Monday, April 19, 2010

Kriza ekonomike dhe opozita

Ditët e fundit Partia socialiste akuzat për krizën ekonomike që po përjeton vendi i ka vendosur thuajse në një plan, përsa i përket fortësisë së denoncimit, me akuzat për vjedhjen e votës. Me dy fjalë lideri Rama e ka riformuluar oponencën e tij ndaj maxhorancës duke thënë se këta njerëz, që kanë vjedhur votën, nuk janë përgjegjës ndaj votuesit dhe kjo i bën të papërgjegjshëm edhe ndaj vendit, duke rreshtuar, më një anë, pasojat e kësaj papërgjegjshmërie: faturat e papërballueshme që duhet të paguajnë njerëzit për elektrikun, telefonat, ilaçet etj., faktin se shumë familje nuk arrijnë të mbyllin dot majin me ushqime dhe, më anë tjetër, korrupsionet e pushtetit.
Gjykoj se akuzat për krizën ekonomike janë të drejta dhe se retorikat e qeverisë për një vend me ekonomi në lulëzim janë krejtësisht boshe dhe jo bindëse. Bashkohem, pra, me shumë nga akuzat e opozitës ashtu sikurse edhe me ato për mungesë transparence dhe për manipulim të të dhënave si dhe me akuzat për politika korruptive me grupet e saj të interesit. Nëse dikush do të më pyeste se si e mas krizën do t’i përgjigjesha se, në mungesë të transparencës qeveritare dhe të institucioneve të besueshme matëse, e mas me atë çka shoh e dëgjoj nëpërmjet kontaktit të përditshëm me vendin dhe njerëzit ku vështirësitë konkrete të lidhura me mungesat e të hollave për të përballuar jetën i shoh të shoqëruara me një rritje edhe më të madhe se vite më parë të pasigurisë së të ardhmes të shoqëruar me një papërgjegjshmëri edhe më të madhe të aktorëve që kanë në dorë fatet e vendit.
Problemi që kam unë me opozitën fillon pas kësaj. PS i mungojnë dy gjëra që më duken thelbësore. Së pari një analizë e thellë, e sinqertë dhe vetëkritike se pse ka ardhur kjo krizë dhe, së dyti, lidhur ngushtësisht me të parën, mungesa e një alternative bindëse. PS mjaftohet t’ia atribuojë krizën thjesht e vetëm qeverisë së Berishës dhe pastaj, me një lidhje të shkurtër, të na lerë të kuptojmë se, me ardhjen e saj në pushtet, meqënëse ajo e ka denoncuar këtë qeveri, do ta zgjidhë krizën e shkaktuar prej saj.
Gjykimi im është se kriza ku ndodhemi i ka shkaqet shumë më thellë sesa paaftësia e qeverisë apo e Berishës. Kjo krizë buron nga shkuarja drejt falimentimit të sistemit ekonomik që është ngritur në Shqipëri gjatë gjithë këtyre njëzet vjetëve. Vendi është mbajtur në këmbë kryesisht nga të ardhurat e sjella nga emigracioni, më së pari dhe nga ekonomia kriminale më së dyti. Ekonomia jonë ka qenë dhe mbetet një ekonomi shërbimesh ku shërbimi kryesor ka qenë pikërisht ndërtimi i shtëpive për shumë emigrantë dhe familjarë të tyre, si dhe i kafe bareve, restoranteve, hoteleve, moteleve për shumë pastrues të drogës dhe të prostitucionit. Sigurisht ka edhe shërbime të tjera si ato të produkteve ushqimore, të telefonive celulare, të turizmit, etj., që e bëjnë më komplekse situatën, por me siguri di të them se prodhimi në këtë vend nuk i përgjigjet kurrsesi nivelit të shërbimeve. Po ashtu sot dihet me siguri se ka qenë industria e ndërtimit që ka mbajtur gjallë pjesën më të madhe të shoqërisë dhe se, nëse vendi është në krizë, është pikërisht kriza e kësaj industrie që e bën më të dukshme krizën e përgjithëshme. Por, nga ana tjetër, më duket e vështirë t’ia atribuosh këtë krizë qeverisë sepse kjo industri është zhvilluar pavarësisht nga qeveria ashtu sikurse edhe emigracioni. Ose, të paktën, argumentet se qeveria po e pengon këtë industri mungojnë. Kurse nëse ajo po pengon industrinë e drogës për këtë duhet përgëzuar, por nuk jam i sigurtë se po e bën këtë.
Personalisht gjykoj se përgjegjësia e qeverisë është se nuk ka ndërtuar politika ekonomike që do ta zhvendosnin qendrën e gravitetit të ekonomisë në sektorë prodhimi. Madje gjykoj se jo se nuk ka menduar, por ka menduar t’i dalë përpara krizës duke thelluar ekonominë e shërbimeve duke venë truallin dhe ambjentin shqiptar dhe krahun e punës shqiptare në shërbim të të huajve në formë investimesh të të huajve për parqe industriale, fabrika çomentoje, hidrocentrale e tece e ku di unë, shumica e të cilave, edhe nëse mund të sjellin disa të holla e pak punësim, do të sjellin një impakt ambiental vrastar dhe një zhvillim të paqëndrueshëm që do të na kushtojë edhe më shumë nesër e që jo vetëm, por nuk jep asnjë garanci se mund të na nxjerrë nga kriza.
Por, pa dashur të përsëris gjëra që edhe i kam thënë lidhur me krizën dhe shkaqet e saj, më duhet të them se mosnjohja e origjinës shumë më të thellë të krizës nga Partia Socialiste dhe mungesa e projekteve të qarta dhe bindëse alternative (seç flitet për bujqësinë, por asgjë nuk ka marrë dimensione të tilla që të njihet gjerësisht nga publiku) për të nxjerrë ekonominë në një tjetër hulli e bëjnë shumë problematik opozicionin e saj nga pikpamja e besueshmërisë. Në këtë kontekst duhet thënë se Partia Socialiste nuk duhet të harrojë të kaluarën e saj të pas vitit 97-të. Në atë kohë njerëzit u ngritën në këmbë për shkak të një krize ekonomike shumë akute, siç ishte humbja e parave. Lideri socialist Nano asokohe në fushatën elektorale premtoi kthimin e parave të vjedhura, gjë që jo vetëm nuk ndodhi, por njerëzit panë se sistemi ekonomik i ngritur shërbeu për të pasuruar edhe më një pjesë të madhe që ishin marrë edhe më parë direkt ose indirekt me ekonominë mashtruese piramidale e se, në thelbin e vet, socialistët ndërtuan një sistem piramidal më të sofistikuar, që do të falimentonte ca më vonë, siç po falimenton. Prandaj sot t’u thuash njerëzve se kanë mbetur jetim dhe t’u ofrosh atësi, pa u premtuar asgjë bindëse, është një përgjegjësi e madhe sepse njerëzit nuk janë aq fëmijë sa ç’ishin më 1997.
Ja pse mendoj se më shumë sesa denoncime me fjalë të rënda sot njerëzit kanë nevojë për oponenca që të burojnë nga një analizë e thellë dhe bindëse e shkaqeve të krizës, nga qëndrime të sinqerta vetëkritike konkrete të shoqëruara me projekte serioze alternative të paraqitura këto në Parlament, në takime me njerëzit, në studio televizive në takime me të huajt etj.. Për fat të keq jemi shumë larg kësaj qasjeje. (Korrieri, 19 prill 2010)

