Tuesday, November 3, 2009

Mbi kufirin detar dhe jo vetëm

Një lexues i shkrimeve te mija më pyeste nëpërmjet internetit pse nuk jam prononcuar për punën e kufirit detar. E falenderoj që më dha rastin të shprehem për këtë çështje sepse, për të qenë i sinqertë, nuk kisha ndërmend të shkruaja pa ma kërkuar kush mendimin. Po pse nuk kisha ndërmend të shkruaja? Zakonisht heshtje të tilla nga shumica interpretohen si heshtje që flasin. Në këtë rast një heshtje e tillë mund të interpretohet se ky gazetar mund të jetë dakort me qeverinë apo se po konformohet. Edhe letra e lexuesit kishte një konotacion gati sikur më fajësonte që nuk kisha shkruar për humbjen e 370 km katror sipërfaqe ujore shqiptare.
Heshtja ime lidhur me këtë çështje nuk ka të bëjë as me anësi dhe as me ndonjë konformizëm. Nuk kam shkruar lidhur me këtë çështje për dy shkaqe. Së pari, për të respektuar seriozitetin e profesionit të gazetarit që, sipas meje, duhet të synojë të thotë gjithmonë vetëm të vërtetën, ndërsa, lidhur me këtë çështje, të vërtetën ma mbulojnë luftrat për pushtet midis palëve: me fjalë të tjera nuk jam i sigurt nëse kufiri është ndarë me të drejtë apo vërtet ka hile në favor të grekëve. Së dyti, sepse, nëse është e vërtetë kjo e dyta, përsëri këtë nuk e shoh aq të rëndë në krahasim me gjëra të tjera për të cilat nuk kam reshtur së shkruari. Le të shpjegohem për të dyja njëherësh.
Nuk kam pikën e dyshimit se kategoria e politikanëve që kemi ne në krye të vendit, në vazhdën e atyre paraardhës, për të ndejtur në pushtet mund të falin jo 370 km katror det që banohet nga peshqit, por edhe 370 km katror tokë që banohet nga shqiptarë. Jo vetëm kaq, por, për pushtetin, mund edhe të shkatërrojnë 27 mijë kilometra katrorë të shteti shqipar. Jo vetëm kaq, por - duke patur parasysh se jeta e njerëzve vlen më shumë se dheu apo uji - mund të them, pa frikën se gaboj, se për pushtet ata janë gati të shkatërrojnë edhe jetët e shqiptarëve. Historikisht ka qenë kështu duke filluar me Zogun e pastaj me Hoxhën për të mbrritur në politikanët e paskomunizmit.
Në fakt e tërë historia e trajtimit të territorit shqiptar nga politikanët tanë aktualë nuk është gjë tjetër veçse një abuzim me territorin e këtij vendi për punë pushteti dhe paraje aq sa, jam i sigurtë se, nëse amerikanët do të donin të ngrinin nesër një bazë ushtarake në vendin tonë këta tanët edhe gjysmën e territorit shqiptar do t'ua jepnin me gëzim vetëm që të rrinin në pushtet. E nesër, sikur pushteti i tyre të varej nga kinezët, do të bënin të njëjtën gjë me ta.
Për mua abuzimi brenda përbrenda vendit është edhe më i rëndë sesa falja (sikur ta kemi falur) e 370 km katror det. Kjo puna e kufirit thjesht kërkon të manipulojë një ndjenjë kombëtare, por dëmi që i është bërë e po i bëhet brenda vendit, edhe nga ata që bërtasin për tradhëti kombëtare, është shumë më i madh edhe ekonomikisht për sot dhe për brezat që do të vijnë. Ne kemi në krye të vendit politikanë që kanë prerë pyjet e Shqipërisë për t'i shitur për përfitime vetiake në Itali, që kanë ngrënë shpërfyturuar lumenjët me lavatriçet e tyre, që kanë helmuar hapësira pa fund me ndotje gjithfarëshe, që kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme pjesë të çmuara të bregdetit për të ngritur pallatet e vilat e tyre, që kanë shkatërruar tokat e bukës në mënyrë të pakthyeshme, që u kanë vënë kazmën monumenteve të panumërta kulturore për të ngritur pallatet e tyre. Ajo çka po ndodh sot me mijëra km katror që po u jepen të huajve me konçesionet për 99 vjet, që të shfrytëzojnë territorin shqiptar për interesat e tyre, deri sa të hanë edhe malet, ju siguroj që është më e rëndë, pasi, tek e fundit, nëse me atë 370 km katror det kemi humbur - nëse është e vërtetë - mundësinë për të kapur ca peshk më shumë apo për të nxjerrë ca naftë - ne po humbasim brenda territorit tonë shumë më tepër mundësira nga paaftësia dhe babëzia e politikanëve. Le të ulen ekspertë dhe të bëjnë llogari me laps në dorë po të duan.
