Wednesday, April 14, 2010

Sheshi “Skënderbej” si plaçkë lufte

Që sheshi “Skënderbej” është i shëmtuar kjo nuk ka diskutim. Mjafton të shikosh fotografitë e tij të Tiranës së paraluftës e t’i krahasosh me pamjen e tij sot.  I rrethuar në lindje nga kompleksi Xhami – Sahat, nga ndërtesat që ndodheshin para pazarit të vjetër, e, më në veri, nga ish Kisha Ortodokse kurse në perëndim nga ish Bashkia, ish Kursali dhe selia e Bankës Kombëtare  (pak më e tërhequr, ndërtesa e Parlamenti të parë shqiptar); me rrugën e Durrësit dhe të Kavajës  të projektuara për të konverguar virtualisht në kompleksin Xhami - Sahat, të cilave në krahun lindor u përgjigjeshin rruga e Dibrës dhe ajo midis Xhami - Sahatit e pazarit; me lulishten prapa monumentit të Skënderbeut në jug që vazhdonte me shëtitoren Dëshmorët e Kombit dhe me Bulevardin Zogu i parë në veri, sheshi ishte një gjë e mbyllur nga pikpamja urbanistike dhe arkitektonike. Ai ishte jo vetëm funksional, por pajtonte në mënyrë mjaft harmonike traditën historike të Tiranës osmane në pjesën e saj lindore (ku, nëpërmjet xhamisë dhe kishës, spikat bashkëjetesa e dy komuniteve kryesore të qytetit: muslimanëve me të krishterët ortodoksë) me modernitetin që po ngrihej në pjesën perëndimore.
Siç dihet kjo harmoni u shprish nga regjimi komunist që deshi t’i japë sheshit vulën e tij. Goditja e parë filloi me shaktërrimin e ndërtesave para Pazarit dhe të vetë Pazarit për ndërtimin e Pallatit të shëmtuar të Kulturës. Pasuan pastaj me rradhë prishja e Kishës Ortodokse dhe ndërtimi i 15 katëshit, prishja e ish Bashkisë dhe Kursalit dhe ndërtimi i Muzeut Kombëtar. Sheshi u kthye në një simbl të ideologjisë së pushteti të Hoxhës që e shpreh aq qartë mozaiku në ballë të Muzeut Kombëtar. Ky shpërndërrim ideologjk u kombinua me projektin komunist të modernizimit të vendit që e simbolizonte 15 katëshi. Kësisoj, sëbashku me historinë, sheshi humbi shpirtin e tij, jetën, intimitetin duke u kthyer në një pllakat të ftohtë e të dhunshëm nacional - komunist.
Ngritja e monumentit të Hoxhës në vendin midis Bankës dhe  Muzeut Kombëtar ishte shpërfytyrimi i fundit ideologjk që i bërë regjimi sheshit. Me shembjen e tij ai u shfaq i shëmtuar në stërzmadhimin e tij pa formë dhe harmoni.
Në këtë gjendje ishte sheshi kur ra komunizmi dhe kështu, pak a shumë, është edhe sot, por gjithsesi i mbarsur me historinë e tij dhe me ndërtesa që, për mirë apo për keq, kanë zënë vendin e tyre.

