Tuesday, January 19, 2010

Përgjigje një lexuesi

Një lexues kishte vendosur në internet një koment për shkrimin tim "Punë batakçinjsh" ku shkruante me një lloj qesëndie të lehtë, por edhe shumë të arësyeshme: "Vetëdija që të dyja palët politike përfaqësojnë, në thelb, të njëjtën kastë gjysëm-kriminale të pasuruarish në kurriz të pronës publike ekziston gjerësisht në shoqërinë shqiptare […] Tashmë një denoncim më shumë nuk i bën gjë tjetër publikut shqiptar përveçse i trash shollën gjithsesi tepër të trashë që i është krijuar ndaj "skandaleve" të përjavëshme. […] E thënë shkurt, që këta janë "horra" këtë e dimë, por se si mund të ndodhë konkretisht gjenerimi i një alternative është çështje ku ka nevojë për mendime kritike e konstruktive."
Si shumë lexues të tjerë, numri i të cilëve vë re se, fatmirësisht, është shtuar kohët e fundit, edhe ky lexues, ngulmonte se energjitë duhen përqendruar tek krijimi apo mbështetja e alternativave më tepër sesa tek denoncimi i elitave aktuale dhe, në këtë kontekst, vinte në dukje se diskutimeve mbi alternativat ndaj kësaj elite të korruptuar nuk u jepet as rëndësia, as hapësira e as vëmendja e duhur.
Më së pari dua t'i përgjigjem përsa i përket çështjes së denoncimeve. Nuk pajtohem me idenë se një denoncim më shumë sot bën efektin e kundërt: trash edhe më lëkurën e shoqërisë. Në vështrim të parë mund të duket kështu, ngase një denoncim duhet të shoqërohet me një reagim ndaj të keqes që ai denoncon, nëpërmjet gjykatave psh. kurse, kur nuk ndodh kjo, duket se të denoncuarit fitojnë të drejtën për të bërë skandalin e radhës, kurse publiku, duke parë se skandali vetëm trash skandalin, mund të thotë: më mirë të mos e dinim se kështu nuk do të kishim vuajtjen e një padrejtësie më tepër të pandëshkuar. Por, sipas meje, sikur të ndodhte që askush të mos reagonte më për asnjë lloj skandali, apo sikur skandalet të zhvilloheshin në heshtje, atëhere do të ishte edhe më keq. Mospranimi dhe denoncimi i së keqes, qoftë edhe vetëm me fjalë, është shumë më mirë sesa heshtja. "Të tregosh ç'po ndodh në vend, është sikur të krijosh antikorpe." thotë një denoncues i njohur, autori i librit "Camorra", Roberto Savjano. Denoncimi është premisa e parë për të ngritur pastaj edhe nevojën e diskutimeve e propozimeve për ndryshim. Nuk ka denoncim që të mos përmbajë, në mënyrë direkte apo indirekte, edhe propozimin per ndryshimin që është, si të thuash, ana tjetër e medaljes së denoncimit. Në shkrimin tim të fundit në mënyrë më eksplicite bëhej edhe një propozim. Thoja se kjo krizë ekonomike e ky konflikt politik që po kalojmë, që gjeneron nga interesa të ngushta dy partish/banda që janë mësuar të jetojnë duke grabitur, e që tani u është pakësuar ushqimi në xhungël, duhet të ndihmojë që në të dy kampet të "vritet" radha e parë e atyre që janë më përgjegjës dhe më të kriminalizuar dhe të dalë në krye radha e dytë më e moderuar më e ndjeshme ndaj nevojës për ndryshim. Është thjesht një propozim që, pas shumë gjasash, nuk do të realizohet, por është një propozim që kërkon të hapë edhe diskutim siç ka hapur psh. tek lexuesi në fjale dhe tek një pjesë që e kanë kundërshtuar duke e quajtur jorealist e duke kërkuar alternativën.