Por le të kthehemi tek çështja e kufirit detar. Nuk e përjashtoj që edhe në çështjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë të ketë ndikuar kjo politikë e pushtetit me çdo çmim. Madje nuk e përjashtoj që edhe opozita heshti në fillim për shkak të së njëjtës mendësi: se mos humbet pikë me grekët dhe ata nuk e mbështesin për bojkotin e ku di unë. Për mua edhe kundërshtimi që ajo po bën për fabrikat e çimentos, tecet me qymyr, petroliferat e parqet industriale është shumë i zbehtë pikërisht për këtë arësye. Thënë të gjitha këto - prapë nuk them dot me bindje se në rastin e përcaktimit të kufirit detar kemi të bëjmë me falje hapësire ujore. Kjo sepse më duket se gjëja do të ishte shumë flagrante dhe diskredituese për grekët në kontekstin evropian. Mirëpo lexuesi im mund të thotë: po pse nuk është diskredituese për italianët që të vijnë ta kthejnë territorin tonë në koshin e plehërave të Evropës? Ky është një argument që qëndron dhe që na bën ta shohim edhe më me dyshim marrëveshjen, por gjithsesi nuk është provë e mjaftueshme. Si provë të mjaftueshme unë do të kërkoja vlerësimin e një eksperti apo grupi ekspertësh të cilët do ta shihnin hartën dhe do të hiqnin vijat ndarëse të kufirit në një mënyrë të atillë sikur të mos e dinin fare se për cilin shtet bëhet fjalë. Ajo që më duket e padurueshme është se si nuk kemi askend që të japë një gjykim të tillë të paanshëm për këtë punë, që të ketë autoritet të padiskutueshëm, ndërkohë që kjo më duket shumë e lehtë. Ne kemi dëgjuar ekspertë të Berishës dhe ekspertë të opozitës, por jo ekspertë fjala e të cilëve të jetë e padiskutueshme. Edhe sikur ndonjë shoqatë joqeveritare të marrë nisiativën të thërresë ekspertë të pavurur të cilëve t'u kërkojë të caktojnë kufirin detar, përsëri kam frikë se, varësisht nga çka do të thonë ekspertët, ajo do të cilësohet në shërbim të Berishës apo në shërbim të Ramës. Ashtu sikurse ndodh, për fat të keq, edhe me mediat ku gjysma e tyre asgjëson tjetrën duke vrarë të vërtetën. Në rastin konkret bëhet edhe më e vështirë gjetja e së vërtetës pasi përcaktimi i saj lidhur me këtë çështje nuk është i ngjashëm me çështje të tjera ku gazetarit mund t'i mjaftojnë njohuritë e tij. Personalisht ndjehem shumë i sigurt se po them të vërtetën kur e akuzoj qeverinë për bëmat me fabrikat e çimentos me konçesionet për parqe industriale, tece me qymur etj., paçka se për ndonjërën prej tyre mund të ketë edhe kundërargumente. Kurse këtu bëhet fjalë për një punë shumë teknike për të cilën gazetari, që të japë gjykimin, ka nevojë për vlerësimin teknik të ekpertit. Nga sa kam ndjekur në shtyp e në media qeveria deklaron se ka respektuar principin e barazlargësisë. Dhe këtu del çështja e një ishulli grek i cili, nëse llogaritet si territor grek, atëhere del se barazlargësia është respektuar dhe ka të drejtë qeveria. Mirëpo dalin të tjerë që thonë se ka edhe kritere të tjera në ligjin ndërkombëtar që duhen respektuar e se, në bazë të këtyre kritereve, kufiri duhet të ishte më në favor të palës shqiptare.
Së fundi lexova se lidhur me këtë çështje Presidenti Topi ka thënë se duhet të kemi besim tek institucionet e shtetit si Parlamenti e Gjykata Kushtetuese. Por i gjithë problemi këtu është se ne nuk kemi besim tek shteti sepse ai na ka dhënë prova pa numër për të mos e patur këtë besim. Shih Gërdecin zoti Topi. I gjithë problemi qëndron në atë se shteti është "i kapur", siç thoshte edhe Berisha e Topi kur ishin në opozitë.
Mendimi im është se në këtë rast përsëri duhet të thërresim ndërkombëtarët të na thonë a është e drejtë apo jo kjo vijë kufitare. Me shpresën se kësaj here ndoshta nuk do të kenë ndonjë interes të na japin një përgjigje të tipit: është dhe s'është me barrë. (Korrieri, 2 nëntor 2009)