Projektet e Bashkisë
E titullova “projektet e Bashkisë” (në shumës) këtë pjesë të shkrimit pasi protagonisti kryesor përsa i përket prekjes së sheshit, Ish ministri i Kulturës dhe më pas kryetari i Bashkisë Edi Rama, ka paraqitur më shumë se një projekt për sheshin, të cilët janë në kundërshtim me njëri tjetrin. Projekti i parë ishte kthimi në identitet i cili synoi të rivlerësonte ndërtesat e ministrive për t’u dhënë atyre dinjitetin e bjerrur. Për këtë u hartua edhe një vendim i Kryeministrisë i kthyer në ligji i cili shpallte dy bulevardet, sheshin dhe rrethinat e tyre si monument kulture të klasit të parë.
Por, sikurse dihet, projekti i restaurimit të ministrive  filloi keq sepse u mpleks me një histori korrupsioni që na paralajmëroi se projektet e Ramës për kthim në identitet do të ndryshonin katërcipërisht. Shumë shpejt u bë e qartë se kthimi i sheshit dhe i krejt zonës përreth bulevardit në monument kulture nuk ishte bërë me synim dashurinë për identitetin e qytetit, por për t’ia marrë nga duart, si plaçkë lufte e përfitimi, Kryetarit të Bashkisë Albert Brojka, i cili ishte i PD-së. Për këtë u shfrytëzua fakti se pushtetin qendror e kishin në atë kohë socialistët me kryeministër Metën dhe ministër të kulturës Ramën.
Pyetja që shtrohet është: pse ndodhi shpërndërrimi i Edi Ramës nga projekti i kthimit në identitet në projekte ndërtimesh që vetëm me identitetin s’mund të pajtohen e që janë kryer deri edhe mbi vetë ndërtesat e ministrive  dhe atë të Bashkisë (në formë shtesash) në kundërshtim të plotë me ligjin që i shpallte këto monumente kulture? Disa ia dedikojnë këtë delirit të tij të madhështisë. Personalisht gjykoj se vendimtar nuk ka qenë ky, por presioni i grupeve të interesit që, ndërkaq, kishin blerë copa toke në shesh apo synonin t’i blinin ato dhe që u bënë gjithnjë e më të rëndësishëm për të mbajtur Ramën në pushtet. Pra kur Rama ka deklaruar, duke shpjeguar projektin francez, se kërkon t’i ngrerë grataçielat e larta për të imituar papët që ngrenë obeliske për t’u identifikuar me “diçka të madhe” (Kështu thotë Jane Kramer në shkrimin e botuar në New Yorker për Ramën) nuk duhet të gënjehemi e të mendojmë se këtu kemi të bëjmë me delirin e madhështisë së një personi. Futja e një kulle të lartë sa 15 katëshi brenda ndërtesës së Muzeut Kombëtar, ngritja e katër 25 katësheve në perëndim të sheshit dhe e katër të tjerëve në lindje të tij, që parashikon plani francez, nuk janë “obeliske” që Edi Rama kërkon t’ia ngrerë madhështisë së tij, por  shërbime që ka dashur t’u bëjë atyre që e kanë mbajtur dhe mbajnë në pushtet. Dhe kjo është një nga dramat e Tiranës dhe të sheshit. Personalisht gjykoj se problemi ka ardhur nga martesa e etjes së shfrenuar për përfitim të një grushti njerëzish që e kanë parë qendrën dhe sheshin si plaçkë përfitimi me etjen e shfrenuar për pushtet dhe për para të këtij plitikani i cili ka luajtur rolin e instrumentit që do t’i legjitimonte interesat e këtyre grupeve. Edhe arkitektët francezë dhe belgë nuk janë thirrur për të arritur zgjidhjet optimale në krahasim me zgjidhjet që mund të jepnin urbanistët dhe arkitektët shqiptarë, por për ta legjitimuar sa më mirë këtë babëzi. 
Kështu kryeqyteti është shqyer e kafshuar sipas interesave të klientëve të pushtetit duke bërë që, kudo ku është vënë dorë, po të bësh krahasimin me të kaluarën, do të gjesh një shëmtim gjithnjë e më të madh nga pikpamja e pejsazhit urban dhe një funksionalitet gjithnjë e më të mbrapshtë nga pikpamja e cilësisë së jetë, të gjelbërimit, qarkullimit, hapësirave publike, kujtesës historike, ndotjes së ajrit dhe asaj akustike. Mjaft të kesh prasysh se çfarë shëmtie dhe çbalancimi ka krijuar vetëm njëra prej 25 katësheve, se të tjerat s’kanë ngritur kokë ende, se çfarë katrahure ka ndodhur e po ndodh në zonën ku më parë ka qenë Kinema 17 Nëntori, shëmtimin që ka sjellë prishja e lulishtes në fillim të rrugës së Elbsanit, ndërtimet rrotull stadiumit Qemal Stafa, shpërndërrimin e ministrive me shtesa gjithfarëshe dhe ndërkalljen e kishës së re ortodoke mes tyre, prishjet me ndërtime shumëkatëshe të zonës me vila prapa Piramidës (të gjitha këto të berendashkruara në zonën e paraqitur si monument kulture) për tu bindur për këtë. Deri edhe lokali tek Parku Rinia që u bë i ri është aq i shëmtuar jo thjesht e vetëm pse e ka kryer një arkitekt i paaftë, por sepse është i stërmadh në raport me parkun pasi ka synuar të zaptojë sa më shumë hapësirë.