Po ashtu dua të them se çështja e denoncimit të skandaleve nuk është thjesht e vetëm çështje e njohjes së të keqes dhe gjetjes së alternativave ndaj saj, por është edhe çështje lirie. Shpesh herë mosdenoncimi i së keqes tregon shkallë edhe më të ulta lirie. Pra denoncimi vlen qoftë edhe për të mbajtur gjallë disa të drejta themelore, siç është liria e shprehjes. Dhe unë besoj se problemi i kësaj lirie nuk është një problem i tejkaluar në shoqërinë shqiptare, përkundrazi. Vërtet ka denoncime në media, por ajo që vihet re në shumicën e tyre është se ato nuk janë denoncime të kastës në tërësinë e vet, por denoncime selektive në emër të interesave të njërës pjesë të kastës kundër tjetrës, që, sikurse e kam shtjelluar në disa shkrime paraardhës, nuk është e njëjta gjë, pasi denoncimet e këtij lloji nuk kanë kredibilitetin e qëllimit të mirë, por edhe nuk rrokin thelbin e fenomenit që denoncohet, që është i përbashkët në të dy kampet.
Kjo shpjegon edhe pse ka aq pak diskutime për nevojën e ndërtimit të një alternative ndaj kësaj elite: pasi hapësirën publike e ka pushtuar kjo elitë e cila lejon të goditet njëri krah në emër të krahut tjetër, (madje ajo edhe mbijeton në sajë të kësaj loje gjoja demokratike), por që do të shqetësohej shumë po të goditej në të dy krahët e saj nga një lëvizje alternative.
Po ashtu diskutimi i alternativave bëhet edhe më I vështirë sepse aktorët që mund ta duan këtë diskutim janë të paorganizuar. Mua më rezulton se ata janë kryesisht individë të shoqërisë civile të internetit, shpesh të shpërdarë në të katër anët e botës, që ndjehen më të lirë mu pse janë të pavarur ekonomikisht nga elita në fjalë e që, megjithatë, edhe në internet shkruajnë si anonimë ose me pseudonime, siç është edhe rasti i lexuesit në fjalë.
Prandaj, sipas meje, mbetet në fuqi dilema: një alternativë ndaj kësaj elite apo emancipim gradual i kësaj elite.
Kush i ka ndjekur shkrimet e mija në vazhdimësi do të gjejë kontradiktën lidhur me këtë dilemë ku herë i mëshoj idesë së nevojës së një alternative dhe herë emancipimit gradual brenda kësaj elite. Duke dashur t'i pajtoj këto dy opsione do të formuloja pak a shumë një mendim të tillë: duhet ndërtuar një elitë e re, një alternativë pra ndaj kësaj elite, por nga nga tjetër, kjo është e vështirë për shumë arsye ndër të cilat edhe ajo se një elitë injorante dhe e korruptuar vështirë se pjell të rinj të ndritur e të ndershëm; kombinuar kjo me faktin se në vende ku mbretëron një elitë e tillë më të mirët detyrohen të ikin. Po të vesh re historinë e revolucioneve që kanë sjellë progres këta nuk kanë ardhur si reagim ndaj shtypjeve të etërve, por si rezultat i iluminimit të tyre. Ndërsa një elitë që nuk emancipohet, por vjen duke u degraduar, sa më shumë që mban pushtetin, sjell një rrëzim të shëmtuar që vështirë se pjell ndonjë gjë pozitive. Ja pse ndoshta zgjidhja më e mirë do të ishte kombinimi i përpjekjeve për të emancipuar elitën ekzistuese brenda institucioneve ekzistuese me përpjekjet për krijimin e alternativave që i denoncojnë e refuzojnë këta. Dikush do të thotë se janë dy gjëra që përjashtojnë njëra tjetrën. Do të thoja se sa më demokratik të jetë një vend aq më shumë ekziston mundësia e bashkekzistencës së këtyre dy opsioneve. Një arsye më shumë kjo për të mbështetur ardhjen në krye të partive/banda të figurave më të pastra e më pak autoritare.
