhe në shtyp. Midis të tjerash Lessing thotë: "Çfarë njerëzish të mrekullueshën kanë përndjekur e vrarë regjimet komuniste. Duket sikur ajo që ata donin të zhduknin ishte thjeshtë përsosuria (exellence)" Xhunga e ka përkthyer "exellence" në shqip me fjalën "përsosmëria" që është një nga kuptimet e fjalës. Në fakt është e vështirë t'i gjendet fjala korespondente e saktë në shqip kësaj fjale. Por ka një kontradiktë në këtë përkthim sepse përsosmëria nuk ekziston, prandaj nuk ka se si zhduket ndonëse shpesh ne themi "punë e përsosur" apo "njeri i përsosur". Nuk besoj se Lessing ka pasur parasysh përsosmërinë kur ka përdorur fjalën "exellence". Sipas meje ka dashur të thotë "epërsinë" "më të mirët" "më të lartën" "virtutin" - kuptime edhe këto të fjalës - me idenë se komunistët sikur synonin të zhduknin çdo cilësi që krijonte njerëz të shquar dhe të dalluar, ta rrafshonin shoqërinë në një mase mediokriteti në emër të gjoja barazisë, por thellë thellë të pushtetit të tyre, të gjakimit të diktatorit për t'i shndrruar të gjithë individët në hiçër në emër lavdisë së tij. Nuk di të them se cila fjalë do të ishte më e përshtatëshmja për ta përkthyer "exellence" në shqip, por di me siguri, megjithatë, se fjalën e ka pasur për Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, dy heronjtë kryesorë të librit.
"Exellence" e Kokomanit, Lezhos, Koprenckës qëndron në forcën e idealit të tyre, në humanizmin e tyre, në guximin intelektual për të thënë, në emër të këtij ideali e humanizmi, disa të vërteta që digjnin aq shumë saqë diktatori dhe shërbëtorët e tij vendosën t'i vrisnin; qëndron deri edhe në heroizmin për të mos i mohuar ato edhe përpara vdekjes.
Fakti që Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka nuk kanë ende një varr, madje as një datë të saktë ekzekutimi, por vazhdojnë të dergjen diku, që të tre, në një gropë të errët, edhe pse kanë kaluar gati dy dekada nga rënia e regjimit që i vrau, sipas meje flet shumë, për atë kohë, por edhe për kohën që po jetojmë.
Nuk dua këtu të bëj politikë banale nga ato ku njëra palë akuzon palën tjetrën pa menduar asnjë çast për veten. Nuk dua të them, pra, thjesht se pasardhësit e partisë komuniste heshtin sepse nuk kanë patur dhe nuk kanë edhe sot guximin të ndahen nga krimet e baballarëve e gjyshërve. As të akuzoj demokratët për antikomunizmin e tyre të shtirur, apo për atë që, edhe kur kanë folur për këtë krim, kanë përmendur gjithmonë vetëm Xhelal Koprenckën pasi Fadili dhe Vangjeli, sipas tyre, i përkasin të majtës, meqë ishin komunistë. As të demaskoj edhe një herë faktin se presidenti Bamir Topi jo më shumë sesa disa muaj më parë dekoroi për shërbime në drejtësi prokurorin e gjyqeve të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit. Reflektimi që dua të bëj, ku hyn edhe qëndrimi prej vrasësi të papenduar i socialistëve, edhe shpërdorimi e keqpërdorimi i demokratëve apo mosdija e Topit apo këshilltarëve të tij, lidhet më shumë me kulturën që qëndron prapa gjithë këtyre, prapa kësaj heshtjeje, harrese, mosnjohjeje, prapa dekorimit të së keqes dhe lënies së më të mirëve jashtë vëmendjes së shoqërisë, (jo për shkak të mosdekorimeve, por të mosnjohjes së vlerave që përfaqësojnë). Të gjitha këto sëbashku sipas meje janë tregues i asaj që, në fakt, e përjetojmë përditë (por fatkeqësisht pa bërë lidhjen e duhur me rrënjët): se tek ne vazhdon të dominojë kultura komuniste e tiranisë së mujsharëve dhe mashtruesve ndaj më të mirëve; kultura e pushtetit të mediokritetit dhe paaftësisë; ku mburrja dhe vaniteti eklipsojnë çdo lloj