7 comments:

Anonymous said...

Juve Ju faliminderit qe me falenderoni, po Ju falenderoj une 100 here per shkrimin. Keni shkruar e keni folur me cilesi e sasi sa qe keni marre cmime nga te huajt (ju akam thene dhe nje here nuk e di a keni marre nje cmim Shqiptar) dhe keni bere shume mire. Ju jeni formatuar ne nje dimension dhe format shume cilesor dhe pesha e asaj qe shkruani dhe thoni Ju eshte ndryshe dhe ka peshe me te vertete ndryshe, ka shkalle perceptimi dhe reagimi ndryshe. ashtu sic eshte ndryshe po ta shkruaj une qofte me cilesine tuaj perseri eshte ndryshe se vetem nga emri ndoshta nuk e lexon asnje njeri. Prandaj i nderuaeri Lubonja bete shume mire qe e shkruajtet shkrimin. Cdo shkrim i Juaji ja ngushton hapsiren se keqes dhe ja zgjeron se mires. Faliminderit

fjorent said...

Z. Lubonja, si shume te tjere po pres artikullin tuaj mbi ate qe i ndodhi Z. Baze.

jeni ende i bindur se rreziku me i madh demokracise se brishte shqiptare i vjen nga kryetari i opozites?

Maldi said...

Zoti Lubonja
E lexova me vemendje artikullin tuaj dhe me lejoni te shkruaj nje koment lidhur me ceshtjen e kufijve dhe jo vetem.
Ceshtjet qe trazojne masat jane dy. Patriotizmi dhe pasuria. Masat dmth populli eshte energjizuar nga pseudonacionalistet sic ndodh ne vendet e Azise.Detajet e kesaj marreveshjeje mungojne. Atehere perderisa transparenca e qeverise mungon, eksizton nje casus belli ndaj kesaj marreveshjeje. Ne te njejten kohe ceshtja nuk eshte vetem kufijte por ne te njejten kohe edhe integriteti i Bashkimit Europian ne te cilin shteti yne deshperimisht kerkon te fuse Shqiperine dhe ne perberje te te cilit "nuk ka rendesi te kesh kufij" etj etj. Dmth kemi frike se me kete marreveshje mund te ngacmojme BEne. Keto idealizma te cmendura te qeverise sone i ngjasojne idealizmit te ish republikave sovietike qe u bashkuan ne "vellazerine" e BRSS ne te cilen "nuk kishte rendesi cfare ishe e nga vije se ne fund te fundit ishe sovjetik. Por konfliktet e shek te 20 e treguan se keto lloj "vellazerimesh" jane te rrezikshem . Ne cfaredolloj kornize ligjore ato ndermerren ne qenie ato lindin nga idealizma.
Prandaj duhet njefare skepticizmi aq me teper kur nuk perben cudi te deklarosh qe morali i qeverise drejtuese meriton note teper te ulet dhe ne te njejten kohe nuk eshte po ashtu cudi te deklarosh se qeverite e shtetit grek nuk kane vepruar gjithmone nen kushtet e fqinjesise se mire.
Nderime
MK

Anonymous said...

Mos ju duket gje z Lubonja si "multi service". Pikerisht me faktin qe i kerkoni Lubonjes se cfare te shkruaj tregon nje lloje fshehje te pergjegjesise qytetare. Demokracia nuk kerrcenohet vetem nga lideri opozites, apo i pozites, ajo kerrcenohet edhe nga ndrojtia apo heshtia qytetare. Nese kjo do te ndodhte ne ndonje vend me demokraci normale (perfshire edhe shtetin i cili mendohet se po na merr padrejtesisht nje pjese te ujerave) qytetaret do te dilnin neper sheshe menjehere dhe pa nevojen e nxities nga shoqeria civile apo media. Keshtu pra, per ceshtien e Bazes dhe Taci Oil menyra me efikase per ta kufizuar te keqen eshte me reagim te menjehershem qytetar. G Ll

denada said...

Miredita Z.Lubonja

jam nje studente shqipetare ne Itali(Genova)Fakulteti i shkencave te komunikazionit,mbasi lexova me shume vemendje nje nga librat e juaj per mua shume interesant: "Intervista sull'Albania, dalle carceri di Enver Hoxha al liberismo selvaggio",duke perfituar nga mundesia qe ju gjeta ne blog, doja tu beja nje pyetje:
C'fare ndryshimi ka pesuar shqiperia/realiteti shqipetar gati 20 vjet mbas renies se komunizmit? c'fare ka pesuar immigracioni shqiptar?

Faleminderit

Anonymous said...

Zoti lubonja, une bie dakort me gjykimin tuaj se ne jemi akoma te paafte per te marre vetveten persiper, e jo me te drejtojme te tjeret ne çfaredo niveli qofte kjo pergjegjesi, duke perfshire edhe drejtimine shtetit. Eshte e dukshme se ne akoma kerkojme te arfimojme personin tone nepermjet gjykimit te tjetreve qofshin keta te huaj apo jo, qofte ky gjykim negativ apo i tille , as mish as peshk. Dhe me te vertete eshte per t'u habitur se ne jemi gati shesim edhe veten tone per syefaqesi (gjykimin e te tjereve), dhe akoma me e habitshme eshte se e pranojme ate si te vertete absolute, edhe nese jemi te bindur per te kundrten. Do te doja te permendja ketu nje shprehje te Imanuel Kant (filozof gjerma i shek. 18) Ceshtja e perdorimit te intelktit nuk eshte se ajo na mungon por ajo qe na mungon eshte foca dhe vullneti per ta perdorur ate.
Kur do ta kuptojne shqiptaret kete?!

tom said...

po