Thursday, June 11, 2009

"Zonë e Ndaluar" bëhet zonë e ndaluar

Kur ne gazetarët kemi thënë, madje shumë shpesh, se zgjedhjet janë një test për demokracinë kemi patur parasysh kryesisht konfliktet midis partive politike: se sa, pra, maxhoranca e opozita janë në gjendje të luajnë ndershmërisht, të mos përdorin dhunën, të mos fusin duart në kutitë e votimit, të pranojnë humbjen etj., etj. e se sa, më anë tjetër, institucionet shtetërore që kemi ngritur, si Komisioni i Zgjedhjeve apo policia, janë në gjendje të ushtrojnë kontroll mbi to në emër të një loje të ndershme e të drejtë që garanton edhe shprehjen sa më besnike të interesave të elektoratit
Duke folur për këtë test ne gazetarët kam përshtypjen se kemi harruar të vemë në dukje sa duhet edhe faktin se zgjedhjet janë një test demokracie edhe për vetë mediat. Në fakt, ashtu sikurse për partitë, ato janë një test nga ato që, po të huazojmë një term nga mjeksia, quhen "me ngarkesë", ku trupi vihet në një provë të sforcuar për të parë se si reagon. Kjo pasi në momente zgjedhjesh emocionet e pushtetit e të interesave të lidhura me të ngrihen në shkallën më të lartë duke bërë që, në vende ku mungon kultura e demokracisë dhe institucionet që garantojnë atë, tensionet të rriten jashtë mase dhe lufta politike e ideve dhe programeve të degjenerojë në luftë për jetë a vdekje midis personave apo klaneve të njërës palë apo tjetrës. Në vende të tilla, fatkeqësisht, media në vend se të jenë kontrolluesit e denoncuesit e këtyre fenomeneve, në vend se t'i tematizojë tensionet, apo lojërat e paprincipta bëhet pjesë madje edhe protagoniste nganjëherë të lojës midis palëve me pasoja të rënda për demokracinë.
Po e provon këtë kjo fushatë elektorale në përgjithësi, por e provoi në mënyrën më eksplicite rasti i fundit i pezullimit të emisionit "Zonë e Ndaluar" të gazetarit Bushati nga televizioni Klan. Transmetimi i një portreti politik të Edi Ramës, që pritej të pasohej nga një portret i Berishës dhe Ilir Metës në "Zonën e Ndaluar", është konsideruar si "zonë e ndaluar" nga pronari i TvKlan Frangaj. Kjo, pas shumë gjasash sepse jemi në prag të zgjedhjeve dhe, në klimën e krijuar të rreshtimit të televizioneve me skuadrat e partive politike dhe jo si arbitër të tyre, një zë që del jashtë interesve të palëve në lojë prish punë.
Problemet që ngre ky rast nuk janë të reja. Janë probleme që kanë të bëjnë me sistemin mediatik që ne kemi ngritur dhe defektet e shumta që ai ka shfaqur qysh nga koha kur është krijuar e deri më sot, por që, do të thoja, sot kanë hyrë në një stad më të rëndë degradimi. Rasti Bushati tregon se si sistemet që nuk janë ngritur mbi parime të shëndosha degjenerojnë gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Është vaçanërisht kuptimplotë ky degjenerim kur ke parasysh se Bushati ka qenë një ikonë e televizonit Klan, kur ke parasysh se historia e tij në Klan, sëbashku me Frangajn, Fevziun dhe Shkullakun është jo vetën historia e një partneriteti, por edhe e një miqësie. Kemi të bëjmë, pra, jo vetëm me degradimin e një profesionalizmi, por edhe me degradim të raporteve njerëzore, fenomen ky që po e helmon dita ditës e më shumë shoqërinë shqiptare në përgjithësi e pjesën e saj publike në veçanti. Sot vështirë të gjesh midis njerëzve publikë shiptarë një të vetme miqësi të sinqertë, të mbështetur mbi parime dhe ideale të përbashkëta. Gjen gjithnjë e më shumë vetëm klane hipokritësh e intrigantësh që, ashtu si bashkohen ashtu dhe ndahen nga interesa banale xhepi e pushteti.
Po e them që në fillim: ata gazetarë që duan ta venë gishtin thjesht e vetëm mbi TvKlan në këtë histori nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse aktin e strucit. Fakti është se Bushati kishte mbetur një ndër të vetmit gazetarë televizivë, që mund të bënte një emision kritik edhe ndaj Ramës edhe ndaj Berishës edhe ndaj Metës njëherësh - çka, për mua, do të thotë pavarësi ndaj tyre dhe kritikë ndaj sistemit politik (edhe mediatik) që kanë ngritur këta njerëz tash 18 vjet që janë në pushtet. Dhe fakti që kjo ndodhte në TvKlan, sipas mendimit tim, vinte për disa arësye që ndoshta, me largimin e Bushatit, mund të konsiderohen tashmë të zhdukura në krejt mediat tona televizive. Një nga këto arësye është se Frangaj, Fevziu, Bushati, Shkullaku kanë pasur gjithsesi një lidhje më të fortë me gazetarinë si profesion sesa ata pronarë mediash që, qysh në momentin kur e kanë nisur një media, e kanë nisur duke kalkuluar fitimet në bizneset e tjera që do tu sillte ky investim. Në një farë kuptimi, pra, e kaluara e kohës kur gazetaria shihej si pasion më shumë sesa si biznes, si dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në Klan i jepte të drejtë Bushatit të mos e konsideronte veten thjesht si një rrogëtar në mëshirë të pronarit Frangaj, siç, për fat të keq, e shohin tashmë veten thuajse të gjithë gazetarët në mediat tona, por si një gazetar në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, që do të thotë i pavarur nga pushteti dhe i varur vetëm në bindjet e veta.
