Thursday, November 5, 2009

Fenomeni Taçi

Ishte tejet shqetësues lajmi i sulmit fizik kundër gazetarit Mero Baze nga Rezart Taçi, njëri prej biznesmenëve më të njohur të vendit që i ka dalë emri edhe ndërkombëtarisht si milioner që ka pretenduar të blejë klube futbolli si Bolonja apo Milani.
Më duket e tepërt të them: "është një ngjarje e rëndë" apo "solidarizohem me të gjithë ata që e kanë dënuar këtë krim ndaj fjalës së lirë." Fakti që edhe Sali Berisha, i cili sulmohet përditë nga Baze në gazetë, është shtrënguar ta dënojë, tregon se ky akt dhune nuk do shumë koment në vetvete.
Por do shumë koment dhe analizë çfarë qëndron prapa këtij akti dhe prapa fenomenit Taçi në përgjithësi. Përshtypja ime është se nuk ka shumë vullnet apo kurajo për ta parë në të gjithë thellësinë dhe rrezikshmërinë e tij fenomenin. Kur them këtë kam parasysh reagimet që pasuan këtë ngjarje veçanërisht ato që erdhën jo vetëm nga gazetaria, por edhe nga forca kryesore e opozitës; sepse vështirë të prisje një analizë kritike nga mazhoranca.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë Edi Rama akuzoi pas ngjarjes drejtpërdrejt Sali Berishën duke deklaruar se "ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me të, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë ai për t'u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit".
Më vjen ta aprovoj plotësisht këtë pohim, por më ngecet aprovimi në fyt kur më poshtë shoh se shkaku i gjithë kësaj të keqeje, sipas kryetarit të PS, janë: "interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t'u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve. "
Pse më ngecet në fyt? Jo pse nuk më duket e vërtetë, por sepse nuk i shkohet më thellë fenomenit, sepse krijohet iluzioni se kjo e keqe fillon e mbaron me Berishën, e se, sikur të zhduket kjo familje dhe të vijë "familja socialiste" në pushtet Shqipëria do të dalë në dritë. Kjo cekësi, më irriton sa herë e dëgjoj sepse, si qytetar e gazetar, më duket sikur duan të më manipulojë, sikur të jem një trutharë, që nuk paska nxjerrë mësime nga e kaluara, apo që ka humbur memorien. Sepse, siç kam mësuar edhe nga vetë shkrimet e Mero Bazes, Taçi i famshëm akuzohej, para disa vjetësh, nga Berisha si mafjoz që ishte pasuruar në lidhje me socialistët në pushtet. Sepse më kujtohet një sivëlla i tij, Delijorgji, e shumë sivëllezër të tjerë, që e kanë filluar karrierën me Berishën e parë, e kanë thelluar atë me socialistët 1 dhe 2 dhe që përsëri i ke sot o duke mjelur lopën e Kryeministrisë ose atë të Bashkisë (jo rrallë të dyja sëbashku) duke "bërë ligje" e plane urbanistike, e plane turistike, e kontrabanda, e korrupsione gjithfarëshe "në kurriz të të gjitë shqiptarëve". Po ashtu, sepse, si gazetar, nuk mund të harroj se para disa vjetësh, kur Edi Rama ishte shumë më i fuqishëm se sot, pasi socialistët zotëronin pushtetin qendror e lokal, një nga "sivëllezërit" e lidhur me të më mbajti dy vjet nëpër gjyqe duke më kërkuar 100 mijë dollarë dëmshpërblim, gjoja se kisha shpifur kundër tij, teksa bëja punën e gazetarit, ndërkohë që vetë Rama, pa pritur as vendimin e gjykatës më akuzoi publikisht si "shpifës profesionist". Dikush mund të thotë se një gjyq është normal, por jo të vijnë të të rrahin në mes të lokalit; e se gjyq duhet të bënte edhe Taçi nëse pretendon se Baze ka shpifur kundër tij. Mirëpo nuk është kaq e thjeshë të vlerësosh se çfarë është më keq për gazetarin. Gjyqi është rruga më e mirë, e pranoj edhe unë. Por kjo kur ka drejtësi të pavarur; ndërsa kur drejtësia, sikurse thotë edhe Rama për këtë të sotmen, është vegël e atyre që kanë paranë dhe pushtetin në dorë, atëhere mund të të bëhet më e vështirë jeta nga një gjyq sesa nga një rrahje. Kush ka provuar të kalojë nëpër gjyqe me gjyqtarë që e peshojnë drejtësinë me paret që marin nën dorë apo me lejet e ndërtimi që marrin mbi dorë mund të flasë për këtë.