7 comments:

NOBLE said...

Pasqyre reale e ketij aktualiteti.
Shprehje e qarte e asaj qe edhe publiku mendon. Ka probleme por, mungon alternativa per zgjidhje. Rama nuk po servir alternative. Mashtrimet nuk jane alternative; e per ironi te kesaj nuk po arrine as te jene mashtruese, ne sensin qe njerezit nuk jane "aq foshnjor sa ne 97-en". Rritja e koshjences se shoqerise, do te sjelle edhe presionin e duhur mbi politiken dhe ta detyroje ate qe te shtroje alternativa reale, jo shfaqje (show) te mjeruara mediatike.

Por e ardhmja nuk duket shume premtuese, qofte ne plan afatshkurtet e qofte ne perpektive afatgjate. Kjo bindje me vjen nga fakti se gjendja earsimit ne Shqiperi eshte e mjerueshme .

Megjithate, le te mos biem ne deshperim. Kjo nuk prodhon asgje as per te tashmen e as per te ardhmen.

Eshte bere bajate retorika (fajin e ka Berisha, fajin e ka Berisha). Sinqerisht eshte kthyer ne nje neveri kjo retorike. Nuk di nese e kuptojne apo jo lideret e PS sebashku me servilet rrotull tyre por, kjo i nxjerr shume keq, shume shemtuar dhe i ben te pabesueshem ndaj publikut. Me pak fjale nuk po dine te tregohen as pragmatik.
....se tani mu kujtua edhe ai fjalimi i Rames ku permendi Nolin e revolucionin...me besoni, kam patur nje konsidereate tjeter per Ramen, jo per besueshmerine ndaj tij por ne aftesite e tij per nje retorike me elegante...si duket nuk iu kane ngelur me argumenta por, vertete jan bere qesharake.

