Monday, October 26, 2009

Shqiptarizmi dhe shqiptaria në një vështrim të ri

Mbi librin "Në fillimet e ncionalizmit shqiptar" të Nathalie Clayer


Pas promovimin të librit "Në fillesat e nacionalizmit shqiptar "të Nathalie Clayer (botime përpjekja, Tiranë 2009) një i pranishëm erdhi e më kërkoi t’i shpjegoja pak më hollësisht se pse u shpreha se ky libër do të trondisë vetëdijen që kanë shqiptarët për shqiptarinë si ndjenjë identiteti kombëtar. Nga biseda që pata me të kuptova nevojën e shpjegimit të një vështirësie të rëndësishme konceptuale që do të hasë leximi i këtij libri. Po nxitoj ta bëj këtë shpjegim me shpresën se kjo do të ndihmojë sadopak për kthjellimin e konceptit bazë që do të tronditet, por që do të mund të japë edhe çelësin për ta lexuar këtë libër me sa më shumë kthjellësi.
Libri Në fillimet e ncionalizmit shqiptar tregon historinë e afirmimit të identitetit kombëtar shqiptar në kuptimin modern të termit, sipas konceptit konstruktivist, që është përpunuar gjerësisht nga Eric Hobsbawm etj. dhe që përbën sot qasjen bashkëkohore ndaj historisë. Sipas këtij koncepti ndërtimi i identiteteve kombëtare shihet si një proces konstruktimi i përcaktuar nga rrethana historike e politike të caktuara. Janë dy terma kyç në libër që duhen kuptuar qartë, ashtu sikurse dhe raporti i tyre me njëri tjetrin: shqiptarizmi dhe shqiptaria. Shqiptarizmi në librin e Clayer është lëvizja nacionale shqiptare e lançuar nga intelektualët e shekulit XIX , kurse shqiptaria është ndjenja e identitetit kombëtar shqiptar: “feja e shqiptarit”, nëse do të citonim thënien e famshme të Vaso Pashës. Autorja na tregon qartë se është lëvizja nacionale shqiptare ajo që ka përftuar identitetin kombëtar shqiptar, pra se është shqiptarizmi që ka përftuar shqiptarinë. Vështirësia që lind për një lexues shqiptar është se, sipas vetëdijes kombëtare që ka krijuar ai, si fryt i historiografisë që ka dominuar kryesisht në kohën e regjimit nacional - komunist dhe që vazhdon të domonojë edhe sot në Shqipëri, ka ndodhur e kundërta: është shqiptaria ajo që ka prodhuar në shekuj shqiptarizmin. Në vetëdijen kolektive shqiptare, të ushqyer nga historiografia nacionaliste, që ka përdorur një qasje esencialiste ndaj identitetit, shqiptaria, si ndjenjë identiteti kombëtar, është trajtuar si një thelb i popullit shqiptar, si një “bërthamë” e pandryshueshme që ka qenë e njëjtë që nga pellazgët e ilirët e deri në ditët e sotme, ndërkohë që periudha të tëra historike të tilla si shtrirja e Perandorisë Romake në Lindje, shekujt e përkatësisë së grupeve etnolinguistike e religjioze shqiptare në Perandorinë Osmane apo deri edhe komunizmi janë parë si aksidente ndaj të cilëve shqiptaria, si substancë e pandryshueshme, ka rezistuar duke marrë forma të ndryshme lëvizjesh shqiptariste. Pra edhe luftrat e Teutës me Romakët edhe luftrat e Skënderbeut me turqit, edhe shkrimi i Formulës së Pagëzimit nga priftërinjtë katolikë si rezultat i Kundër Reformës së promovuar nga Vatikani, edhe kryengritjet e feudalëve shqiptarë ndaj reformës centralizuese dhe modernizuese të Tanzimatit, në historiografinë tonë janë trajtuar si lëvizje nacionale, si forma të shqiptarizmit, të nxitura nga shqiptaria. Sipas këtij koncepti edhe 500 vjet jetë e etnisë shqiptare nën Perandorinë Osmane kanë qenë një pushtim – sikur të bëhet fjalë për pushtimin e një shteti komb sovran të shekullin XX gjatë luftrave botërore - me të cilin shqiptarët nuk janë pajtuar kurrë e, ndaj të cilit, gjithmonë kanë ngritur krye, derisa ia arritën qëllimit më 1912.