Fakti që një gazetar si Bushati është një racë gazetarësh në zhdukje duhet t'i bëjë të rimendojnë ata që kanë folur për progres të mediave, duke iu referuar faktit se mediat kanë thënë shumë të vërteta për korrupsionin e qeverisë apo të Bashkisë së Tiranës. Kjo sepse, sipas mendimit tim të shprehur shumë herë, ata ngatërrojnë, me vetëdije ose pa, dy gjëra që janë shumë të ndryshme me njëra tjetrën. Një gjë është të thuash gjysmën e së vërtetës në emër të interesave të partisë së pronarit tek i cili punon dhe një gjë krejt tjetër është ta thuash të gjithë të vërtetën në emër të interesave të publikut. Një gjë është të kritikosh vetëm politikanët e një gjë tjetër është të kritikosh politikanët dhe oligarkët (ndër ta edhe pronarët e mediave) me të cilët ata bashkëpunojnë. Është një ndryshim gati i barabartë me ndryshimin midis së mirës dhe së keqes. Kjo fushatë elektorale është ndër më të këqijat në këtë kontekst dhe flet dukshëm për atë që më sipër e quajta degjenerimi i sistemit mediatik që kemi ngritur.
Rasti Bushati duhet të shtyjë të gjithë aktorët e jetës publike shqiptare, politikanët më së pari, gazetarët më së dyti, biznesmentë që duan të merren me media së treti, të riformatojnë sistemin mediatik shqiptar. Lidhur me këtë nevojë reformimi le të veçoj tre probleme që më duken themelore e që janë ngritur prej kohësh, por që i shoh ende të pazgjidhura:
Së pari, edhe një herë del problemi i famshëm dhe i pazgjidhur i konfliktit të interesave në mediat tona private. A mundet që media që mbijetojnë në sajë të lidhjeve me pushtetin politik t'i bëjnë kritikën këtij pushteti në emër të interesave të publikut? Deri tani përvoja ka provuar se dëmi që ka pësuar publiku nga kjo lloj mediaje ka qenë më i madh se përfitimi.
Së dyti, edhe një herë ngrihet problemi se kush i bën dhe kush duhet t'i bëjë politikat editoriale në një media, pronari apo gazetari? A është e drejtë që politikat editoriale t'i përcaktojë një pronar i vetëm, dhe, aq më keq, në mënyrë të kushtëzuar nga interesat e bizneseve të tij? A kemi apo nuk kemi ne një ligj që, pikërisht për të evituar arbitraritetin e një pronari të vetëm, kërkon më shumë se dy pronarë në mediat televizive? Është thënë e stërthënë, duke iu referuar përvojave të mediave në vendet demokratike, se midis pronarëve dhe gazetarëve duhet të ketë borde që përcaktojnë politikat editoriale e që mbajnë përgjegjësi për to. Pse partitë politike, ato në pushtet dhe ato në opozitë nuk kërkojnë që ky ligj e këto norma të respektohet jo thjesht formalisht (kur kjo ndodh), por edhe praktikisht (që s'ndodh asnjëherë)? Pse KKRT, autoriteti që ka detyrën për të ushtruar kontroll mbi zbatimin e këtyre ligjeve e normave në media është një institucion i vdekur?
Së treti, edhe një herë shtrohet problemi i raportit të publikes me privaten në mediat tona private. A ka privati të drejta absolute mbi çka bëhet në pronën e tij mediatike kur, në fakt, shërbimi që ai bën është një shërbim publik dhe bëhet nëpërmjet mendjes së personave të tjerë që janë gazetarët, kur ai merr një pjesë të taksave të të gjithë qytetarëve në formë reklamash, kur ai përdor frekuencat që janë edhe ato publike, kur ai edhe ambjentet ku punon i ka në prona publike të dhëna me qirara krejt të lira në raport me çmimet e tregut mu pse konsiderohet se po bëhet një shërbim publik etj.? Paratë e taksapaguesit shqiptar që shkojnë për mediat e që na mbajnë nivelet më të larta në Evropë të shpenzimeve për celularët tanë (e jo vetëm) nuk janë paratë e Sali Berishës as të Edi Ramës e as të pronarëve të televizioneve, por paratë e të gjithë shqiptarëve, që kanë nevojë dhe të drejtën që ato para të përdoren në mënyrë sa më të dobishme për ta në këto media. Pse ndodh ky shpërdorim? Pse në supermarketin gjigand të medive shqiptare gjen thuajse vetëm mallin skarso të politikës së keqe shumë të keqe, manipulimin në vend të informimit, shformimin në vend të formimit, banalitetet politike të mbushura me gënjeshtra dhe mashtrime në vend të së vërtetës?
Për fat të keq gjithë këto probleme të sistemit tonë mediatik (e të tjera si ato të Televizionit Publik që është një skandal i madh më vete), që janë jetike për demokracinë, nuk figurojnë asfare në programet elektorale të asnjërës parti në këto zgjedhje. Kjo flet shumë për shkaktarët dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendjeje, politikanët, për të cilët këto media na ftojnë të votojmë. Për fat të keq sa më shumë kalon koha aq më shumë shohim se këta poltikanë i konsiderojnë dhe trajtojnë mediat dhe gazetarët e tyre thjesht dhe vetëm si instrumente në shërbim të tyre dhe, kush nuk e pranon këtë rol, futet në zonë të ndaluar. Kur kjo i ndodhi Bushatit, që ka investuar një jetë të tërë në gazetari, mund të thuhet se sistemi ka shkuar drejt fundit përtej të cilit s'ka më ku të shkohet, por, prej ku duhet të fillojë edhe ringritja. Një ringritje që duhet ta bëjnë vetë gazetarët më së pari të cilët duhet të kuptojnë se kondicioni ku ata janë katandisur i bën një shembull depersonalizmi dhe tredhjeje intelektuale dhe shpirtërore që dekurajon gjithë shoqërinë. U takon atyre, më së pari, të krijojnë në media "zonën e ndaluar" në mbrojtje të profesionalizmit dhe dinjitetit të tyre njerëzor dhe profesional, në mbrotje të së vërtetës që të ribëhen edhe protagonistë të një ringjaljeje të vlerave të gjithë shoqërisë. (Korrieri, 11 qershor 2009)