Edhe një gjë tjetër më sjell ndërmend kërkesa për zgjidhje. Në letrën e tij, lexuesi kërkon të gjejë një zgjidhje dhe sugjeron diçka që, sipas mendmit tim, më shumë sesa zgjidhje është një denoncim interesant. Ai thotë se Tirana, si qendër kulturore, mediatike e ideologjike, duhet të vihet në një pikëpyetje shumë shumë serioze pasi në këtë qytet është ngritur një kulturë korrupsioni e pashembullt që përshkon të gjitha shtresat shoqërore e që mbyt çdo lëvizje alternative që në filiz. Sipas tij ka ardhur koha të mendohet seriozisht për fuqizimin gradual kulturor e ideologjik të një qyteti tjetër shqiptar ku alternativat eventuale politike do të mund ta kalonin kohën e inkubimit dhe lulëzimit të tyre të patrazuara nga korrupsioni dhe forca konformuese e Tiranës.
Besoj se edhe kjo zgjidhje që jep lexuesi tregon se sa e vështirë është gjetja e zgjidhjes. Sepse, sipas meje, është më e lehtë të ndërtosh në Tiranë një minorancë që arrin e bëhet masë kritike e maxhorancë nesër sesa të ndërtosh nga e para një kryeqytet alternativ ndaj Tiranës përsa i përket pushteti politik, ekonomik dhe kulturor. Është po ashtu e paimagjinueshme se si ky ishull i moralshëm do të mund të "zaptonte" pjesën tjetër të pamoralshme të vendit.
Prandaj kur shtrojmë problemin e gjetjes së zgjidhjes më duket se duhet të kemi parasysh një gjë: se e keqja që përjetojmë nuk ka zgjidhje të menjëherëshme. Nuk është pra si të thuash se ne, që tentojmë të bëjmë analiza, jemi në rolin e mjekut të paditur që nuk e diagnostikon saktë të sëmurin dhe prandaj jep terapi të gabuar dhe sëmundja vazhdon. Përdorimi i metaforës së trupit të sëmurë ka kufizimin e vet. Nuk është si të gjesh një terapi intensive që do ta zhdukte të keqen në një kohë të shkurtër dhe përfundimisht. Të keqen ne e dimë se cila është, madje teorikisht dimë se çfarë do të duhej për ta pastruar atë, por nuk mundim ta bëjmë dot këtë pasi trupi shoqëror nuk është si një trup i vetëm njeriu që gëlltit një ilaç apo kryen një operacion e shërohet. Ai është një gjë shumë më komplekse. Mjaft të kesh parasysh se instrumentet e operacionit në fjalë, dmth. pushtetin dhe institucionet e tij, që janë edhe instrumentet për ta ndryshuar realitetin, e ka në dorë ajo elitë që nuk ka interes për këtë shërim pasi ky do të thotë pikërisht goditje e saj. Ja pse them se qoftë edhe vetëm denoncimet kanë rëndësi. Sepse ato do të ndihmonin, gjithsesi, për të prodhuar "antikorpe" çka do të thotë, mes tjerash, për të vetëdijësuar jo vetëm shoqërinë në përgjithësi, por edhe pjesën më të ditur e më pak të komprometuar të kësaj elite, për atë se, në terma afatgjata, bashkë me trupin që vdes do të mbarojë edhe ajo. Prandaj dhe emancipimi i elitës që ka në dorë institucionet e pushtetit mendoj se është i rëndësishëm. Por, pa dyshim, këtë emancipim do ta përshpejtonin ata që, duke e quajtur të pamjaftueshëm atë, do të kërkonin ndërtimin e një alternative, do të organizoheshin për ta realizuar atë e për ta futur në skenën e demokracisë së brishtë shqiptare. (Korrieri, 19 Janar)

