Monday, September 28, 2009

Si bëhet më e fortë PS-ja

Çështja nëse duhe të ikë Edi Rama nga kreu i PS apo jo për mua meriton një debat mjaft serioz dhe kompleks njëherësh që meriton të trajtohet përtej interpretimeve të statutit të PS dhe shumë më ndryshe nga bardhezija pro-kundër Rama që shohim në skenën mediatike shqiptare.
Tek e fundit ky debat, sipas meje, mund të përqendrohet në përgjigjen e dy pyetjeve kryesore që nuk më duken pa lidhje me njëra tjetrën.
Pyetja e parë është: a bëhet më e fortë PS-ja me Edi Ramën në krye apo bëhet e tillë me Blushin, Malajn dhe kundërshtarët e Ramës?
Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është e thjeshtë sepse ajo kërkon të shikohet çështja lidhur me atë se çfarë do të kuptojmë me një PS të fortë apo një PS të dobët që lidhet shumë edhe me një PS të së sotmes dhe të së nesërmes.
Mendimi im është se një PS e fortë ose më e fortë se kjo e sotmja është një PS më demokratike brenda saj, me një vizion të majtë për botën, përfaqësuese e shtresave të brishta të shoqërisë, kontestuese ndaj mazhorancës, që i bën një autokritikë shumë të fortë vetes për atë se pse është bërë kjo parti që është: një parti e oligarkëve që akuzohet për instalimin e sistemit të korrupsionit që po kalëron sot Berisha. Pra një PS që, në shumë aspekte, nuk është PS-ja aktuale e Edi Ramës madje ndërtimi i së cilës kërkon një tjetër lloj lideri nga Edi Rama.
Nga ana tjetër më duhet të shtoj se këtë PS nuk e shoh as në projektet e Blushit dhe Malajt, ndonëse aty gjej mundësi më të mëdha të hapjes së rrugës përdrejt një PS-je më të fortë në kuptimin që i dhashë më lart.
Për të arritur në një gjykim sintetik pra se si do të ishte më e fortë PS-ja me Ramën apo Blushin e Malajn do të doja t’i përgjigjesha edhe pyetjes së dytë që lidhet ngushtësisht me të parën: pse njerëzit e Berishës sulmojnë kaq fort Edi Ramën dhe marrin, si të thuash, në mbrojtje kundërshtarët e tij kur interesi i pushtetit të tyre ua do që, nëse PS është vërtet më e dobët me Edi Ramës sesa me Blushin dhe Malajn, siç pretendojnë këta dhe siç komentojnë edhe ata vetë, atëhere le të mbetet kështu siç është? Mos vallë ata kanë vërtet hallin e vendit dhe të qeverisjes më të mirë kur thonë se duan një PS më të fortë që bën luftë politike në Parlament? Kjo ide të bën të qeshës menjëherë sepse ka aq shumë fakte që vërtetojnë se e mira e vendit është në rreshtin e fundit të preokupimeve të këtyre njerëve. Mjafton të shohësh se kë zgjedhin ata edhe brenda vetes për t’u kujdesur për të mirën e vendit. Ata kanë hallin e forcimit të tyre dhe pikë, ndonëse edhe këtu shtrohet pyeta se çfarë kuptojnë ata me forcim të PD-së.
Sipas gjykimit tim ata duan një PS pa Edi Ramën pasi me të, sipas logjikës së tyre – e përsëris: sipas logjikës së tyre - PS-ja është më e fortë me Ramën sesa me Blushin dhe Malajn. Sepse Rama paraqet një kërcënim eminent kurse projekti Blushi, Malaj, në rastin më të mirë, kërkon një PS që do të pranojë qënien e saj në opozitë dhe që i hyn një rruge reformimi që mund të hajë edhe mjaft kohë. Po ashtu Rama në luftën e tij të sotpërsotshme ka më shumë karizëm sesa Blushi dhe Malaj, ka shumë më tepër instrumente dhe mbështetje brenda dhe jashtë vendit për ta vënë Berishën në krizë. Po ashtu, antropologjikisht, Rama ka më shumë karizmën e antiberishës (si i ngjshmi i këtij të fundit) sesa Blushi dhe Malaj.