drite medestie vetëkritike dhe vlere të vërtetë; ku i thurren këngë e i ngrihen monumente banditëve, mafjozëve, injorantëve; ku pendesa e ndjesa nuk njihen si vlera, por trajtohen si dobësi, ku sakrifikimi për ideale nuk çmohet e nderohet përkundrazi ku lartësohet (në fakt duke rrafshuar) aftësia për tu shitur, për t'ua futur të tjerëve e për të dalë pa lagur; ku humanizmi përqeshet nga intelektualët siç përqeshej dje nga ata që talleshin me njeriun e thjeshtë duke i thënë: "ti, që s'vlen për asgjë, duhet të digjesh me benzinë si Jan Palah për protestë sepse ne intelektualët vlejmë për punë të tjera të mëdha."
Ne s'mund të jemi këtu ku jemi: në këtë formë kaq banale të rrafshimit të virtytit nga e pavirtytëshmja, të më të mirëve nga më e keqja, të humanizmit nga çhumanizmi sikur të mos vazhdonte të dominonte ajo kulturë që zhdukte atë që Lessing e quan "exellence". Frika e sotme e jona për të bërë akte si ato të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, ndonëse në demokraci dhe liri dhe lënia e tyre në heshtjen, e varrit të pagjetur, e fotove të krimit të zhdukura, janë dy anë të së njëjtës medalje: asaj të veprave të mbrapshta e kompromiseve të ulta që bëjmë, më një anë, dhe frikës për t'i parë ato në pasqyrë, më anë tjetër.
Pa dyshim akti vetvrasës e Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, që morën guximin t'i shkruajnë Komiteti Qendror letër kundër diktatorit në ato kohë terrori të egër kur pushkatoheshin njerëz që nuk kishin bërë asgjë, është ndër ata akte që i kalon përmasat njerëzore në kuptimin se frika dhe ruajtja janë dimensione normale të njeriut. Edhe ata vetë nuk do ta bënin në çdo kohë e në çdo vend një akt të atillë. Por pikërisht për këtë, ne, që shpëtuam gjallë edhe sepse nuk e bëmë dot atë që bënë ata, duhet të përkulemi me nderim përpara rasteve të tilla ku kurajua i kalon kufijtë e këtij normaliteti duke na bërë, megjithatë, të vemë në dyshim veten duke shtruar pyetjen: cilët janë më normalë ata që i nënshtrohen jetës nën skllavëri apo ata që preferojnë të vdesin për të mos iu përshtatur asaj. Personalisht, sa herë i mendoj, ul kokën me nderim përpara tyre e më mungon një varr ku ta bëj këtë. Mendoj se sa më të shumtë të kishin qenë ata aq më e lirë do të kishte qenë shoqëria jonë dje dhe sot. Janë pikërisht ato majat që dallohen nga të tjerët e që i pret diktatura me tërbim nga frika se mos rriten - "exellence" i quan Doris Lessing. Janë ato majat që, me ekzistencën e tyre, mund të na ngjallin frymëzimin për të qenë edhe ne si ato. Kurse në mungesë të tyre gjithshka është e rrafshët, të gjithë sikur shtrihen barkas nuk pipëtijnë. Siç po rrijmë edhe sot përpara pushtetit të mafjes.
Në fjalën e mortore për vdekjen/vrasjen e Pasolinit Alberto Moravia thoshte: "Imazhi i Pasolinit që ikën dhe ai i një hijeje pa fytyrë që e ndjek për ta vrarë është një imazh emblematik për vendin tonë… që duhet të na mësojë ta ndryshojmë këtë vend." Duke perifrazuar Moravian do të thoja se imazhi i hijeve të veshura me pushtet që në një natë maji të 1979-tës i hapën gropën dhe vranë Fadilin, Vangjelin dhe Xhelalin, heshtja e shoqërisë sonë ndaj këtij krimi edhe sot, deri edhe në mosgjetjen e varrit të tyre, është shumë emblematike për vendin tonë. Më të mirët që ikin, më të mirët që vriten në errësirë, më të mirët që heshtin, më të mirët që harrohen, që dhunohen, që shkatërrohen, që keqpërdoren në emër të pushteti e triumfi të më të këqijve, të mediokërve, të rrafshuesve të vlerave … kjo është një histori që duhet të ndryshojë. (Korrieri, 29 maj 2009)