8 comments:

Anonymous said...

Do doja thjeshte te specifikoja dicka si lexues i z Lubonja. Edhe une kam lexuar jo pak shkrime te tije, sidomos ato te kapjes se ekonomise nga ekonomija informale, por duke i lexuar keto edhe pse kam konstatuar nje lloje mungese alternative, kjo per faktin se eshte e pamundur te gjesh nje laternative ligjore ne nje vend ku nuk zbatohet ligji dhe ku kriminaliteti kontrollon gjithcka(ah alternativa joligjore mund te kete, po se besoj se i kerkoni kete Lubonjes) me lind nje pyetje, pse ka disa persona qe denoncimit te zotit Lubonja i pergjigjen me akuze se kjo nuk mjafton po madie demton?
Le ta bejme kete pyetje te gjithe ne qe i lexojme shkrimet e tij dhe ndonese shohim mungese alternative apo pesimizem (ndonese realist) pse ne nuk i shtrojme te njejtat pyetje, por perkundrazi ndjejme nje lloje mirenjohje per punen mundin e tij dhe analizen e tij te pavarur dhe dobiprurese qe na percjell?! pse kemi ne nje reagim te kundert madie hinspirues per ndonje?
Mendoj se kjo kritike nuk eshte e sinqerte gjithmone duke perjashtuar rastin e nje reagimi impuls, apo mospelqim ndaj Lubonjes si gazetar (pavaresisht se edhe kjo e fundit nuk mund te konsiderohet e sinqerte 100%).
Dhe per ti bere parapritje ndonjerit ne lidhje me shembullin e revolucioneve qe permendet ne shkrim dua tju them kujdesni sepse edhe ne kete rast Lubonja ka te drejte. Ishte regjimi i kaluar ai qe na ka dizinformuar rreth kesaj ceshtie, shembulli me konkret eshte ai i Revolucionit Francez. Nderkohe qe ai na e Paraqet Luigjin e XVI si me te egrin dhe mbreterimin e tij si me brutalin, historia e pare jashte kesaj propagande na thote krejte te kunderten, Luigji i XVI ishte i vetmi mbret qe e delegoje pushtetin e tij qe para revolucionit dhe lideret e revolucionit nuk e kishin per problem te bashkeqeverisnin me te mjafton qe te kishte nje republike (eshte problem tjeter se c'ndodhi pas 3 vitesh).
Tani do thote ndonjeri po kjo e revolucionit c'na duhet, mbase do kene te drejte mbase edhe nuk na duhet, por kujdesni jo gjithcka nuk na duhet qofte edhe "denoncimi" i Lubonjes, pavaresisht se per mua ai eshte nje nder shkrimet e tijme te mire.

Endri said...

--------

ndaj shkrimit tuaj te fundit po ju dergoj pergjigjen e meposhtme qe per aresye gjatesie po e ndaj ne dy komente. Pergjigjen e gjeni te plote dhe tek blogu im http://veshtrime.blogspot.com

-----

Pjesa 1

I dashur Z. Lubonja,

ju falenderoj për përgjigjen dhe vëmendjen ndaj komentit që kisha shkruar tek artikulli juaj i mëparshem "Punë batakçinjsh".

Tek kjo përgjigje ju keni prekur shumë pika të rëndësishme. Më lejoni ti shtjelloj pak më thellë disa mendime për një pjesë të atyre pikave që i kisha shkruar edhe tek komenti i mëparshëm.

Së pari, mendoj se denoncimet kanë vlerën e vet, aq me tepër kur janë elokuente e me një llogjike solide si ato që shkruani ju, pasi ato bien në kontrast të fortë me denoncimet e përjavshme dhe kryesisht të rreme që degjojmë nga dy palët kryesore politike. Si të tilla denoncimet tuaja nuk janë njëlloj me denoncimet që prodhohen rregullisht nga pjesa më e mirë e mediave tiranase që kanë për synim vetëm lavazhin gjeneral të trurit për publikun. Kërkoj të falur që në zellin përgjithësues të komentit tim denoncimet tuaja i futa padashje në të njëjtën kategori.

Mua, dhe besoj edhe jo pak njerezve te tjerë, më vjen megjithatë keq që penat e rralla cilësore në Tiranë të harxhojnë aq energji e kohë me denoncime, sado cilësore qofshin ato. Mbase një pjesë sado të vogël të kohës dhe energjisë suaj mund t'ia dedikoni dhe gjetjes e formulimit të zgjidhjeve pikërisht mu pse ato janë aq komplekse dhe të vështira për terrenin specifik shqiptar.