Sheshi dhe PD-ja
Ata që kanë ndjekur qëndrimet e PD ndaj planeve të Bashkisë për qendrën  nuk mund të mos venë re një inkoherencë të rëndë. Në kohën kur PD ishte në opozitë ajo e ka akuzuar Ramën për prishjen e kujtesës historike, të kulturës materiale, për shkatërrimin e hapësirave të gjelbërta, për vënie në shërbim të industrisë së pastrimit të paraveve të drogës etj.. Në këtë kontekst ndaj planit Francez Lulzim Basha në krye të herës formuloi edhe akuzën se ai nuk ishte i integruar me pjesën tjetër të qytetit dhe prandaj kërkoi rishikimin e tij në tërësi. Sot nuk flitet më për këto. Kjo sepse, pasi erdhi në pushtet PD-ja, një pjesë e pasunarëve që kishin qenë të lidhur më parë me Ramën kaluan në krahun e saj ose ngase ndërtimet e filluara nga njerëzit e Ramës u blenë nga njerëz të lidhur me Berishën. Njerëzit i dinë tashmë me gisht ndërtimet që deri dje ishin të njerëzve të Ramës dhe pastaj i u shitën njerëzve të Berishës. Kështu PD, pa asnjë lloj pendese reale për fillimin e katrahurës urbane në Tiranë me dy kryetarët e parë të Bashkisë,  dhe duke harruar opozitën që ka bërë, ka heshtur për dhunimin që i është bërë ligjit që e ka shpallur qendrën e Tiranës monument kulture paçka se tashmë në krye të këtyre institucioneve ka kaq kohë që janë përfaqësues të saj.
Lidhur me konfliktin e fundit mbi sheshin dhe projektin belg gjykoj se nga pikpamja ligjore PD ka të drejtë kur thotë se Rama nuk i ka duart të lira për të vepruar në shesh sepse bash ai, për t’ia marrë Brojkës sheshin, ka hartuar ligjin sipas të cilit ndërhyrjet në shesh e rreth tij nuk mund të bëheshin pa lejet e institucioneve të varura nga Ministria e Kulturës apo Kryeministria. Por problemi është se shkelja e këtij ligji nuk është bërë vetëm tek sheshi, por edhe në hapësira të tjera rrotull sheshit e më gjerë për të cilat PD-ja nuk flet sepse kështu cënon interesat e klientëve të saj.
Ja pse akuzat që bën sot PD-ja lidhur me sheshin e në emër të ligjit nuk kanë kredibilitetin e qëllmit të mirë, por janë një luftë e ngjashme me atë që u bë para dhjetë vjetësh kur Rama i rrëmbeu Brojkës qendrën e Tiranës për hesape përfitimi të njerëzve të tij. Dhe pikërisht për këtë fati i sheshit rrezikon të jetë po i njëjtë: shëmtimi që do t’i shtohet shëmtimit  në emër të përfitimit që, tek e fundit, do të kthehet edhe kundër atyre që po e prodhojnë.