4 comments:

Anonymous said...

Zoti Lubonja i keni munguar ekranit televiziv kohet e fundit, me te vertet qe ka munguar analiza jote realiste dhe e mpreht, kjo munges e jotja mos ka te bej me ate qe shkruat juve ne censurimin e analizave politike nga analistet dhe duke lene vetem partit politike ne diskutim? Mos ka te bej kjo me mos shfaqjen tende ne ekran?

Sa i perket alternativave te cilat ofrojn partit politike ne zgjedhjet e kesaj rralle nuk kemi pasur nje analiz tuajin, per te kuptuar se cila mund te jete e keqja me e vogel te cilen mund te votojne njerezit?

Ju pergezoj per shkrimin

Respekte

Senadi
Shkoder

Unknown said...

Zoti Lubonja komplimenta, mjaft i goditur shkrimi!!

Anonymous said...

E respektoj dhe vleresoj shkrimin tuaj..
Nga ana tjeter kjo situate me duket familjare, sigurisht e denoncoj dhe nuk jam aspak dakord..
Shikoni Italine, ka media te lire? Pak shume pak... Berluskoni ka monopol si ne ate televiziven
(kombetare+private), por edhe ne median e shkruar. Te pakte jane ata gazetare qe kane hapesire lirie fjale.
Nje tjeter shembull, ne France ku z.Sarkozy po influencon dhe kete e shohim qarte edhe gjate debateve televizive sesi formatohen e perdoren per interesa politike te presidentit, si levizen gazetare qe e kritikojne.. Une mendoj se problemi ketu qendron pjeserisht nga "connivence" bashkejetesa midis medias dhe politikes, kane mbaruar te njejtat shkolla te larta,interesa biznesi etj, por ai me i madhi eshte se demokracise po i merret dita dites fryma nga pushtete qe kane fasade demokratike dhe ne te njeten kohe i shkelin me kembe pricipet themelore te kesaj "gjendje" ne levizje..
Shefat e shteteve dhe aktore te afert me ta,kane tendence te mbledhin pushtetet ne doren e tyre duke u bere te paprekshem ndaj çdo kontrolli demokratik e perdorin siten per te kaluar vetem miellin e ndaluar krundet qe bezdisin..
Perpiqem te lexoj aktualitetin nga Shqiperia per te mos u shkeputur nga realiteti i atjeshem, eshte vendi im e dua te jete i shendoshe, por prape nuk mendoj ta kem kuptuar krejtesisht problemin ne kompleksitetin e tij.
Shpesh here kur lexoj disa gazeta shqiptare, me gjithe respektin per profesionin me duken si lavazh truri, analiza te dobeta,mungese metode apo propagande te hapur per nje subjekt te caktuar..
Ajo qe me shqeteson me shume eshte se nje pjese dermuese e popullsise lexojne rendom keto gazeta, shohin ato emisionet qe i kane trukuar aq shume saqe duken si "putes soumises", dhe i besojne çdo programi kinse objektiv qe trasmetohet aty, me nje naivitet qe te shtien frike..
Ah,perse nuk vjen asnje lajm i bukur nga Shqiperia?!

Respekte z. Lubonja,
Liljana/Polis

Unknown said...

Komplimente!