Askush nuk kërkon nga ju dhe njerëz si ju që të dilni me flamur në dorë apo të jeni aktivistë direkt. Njeriu fundja ka të drejtën e plotë të bëjë atë që di më mirë. Për më tepër, si ajo çfarë ju bëni aktualisht, si puna juaj e mëparshme është jashtëzakonisht e vlefshme dhe të jeni të sigurtë që gëzoni respekt intelektual të thellë mes shumë të rinjve ndër të tjerash dhe atë timin. Megjithatë besoj se është më konstruktive që mendimet dhe njohuritë që keni për realitetin e shoqerinë shqiptare ti hidhni në një seri esesh ku të përqëndroheni pikërisht tek zgjidhjet apo kombinimi i zgjidhjeve që ju mendoni si më të përshtatshmet. Mbase mund ti përmblidhni këto shkrime në një libërth të vogël apo/edhe ti publikoni rregullisht nëpër gazeta në intervale të caktuara duke i dhënë në këtë mënyrë prominencën e merituar. Kjo, pasi është pikërisht formulimi i zgjidhjeve konkrete e të prekshme ajo që mungon më tepër në diskutimet publike në Tiranë, përtej thënieve të përgjithshme si "shteti i së drejtës" apo "forcimi i institucioneve/gjykatave" etj.

Kur flisja për alternativa nuk kisha shumë parasysh alternativat revolucionare që do të ishin gati të përmbysnin nëpërmjet dhunës direkte apo indirekte palët ekzistuese. Shumë më tepër kisha parasysh ato grupe të vogla e kompakte që funksionojnë në bazë të një kodi të caktuar vlerash dhe që e ushtrojnë pushtetin ndër të tjerash apo kryesisht nëpërmjet shembullit/modelit dhe që fuqinë e brendshme e gjenerojnë nga kompaktësia dhe organizimi që kanë.

Natyrisht që do të isha naiv po të mendoja se zgjidhja me "Z" të madhe do të ishte vetem një e vetme. Shumë më tepër, si tek çdo problem kompleks, "Zgjidhja" gjendet tek një kombinim kompleks metodash e proçesesh pra tek një kombinim "zgjidhjesh". Konkretisht edhe unë mendoj se një kombinim i alternativave të reja dhe i evoluimit të brendshëm të grupeve kryesore politike shqiptare është opsioni më i mundshëm dhe konstruktiv për përmirësim të qëndrueshëm e afatgjatë.

Pikërisht si pjesë e këtij kombinimi zgjidhjesh potenciale duhet parë dhe ideja e zhvillimit të një alternative ndaj Tiranës si qendër. Mbase fillimisht vetëm në aspektin kulturor pasi nuk është normale që përtej Tiranës qytetet e tjera të jenë shndërruar në vitet e fundit në shkretëtira kulturore.

Endri said...

Pjesa 2
----

Vetë Tiranës, kjo alternative do ti shërbente jo aq duke i ushtruar direkt ndonjë pushtet, d.m.th. nëpërmjet "zaptimit" por indirekt, nëpërmjet forcës së shembullit, nëpërmjet modelit, nëpërmjet asaj që e quajnë "pushtet i butë" i cili sipas shumë gjasave mund të katalizojë dhe vërë në lëvizje dinamika të brendshme të fuqishme deri më tani letargjike dhe pa kockë.

Modelet perëndimore fatkeqësisht janë akoma shumë të largëta për shqiptarin e thjeshtë që nuk ka udhëtuar ndonjëhere përtej kufijve. Këto modele edhe janë manipuluar zhdërvjelltësisht nga elitat aktuale qoftë nga qëllimi dashakeqës qoftë nga injoranca e mosnjohja e tyre. Thjesht të kujtojmë ajo çfarë kuptohet me "Tregun e lirë", apo të kujtojmë shembullin akoma më bajat, BE-në dorën vetë dhe anëtarësimin mitik në të apo tö ngjashme. Poashtu, kush ka parë tjetër qytet nuk mund ti thotë Tiranës "metropol" paçka se Tirana akoma sot, pas katrahurës së ndërtimeve të këtyre njëzet vjetëve, e ka ruajtur një pjesë të vogël të hijeshisë gjithsesi provinciale që ka patur më parë. Vetë suksesi fillestar i Edi Ramës në rang kombëtar u zhvillua pikërisht si rezultat i "modelit" Tiranë që arriti të krijonte në kokat e njerëzve nëpërmjet reformave ku nuk mund ti mohohen disa merita si dhe iluzioneve optike mediatike që binin shumë në sy pas shkretëtirës se 97-tës. Pushteti i tij (Edi Ramës) tek njerëzit e theshtë akoma sot mendoj se i detyrohet shumë rrënojave të atij modeli që ngriti gati dhjetë vjet më parë mbase dhe me idealizëm. Unë mendoj se një model i afërt dhe i prekshëm për shqiptarët, sado i vogël qoftë, ka rrezatim më të madh se çdo lloj zaptimi.