Projekti belg
Nuk është vështirë të kuptosh se e keqja e të këqijave që i ka ndodhur qytetit janë improvizimet e vazhdueshme që nuk kanë lënë të ndërtohet asgjë me koherencë dhe harmoni funksionale dhe estetike në qytet. Sepse, tek e fundit, mund të biesh dakort edhe që ta rrafshosh një hapësirë të caktuar të qytetit dhe të rindërtosh në të diçka të studiuar nga fillimi deri në fund; por të ndërkallësh ndërtime të reja midis ndërtimesh të vjetra duke varrosur me grataçiela ndërtesa historike, të bashkangjitësh njëra me tjetrën  stile nga më të ndryshmet arkitektonike, të rritësh në këtë mënyrë katastrofike dendësinë e banorëve pa përfillur as më të keqen rregullore urbanistike, siç ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë tek ne, kjo është një shëmti e cila nuk ka shpjegim tjetër përveç përfitimt të çastit të biznesit “kafsho dhe ik”. Edhe projekti francezo - belg është në këtë vazhdë shëmtimi. Ai guxon e prish edhe atë që Enver Hoxha nuk e ka prishur në historinë e sheshit: faktin që rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës janë projektuar për të parë kompleksin Xhami - Sahat që është simboli i kryeqytetit. Por ai shprish edhe funksionin primar pse ka lindur sheshi: atë të lehtësismit të qarkulllimit duke e kaluar atë në zona që me improvizime të reja do të sjellin shëmti të reja funksionale dhe urbane.
Po ashtu, duke patur parasysh se rrotull ndërtesave me të cilat Rama synon të mbyllë sheshin nga të katër anët do të ngrihen edhe grataçielat e planit francez në lindje, dhe se projekti belg mbyll vazhdimësinë hapësinore që krijon sheshi me bulevardin Zogu i I në veri e me rrugën e Durrësit e të Kavajës në perëndim, nuk është vështirë të përfytyrohet se ai shpërndërrohet kësisoj në një pus që nuk do ta rrihte më as drita e diellit, për të mos folur për ndërprerjen e rrymave të ajrit që sipas specilistëve janë edhe ato një element i rëndësishëm për jetën e një qyteti apo për ndotjen me trafikun qe do të shtohej. Aq më tepër duke patur parasysh se në verë Tirana, edhe kështu, është bërë e pajetueshme.
Operacione të tilla ku krijohet një metër katror gjelbërim dhe merren katë metër katror për ndërtim, që janë pjesë e shkatërrimit të  gjelbërimit të Tiranës, duket sheshit se janë edhe pjesë e projektit francezo - belg. Do të shtohet pak gjelbërim tek zona midis Pallatit të Kulturës dhe Xhami – Sahatit e në nddonjë vend tjetër, por do të merret gjelbërimi tashmë ekzistues prapa pallatit të kulturës për të ngritur atje dy grataçiela 25 katëshe. Po ashtu, branda sheshit do të shtohet një kullë midis 15 katëshit dhe Muzeut Kombëtar, një kullë tjetër në hapësirën e brendshme të Muzeut Kombëtar, një ndërtesë tre katër katëshe midis Bankës dhe Muzeut si dhe një 25 katëshe prapa saj që sot janë të gjitha zona ku ka gjelbërim dhe hapësira publike. Është e qartë: kjo katrahurë nuk shpjegohet dot përveçse me llogaritë e klientëve të Ramës.
Kam lexuar se Rama ka deklaruar se belgët kanë projektuar një si piramidë në qendër të sheshit në majët të së cilës qytetari i Tiranës do të ndihej zot. Por a është e vërtetë se qytetari do të ndihet zot në fund të pusit të krijuar prej grataçielave të Ramës që do të rrethojnë sheshin duke ia mbyllur krejtësisht pejsazhin, edhe ato pak copa qiell e mal Dajti që i kanë mbetur për të parë? Absolutisht jo. Por ka edhe një arësye tjetër pse qytetari nuk do të ndihet zot. Projekti, mu pse është ndërtuar për interesa të klientelës së pasunarëve të Ramës,  i merr atij edhe hapësira të tjera publike për t’ia dhënë ato një grushti njerëzish e duke e kthyer qendrën rrotull sheshit në një ishull të të pasurve, të izoluar për shumicën e qytetarëve.