Libri Në fillimet e ncionalizmit shqiptar tregon, pra, një histori krejt tjetër të shqiptarizmës dhe të shqiptarisë. Nathalie Clayer na tregon se nuk është shqiptaria që ka prodhur shqiptarizmin, por është shqiptarizmi që ka përftuar shqiptarinë. Dhe, çka është shumë e rëndësishme, (por edhe tronditëse për lexuesin tonë) se ky shqiptarizëm nuk zë fill as me Teutën, as me Skënderbeun, as me shkrimin e gjuhës shqipe, as me kryengritjet e Tanzimatit (të cilat i përkasin një tjetër historie, jo asaj të shqiptarizmit) por se, ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, lëvizja nacionale zë fill në shekullin XIX e kushtëzuar ngushtësisht nga procesi i shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Kurse historitë dhe heronjtë e sipërpërmendur nuk janë tjetër veçse mitet me të cilat shqiptarizmi ka ndërtuar shqiptarinë në shekullin XIX.
Kjo është troditja thelbësore konceptuale që do të sjellë ky libër. Në kontekstin e saj duhen lexuar edhe shumëçka që lexuesi shqiptar do të gjejë ndryshe nga ajo çka ai ka të shtresëzuar në vetëdijen e tij historike. Në libër dokumentohet hollësisht dinamika e fillimeve të shqiptarizmit, nga mesi i shekullit XIX deri në 1912, dhe, sëbashu me të, edhe procesi gjithnjë në evoluim i ndërtimit të shqiptarisë , konstruksionet e ndryshme të shqiptarisë si dhe simbioza e tyre me projektet e tjera nacionale të Ballkanit. Libri na tregon rolin e përkatësive të ndryshme fetare të shqiptarëve në këto projekte, rolin e rrjeteve të ndryshme të veprimtarëve të shqiptarizmit brenda dhe jashtë vendit, afiliacionet e tyre me njërin apo tjetrin vend fqinj, rolin përcaktues të fuqive të tilla si Austro – Hungaria, Italia - për të na çuar deri në ngjarjet në prag të pavarësisë kur duket se ngjizet një projekt dominant. Një sërë mitesh të nacionalizmit zbërthehen kështu në libër në kuptimin se na jepet origjina e tyre e vërtetë; si për shembull thënia e Veso Pashës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në historiografinë tonë kjo thënie është trajtuar si një thelb i shqiptarit sipas të cilit shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë thellësisht fetarë, sepse gjthmonë kanë venë shqiptarinë mbi fenë. Në libër del qartë se kjo thënie nuk shpreh një gjendje të terrenit në shekullin e XIX, por një thirrje për të ndryshuar gjendjen në terren, ku dallimet fetare ishin të një rëndësie të veçantë. Në këtë konteskt në libër del qartë se përkatësitë e ndryshme fetare të shqiptarëve: ajo muslimane (sunite dhe bektashi), ajo ortodokse dhe ajo katolike nuk kanë qenë të parëndësishme përballë shqiptarisë – sikurse trajtohen ato në histriografinë tonë – por kanë lujatur një rol me rëndësi në lëvizjen nacionale shqiptare – shqiptarizmin – duke çuar shkallë shkallë, varësisht nga rrethanat historike dhe loja e interesave të fuqive të mëdha, në projektin dominant që zë e ngjizet në prag të pavarësisë ku ze vend gjithnjë e më shumë thirrja/thënia e Vaso Pashës, që, sipas autores, është një konstruksion identitar i shqiptarizmit.
Libri na zbulon edhe rolin tejet të rëndësishëm të protestanëve në shqiptarizmën. Shumica e shqiptarëve mësojnë për herë të parë se Kostandin Kristoforidhi e përktheu Ungjillin me porosi të Bible Society që ishte shoqata që merrej me promvimin e protestantizmit në botë, se Petro Nini Luarasi ka qenë protestan dhe se përpjekja e protestantëve për të pëhapur Biblën në vende si Shqipëria dhe nëpërmjet saj fenë e tyre ka përkuar me lëvizjen nacionale shqiptare për të cilën një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe edukimi dhe mësimi i gjuhës shqipe. Pra edhe gjuha shqipe nuk se ka qenë gjithnjë e të njëjtës rëndësi identitare për shqiptarët, por ka marrë rëndësinë e vet, deri mitike, pikërisht në sajë të shqiptarizmit në shekullin e XIX.
Në libër dalin qartë, po ashtu, se zhvillimet në Pernadorinë Osmane kanë kushtëzuar shumëçka në lëvizjen shqiptare dhe fatet e shqiptarëve në atë kohë dhe se ka pasur një periudhë kur, ndryshe nga ç’shkruhet në historiografinë tonë, interesat osmane e kanë nxitur dhe jo penguar shqiptarizmin. Në libër shtjellohen edhe dinamikat e interesave dhe aleancave të ndryshme në rajon: rolet e rëndësishme të Austro - Hungarisë më një anë dhe Italisë më anë tjetër në promovimin apo pengimin e projekteve të ndryshme nacionale shqiptare. Libri zbulon se sikur raportet e fuqive të mëdha të kishin qenë të tjera sot do të kishim ndoshta një tjetër konfiguracion shtetesh komb në Ballkan. Psh. sikur influenca italiane të kishte qenë më e fortë se ajo austro hingareze ndoshta në vend të Shqipërisë që kemi sot do të kishim një konferderatë të Shqipërisë së Veriut me Malin e zi me Skënderbeun hero nacional të këtij shteti.