Përse mendoj se zhvillimi gradual i një qyteti tjetër është më i përshtatshëm sesa një grup brenda Tiranës? Kjo është e thjeshtë. Dhe mund të arsyetohet bile me një llogjikë të thjeshtë statistikore. Në Tiranë mund të ketë me qindra kësi grupesh pikërisht sepse Tirana është e madhe. Këto grupe konkurojnë me ose pa dashje me njëra tjetrën për të njëjtën hapësire publike, d.m.th. për çikërrimat që ju lënë partitë apo grupet e mëdha politike e mediatike. Në Tiranë kultura mbizotëruese është bërë tashmë ajo e korrupsionit, e kitshit materialist fshatar, e pandëshkueshmërisë, fodullëkut e horrllëkut dhe duhen shumë energji e burime për ta kthyer këtë kulturë mbrapsht thjesht nëpërmjet dinamikave të brendshme, pikërisht sepse Tirana është e madhe dhe pse është një vend ku ndërthuren shumë interesa.

Endri said...

Pjesa 3
----

Në një qytet tjetër, që të jem më konkret, po themi në Vlorë, Korçë apo Shkodër grupe të vogla me potencial dallojnë menjëherë pa ju dashur të bëjnë kompromise të mëdha për tu ekspozuar ndaj publikut lokal. Perveç kësaj ato nuk luftojnë për një pjesë të vogël të vëmendjes lokale por për një pjesë të madhe. Ato janë më të qeta në periudhën e inkubimit dhe rrjedhimisht më autentike kur lulëzojnë.

Mund t'ju kujtoj se qytete alternativa që konkurojnë e shërbejnë si model ndaj qëndrave më të mëdha metropolitane duke i influencuar ato pozitivisht pa patur nevojë ti zaptojnë ekzistojnë me shumicë në Perëndimin mitik. Fjala vjen po përmend tandemin dhe shkëmbimet komplekse e shumëdimensionale të San Franciskos me një apo disa qytete të bregut lindor Amerikan (New York, Washington) dhe rëndësinë që ka patur ky qytet i vogël në lëvizjet rinore të viteve 68-70 thjesht për t'ju dhënë një shembull fare banal. Analogji e ngjashme me këtë të qyteteve eshte ai i organizimit nga aktorë të njohur si Robert Redford të një festivali kinematografik alternativ në Sundance ndaj organizimeve të studiove të mëdha kinematografike që dominonin kinematografinë amerikane. Sot mbas gati 30 vjetësh Sundance është i madh nga rrezatimi dhe influenca që ka edhe tek studiot globale.

Largësia territoriale dhe krijimi i një modeli shumë të dukshëm mendoj se duhet filluar gradualisht nëpërmjet përqëndrimit të një grupi intelektualësh në universitete të caktuara larg dorës korruptuese të Tiranës dhe elitave të saj. Universitetet janë vendet më të përshtatshme për zhvillimin e grupeve alternative pasi janë njëkohësisht multiplikatorë dhe vatra mendimi. Mbase mund të shkoni vetë apo mund ti mbushni mendjen të njohurve tuaj të japin leksione të rregullta në universitete në Vlorë apo Shkodër, të merrni pjesë tek debatet e televizioneve lokale të këtyre qyteteve dhe të ndihmoni organizimin e takimeve intelektualësh peshërëndë në këto qytete sikur edhe vetëm për ti dhënë një shuplakë Tiranës prepotente dhe tashmë trutharë. Të mbështesni çdo përpjekje të universiteteve të rretheve ti shkëputen dorës së rëndë të qendrës në Tiranë.

Çdo qytet shqiptar do të ishte i interesuar e mirënjohës për të thithur kulturë e mendim cilësor, për tu zhvilluar në rivale e njëkohësisht në një model për vetë Tiranën. Pasi çdo gjë është më mirë sesa shkretëtira që lë pas përqëndrimi i gjithshkaje në Tiranë. Rivaliteti ndërmjet Tiranës dhe një qyteti tjetër ka shumë të mira.