9 comments:

albaneseclandestino said...

me te miret, qe vazhdoine dhe sot te ulin koken, te largohen nga vendi, me te miret qe rasenjohen perpara pushtetit servil per para pushtetit medioker,, me te miret qe nuk flasin me.. perpara pushtetit hipkrit qe heq emrat e heronjve dhe i zvendeson me emra mafjozesh ... ndoshta komunismi, mafja diktatura fashizimi , jane gjithmon faqe te te njejtes medalie dhe shopqeria jone qe nuk flet po heshte sic ka bere gjithmon..
mbreslenes ky shkrym,,, shum
komplmente zoti lubonja

Anonymous said...

Dhe ne të heshturit e shumtë i përkulemi me respekt aktit tënd të guximshëm qytetar të demaskimit të shëmtisë dhe përkujtimit të më të mirëve ndër ne.

Lutemi për paqen e përtejshme të heronjve tanë të mirë dhe urojmë që penës tende t'i bashkohen edhe zëra të tjetrë po aq të bukur sa dhe i yti.

Me respekt.

Endri said...

Mbaj mend qe kur me ra ne dore libri "Ridenimi" e perpiva dhe me vjen shume mire qe eshte botuar ne Angli. Per mua ai liber ben pjese tashme nder librat me cilesore te dale ne gjuhen shqipe. Nje liber qe pershkruan ne dukje burgun por qe ne fakt ka kapur atmosferen mbizoteruese ne gjithe Shqiperine e asaj kohe.

Mjerimi i Shqiperise ka qene qe krimi shteteror nuk u ndalua kur regjimi i asgjesoi armiqte e vet politike por vazhdoi per nje kohe shume me te gjate. Dhuna dhe krimet e vazhdueshme i ruajten strukturat e regjimit nga futja ne mase e njerezve me pak te indoktrinuar e me te moderuar. Ne strukturat baze dhe ato te mesme nuk kishte per kohe te gjate ngjyre "gri" dhe ky ishte problemi kryesor.

Per mendimin tim, njerezit brenda nje sistemi totalitar qe nuk jane shume te ekstremizuar kane te pakten rol po aq te rendesishem ne procesin e reformimit te sistemit sa dhe ata pak njerez jashte tij qe gjejne kurajon e spikasin me moral e heroizem. Ata pak njerez qe sfidojne hapur duke rrezikuar gjithcka mund te kthehen shume lehte ne simbole. Por moderimi i brendshem i nje sistemi eshte ai qe e ndryshon ate ne menyre afatgjate. Eshte ironike por ne fakt sa me i rrezikuar te ndihet nje sistem aq me i eger e i pakompromis eshte ai. Vetem pas asgjesimit te armiqeve te brendshem dhe sigurimit te mbijeteses mund te filloje nje proces reformimi.

E verteta e hidhur e kesaj historie eshte qe ndryshimi e reformimi i nje sistemi totalitar ka nevoje qofte per heronjte(simbolet) si njerezit qe Lubonja perkujton me shume te drejte ne kete shkrim e qofte per masen statistikore anonime te me pak te indoktrinuarve, te njerezve me moral "gri", te mediokerve qe veprojne brenda mekanizmave te sistemit.

Shqiperise i kane munguar dhe i mungojne shume te dyja palet, heronjte edhe mediokrit.

Anonymous said...

I Nderuar Zoti Lubonja,
Shkrimet tuaja shpesh me bejne te gjej emrin e sakte per fenomenet rreth meje,shpesh te kuptoj qe ndjej te njejtat dhimbje me ju ,shpesh te kuptoj se nuk eshte aq absurde te jem keshtu sic jam,.........dhe ne kete shkrim me bete te skuqem pse ndjehem mir vetem me faktin qe nuk me tundon mundesia per te perfituar pandershmerisht.
Ndoshta jam dorzuar pa e filluar nje betej ,per te cilen te tjeret dhane jeten.
Nuk mendoj se jam e afte te bej ate qe beni ju,por gjithsesi duhet te bej ate qe mundem une.
Rrjeshtat tuaja te meposhteme jane shuplak e forte per mua.
Faleminderit!!!
....Ne s'mund të jemi këtu ku jemi: në këtë formë kaq banale të rrafshimit të virtytit nga e pavirtytëshmja, të më të mirëve nga më e keqja, të humanizmit nga çhumanizmi sikur të mos vazhdonte të dominonte ajo kulturë që zhdukte atë që Lessing e quan "exellence". Frika e sotme e jona për të bërë akte si ato të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, ndonëse në demokraci dhe liri dhe lënia e tyre në heshtjen, e varrit të pagjetur, e fotove të krimit të zhdukura, janë dy anë të së njëjtës medalje: asaj të veprave të mbrapshta e kompromiseve të ulta që bëjmë, më një anë, dhe frikës për t'i parë ato në pasqyrë, më anë tjetërNe s'mund të jemi këtu ku jemi: në këtë formë kaq banale të rrafshimit të virtytit nga e pavirtytëshmja, të më të mirëve nga më e keqja, të humanizmit nga çhumanizmi sikur të mos vazhdonte të dominonte ajo kulturë që zhdukte atë që Lessing e quan "exellence". Frika e sotme e jona për të bërë akte si ato të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, ndonëse në demokraci dhe liri dhe lënia e tyre në heshtjen, e varrit të pagjetur, e fotove të krimit të zhdukura, janë dy anë të së njëjtës medalje: asaj të veprave të mbrapshta e kompromiseve të ulta që bëjmë, më një anë, dhe frikës për t'i parë ato në pasqyrë, më anë tjetër....
sano

Anonymous said...

me vjen me te vertet shume keq sidomos per te rinje qe nuk e memdojne ne kete menyre qe i japin me shume rendesi gjerave pa vlere,nuk mund te kete ne bote gje me te larte dhe me te vyer se sa te luftosh per idealet e tua aq me teper te japesh dhe jeten , sinqerisht faleminderit zoti lubonja per ndershemirene tuaj dhe per ndihme qe na keni dhene ne gjithe kete kohe .