Shkurt, sipas mendimit tim, projekti i PD dhe mbështetësve të saj kur sulmojnë Ramën dhe mbështesin Blushin dhe Maljan mbështetet mbi një politikë që synon të mbetet kështu siç është, me interesa të sotpërsotshme, me luftra për pushtet dhe jo në zhvillime afatgjata në të mirë të vendit. Pra PD-ja si një “kafshë” që nuk ka ndërmend të ndryshojë, por që kërkon të mbetet mbret i xhunglës, gjykon se më e rrezikshme për pushtetin e saj në xhungël është Edi Rama kurse një PS që rreket të reformohet, ajo mendon se mund ta “hajë” pa u bërë e tillë. Madje duket sikur PD-istët nuk duan as atë që, sipas mendimit tim, për pushtetin e tyre (sigurisht jo për të mirën e vendit) do të ishte optimalja: që PS-ja të mbetet kështu siç është me një Ramë në krye, por me gjysëm legjitimitet dhe me Blushin e Malajn e Lakrorin e Nanon nëpër këmbë. Përshtypja ime është se ata duan ta heqin qafe Ramën përfundimisht. Duke i qëndruar idesë sime se ne rrezikohemi nga një regjim alla Putin, me çka kuptoj një mazhorancë shumë të fortë që ka përballë një opozitë të pafuqishme, kam arësye të dyshoj se projekti i PD për eliminimin e “rrezikut” Rama është thjesht e vetëm në këtë hulli.
Pra vijmë në përfundimin se, paradoksalisht, PS-ja me Edi Ramën sot është më e fortë sepse është më e dobët dhe PD-ja ka interes që PS ta marrë Blushi me Malajn edhe pse me ta nesër ajo mund të bëhet një kërcënim shumë më serioz për pushtetin e saj.
Në këtë kontekst cila do të ishte zgjidhja më e mirë nga pikëpamja e pasjes së një PS-je sa më të fortë jo në interes të Ramës, Blushit, Malajt, Berishës, por të vendit? Unë gjykoj se PS ka nevojë të gjejë një sintezë brenda saj – çka më duket se nuk është e lehtë, por edhe jo e pamundëshme – që do ta bënte atë njëherësh edhe të ruante shpirtin luftarak të luftës së sopërsotëshme edhe që të mund të projektonte reformimin e saj afatgjatë. Rama i jep të parën, por nuk i jep kurrsesi të dytën. Madje ka gjasë që ai, pasi të sigurojë kryesinë e partisë, ta pushojë këtë luftë që duket kaq e egër sot. Nga ana tjetër projektet e pamjaftueshme të Blushit dhe Malajt rrezikojnë një paralazë të së tashmes që mund ta bëjë edhe më të vështirë të ardhmen. Duhet një sintezë ndërkohë që duket se po përgatitet një pastrim. Nuk mendoj kurrsesi se një sintezë e tillë mund të realizohet nëpërmjet rikthimit të një figure si Nano, ndaj të cilit Blushi dhe Malaj nuk janë shprehur asnjëherë qartë. Nano është një njeri i djegur, ai është një njeri që ndërkohë që mendon se po luan poker duke bllofuar në një lojë të vogël në fakt është shndrruar në një nga kartat rezervë që përdor Berisha, për ta sakrifikuar, në një lojë më të madhe. Sinteza duhet gjetur tek njerëzit më mendjekthjellët dhe më racionalë brenda PS-së. Sigurisht edhe midis protagonistëve të saj Rama, Blushi, Lakrori, Malaj, Islami etj. Në këtë kontekst do të thoja se më duket shumë pozitiv që ka një debat dhe dialektikë brenda partisë, por nga ana tjetër shoh se, megjithë këtë, punët nuk kanë shkuar në drejtim të arritjes së kompromisit, por në drejtim të nevojës për të larë hesapet. Vështirë të imagjinosh një kompromis të tillë ku Rama psh. mbetet një kryetar i fortë bashkie që e le partinë të reformohet nga duar të tjera pa humbur kontributin e tij në këtë reformim kur sheh se ai nuk reflekton në mënyrë autokritike ndaj çka thonë kundërshtarët e tij brenda partisë, por, me mënyra të tërthorta, kërkon t’i demonizojë dhe defaktorizojë për t’i çelur rrugën një pushteti personal të pakontestueshëm. Po aq e vështirë duket kjo sintezë kur sheh se kundërshtarët e tij nuk kanë një program të qartë e të plotë kritik ndaj gjendjes së partisë sepse aty mungon kritika kryesore që, sipas meje, i duhet bërë Edi Ramës edhe për humbjen e PS-së. Kjo nuk është paaftësia e tij për të bashkuar të majtën, por venia e partisë në funksion të interesave të oligarkëve dhe banditëve që vetëm interesat e shtresave që normalisht përfaqëson e majta nuk përfaqësojnë. Dhe kjo nuk ka filluar me Ramën, por me Nanon që disa prej tyre sot e përmendin si e mira përballë të keqes Rama. Nëse ndër njerëzit e PS do të vashdojë të mbretërojë ideja se partia do të bëhet më e fortë, duke bashkuar sa më shumë oligarkë dhe banditë rreth saj, të jenë të sigurtë se do ta humbasin betejën me “kafshën” e ngjashme që ka në krye Berishën dhe Metën, sepse kjo, duke qenë në pushtet, do të trashet e forcohet edhe më shumë në këtë xhunglën ku jetojmë. (Korrieri, 26 shtator 2009)

3 comments:

Anonymous said...