Prandaj, sipas meje, çështja shtrohet se dora që ka goditur gazetarin nuk është dora e një njeriu të vetëm apo grupi të vetëm që ka marrë aksidentalisht pushtetin, por është dora e një pushteti të madh paralel që ekziston në vendin tonë, pushteti i të fortëve që institucionet për të cilët ne flasim aq shumë i përdor vetëm si fasadë. Dhe ky pushtet nuk është instaluar me ardhjen e Berishës 2 në pushtet, por shumë më herët. E vërteta është se biznesmenë si Taçi kanë qenë dhe janë ata nëpërmjet të cilëve politikanët tanë kanë siguruar e sigurojnë rrogën e madhe të paligjshme, përpara së cilës ajo e vogla, që u jep insitucioni ku punojnë, shëmbëllen me një kafshatë. Rrogën e madhe me të cilën kanë ndërtuar e ndërtojnë pallate në kryeqytet e vila në bregdet, blejnë toka, por edhe vila jashtë shtetit, bëjnë ushëtime turistike, blejnë veshje e makina nga më të shtrenjtat etj. etj. E thotë edhe Rama në pohimin e tij, por e kufizon vetëm tek familja Berisha fenomenin.
Nga ky këndvështrim i fenomenit ajo që i ndodhi Taçit mund të quhet edhe një "incident" i sistemit ashtu siç mund t'i quhet Gërdeci Delijorgjit, që, sikur të mos kishte ndodhur, ky do të vazhdonte "punën" i qetë. Ky është thelbi i problemit sipas meje. Edhe ajo që i ndodhi Bazes, nga ky këndvështrim, nuk është e rëndë vetëm për shkak të goditjeve fizike që ai ka marrë. Më e rënda është se ndërkohë që Taci mund të dënohet me gjobë për rrahje askush nuk do të hetojë nëse ka apo nuk ka të vërteta në ato që thotë Baze për të e për të cilat dënimi është shumë më i rëndë se gjoba. E rënda qëndron në atë se kjo që ndodhi denoncon se çfarë njerëzish janë pasuruar në këtë vendin tonë; se ne, si shoqëri, jemi larg së hetuari mënyrën se si janë pasuruar këta njerëz, abuzimet që kanë bërë këta sëbashku me politikanët, lidhjet e tyre, kalimin e një pjese prej tyre nga biznesi në Parlament, kapjen e mediave prej tyre etj..
Flasim e flasim e prap gjuha na shkon atje ku dhemb dhembi: tek drejtësia që kërkojmë e nuk e gjejmë. Gjithë në këtë kontekst, duke u nisur nga ky rast, mund të ngrihet edhe pyetja: çfarë do të ndodhte sikur drejtësia të vihej në veprim nga gazetaria investigative dhe, po të provonte se akuzat janë të vërteta, t'i dënonte të akuzuarit nga mediat, siç ndodh në vendet demokratike? Kjo gjë sipas meje nuk ka filluar ende të ndodhë në vendin tonë dhe reagimi i Taçit tregon se sa larg këtij momenti jemi. Sipas meje në raste të tilla rrahjen gazetari do ta puthte në ballë sepse do të ishte në rrezik vetë jeta e tij. Fakti është ne jemi nën sundimin e një kaste të paprekshmish e të padënueshmish që kanë kapur politikën, por edhe drejtësinë, që ndrrojnë vende në Parlament nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltaz dhe që, me këtë gjestin e Taçit na dhanë sinjalin: mos e kruani si Baze! Dikush do të thotë. S'është kështu; e pe si reagoi opozita dhe, po të kesh opozitën në krah nuk e kanë aq të lehtë. Ok, por po sikur një gazetar të kërkojë të akuzojë ndonjë nga ata - që të gjithë e dimë se nuk janë të pakët - që paguajnë edhe fushatën e Berishës edhe të Ramës, kush do ta mbrojë? Sepse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, Baze duke kaluar në kampin e Ramës vërtet ka mbrojtjen e opozitës, por është një mbrojtje komprometuese për lirinë e fjalë dhe të vërtetën e plotë sepse nuk mund të flasë më për bëmat e Ramës. Dhe kjo nesër mund ta bëjë përgjegjës për rrahjen e ndonjë gazetari pro Berishë.
Dikush do të thotë nuk ka rrugë tjetër: të dalë e vërteta dhe të shtrëngohen rripat nga lufta midis dy palëve. Nuk jam kundër kësaj dialektike, por nuk mund të mos ve në dukje se përvoja që kemi me akuzat e ndërsjellta të dy palëve, që "harrojnë" përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara. Vetë ajo që ndodhi me Bazen e provon këtë ashtu sikurse edhe vetë gjendja e gazetarisë sonë në përgjithësi. Jo vetëm por, si gazetar, më duket detyrë ndaj të vërtetës të them se vetën kur opozita të fillojë të analizojë përgjegjësitë e veta për fenomenin Taçi, do të mund të ketë kredibilitetin e një alternative që ngjall shpresë për ndryshim. (Korrieri, 5 nentor 2009)