Një propozim
Çfarë mund të bëhej me sheshin që vërtet është i shëmtuar? Pa marrë përsipër të bëj specialistin po thjesht si qytetar që jeton problematikën e qytetit të përshkruar si në këtë shkrim edhe në të tjera një propozimi i vetëm që do të bëja është ky:
Sipas meje në hapsirën midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, dmth. atje ku ka qenë monumenti  i diktatorit e prapa, ka nevojë të vihet dorë për të mbyllur stërmadhësinë e sheshit dhe shëmtinë që sheh syri në atë drejtim. Por nuk jam kurrsesi që kjo të bëhet me një ndërtesë supermarketi, siç parashikojnë belgët që përveçse do të shtonte mbyllje dhe çimento do tu merrte dritë e fushëpamje dy ndërtesave shumë më të rëndësihme siç janë Banka dhe Muzeu. Sipas meje atje fare mirë mund të ndërtohej një park me pemë të larta dhe gjelbërim ku të vendoseshin edhe stola edhe skulptura e ku herë pas here të vendoseshin baraka druri, si në parkun para Bashkisë së Vjenës, ku njerëzit të mblidheshin në ditë festash. Ky park/pyll i vogël në mes të qytetit nuk do të dhunonte ndërtesat gjithsesi të rëndësishme të Bankës dhe Muzeut, do të kishte një kosto minimale për një vend të zhytur në borxhe, do të ruante shumë më tepër identitetin e sheshit, do të ndihmonte sadopak për pastrimin e ajrit në këtë zonë super të ndotur dhe nuk do të mrrudhte edhe më hapësirën publike por do të vazhdonte ta ruante sheshin si një shesh të të gjithëve.
Është thjeshtë një propozim të cilit mund t’i bëhen shumë vërejtje, por jo ajo se propozohet për t’i shërbyer interesave të pushtetparasë së asaj pakice që ka shkaktuar masakrën urbane në Tiranë. (Korrieri, 12 prill 2010)

6 comments:

NOBLE said...

Per ata qe kan deshire mund te lexojne edhe kete artikull te botuar tek gazeta STANDARD dt: 04/04/2010.

http://www.standard.al/index.php/analiza/4528.html

Anonymous said...

Z. Lubonja jam dakort me propozimin tuaj. Po sikur ta vendosnit ne facebook dhe ta qarkullonit si propozim alternativ per sheshin e tiranes i cili mund te mbledhe nje numer te madh mbeshtetesish sa te konsiderohet si ajo qe duan vertet njerezit, ose te rinjte qe do te jene viktimat e ardhme te sheshit sipas projektit aktual.

Anonymous said...

Z.lubonja
me kujtohet ne nje shkrim te hershem Tuajin qe thonit qe Rama e ka pire me kohe ujtin e prishur(ose e ka ngrene lugen e corbes se prishur ) e nuk ka asnje shkalle lirie vecse ti sherbeje mafies qe e mban ne pushtet.
Pyetja ime eshte :A ka mundesi qytetari tiranas ta pengoje mafien qe ka skicuar interesat ne kete shesh,apo keto qe flasim jane vecse Liria e llomotitjeve sic deklaronte ABAS ERMENJI per demokracine tone.
Pra a ka menyre te pengohet mafia e ndertimit ne tirane qe ka si kalin e betejes ramen?
Mendoj qe ne qytetaret e tiranes e kemi betejen e humbur
Nje gje dua ti rhem rames
UROJ QE MOS U NGOPSH KURRE ME PARA E ZOTI TA DENOFTE SHPIRTIN O MASKARA, qe dhe me keto pallate na e ke bere jeten sketerre.

Murik said...

Shume ide e mire me duket propozimi i zotit Lubonja,por a do ta degjoje kush?Fatkeqesia jone e madhe eshte se ne kemi pak njerez si Fatos Lubonja te cilet realisht preokupohen per problemet e medha me te cilat ballafaqohet shoqeria jone sot, dhe shkruajne ate qe mendojne.Shumica jane thjesht mercenare te cilet bejne kalemxhiun e njeres pale apo tjetres.Me kujtohen gjithmone fjalet e nje miku i cili thoshte: "na nxorri sulltani ka i tave hallve perpara, dhe u bom myslimon"
Besoj se e kuptoni ironine e tij..