Sigurisht, zhvillimi gradual i një qyteti në aspektin kulturor e mediatik nuk është fjalë goje dhe kërkon dhjetëra vjet, mund dhe burime. Dhe deri tani pak nuk kemi pritur. Por, a nuk jemi prej njëzet vitesh në këtë tranzicion që nuk po do të përfundojë dhe a mund të themi se sot e ardhmja duket realisht më mirë, më këtë organizim parapolitik e gjysëm kriminal të elitës tonë që tashmë është duke u konsoliduar në krahasim me ç'na dukej e ardhmja në vitet 90-91, ku brenda kampit antikomunist kishte të paktën një lloj larmie e përzier me naivitet? Mendoj se jo. Mendoj bile se është pritur shumë gjatë për ta vënë në pikëpyetje Tiranën si qendër të padiskutueshme mendimi, si qëndër mediatike e intelektuale.

Për të gjitha këto arësye idenë e zhvillimit kulturor të një qyteti alternativ duhet ta kuptoni më pak si denoncim e më shumë si një prej zgjidhjeve të shumta që i duhen shoqërisë shqiptare.

"1984" said...

Ideja e një Tiranë 2, sa entuziasmante aq problematike është. Edhe unë rri e ëndërroj me sy hapur një tërmet të madh që të groposë tëër ndërtimet e paligjshme e të sigurta, me shpresën që shumë të këqinj, ata që e kanë shitur dhe përdhosur këtë qytet, do mbeten poshtë rrënojave...
Për fat të keq, kam bindjen që një tërmet do varroste shumë më tepër njerëz të mirë, sesa të këqinj, më shumë prej atyre që nuk kanë mundësi të mbrohen as nga tërmeti sesa prej atyre që ua kanë shiutr këto ndërtesa jocilësore.
E keqja, është një lëng që rrjedh. Për tu ushqyer ka nevojë për mundësi, dhe një qytet i ri do ishte thjesht një mundësi e re për të korruptuar e rritur, dhe do e kthente kryeqytetin e dytë në një vatër të re sëmundjeje.
Pra, duke ndryshuar qytetin nuk ke mposhtur të keqen, e ke dyfishuar, e ke bërë me 2 kryeqytete.
Nëse duket se diçka e mirë dhe e papërlyer ka mbetur në periferi, ajo është vetëm varfëria, i vetmi virtyt, po aq i brishtë e i thyeshëm.
Edhe unë dua të dëgjoj për Alternativa të reja për të ndryshuar këtë vend. Por alternativa, s'ka. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të flasim akoma si anonimë nëpër bloge duke pritur që të kalojë ca kohë e të vijë Mesia.
Ishujt informativë në internet, janë shpresa jo për ndryshim, po për të mbajtur revoltën gjallë.

Armanda said...