Pa u zgjatur më në përmbajtjen e librit dua të them se historinë e shqiptarizmit dhe të shqiptarisë, ashtu siç është trajtuar në këtë libër, duhet ta lexojë çdo shqiptar. Duhet ta lexojë sepse kjo i shërben rritjes së vetëdijes sonë historike, ose më saktë kalimit të vetëdijes sonë nga mosha fëmninore në moshën e pjekurisë kur nuk lexohen më përralla që synojnë të prekin sferën emotive, por libra që synojnë të na shpjegojnë në mënyrë racionale botën ku jetojmë për të kuptuar e njohur më mirë vetveten. Ky libër ndihmon shumë për të kuptuar historinë tonë të vërtetë, procesin e lindjes së kombit shqiptar në shekullin XIX, sëbashku me mitet e nacionalizmit. Ai e ka çliruar të vërtetën historike nga ideologjizimi i saj dhe, nëpërmjet kësaj, na ndihmon për t’u çliruar edhe nga anakronizmat e pavërtetësitë e shumë prej këtyre miteve që herë herë marrin trajta skllavëruese e manipuluese për shkencën historike gjithashtu. Po ende, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë interesat e konfliktet e shumta të së djeshmes, ai na ndihmon të kuptojmë edhe interesat e konfliktet e të sotmes; edhe atë se pse sot e gjithë ditën flitet kaq shumë e me kaq pasion për identitetet.
Ky libër ka një armik shumë të rrezikshëm dhe, për fat të keq, shumë të fuqishëm: një “nacionalizëm kitsch” dominant sot në historiografinë shqiptare, madje që është edhe historiografi zyrtare. Kur them “kitsch” kam parasysh ngarkesën me banalitet, me shije të keqe, me populizëm dhe komercializëm që i jep termi “kitsch” fjalës “art” kur i vihet prapa. Mendoj se edhe historiografisë së djeshme me qasje nacionaliste, e cila, sikurse thashë, është gjithsesi e tejkaluar, mund t’i vihet prapa termi “kitsch” për të shenjuar një historiografi me qasje nacionaliste të thjeshtëzuar e banalizuar në ekstrem, të mbushur me stereotipe, të komercializuar, të mediatizuar e gazetarizuar keq, por edhe të kepërdorur nga politikanë, intelektualë, historianë e gazetarë populistë që s’dihet se çrej sa kohësh nuk lexojnë më një libër. Rasti i tekstit të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme është shembulli më tipik i atij që quajta “nacionalizëm kitsch”.
Për fat të keq, ndërkohë që sot flitet kaq shumë për hyrje në Evropë, megjithëse nga vetë Evropa është bërë investim i madh, psh. janë shpenzuar shuma të konsiderueshme për të përkthyer e përhapur autorë si Eric Hobsbawm, kontakti i vërtetë i lexuesit shqiptar me këto libra dhe konceptet e tyre, me kulturën evropiane në përgjithësi, ka qenë shumë i pakët. Ai është penguar nga “nacionalizmi kitsch” i të sipërpërmendurve që i kundërvihen mendimit të thellë intelektual dhe shkencor me të njëjtën virulencë me të cilën i kundërvihet padituria dijes, komercializmi e konsumizmi vlerave të vërteta shkencore e artistike; me të njëjtën egërsi me të cilën i kundërvihet nevoja që ka autoritarizmi për njerëz trushpëlarë mendimit të njeriut të lirë.
Megjithatë botimi i këtij libri tregon se, gjithsesi, nuk jemi më në kohën kur historia dhe kultura zyrtare i mbyllte çdo derë teksteve historike dhe në përgjithësi kulturave alternative. Ne të Përpjekjes, që botojmë këtë libër, mendojmë se, megjithë vështirësitë e mëdha, një ditë jo shumë të largët qasjet dhe metodat me të cilat është shkruar libri i Nathalie Calyer, nga pronësi e një minorance do të bëhen pjesë e instrumenteve shkencore të një brezi të gjerë studiuesish shqiptarë. E në këtë kontekst mendojmë se edhe “tronditja” që do të shkaktojë libri Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, për të cilat fola në këtë shkrim, do të luajnë një rol të rëndësishëm pozitiv. (Korrieri, 26 tetor 2009)