Ne fakt duke shtruar opsionin e reformes qe mund te sjelle Malaj dhe Blushi, duhet te kemi kujdes qe mos shkeputemi nga realiteti. Oligarket qe fliten ne kete shkrim nuk u intereson aspak te leshojne pushtetin e tyre ku misherimi i ketij pushteti arrihet me se mire me Ramen. Dhe kur them nuk do ta leshojne pushtetin nenkuptoj qe jane te gatshem te zbatojne gjithe metodat e mundeshme nga me meskinet deri ke "demokratiket". Dhe per ato qe kuptojne mire se cdo te thote ne te vertete nje PS e forte apo e dobet e kane te qarte se plateforma Blushi eshte gjeja e fundit qe mund te ndodh ne PS. pyetja eshte si mund te ndodhe ky ndryshim? Personalisht mendoj qe duhet nje levizje qytetare e cila nuk vjen me Mjaft-in & Co, por me nje pjekuri nga ana jone si qytetare nga ajo qe kerkojme nga politika.
Glen llaci

Lavdrim Lita said...

I nderuari Lubonja,
ndersa Ju lexoja me interes sepse titulli ishte aq i interesant sa nuk rezistova dot per ta perpire ne pak sekonda, e me pas ta lexoja avash avsh per nje ore te gjate, mund te them se ngela paksa i zgenjyer nga argumentimi per forcimin e PS. u gjenda ne hall kur pata ose tanui
kam mendimin (ndoshta te gabuar) se ju ne pesimizmin dhe skepticizmin qe ju karakterizon, qe gjithome kane pak sens of humor, po ne nenvetedije deshironi t'i jepni edhe nje shans Edi Rames, duke parashtruar se trinomi Berisha, Meta, Nano jane ne e shkuara kurse Rama eshte e ardhmja? e shkuara mund te jene ne pergjithesi por Rama me shtin friken me egoizmin e tij per protagonizem dhe ka shume mundesi te gabohem se ju i shkoni fill mbas tij por kete ndjesi me jep shkrimi i juaj. nejse vazhdoni te shkruani sic dini sepse nganjeher pasqyra nuk mjafton ta shikojne njeri tjeterin ne sy..
AJu pershendes...

Anonymous said...

Ndermjet dy te keqijave do zgjedhur e keqja me vogel. Dhe Edi Rama ka plehra ne bodrumin e tij. "Kush te verteten nuk e di ai eshte nje budalla. Por kush e di dhe e quan ate nje genjeshter ai eshte nje kriminel." (Bertohl Breht). Kush te verteten e di dhe hesht po ky cfare eshte? Eshte: Edi Rama, eshte parlamenti, eshte opozita, eshte gjithe Shqiperia qe une nuk di si te ja ve emrin. Liria pa te verteten eshte nje iluzion. Liria nuk qendron ne ate qe ne kemi deshire une dua ne duam po qendron ne mundesine sa mundemi ne dhe sa na lejohet ne. atehere pa mundesi nuk ka liri. Dhe kete mundesi e groposi Edi Rama me gerdecin. Une kam deshire te protestoj. Kur them une kam parasysh nje kontigjen te madh qytetare Po kete duhet ta bente opozita me ne krye Edushin. Edhe ate palo peticion kunder ministrit te Gerdecit qe bene gazetaret duhet te ulerinte dhe ta bente me pare Edushi. Edhe per kufijte detare qe jane falur Greqise duhet te protestoje Edushi dhe jo gazetaret ( sigurisht dhe gazetaret po edushi nuk ndjehet fare) Edhe , edhe.....edhe qe skane te mbaruar dhe ka me mijra edhe, dhe ne jemi te asfiksuar nga narkoza. Liria behet me e prekshme dhe nuk eshte nje iluzion kur per te luftojne te gjithe, dhe jo vetem nje grusht gazetaresh te talentuar e guximtar si puna Juaj. Filozfi me domethenes ne Gjermani dhe ne Bote Peter Sloterdijk ne librin e tij "Ti duhet ta ndryshosh jeten tende" shkruan: ne ditet tona kerkon njerez dhe gjen akrobate, une do te thonja kerkon Shqiptare dhe gjen kameleone.