Anonymous said...

zap-bone ne 14/04/2010 14:41:22

E mendoj te mbaruar kete projekt. Sheshi Skenderbej ne nje gri te ftohte kulla te ftohta, te akullta njezete e pese kateshe ngado. Gjelberimi zero. Stresi qe do ti injektohet nga nje smog zhurmash akustike apo nga thyrjet e reflektime te drites nga "qeillgerivshesit" apo nga verbimi dhe zbrazetia qe te le ne shpirt qysh ne projekt nje hapsire afro dyzetmije metra katrore apo afro kater hektare pllaka betoni ne formen e palezueshme te piramides do te kthehet e perkthehet ne depresion qe nuk e kupton se nga te vjen. Te lexosh piramiden duhet te jesh ne taracen e pallatit te kultures apo ne katin e dhjete te nderteses dhe qe njeriu jo vetem zot qe nuk e ndjen veten po e ndjen nje hic apo me sakte te pedhosur, apo tamam tamam nje zvogelim sa nje morr te pafuqishem dhe me te vertet te zvogluar e te dhunuar. Skenderbeu del jashte funksioni na duhet nje Skenderbe futurist apo abstrakt ta imponon ftohtesia e sheshit dhe pashpirtseia e dekorit te ndertesave qe e rrethojne sheshin. Naten pashpirtesia do te jete absolute nga ftohtesia e neoneve e tjer... Qe te mos e zgjas propozimi i Lubonjes eshte jete eshte qetesi eshte shplodhje eshte freski e ngorhtesi. shteti duhet te mos beje gabime te paflashme per te lene ne qender nje qender tregtare ku shume mire ne aksin e bashkimit te rruges se kavajes me te durrsit duhet nje instutucion i denje per qender dhe jo nje supermarkat. duhet te jete per shembull nje kryeministri apo gjykate e larte hijerende me kollonada ku njerzit te ndjejne pushtetin e shtetit pushtetin e ligjit. Dhe sa per idene e mbushes se sheshit me kioska portative shume ngjyrshe kjoska te bukura estetike artistike ku njerzit te blejne gazeten apo kafeve Vjeneze ku aktiviteti te kruhet jashte nen driten dhe gjelberimi shtoje ketu dhe cadrat shume ngjyrshe, shtoje ketu dhe nje ekspoze apo nje galeri ne natyre te veprave te artit ne skulpture do te thot per mua me te vertete shplodhe dhe nje oaz nga ku njeriu rigjeneron dhe heq stresin e dites dhe eshte nje pike takimi per te gjithe. Vetem mendimi qe do te ndertohen kater apo pese apo gjashte njezet e pesekateshe eshte nje horror eshte sikur e gjithe Rrogozhina te vendoset ne Tirane me te pakten 10.000 njerez. Dhe mendo 10.000 qe kane makina, 10.000 njerez qe bejne plehra. 10.000 njeez te pa pune. 10.000 njerez ....

JONA said...

Me duket e pabesueshme qe po i lejojme te bejne nje gje e tille. Te pakten nje here ne jeten tone duhet te dalim e te mbrojme te ardhmen tone dhe te femijeve tane.
Mjaft me protesta te tipit kush e ka rradhe te pasurohet kete 4 vjecar..Nano,Berisha,Rama apo Meta.

Vertet mendoni se arkitekti/urbanisti qe ka bere studimin nuk ke ka vene re mungesen e theksuar te ambjenteve rekreative( jo bare dhe resorantet e shumta) ne kete Tiranen tone.Sigurisht qe e ka vene re por kujt pervec nesh qe e jetojme cdo dite kaosin dhe lodhjen qe na shkakton ky beton i frikshem qe po na ze fryme cdo dite e me shume do ti interesonte nje park i bukur i paster nje mushkri ne qendren e ketij qyteti qe po ja marrim shpirtin....ASKUJT.

Askujt pervec nesh qe do te na duhet ta jetojme kete mankth cdo dite te jetes sone.

JU LUTEM MOS I LINI TE NA MARRIN FRYME, JETEN.