Anonymous said...

e si mund teparaqitet me alternative ps kur ajo vete eshte ne gjendje mjaft te mjerueshme organizative,kur deklarohet qei njeqind deputetet e saj kane mb milion euro/

Olsi D said...

Nje qeveri e keqe kjo dhe meqe argumentoni qe opozita, ( qe mund te jete pozite nese lejohet transparenca )nuk eshte bindese si alternative, le te mbajme kete qeveri qe kemi.

Ju Z. Lubonja keni nje status qe fjala juaj edhe degjohet, beni keq, kur nuk perkrahni opoziten, te pakten per tani kur duket se ka te drejte. Pastaj edhe ne demokracite perendimore sulmohen dhe qortohen qeverite dhe jo e kunderta.

Pakenaqesia dhe indinjata shprehen me vote. Po si mundet te denojme me vote, secili sipas kendveshtrimit te tij, kur nuk dime se ku shkon vota ?!

Anonymous said...

I dashur Lubonja, per leket e firmave "piramidale" , une iu kam shkruar liderve te PS, duke iu dhene mundesine se si mund tu ktheheshin parate kreditorve, pra gjetjen e burimeve dhe mundesine e kthimit me keste, mirpo si ata si dhe PD nuk kane qene kurre te interesuar t'ua kthejne parate popullit, dhe kjo e ka nje domethenie.

Anonymous said...

Krize? Sot u pushuan nga puna mijera punonjes shteterore, njerez me dhjetera vite pervoje pune. Ata qe e kane babane ne PD e qe kane vite qe qe bredhin restorant me restorant, porositen e paguan nje diplome te majme me garniture masteri nga pas te shkollat private qe akreditoi qeveria(se veshtiresia e marrjes se nje diplome-masteri sot nuk ndryshon nga marrja e nje bifteku me patate ne lokal) dhe jane bere drejtues institucionesh. Sot u pushuan njerëz me pervoje, dhe punësohen njerëz pa pervoje e pa njohuri. Vaji shkoi 300 l shishja. Italia e ka me lire, dhe i paguan punetoret me 2000 euro muaji, me sigurime,pajisje moderne. Te ne s'marrin as 200 euro, as sigurime, as masa mbrojtese ne fabrika, e prape e kemi vajin me shtrenjte. Kredite per shtepi me euro (se te gjithe ashtu i japin)tani qe euro eshte 1400, u shtohet kesti mujor atyre qe i moren, dhe iu rriten dhe cmimet.

Vij ketu e lexoj qe per krizen qeveria ka nje faj te percipte, po aq sa c'kane pasur faj gjithe qeverite e tjera... pra asgje e vecante, pastaj lexoj nje analize te theeeeelle e terkuze per fajin e opozites. Cfare? Kriza dhe opozita?! Po “Kriza dhe qeveria?”
Permbytet Shkodra tre here rresht, vidhen kufijte e vendit, merren vendime antikushtetutese, rriten cmimet e shtohen taksat, dhe gjithnje e kudo, vemendja eshte te opozita e Edi Rama.
Te kujt jane duart qe duhet te komandojne freret e vendit per te mos hyre ne kriza e katastrofa te njepasnjeshme, se s'po marr vesh gje une? C'eshte gjithe kjo vemendje ndaj opozites dhe analizim kaq i percipte ndaj qeverise, per te cilen ka nevoje cdo popull e per te cilen ekziston media e lire dhe analistet?
Te vetmet shpjegime qe mund t'i jap une vetes, si dava populli i thjeshte qe jam e qe 5 dite ne muaj punoj per kete qeveri qe s’me kthen gje si kembim, por vetem me merr, jane:
1: Qeveria eshte mosekzistente deri ne piken sa as analistet e lire nuk kane c'te analizojne per ta (se ata qe s’jane te lire, nuk duan) dhe opozita mbetet e vetmja qe ka dicka per te analizuar.
2: Dikush e ka tmerr Edi Ramen ne opozite. Pse e kane kaq tmerr? Aq tmerr e kane sa edhe Berisha takohet me ata qe ne vitin 1998 u hyri me arme ne kryeministri, si Fatos Nano, qe sot e lëvdon? Kjo vëmendje e juaja ndaj opozites, ne vend qe te arrije qëllimin tuaj per t’i ulur velerat Edi Rames, ia rrit. Sepse ai qe i fut tmerrin atyre qe me dogjen vendin e me vodhen ne 97-en e qe me bejne te jetoj keshtu tani, ai ka perkrahjen time, edhe sikur te mos e kishte nje dite me pare.
Sepse jemi ne krize prej verteti, zoti Lubonja, dhe s’i kthejme dot syte nga qeveria, sa s’jemi dele. Por po s’i kthyem dot as nga opozita, na e thoni nje alternative tjeter, pra! Se alternativa e vetme qe njoh une si 26 vjecar, eshte te kacavirrem neper anije e t’ia mbath nje here e mire nga ky vend.

laura shimili said...