Kur Hannah Arendt e pershkroi holokaustin si BANAL EVIL, kundershtimi dhe revolta i te gjithe atyre qe kishin vuajtur ne kampet naziste e qe kishin humbur shume te dashur ishte teper i madh. Si mund te quhej nje e keqe banale ajo makine kasaphane, si mund te thuhej se ata oficere qw me duart e tyre i kishin cuar njerezit ne krematorium kishin pasur nje nivel te ulet ndergjegjesimi qe ajo qe ata po benin ishte nje krim i llahtarshem?
Por Arendt, vete nje hebreje e vuajtur nga persekutimi, kishte pasur te drejte ne njefare mase. E keqja raciste kishte gjetur menyren dhe mjetet per t'u perhapur e per t'u bere masiv. Zygmunt Bauman e ben me te qarte kete proces. E keqja raciste kishte lindur si nevoje e arritjes se idealit te shtetit komb etnikisht te paster e racional. Ishte racionaliteti instrumental ekstrem i modernitetit solid mjeti qe te keqen raciste arriti ta masivizonte. Hebrenjte reshten se qeni njerez edhe pse merrnin fryme e ecnin me kembe ne toke. Ata u kthyen ne shifra, ne lende te pare per industrine e sapunit. Shoqeria gjermane e pastroi racen e saj prej hebrenjve, dhe i ktheu ata ne sapun per te vazhduar te pastroheshin permes shkrirjes se tyre. E keqja ishte bere kaq normale dhe e zakonshme, pra banale, saqe gjithkush mund te jetonte me te pa ndonje brejtje te vecante ndergjegjeje (shume prej oficereve qe kryen krimet me makabre ishin baballare shembullore, familjare te mire dhe fqinje konstruktive). Ajo kryhej me vetedije te plote per te realizuar nje qellim racional perfundimtar. Sipas Baumanit, holokausti ishte "the rationality of the evil", racionalitet i te keqes pra, dhe ne kushtet optimale ai provoi te ishte shperthyes.
Shoqeria jone eshte mberthyer prej kohesh nga e keqja. E keqja e korrupsionit moral dhe material po masivizohet me permasa te papara. Ajo po kthehet ne nje te keqe banale. Vertete qe ajo nuk po perdor sistemin ligjor per t'u perhapur, por nga ana tjeter ajo eshte racionale - te gjithe ata qe e veprojne kete te keqe e bejne kete krejt te ndergjegjshem, me gjakftohtesi e me nje synim te qarte ne mendje. Ata qe me shume e levrojne kete te keqe, jane pikerisht te integruarit ne sistemin administrativ ekonomik, politik e juridik shteteror e privat. per pasoje e keqja vertete nuk racionalizohet permes vete ligjit, por permes atyre qe i hartojne, miratojne e ekzekutojne keto ligje. E keqja jone banale, dhe teper racionale njekohesisht, po i jep vazhdimisht frutet e saj. NJerezit jane te ndergjegjshem per te deri ne ate pike saqe po e harrojne se kjo eshte E KEQE. Por edhe shprese ka. Edhe keto forume interneti spontane, po e bejne ngadale punen e vet. Jo ne drejtim te ndergjegjesimit, sepse e keqja me ndergjegje po behet, por ne drejtim te reflektimit se masa eshte tejkaluar. Denoncimet nuk duhet te reshtin, sepse duke mos reshtur, e keqja qe duket kaq e zakonshme, mund te filloje t'u duket atyre qe e levrojnese se nuk eshte e zakonshme, e banale, por e llahtarshme dhe shkaterrimtare edhe per vete ata si agjente te saj. Vetem ne nuk duhet te presim rezultate te menjehereshme per kete. Durimi dhe kembengulja do te jene fitorja jone relative.
Pershendetje te perzemerta zotit Lubonja

redi said...

jam nje lexues i rregullt i artikujve te Lubonjes, disa here kam bere edhe komente lidhur me to, por kete here komenti tim eshte me teper nje falenderim.

doja te pergezoja Endrin per pergjigjen qe i drejtoi Z.Lubonja; eshte nga te paktat here ku e gjej veten te anoj jo nga ana e Lubonjes por nga ana e debatuesit perballe tij, megjithese kuptoj se "debati" zhvillohet per te njetin qellim te mire (per gjetjen e zgjidhjes) dhe shpesh pergjate te njejtes linje. idete e shtruara nga Endri i shoh si shume interesante dhe konstruktive dhe si pjese e zgjidhjes, sic pohon dhe ai vete.

dua te falenderoj edhe Armanden per komentin e saj elokuent dhe interesant.

si perfundim dua te falenderoj edhe Fatos Lubonjen, i cili me shkrime te tilla tregon se eshte i vemendshem ndaj mendimit te shprehur te lexuesve te tij, gje e cila na motivon dhe na jep shprese neve si lexues.

deshiroj te shpreh solidaritetin dhe mbeshtetjen time morale me te gjithe ju. shpresoj qe nje dite te mund te behem pjese e zgjidhjes dhe jo e problemit.

Anonymous said...

Kam respekt per sensin kritik te z.Lubonja.
Nje verejtje dashamirese....
Konceptin gjysme-kriminal/e nuk e zberthej dot.
Duket si ajo shakaja:"Eshte pak me barre.."
Dua te them qe kriminel o je o s'je.Smund te jesh pergjysme.