9 comments:

Anonymous said...

Pershendetje Z. Lubonja!
Jam nje lexues i rregullt i shkrimeve te tua dhe po aq i ndjeshem sa dhe ju per problemet e perditshme te ketij vendi.
Nuk e di Z. Lubonja por me duket se ne vendin tone ka shume pak gazetare te pavarur.
Arsyet pse mund te jene nga me te ndryshmet, si pavarsia ekonomike, paaftesia, lidhjet miqsore apo farefisnore me pronarin e medias etj.
Ajo qe mu me ben me shume pershtypje eshte fenomeni "opozite" te cilet dhe ju e permendet.
Me duket se opozita ne shqiperi qofte ajo e majte apo e djathte ka te njetin mision per te kryer. Te shaje te shpifi te ulerase e te cirret per probleme te cilat jane shume pak te prekshme nga populli...
Nuk besoj se Rama eshte i shqetesuar per lirine e medias pasi atij i interesojne qe te mos jene te lira..
SB

Anonymous said...

une mendoj se ketu nuk funksionon sistemi demokratik,dhe kjo eshte e kuptueshme se gjithe struktura e shtetit shqiptar eshte e kapur nga mafja ose sipas teoremave te konspiracionit nga shoqerite e fshehta okultiste,dhe problemi eshte shume delikat ne trajtimin e tematikes te parashtruar nga ajo qe ne e quajme medja e pavarur sepse nuk diet edhe burimi i finacimit te tyre qe ne te japim nje opinion sa me afer te vertetes se cfare eshte duke ndodhur me shoqerite mediatike, prandaj ketu kemi te bejme me ikjen sa ketej andej tegazetareve qe pretendojne se jane te pavarur,dhe kjo me ben skeptik per vertetesine qe ata pretendojne se i ofrojne publikut,megjithese nisen nga nje eksperience silogjistike ne lidhje me fenomenet qe trajtojne si te verteta kur edhe vete kane humbur besueshmerine subjektive ndajte vertetes[relative]sepse edhe vet kane qene ne perdorim te pushtetit ose instrumenta qe kane sjelle ne pushtet keto stuktura qe tani i mendojne si te kapura nga mafja duke qe ne dhe vete pjese e kesaj integraleje sepe ktu kemi te bejme me nje veprim mutualist medja-pushtet.prandaj une mendoj qe pastrimi[katarsisi] duhet te filloje nga medja,neradhe te pare mediat duhet te jene te pa vrura financiarisht qe te filloje dhe liria e tyre sepse kur atyre nuk ju dihet financimi eshte mese normale qe edhe strukturat e tjera shteterore si ne rastin konkret organi iakuzes te investigoje reth fenomenologjise per korrupsion kur ketu edhe vete media edhte biznes informal,dhe ka financime te dyshimta.kjo dukuri mund te marre trajte normale kur c'do gje ne kete shoqeri te jete trasparente.

Anonymous said...

Gjithmone e me i vogel me duket vetja ne vendim tim.
Shpresoj qe te mos vezhdoje pergjithmone

Anonymous said...