4 comments:

Anonymous said...

Komenti im ka lidhje me shume me sasine e perkthimit te librave qe kane qasjen konstruktiviste ndaj nacionalizmit. Nuk jane edhe aq shume sa duhet te ishin ne fakt. Drejtperdrejte per kete ceshtje eshte perkthyer Hobsbawmi dhe nje liber i Gellnerit (por jo ai klasiku)si dhe Todorova. Nuk di te jene perkthyer as Kombet dhe nacionalizmi (i 1983) i Gellnerit, as Andersoni "Komunitetet imagjinare", liber me shume se kyc, as libri me editim i Hobsbawmit me Rangerin "Shpikja e traditave", per te mos folur per Frederik Barth "Grupet etnike dhe kufinjte". Keta qe po permend jane klasiket qe nuk mungojne ne asnje vend te botes, pasi lista eshte teper teper e gjate. Por per te gjithe ata qe nuk e dine, ne shqip na ka ardhur nje kryeveper se fundmi, "Orientalizmi" i Eduard Saidit

Endri said...

Shpresoj me te vertete qe libri i siperpermendur pervec rolit te tij imediat ne qartesimin dhe objektivizimin e fazave me te rendesishme te mbruajtjes se identitetit shqiptar te sherbeje njekohesisht dhe per fillimin e procesit te rivleresimit te levizjes rilindase.

Nje levizje intelektuale e filozofike qe ka vene shtyllat kryesore te identitetit modern shqiptar. Shtylla keto qe kane kontribuar per ti ruajtur shqiptaret se paku deri me tani nga ekseset nacionaliste me te cilat shume prej fqinjeve tane flirtojne e prej te cilave disa edhe jane djegur krejt. Nje rivleresim i rilindjes shqiptare eshte per mendimin tim i domosdoshem dhe per faktin se shqiptaret e elitat e tyre sot, ne kohen e globalizimit e hapjes duhet te ridefinojne tashme rolin e marredheniet qofte me institucionet e tyre e qofte me ato globalet.

E ndersa "goje te liga" pretendojne se jane libra te tille bashke me promovuesit e tyre ato qe rremihin "shqiptarine" me "Sh" te madhe une mendoj se rreziku i vetem ndaj nje koncepti modern mbi identitetin shqiptar (aka. shqiptaria) ne kohet e globalizimit eshte pikerisht shperdredhja e shtyllave rilindase ne nacionalizmin "kitsch" sic quhet ne menyre te goditur dhe ketu, i zhveshur nga cdo lloj objektiviteti, primitiv dhe pa asnje lloj shansi kunder levizjeve komplekse globaliste.

Anonymous said...

Z. Fatos nuk jeni prononcuar fare per temen e detit. Ndjehet komenti i juaj. Shqiptarizmi dhe Shqiptaria ne nje veshtrim te ri flitet per 350 km. siperfaqe ujore. E presim me padurim nje shkrim per kete teme.!

Anonymous said...

Pse duhet de-konstruktua ndryshe historia shqiptare?...- madje sipas disa preferencave të vogla megalomane. Ne nuk mund të shfaqemi me këto cilësi të shpërfjellura, si modern ndaj këtyre përsiatjeve personale, edhe kur ndonjë “historian” që në kontributet e tija pranë historisë së kombit të tij nuk shquhet dhe aq, ne ia marrim për nderë, për kontribut, kur ay shkruajnë për historinë tonë. Ata më shumë tregohen injorant, kur nuk na duanë, kur na shajnë, ne prapë i marrim dhe i shfaqim, ne prapë i marrim dhe i bëjmë pjesë të debateve tona të fashitura për gjërat qe ne i kemi vënë kapakun, si grindjet qe s’çojnë askund dhe nuk sjellin hiç gjë të reja. Historia jonë mund të pasurohet vetëm nga shqiptaret dhe jo nga të tjerët qe pas vete mbartin injorancën dhe patetiken e saj.

Historia duhet të shkruhet dhe jo te de-konstruktohet.



Bekim Rexhepi