Z. Lubonja,
Ju pergezoj per kritiken qe i beni qendrimit te opozites ndaj krizes ekonomike dhe lidhjes se pa-argumentuar mire nga ana e saj midis krizes ekonomike dhe politikave te qeverise.
Pervec politikave te qeverise duhet analizuar dhe kriza politike tashme gati 1-vjecare qe ndikon ne krizen ekonomike. Lidhja midis te dyjave shihet qarte ne tregjet financiare ne pergjithesi, ku cdo pasiguri politike pasqyrohet ne renie ose te titujve ose te monedhes(ave). Dhe kjo analize duhet bere nga te gjitha palet, qeveri, opozite, te pavarur.
Por kjo nuk behet dhe dy gjera qe jane qenesisht te lidhura shfaqen sikur nuk kane asnje korrelacion.
Ne fakt shkaqet e krizes ekonomike jane komplekse dhe kete here jane boterore, pra te jashtme. Por shkaku i brendshem ka qene i pranishem edhe perpara krizes financiare aktuale. Ai eshte mungesa e fokusimit te vemendjes ne politika ekonomike, per te diskutuar si shoqeri, perfshire lideret politike drejtimin ekonomik qe duam ti japim vendit. Opozita ashtu si qeveria i kane anashkaluar gjithmone keto diskutime dhe i kane perdorur politikat ekonomike si sulme.

Kam vetem nje koment mbi nje detaj te shkrimit tuaj qe me zhgenjeu, pasi nga ju pres nje lexim objektiv dhe analitik te realitetit.
Ju thoni se e masni krizen ekonomike permes asaj qe shikoni dhe degjoni nëpërmjet kontaktit të përditshëm me vendin dhe njerëzit. Kjo me siguri nuk eshte nje menyre profesionale dhe analitike, pasi sado njerez te takoni e te keni kontakt ju, ata nuk munden kurrsesi te perfaqesojne nje ekonomi te tere. Menyren qe perdorni per ta matur krizen ju e justifikoni me mungesen e transparencës qeveritare dhe te institucioneve të besueshme matëse. Eshte e vertete shqiptari mesatar eshte i shushatur nga moria e deklaratave kontradiktore mbi gjendjen ekonomike, te dhena sa here nga qeveria, sa here nga opozita, sa here nga Banka e shqiperise. Por kurrsesi nje analist apo cdo njeri qe merr persiper te shkruaje nje artikull mbi krizen ekonomike nuk mund ta bazoje analizen ne matjen qe ai/ajo i ben situates ekonomike, nepermjet nje evidence anekdotike. Ajo qe thoni ju eshte sikur te mos kishim asnje menyre statistikore matjeje, as nje institut statistikash, as ministri financash dhe as banke kombetare. Keto dy te fundit kane ne dore instrumenta jo vetem per ta matur por per ta influencuar gjendjen ekonomike. Kjo tregon mungese profesionalizmi dhe injorim te sistemeve ekzistuese sado imperfekte qofshin ato. Ju mund te permendni tre fakte, tre matje te ndryshme te gjendjes ekonomike nga tre burime, ti krahasoni dhe te tregoni se sa kontradiktore jane dhe pastaj te arrini ne konkluzionin se eshte e veshtire tu besosh. Po jo qe ne fillim te injoroni 3 institucione qe ekzistojne dhe qe ne fund te fundit jane nje hap i madh perpara krahasuar me nje ekonomi qe nuk i ka as ato 3 institucione ne vend.
Le te mos i injorojme plotesisht ato qe kemi. Ju mund ti kritikoni, te denonconi parregullsite, abuzimet me shifrat dhe perdorimin e tyre sipas interesave perkates, por jo ta bazoni analizen tuaj mbi ate qe degjoni e shikoni pasi ate stad analizimi artizanal dhe te kufizuar e kemi kaluar.

Anonymous said...

Shkurt dhe shqip, Zoti Lubonja, je aq i njeanshem sa shkrimet e tua perngjajne me gazeten 55 tashme.