Kur ishim te vegjel (besoj ne te gjitha qytetet) luhej nje loje, ku te gjithe femijet ishin ne forme rrethi dhe me rradhe hidhnin nje gur lart duke e shoqeruar me fjalet:-Ti bjeri kujt ti bjeri vetes sime mos i bjeri. Tashti qe u rritem eshte po e njejta gje, gjuajme me fjale:- Ti bjeri kujt ti bjeri vetes sime mos i bjeri.....!!!

Anonymous said...

Shkrim shume i mire,me pelqeu!Ne qofte se do te ndroja profesionin tend nga gazetar ne mjek,do te thoja qe semundjen e trupit qe ka shqiperia,ja ke gjet ilacin.
cila eshte rruga e shpetimit?Kjo mbetet nje sfide ende ne perpjekje per tu fituar,pasi eshte nje rruge e larget.Keta qe jane sot,e kam fjalen per kete brez politikanesh as qe ka gjasa te kryejne sfiden.Gjendja eshte tejet e semure,eshte si ai shkopi qe ka rene ne lluce,dhe nuk di ku ta kapesh ne menyre qe dora te mos behet pis!
Mendoj se Mero ka te drejte dhe eshte nje gazetar,qe koha do ta tregoje se eshte vertete nje luftetar i vendosur per te zbardhur korupsionin e elitave,apo eshte i perkoheshem dhe ne sherbim te nje pjese te kesaj elite qe luan lojen,kush hyp i pari ne kala,fiton lojen!Kemi pas lujt njehere e nje kohe ne Pallatin e Pionerve,dhe atje kishte nje kala guri,ku ne thyenin gjunjte per te luajtur,kush hypen i pari!Ai qe fitonte lojen,kishte nje privilegj,i hypte ne kurriz shokut deri ne 50 m!
Ja kjo behet edhe sot ne politiken e elitareve politikane,qe kane ne dore pasuri te medha dhe mundesi te medha,per te ndryshuar gjendjen ne se duan vertet qe ate vend ta nxjerin nga balta!
Respekte,nga nje emigrant,i detyruar,fatkeq te jetoje jashte vendit,dhe endrave per te jetuar atje ku ka lindur atje ku balta eshte me embel se mjalta!

Anonymous said...

Z. Lubonja, fenomeni Taçi eshte dhe do te jete nje gangrene per shqiptaret. E them kete sepse siç e thoni edhe ju, ne Shqiperi e ben ligjin i padrejti, i forti.
Kam lexuar disa artikuj mbi kete milioner, dhe ajo qe me ka rene ne sy eshte nervozizmi i disa politikaneve qe nuk presin nje vendim gjykate por akuzojne sikur ata te ishin shenjterit e kombit.
Politikan ne Shqiperi do te thote kontrabandist, katundar, i pakulturuar, grindavec, mistrec, i paburre, i pagdhendur etj.
Shpresoj qe nderi i profesionit te gazetarit te shkoje ne vend dhe gjykata te mos trembet nga ministrat koketrashe, por ta denoje kete akt te shemtuar qe demton vendin dhe lirine e fjales, si nje nga vlerat me te larta ne nje familje demokratike.
Shpresoj!!!

ip 05.11.09 France

Anonymous said...

Pershendetje Zoti Lubonja
Lexova komentin tuaj dhe ne nje fare menyre treta analizen tende rreth fenomenit Taci. Ne pergjithesi denimi i ketij fenomeni eshte nje detyre simpliciste qytetare qe cdokush duhet te perqase. Por sic e analizoni edhe ju ceshtja nuk qendron ne nje fenomen te izoluar por ne nje concept tashme te materializuar ne mendesite a modelit shqiptar te zhvillimit. Me duket se ajo qe eshte vecanerisht shqetesuse eshte nje lloj sindromi Zhenevieve i cili ka mberthyer shoqerine shqiptare ne te cilin populli shqiptar nuk reagon pothuajse fare ne nje numer te pafund padrejtesisht te cilat jane tashme installuar ne sistemin shoqeror shqiptar. Shteti ligjor,(pa)drejtesia sic permendet nga ju, pronat,dhuna ose ligjin e ben me i forti jane disa nga gangrenat me domethenese ne scanerin e shoqerise shqiptare te sotme. Por nuk duhet harruar per asnje moment tradita ose me mire te themi jo tradita e atij vendi te perqafoj dhe installoj concepte potenciale the shtetit ligjor. Askush nuk shqetsohet te pyesi se nga dolen parate e Tacit( apo te tjereve si ai) per te blere Milanin ose Bolonjen. Dje ne emisionin tuaj te dashur Opinion profesor-deputeti Marku pothuajse e justifikoi Tacin sepse sipas tij Taci ska gazete ku te mund ti pergjigjet shpifjeve te Bazes. Ky eshte problemi nje "profesor i gazetarise" justifikon dhunen e jo Taci qe vjen nga dhuna, pasurohet me dhune e grabitje, dhe mbron grabitjet me me shume dhune
Ben

Anonymous said...