N. Kokomani said...

I nderuar z. Lubonja.
Keto dite jam duke e rilexuar Ridenimin ne anglisht. John Hodgson na dergoi nje kopje. Cilesia e perkthimit eshte shume e larte; pergezime perkthyesit. Iu jemi te dyve shume mirenjohes. Im bir tani ka mundesine te lexoje vete historine renqethese te gjyshit te tij, historeine tuaj dhe te heronjve te tjere, te kuptoje me mire se nga vjen dhe ku jetuan prinderit e tij deri nje muaj perpara se ai te lindte.

Gezohem qe libri do dale ne Amazon.com duke filluar nga data 9 Qershor, 2009. Kemi disa shoke e miq ketu ne USA qe mezi po presin ta lexojne.

Falenderime te thella dhe per kete artikull. Eshte perkujtimorja me e mire qe mund t'u behet ketyre heronjve, sidomos ne mungese te varreve.

Me sinqeritet dhe respekt,
Noela Kokomani

fjorent said...

Shume here kam pyetur veten pse njerezit kane nevoje per nje varr per te afermit e tyre?

Nuk me ka pelqyer kurre cdo gje qe te lidh me vdekjen.

Kam pyetur veten: a nuk u mjafton kujtimi i gjalle dhe vepra e lene nga keta njerez? Pse duhet te kene dicka te ngurte ku mund te deshperohen?

Sot ky shkrim i Lubonjes me beri te ndryshoj mendje. Varret per keta heronj nuk duhet vetem per familjaret e tyre. Ky varr duhet me shume per ne te tjeret qe nuk i kemi njohur, qe te mos mendojme se e gjithe bota eshte njesoj duke iu perkulet parase e pushtetit. Eshte per ne qe te na rikthehet besimi i humbur i ketyre 20 viteve te fundit, per ne te rinjte qe te mendojme qe ka edhe idealiste te moralit e te shoqerise se drejte qe te mos na bejne te ndihemi si ai peshku pa uje ne kete llum mbytes.

Me pelqeu shume edhe pergjigja e Noela Kokomanit. Asnje fjale mllefi, plot kulture e burreri. Sa na mungojne njerez te tille.

Pergezime edhe nje here

Fjorent Rrushi

Anonymous said...

Sapo mbarova së lexuari 'Ridenimi' dhe nuk gjej fjale te shpjegoj atë që ndjej. Guximi, aftesitë si dhe përpjekja për të dhënë kontributin e tyre panvarësisht pasojat zgjon respekt dhe frymezim.

Besoj se kuptimi i 'exellence' ne kete rast është 'më të mirët, aftët, përparimtarët".

Ky blog me jep një hapesirë te vecantë refkletimi dhe mësimi, prandaj uroj që te vazhdoni të shkruani.

Blerina

Kujtimi said...

I nderuar zoti Fatos LUBONJA!

"Ridenimi" juaj per mua eshte nje liber aq prekes trondites,i dhimbshem,po aq edhe kryeveper.Ju me mjeshteri keni kapur detaje ,fakte qe jane te pakundershtueshme,qe djajte e kuq me ne krye dragulan,dhe idiotin e pashkolluar,internuan,burgosen dhe denuan me vdekje intelektualet me te nderuar te kombit shqiptar.
Libri juaj me ka rene ne dore para shume vitesh,ku ma dergoi ne France xhaxhai im A.GOLEMI.E kam lexuar mbi tre kater here,biles mbrojtjen dinjitoze te Fadilit dhe Vangjelit perpara gjygjit,duke mos ju perjashtuar dhe juve ne kete rast,pothuajse e mbaj mend permendesh(sikur te me kishte gjetur mua kjo bela,ky hall dhe jo juve).
Fatkeqesisht kete liber nuk e kam me ne dore, sepse nje shoku im ma kerkoi per ta lexuar dhe nuk ma kthehu me kurr. Ai ja kishte dhene nje shokut te tij per ta lexuar,dhe ky po keshtu nje tjetrit,dhe besoj se po vazhdon akoma kjo pune.Megjithate nganjehere me vjen mire qe"RIDENIMI"shkon dere me dere te shqiptareve,per te mos harruar kurr vuajtjet,internimet,burgosjet,torturat me çnjerezore,denimet me vdekje qe i solli diktatura komuniste intelektualeve te ndershem te popullit shqiptar, me ne krye Dragulan se nuk di çfar emer tjeter ti vej idiotit.

Meqe me jepet rasti edhe une bashkohem me dhimbjen e atyre qe kane humbur te dashurit,qe jane nje pjese e trupit te tyre.