Zoti Lubonja,
Me vjen keq por mos pretendoni se meqe duke ndenjur larg pragmaticitetit politik te dites kujton se je i pavarur perkundrazi.

Juve shkruani:
"...Kjo cekësi, më irriton sa herë e dëgjoj sepse, si qytetar e gazetar, më duket sikur duan të më manipulojë, sikur të jem një trutharë, që nuk paska nxjerrë mësime nga e kaluara, apo që ka humbur memorien..."
Sa per tu rifreskuar memorien... e mbani mend se cfare keni thene per Sali Berishen nga vitet '97?

Ne kete shoqeri te gangrenizuar juve e dini shume mire se Rama nuk eshte aq fajtor sa Berisha.

Juve thoni se Mero Baze eshte i kompromentuar tani qe eshte pro Rames se s'mund te shkruaj kunder te tijve. Po mire atehere c'po beni juve kunder atyre te Sales, kunder atij Frangajt psh? Apo i ngrohni kolltukun aty tek Fevzo...
Perse nuk shkoni njehere tek Faktori plus per shembull te uleni?

Lerini denglat se jeni bere si komentatore bosh qe beni sikur thoni shume por nuk thoni asgje. Por jeni ne nje perpjekje te pafund qe te gjeni gjoja aresye kunder Rames. Rama po eshe natyre e nxituar dhe inatcore.. por edhe juve nuk jeni pak i tille.. bile dukeni nje prerje ..

Tani ka ardhur koha a aksionit ndersa juve na jepni leksione se kjo qeveri eshte zgjidhje optimale.
Nderkohe qe gjithkush e di se kutite nuk jane sekrete shteterore dhe moshapja e tyre inkriminon cdo qelise tjeter shoqerore...

Rama mund te kete bere gabime por a e dini perse i humbi zyrtarisht keto zgjedhje? Sepse nuk u perzie me llumin e te forteve militante.. po qe se Rama do tu thoshte te forteve te PS shkoni kercenoni .. do te ishte ndryshe situata.. prandaj vetem per kete juve duhet qe te qendroni prane tij ne kete situate ... dhe jo ne krah te Dem Dollapit me shoke..

Me vjen thejsht keq qe njeri me te till potencial si juve nuk flet hapur se cpo ndodh ....shpresoj t emos jete ndonje luge corbe..

Leon Kaza said...

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë Edi Rama akuzoi pas ngjarjes drejtpërdrejt Sali Berishën duke deklaruar se "ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me të, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë ai për t'u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit". Më vjen ta aprovoj plotësisht këtë pohim, por më ngecet aprovimi në fyt.....


Kaq keni shkruar ju zoti Lubonja per te perligjur me tej te gjitha rrjeshtat e pamate poshte tyre kunder Rames. Po me duket se i gjithe qelllimi i shkrimit paska qene thjeshte sa per te gjetur kete "por-in" e me tej per te vazhduar historine e vjeter kunder Rames. Zoti Lubonja ne asnje vend te botes politikanet nuk jane engjej, opinioni publik, analistet e te tjere zera publik ushtrojne gjithe presionin e mundshem per t'i ndryshuar sa me shume te jete e mundur kah e mira. Ne thuajse te gjithe shkrimet tuaja ka vetem nje lajtmotiv "Berisha i ka ca gabime po edhe Rama ka ca te tjera..." Kete e dime zoti Lubonja, problemi eshte te japim nje ide si mund te dilet nga qorrsokaku dhe te mos ulemi te shkruajme analiza perfundimet e se ciles ka vite qe i dime. Vjen nje moment ku opinionisti, gazetari, analisti ashtu si qytetari i thjeshte pozicionohet, mbron nje qendrim, nje aksion se sa per te thene Berisha e Rama jane plot defekte, kete e dime, po e provojme perdite... Cili eshte pozicioni yt zoti Lubonja?